18/11/2024

DEMONSTRATAT E 11 MARSIT TË  VITIT 1981 DHE DINAMIZIMI I KËRKESËS PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS

0

Nga Jusuf BUXHOVI

Më 4 maj 1980, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 88 vjeçare, vdiq Josip Borz Tito. Kjo vdekje e pritur po ashtu solli ngjarje të pritshme, me anën e të cilave do t’u hapet udha zhvillimeve që pas dhjetë vitesh do të çojnë te shkatërrimi i Jugosllavisë.

Si një personalitet i rëndësishëm politik i përmasave ndërkombëtare, Josip Broz Tito, më shumë se kushdo tjetër, kishte ndikuar edhe në politikën shqiptare dhe çështjen shqiptare nga fillimet e Luftës së Dytë Botërore e tutje e deri te vdekja e tij. Si i tillë, ai ishte përcaktues jo vetëm në çështjet që drejtpërdrejt kishin të bënin me shtetin komunist shqiptar, por edhe ato që lidheshin me fatin e Kosovës nga ripushtimi i saj nga partizanët serbo-jugosllavë në vjeshtën e vitit 1944, bashkimin e dhunshëm me Serbinë si “obllast” e deri te fillimi i shkëputjes së saj nga Serbia (nga viti 1966 e tutje) për të ardhur në shkallën e subjektit të federatës jugosllave (Kushtetuta e vitit 1974).

Në të gjitha këto zhvillime historike Josip Broz Tito, kishte rol të madh, madje edhe vendimtar, që ndonëse mund të vlerësohet në mënyra të ndryshme, assesi nuk mund të përjashtohet, meqë ishte përcaktues në këto zhvillime.

Por, kërkesa për mbetjen e mëtutjeshme të frymës së Titos në aktualitetin politik (me parullën “Pas Titos Tito”, e ngritur nga udhëheqja serbe e Beogradit), nuk ishte tjetër pos paralajmërim cinik i qërimit të hesapeve me Titon dhe rrugën e tij,  që të zëvendësohet me të shpejtë me unitarizmin serb.

Ky qërim hesapesh tashmë i paralajmëruar duhej të fillonte në Kosovë dhe me Kosovën. Meqë, sipas unitaristëve dhe nacionalistëve serbë të fshehur prapa kësaj dogme (nga Qosiqi e deri te hartuesit e “Librit të kaltër”), aty gjendej formula e kthimit të Serbisë “në gjendje normale”, një si parakusht edhe për “shpë-timin” e Jugosllavisë nga shpërbërja, por edhe për “forcimin” e saj në përputhje me interesat e formuesve të saj, Serbëve. Ky ndryshim, po ashtu, duhej të fillonte në Kosovë dhe me Kosovën. Sepse, aty tashmë ndodhej edhe çelësi i fatit të Jugosllavisë, për të cilin ishte folur me të madhe edhe jashtë, duke iu parashikuar edhe dimensioni i një krize të ardhshme ndërkombëtare dhe madje edhe shembja pse prekeshin çështje të pazgjidhura, siç ishte ajo shqiptare, por edhe të tjera ngjitur me të, që kishin të bënin me rajonin, të cilat kishin mbetur të hapura që nga Kriza Lindore e këndej, e që modeli Jugosllavi nuk kishte qenë në gjendje t’u japë përgjigjen e duhur.

Andaj, ishte e pritshme që edhe Shqiptarët, përballë këtij zhvillimi të pashmangshëm, të shfaqeshin me skenarin e tyre rreth të ardhmes, që nuk do të thoshte tjetër pos rishpalosje e kërkesës për Republikën e Kosovës. Meqë Shqiptarët ishin të interesuar për federalizëm, pra që gjërat të shkonin drejt rrumbullakimit të këtij procesi, që si i hapur kishte mbetur në rrugë, ishte e natyrshme që ata të shfaqeshin me kërkesën për Kosovën Republikë. Kjo e arsyeton edhe paraqitjen e saj në demonstratat e studentëve më 11 marsi të vitit 1981,  në Prishtinë.

Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981, të cilat u zhvilluan në orët e vonshme dhe shpërthyen në Mensën e Studentëve të Prishtinës, “shkak” patën, si u tha, “pakënaqësinë për ushqimin e dobët”, pasi që dikush nga studentët kishte hedhur ushqimin dhe kjo kishte “provokuar revoltën, e cila ishte shprehur spontanisht nga një grup i vogël studentësh nga mensa deri para ndërtesës së Radio Prish-tinës afër qendrës me ç’rast ishte  prishur rendi dhe qetësia publike.”

Udhëheqja politike e Prishtinës nuk kishte dalë me ndonjë vlerësim publik, edhe pse vërehej se kishte filluar aktivitetin e saj në bazë, duke “marrë masa” që të parandaloheshin tubimet dhe demonstrimet e ngjashme, të cilat, sipas vlerësimeve të kësaj udhëheqjeje, “u jepnin shkas nacionalistëve dhe unitaristëve serbë dhe forcave të tjera për të ngritur çështjet që ata kishin planifikuar t’i ngritin pas vdekjes së Titos, në mënyrë që të shfrytëzonin rastin historik për ta rrënuar Jugosllavinë vetëqeverisëse dhe të painkuadruar, në mënyrë që ajo të largohet nga ky kurs”.

Në vend të “sqarimeve” udhëheqja politike e Kosovës ishte përgatitur, që çështjeve t’u jipte një përgjigje, më 26 mars, me rastin e nisjes së stafetës Titos së ndjerë nga Prishtina, ku duhej të demonstrohej parulla e njohur “pas Titos, Tito”.  Manifestim publik,  duhej të mbahej në orën 11 në qendër të Prishtinës.  Me këtë, duhej të minimizoheshin ose të harroheshin fare ato që kishin ndodhur mbrëmjen e 11 marsit në Prishtinë në mensën e studentëve dhe para Radio Prishtinës. Me këtë rast ishin thirrur rinia shkollore, ajo studentore “për ta nderuar Titon”.

Por, në orët e mëngjesit vërehet tubimi i studentëve në Qendrën e Studentëve në hapësirën midis pavijoneve dhe mensës, hapësirë kjo ku rëndom prej tyre shfrytëzohej për aktivitete të lira dhe argëtim.

Në orën dhjetë, e gjithë hapësira e Qendrës së Studentëve ishte mbushur me studentë, por ku kishte edhe të tjerë që u bashkoheshin. Forcat policore, jo gjithaq të numërta, ishin përqendruar para mensës, në udhëkryqin e rrugës kryesore që çonte për te fakultetet por edhe në qendër të qytetit. Duket se ata tashmë ishin të informuar mirë për marshutën e demonstrimit dhe ishin të vendosur që të mos lejonin dalje në rrugë, veçmas para se të përfundonte ceremoniali i pritjes dhe përcjelljes së stafetës së Titos.

Duke parë gjendjen e cila “po dilte nga mbikëqyrja”, udhëheqja politike e Kosovës, kishte urdhëruar Rektoratin e Universitetit të Kosovës, të merreshin të gjitha masat që studentët të qetësoheshin disi me anën e bisedimeve për t’u parë kërkesat e tyre. Ishte caktuar një grup i përzier nga qeveritarët, politikanët dhe profesorët për të biseduar me studentët në mënyrë që e gjithë çështja të përfundonte pa ndonjë shpërthim. Në këtë delegacion pos rektorit Gazmend Zajmi, Pajazit Nushit (nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, pra qeverisë), ndodheshin edhe Azem Vallasi dhe Sanije Hyseni. Vllasi dhe Hyseni kishin qenë kryetarë të Lidhjes së Rinisë së Jugosllavisë dhe vlerësoheshin si pjesë e “garniturës së re titiste”. Nga radha e studentëve ishte shfaqur një grup ad-hoc,  jashtë ndonjë qendre organizative, të cilët kishin treguar gatishmëri që të vazhdohej me demonstrime përderisa të mos përmbusheshin kërkesat e tyre.

Në bisedë me profesorët, qeveritarët dhe politikanët, krahas kërkesës për kushte ishte bërë fjalë edhe për çështje politike, ku ishte veçuar kërkesa për Republikën e Kosovës si zgjidhje që do t’i kënaqte Shqiptarët. Kjo ishte arsyetuar me të drejtën e Shqiptarëve për vetëvendosje.

Në orën 12, demonstruesit, kishin marrë drejtimin e qendrës së qytetit. Në ballë kishin pankartat “Kosova Republikë”, por edhe disa të tjera, siç ishin: “Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë”, “Trepça punon, Beogradi ndërtohet”.

Në këtë ndërkohë, nga ana e policisë kishte  filluar përdorimi i forcës ndaj studentëve. Do të hedhen edhe bomba tymi si dhe gazra lotsjellës me të cilat do të mbushet e gjithë hapësira e Qendrës së Studentëve.

Atë pasdite, nga Beogradi u sollën edhe njësitë speciale federative, të cila  ndërhynë me ashpërsi të paparë ndaj studentëve dhe demonstruesve të tjerë përreth. Njësitë speciale hynë në Qendrën e Studentëve dhe atje nga dhoma në dhomë rrahën studentët, shumë prej tyre i plagosën, ndërsa mbi njëqind sish i dërguan në polici. Atje, ndaj tyre u përdor një dhunë brutale. Kësaj sjellje nuk u shpëtuan as studentet dhe nxënësit e shkollave të mesme që i ishin bashkuar demonstratës.

Ndërhyrja brutale e njësive të policisë federative ndaj studentëve si dhe plagosja dhe lëndimi i shumë syresh bashkë me burgosjen e shumë studentëve, bënë që e gjithë popullata e Kosovës të ndjehet e provokuar rëndë nga kjo sjellje ndaj demonstruesve të qetë, të cilët kishin shtruar kërkesa sociale por edhe aso politike jashtë çfarëdo dhune.

Meqë studentët e burgosur nuk u liruan, ndërkohë që njësitë e forcave speciale federative u stacionuan në Ajvali (afër Prishtinës) dhe zunë të përdoren për bastisje brutale, që bëheshin në pjesë të ndryshme të Prishtinës (në kërkim të demonstruesve të shënjuar nga policia me anën e kamerave filmike), ishte fare e pritshme që të ndodhte një shpërthim i përmasave të gjera. Kështu, më 1, 2 dhe 3 prillit 1981, u shfaqen demonstratat tjera. Krahas studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme.

Demonstratat vazhduan edhe më 2 dhe 3 prill. Ato u zgjeruan edhe në pjesë të tjera të Kosovës, por qendra e tyre mbetej Prishtina, ku tuboheshin me mijëra pjesëmarrës dhe demonstronin.

Më 2 prill Beogradi, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Kështu, Kosovës iu vu shtetrrethimi, ndërsa në Prishtinë dhe pjesët e tjera dolën tanket dhe njësitë ushtarake. Ato morën përsipër mbrojtjen e institucioneve dhe Radio Televizionin e Kosovës. Ditën e dytë dhe të tretë pati edhe viktima. Në Prishtinë u vranë Naser Hajrizi,Asllan Pireva dhe Xhelal Maliqi. Në Ferizaj, më 3 prill ishin vrarë Riza Matoshi dhe Sherif Frangu. Në Vushtrri ishin vrarë: Sali Zeka, Sali Abazi dhe Ruzhdi Hyseni. Ndërsa në Mitrovicë ishte vrarë Sokol Bajrami..

Në ditën e tretë, demonstratat e përfshinë pjesën më të madhe të Kosovës.  U shuan për pak pas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme me ç’rast iu hap dera burgosjeve të shumta në të gjitha pjesët e vendit.

Në këto rrethana të përshkallëzimit të demonstratave,  Kryesia e KQ të LKJ-së në Beograd, më 5 prill, doli me qëndrimin e prerë, duke i kualifikuar demonstratat “ngjarje armiqësore me karakter kundërrevolucionar”. Me këtë rast parulla “Kosova Republikë” ishte karakterizuar armiqësore dhe kundërrevolucionare, meqë si e tillë çonte te shkatërrimi i Jugosllavisë, si thuhej të barabartë dhe vetëqeverisëse.

Në këtë mbledhje fjalën kryesore e kishte mbajtur përfaqësuesi maqedonas, Llazar Kolishevski, i cili, për ngjarjet, fajin kryesor ua kishte hedhur udhëheqjes politike dhe shoqërore të Kosovës, në radhë të parë Mahmut Bakallit, si kryetar i Kryesisë së Partisë dhe pastaj edhe Fadil Hoxhës – anëtar i Kryesisë së shtetit dhe asaj të Partisë.

Meqë, më 5 prill në Kryesinë e Partisë ishte arritur që të lansohej por edhe të pranohej vlerësimi për demonstratat armiqësore dhe kundërrevolucionare, ishte fare e natyrshme që mbi këtë kualifikim të silleshin që të gjitha qendrat politike të vendit, veçmas Kosova dhe në përputhje me to të nxirrnin edhe konkluzione për veprim të gjithmbarshëm, i cili obligonte Partinë por edhe institucionet e të gjitha niveleve, veçmas ato policore dhe gjyqësore.

Vlerësimet e Kryesisë së KQ të LKJ-së të 5 prillit u pranuan edhe nga kryesia e  Kryesisë së LKJ-së së Kosovës dhe ajo e Kryesissë së KS të Kosovës. Me këtë rast, nga trysnia e Beogradit, Bakalli kishte dhënë dorëheqje nga posti i Kryetarit të Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës.

Kreu partiak i Kosovës pranoi dorëheqjen e Mahmut Bakallit nga pozita e Kryetarit të Kryesisë së Komitetit Krahinor, e paraqitur më 1 maj, me ç’rast, me mandat njëvjeçar, në vend të tij do të zgjidhet Veli Deva, kryetar i komunistëve të Kosovës nga vitit 1966, të cilin para dhjetë vitesh, me kërkesën e Titos, e kishte zëvendësuar Bakalli.

Siç pritej, Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, direktivat që i kishin ardhur nga Beogradi, i futi në një dokument zyrtar partiak të quajtur “Vlerësimi i shkaqeve, i rrethanave dhe i pasojave të demonstratave armiqësore”.

Mbledhja XVII e Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve, e mbajtur më 5 maj në Prishtinë, me imponimin e vlerësimit të demonstratave “veprimtari armiqësore me karakter kundërrevolucionar”, që erdhi nga Beogradi, hapi dyert për veprimet e tjera siç ishte ai i rrënimit të elitës politike të Kosovës me orientim jugosllav-titist (Mahmut Bakalli) dhe rikthimit të oponentëve të politikës së vjetër serbe (Ali Shukriut, Sinan Hasanit dhe të tjerëve) me çka u krijuan parakushtet për rrënimin e elitës intelektuale shqiptare në ngritje e sipër si dhe të rrënimit të infrastrukturës së gjithmbarshme institucionale të arsimit dhe të kulturës në Kosovës.

Në të vërtetë, në Mbledhjen XVII të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, do të bëhet promovimi i politikës, që duhej të fillonte me fushatën e diferencimit politik për të marrë fund me atë të përdorimit të mjeteve të luftës, po qe se ajo tregohej e domosdoshme. Pranimi i vlerësimeve të gatuara nga Mbledhja e 5 prillit Kryesisë së KQ të LKJ-së prej nga kishte dalë vlerësimi i demonstratave “veprimtari armiqësore kundërrevolucionare mbi bazat e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar”, duhej  t’ua hapte rrugën burgosjeve në masë, që filluan natën e 27 marsit në Prishtinë me burgosjen e disa studentëve të cilët do të gjenden në ballë të demonstratave të 11 marsit dhe të atyre të 1, 2 dhe 3 prillit  për të vazhduar me mijëra dhe mijëra të tjera ku do të ketë edhe të vrarë dhe të torturuar rëndë.

Ajo që bie në sy në këto vlerësime, është strategjia e sofistikuar kundër Universitetit të Kosovës, kundër institucioneve shkencore hulumtuese, kundër veprimtarisë botuese në gjuhën shqipe, veçmas kundër promotorit të saj “Rilindjes” dhe kundër teksteve shkollore të të gjitha niveleve dhe kundër bashkëpunimit kulturor dhe arsimor me Shqipërinë.

Megjithatë, në Mbledhjen XVII të KK të LKJ në Prishtinë, sulmi më i madh do t’i bëhet Universitetit të Kosovës si dhe veprimtarisë së gjithmbarëshme hulumtuese-shkencore në këtë institucion, meqë ai paraqiste themelet e arsimit dhe të edukimit kombëtar shqiptar, që kishin filluar të forcoheshin në Kosovë pas vitit 1966 e këndej. Në fjalën hyrëse, por edhe në tezat për vlerësimin e gjendjes, që ishin marrë nga Beogradi dhe duhej të pranoheshin në tërësi, Universiteti i Kosovës u sulmua më së shumti. Ai u quajt “frymëzues dhe qendër e veprimtarisë armiqësore dhe kundërrevolucionare nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, ndërsa pedagogët dhe kuadri tjetër u cilësuan “militantë të kësaj ideje”.

Akademik Dervish Rozhaja ishte i vetmi që refuzoi vlerësimet dhe arsyetimet rreth Universitetit të Kosovës “çerdhe e irredentizmit shqiptar” dhe për këtë u sulmua ashpër nga Ali Shukriu, Xhavid Nimani, Dushan Ristiq dhe të tjerë.

(Shkëputje nga “Kosova – histori e shkurtër”,  boti: “Faik Konica” dhe “Jalifat Publishing”, 2022, faqe 587).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok