21/12/2024

DERI KUR KOSOVA DO TË QUHET  “KOSOVO”  EDHE PREJ SHQIPTARËVE

0
Sami-Islami

Nga Sami Islami

Unë e di se propaganda serbosllave do të përpiqet që emërtimin “Kosovë” ta përhap sa të ketë mundësi në versionin e serb “Kosovo”. Kjo nuk paraqet asnjë “befasi” për të gjithë lexuesit, por kur vjen puna e përdorimit të këtij toponimi nga vetë shqiptarët, siç po ndodh nga disa media të Shqipërisë, kjo është e pakuptimtë. Edhe sot, më 29 maj 2023, një television shqiptar (VIZION PLUS) u përdor disa herë version serb i toponimit “Kosovë-a” në trajtën  “Kosovo”.

Për të gjithë ata që nuk e dinë historinë e këtij toponimi (por dhe i shumë toponimeve të tjera të imponuara nga serbishtja), këtu më poshtë  mund ta lexojnë shkrimin tim .

SI (DHE PSE) U BË KOSOVA „ KOSOVO“

Shqiptarët gjithmonë  Dardaninë e dikurshme  e kanë quajtur  dhe e quajnë edhe sot  „Kosovë“ (në trajtën e pashquar) dhe „Kosova“ (në trajtën e shquar). Edhe në gjuhët e  tjera do të duhej të merrej ky toponim në formën që e thotë vetë shqiptari , pra „Kosovë-a“.  Mendoj se për shumë gjuhë evropiane apo edhe botërore shqiptimi i emrin „Kosovë-a“ nuk paraqet problem. Të huajt do ta marrin në trajtën ashtu siç u servohet.  Po nga erdhi atëherë trajta „Kosovo“, që ndeshet në shumë gjuhë evropiane, pra me mbaresën –o, e jo me mbaresën –a (në të shquarën), siç i takon natyrës së gjuhës shqipe?  Përgjegja është shumë e thjeshtë. Kjo trajtë erdhi e „shqiptuar“ pikërisht  nga gjuhët sllave, si: serbe, bullgare apo maqedonase. Pra sllavët  qene “kumbarë” të këtij toponimi dhe atë  diku ne shekullin e 19-të. Deri  atëherë ky teritor ishte I njohur kudo ne dokumentet  e vjetra me emrin Dardani.

Gjuhët sllave kanë prirjen që emrat që mbarojnë me temë në  bashkëtingëlloret  -v ose –k marrin mbaresën –o. Kemi emra të truallit shqiptar por edhe të tjerë që i ndeshim të shqiptuar  kështu: Malishevo, Kumanovo, Bërçko, Jadransko more (Deti Adriatik), Mavrovo, Gjakovo, Podujevo (Besiana e sotme) etj. Sipas këtij kriteri  shkon edhe emërtimi „Kosovo“.

Për afër një shekull Kosova „jetonte“ nën ombrellën e Serbisë dhe emri „Kosovë“ atëherë ishte thuaja  vetëm për përdrim „të brendshëm“  të Serbisë. Ajo përpiqej me çdo kusht ta mbante të mbyllur emrin e saj. Bile, më kujtohet , në vitet  e 60-ta Serbia  e ndryshoi edhe  emrin „Kosovo“ dhe e  bëri „Kosmet“ , që ishte një shkurtesë nga „Kosovo i Metohija“ (Kosova  dhe Metohia), për t’i „humbur“ gjurmët e Kosovës  shqiptare sa më shumë që është e mundur. Nacionalistët serbë këtë emërtim e përdorin edhe sot. Pra nga „Kosova“ ata morën rrokjen e parë „Kos“ dhe nga Metohija, poashtu rrokjen e parë „Met“ . Hajde  gjeje tash se ku është ky  „Kosmeti“ në këtë planet!

Politika që ndiqte Serbia në ish Jugosllavi ishte që t’i ngulfaste popujt e pushtuar, që ajo I trajtone si “pakica”, e që  në rend të pare I kishte shqiptarët e Kosovës. Para çlirimit  pakkush e ka ditur se ku është Kosova, madje edhe brenda  ish –Jugosllavisë e të mos flasim jashtë saj. Në mënyrë mjaft të bujshme emri i Kosovës doli, duke i „shpërthyer“ kufijtë e Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe pas saj. Është interesante se Kosova tani filloi të njihej kudo në arenën ndërkombëtare me trajtën sllave ( lexo: serbe) „Kosovo“ . Tani pothuaj në të gjitha organizatat ndërkombëtare, që veprojnë në Kosovë dhe jashtë saj e përdorin trajtën sllave.

Po të kthehemi pak në histori vërejmë qartë  se  serbët ishin më të organizuar gati në çdo fushë. Ata i bënin planet, se çfarë duhet bërë  me dekada e shekuj përpara. Kjo gjë mund të vërehet edhe  në sferën e toponimeve (emrave të vendeve) etj.

Me krijimin e  mbretërisë së tyre  (diku prej shek. XII e tutje) , me gjasë edhe shumë më heret, Serbia nisi në mënyrë institucionale  të merrej, përveç tjerash,  me emërtimin e vendbanimeve të pushtuara nga shqiptarët. Ata donin ta “serbizonin”, vendin e pushtuar. Hovin  e Serbisë  ndali  pushtimi turk i saj dhe i Shqipërisë (në atë kohë Kosova dhe të gjitha trojet e tjera që sot gjenden nën Serbi. Mal të Zi, Maqedoni apo  Greqi quhej  Shqipëri) Gjatë pushtimit  Osman emërtimi  “Kosovo”nuk u dëgjua më, pra   mbet vetëm në arkivat  serbe, por kur Turqia  u largua nga  Ballkani (më vitin 1912),  Serbia, bashkë me reprezaljet e tmerrshme që bënte mbi shqiptarët, për t’i përzënë nga tokat e tyre,  i nxori nga arkivat “tefteret” me  toponimet serbe dhe  prapë  kudo që shkonte i “emërtonte” vendbanimet  shqiptare me emra të vet. Më lehtë e kishte me mikrotoponimet (vendbanimet të vogla , fshatrat etj.), të cilat, fatkeqësisht edhe sot i mbajë emrat që ia la Serbia, madje janë aq shumë sa zor që mund të përmenden të gjitha këtu.

Ndërkaq vendbanimet shqiptare të vjetra, pra kur është fjala për  qytete më të mëdha, Serbia  kryesisht  përpiqej t’i  „modifikonte“, pra i  bënte „serbisht“, ose ua ndërronte emrat fare,  si p.sh Durrësin e bëri “Draç”, Shkodrën “Skadar” , Tivarin  “Bar” Ferizajin “Uroshevac” (pasi që Ferizaji lidhej me emrin “Feriz” , serbët e ndërruan në “Uroshevac “ nga emri serb “Urosh”) ,  Pejën “Peq”,  Shkupin “Skopje” , Kosovën  “Kosovo” etj. Alpet  Shqiptare ata i quajtën “Prokletije”, që  në në shqip do të thotë „të nemuna“ .

Është e çuditshme si si mbeti ky emër. Me sa di unë ushtria serbe gjatë depërtimit të saj për  në Shqipëri, nëpërmjet të Alpeve  Shqiptare ( në kohë dimiri) kishte vuajtur shumë dhe një numër i madh i ushtarëve kishin vdekur nga të ftohtit gjatë këtij rrugëtimi. Dhe ata i paskan  pasë  “nemun” këto male! Pra malet tona  u “mallkuan” nga serbët! Është interesant pse pra  edhe  sot  ne shqiptarët i quajmë  ashtu “Bjeshkë e Nemuna”, sipas modelit sllav, në vend se t’i  quajmë shqip  “Alpet  Shqiptare” ?!

Është një bagazh emrash që sllavët ua lanë, në vazhdimësi,  vendbanimeve shqiptare.  Kjo ndodhi  nga se, siç u përmend më lart,  serbët    e kishin pushtetin në duar, prandaj arrinin t’i ngulitnin thuaja me detyrim këto emërtime. Emra të tillë ka sa të duash, por po i përmendim vetëm  disa, si: Obiliq (sot e quhet  Kastriot, që  nuk di çfarë lidhje ka kjo me Obiliqin, por nejse) Orlloviq,  Devet  Jugoviq (sot Bardhosh), Serbicë,  (sot Skënderaj), Zubin Potok (!) Babin Most ( kjo nga shqiptarët u „përshtat” si “Babimovc”!) , Kisella Banja , afër  Podujevës (shqiptarët e modifikuan në “Sallabajë”) e deri tek qytetet e mëdha , si:  Manastiri të quhet  “Bitolla”(ndoshta  bullgarisht, me burim sllav po se po)  Kërçova, “Kiçevo”. Madje edhe qyteti i Pogradecit, buzë liqenit të Ohrit,  është me origjinë sllave (serbe ose  bullgare) “Pod  Gradec”  etj. etj.

Të kthehemi prapë tek emërtimi (toponimi) “Kosovo”.

Në qoftë se në kohërat kur ishim nën okupim  të Serbisë  ishim  “të detyruar” ta merrnim atë emërtim që na servohej, për arsye që tanimë dihen, çfarë mund të thuhet tani për  kohën e re? A mundemi ne tash që emërat që i la Serbia në trojet tona t’i ndërrojmë me emra  tanë? Ose a mundemi që ata emra, të cilët pushtuesi i “serbizoi”, t’i “shqiptarizojmë”, t’i bëjmë  ashtu siç ishin përpara? Ose, a mudemi që për vendet ku emërtimi është i burimit  sllav, t’i krijojmë toponimet shqipe?

Është për t’u përshendetur iniciativa,  se në vitet e pasluftës tek ne, vërtetë,   filloi që kjo punë të bëhet në mënyrë institucionale. Por kur do të arrijmë që ta heqim  modelin „Kosovo“ nga përdorimi në shumë institucione ndërkombëtare e vendore që po e përdorin jo vetëm jashtë, por edhe në Kosovë? Kur do të hiqet nga përdorimi emërtimi nga veturat e policisë së Kosovës:  KOSOVO POLICE , ose mbishkrimi  nga Forcat e Sigurisë së Kosovës: KOSOVO SECURITY  FORCE, të cilat  UNMIK-u , e më pastaj   EULEX-i i „instaloi“ në Kosovë? Pse të mos figurojë në veturat e policisë së  Kosovës mbishkrimi shqip: POLICIA KOSOVARE ( ose POLICIA E KOSOVËS), ose FORCA E SIGURISË SË KOSOVËS ? Pra, pse  të mos  shkruhen shqip?!  Siç po shihet,  këto emërtime le që nuk po shkruhen shqip, por po shkruhen me një „përzirje“ të çuditshme serbisht dhe  anglisht, e ku,  në Kosovë! Këtë „njollë“ e kemi nga UNMIK-u, i cili, edhe pse shkoi  la shumë ligje, e rregullore të tjera, në mesin e të cilave edhe këto emërtime që t’i vrasin sytë përditë!

Një ilustrim që tregon se edhe të huajt, mund t’i thonë toponimet vërtetë shqip është edhe një reklamë që shpesh po jepet në TV. Një biznismen  anglez që po  i reklamon disa banesa në „Çelsi Point“ ( Chelsea Point) Fushë Kosovë, edhe pse po shprehet  në gjuhën angleze, ai po e përdor  emërtimin shqip …”in (në)Fushë Kosova”  (pra jo …in „Fushë Kosovo) etj.

Tani, në shtetin tonë të ri,  rrethanat janë krejt tjera. Sot e „kemi“ situatën vetë në dorë. Ose më mirë të themi duhet ta kemi situatën vetë në dorë. Prandaj nuk bën, as nuk ka kuptim, që edhe tash në vazhdimësi të qëndrojë emërtimi „Kosovo“. Duhet të merret një aksion në nivel shtetëror që, të gjitha emërtimet, dokumentet zyrtare etj.,  të cilat e kanë këtë emër në këtë formë të korrigjohen. Ose  edhe më mirë emri Kosovë të  zëvendësohet me emrin Dardani,  emër qe Kosova e ka mbajtë me shekuj. Ta heqim një herë e përgjithmonë  këtë „damkë“ që na e la Serbia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok