DERI KUR ZBATIMI MEKANIK I KODEVE PENALE KOSOVARE ?
Nga Feti TUNUZLIU
Gjatë praktikave gjyqësore, prokuroriale, avokatore e policore ndër vite në Kosovë, sikur është shndërruar në dukuri dhe mbase është ngritur në një lloj standardi juridik kopjimi i plotë i emërtimit apo titulli mekanik i veprave penale në ngarkim të personave që i kanë kryer ato.
Ç’është e vërteta, kryesëve të veprave penale të cilat përmbajnë një spektër terme (nocione) inkriminues në kuadër të emërtimeve ligjore, lehtësisht u mvishen en bloc termet e tillë inkriminues (shabllonet) edhe në rastet kur ata nuk i kanë ndërmarrrë të gjitha ato veprime – veç njërit sish.
Kështu, kur kryesi i veprës penale me emërtim të plotë ligjor: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve – neni 366 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPK) mban pistoletën në cilësi të pronarit në kundërshtim me ligjin për armë, ai përgjigjet penalisht përveç si pronar, edhe si posedues edhe si person që ka patur n’kontroll të kundërligjshëm pistoletën. Pra, përveç një veprimi të cilin e ka ndërmarrë realisht, atij i mveshen edhe dy veprime inkriminuese që faktikisht nuk i ka realizuar.
Dua të sjell në vëmendjen e lexuesit opinionin tim: kur emërtimet e tilla ligjore përmbajnë togfjalësh inkriminues, logjika e shëndoshë juridike arsyeton përdorimin sheshit të atij termi inkriminues i cili figuron në emërtimin ligjor dhe reflekton direkt e hapur veprimin e realizuar nga autori i asaj vepre penale. Ndryshe, ky term, përkatësisht veprim inkriminues derivuon nga përshkrimi i ngjarjes penale e cila thuret mbështetur në prova të verifikuara materiale.
Së këndejmi, në lëndët e natyrës penale që disponojnë prova të mjaftueshme dhe të pranueshme të cilat provojnë konkretisht se është blerë narkotiku nga ana e kryesit, emërtimi i drejtë ligjor (cilësimi juridik) i kësaj vepre penale, kujtoj unë, do t’ishte: Blerja e paautorizuar e narkotikut – neni 267 të KPK, tani në fuqi. Pra, kësisoj, do formulohej qartë e shkurt emërtimi i veprës konkrete penale.
Gjithnjë sipas interpretimit tim logjik, këtu nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë devijim (konvertim) e as për ndonjë cenim eventual terminologjik ngase nuk preket substanca e emërtimit ligjor të veprës penale realizuar nga kryesi i saj. Përkundrazi. Duke u shkëputur nga emërtimi i plotë ligjor në rastin konkret (neni 267 i KPK), termi “blerja”, në themel del të jetë në funksion të drejtpëdrejt të identifikimit të përpiktë të veprimit inkriminues realizuar nga kryesi.
Këtej, është thelbësisht e pa mbështetshme në prova materiale dhe e papranueshme sipas rregullave të përgjithshme të provave të përcaktuara nga Kodi aktual i Procedurës Penale të Kosovës (KPPK) që emërtimi (titulli) i veprës penale në rastin e mësipërm, pos termit “blerje”, të përfshijë edhe togfjalëshin terminologjik ligjor: posedimi, shpërndarja dhe shitja – në njerën anë dhe pos termit “narkotikë”, të përfshijë dhe togfjalëshin: substanca psikotrope dhe analoge – në tjetrën anë. E tëra, për një shkak të vetëm formal dhe të thjeshtë: se togfjalëshat e tillë përfshirë janë tekstualisht në emërtimin e plotë ligjor të veprës penale të sanksionuar me nenin 267 të KPK !
Duhet vënë në dukje fakti se KPK përmban një numër të konsiderueshëm emërtimesh, përkatësisht titujsh të veprave penale ku janë inkorporuar terminologjikisht dy e më shumë njësi leksikore (fjalë) inkriminuese në trajtë alternative, kumulative dhe mikste.
Një emërtim ligjor i veprës penale i trajtës alternative do ishte: Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse (neni 364). Një emërtim tjetër ligjor i trajtës kumulative është: Transplatimi i kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore (neni 259). Së fundmi, emërtim ligjor i trajtës mikste është: Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës (neni 358), etj.
KPPK obligon që vepra penale si një zhvillim penal duhet të specifikohet duke saktësuar shkoqur: kohën, vendin, mjetin dhe rrethanat tjera që të pasojë gjuhësisht emërtimi korrekt dhe konciz i një vepre të caktuar penale. Rrjedhimisht, kjo vetëkupton emërtimin e veprës penale privuar nga togfjalësha alternativ dhe kumulativ, gjithnjë në përputhje të plotë me gjendjen e fakteve vendimtare, fakteve të dala prej provave të pa diskutueshme materiale.
Pra, thënë ndryshe, emërtimi ligjor i veprës konkrete penale, del të jetë çështje faktike sepse varet prej rasti në rast. Në këtë kontekst, prore merret parasysh jo vetëm përshkrimi adekuat i bazës (gjendjes) faktike ku zbërthehen elementet esenciale të asaj vepre penale, por merret parasysh poashtu edhe baza juridike si nga pjesa e veçantë e KPK (apo ligjit tjetër) ashtu edhe nga pjesa e përgjithshme e KPK.
Fundja, kur një sintagmë terminologjike përfshihet në një emërtim ligjor të një vepre penale, mëtoj se kjo shpalos teknikën legjislative me të cilën organi ligjdhënës i është qasur emërtimit të asaj vepre penale. Në rastin tonë, kjo reflekton mënyrën dhe metodën që ka implementuar organi ligjdhënës kosovar gjatë emërtimit të veprave penale, në kuadër të punës së hartimit të draftit të KPK. Përndryshe, duke i sintetizuar disa veprime inkriminuese përmes sintagmave gjegjës terminologjik brenda një emërtimi ligjor të veprës penale, faktikisht vetëm është reduktuar numri i veprave penale në KPK, natyrisht, jo në dëm të përcaktimit të elementeve të veprave të caktuara penale.
Në këtë rrafsh, më thotë mendja se, përmes kësaj teknike legjislative, ligjdhënësi kosovar, veç tjerash, i ka lënë hapësirë subjektëve procedural-penal që varësisht nga rastet konkrete penale, të përzgjedhin termin adekuat në kuadër të një emërtimi ligjor dhe përmes tij ta cilësojnë veprimin inkriminues. I shkëputur nga gama e termeve të tjera të panevojshëm të titullit të plotë ligjor, ky do konsiderohej term specifik, përkatësisht term teknik (termini technici) që përkah përmbajtja kuptimore i përgjigjet dhe kushtëzohet prej veprimit inkriminues manifestuar nga kryesi i një vepre penale. Fundja, shpalos dashjen apo pakujdesinë e kryesit me gjithë trajtat (format) e tyre.
Çështja e emërtimeve të veprave penale që përmbajnë sintagma inkriminues në jetën juridike-penale kosovare shtron nevojën e zgjidhjes së kësaj çështjeje insitucionalisht me synim njësimi të emërtimeve të këtilla në situata të ngjashme apo identike. Kjo është në kompetencë kushtetuese dhe ligjore të gjykatave që përbëjnë sistemin e drejtësisë kosovare. Së këndejmi, duke qenë një sfidë, është shumë sinjifikative implikimi i gjyqësorit kosovar që simbolizon garantuesin e respektimit të plotë të sundimit të ligjit. E brendapërbrenda këtij organizmi shtetëror, janë pikërisht prakticientët penalistë ata autoritete kompetente në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor që duhet t’i kontribuuojnë dhe ndihmojnë me sy kritik në shmangien e stereotipeve mekanike të emërtimeve të disa veprave penale në dritën e normave juridike pozitive penale (materiale dhe procedurale). Thënë troç, përmes demonstrimit të guximit të nevojshëm profesional dhe kreativitetit të duhur origjinal, këta do të duhej të artikulojnë fjalën e tyre për të zhbërë veprimet rutinore penalo-procedurale të traditës juridike kosovare përtej dy dekadëshe.