Dhuna ndaj grave në Kosovë shënoi viktimën e rradhës
Nga Blerim Latifi
Dhuna ndaj grave në Kosovë dje shënoi viktimën e rradhës. Një vajze 18 vjeçare iu mor jeta në mënyrën më makabre të mundshme nga dy monstra me fytyrë njerëzore.
Dhe, siç edhe jemi mësuar tashmë, me të dalë lajmi, nisi kori i reagimeve dhe dënimeve verbale të krimit.
Pas dy-tre ditësh lajmi vjetërohet, krimi harrohet dhe askush më nuk merret me shkaqet e dhunës ndaj grave, e cila vazhdon të marrë jetë dhe të rrënojë familje gjithandej Kosovës.
Ah, më falni, se e bëra një “gabim” në këtë që sapo thashë. Është dikush që shqetësohet për dhunën ndaj grave, janë politikanët që njëherë në vit, në ditën ndërkombëtare të ndërgjegjësimit për dhunën ndaj grave, shfaqen me fjalime te bukura kundër kësaj dhune dhe në fund të ditës i fusin në sirtar ato fjalime për t’i lexuar një vit më pas.
Të mos ua mohojmë meritat a!
Dhunuesit, ndërkaq, e shfrytëzojnë indiferencën patriarkale të shoqërisë e të shtetit, gjejnë diku ndonjë gjykatës të korruptuar e me mentalitet mizogjin, i shpëtojnë dënimit dhe pastaj jeta vazhdon. Bashkë me hipokrizinë e një shoqërie që ka dëshirë të duket e emancipuar, por që nuk lodhet fare të bëhet e tillë.
______________
Të gjitha kodet ligjore që janë krijuar para epokës moderne e legjitimojnë në mënyra të ndryshme dhunën e burrave ndaj grave. Për një arsye të thjeshtë: ato janë kode të shkruara nga burrat, pa i pyetur gratë.
Dhe ata nuk janë ndalur me kaq.
Kanë shkuar edhe më tej: “të drejtës” së tyre për të ushtruar dhunë mbi gratë, i kanë mveshur edhe justifikime hyjnore apo natyrore: “Zoti ka thanë se gruaja që si bindet burrit duhet me u shtru n’dajak”. Ose: “Vetë natyra e ka bërë burrin fizikisht më të fortë se gruan, prandaj nënshtrimi i saj është i natyrshëm”.
Për shekuj me rradhë këto dogma kanë shërbyer për ta mirëmbajtur pushtetin diktatorial të burrave mbi gratë dhe rrjedhimisht edhe për ta justifikuar dhunën mbi to.
Do duhej të vinte Iluminizmi europian i para dy shekujve që këto dogma të rrëzoheshin dhe bota të fillonte të kuptonte se as në qiell e as në tokë nuk është parashkruar që burrat kanë të drejtën e dhunës mbi gratë.
Emancipimi i grave dhe kualifikimi i dhunës së burrave mbi to si krim i dënueshëm, janë produkte të këtij iluminizmi europian dhe secili që mendon se mund të flas për emancipimin dhe të drejtat e grave jashtë kuadrit moral të këtij Iluminizmi, thjesht nuk bën tjetër veçse tregon se nuk merr vesh gjë nga kjo punë.
______________
Kur europianët e parë shkelën në kontinentin amerikan, këtu e 530 vite më parë, mes shumë gjërave të panjohura më parë prej tyre, panë edhe një bimë me një fryt të çuditshëm, që nuk ekzistonte as në Europë, as në Azi e as në Afrikë. Popujt indigjenë, të cilët europianët i gjetën në kontinentin e sapo zbuluar, këtë bimë e quanin Mahiz. Për ta ajo nuk ishte thjesht një bimë ushqyese, por edhe një bimë e shenjtë, prej të cilës prodhonin pijet e shenjta, që i përdornin në ritualet e tyre fetare. Madje, Majat besonin edhe në një perëndi që kujdesej për këtë bimë.
Në fillim europianëve ajo u dukej një bimë e kotë, ndërsa ritualet fetare të indigjenëve që lidheshin me të, u dukeshin marrëzi të thjeshta të popujve barbarë. Mirëpo, më pas, ata filluan të mësoheshin me të, filluan ta përdornin edhe për ushqim dhe një ditë prej ditësh farat e saj i hipën në anije dhe i sollën në Europë. Meqë kultivimi i saj nuk kërkonte shumë mund, ajo shpejt u përhap gjithandej Europës dhe një ditë tregtarët e sollën edhe në Ballkan.Shqiptarët i vunë dy emra: në toskërisht e quajtën misër, ndërsa në gegnisht i vunë emrin kallamoç.
Zbulimi i Amerikës prej europianëve i kishte privuar banorët e saj të lashtë nga pavarësia e tyre, por bima e tyre e shenjtë ia kishte dalë të pushtonte botën. Mbase për të mbetur si një shenjë e kulturës së tyre tanimë e shndërruar në gërmadhë.
______________
Sistemi gjyqësor në Kosovë është i mbushur me gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, me dembelë, me frikacakë, me jokompetentë, me të atillë që s’kanë hapur libër që nga dita kur e kanë dhënë provimin e fundit në fakultet.Prandaj ky sistem ndikohet aq lehtë nga presionet e njerëzve të fortë të politikës, të bizneseve të zeza dhe nga ato të kriminelëve të të gjitha kategorive. Një gjë mund ta themi me siguri: nëse nuk intervenohet me një reformë serioze dhe të thellë, pasoja e fundit e këtij sistemi të kalbur gjyqësor do të jetë rikthimi i vetëgjyqësisë.