DËSHMI PËR VLERËSIMIN E SITUATËS POLITIKE E TË SIGURISË NË KOSOVË NGA KRYESIA E KOMITETIT KRAHINOR TË LIDHJES KOMUNISTE TË KOSOVËS, 13 QERSHOR 1981 (TOP SEKRET)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Duke hulumtuar në Arkivin e Kosovës lidhur me reagimin e organeve të pushtetit për demonstratat studentore të vitit 1981, në një dosje të veçanet hasa edhe në këtë dokument, që thuhej se ishte “top sekret” dhe ishte inçizim magnetofoni. Dokumenti kishte të bënte me fjalën hyrëse të Ali Shukrisë, të cilën e kishte paraqitur në emër të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, me 13 qershor 1981, dhe në të kishte bërë vlerësimin e situatës politike dhe të sigurisë pas demonstratave studentore të vitit 1981. Në këtë dokument paraqitet situata e rëndë politike dhe masat që kishte ndërmarr pushteti ndaj popullit shqiptarë në përgjithësi e demonstruesve në veçanti. Me shifra prezantohet se sa persona ishin arrestuar, dënuar dhe ndodheshin në burgjet anë e këndë Kosovës e Jugosllavisë; Sa aktivist-komunist ndodheshin në terren; Aktiviteti i anëtarëve të Lidhjes Komuniste të Kosovës dhe masat që do të ndërmerren për të “qetësua gjendjen” në Kosovë.
Fjala hyrëse lidhur me vlerësimin e situatës politike dhe të sigurisë në krahinë- Ali Shukria
Kryesia e Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës,
Top sekret
Incizim magnetofoni
Nga mbledhja e 99 e Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, të mbajtur me 13 qershor 1981,
Në dokument thuhej edhe kjo se të gjitha diskutimet e pjesëmarrësve nuk janë të autorizuara porse janë “Top sekret”. Prishtinë, 13 qershor 1981
Në mbledhjen e 99 të Kryesisë së KK të LKK-së fjalën hyrëse e kishte paraqitur Ali Shukria, anëtar i Kryesisë së KK të LKK-së, duke thënë që në fillim se “Para se gjithash dua të them për disa elemente të situatës së tanishme politike në krahinë, të bazuara në dokumente dhe informata të cilat i kam marr nga Sekretariati i Punëve të Brendshme, materialeve të cilat i kam pasur si dhe informatat nga ana e disa komiteteve komunale të Lidhjes Komuniste dhe nga vizitat e disa punëtorëve tanë politik që i kanë pasur dhe bisedat që kanë zhvilluar në komuna dhe të dhëna tjera që ndërkohë i kam sigurua.
Sipas këtij vlerësimi nga Sekretariati Krahinor për Punë të Brendshme, vlerësimi i përgjithshëm për gjendjen e sigurisë është diçka më i mirë se sa para 25 maji, por edhe më tej ajo mbetet e ndërlikuar për të cilën e vërtetojnë analizat dhe informatat tona.
Sipas Sekretariatit Krahinor për Punë të Brendshme situata në Kosovë ishte ende e ndërlikuar
Në fillim informohen të pranishmit se “Edhe më tej vazhdon aktiviteti intensiv armiqësor në tërë krahinën me intensitete të ndryshme në të gjitha komunat- siç janë shkrimi i parullave- të koncentruar vetëm në një e cila edhe është kryesorja “Kosova Republikë”, shpërndarja e fletëve me përmbajtje armiqësore në të cilat përkrahen demonstratat, sulmohet udhëheqja e RSFJ-së, RS të Serbisë dhe e Kosovës. Mbështetet dhe përkrahet politika dhe propaganda nga Shqipëria ndaj Kosovës dhe Jugosllavisë. Përhapën dezinformatat për qëllim të nxitjes së revoltave dhe urrejtjes, për acarimin e marrëdhënieve ndërnacionale, nxitën edhe më tej për ndërmarrjen e aksioneve armiqësore si dhe organizimin e demonstratave dhe aksioneve tjera kundërrevolucionare në përgjithësi”.
Pastaj konstatohet se edhe “Në periudhën pas 25 majit, sidomos gjatë 26 majit ishte një tentim i organizimit të demonstratave në Suharekë. Organet e Sigurimit dhe forcat tona shoqëroro-politike në ndërkohë i kanë zbuluar dhe i kanë penguar. Në Kaçanik, me 27 maj ka pasur tentim të bojkotit të mësimit në shkollat e mesme, nga ana e 17 nxënësve, edhe ky rast ka qenë i zbuluar dhe i penguar. Pas 26 majit SPB-ja nuk ka ndonjë informatë për të dhëna konkrete dhe për tentim të organizimit të demonstratave. Për këtë sigurisht shokët Mehmet Maliqi dhe Rrahman Morina munden me na thënë se a ka ndonjë gjë të re përveç këtyre informatave. Ka pasur vënie zjarri në pronat private e shoqërore në disa pjese të krahinës, ka disa dukuri të avarive, dëmtime të ndryshme dhe një rast i sabotimit. Hetimet vazhdojnë, ende nuk janë vërtetuar shkaqet e të gjitha këtyre dukurive se a janë nga arsyet armiqësore apo nga ndonjë arsye tjetër. Nga e gjithë kjo duhet të kemi parasysh se situata ndërkombëtare po përkeqësohet, sidomos kjo me Poloninë, Lindjen e afërt, e sidomos me ashpërsimin e marrëdhënieve në mes të fuqive të mëdha dhe zonave të zjarrit të cilat janë lajmëruar në disa pjesë të botës.
E pranishme është propaganda intensive armiqësore, aktiviteti i shtuar i shërbimeve të spiunazhit, lansimi i shumë komenteve dhe i dezinformimeve lidhur me ngjarjet në Kosovë dhe në përgjithësi në Jugosllavi. Duhet të kemi parasysh edhe vështirësitë në ekonomin e Jugosllavisë, që kanë reperkusione më të gjera se sa mundemi ti vështrojmë në çështjet ekonomike. Nga ana e Shqipërisë zhvillohet në mënyrë sistematike dhe intensive propaganda armiqësore ndaj Kosovës e Jugosllavisë, nëpër mes së shtypit të tyre, sidomos nëpër mes të radios dhe televizionit, të cilat në Kosovë kanë një shikueshmëri dhe dëgjueshmëri të jashtëzakonshme, dhe që gati tërësisht e mbulon Kosovën. Kjo veprimtari propaganduese nga Shqipëria ndaj Kosovës, është shumë e rrezikshme jo vetëm për rolin propagandues armiqësor por se radio Prishtina ka dëgjueshmëri të kufizuar edhe në vet Kosovën, e mos të flasim jashtë kufijve – Shqipëri. Tani për tani nuk kemi mundësi teknike që të pengojmë televizionin shqiptar por as atë te radios. Kjo edhe është njëra ndër punët më urgjente për të vepruar. Përgatitjet teknike për radio Prishtinën është premtuar që të kryhen deri në fund të vitit, ndërsa tek televizioni është problem më i gjerë duke e marr për bazë edhe përgatitjet teknike dhe të anës financiare, por gjithsesi ato duhet të sigurohen. Përndryshe, për këtë qëndron pëlqimi edhe nga ana e jonë, atë republikane dhe federative është shumë e intensifikuar propaganda shqiptare sidomos nëpër mes të përfaqësive diplomatike në Evropë dhe SHBA e sidomos në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.
Intensiteti i shtuar i propagandës
Në vlerësimin e Kryesisë së KK të LKK-së thuhej se “Aktiviteti armiqësor intensiv vije edhe nga emigracioni i të gjitha ngjyrave, si nga Kosova, po ashtu edhe nga ai me prejardhje nga Shqipëria, në bashkëpunim dhe me ndihmën e fuqive reaksionare fashiste e ustashe dhe të shërbimeve sekrete të huaja në botë. Sidomos duhet të kemi parasysh aktivitetin e Partisë së Punës së Shqipërisë nëpër mes të organizatës “Fronti i Kuqë” në bashkëpunim me grupet marksiste- leniniste dhe me mbeturinat e ndryshme të partive komuniste në Evropë e botë. Në këtë mënyrë aktiviteti i Shqipërisë nëpër mes të “Frontit të Kuqë”, sidomos është e orientuar ndaj punëtorëve tanë që janë në perëndim me qëllim të indoktrinimit, përfshirja e tyre në këtë organizatë, për ti bindur që të angazhohen në veprimtarit në Kosovë me njerëzit e caktuar, të cilët i kishin angazhuar më herët”.
Për veprimtarin ilegale në Kosovë thuhej se “Veprimtaria armiqësore në Kosovë vazhdon nëpër mes të formave të përmendura dhe lansimin e tezave se gjendja në Kosovë nuk ka për me u përmirësuar deri te realizimi i kërkesave për Kosovën Republikë dhe për këtë do të përdorën të gjitha mjetet. Dhe kjo do të ndodhë sipas parullës me hatër ja me luftë. Lansohen dezinformata lidhur me numrin e të lënduarve në demonstratat, për numrin e të vrarëve, për numrin e të burgosurve (këtu çka është e vërteta angazhohen edhe disa gazeta të huaja). Për këtë është shumë i rëndësishëm ekspozeja e shokut Herleviq në Kryesin e Jugosllavisë me të dhëna konkrete dhe për masat e organeve të sigurisë. Kështu që nuk është gabim prezantimi i të dhënave në Kryesi të cilat u dhanë para disa ditëve.
Për “Frontin e Kuqë” dhe emigracionin shqiptarë” thuhej se “deri më tani ka organizuar 19 demonstrata në perëndim kundër RSFJ-së dhe Kosovës me qëllimin kryesor që sa më shumë punëtorë e qytetarë tanë të futën në të. Sidomos kanë qenë demonstratat që janë organizuar në Gjenevë, Suedi, Uashington, Bruksel dhe në disa vende të tjera”.
Gjithashtu thuhej se “Janë paralajmëruar demonstrata edhe më 13 qershor në Bruksel dhe me 16 qershor në Paris, do të shohim se si do të organizohen dhe kush do të marri pjesë në to. Shërbimi i ka identifikuar mbi 200 vet nga qytetarët tanë të cilët kanë marr pjesë në demonstrata në perëndim , në mesin e tyre 30 veta kanë pas rol aktiv në përgatitjen e demonstratave. Tani është indikativë ardhja e shumë punëtorëve tanë në shtëpitë e tyre në pushim ose përkohësisht, e cila më herët nuk ka qenë praktik për ardhjen e tyre në këtë kohë. Në këtë periudhë, nga të dhënat e pa verifikuara mirë në Kosovë kanë ardhur rreth 1.500 veta. Llogaritet që brenda ditës kanë ardhur 80- 100 veta. E dihet se një numër prej tyre kanë marr pjesë në demonstratat jashtë vendi”.
Masat e marra kundër demonstruesve dhe organizatave ilegale
Me mburrje informohen të pranishmit për masat e ndërmarra nga organet e sigurimit se “Masat e organeve të SPB-së dhe e organeve të drejtësisë kundër personave- pjesëmarrës në demonstrata, personat që kanë vepruar në propagandën armiqësore dhe ata që janë anëtarësuar në organizata ilegale armiqësore deri më 10 qershor duket kështu:
Penalisht janë dënuar 506 persona dhe këta janë”
Për pjesëmarrje në demonstrata- 287 veta
Në vijën se kanë përkrahur demonstratat- 38
Për tentim organizimi të serishëm të demonstratave-31
Për shkrimin e parullave me përmbajtje armiqësore- 46
Për paraqitje publike armiqësore- 104
Ndjekja penale është rikthyer kundër -15 veta
Në informatën e shokut Herleviq, respektivisht në ekspozenë në kryesi kam lexuar se atje janë zbuluar anëtarët e “Komitetit Qendror”, nga të cilët tre janë në vend, e dy janë në arrati.
Deri më tani janë zbuluar 9 grupe ilegale armiqësore, prej të cilave 7 kanë vepruar në sistemin e treshes, që iu kanë takua komiteteve për çlirimin nacional.
Deri më tani janë identifikuar 137 persona të kyçur në veprimtarin ilegale. Interesante është struktura e tyre” nxënës- 60 veta, student- 29 veta,arsimtar 12 veta, profesor 16 veta, gjykatës- 4 veta, teknik- 2 veta, punëtor- 7 veta, dhe nga 1 bujk, punëtor shoqëroro-politik, polic, nëpunës, mësues, daktilograf, gazetar etj. Të gjitha këto të dhëna, unë shpresoj se janë të fshehta dhe nuk duhet me i qit jashtë kryesisë.
Kundër 35 vetave të kësaj kategoria është ngritur aktpadi penale, dhe 29 veta janë dënuar penalisht.
Deri tek fillimi i vitit të ri shkollor, veprimtaria armiqësore në qendrat shkollore dhe fakultete , nuk mund të zhvillohet, por duhet të pritet se me fillimin e vitit të ri shkollor në vjeshtë mund të priten aktivitete të tilla”.
Aktiviteti i Organizatave Themelore të Lidhjes Komuniste të Kosovës
Lidhur me aktivitetin e LK dhe organizatave tjera shoqëroro-politike në aplikimin e detyrave – konkluzioneve e qëndrimeve lidhur me aktivitetin e përgjithshëm politik që gjatë kësaj kohe ishin ndërmarr në dokument thuhej se ishin këto:
“-Gjithkund vazhdon aktiviteti në luftë për aplikimin e qëndrimeve të LK me intensitet të ndryshëm;
– në shumë komuna ka dukuri të rënies së aktivitetit thuajse ekziston një lodhje (ndoshta edhe për arsye se do të ndodhin ndryshime- për këtë duhet sa më parë të mbahen zgjedhjet, poqese kjo është njëra nga arsyet, por mundet me ndodhë edhe kjo. Përndryshe besoi se bëhet fjalë për një shtirim e cila ndjehet tek organizatat themelore, e sidomos tek bashkësitë lokale dhe në fshatra. Për këtë do të flas më vonë. Duhet të përmendi se këshillimet me kryetarët e Lidhjes Komuniste dhe sekretaret e komiteteve komunale nga pak edhe na kanë vërtetuar këtë vlerësim të cilën tani po e japim dhe në këtë kuptim është zhvilluar diskutimi dhe lidhur me të është biseduar.
Identifikimi i armikut- pjesëmarrja në demonstrata dhe në aksionet tjera armiqësore shkon në drejtime të ndryshme. Ka më shumë komuna në të cilat mbledhje të organizatave pritet që dikush nga jashtë të tregoi se kush janë armiqtë dhe pjesëmarrësit në demonstrata, a shumë pak punohet në këtë drejtim që ata të zbulohen nga brenda dhe të tregohet nga ata.
-Ka të përjashtuar, të dënuar, të suspenduar. Të dhënat nuk janë të rregulluara dhe unë kërkoi falje që tani nuk mundem t’iu ofroi të dhënat e sakta. Mendoi se duhet të punohet ditë e natë dhe për çdo ditë të kemi pasqyrën e kësaj lëvizjeje. Përndryshe sipas disa të dhënave të cilat i kam marr deri më 21 maj ka pasur edhe 517 veta të përjashtuar, prej tyre 103 punëtor dhe 109 nxënës. Kjo është indikativë që të shikohet se me shpejtësi ka shkua diferencimi në mesin e punëtorëve, në të cilën vet punëtorët kanë përkrahur masivizimin e nxënësve, por shumë më ngadalë ka shkua tek strukturat tjera shoqërore.
– Tani është shumë e rëndësishme që të zbulohen bartësit e aksionit armiqësor, që ka pasur në të gjitha komunat. Sikur koha që po kalon, kemi përshtypje se ka tendenca që edhe gjendja të heshtet dhe në një mënyrë që situata të mos ashpërsohet aksionet tona lidhur me identifikimin dhe diferencimin.
– Ka një propozim, deri diku shumë interesant nga Kaçaniku që të përcaktohen disa kritere të përafërt në tërë krahinën, lidhur me politikën ndëshkuese që do të aplikohet lidhur me veprat që i ngarkojnë pjesëmarrësit e demonstratave apo edhe në aktivitete të ndryshme armiqësore.
-Në të gjitha informatat thuhej se diferencimi pas çdo aktiviteti publik për dënimin e veprimeve armiqësore po shkon shumë ngadalë. Edhe më tej ka heshtje dhe jo vendosmëri, tentim të minimizimit të aktivitetit armiqësor, ka oportunizëm lidhur me masat ndaj armikut. Bile ka edhe formalitet në mënyrën e marrjen e masave të buta për veprime në rastet konkretet.
– Ka edhe raste të nervozizmit dhe të psikozës ( këtë ma së shumti e manifestojnë shokët këtu, nga Prishtina), kur dhe si do të dilet nga kjo situatë dhe kur do të përfundoi kjo gjendje. Ka në disa raste kur komunistët e të njëjtit nacionalitet më me lehtësi i diskutojnë çështje në mes veti se sa me nacionalitetet tjera komuniste. – Duhet që tendencën e heshtjes, të mbylljes, të anashkalimit, mos të pengojnë aksionin e diferencimit dhe mos ti ndaj komunistët, çka do të jetë shumë e rrezikshme për suksesin e LK dhe organizatave tjera shoqëroro-politike.
– Për këtë aksioni i diferencimit duhet të jetë i çdoditshëm dhe i vazhdueshëm jo vetëm për zbulimin e armikut, pjesëmarrësve në aktivitete armiqësore, por edhe në veprimtarin konkrete të qëndrimeve të LK dhe të detyrave nga Programi aksionar I KK të LKK dhe i planeve konkrete dhe i detyrave tjera të dala nga përditshmëria.
– Duhet nxituar me sjelljen e planeve konkrete të OTH të LKK dhe subjekteve në OTH të punës së bashkuar, bashkësive lokale dhe strukturave tjera., kështu që aksioni me vazhdua edhe nëpër mes të realizimit të detyrave konkrete. Vetëm me një luftë të përbashkët kundër veprimtarisë së armikut dhe zbulimit të tij, duhet të luftohet për realizimin e detyrave tona aty ku jetojmë e veprojmë. Fitohet përshtypja se aktiviteti në bashkësitë lokale, sidomos në këto kohët e fundit në fshatra vërehet një relaksim. Se tek njerëzit ka fillua koha e punëve të verës dhe krejt normale që edhe aktiviteti ka ndryshua.
– Duke marr parasysh në numrin e madh të nxënësve dhe studentëve të cilët tani jetojnë dhe ndodhen në fshatra, atje problemet do të jenë më të ndërlikuara se si do të organizohet puna me ta, jo vetëm nëpër mes të LK-së por edhe nëpër mes të organizatave të rinisë, lidhjes socialiste dhe organizatave tjera shoqërore.
-Po ashtu duhet që në mënyrë të menduar mirë nëpër mes të rasteve konkrete të organizojmë aktivitete me arsimtar gjatë pushimeve verore. Në këtë drejtim gati të gjitha komitete komunale kanë paraparë punën me arsimtar nuk kishte me qenë e mirë që puna me ta kryesisht të zhvillohet në shkollë dhe rreth saj, në formë të seminareve, por në këtë aktivitet duhet të angazhohen që të gjithë. Gati të gjitha komitetet komunale kanë vërtetuar se ka ardhur deri te ftohja e marrëdhënieve ndërnacionale. Këtë e dëshmon situata tepër serioze dhe shumë e rrezikshme e cila fshihet në luftën për kthimin e besimit dhe e sigurimit të bashkimit në aksionin e LK, gjithashtu edhe të fuqive subjektive. Kjo është si të them edhe çështje kryesore në aksionin politiko-ideor që LK duhet të aplikoi në luftë për bashkimin kombeve e kombësive për aksionin e përbashkët në interes të përgjithshëm. Kjo mund të arrihet vetëm nëse LK në këtë është e vendosur, e bashkuar deri në organizata themelore dhe të çdo vendi të punës”.
Masat konkrete që i ndërmori Kryesia e KK të LKK-së
Për të gjitha tentimet dhe organizimet e më vonshme, që mundet me ndodhë pushtetarët porosisin se urgjent duhet ndërmarr masa, e ato do të ishin vazhdimisht sipas dokumentit që po e trajtojmë thuhej se:
“- Lidhur me këtë duhet kushtuar kujdes, duhet marr masa konkretet politike e ligjore ndaj çdo gjëje dhe çdo forme të presionit, e sidomos ndaj qytetarëve serbë e malazezë jo vetëm për shpërnguljen e tyre, por të çfarëdo lloji presioni ndaj tyre, si të shqetësimit, të dëmtimit të pasurisë dhe ndaj të gjitha formave të kërcënimit dhe provokimit, e deri te gjuajtja me hobe nga ana e fëmijëve, ndalohet gjuajtja me guralec dhe mjeteve tjera të dhunës, siç është rasti me një grua në një dyqan të Gjakovës. -Sidomos duhet të merren masa ndaj ikjes dhe shpërndarjes së kuadrove ekspert të fushave të ndryshme nga nacionaliteti serbë e malazias dhe të kuadrove tjera nga nacionalitetet të tjera, gjë që edhe në këshillimin me kryetarët dhe sekretarët shumë qartë e kemi thënë, sidomos nga organizatat e punës së bashkuar në prodhim dhe veprimtarive tjera. Në këtë drejtim duhet të krijojmë klimë të përshtatshme dhe të angazhojmë kolektivet punuese dhe vet punëtoret në këtë drejtim. Shokët nga Podujeva, na lajmërojnë shumë të shqetësuar se një numër i kuadrit profesional përgatitet që të largohet nga organizatat punuese, por ka edhe të tjerë. -Të gjitha komitetet komunale vërtetojnë se organet e Mbrojtjes popullore dhe të mbrojtjes shoqërore, në bazë të përvojës dhe situatës së tanishme marrin të gjitha masat për të funksionuar gjithçka në rregull edhe pse situata nuk është gjithkund e njëjtë. Shokët të cilët dhe e din gjendjen dhe problemet, ata sigurisht në këtë mbledhje më shumë do të thonë.
– Për shkak të vështirësive që kanë disa organizata të punës së bashkuar në prodhim, duke mos realizuar planin e prodhimit në mungesë të mjeteve dhe mjeteve revizore, edhe pse kam informatë dhe në anën tjetër mirë është rregulluar, humbjet e mëdha tek disa munden me sjell edhe ndërprerjen e punës dhe eksese të tjera në to lidhur me pagesën e pagave dhe mjeteve të tjera të punës dhe të jetës. Kjo sidomos, duke pasur parasysh gjendjen e përgjithshme në vend dhe përqindjen shumë të lartë të inflacionit dhe vështirësitë tjera që i kemi tani.
– Lëvizja dhe aksionet e armikut ndihen në të gjitha komunat, në të gjitha format siç janë të ditura nga informatat e përditshme dhe që në fillim të diskutimit tim i kam cekur, dhe sipas vlerësimit të përgjithshëm, situata edhe më tej është shumë e ndërlikuar. Duhet këtu si në gjysmë shaka dhe gjysmë seriozisht të them se tani të gjithë flasin për situatën e ndërlikuar, por ka edhe të tillë të cilët flasin se ka edhe vështirësi të mëdha. Kjo disi më ngjan në atë situatën para demonstratave kur të gjithë ne flisnim se situata është e përshtatshme.
– Edhe pse në shumë shkolla të mesme dhe fakultetet kanë qenë qendra të aktivitetit të armikut, nuk duhet lejuar që të papërgatitur të fillojmë vitin e ri shkollor. Duhet vendosmërisht dhe me forcë që të aplikojmë qëndrimet të cilat janë dhënë. Mos përgatitja jonë më së shumti do ti datoj organizatat të cilat në vjeshtë duhet të fillojnë një jetë normale dhe punë (organizatat në shkolla). – Duhet hulumtuar mundësit në ato komuna ku mundet pa marr parasysh situatën e sigurisë, duhet mbajtur në duar angazhimin e forcave subjektive, ndoshta munden të organizohen edhe aktivitetet sportive dhe shfaqje të ndonjë filmi, siç ka ndodhur në Gjilan dhe ngadalë të lirohemi nga një jetë e amullt që tani po mbretëron në disa komuna. Kjo më tepër është si mendim i imi që po e paraqes para jush që duhet hulumtuar dhe vlerësuar.
Lidhur me këtë duhet mirë të analizojmë dhe të përgatitemi se si në mënyrën më të përgjegjshme të organizojmë shënimin e 40 vjetorit të revolucionit. Sidomos këtë në muajin korrik kur në tërë vendin bëhen manifestime të ndryshme lidhur me përvjetorin. Kjo kishte mundur të ketë ndikim pozitiv, në krijimin e klimës pozitive si në Kosovë po ashtu edhe në tërë vendin. Kjo sidomos nga aspekti i dezinformatave të përditshme, të cilat përhapen në vend dhe jashtë vendi, për pasigurinë e përgjithshme në Kosovë (për qindra të vrarë, të arratisur në male etj.)”
Sipas vlerësimit të Kryesisë së KK të LKK-së: Propaganda nga Shqipëria ishte tejet e organizuar
Duhet theksuar se në çdo dokument që vije nga organet udhëheqëse të LKK-së, LKS-së dhe LKJ-së pashmangshëm flitet për propagandën e organizuar nga shteti shqiptar, po edhe këtu përmendet propaganda nga Shqipëria dhe thuhej se
“-Sikur që e dini, ajo vazhdimisht dhe në mënyrë të organizuar dhe sistematike natë e ditë bënë nëpër mes të radios dhe televizionit, gjithashtu edhe nëpër mes të shtypit në shtetet e huaja. Nuk e di se sa ajo depërton tek ne. Dëgjueshmëria dhe shikimi i radios dhe televizionit nga Tirana sikur që e thashë edhe më herët, ajo tek ne është shumë prezentë në Kosovë dhe nga informata nga komunat shihet se ka ndikim tek popullata, se njerëzit e dëgjojnë dhe e shikojnë, por e kam thënë se , programet tona në radio dhe televizion, shtypi i jonë, duhet të jenë më intensive në të ardhmen, duke u nisur nga situata jonë e brendshme dhe duke pasur parasysh propagandën që vije nga Shqipëria.
Kuadrot shqiptare bëjnë pak për qetësimin e situatës në Kosovë
Pas demonstratave studentore të marsit e në muajt në vazhdim, nga organet më të larta të pushtetit një pjesë të madhe të fajit ia lënë funksionarëve shqiptar duke shtuar se:
“-Mendoi se me redaksitë e mjeteve të informimit në Kosovë janë zhvilluar biseda, dhe në takimin e fundit me ta ka marr pjesë edhe shoku Veli Deva, por mendoi se komunistët që ndodhen në ato redaksi duhet të bëjnë më shumë për tejkalimin e këtyre vështirësive dhe duhet të bëjnë një luftë dhe diferencim të hapur, duhet të bëjnë më shumë në tejkalimin e dobësive , sidomos në eliminimin e çdo forme të nacionalizmit dhe të oportunizmit. Andaj një programim i tillë i politikës redaktuese në të gjitha këto shtëpi botuese duhet të sigurohet që vazhdimi i diferencimeve të aplikohet ndaj personave që kanë devijua. Aty duhet të sigurohen kuadrot e duhura të cilët qëndrojnë në vijën e LK-së.
-Po ashtu duhet që bashkërisht të shqyrtojmë, mendoi në organet e Komitetit Krahinor, Komitetit Qendror të LKS-së dhe të KQ të LKJ-së, problemet të cilat paraqiten në vijën e informimit në përgjithësi. Bashkërisht duhet të vlerësojmë rezultatet pozitive dhe dobësitë që lajmërohen në këtë situatë për eliminimin e tyre. Këtë duke marr parasysh në të dhënat të cilat i hasim nga të dhënat objektive dhe nga informatat shumë të mira, nga ato që kanë karakter sensacional. Unë në këtë rast nuk flas për mjetet e informimit nga jashtë vendi dhe dezinformimet të cilat nga aty përhapen, për të cilat gjithashtu në organet federative këto ditë është biseduar dhe ekziston një mënyrë e caktuar dhe plani i punës.
Këtë lloj të bashkëpunimit dhe të koordinimit duhet siguruar si metodë të vazhdueshme të punës, e sidomos në këtë situatë që ndodhemi tani.
-Në mjetet e informimit dhe në disa diskutime të tjera dhe paraqitje kohëve të fundit mjaftë shkruhet dhe flitet për disa çështje lidhur me vulat, diplomat shkollore në Kosovë, për disa simbole republikane, gjë që praktikisht qon në raportet e KSA të Kosovës dhe RSS lidhur me statusin juridik- kushtetues.
– Në bazë të konkluzioneve të KQ të LKJ-së, KQ të LKS-së dhe të KK të LKK-së është e nevojshme në kontakte e marrëveshje të ndryshme duhet shikuar këto çështje. – Me këtë nuk duhet të vihet në pyetje as pozita kushtetuese e KSA të Kosovës në RSS dhe po ashtu as RSS dhe KSA e Kosovës si elemente në sistemin kushtetues federativ.
– Edhe një gjë desha të them, nga të gjitha informatat që i kam nuk kam vërejtur se përveç diferencimit që bëhet në organizatat bazë, që kemi pasur ndonjë problem në konferencat e Lidhjes Komuniste, në komuna dhe komitetet. Nuk ka raste të përjashtimit të anëtarëve të konferencave në komuna dhe as anëtar të komiteteve, përveç atij rasti në Gllogoc. Duke marr në përgjithësi situata është ashtu siç është.
Diçka për situatën ekonomike në raport me gjendjen politike në Krahinë
Nuk është e rastit që edhe në shumë tubime flitet edhe për gjendjen e rëndë ekonomike të Kosovës, por ama asgjë nuk ndërmerret për të përmirësuar atë, e kjo duket edhe në këtë dokument:
“-Siç e dini në vend gjendja ekonomike është shumë e ndërlikuar dhe lidhur me të ka pasur shumë diskutime- ka pasur shqyrtime në Kryesin e RSFJ-së dhe në Kryesinë e KQ të LKJ-së si dhe në Kuvendin e RSFJ-së. Mbrëmë i kam dëgjua lajmet për mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së RSFJ-së dhe Këshillit Ekzekutiv dhe sigurisht të tjerët mund të na informojnë më shumë. Një situatë e tillë në vend pa vazhduar më tutje ka ndikim të dukshëm në situatën ekonomike në Kosovë, duke filluar nga vështirësitë tona dhe dobësitë të cilat manifestohen në formën më të vrazhdë në muajt e fundit. -Nuk jam në gjendje që sot këtu të flas më gjerësisht, për këtë shoku Bahtija dhe shokët tjerë do të flasin më me kompetencë dhe më ma shumë elemente dhe të dhëna. Unë desha vetëm të theksoi se për një luftë të përgjithshme për stabilitet në Kosovë, duhet vazhdimisht edhe nga faktori politik duhet luftuar kundër armikut në mënyrë praktike për aplikimin e Programit aksionar të KK të LKK-së, njërën ndër betejat më të rënda dhe më të vendosura për eliminimin gjendjes së tanishme dhe hapjen e perspektivave për ditët më të mira për prodhim, për punë dhe rregull, për prodhim më të madh, më shumë të ardhura, për pengimin e rënies së të ardhurave dhe standardit të punëtorëve në përgjithësi. Kjo është edhe një kusht për hapjen e vendeve të reja të punës dhe punësime të reja, çka tregon se për neve paraqet njërën ndër detyrat më serioze, të komplikuara dhe të përhershme të çështjeve. Kuptohet se, nga e gjithë kjo, duhet theksuar se rëndësi jetike ka zhvillimi i punës së bashkuar dhe mjeteve brenda Kosovës, shkatërrimin e barrierave të brendshme të natyrës komunale dhe të tjera, duhet hapur vendosmërisht me vetiniciativë dhe duke pranuar iniciativat e të tjerëve nga jashtë Kosove për bashkimin e punëve dhe mjeteve në tërë hapësirën jugosllave. -Duhet me vendosmëri të luftohet për realizimin dhe jetësimin e marrëveshjeve në mes Federatës dhe RSS dhe Kosovës për planin 1981-1985. Dhe marrëveshjet tjera lidhur me masat me bashkëpunim të përhershëm e intensiv, si nëpër mes të Këshillit Ekzekutiv, si dhe institucioneve tjera për bashkëpunim me të gjitha republikat dhe KSA të Vojvodinës. -Duhet të theksoi vetëm disa të dhëna margjinale për organizatat bazë të lëvizjeve në ekonomi, dhe nga kjo lehtë duhet të nxjerrim përfundime të përshtatshme dhe gjithashtu detyra edhe për Lidhjen Komuniste dhe strukturave tjera të forcave subjektive. 4
-Prodhimi industrial gjatë periudhës janar-prill është më madh për 2, 5% në krahasim me vitin e kaluar. Megjithatë edhe pse në këtë periudhë nuk janë realizua detyrat e planifikuara për prodhimi industrial, por ka tendenca tek shumë organizata dhe rezultate të mira. Ajo nga muaji në muaj rritet dukshëm, ndërsa për mars dhe prill është karakteristike se në një numër të organizatave bile rritet prodhimtaria nga ajo që është planifikuar. Ndikimin më të madh për ngadalshmin e prodhimit të paraparë në industri e ka pasur anashkalimi i planit në detyrat e realizimit, sidomos në fushën e energjetikës, të metaleve me ngjyrë etj. Në këtë situatë duhet të bëhet gjithçka që në bashkëpunim me republikat tjera dhe Vojvodinës sa më shumë njerëz duhet të punësohen në vendet e ndryshme jashtë krahinës. Duhet bashkërisht që të thyhen tabut për shkuarjen jashtë Kosove për punë dhe jetë. Një numër aq i madh i njerëzve për punësim është faktor ndikues në pakënaqësinë e njerëzve dhe i gatshëm për aktivitete armiqësore- si nacionaliste, irredentiste dhe forcave të tjera anti socialiste e anti vetëqeverisëse. Gjithashtu duhet shfrytëzuar të gjitha mundësit për shkuarjen jashtë shteti.
Duke pasur parasysh numrin e madh të papunëve dhe që jetojnë në fshatra, duhet megjithatë të bëjmë maksimumin, sidomos për programin e zhvillimit individual të sektorit privat në bashkëpunim me kooperativat bujqësore, që intensifikimi dhe prodhimi të shtohen në fshatra dhe për angazhimin e një numri të madh të fuqisë aktive të mbetjes në fshatra dhe për hapjen e perspektivave të reja.
Diçka lidhur me punëtorët tanë në botën e jashtme dhe për situatën politike në krahinë
Për punëtorët tanë në botën e jashtme në vlerësim… thuhej se “Numri i punëtorëve nga Kosova të cilët momentalisht punojnë jashtë shteti është dy herë më i madh se sa që tregojnë statistikat zyrtare, sepse bëhet fjalë për punëtorët të cilët privatisht, si turist kanë shkuar në perëndim te të afërmit apo te ndonjë familjar dhe aty në mënyrë të pa lajmëruar kanë zënë punë për disa muaj dhe pas disa muajve kthehen në shtëpi.
Lidhjet tona me punëtorët tanë nga Kosova në kohët e fundit janë të lakmueshme, megjithëse më herët kanë qenë pjesërisht të shkëputura, pa ndonjë plan e program sistematik afatgjatë për të ardhmen dhe për punën me ta. Megjithatë, rezultatet kanë qenë të mira, për atë edhe punëtorët tanë në shumë raste kanë pasur edhe vërejtje se shumë rralle shkohet tek ata dhe nuk bisedohet shtruar me ta.. Takimet e tanishme që kemi realizuar me ta këto ditë kanë treguar se këto janë të domosdoshme dhe në të ardhmen duhet të punohet më intensivisht, më në mënyrë të organizuar në këtë drejtim dhe në këtë drejtim jo vetëm kur ata ndodhen atje në punë e sidomos kur ata kthehen në shtëpitë e tyre.
Duke mos hyrë në problemet e punëtorëve tanë në punë të përkohshme jashtë vendi, përndryshe mendoi se organet e organizatat tona duhet që sistematikisht rregullisht të angazhohen në këtë çështje, lidhur me këtë çështje delikate problematike. Me këtë rast lidhur me vlerësimin e situatës politike në Kosovë, duhet theksuar këtë kur bëhet fjalë për punëtorët tanë në perëndim.
Vlerësimet tona për disponimin e situatës politike tek punëtorët tanë që ndodhën jashtë vendi, përafërsisht kanë qenë kësisoj sikurse që është bë vlerësimi në Kosovës, kryesisht të mira edhe pse vërehet veprimtaria e shtuar e armikut tek ata, e sidomos nga radhët e organizatave të ndryshme emigrantësh dhe organizatave armiqësore, sikur që është “Fronti i kuqë” dhe sidomos nëpër mes të partisë së punës të Shqipërisë, respektivisht të përfaqësive diplomatike të Shqipërisë në ato vende. Ky aktivitet në mesin e punëtorëve tanë sidomos nga ana e PPSH-së dhe përfaqësive diplomatike është vërejtur në angazhimin e madh të tyre në shtypin e kohës dhe në publikimet e tjera në mes të punëtorëve bile edhe organizime të vizitave të punëtorëve në Shqipëri.
Veprimtaria subversive antijugosllave e Shqipërisë në mesin e punëtorëve tanë në baza të shovinizmit e irredentizmit me bazë nacionaliste i ka shkua përdore që në një numër të vogël të punëtorëve në disa qendra në perëndim, nëpër mes të organizatës “Fronti i kuqë” të organizojnë demonstratat . Dhe kjo tani lidhur me trazirat në Kosovë çart u duk se ata kishin ndikim. Këtë e kanë vërtetuar edhe shokët tanë të cilët këto ditë kanë qëndruar në shtetet perëndimore, sidomos në disa nga ato. Të gjitha raportet e shokëve , kryesisht flasin që demonstratat armiqësore në Kosovë janë zhvilluar në mënyrë të njëjtë dhe në platformë të njëjtë, me të njëjtat parulla dhe dezinformata janë paraqitur punëtorëve tanë, sikurse me të njëjtën mënyrë që ka punua armiku në Kosovë. Megjithëse veprimtaria e tillë e zhvilluar në mes tyre është më e rrezikshme, se punëtorët tanë janë të ndarë nga shtëpitë e tyre dhe mundësit për të qenë me neve në kontakt dhe të jenë të informuar, është shumë e vogël dhe mu për këtë ata janë të ekspozuar këtij presioni dhe kësaj propagande të rrezikshme. Numri më i madh i tubimeve të shokëve tanë që janë mbajtur në vendet perëndimore kanë qenë të suksesshme edhe pse ka pasur provokime të mëdha e të rrezikshme., bile edhe të rrezikshme për jetën e shokëve tanë të cilët ishin gjendur në situata që edhe armët janë ngritur, sikurse që ka ndodhur rasti në Bruksel. Diku edhe me propozimin e përfaqësuesve tanë në përfaqësitë diplomatike janë këshilluar që mos të marrin pjesë në tubime. Nga i tërë numri i tubimeve që janë mbajtur, armiku kryesisht në Gjenevë armiku ka arritur që mos të lejoj që të mbahet takimi i përfaqësuesve tanë me punëtorët, dhe aty ka ardhur deri tek ato demonstratat që iu kam treguar dhe ka pasur lëndime trupore te reporteret tanë. Përndryshe, të gjitha tubimet, edhe ai në Bruksel, janë mbajtur në mënyrë të lakmuar, duke mos i marrë parasysh parulla, provokimet e disa grupeve e individëve që janë hedhe. Kjo vërteton që edhe në të ardhmen duhet të jemi më të organizuar në vizitat që iu bëjmë punëtorëve tanë. Njëra ndër tëmetat më të mëdha dhe më pak e realizuar janë mjetet revizore që vështir sigurohen për të udhëtuar jashtë vendi. Dy herë i kemi siguruar mjetet për vizita, por tani nuk kemi mjaftueshëm. Unë këtu në kryesi, duhet të them për këtë se duhet të merret qëndrim politik dhe konkret që të gjendet një zgjidhje.
Kësaj duhet ti shtohet edhe disponimi armiqësor i emigrantëve nga Shqipëria por edhe i të gjitha ngjyrave e vendeve dhe emigracioni kroat që është në bashkëpunim të vazhdueshëm që zhvillojnë aktivitetin në platformë të njëjtë. Të gjitha këto veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë të hapura ose të fshehura ndihmohen nga organizata të ndryshme të perëndimit por edhe të lindjes. Të themi se në SHBA kërkohet që emigracioni shqiptar me të gjitha strukturat e ngjyrat, të formojnë një platformë të përbashkët me parullën “Kosova 81”. Dhe këtë duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë kur bëhet fjalë lidhur me punëtorët tanë në botën e jashtme me unjisimin e forcave armiqësore kundër Jugosllavisë nga ana e PPSH, organizimeve të ndryshme të organizatës armiqësore të “Frontit të Kuqë” dhe të tjerëve të emigracionit shqiptar dhe shërbimeve sekrete në botë.
Detyrat e dala nga mbledhja e 99 e Kryesisë së KK të LKK-së
Nga mbledhja e 99 e Kryesisë të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës dolën edhe detyrat e reja të propozuara nga kryesia të cilat u përmblodhën në disa pika. Në vazhdim Ali Shukria shtoi se “Duhet ditur se qëllimi i të gjitha këtyre e sidomos i PPSH, nuk është vetëm që të indoktrinojë punëtorët tanë në linjën e nacionalizmit e irredentizmit, por është që të angazhoj militantët e vet që ti dërgoi në Kosovë për arsyen subversive deri tek aktet terroriste në forma të ndryshme. Aktiviteti i ynë në raport me punëtorët tanë në perëndim duhet që patjetër të organizohemi jo vetëm në një front të gjerë por edhe organizatat shoqëroro-politike, sikurse që është lidhja socialiste, dhe disa struktura e institucione që në mënyrë sistematike të merren me këtë çështje. Ky aktivitet duhet të jetë i drejtuar :
Që më mirë të organizohemi dhe të gjejmë mjete, që shtypi i jonë në pjesën më të madhe që të jetë i kapshëm për punëtorët, se të gjitha të dhënat flasin se një numër i madh e sidomos i shtypit vonohet që arrin atje, siç është “Rilindja” dhe gazetat tjera ngelin në disa sirtar në disa vende, e te punëtorët assesi të arrin. Po ashtu edhe kaseta e radios e televizionit e kanë të njëjtin fat.
Të bëhet plani i rregullt i vizitave të punëtorëve tanë politik.
Të organizohen takime në klubet e punëtorëve, mundësisht edhe me punëtor të nacionaliteteve tjera. Bile kemi biseduar se duhet të praktikohet që në ato takime të marrin pjesë edhe punëtorët nga e gjithë Jugosllavia, se gjithashtu do të jetë me interes që të njoftohen me ngjarjet dhe vlerësimet tona për situatën në Kosovë si dhe në tërë vendin.
Të hulumtohen të gjitha rastet ku njerëzit janë të papërshtatshëm politikisht dhe janë të angazhuar sidomos në disa shkolla si mësimdhënës, si arsimtar, mësues, dhe e kemi vërtetuar se në Suedi për hir se nuk kemi konventë të nënshkruar dhe gati të gjithë arsimtarët janë nga rrethet e emigrantëve nga Shqipëria dhe ne aty nuk kemi asnjë ndikim.
Në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike dhe me udhëheqësit e klubeve ata njerëz që janë të disponuar armiqësisht ndaj Jugosllavisë duhet që të përjashtohen nga ato klube dhe t’iu pamundësohet që të jenë në krye të klubeve.
Dhe me kuadrot nga Kosova të forcohen përfaqësitë diplomatike në të gjitha qendrat ku ka punëtorë nga Kosova dhe çështja e gjuhës mos të bëhet barrierë për pengimin që një numër i mirë i punëtorëve të aftë politikisht ti dërgojmë me punë të përkohshme, ngase disa punëtorë tanë politik që tani iu skadon mandati ti lejojmë që të qëndrojnë aty ku janë derisa të vlerësohet situata politike në vend.
Sipas mundësive kohë pas kohe të thirren në biseda kuadri më aktiv i punëtorëve nga klubet e punëtorëve tanë në perëndim, gjithashtu që t’iu mundësohet që në kontaktet me vendin këtu në Kosovë të jenë të informuar për situatën që të shtojnë aktivitetin e tyre atje ku janë.
Të sigurojnë evidentimin e saktë në fshatra, komuna ku ka punëtorë të cilët punojnë në perëndim, që të na mundësohet të kontaktojmë me familjarët e tyre, se shumë herë nuk kemi informata të mjaftueshme për ta. Në punën e përgjithshme mendoi se organizimi i jonë dhe lidhja socialiste, lidhja e sindikatave, lidhja e rinisë socialiste, e sidomos shtëpitë gazetareske, radio, televizioni, “Rilindja”, “Jedinstvo” etj, sikurse edhe kemi biseduar duhet që ti kenë programet e tyre”.
Aktiviteti i organizatave tjera shoqëroro-politike
Në dokument flitet edhe për dobësitë e organizatave tjera shoqëroro-politike duke shtuar se: “Në të gjitha këto organizatat dhe udhëheqësit e tyre, mendoi në LS, sindikata, AUBNOR, në rini etj, është vlerësuar aktiviteti dhe rezultatet e arritura, por ka edhe aso ku janë shfaqur dukuri e dobësi lidhur me demonstratat armiqësore dhe me aktivitete të tjera armiqësore në Kosovë. Gjithashtu të gjitha udhëheqësit të këtyre organizatave i kanë shqyrtuar dhe i kanë miratuar planet e tyre në bazë të Programit Aksional të KK.
Lidhur me këtë ndijë nevojën që në suaza të këtij prezantimi tim të tregoi vetëm në disa çështje, respektivisht me detyrat e ardhshme , se shokët që janë në krye në këtyre organizatave do të thonë shumë më tepër.
E para, mendoi se në këtë periudhë të kaluar nga aktiviteti i përgjithshëm kundër forcave nacionaliste e irredentiste në Kosovë, padyshim se kanë ardhur në shprehje ja aq shumë. Diku shumë pak e diku i tërë aktiviteti me masat punëtore dhe kryesisht me rinin , por dobësia elementare e këtyre organizatave sikurse e kemi vërtetuar vlen edhe për LK-në. Pasojat e kësaj kanë qenë të shumta, por para se gjithash kanë mungua takimet ditore me klasën punëtore, rinin, njerëzit punonjës në fshatra dhe në qytetet, në shqyrtimin vetëqeverisës dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të sistemit ton socialistë vetëqeverisës, njerëzve punonjës të kombeve e të kombësive. Në të gjitha këto sistemi i përgjithshëm delegues ka mbetur në margjina të funksionimit formal, vështir depërtohet jo vetëm si formë e punës dhe e jetës, në sistemin tonë vetëqeverisës dhe si marrëdhënie shoqërore dhe si bashkim i prodhuesve si bartës të tyre. Nga këtu ka shumë prani dhe presion në praktik, mënyra e punës dhe e vetëdijes burokrate-teknokratike.
Jemi dëshmitar në këtë moment të vështir historik në krahinë dhe se sa e rëndësishme është aktiviteti i këtyre organizatave, në kontaktin e drejtpërdrejt me masat. Me të drejt na kanë kritikuar pse më herët nuk kemi ardhur dhe pse nuk kemi qenë më aktiv me masat, sikur që tani po veprojmë, se deri te kjo që ka ardhur sigurisht deri ne këtë mase nuk kishte mundur me ardhur pakënaqësia se kemi mundur që ta eliminonim. Këtë dobësi tonën duhet konkretisht që ta zhbëjmë nga praktika, me rrënjë dhe vendosmërisht, saktë ashtu siç kemi shkruar në dokumentet partiake dhe në planet e organizatave.
Kur bëhet fjalë për organizatat duhet veçanërisht të theksoi situatën e ndërlikuar të tanishme dhe përgjegjësin para së gjithash duhet ta bart Lidhja Socialiste e Rinis e Kosovës, në realizimin e detyrave në këtë situatë, para se gjithash me rinin shqiptare. Atyre, lidhjes së rinis socialiste iu nevojitet ndihma e lidhjes komuniste dhe organizatave tjera shoqërore, por socialiste, respektivisht të lidhjes së rinisë socialiste, sidomos pjesa më revolucionare duhet të jetë në radhët e para të luftës. Atë aty askush nuk mundet me e zëvendësua.
Unë e përfundova me këtë. Vetëm se desha dy çështje ti paraqes, respektivisht ti them, se mendoi se në kryesi mundemi të vendosim më vonë se si do të veprojmë.
Deri më tani shumë herë në opinion është theksuar se bisedat të cilat në një kohë i ka zhvilluar në Kosovë, e sidomos shoku Kardel në vitin 1977, kanë tregua se një rrezik potencial ekziston nga nacionalizmi e irredentizmi, por ekziston mundësia edhe eskalimi i këtij nacionalizmi në kundërrevolucion. Poqese është thënë në referatin e shokut Kardel, këtë Mitja Ribiqiq, ka thënë, duke cituar Kardelin, Mendoi se është e domosdoshme që në një mbledhje të Kryesisë të KK të LKK-së duhet të diskutoi rreth kësaj, që anëtarët e kryesisë të jenë të njoftuar me tekstin e diskutimit të shokut Tito më 1979 në Prishtinë, si dhe me referatin e shokut Kardel në mbledhjen e zgjeruar më 1977. Me këtë munden të njoftohen anëtarët e KK, me sa unë kam kuptuar kritikat me një mënyrë janë fshehur e ne jemi të obliguar që të vërtetojmë të vërtetën.
Në ekspozenë e shokut Franjo Herleviqit në Kuvendin e SFRJ-së dhe të shokut Viobrana Stanojeviqit para kuvendit të RS të Serbisë ka thënë në mes tjerash edhe për fshehjen e gjerave, materialet e veprimtarive armiqësore me të cilat disponojnë Sekretariati i Punëve të Brendshme në Kosovë, si dhe refuzimin e ndihmës nga Sekretariati Republikan po ashtu edhe ai federativ pas 11 marsit, me rastin e demonstratave që kanë ndodhur.
Dhe krejt në fund, anëtari i Kryesisë së KK të LKK-së, Ali Shukria, e përmbyll vlerësimin për situatën politike e të sigurisë në vend me këto fjalë: “Mua më duket si obligim që këtu në Kryesi ta them që këtë duhet ta sqarojmë, se kjo është me interes dhe vlerësimi i kryesisë si organ ekzekutiv-politik i KK të LKK-së,” përfundon vlerësimi i Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës.