14/12/2024

Recension nga publicisti Faik Krasniqi për librin “KATANDISJA E VLERAVE” të autorit Florim Zeqa

0
Katandisja e vlerave2

Stili i të shkruarit, por mbi të gjitha guximi, publicistin Zeqa e veçon prej shumicës së publicistëve në trojet shqiptare. E posaqërisht në kryerjen e misionit të shenjtë si intelektual. I matur dhe preciz në çdo shkrim. Me plotëkuptimin e fjalës një intelektual i mirëfilltë.

Trajtimi i temave të cilat e preukopojnë autorin dhe të cilat i trajton me aq përkushtim dhe profesionalizëm në këtë libër, na japin të drejtën ta trajtojmë si liber të madh publicistik. Libër që ngjall kureshtjen e lexuesit për të mësuar dredhitë dhe intrigat e njerëzve që arritën ta fundosin një parti që ishte themeluar nga bota e ndershme akademike dhe intelektualëve të mirëfilltë në Kosovë.

Libri më i ri i publicistit të shquar Florim Zeqa “KATANDISJA E VLERAVE”, është libër që duhet ta lexoj çdo aktivist dhe veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ky është libri i radhës i publicistit Zeqa, që përmes shkrimeve të tij në të përditshmet shqiptare, pasqyron realitetin por njëkohësisht edhe shqetësimet e tij për vendin në përgjithësi. Katandisja e Kosovës në çdo pore të saj, është bërë shqetësim i përditshëm i autorit.

Por, kësaj radhe libri bën fjalë për katandisjen e partisë ku publicisti Zeqa ka qenë veprimtar i devotshëm për më shumë se dy dekada, ose më saktësisht prej themelimit të saj. Fundosja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga matrapazët brenda kësaj partie, e shtynë veprimtarin dhe publicistin Zeqa që ta pushojë aktivitetin e tij në këtë parti, aktivitet që e kishte zhvilluar edhe në mërgim ku jeton më shumë se dy dekada.

Në shkrimin e tij “Katandisja e vlerave demokratike në LDK” autori shkruan: “Pas Kuvendit të VIII-të zgjedhor të LDK-së, ishte mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm e këtij subjekti (me 6 Qershor) që nxori në sipërfaqe katandisjen demokratike dhe largimin nga vlerat sublime (rugoviane) të këtij subjekti politik.

Pas zgjedhjes antidemokratike (me aklamacion) të liderit të partisë me 31 Maj, e njëjta gjë u përserit edhe më 6 Qershor të të njëtit vit, me zgjedhjen poashtu me aklamacion të Kryesisë qendrore të këtij subjekti,…në fakt u rizgjodhën të njëjtit me propozimin e liderit, me pak ndryshime kozmetike, do të thoja të papërfillshme sa i përket përmbajtjes substanciale në kreun e këtij subjekti politik.

Ashtu sikurse në Kuvendin e VIII-të zgjedhor, edhe në KP u pamundësua debati, u anashkalua mënyra demokratike (votimi i fshehtë) e zgjedhjes së organeve drejtuese, duke e ngulfatur për të dytën herë vullnetin e lirë nga baza elektorale.

Kështu nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, madje as në vitet e ’90-ta, në rrethanat e okupimit klasik, kur kryesia e partisë gjithmonë zgjedhej përmes votimit të fshehtë e jo me aklamacion sipas diktatit të liderit”.

Tutje, në këtë shkrim autori e shpreh shqetësimin e tij për instalimin e diktaturës nga lideri i LDK, Isa Mustafa dhe kryesia e saj, që në njëfarë menyrë funksionojnë si Byroja Politike e Shqipërisë komuniste të diktatorit Enver Hoxha. Eliminimi i figurave politike brenda partisë nga kryetari autoritativ Isa Mustafa, është edhe arsyeja që e bën LDK-në të ngjajshme me partitë diktatoriale.

Demokracia e brendshme nëpër partitë politike në trojet shqiptare nuk është aspak e kënaqshme, por autori shqetësimin më të madh e jepë për partinë ku ka qenë veprimtar për gati 3 dekada. Veprimtari që e ka kryer në menyrë vullnetare, me zell të madh dhe pa asnjë kompensim material.

Autori Zeqa e përmbyll shkrimin në menyrën më profesionale të mundshme, dhe duke i parë zhvillimet në këtë parti prej vitit 2015 kur është shkruar, mund të themi se ka qenë një largpamësi e autorit. Një nga arsyet e kësaj largpamësie është edhe veprimtaria e tij në këtë parti për më shumë se dy dekada. Me shumë të drejte mund të themi se ishte më shume se parti, një levizje gjithëkombëtare.

Ja çfarë shkruan autori në fund të këtij shkrimi: “LDK-ja rugoviane, nga një parti e besës dhe shpresës së qytetarëve të Kosovës është shndërruar në Lidhje Diktatoriale të Kosovës dhe vartëse e partisë rivale në pushtet (bashkëqeverisje).

Ky përkufizim, nuk është i ashpër as ofendues për LDK-në, është shprehje reale e gjëndjes pas zgjedhjeve partiake në këtë subjekt.

Megjithatë ky nuk është fundi i botës, por katandisje e vlerave demokratike në LDK!”

Autori në këtë libër vazhdon me shkrimet e tij për katandisjen e LDK-së, por edhe për planet djallëzore të Isa Mustafes me familjen e Presidentit Rugova, respektivisht djalit Mendimit.

Në shkrimin “Loja e djallëzore e Isa Mustafës me djalin e Presidentit”, autori Zeqa shkruan: “Nuk është që Mendimi nuk e meriton një post të zv. ministrit,…unë do të thoja meriton akoma më shumë se kaq, por jo në këtë përbërje dhe në këto rrethana politike”.

“Kjo çfarë po ndodhë është një lojë djallëzore e kryeministrit Isa Mustafa me djalin e presidentit Rugova. Pas komprometimit politik që i bëri LDK-së me lidhjen e kurorës qeverisëse me PDK-në, si duket Isa Mustafa ka vendosur të kompremetoj edhe familjen Rugova.

Në asnjë rrethanë politike, përfshirja e djalit të presidentit Rugova në qeverisjen aktuale nuk i bënë nder familjes Rugova dhe vet Mendimit si djalë i një babai të përgjegjshëm, siq ishte Ibrahim Rugova simbol i lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.

Nuk e di a e ka të qartë zoti Mendim I. Rugova, se me vetë prezencën e tij në qeverinë më megalomane në Europë, në qeverinë më të korruptuar dhe më të shantazhuar në rajon,…me (pa) dashjen e tij është bërë pjesë e kapjes së shtetit, pjesë e grupeve të interesit, këtyre kusarëve politik që përgjatë shtatë viteve të fundit rropën e ç’rropën gjithçka gjetën para vetës,… përveq se u shndërruan në multimilionerë, shkelën mbi çdo parim human dhe kombëtar, duke lënë në varfëri dhe të pashpresë një popullatë të tërë.Ashtu sikurse ish shefi i tij i dikurshëm i Isa Mustafës (Bujar Bukoshi) që e përdori Ukë Rugovën para dhe pas zgjedhjeve të 2010-së, ngjajshëm po vepron edhe Isa Mustafa me përfshirjen e Mendimit në qeveri, duke e përdorur si “mburojë” pas veprimeve antidemokratike në kuvendin e VIII-të zgjedhor,…i cili për të kënaq egon e tij karrieriste, la prapa dyerëve të kuvendit delegatët e dy degëve më të fuqishme të LDK-së nga Diaspora (Zvicër dhe Gjermani).Si u bë që të dy bashk (Bukoshi e Mustafa) nga kundërshtar ideor dhe politik të presidentit Rugova, (pas vdekjes së tij) të bëhen miq me djemt e tij!,…kur në Kosovën e pasluftës dhe për të gjallë të presidentit nuk ishin madje as pjesë formale e LDK-së!

Si u bë tani, siq thotë populli të na bëhen “më papë se papa”.

Në shkrimin e tij “Mallkue qofsh Isa Mustafa, i pabesë paske qenë”! autori thotë: Posti “kukull” i Isa Mustafës më tepër i gjason një zëdhënësi qeverie se sa një ministri të rëndomtë.

Isa Mustafa në vend të prononcimeve publike si kryeministër i vendit nga zyrat e kryeministrisë, ato i bënë përmes rrjetit social “Facebook”,…sepse kaq hapësirë mediatike i ka lejuar “miku” i tij në bashkëqverisje, kryeministri (kryediplomati) faktik i vendit Hashim Thaçi.Thënë ndryshe, Isa Mustafa për më tepër se bashkëpuntor dhe vartës i Thaqit, njihet si “kryeministër” i Facebook-ut, i prononcimeve të një niveli mesatar që nuk përkojnë fare me titujt që i gëzon në letra; Akademik, Doktor, Profesor,…!!!

Me anë te shkrimeve të tij në këtë libër, autori me të drejtë shpreh mllefin e tij ndaj keqbërësve brenda kësaj partie, duke filluar nga kryetari i tanishem Isa Mustafa që është shndërruar në një diktator i llojit të tij, e deri tek anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që për hir të interesit personal janë duke e mbështetur liderin e tyre në planet e tij djallëzore.

Autori me të drejte kritikon edhe pinjollët e Presidentit Rugova, që interesin personal e kanë vendosur para atij shtetëror, sepse shkatërrimi i një Levizje gjithëkombëtare i ndërtuar me mund të madh nga babai i tyre dhe qindra e mijëra intelektual të tjerë, do të thotë edhe degëdisje dhe shkatërrim i shtetit. Pavaresisht kërcënimeve, shantazheve dhe sulmeve virtuale që ju bën publicistit të njohur Florim Zeqa, ai nuk rreshti kurrë së shkruari për aktualitetin dhe gjëndjen reale në Kosovë.

Për intrigat dhe shantazhet që i behën çdo ditë shtetit dhe qytetarëve të saj, nga politikanët mafiozë dhe sejmenët e tyre, të cilet shtetin tash e dy dekada e kanë kapur keq për fyti, dhe përjashtim nuk bëjnë as njerëz të partisë ku publicisti Zeqa ishte veprimtar. Është e pamundur që në një recension të shkurtër të flitet për një libër të ketillë, një libër publicistik me aq shumë vlera. Një libër ku mësohet e vërteta nga gënjeshtrat që i janë servuar publikut, e sidomos votuesit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. E përgëzoi autorin, mikun tim duke i dëshiruar shëndet jetë të gjatë dhe krijimtari të begatshme në fushën e publicistikës, artit letrar, historik dhe arsimor, që të na sjell edhe shumë libra të tjerë me vlera të çmuara.

Faik Krasniqi-analist politik, gazetar dhe publicist

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok