20/04/2024

Dialogu Kosovë-Serbi dhe roli i përfaqësuesve të demokracive perëndimore

0

Nga Enver Bytyçi

Lajçak dhe Escobar nesër nisin turneun e radhës në Prishtinë e në Beograd. Kësaj radhe shoqërohen jo vetëm nga të ngarkuarit e Scholz e Macron, por edhe ai i Melonit. Vetëm i ngarkuari britanik për Ballkanin akoma nuk i është bashkëngjit kësaj pesëshe, e cila deri dje ishte katërshe e nesër mund të bëhet gjashtëshe. Të gjithë këta do të bisedojnë më autoritetet e Kosovës e të Serbisë. Për çfarë? Sigurisht për dialogun midis të dy palëve.

Dialogu është e vetmja mënyrë e zgjidhjes së konflikteve në vendet dhe rajonet me qeverisje demokratike. Prandaj dhe demokracitë kurrë nuk udhëheqin luftëra. Krizat, konfliktet zgjidhen gjithnjë brenda sistemit e jo jashtë tij, me luftëra dhe viktima. Por, përfaqësuesit e vendeve të demokracive perëndimore nuk po arrijnë që konfliktin midis Kosovës e Serbisë ta zgjidhin ende me dialog. Sepse Serbia nuk është një vend demokratik. Megjithatë Varlehey e trajton në mënyrë të privilegjuar si demokraci qeverisjen e Aleksandër Vuçiq. Edhe kryeministri i Shqipërisë e trajton njësoj si komisionari për Zgjerim i BE-së, pra si një vend normal e madje model të tijin.

Mirëpo, është e mjaftueshme të shihen deklarimet e presidentit të Serbisë për të kuptuar se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është një dialog midis agresorit dhe viktimës, midis një vendi më demokratiku në rajon (Kosovës) dhe një vendi autoritar, të korruptuar dhe i udhëhequr nga nacionalizmi ekstrem i mitizuar, pra Serbia. Nëse këta pesë autoritetet euro-amerikane bëjnë këtë analizë, atëherë do të duhet që të kishin në vëmendje faktet e mësipërme. Minimumi duhet që ata të dinë se “Konflikti Kosovë-Serbi nuk zgjidhet madje as me modelin e dy gjermanive!” Sepse Gjermania Federale, aso kohe ishte në rolin e Serbisë sot, ishte gjithashtu një vend demokratik, një vend, kancelari i së cilës ra në gjunjë përpara memorialit të Luftës së Dytë Botërore në Poloni. Ishte Gjermania e Willy Brandt, një politikan që dha dorëheqjen nga funksioni më i lartë i shtetit, pse këshilltari i tij rezultoi të ishte spiun i STAS-it. Serbia, e madje as Shqipëria, nuk janë si Gjermania e sotme, as si Gjermania e Willy Brandt.

Po Aleksandër Vuçiqi? Ai është një Putin i Ballkanit dhe si i tillë nuk ka asgjë të përbashkët me ish-kancelarin e nobelizuar, Willy Brandt. Ai është një udhëheqës autoritar dhe si i tillë i pabesë. Vuçiq kur flet për paqen, përgatit luftën! Ai udhëhiqet nga parimet e “botës serbe” dhe “Serbisë së Madhe”, njësoj si edhe Aleksandër Dugin e Vladimir Putin, të cilët udhëhiqen nga doktrinat e “botës ruse” dhe të “Rusisë së Madhe”! Kur Lajçak, Escobar dhe tre këshilltarët e tjerë europianë të arrijnë në Kosovë duhet të kenë parasysh faktin se janë në vendin e krimit, të atij krimi makabër që Serbia ka bërë kundër njerëzimit. Janë në tokën e lagur me gjakun e gati 15 mijë viktimave të gjenocidit serb.

Rasti i asaj vajzës 14 vjeçare nga Kosova të maskuar në Kosovë e të gjetur në kamionin frigoriferik në fund të ujërave të Danubit, për të cilën kryeministri Kurti foli në Akademinë Diplomatike të Vjenës, duhet t’i bëjë negociatorët që vijnë nga demokracitë e Perëndimit pak më tepër njerëz humanë. Jo vetëm ai rast! Por, janë mbi 3300 trupa shqiptarësh të masakruar, të cilët janë ngarkuar në kamionë dhe janë dërguar në Serbinë danubiane e saviane për t’u varrosur në varre masive. Prej tyre 1630 ende nuk janë gjetur. E t’i kërkosh këtij populli të masakruar ta vendosë Kosovën nën protektoratin serb, kjo nuk është punë diplomatësh që vijnë nga demokracitë!

Shqipëria në vitin 1913 u nda për shkak të ruajtjes së ekuilibrave të Fuqive të Mëdha. Këtë e ka pohuar vetë kryesuesi i Konferencës së Ambasadorëve, ministri britanik i Punëve të Jashtme, Edward Grey.

Por Europa dhe SHBA-të asokohe nuk ishin demokraci të mirëfillta. Nëse sot demokracitë euro-perendimore bëjnë të njëjtin gabim me Kosovën, atëherë u dashka të themi se Europa dhe Amerika shiten si demokraci, por nuk janë të tilla. Demokracitë kurrë nuk sakrifikojnë viktimën për të krijuar balanca me joshjen e agresorit. Nëse kjo ndodh në rastin e Kosovës dhe Serbisë, atëherë kjo do të ndodhë edhe në rastin e konfliktit Rusi-Ukrainë.

Çdo zgjidhje “kompromisi” në favor të agresorit në Kosovë është prelude i një zgjidhjeje të tillë në favor të agresorit në Ukrainë. Prandaj dhe pesëshja euro-atlantike si ndërmjetësuese e dialogut duhet të dëshmojë integritet dhe legjitimitet në këto bisedime dhe sidomos në formulën e zgjidhjes. Dialogu dhe bisedimet mund të karakterizohen nga diversiteti i mendimeve të palëve, e ndoshta edhe të ndërmjetësuesve në bisedime. Por, formula e zgjidhjes duhet të jetë e drejtë, efektive, e sinqertë dhe jo pasqyrim i interesave të ngushta të njërit ose disa vendeve që përfaqësohen e ndërmjetësojnë në këtë dialog. As Lajçak e Borrell, të cilët vijnë nga dy vende që nuk e njohin Kosovë, nuk kanë tagër të mbajnë anën e agresorit serb kundër Kosovës!

Balanca dhe ekuilibri vendosën përmes drejtësisë. Drejtësia dhe jo liria e individit apo e qytetarëve, kanë funksionuar edhe në kohën e perandorive dhe pikërisht për këtë arsye ato kanë mbijetuar me shekuj. Nëse drejtësia këputet, atëherë liria është e varrosur. Përfaqësuesit e vendeve të lira duhet ta evitojnë këtë kurth diplomatik. Diplomacia pa atributin e drejtësisë dhe të lirive demokratike është demokraci e ekuilibrave, që në Europë u vendosën me Kongresin e Vjenës në vitin 1815. Mos e ktheni Europën në kohën e Napoleonit të Madh!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok