25/07/2024

Këshilli i Evropës dhe fqinjët e Kosovës! Çfarë po tenton Beogradi?

0

Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi

Kosova duket se po ia arrin që ta evitojë si kusht krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si kusht për t’u pranuar në Këshillin e Evropës. Megjithatë besoj se dikush i kishte premtuar presidentit të Serbisë se ky kusht do të ishte në agjendë dhe mënjanimi i tij ka ndezur gjakrat në Beograd. Aleksandër Vuçiq është shumë i tensionuar dhe po bën gjithçka ka në dorë që të kërcënojë Kosovën dhe bashkë me Kosovën edhe paqen e stabilitetin e rajonit e të Bashkimit Evropian. Të shpjegohemi: – Çdo aventurë serbe kundër Kosovës është goditje shumë e rëndë për strukturën demokratike e gjeopolitike të Evropës, madje ve në pikëpyetje ekzistencën e Bashkimit Evropian. Dhe të mos harrojmë: – Bombardimet e NATO-s kundër Serbisë që filluan para 25 vitesh patën si qëllim kryesor mbrojtjen para së gjithash të Bashkimit Evropian, pra ekuilibrin dhe harmoninë në paqe të Evropës.

Duke e ditur këtë, Beogradi ka filluar sërishmi të provokojë dhe kërcënojë me parimin: “Ose mos e pranoni Kosovën në Këshillin e Evropës, ose dimë ne se si të veprojmë”! “Ju nuk mund të na merrni për budallenj, edhe pse jemi të vegjël”, deklaroi Vuçiq para dy ditësh. Ndërkaq Perëndimi, NATO, morën një vendim historik; – I dhanë Kosovës statusin e vendit të asocuar në Asamblenë Parlamentare të Aleancës Atlantike. A ishte ky veprim përgjigje e provokimeve të presidentit të Serbisë? Mendoj se po. Sepse NATO është garancia kryesore e paqes në Evrope. Në këtë aspekt duket se Vuçiq po dështon në përpjekjet e tij për ta ndaluar Kosovën në rrugën e saj të pavarësisë e shtetësisë së plotë, pranuar në institucionet ndërkombëtare. Këshilli i Evropës është sfida kryesore e këtij viti.

Por autoritetet e Kosovës duhet të marrin në konsideratë shumë aktorë e faktorë. Duhet të dinë se Serbia është vërtet e rrezikshme. Se ajo është kërcënim edhe për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dëshmon fakti që në Mal të Zi po tentohet vota kundër e këtij vendimi, madje ç ‘njohja për shtetësinë e Kosovës. Në qeverinë e Podgoricës shumica e ministrave i përkasin partive politike pro-ruse e pro-serbe, pro Putin, pro-Vuçiq e pro-Dodik! Partia kryesore e këtij grupimi në mbledhjen e fundit të saj i rekomandoi nënkryetares së kësaj partie, njëherësh kryetare e delegacionit malazez në Këshillin e Evropës, që të votojë kundër pranimit të Kosovës në këtë Këshill, votim që duket se do të ndodhë në muajin maj.

Dihet se vendimi për pranim merret me 2/3 e votave të Asamblesë Parlamentare të KE-së. Por përpjekja që Mali i Zi të marrë pozicion kundër Kosovës duhet lexuar më shumë sesa numër votash në Asamble. Mali i Zi me Milo Gjukanoviçin shpalli në korrik 2006 pavarësinë e tij dhe me këtë akt zhbëri Jugosllavinë e fundit, duke zhvleftësuar rekomandimin e Rezolutës 1244 që statusi i Kosovës të vendosej në kuadër të Republikës Federative të Jugosllavisë. Nëse do të ekzistonte Jugosllavia, pra, nëse nuk do të shkëputej e pavarësohej Mali i Zi, atëherë Kosovë sot do të ishte një republikë brenda kufijve të asaj federate. Ky është qëllimi final i Serbisë, të rikrijojë “federatën” artificiale ende pa u bërë Kosova anëtare e organizatave ndërkombëtare dhe të kërkojë “zbatimin” e rezolutës 1244, të cilën deri më sot e përmendin thjesht si kartë të pa vlerë, sepse efektin e saj e zhbëri vendimi i 22 korrikut 2010 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Për këtë arsye qëndrimi i Malit të Zi ka shumë rëndësi. Dhe rreziku që vjen prej partive pro-ruse e pro-serbe në këtë vend duket qartë edhe nga ajo që ndodh në diplomaci. Për herë të parë është shtuar një stacion i ri i diplomatëve perëndimorë. Deri para pak kohësh udhëtimet diplomatike kishin destinacion trekëndëshin Prishtinë-Beograd-Sarajevë. Tani është shtuar edhe Podgorica. Kemi tashmë një katërkëndësh. Ndoshta nesër krijohet pesëkëndëshi, nëse SHBA-të dhe disa vende të BE-së vazhdojnë ta përkëdhelin presidentin e Serbisë dhe shtetin serb. D.m.th nuk është çudi që dhëmbët e Beogradit të kafshojnë edhe Shkupin. Se Tiranën e kanë marrë me përqafime e puthje!

Jam i sigurt se qeveria, presidentja dhe institucionet e tjera të Kosovës janë të vetëdijshme për veprimtarinë subversive e diversive të Beogradit në çështjen dhe rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Është aftësi e jashtëzakonshme që deri tash ato kanë evituar që ky anëtarësim të kushtëzohet më krijimin e asosacionit serb. Por deri në finish ka shumë punë e shumë angazhim. Kurrfarë mburrje, kurrfarë vetëkënaqësie e euforie nuk e ndihmon procesin e nisur tashmë me sukses. Duhet një diplomaci aktive, madje fluturuese dhe imponuese në kuptimin që të mos gabohet në asnjë hap të saj dhe të përdoren të gjithë argumentet për t’i shkuar deri në fund këtij aksioni politik e diplomatik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok