DIALOGU NDËRMJET KOSOVËS DHE SERBISË

0

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Më 8 mars 2011 përfundoi në Bruksel mbledhja e parë e delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë. Tema të dialogut ishin kadastrat, qarkullimi ajror, telekomunikimet, kryesimi i CEFTA-s dhe pamja e vulave doganore. Dialogu që zgjati dy ditë, vazhdoi të nesërmen.

Delegacioni i Kosovës udhëhiqej nga zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri (Prizren, 1956 – ), ndërsa ai i Serbisë, nga drejtori politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Borisllav Stefanoviq, i quajtur Borko Stefanoviq, 1974-).

Edita Tahiri deklaroi se kemi të bëjmë me një dialog të dy shteteve të pavarura dhe bëhet fjalë për dialog teknik.

Sipas përfaqësuesit serb, Stefanoviqit, lidhur me statusin e Kosovës, të dyja palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta dhe se do të ishte iluzion të pritet se ndonjëra nga palët do ta ndryshojë mendimin e vet. “Dialogu do të duhej të ndihmonte që të rregullohen marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

Fillimi i dialogut ishte vënë dyshim, për arsye se Kuvendi i Kosovës nuk ia doli të miratojë rezolutë për dialog me Serbinë. Në fund u vendos se gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për të marrë pjesë në dialog, mjafton që delegacioni i Kosovës të niset për në Bruksel.

Dialogu zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në këtë mbledhje, në emër të BE-së, në cilësinë e ndërmjetësuesit, mori pjesë diplomati britanik Robert Kuper (Robert Francis Cooper, 1947 -), ndërsa delegacioni i Uashingtonit, i përbërë prej tre anëtarëve, udhëhiqej prej zëvendës ndihmës-sekretarit shtetëror për Evropë dhe Euroazi, Tomas Kantrimen (Thomas M. Countryman, 1957 -).

Pas mbledhjes së dytë të planifikuar për të mërkurën, do të shpallej komunikata e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, politikanes britanike Ketrin Eshton, Baronesha Eshton (Catherine Margaret Ashton, Baroness Ashton of Upholland, 1956-). Mediumeve do t’u drejtoheshin edhe përfaqësuesit e delegacioneve.

Në Bruksel përpiqen që çdo gjë të rrjedhë në mënyrë sa më diskrete, ndërsa mbledhja prezantohet si takim pune dhe takim teknik, duke shtuar se ky nuk është veçse fillimi i procesit.

Tema të dialogut dyditor, të kumtuar prej Brukselit, do të jenë bashkëpunimi rajonal, liria e qarkullimit dhe sundimi i së drejtës.

Për dallim nga dialogët paraprakë të zhvilluar në Vjenë, rrethi i ri i dialogëve do të zhvillohet përjashtimisht me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por edhe me praninë e ShBA-së.

*   *   *

Dialogu midis përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë u zhvillua sipas kronologjisë së poshtëshënuar:

– në vitet 1998-1999 – Uashingtoni e emëron diplomatin dhe ambasadorin amerikan Kristofer Hill (Christopher Robert Hill, 1952 -) si të dërguar special për Kosovën. Deri në shkurt të vitit 1999, Kristofer Hill udhëtonte në Prishtinë dhe në Beograd, duke u ofruar palëve një sërë versionesh të zgjidhjes përfundimtare; Bashkë me Kristofer Hillin, në bisedime merrnin pjesë edhe i dërguari special i Bashkimit Evropian, diplomati austriak i etnitetit slloven, Volfgang Petriç (Wolfgang Petritsch, 1947-) dhe përfaqësuesi i Rusisë, diplomati Boris Majorski;

– më 22 mars 1999 – nga Kosova u evakuua Misioni vëzhgues i OSBE-së;

– më 23 shkurt 1999 – përfundojnë bisedimet në Konferencën e Paqes në Rambuje afër Parisit ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe përfaqësuesve të Serbisë;

– më 23 mars 1999 – për të parandaluar një dramë humanitare përmasash biblike dhe një tragjedi të popullsisë civile, NATO-ja ndërhyn ushtarakisht kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe;

– më 9 qershor 1999 – përfundon ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe në Serbi; pas kësaj, forcat pushtuese kolonialiste serbe u tërhoqën nga Kosova; në Kosovë hyjnë misioni i organizatës botërore,  UNMIK-u dhe trupat e NATO-s – KFOR-i;

Shënim: Rreth një milion shqiptarë që ishin dëbuar forcërisht nga forcat fashiste serbe, e që ishin strehuar në Shqipëri dhe në Maqedoni, filluan të rikthehen në vatrat e veta. Mbi 600.000 shqiptarë ishin vendosur në Shqipëri, ndërsa rreth 360.000 sish – në Maqedoni.

*   *   *

– fillimi i viti 2001 – Kryetari i atëhershëm i RS të Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica (Vojislav Koštunica / Војислав Коштуница, 1944) paska tentuar të zhvillojë bisedime mesipas burimeve të huaja – liderin e shqiptarëve të Kosovës Ibrahim Rugovën (1944-2006), por ekipi i Kosovës “ka hequr dorë nga pjesëmarrja në mbledhjen përgatitore”. Të njëjtin fat e paskan përjetuar edhe përpjekjet e kryeministrit Zoran Gjingjiq (Zoran Đinđić / Зоран Ђинђић, 1952 – 2003) për vënien në lëvizje të procesit të bisedimeve me – siç thonë burimet serbe – „shqiptarët e Kosovës“.

Shënim: Zoran Gjingjiqi diplomoi në vitin 1974 në Fakultetin Filozofik të Beogradit. Në vitin 1979 doktori për filozofi në Universitetin e Konstancës në Gjermani. U vra në atentat në vitin 2003 në Beograd, nga ultranacionalistët serbë të mbështetur nga ithtarët e zjarrvënësit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq (Slobodan Milošević / Слободан Милошевић, Pozharevc, Serbi, 1941 – Hagë, 2006) dhe nga radikali serbomadh Vojisllav Sheshel (Vojislav Šešelj / Војисалв Шешељ, 1954-).

*   *   *

– më 7 tetor 2005 – Grupi i Kontaktit i miratoi parimet e zgjidhjes së statusit të Kosovës; në to thuhet se zgjidhja duhet të arrihet në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, në përputhje me demokracinë dhe me të drejtën ndërkombëtare; zgjidhja duhet t’i kontribuojë edhe sigurisë në rajon;

– më 24 tetor 2005 – Këshilli i Sigurimit i KB-ve dha dritë të gjelbër për fillimin e bisedimeve për të ardhmen e Kosovës. Ambasadorët e forumit më të fuqishëm të organizatës botërore i mbështetën propozimet e sekretarit të përgjithshëm të asaj kohe Kofi Anan (Kofi Atta Annan; Rumasi, Ganë, 1938 – Bernë, Zvicër, 2018) që të fillojnë bisedimet për statusin e Kosovës.

Shënim: Diplomati ganez Kofi Anan ka qenë sekretar i përgjithshëm i OKB-së në vitet 1997-2006. Në vitin 2001 mori çmimin “Nobel” për paqe.

*   *   *

– më 11 nëntor 2006 – ish-kryetari i Finlandës Marti Ahtisari u zgjodh për negociator kryesor; pas dhjetë ditëve mbërriti në Prishtinë; me këtë praktikisht filloi edhe procesi i bisedimeve;

– janar 2006 – Grupi i Kontaktit i konfirmoi parimet e bisedimeve dhe e ftoi Prishtinën dhe Beogradin të punojnë në mënyrë konstruktive me Marti Ahtisarin, për të gjetur zgjidhje reale për shumë çështje “të rënda” të cilat duhet të shqyrtohen;

– shkurt – shtator 2006 – U zhvillua dhjetë raunde bisedimesh në Vjenë;

– më 24 korrik 2006 – u mbajt raundi i parë i bisedimeve për statusin e Kosovës në nivel më të lartë, me ç’rast kryetari i Serbisë Boris Tadiq (1958- ) “shqiptarëve të Kosovës” – sikundër shprehen burimet serbe – u paska ofruar autonomi thelbësore në kufijtë e Serbisë, gjë që kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu (1951-) e ka hedhur poshtë, duke theksuar se pavarësia është e vetmja zgjidhje që do ta pranojnë shqiptarët.

Ahtisari deklaron: “Beogradi është i gatshëm të japë çdo gjë përpos pavarësisë, ndërsa Prishtina nuk pranon asgjë përpos pavarësisë”.

Shënim: Fatmir Sejdiu ka qenë kryetar i Kosovës në vitet 2006-2010.

– më 20 shtator 2006 – Marti Ahtisari në Nju-Jork e njoftoi Grupin e Kontaktit me rrjedhën e bisedimeve “Duke qenë se ky proces hyn në fazën vendimtare, ministrat shpresojnë për një zgjidhje të përhershme të çështjes së madhe të fundit që ndërlidhet me shpërbërjen e Jugosllavisë”.

– më 2 shkurt 2007 – Marti Ahtisari e paraqiti projektin e zgjidhjes të cilin pala kosovare e mbështeti, ndërsa Serbia e hodhi poshtë. Edhe pse në dokument fjala pavarësi askund nuk përmendej në mënyrë implicite (të vetëkuptueshme), Kosovës i njihej e drejta për të aplikuar në organizatat ndërkombëtare, të formojë forca të armatosura dhe të miratojë simbole   shtetërore.

– më 26 mars 2007 – Marti Ahtisari, në raportin përfundimtar të paraqitur Këshillit të Sigurimit, si zgjidhje për statusin e Kosovës propozoi pavarësi të mbikëqyrur. Në raport, midis tjerash Ahtisari thotë: Riintegrimi i Kosovës në Serbi nuk është opsion real; për këtë arsye pavarësia e mbikëqyrur nga ndërkombëtarët është zgjidhja më e mirë”.

– më 25 prill 2007 – Këshilli i Sigurimit i KB-ve, me kërkesë të Beogradit dhe të Moskës, dërgoi në Kosovë një mision të posaçëm i cili brenda katër ditëve do të konstatonte gjendjen në terren, për arsye se do shtete, anëtare të këtij forumi “kanë shprehur rezerva lidhur me zgjidhjet” e propozuara nga Marti Ahtisari.

– më 13 korrik 2007 – ShBA-ja dhe shtetet anëtare të BE-së, ia paraqitën Këshillit të Sigurimit propozimin e rezolutës së re për Kosovën, të pestën me radhë, me të cilën Kosovës dhe Serbisë u lihet edhe 120 ditë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, por “pa automatizëm në zbatimin e planit të Marti Ahtisarit, po qe se këto bisedime nuk japin fryt”.

– më 20 korrik 2007 – të ballafaquar me kanosjen e vetos së Rusisë, ShBA-ja dhe pesë anëtarët e BE-së, heqin dorë nga vazhdimi i procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të KB-ve. Këta paralajmëruan se që nga fundi i muajit korrik, për këtë proces do të kujdeset Grupi i Kontaktit i përbërë prej gjashtë anëtarëve.

– Më 10 qershor 2007, presidenti amerikan Xhorxh Uoker Bush (George Walker Bush, 1946-)  paralajmëroi nga Tirana: “Është koha që Kosova të bëhet shtet i pavarur”.

– më 10 gusht 2007 – treshi i negociatorëve BE-ja, ShBA-ja dhe Rusia e filluan raundin e dytë të bisedimeve. Në treshin ndërmjetësues, qëndrimi i ShBA-së nuk përputhet me atë të Rusisë. Uashingtoni mbështet Kosovën, ndërsa Moska – Serbinë. ShBA-ja kërkon një zgjidhje brenda 120 ditëve, e pikërisht në bazë të planit të emisarit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisarit*. Rusia ndërkaq, thotë: Pakoja e Ahtisarit e ka humbur vlerën, ndërsa bisedimet nuk duhet kufizuar në pikëpamje kohore”.

Shënim: Marti Ahtisari (Martti Oiva Kalevi Ahtisaari; Vyborg, Rusi, 1937- ) është diplomat finlandez, mediator apo ndërmjetësues i Kombeve të Bashkuara, kryetar i Finlandës në vitet 1994-2000; në vitin 2008 mori çmimin “Nobel” për paqe.

*   *   *

– më 27-28 shtator 2007 – shefat e diplomacisë të vendeve të Grupit të Kontaktit theksuan në Nju-Jork përcaktimin për një zgjidhje me marrëveshje të statusit të Kosovës, të cilën do ta konfirmonte Këshilli i Sigurimit i KB-ve.

Bisedime të drejtpërdrejta ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe të Beogradit, pas të cilave pala kosovare paraqiti Propozimin e marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Këtë propozim, Serbia e refuzoi.

– më 10 dhjetor 2007 – treshi i negociatorëve BE-ja, ShBA-ja dhe Rusia, pas 120 ditë bisedimesh, e përfunduan misionin. Në raportin e diplomatit gjerman Volfgang Ishinger (Wolfgang Friedrich Ischinger, 1946-), të diplomatit amerikan Frenk Uizner (Frank George Wisner, 1938 -) dhe të diplomatit rus, tani ambasador në Beograd, Aleksandar Bocan Harçenko (Alexandr Botsan Kharchenko, 1957 -) thuhet se Prishtina dhe Beogradi nuk kanë arritur marrëveshje për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe se të dyja obligohen që të përmbahen nga dhuna. Beogradi ka kërkuar vazhdimin e “bisedimeve”, ndërsa shqiptarët nuk heqin dorë nga shpallja e pavarësisë;

– më 19 dhjetor 2007 – Sipas burimeve serbe, Këshilli i Sigurimit i KB-ve “nuk ka nxjerrë kurrfarë konkluzioni lidhur me çështjen e statusit të ardhshëm të Kosovës”. Serbia ka kërkuar vazhdimin e bisedimeve dhe i është kundërvënë dërgimit të misionit të BE-së në Kosovë, pa një vendim paraprak të KB-ve. Kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu (1951-) deklaron se për statusin e Kosovës, pavarësia është e vetmja zgjidhje e pranueshme;

– më 14 shkurt 2008 – Qeveria e Serbisë mori Vendim “për anulimin e akteve të paligjshme të organeve të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë dhe Metohi për shpalljen e pavarësisë së njëanshme”;

– më 17 shkurt 2008 – Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë. Në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës pasuan manifestime. Në ditët e ardhshme, pavarësinë e Kosovës e njohën: ShBA-ja, Shqipëria, Austria, Gjermania, Italia, Franca, Britania e Madhe, Turqia, Australia, Polonia etj. Deri më sot, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 shtete të botës.

– më 18 shkurt 2008 – Kuvendi i Serbisë e vërtetoi vendimin e qeverisë për anulimin “e shpalljes së njëanshme të paligjshme të pavarësisë së Kosovës”. Në një seancë të jashtëzakonshme, për aprovimin e propozimit të Qeverisë së Serbisë, votuan 225 deputetë.

– më 21 shkurt 2008 – sipas burimeve serbe, në mitingun “Kosova është Serbi”, të mbajtur në qendër të Beogradit qenkëshin tubuar “rreth 500.000 vetë”. Në trazirat që pasuan pas mitingut, humbi jetën një demonstrues. Qenkëshin plagosur rreth 200 vetë, ndërsa 192 vetë policia paskësh shoqëruar në stacion policor. Demonstruesit e dogjën ndërtesën e ambasadës së ShBA-së dhe e demoluan ambasadën e Kroacisë.

– më 26 mars 2008 – Serbia paralajmëroi se do të kërkojë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të deklarohet nëse me shpalljen e pavarësisë së Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare. Serbia do ta ndërmarrë këtë nismë nëpërmjet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

– më 15 gusht 2008 – shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiq (Vuk Jerеmić / Вук Јеремић, 1975 -) zyrtarisht i paraqiti kërkesë Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, duke kërkuar që ky forum ta mbështesë rezolutën e  Serbisë me të cilën kërkohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pyetja drejtuar kësaj gjykate ka këtë përmbajtje: “Pavarësia e Kosovës e shpallur njëanshëm nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes të Kosovës, a është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”

– më 8 tetor 2008 – Asambleja e Përgjithshme e KB-së, me shumicë votash, miratoi kërkesën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të deklarohet lidhur me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Propozimin e rezolutës të paraqitur nga Serbia e mbështetën 77 delegatë. Kundër këtij propozimi votuan gjashtë delegatë, përkatësisht përfaqësuesit e Palaut, Naurus, Mikronezisë, Ishujve Marshall, Shqipërisë dhe të ShBA-së.

– prej 1 deri më 11 dhjetor 2009 – Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë filloi shqyrtimi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kosova dhe Serbia kishin në dispozicion nga tri orë për t’i nxjerrë argumentet. Gjatë një shqyrtimi që zgjati nëntë ditë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, mendimin e vet për legalitetin e shpalljes së pavarësisë e dhanë 29 delegacione;

– më 22 dhjetor 2009 – skadoi afati i përgjigjeve për tri pyetjet të caktuar nga gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në fund të shqyrtimit nëntëditor – a lejohet pavarësia jashtë kontestit të dekolonizimit; në vjeshtë të vitit 2007, institucionet e Kosovës a kanë zhvilluar fushatë për zgjedhje mbi platformën e shpalljes së pavarësisë dhe a është përcaktuar me dokumentin e Rambujesë e drejta për vetëvendosje;

Shënim: Konferenca e Paqes e Rambujes ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe përfaqësuesve të Serbisë, u mbajtën në Rambuje (Rambouillet) afër Parisit. Zgjati 17 ditë. Filluan në 6 shkurt 1999 për t’u mbyllur më 23 shkurt të po atij viti.

*   *   *

– në korrik 2010 – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlerësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare;

– në shtator 2010 – Asambleja e Përgjithshme e KB-së miratoi një rezolutë me të cilën i hapen dyert fillimit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Me këtë rast, përshëndetet gatishmëria e BE-së për të ndërmjetësuar në dialog;

Përfaqësuesit e Kosovës, ShBA-së, Britanisë Madhe, Francës, Gjermanisë, Holandës, Austrisë, Norvegjisë, Danimarkës, Finlandës, Bullgarisë, Kroacisë, Jordanisë dhe të Arabisë Saudite mbrojtën qëndrimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare. Përfaqësuesi i Burundit vlerësoi se Kosova do të vazhdojë të ekzistojë si entitet, pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Serbia, Rusia, Kina, Spanja, Rumania, Qiproja, Argjentina, Brazili, Vietnami, Bolivia, Venezuela, Azerbajxhani dhe Bjellorusia vlerësuan se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare.

*   *   *

Nga zvarritja apo prolongimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, mund të konstatohet:

– se në dialogun e sipërthënë, tërthorazi ka qenë e implikuar edhe Moska apo më saktë, kryetari i Rusisë Vlladimir Putin (1952-);

– se qendrat proruse të BE-së, nën ndikimin e Putinit, janë shndërruar në qendra filoserbe;

– se Berlini dhe Parisi, të konsideruara lokomotiva të BE-së, nuk kanë ndërmarrë asgjë për ta rrumbullakuar shtetësinë Kosvës;

– se Serbia ka qenë e përkëdhelura e qendrave proruse të Brukselit;

– se nuk është e rastit që shefi i diplomacisë evropiane Josep Borel (Josep Borrell, 1947- ) vjen nga një shtet si Spanja, që s’e ka njohur pavarësinë Kosovës;

– se nuk është e rastit që përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak (Miroslav Lajčák, 1963- ) vjen nga një shtet që s’e ka njohur pavarësinë Kosovës.

Presidenti i Francës Emanyel Makron (Emmanuel Macron, 1977- ) dhe ish-kancelarja gjermane e vizitojnë Beogradin, duke e anashkaluar Prishtinën.

Në Serbi kanë investuar me të madhe firmat e Gjermanisë. Aty kanë hyrë edhe investime të Francës dhe të Italisë. Madje Franca i shiti Serbisë edhe armë.

Në kohën e kancelarëve Gerhard Shreder (Gerhard Schröder, 1944- ) dhe Angela Merkel (Angela Dorothea Merkel, 19540- ), marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Gjermanisë dhe Rusisë së Putinit, arritën një shkallë të lartë. Nga këto marrëdhënie përfitonin të dy shtetet, si Gjermania, ashtu edhe Rusia. Merkeli i siguronte Gjermanisë dhe Evropës lëndë djegëse energjetike, naftë dhe gaz natyror. Në saje të kësaj, Gjermania arriti një shkallë të lartë të zhvillimit ekonomik, por nga këto marrëdhënie përfitoi edhe Rusia e Putinit. Nga marrëdhëniet e lartpërmendura, Gjermania dhe Evropa u bënë të varura nga nafta dhe nga gazi natyror rus. Shrederi dhe Merkeli nuk kërkuan rrugë alternative për të siguruar lëndë energjetike – naftë dhe gaz natyror.

Nuk është vështirë të konstatohet se Putini i ka kërkuar Angela Merkelit që për statusin përfundimtar të Kosovës të mbështesë një zgjidhje kompromisi.

Putini nuk është më tërheqës për qendrat proruse dhe filoserbe të BE-së. Atij i ka mbetur të takohet me kryetarin e Koresë së Veriut Kim Jong-un (1984-).

Po të mbetet për BE-në, mbyllja përfundimtare e statusit të Kosovës do të qëndronte pezull deri në pafundësi. Rrumbullakimin e shtetësisë së Kosovës do ta bëjë ShBA-ja dhe vetëm ajo.

*   *   *

Është detyrë e shqiptarëve ta luftojnë korrupsionin në të gjitha nivelet e shoqërisë, përfshirë edhe majat e shtetit dhe të politikës. Ta luftojnë edhe nepotizmin. Politikanët që janë nën hipotekë nuk mund të udhëheqin shtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok