DASHURIA SI LOJË
Melodi e humbur në poezinë e Sadik Bejkos
Nga Timo Mërkuri
Poezia “Fundi i lojës” nga Sadik Bejko është një reflektim i thellë për dashurinë, një ndjenjë që shfaqet në dy forma, herë plot gëzim e entuziazëm kur përjetohen çaste lumturie dhe herë dhimbshëm e me trishtim kur ndodh ndarja. Teksti është i ndërlikuar, në lëvizje midis realitetit të përjetuar dhe ndjesive të përçudnuara nga lodhja emociona-le. Në poezi, autori e përshkruan përfundimin e një lidhjeje dashurie, si një “lojë,” duke nënvizuar dualitetin e ndjenjave të dashurisë. E ndërtuar mbi tonalitete të ndryshme emocionale, poezia shpreh përmes tingujve dhe metaforave ndjesinë e humbjes së një (loje) dashurie, duke e zhvendosur këtë (ndjenjë) në sferat e thella shpirtërore. Fundi i saj nuk përjetohet vetëm si ndarje fizike, por më tepër si zbehje e kujtimeve dhe ndjenjave, duke i dhënë dashurisë një dimension metafizik që ngjan me një melodi të ndjeshme, një këngë që vazhdon të jehojë në shpirtin e atyre që e përjetuan.
I- Poeti e cilëson dashurinë si “lojë” për të theksuar natyrën e saj të ndërlikuar, kalimtare dhe shpeshherë iluzore. Dashuria, si një lojë, përmban rregulla të pashkruara, paqartësi dhe ndjenja që mund të jenë të papërcaktuara plotësisht. Ajo mund të jetë përvojë plot gjallëri e lumturi, por që sjell një zhgënjim të hidhur kur përfundon. Duke e quajtur “lojë” poeti sugjeron se dashuria nuk është gjithmonë serioze apo e qëndrueshme, dhe se ashtu si në një lojë, njerëzit mund të luhaten mes përfshirjes dhe tërheqjes, mes fitores dhe humbjes.
Metafora e “lojës” nënkupton një element loje shpirtërore mes dy personave, ku ata luajnë me emocionet, iluzionet dhe realitetet e tyre të momentit, duke eksploruar ndjenjat dhe prekje pa e ditur qartë se ku do të përfundojnë. Në këtë kontekst, dashuria shfaqet si një përvojë ku gjithçka është e mundshme : nga eksitimi në lojë dhe argëtim deri te dhimbja dhe ndarja.
Në poezinë e Bejkos, dashuria si “lojë” shfaqet me një përzierje delikate të ndjenjave, ku përfundimi i saj sjell dhembje e boshllëk, duke treguar se loja ka mbaruar, por gjurmët e saj mbeten si melodi e përjetuar nga të dy dashnorët dhe lexuesi, që e përjeton në lexim të vargjeve.
II-Poezia “Fundi i lojës” e Bejko-s më tepër përjetohet si një kompozicion muzikor ku tonaliteti dhe melodicititeti përcjellin dimensionin emocional. Tonaliteti poetik është delikat, duke dhënë ndjesinë e një muzike të brendshme ku dashuria nuk është vetëm fizike, por më shumë një përjetim shpirtëror. Vargjet rrjedhin me qetësi, si një këngë e heshtur që ngrihet dhe bie, duke reflektuar lëvizjen shpirtërore të pasioneve të përmbajtura. Është e natyrshme që vargjet të cilat shfaqin lojën dhe prekjet e dy të dashuruarve të kenë në thelb melodicitet, pasi dashuria është këngë, por edhe vargjet që shfaqin ndarjen e tyre (për çfardo arsye) të kenë gjithashtu një melodicitet, ndonëse të trishtë e që përcjellin dhimbje. Këto raste janë të pranishme në të gjitha poezitë tradicionale, madje, qoftë lumturimi i përjetimit të dashurisë, ashtu dhe shimbja e trishtimi që sjell ndarja, janë burim i këngëzimit të tyre. E njëjta gjë ndodh dhe në këtë poezi moderne të Bejkos ku gjejmë dy tipe melodiciteti, në përputhje me situatën dashurore të dy personazheve.
1.Në fillim të poezisë, imazhet e buta të takimeve dhe prekjeve të lehta: “Një çaj.. një gotë verë… mbi bar sup më sup, / Nën drurë dorë për dorë” sugjerojnë një lloj simfonie të heshtur, ku çdo prekje dhe moment ndjehet më shumë se sa shihet. Këtu, pasioni është transformuar në një formë të butë dhe të ëmbël të komunikimit, një lidhje që më shumë flet për shpirtin se për trupin.
2.Tonaliteti gradualisht ndryshon ndërsa poezia përparon, dhe poeti fillon të ndjejë një distance, një ftohje: “Një si fëshfërimë e hollë uji në çajnik / Ena zien, zien. Fishkëllimë …”. Këtu, zërat e brendshëm marrin forma të tjera, ndjesia e afërsisë dhe pasionit nis të zbehet dhe tingujt bëhen më të mprehtë, si fishkëllima e një çajniku. Ky ndërrim toni shfaq atë që ndodh në marrëdhëniet kur pasioni fillon të shndërrohet në diçka më abstrakte, një melodi e brendshme që mbetet e përjetuar në shpirt, por jo më në fizikalitetin e partnerëve.
3.Pjesa finale përmban një melodicitet pikëllimit dhe pranim të humbjes: “Vetëm kaq? Trok e gulç në brinjë… / Varka që kish, na i mbytej në lumë.” Tingulli i brinjëve që gulçojnë dhe i varkës që mbytet përcjell një melodicitet të ngadaltë, të rënduar nga zhgënjimi, duke përcjellur një ndjesi dhimbjeje, ndoshta edhe pranimin e një realiteti që nuk mund të ndryshohet.
Në thelb kjo poezi përjetësohet si një melodi e ndjeshme, ku çdo varg ka tonalitetin specifik, që reflekton emocionet e ndryshme të dashurisë: pasionin, ëmbëlsinë, ftohjen dhe ndarjen.
III-Kjo poezi arrin një nivel melodiciteti, që përforcohet nga elementet tekstuale si rima, ritmi dhe zanoret, elemente këto, që krijojnë një përvojë të tingullit që e bën poezinë të rrjedhë natyrshëm, duke përforcuar ndjenjat dhe emocionet e vargjeve.
1.Rima në poezi është e thjeshtë, por efektive, shpeshherë e përmbajtur dhe e fshehtë brenda vargjeve, e cila e bën poezinë të ndihet e butë, por duke ruajtur strukturën që krijon një ndjenjë koherence melodike. Kështu psh, në vargjet: “Një puthim me prekje buze, sysh / si mbi pëlhurë qëndisja, / si pemës bulimi me sythe”përdorimi i rimave të lehta në fjalë si “sysh” dhe “qëndisja” krijon një ndjesi harmonie të tingujve, ku çdo fjalë është e lidhur me tjetrën në një melodi të qetë. Në fakt, nisja e melodisë me fjalëzën “puthim” është shumë e ëmbël dhe të mbetet në mendje. Ritmi është i ngadaltë dhe i rregullt, duke përçuar qetësinë dhe delikatesën e përjetimit.
2.Gjuha shqipe, si pasojë e përdorimit të fjalëve shumë rrokëshe, në vend të atyre një rrokshe ka një përdorim të gjerë zanoresh, të cilat u japin fjalëve hapësirë, dritë, ekuilibër, por edhe melodicitet. Në poezi, zanoret kanë rol të rëndësishëm, veç të tjerash, edhe në krijimin e tonalitetit dhe melodicitetit, pasi ndikojnë jo vetëm në strukturën ritmike të vargjeve, por dhe në thellësinë emocionale te teksti. Zanoret të hapura apo të mbyllura, ndihmojnë për ndërtimin e një atmosfere që pasqyron ndjenjat e brendshme të personazheve. Në një analizë mbi ndikimin e zanoreve në disa pasazhe kyçe të poezisë kemi:
a.Te vargjet fillestare: “E ndiente, duhet të hiqte dorë. Muzg,” kemi përdorimin e zanoreve të mbyllura “u” dhe “i”, të cilat krijojnë një tonalitet të përqendruar e të qetë. Zakonisht zanoret e mbyllura theksojnë ndjenjat e brendshme dhe reflektuese, dhe i japin vargut tonalitet të zymtë dhe meditativ, i cili reflekton ndjenjën e mbarimit dhe lamtumirës. Kjo ndjenjë melodiciteti reflekton një melodi të qetë, të ngadaltë.
b.Zanoret e hapura dhe ndikimi i tyre shihet te vargjet: “Flirt? Mbase, por më shumë ëndërr”, zanoret e hapura “a” dhe “e” krijojnë tonalitet më të lehtë dhe më të lire, duke e bërë këtë pjesë të vargut të tingëllojë më optimiste, duke e shfaqur natyrën ëndërrue-se të marrëdhënies. Zanoret e hapura ndihmojnë në krijimin e një ndjesie të qetë dhe harmonike, si një këngë e brendshme që sjell kujtime dhe ëndrra të bukura. Ato kontribuojnë në lirimin e tensionit dhe japin një melodi më të ndritshme.
c.Zanoret e mbyllura, psh te vargjet: “Vetëm kaq? Trok e gulç në brinjë.”, ku përdoren zanoret e mbyllura “o”, “u”, dhe “I”, krijojnë ndjenjë ngushtësie dhe tensioni. Ndikimi i tyre është i dukshëm në tonalitetin e mbyllur dhe të shtrënguar të vargut, ku reflekton ndjesinë e një gulçi emocional dhe dhimbjen e ndarjes. Në këtë moment melodia e ndjenjave shndërrohet në një lloj drithërimi të brendshëm, një “therrje” në shpirt, dhe zanoret e mbyllura janë ato që e theksojnë këtë tension të brendshëm.
ç.Zanoret dhe fluksi i qetësisë, ku në vargjet e fundit: “Qe e gjitha një gënjeshtër yjesh / e dritash e pikëzuar?”, zanoret e hapura “e” dhe “a” krijojnë një ndjenjë qetësie, por të papërcaktuar,që të sjell në kujtesë një melodi të thjeshtë, por të ndjerë. Kjo strukturë zanore e hapur sugjeron një kthim në reflektim dhe shpreh melankolinë e përfundimit të lojës, e cila nuk është një ndarje brutale, e qetë, e ngadalshme, e thellë, për pasojë tepër e dhimbëshme.
3.Struktura e poezisë është e lirë, por me një rregull të brendshëm që i ndihmon vargjet të rrjedhin në mënyrë natyrale. Ky organizim i lirë i vargjeve krijon hapësira për ndrrime të ritmit, duke përcjelluur ndjenja të ndryshme gjatë leximit. Psh., te vargu: “Vetëm kaq? Trok e gulç në brinjë…”ka një ritëm të ndërprerë, me përdorim të shkurtesës “gulç” që krijon tension dhe pauza të rëndësishme, dhe e bën lexuesin të ndiejë ngarkesë emoci-onale të fortë.
Në këtë mënyrë, elementet tekstuale si rima, ritmi dhe zanoret ndërthuren për të krijuar një melodicitet të veçantë, që rritet dhe forcohet gjatë leximit, duke përcjellur përjetimin e ndjenjave dhe melodisë së brendshme të dashurisë që shfaqet në poezi.
IV-Poezia “Fundi i lojës” lehtësisht mund të perceptohet si simfoni intime e ndjenjave, ku imazhet veprojnë si një orkestër muzikore që krijon një melodi për dy të dashuruarit, ndërsa lexuesi bëhet dëgjuesi i tretë, duke përjetuar këtë muzikë përmes vargjeve. Në këtë lente mund të shohim imazhet si pjesë e orkestrës.
1.Në fillim të poezisë, imazhet e buta dhe të ëmbla të takimeve të përditshme përcjellin një atmosferë të ngrohtë dhe intime sit e vargjet: “Një çaj… një gotë verë… mbi bar sup më sup, / Nën drurë dorë për dorë.”ku, secili imazh është si një instrument që luan një pjesë delikate të simfonisë së dashurisë. Prekja e lehtë, gota e verës, dhe ambienti natyror ndërthuren në një harmoni që perceptohet vetëm për dy të dashuruarit, ndërsa lexuesi ndjek këtë melodi në heshtje, duke ndjerë valëzimin e ngrohtësisë që e përshkon këtë skenë.
2.Ndërsa poezia lëviz përpara, imazhet fillojnë të përcjellin ndjenja tensioni dhe ankthi të brendshëm, si te pasazhi: “Një si fëshfërimë e hollë uji në çajnik / Ena zien, zien. Fishkëllimë…” ku, imazhet janë si tinguj të fortë që ngrenë tensionin në orkestër, sikur ka një pause, që përgatit lexuesin të dashuruarit për një përballje të brendshme. Lexuesi, si përjetues i tretë, ndjen tensionin në mënyrë delikate, pasi fëshfërima dhe fishkëllima shprehin një ndjenjë të padukshme por të pranishme.Këtu ai (lexuesi) kupton se momentet e tensionit shfaqen si pauza muzikore. Përgjithësisht me melodicitet të dukshëm e tingëllues janë krijimet poetike tradicionale të dashurisë, mirpo këtë aftësi e ka dhe poezia moderne, në rastet e teksteve të goditura. Përvoja në leximin e pozive të Bejkos na ka bindur se ai ka aftësi për të krijuar poezi moderne, madje postmoderniste me melodicitet tingëllues.
3.Pjesa finale ndryshon tonin melodik dhe imazhet përcjellin një ndjesi humbjeje dhe zbraztie. Psh, në vargjet:“E gjejmë prap të huajën, trupin / e femrës që në arrati të vetes / jep të qeshurën, gushën…?”imazhi i femrës që bëhet i huaj është sinjal i përmbysjes së melodisë, ku muzika e dashurisë zbehet dhe shndërrohet në një simfoni të zymtë. Lexuesi është ende i pranishëm, ndjek me vëmendje këtë ndërrim, dëgjon heshtjen që mbush hapësirën mes të dashuruarve, e cila përcjell një zhgënjim të thellë.
4.Poezia përfundon me një ndjenjë përmbajtjeje dhe pranimi të fatit:“Oh, një lojë, një lojë kjo… asgjë më tepër.” Kjo është nota finale e kësaj simfonie intime, që, ndonëse e hidhur dhe plot dhimbje, përçon me finesë poetike ndjenjën e përfundimit. Lexuesi, si dëgjuesi i tretë, merr pjesë te kjo notë e fundit, duke ndjerë se melodia që dy të dashuruarit ndanin tani ka përfunduar, duke e lënë me një heshtje të thellë, por të pasur me përjetim.
Në këtë mënyrë, poezia është shndruar në një orkestër të ndjenjave dhe imazheve, ku lexuesi bëhet dëshmitar i një melodie dashurie që jeton mes dy të dashuruarve dhe vazhdon të dëgjohet në shpirtin e tyre, edhe kur fjalët janë shuar.
V-Sadik Bejko me poezinë e tij moderne “Fundi i lojës” krijon një melodicitet dhe muzikalitet që ngrihet mbi teknika të ndryshme nga ato të poezisë tradicionale, por që ruan disa lidhje të fshehta me të. Ndërsa poezia tradicionale shqiptare është e ndërtuar mbi rimë dhe ritëm të rregullt, gjë që lehtëson krijimin e një melodiciteti uniform në gjithë poezinë dhe e bën atë lehtësisht të muzikueshme, kjo poezi moderne sjell një qasje të ndërlikuar dhe të nuancuar ndaj tingujve dhe rrjedhës muzikore. Megjithatë muzikaliteti te poezia tradicionale me temë të dashurisë dhe kjo poezi modern kanë disa afërsi dhe dallime që ju ftoj ti shohim bashkë.
1.Afërsitë
- Si poezia tradicionale, edhe kjo poezi moderne e Bejkos ruan një ndjeshmëri ndaj tingujve të fjalëve dhe ndërlidhjes së tyre në vargje. Pavarësisht se rima nuk është e theksuar, kombinimi i zanoreve dhe tingujve të ngrohtë krijon një lloj harmonie që është karakteristike edhe për poezinë tradicionale pasi është efekt i melodicitetit të gjuhës, psh te vargjet: “Një puthim me prekje buze, sysh / si mbi pëlhurë qëndisja”, ku përdorimi i tingujve të butë e të rrjedhshëm të “u”( e shoqëruar me bashkëtingëlloren e përbërë “th” që të jep ndjesinë e bashkimit të dy buzëve pikërisht në një puthje) dhe “e” përcjellin një qetësi e harmoni, duke kujtuar melodinë natyrale të këngëve popullore.
b.Ashtu si poezia tradicionale, dhe kjo poezi moderne përqendrohet në përjetimin emocional të personazheve e lexuesit. Dashuria dhe ndarja, që janë tema të përjetshme, përcillen përmes figurave delikate dhe imazheve të ndjeshme që evokojnë muzikën e shpirtit.
2.Dallimet
a.Poezia jonë tradicionale ndjek metrikë dhe ritëm të rregullt, duke u bazuar në skema të njohura rimash.Poezia e Bejkos, ndonëse ruan elemente muzikale, nuk ndjek rregullat e përcaktuara të rimës dhe metrikës. Struktura e lirë e poezisë së tij i lejon lexuesit të përjetojë muzikalitetin në mënyrë më fluide dhe spontane. Psh: vargjet:”E gjejmë prap të huajën, trupin / e femrës që në arrati të vetes / jep të qeshurën, gushën…?”rrjedhin lirshëm, pa kufizime nga rimat, duke i dhënë poezisë një melodicitet të brendshëm, të cilin lexuesi duhet ta “dëgjojë” përmes ndjenjave dhe imagjinatës.
- Poezia moderne e Bejkos përdor imazhe dhe metafora të ndërlikuara, shpeshherë të ndërlidhura me abstraksione ose ndjesi të brendshme, ndërsa poezia tradicionale përdor figura konkrete dhe të thjeshta për t’u shndruar në melodi. Psh, imazhi i tensionit të brendshëm dhe frikës te vargjet:”Ena zien, zien. Fishkëllimë… do plasë, a zjarri krejt duhet shuar?”është abstrakt dhe metaforik, ndërsa në poezinë tradicionale, figurat janë më drejtpërdrejta dhe lehtësisht të perceptueshme si “lulet”, “drurët”, apo “shpirti”.
VI-Të shprehurit metaforik ka ndihmuar dukshëm melodicitetin (dhe muzikalitetin) në poezinë “Fundi i lojës” të Bejkos. Përmes figurave letrare si metafora, poezia krijon një rrjedhë të butë, një tingull të brendshëm që rezonon me ndjenjat e imazhet që krijohen. Te kjo poezi, metaforat jo vetëm që zbukurojnë gjuhën, por krijojnë një efekt melodik që shoqëron përvojën e leximit. Rastet kur metafora ndihmon melodicitetin dhe muzikalite-tin në poezi, I shohim te pasazzhet e mëposhtme:
- Metafora e “zjarrit” dhe “enës që zien” në vargjet: “Ena zien, zien. Fishkëllimë… do plasë, a zjarri krejt duhet shuar?” krijon ndjesi tensioni, tension i cili bëhet një muzikë e brendshme. Përshkrimi i fishkëllimës dhe tingullit të enës që zien krijon melodicitet në mendjen e lexuesit. Ky tension, i mbështetur nga metafora, funksionon si një kreshendo muzikore që i shton një dimension tjetër melodicitetit të poezisë.
- Metafora e “lojes” dhe “pëlhurës qëndisja” te vargjet “Një puthim me prekje buze, sysh / si mbi pëlhurë qëndisja.” për dashurinë dhe kontaktin delikat e bën gjuhën e poezisë të rrjedhë me ndjenjë harmonie. Fjalët evokojnë kujdesin dhe finesën e një procesi të ngadaltë e të ndjeshëm, duke krijuar një efekt melodik që ngjason me tinguj të butë, si ato të një muzike klasike.Këtu hyn metafora, e cila i jep vargut një elegancë tingëlluese që ndihmon në krijimin e një ndjesie muzikale
- Metafora e “lojës” dhe “mbytjes së varkës” te vargu:”Në lojë fati / Varka që kish, na i mbytej në lumë.” krijon ndjesi tragjedie dhe humbjeje, por gjithashtu ka një rezonancë muzikore. Ndërsa varka mbytet, lexuesi përjeton “zbritje” tingullore, një notë e ulët që përafrohet me humbjen e lidhjes së dashnorëve. Muzikaliteti i metaforës së “mbytjes së varkës” krijon kontrast me melodinë e mëparshme të butë, duke përçuar një tonalitet më të errët, të ngjashëm me uljen e zërit në një pjesë muzikore.
VII-Ndjesia e këngëzimit që vjen nga dashuria, është përjetim i brendshëm ku ndjenjat shprehen përmes një melodie të fshehur në shpirt. Kjo dukuri është e dukshme edhe në poezinë e Sadik Bejkos “Fundi i lojës,” ku melodia dhe muzikaliteti nuk janë të dukshëm në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ndjehen përmes vargjeve, duke përforcuar përvojën intime të dashurisë.
1.Në poezinë e Bejkos, dashuria përjetohet në formë jo vetëm fizike,por dhe shpirtërore , ku marrëdhënia midis dy të dashuruarve shndërrohet në një melodi që e dëgjojnë vetëm ata. Kjo melodi është një përvojë intime, e përjetuar përtej fjalëve dhe kontaktit fizik. Ja si kjo dukuri reflektohet në vargjet:“Flirt? Mbase, por më shumë ëndërr.” Ky varg sugjeron se ndjesitë e dashurisë ngjasojnë me ëndrrën, një përvojë që përfshin shpirtin dhe mendjen në një melodinë të brendshme. Ëndrra, si dhe dashuria, ka një natyrë melodike, që mund të ndjehet por jo domosdoshmërisht të shprehet me fjalë.
- Imazhi:“Një puthim me prekje buze, sysh / si mbi pëlhurë qëndisja.” me përdorimin e metaforës së butë dhe delikate, përfaqëson një këngëzim të heshtur, një ndjesi të brendshme që i ngjan një melodie të njohur, të cilën të dashuruarit e krijojnë përmes përvojave të tyre. Prekja e buzëve dhe syve bëhet si një partiturë muzikore e qëndisur mbi pëlhurë, duke shtuar intensitetin e ndjenjave të brendshme dhe duke i dhënë jetë një melodi që nuk dëgjohet me veshë, por ndjehet në shpirt.
3.Te vargjet:“Trok e gulç në brinjë.” ndjenja e këngëzimit mund të vërehet edhe te përshkrimi i dhimbjes fizike që ndodh në brinjë, e cila simbolizon atë drithërimën e brendshme të dashurisë, që mund të përjetohet si një puls melodik. Kjo krijon një lidhje të fuqishme midis emocionit dhe trupit, një ndjenjë e përjetuar thellësisht që bëhet pothuajse muzikore për të dashuruarit.
Në këtë poezi, dashuria, dhe ndjesia e saj e lumturisë, shndërrohet në një melodi të brendshme që e përjetojnë vetëm ata që janë të zhytur në të. Ky melodicitet është i qetë, por i fuqishëm dhe nuk mund të dëgjohet nga jashtë, por ekziston brenda shpirtit dhe rron edhe pasi mbaron dashuria, si një kujtim i vazhdueshëm, duke mbajtur në jetë ndjenjat edhe kur lidhja fizike përfundon.Kur je i dashuruar dhe i lumtur dhe kur shkruan poezi dashurie me frymëzim të prek në shpirt një ndjesi këngëzimi, madje të duket se e njeh melodinë që ndjen. Madje kjo ndjesi të prek edhe kur lexon poezi moderne dashurie, si kjo e Sadik Bejkos.
Sarandë, shtator 2024
Fundi i lojës
Sadik Bejko
E ndiente, duhet të hiqte dorë. Muzg,
E gjitha kaq qe. Për të do të mbetej
Gjëja më e bukur, më intime.
Dy vjet ishin takuar, prekur
Zhytur në epsh ajror, shuar lart
Si në gjethnajë, në pak ledhatime.
Kshte qenë e epshme si një bukë
E ngrohtë, për t’u afruar, për t’u
Gëzuar, për të qenë e hutuar
nën sytë e tij. Mbase luante,
por e luante bukur atë shkartisje
nga vetja, për pak, pak tjetërsi.
Qenë si në flur, të prajtur
Duke rrëshqitur pak e pafajshëm
Në rrënqethje, në elektrizim rastësor.
Shtërngim i lehtë beli. Një çaj..
Një gotë verë… mbi bar sup më sup,
Nën drurë dorë për dorë.
Flirt? Mbase, por më shumë ëndërr.
Shmangej njëri, tjetri e kërkonte
Shkitën mbi të përditshmen vrazhdësi.
Ish dhe miqësi. Dhe urtësi. Të rritur
Që herë-herë nxjerrin sipër
Veten tjetër, të qenit fëmijë.
Trill? Po. Lajkatim? Dhe kështu.
Një puhim me prekje buze, sysh
si mbi pëlhurë qëndisja,
si pemës bulimi me sythe
Dhe secili në punën e vet. Dhe ndarjet
Që të zënë fytin si një përmbytje.
Vetëm kaq? Trok e gulç në brinjë.
Dhuratë e bruztë fati a rastësie
Mbi gurët e rrugës një cipës sado
e hollë, një gjethërim ëmbëlsie.
Por tash diç tjetër… alarm, frikë
Një si fëshfërimë e hollë uji në çajnik
Ena zien, zien. Fishkëllimë…
do plasë, a zjarri krejt duhet shuar?
Qe e gjitha një gënjeshtër yjesh
e dritash e pikëzuar? Qe krejt një
hiç asgjë? Jo. Me shpatulla, me gjithë
rropulli ishte gati të bërtiste pa zë.
Po e prekte zbraztira. Ndaj nën zë
Këndonte me vete me tërë gjoksin
(qante a këndonte në ditën e gjatë) ?
Mbi gjithë ç’pati, po vihej sipër një rrul.
Përreth mbyllej me mur. Në lojë fati
Varka që kish, na i mbytej në lumë.
E gjejmë prap të huajën, trupin
e femrës që në arrati të vetes
jep të qeshurën, gushën…?
I sëmbonte thikë kjo vogëlimë:
Ç’ish “imja” në çast po i bëhej tjetër,
Loja ku nga pak, nga pak jemi të vegjël –
Oh, një lojë, një lojë kjo… asgjë më tepër.
2005