Deputetët dhe funksionarët publikë pasurohen, qytetarët e rëndomtë “lumturohen”
Nga Gjekë Gjonaj
Të jesh deputet do të thotë të jesh përfaqësues i popullit në Kuvend. Deputeti në punimet ( seancat ) e Kuvendit ka të drejtë të inicojë ligje apo rezoluta , të votojë për vendimet e propozuara të Kuvendit në të mirën e zgjedhësve, të marrë pjesë në diskutime , në kushte të barabarta me deputetët e tjerë të Parlamentit , për të folur për hallet e mëdha të popullit, për t’u parashtruar pyetje anëtarëve të Qeverisë …
Edhe pse deputetët janë të partive të ndryshme, fokusi i tyre kryesor do të duhej të jetë ngritja e zërit për interesat e qytetarëve. Ata do të duhej të veprojnë sipas bindjes dhe ndërgjegjes së tyre , bazuar në etikë ( moral) dhe përgjegjësi. Duhet theksuar faktin se politikanët e kanë gojën plot me interes publik derisa të arrijnë në poste vendimmarrëse. Në momentin kur ai si individ bëhet bartës i pushtetit, interesi publik dukshëm zbehet , për të mos thënë zhduket. Deputetët dhe funksionarët publikë, marrin vendime për ne, për qytetarët dhe për shtetin. Statusi i deputetit iu siguron parlamentarëve paga të majme, por edhe pushtet e mbrojtje ligjore, duke e bërë mjaft të lakmuar karrigen e deputetit. Disa prej tyre edhe pasurohen, ndërsa qytetarët e rëndomtë “ lumturohen” të shqetësuar nga lufta e përditshme për të mbijetuar.
Pagat e shkurtit – kryeson deputeti Artan Çobi, 3. 105,71 euro
Disa deputetë në parlamentin malazez marrin paga në shumë përafërsisht të katërfishit të pagës mesatare në vend, falë ndryshimeve në Ligjin për pagat në sektorin publik. Parlamentarët malazezë gjithashtu janë ndër më të paguarit kur bëhet fjalë për të ardhurat e kolegëve të tyre në rajon.
Paga e deputetit të Alternativës Shqiptare, Artan Cobi, në shkurt të këtij viti ishte 3.105,71 euro, bëhet e ditur në faqen zyrtare të Kuvendit të Malit të Zi.
Më shumë se 2.ooo euro për muajin shkurt kanë marrë 19 deputetë
Nga gjithsej 81 deputetë në Kuvendin e Malit të Zi në muajin shkurt, 19 prej tyre kanë marrë paga mbi dy mijë euro. Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq për muajin shkurt ka marrë 2. 693,83 euro.
Deputeti Boris Bogdanoviq ka marrë 2. 229,68 euro, Bogdan Bozhoviq 2.117,20, Nikollë Camaj 2. 468,73 euro, Vasilije Çarapiq 2,152,35, Radinka Qinqur 2.015,83, Darko Dragoviq 2.1o9.84. Dejan Gjuroviq 2,192,03, Milan Knezheviq dhe Millosh Konatar nga 2,229,68 euro, Simonida Kordiq 2,177,97, Boris Mugosha 2,300,00 Andrija Nikoliq 2,219,15, Mirsad Pejoviq 2,219,15. Jevrosima Pejoviq 2,187,50 , Zdenka Popoviq 2.215,60, Sllaven Radunoviq 2,454,67, Amer Smailoviq 2,159,37, Adrijan Vuksanoviq 2.176,95 dhe Millan Zeçeviq 2.262,73 euro. Deputetët e tjerë në parlamentin malazez për muajin shkurt të këtij viti kanë marrë paga nga 1. 579 deri në 2.000 euro.
Në listën e deputetëve, në përbërjen e 28-të të Kuvendit të Malit të Zi, që nuk i kemi përmendur janë edhe katër deputetë shqiptarë. Mehmed Zenka për muajin shkurt ka marrë 1.931.47, Dritan Abazoviq 1.695,95, Drita Llolla, 1.6.22.12 euro, ndërsa Ilir Çapuni, nuk e ka marrë pagën e deputetit sepse, siç thuhet në dokumentin e Kuvendit, nuk e ushtron profesionalisht këtë funksion.
Përfitime të majme edhe pas përfundimit të mandatit, pa punuar asgjë
E ndërsa humbja e vendit të punës i sjell vetëm probleme shumicës së qytetarëve, ministrat, deputetët dhe funksionarët e tjerë nuk i kanë ato shqetësime, të paktën një vit pasi kanë lënë mandatin, sepse kanë të drejtën e dëmshpërblimit ( kompensimit) në masën (shumën) e pagës së fundit. Ata ka kohë që janë kujdesur për përfitimet e tyre pas përfundimit të mandatit. Aktualisht, në bazë të kornizës ligjore te gjithë deputetët dhe funksionarët publikë që përfundojnë mandatin, dhe nuk marrin pagë tjetër nga buxheti i Malit të Zi, e gëzojnë pagën e tyre edhe për një vit. Ata e kanë atë privilegj, të cilin e mundëson Ligji për paga në sektorin publik, edhe nëse njërën nga pozitat e kanë mbajtur vetëm për një ditë. E kjo ndërpritet kur ata fillojnë një tjetër marrëdhënie pune apo rizgjidhen deputet në legjislaturën e re.
Kjo zgjidhje ligjore, sipas disa organizata të sektorit civil, diskriminon të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë në raport me funksionarët publikë , të cilët i paraqet si kategori të veçantë në raport me pjesën tjetër të Malit të Zi, e cila nuk ka bazë. Tek ne do të gjeni ish-funksionarë publikë që marrin këtë dëmshpërblim, edhe pse janë dënuar ligjërisht, që janë në paraburgim, se kanë kaluar vetëm disa muaj në detyrë dhe do të gjeni ata që stili i jetesës i kalon të ardhurat mesatare. në Mal të Zi”, shprehen në sektorin civil.
Vetëm vitin e kaluar janë shpenzuar mbi 1.8 milionë euro nga buxheti për 144 ish-funksionarë dhe ky numër nuk është përfundimtar, pasi nuk i përfshin të gjitha institucionet. Në mesin e tyre është edhe ish-deputeti shqiptar, i cili ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit, Genci Nimanbegu . Ai bazuar në listën zyrtare të Kuvendit për muajin shkurt ka marrë 1.748,66 euro.
Krahas mjeteve të paguara për pagat e deputetëve në parlamentin malazez , në paraqitjen tabelare të shpenzimeve të Kuvendit shihet edhe se sa para janë shpenzuar për shtesat e banimit, shpenzimet zyrtare të udhëtimit, telefonat zyrtarë, karburantet…
Ky “luks” i deputetëve në një vend ne standard të ulët të jetesës, është kundërshtuar disa herë nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë për çështje ekonomike. Sipas tyre, pagesat ekstra të larta tejkalojnë dukshëm potencialin dhe fuqinë e buxhetit të Malit të Zi. Ata rikujtojnë se në mënyrë të përsëritur kanë iniciuar uljen e afatit të pagesës së kompensimit nga një vit në tre muaj dhe shumën në pagën mesatare. Ata sugjeruan gjithashtu që ata zyrtarë që u shkarkuan dhe që dorëzuan dorëheqjen nuk do të mund ta ushtrojnë këtë të drejtë.
Edhe Lëvizja “Evropa tani” pajtohet se pagesat për ish-zyrtarët rëndojnë buxhetin, ndaj pas ardhjes në pushtet kanë propozuar kufizimin e tyre në gjashtë muaj, por thonë se nuk kanë gjetur mbështetjen e kolegëve të tyre nga Kuvendi.
Më gjithë përpjekjeve tona, nuk arritëm të komentojmë për këtë temë as nga opozita dhe as nga pjesa tjetër e shumicës parlamentare. Kjo nuk është befasi nëse e dimë se askush nuk e pret degën në të cilën janë ulur. Të gjithëve u pëlqen njëfarë sigurie dhe të jetojnë një vit me paratë e taksapaguesve pa bërë asgjë. (Koha Javore).