21/12/2024
Liri-Pone-Bele

Tregim nga Liri Pone Bele

Kardiologu, sapo shkëmbeu vështrimin me personin përballë, në moment njohu Selamin, njërin prej shumë pacientëve me të cilët ishte i pashkëputur. Parametrat mjekësor të tij, shoqëruar me një mënyrë sjelljeje mbresëlënese dhe shkallë të lartë intelekti, ishin ruajtur brenda kujtesës e zemrës së tij (me të tjera raste të veçanta), sepse ato ishin pjesëza përbërëse treguese të thelbit të profesionit të mjekut. Fillimisht kishte qenë një takim i zakonshëm në raportin mjek-pacient që u mundësoi njohjen e mëtejshme, e cila, bazuar në respektimin reciprok, u shërbeu si bazë për krijimin e një marrëdhënieje thjesht miqësore. Për më tepër, pacienti kishte mbaruar fakultetin në degën e veterinarisë.

Selami tregonte përkushtim në përditshmërinë e ushtrimit të profesionit, sa viteve të fundit, simptomat apo ankesat tipike, përkatësisht rritjes së shifrave të tensionit të gjakut, i kishte konsideruar si shenja të mbilodhjes në punë. Bazuar në prezantimin e situatës shëndetësore të Selamit që vlerësohej mbi mesataren, si një arsye e fortë për të faktuar ecurinë e diagnozës së  përcaktuar saktë, protokolli detyronte kontrolle mjekësore të domosdoshme të planifikuara, ndaj të cilave ai tregonte korrektësi dhe nuk harronte asnjëherë të mos përmendte shprehjen e vet të përzgjedhur:

“Detyra jonë është kujdesi, ndihma sa më e shpejtë për t’i siguruar jetëgjatësi qenies së gjallë. Kjo është linja jonë e përbashkët, por, nga ana tjetër, ne pozicionohemi në largësi të skajshme me njëri-tjetrin, për faktin se ju e ndjeni brenda zemrës, e shihni me sy, e mendoni, e vlerësoni gjendjen shëndetësore të pacientit mirënjohës, duke qenë njëri prej tyre. Jam plotësisht i sigurt! Sa i përket mjekut të kafshëve, një punë tepër e lodhshme që e njoh mirë, as mund të krahasohet apo të komentohet”.

Mjeku, njëherazi miku i Selamit, po e dëgjonte i përqendruar. Nuk mund të mos binte në sy buzeqëshja e lehtë dhe e çiltër si shoqëruesja e përhershme e natyrshmërisë së karakterit të tij njerëzor dhe, për më tepër, e njihte brendinë e kësaj teme të shtjelluar në shumicën e bisedave të mëparshme. I tërhoqi vëmendjen dhe nisi të shqetësohej (pa mundur ta njihte shkakun) pamja kundrejt, që i dukej krejtësisht e ndryshuar, mbasi e njihte imtësisht përgjatë një periudhe trevjeçare, kur, në zanafillë, Selami  prezantoi njërin nga pacientët. Atëherë, puna e përbashkët dhe këmbëngulëse realizoi përmirësimin e pritshëm, gjë që i gëzoi të dy.

Po tani, çfarë e shqetësonte?

– I dashur Selam, ia dole me sukses! Nuk po të bëj qejfin, por po  prezantohesh një burrë i pashëm qysh kur ti arrite përputhjen korrekte të  gjatësisë me peshën e trupit (dhuratë nga nëna natyrë që  të përzgjodhi ty njërin nga anëtaret e grupit të meshkujve shtatlartë). Mirëpo, pikërisht vetë iu largove atyre parametrave dhe tejkalove peshën me më të lartin numër të kilogramëve për një mashkull normal. Mbipesha jote pothuajse e frikshme dhe transformimi në një grumbull mishi e dhjami ta zbehu përkohësisht vlerën e konstruktit të gjatë, aq sa ishe kthyer në një shëmtirë njerëzore. Saje vullnetit të çeliktë, flake tej gjithçka të dëmshme dhe fitove admirimin tim. Dua të kujtoj edhe diçka tjetër. Në të njëjtën kohë, matjet e përsëritura të tensionit arterial tek ti tregonin shifra shqetësuese, të shoqëruara me rritjen e përmbajtjes së yndyrnave e të sasisë së sheqerit të tretur në gjakun qarkullues. Nëse këta faktorë rrezikues gjenden së bashku tek i njëjti person, zemra e tij dëmtohet ndjeshëm.

Ndërsa po bëj krahasim midis dy situatave të kaluara prej teje, me të drejtë ta vlerësoj punën këmbëngulëse, të ndërgjegjshme përgjatë viteve të fundit, forcën e karakterit, të respektoj se rikthimi yt brenda  parametrave normal ishte një arritje e pazakontë, e vështirë.

Po, tani e prezanton qartë fytyrën burrërore me ngjyrë të bronztë, për shkak të tejzgjatjes së orëve të punës nën efektin e rrezeve përvëluese. Banojmë në qytet, por edhe ne i njohim mirë kushtet e jetës në fshat. Të mbaj mend mirë kur më kundërshtoje sugjerimet për të mbajtur kapele mbi kokë. Duket se ty të tremb vendosja qoftë e një kashtoreje të thjeshtë, mbase mendon se ta fsheh bukurinë e flokëve të dendur me ngjyrë të çelët, të dallgëzuar e të derdhur deri në mes të ballit të lart. A kam të drejtë, Selam? Ky është realiteti, pranoje… Të mos i hahet haku këtij shalli të bukur rreth qafës sate, – mjeku zgjati dorën para, preku lehtësisht me dorën e djathtë një shall të leshtë ngjyrë gri të punuar me mjeshtëri, të shndërruar gati në një objekt artistik. Çuditërisht ai e mbante rreth qafës nga fundi i vjeshtës, gjatë gjithë dimrit dhe pothuajse tërë marsin. – Asnjëherë nuk je ankuar për probleme të fytit, nuk ke pasur kollë falë tij. Të dy e vlerësojmë…

Selam, të jesh i sigurt se kapela nuk mundet të pengojë shkëlqimin e ëmbël të syve tu me nuancën e rrallë midis të gjelbrës dhe bojëqiellit. Për më tepër kapela është një mjet praktik dhe funksional, sepse shmang rrezikun e përvëlimit të diellit gjatë verës. Me këtë rast, do të sugjeroja që kapela ka vendin dhe kohën e saj, sikurse shalli…

Mjeku e ndërpreu një moment fjalën, se iu krijua një përshtypje e pakëndshme, sikur ngjyra e syve që kishe përballë, ndryshoi si me magji. Nuk ishte më ngjyra e zakonshme, por ata u errësuan dhe morën një shkëlqim rrezatues, si të një metali të çeliktë dhe dukej se ishin gati të shpërthenin në lot.

Sytë e Selamit dhe një pëshpëritje rrëqethëse u shoqëruan nga fjalët e tij:

– Oh! Ky shall… As mund ta imagjinoja, më tradhtoi… E bëri…

Mjeku u shqetësua. Në pamundësi të kuptonte ndryshimin e papritur të gjendjes shpirtërore të Selamit, po ndihej keq në vetvete, së pari si mik i tij, së dyti në pozitën e mjekut. A mos vallë ai po humbiste logjikën papritmas? Pse?

– Më kupto Selam, je njeri me vullnet, me durim të admirueshëm, gjithashtu ke tregur se punën e përfundon me cilësi. E flake tej mbipeshën, duke pakësuar kilogramët e tepërt. Treguesit e yndyrnave dhe sheqernave të gjakut u kthyen brenda parametrave të duhur, njëherazi shifrat treguese të tensionit normal të gjakut të matura periodikisht, tregojnë bazën e fortë të bashkëpunimit midis nesh, – dhe mori në duar fletët treguese të rezultateve të analizave, preku aparatin e tensionit, duke e ngritur paksa nga tavolina manometrin. Gëzimin e brendshëm e pasqyronte fytyra, kryesisht shikimi drejt tij.

Pas një çasti  Selami iu përgjigj:

– Të kuptoj qartë, po më dukesh i habitur, ndërsa më ke ngulur sytë, të bën përshtypje pamja ime e këndshme sot, por, a nuk ishe ti që më këshillove me shumë durim për dietën e duhur? Të pohoj se i plotësova me kënaqësi rekomandimet e tua për dietën, e bëra tepër të kufizuar, strikte, – dhe si të donte të bëhej më i besueshëm e përsëriti disa herë fjalën e fundit.

Pastaj tregoi hollësira rreth dietës, të cilën e shoqëronte në të njëjtën kohë me aktivitet fizik të tepruar në kopshtin e shtëpisë apo dhe larg në ara e vreshta.

Mjeku nuk mund të mos i kërkonte shpjegime për fjalët e paqarta dhe tronditëse për  sendin më të zakonshëm dhe  funksional, siç është një shall i leshtë. Selami lehtësisht tundi kokën. Sapo mori fjalën, në zërin e tij nuk mund të mos dallohej një brengë e thellë dhe e pashpjegueshme:

– Brendia e takimit të sotëm përmban ca fije të vogla, ende të  pashkëputura me fëmijërinë e largët, ndikimin e të cilave pas kaq vitesh më duhet ta shtjelloj ngadalë, derisa të përputhen midis njëri-tjetrit, se falë tyre ti do të kuptosh dhe do të më ndihmosh… Por, të lutem të më falësh për kohëzgjatjen. Pikërisht tani detajet rreth saj janë të domosdoshme, si kurrë më parë…

Të kam treguar jetën e familjes në vitet e kooperativës bujqësore. Jona quhej “Kooperativë e Tipit të Lartë”, sepse ishin bashkuar një numër më i madh fshatrash se në të zakonshmet, me të njëjtat kushte pune e mënyre jetese. E veçanta qëndronte në faktin e prezantimit të shpeshtë të tabelave të mëdha prej kartoni të vendosura në vendet më të dukshme të fshatit që përbënin të ashtuquajturin “Këndin e emulacionit”, me rubrika të tilla, si: “Fletërrufe”, “Kush na nderon” (te kjo e fundit emri i tim eti shkruhej në rreshtin e parë në më të shumtën e ditëve të muajit), “Kush na turpëron” etj. Më kujtohet mirë se personat që përfshiheshin në rubrikën e fundit vetëm për disa ditë “i vriste ndërgjegjja”, pasi qëndrimi i tyre ndaj punës mbetej i njëjtë, dembelë përgjithmonë…

Pra, konsiderohej si një vlerësim i veçantë renditja e emrit të tim eti në radhën e të dalluarve. Sa për vërtetësinë e jetës sonë të përditshme në një familje prej dhjetë anëtarësh (gjyshi e gjyshja, prindërit, ne të gjashtë fëmijët), nuk është vështirë të kuptohet… Përsëritja e emrit të babait si kooperativist i ndërgjegjshëm dhe punëtor i palodhur nuk na e shtonte bukën e misrit pjekur nën saçin e hekurt mbi zjarrin e druve në kasolle. Më kujtohen shpesh fjalët e sinqerta të nënës sime të shtrenjtë një pasdite, teksa po bisedonte me një të afërmin e saj. Nëse babait tim do të kishte pasur mundësi t’i siguronte për vaktin e mëngjesit një kokërr vezë, forca e saj kalorike do ta ndihmonte në punën e hapjes së kanaleve kulluese në ara, proces nga më të zakonshmit në ato vite, deri… shtatë metër gjatësi…

I zhytur në kujtimet e largëta, me kokën të ulur paksa, Selami po rendiste pjesëzat e jetës  fëmijërore…

– Dashuria dhe respekti për gjyshin tim të palodhur mbeten ende të freskëta brenda meje. Nuk mund ta harroj atë darkë të hidhur… Ai punonte larg shtëpisë me ndihmësin dhe shoqëruesin e pandarë, gomarin, prej vitesh absolutisht i bindur në shërbim të gjyshit. Kur  kafsha me kokën ulur hyri ngadalë në portën lidhëse të shtëpisë me rrugën e fshatit dhe u afrua drejt nesh, kësaj radhe ishte e vetme, bashkë me të nuk po kthehej si përditë i zoti saj, me të cilin ishin nisur herët në agim; Pas pak gjithçka u qartësua. Gjyshi (u faktua shumë shpejt) kishte ndërruar jetë në punë e sipër në arën e largët pa marrë asnjë ndihmë dhe, më e rëndësishmja, nuk u ndodh pranë të afërmve në çastet e fundit të jetës në një varfëri të skajshme.

Pikërisht gomari, një kafshë e përditshme pune (dobia e së cilës ishte e pamatshme për çdo familje të atyre viteve ku mungonin në ekstrem mënyrat e komunikimit mes njerëzve), na dha mundësi të kuptojmë përfundimin fatal  dhe të parakohshëm të jetës së mjerë të njeriut që nuk e ndërpreu punën as në çastet kur vdekja po i afrohej në mënyrën më  tinëzare.

Nuk është vështirë të meret me mend jetesa në familjen tonë ditëve  të mëvonshme. Koha e duhur për të mësuar e plotësuar detyrat shkollore ishte tepër e kufizuar për mua, por nuk pengoi të më vlerësonin si nxënësin më të mirë në shkollën fillore e shtatëvjeçare, të mbaroja të mesmen profesionale për veterinari…

Mjeku ia  preu fjalën:

– Do të doja të më tregoje diçka rreth jetës në vitet studentore, sepse dihet mirë përshtatja e mënyrës së jetesës nuk ishte e lehtë, krejtësisht e ndryshme për një djalosh të rritur në fshat që për të parën herë shkelte në rrugët e kryeqytetit. Jam kureshtar të di se çfarë të nxiti të përzgjidhje këtë fakultet.

– Po, – e vazhdoi rrëfimin Selami, – përherë kam qenë i prirur ndaj kafshëve shtëpiake. Njëra nga arsyet pse unë zgjodha degën e mjekut veterinar, më kryesorja, familja kishte nevojë për ndihmën time. Të jem plotësisht i sinqertë, fillimisht e pata shumë të vështirë. Fakti që isha i apasionuar ndaj studimit (pothuajse i dija përmendsh leksionet sipas lëndëve të ndryshme, shkurt: hyja në sallën e studimit i pari dhe dilja prej saj pothuajse i fundit në mesnatë), më lehtësoi disi. Njëkohësisht isha i dhënë pas letërsisë artistike dhe e frekuentoja rregullisht bibliotekën apo dhe mund të blija ndonjë libër me kursime deri në stërmundim… Më tërhiqte letërsia në përgjithësi, kryesisht autorët ruse. Shpeshherë kam menduar se pikërisht ajo (letërsia ruse) ishte një nga faktorët që mundësoi kalimin dhe shkëlqimin e veprave shqipe jashtë kufijve tanë (pranoj me kënaqësi që e kam të pashkëputur ndjenjën e patriotizmit).

Shumë përshkrime për jetën e njeriut, pavarësisht kohës dhe vendndodhjes së tij, ruhen ende brenda mendjes e zemrës sime, aq sa ndonjëherë shihja shëmbëlltyrën e tyre në të përditshmen tonë. Midis autorëve të famshëm ruse, veçoja Dostojevskin dhe Pushkinin… Mbështetur edhe në  prirjen  për të jetuar, herë-herë brenda fantazisë sime…

Mjeku e ndërpreu përsëri:

– Ajo çfarë unë nuk kam kuptuar deri tani, është e vetmja pyetje për ty, sepse nuk mbaj mend ndonjë bisedë tonën të ishte e përqendruar, shtjelluar në  përmbajtjen letrare…

Përsëri Selami:

– Po, pikërisht letërsia është njëra nga arsyet  e takimit të sotëm. Më dëgjo, të lutem… Realisht i shpërfilla argëtimet përkatësisht moshës, aq sa shpesh më duhej të përballoja romuzet e shokëve. Ata më thërrisnin me nofkën “Libri”, por unë u rezistoja me këmbëngulje, edhe pse isha i ndërgjegjshëm se kishin plotësisht të drejtë.

Pavarësisht situatës, dëshira ime për të lexuar mbeti e njëjtë gjatë gjithë kohës. Të mos e fsheh: një studente bukuroshe, banuese në konviktin e vajzave, më tërhiqte vëmendjen përherë e më tepër dhe, saje fantazisë sime të tepruar, e kisha pranë në çdo çast, por një lidhje e vërtetë me të nuk dukej as në fund të horizontit. E kuptoja me pikëllim se nuk i ngjallja më të paktin kuriozitet, kështu që e krahasoja pozicionin tim të njëjtë me Tatjanën e Pushkinit në kryeveprën e tij “Eugjen Onjegin”, por me të vetmin ndryshim: isha një djalosh duke i përjetuar ndjenjat e një vajze, pra kishim shkëmbyer vendet. Para meje shihja studenten bukuroshe indiferente, qëndrimi i së cilës ndaj meje mund të krahasohej me atë të Onjeginit ndaj Tatjanës, por vetëm në fillimin e asaj ngjarjeje, sepse ajo kurrë nuk u kujtua të më takonte vite më vonë e jo më mësonte ku ndodhesha dhe si jetoja, sikurse bëri Onjegini për Tatjanën, duke i shprehur ndjenjat e tij, por tepër vonë, pasi ajo e kishte zgjedhur rrugën e jetës së saj.

Ky kujtim mbeti vetëm brenda meje. Ndjenjat për të u zbehën deri kur vite më vonë, papritur rastisi të takohesha me shëmbëlltyrën e saj brenda fantazisë sime, shoqëruesja ime e pandarë.

Nuk mund të mos e mbaj mend natën e veçantë, të papërsëritshme, kur gjumi ishte larguar prej meje. Mbaja në duar një fletë të bardhë dhe doja t’i tregoja vuajtjen time dhe ndjenjat e mia. Nuk më shkëputej mendimi t’i drejtohesha me shprehjen e mirënjohur shpirtërore:

“Po marr guximin që t’ju shkruaj, ç’do deshnit më veç shpirtit tim”…

Por të gjitha dëshirat  dhe ndjenjat e mia mbetën ëndrra me sy hapur. Më kishte zaptuar fantazia. Për më tepër, natyra ime e mbyllur ma vështirësonte gjendjen shpirtërore. Shpesh qëndroja pranë dritares deri në orët e vona. I ngulja shikimin dritës së vakët në njërën nga dhomat e konviktit të vajzave disi larg meje, por “Tatjanën” time e ndiqte hap pas hapi vetëm imagjinata, asnjë fjalë, asnjë veprim. Më pëlqen të përmend një episod mbresëlënës të atyre ditëve të fundit të mbarimit të fakultetit, i lehtë në dukje, por i thellë në përmbajtjen e tij:  Një mbasdarke, dola nga mensa dhe po përshkoja rrugën drejt sallës së studimit. Në stolin e gjerë pranë saj më tërhoqën vëmendjen tre studentë të shoqëruar me dy vajza. Njëra, si të ishte Tatjana e Pushkinit (më pëlqen ta quaj kështu). Në moment më lindi dyshimi për qëndrimin e saj të ftohtë ndaj meje (largohej pa pritur përshëndetjen time). Kuptova me keqardhje që unë nuk përfaqësoja studentin e përzgjedhur për të.

Kur po i afrohesha grupit, dëgjova të pëshpërisnin disa fjalë mes tyre. Sapo u ndodha fare pranë, heshtën shpejt duke mos më hedhur asnjë shikim, si të isha person i panjohur. Çuditërisht, ishte hera e parë që nuk më shoqëronin me nofkën ironike të mirënjohur, a thua ishin penduar…

Në moment u kthjellova. Ishte radha ime t’u përgjigjesha të paktën një herë të vetme shpotive të panumërta dhe, pikërisht në çastin kur isha larguar katër-pesë hapa më tej, u ktheva me vërtik, u përkula lehtësisht me gjysmën e trupit si të imitoja përshëndetjen tipike japoneze, ngrita shpejt kokën drejt tyre dhe përqendrova shikimin. Pastaj, me zërin tim paksa më të lartë se i zakonshmi dhe, të transformuar tërësisht në një ironi të qëllimtë, fjalën e ndava në dy rrokje, veçanërisht të parën, i mëshova duke e zgjatur zanoren “i”.  Iu drejtova njëri pas tjetrit, teksa  e mbaja buzëqeshjen: “Libri!”.

Çaste të papërshkrueshme! U ngritën të gjithë në këmbë duke brohoritur, më përqafuan e në të njëjtën kohë m’u drejtuan me fjalët:

“Ja, tani e more hakun tënd. Je djalë i zgjuar! E pranojmë që e kishim tepruar me ty, të kërkojmë falje… Je një student shembullor…

Dukej se në ato çaste Selami gati po përjetonte emocionet e dikurshme, kësaj radhe të gërshetuara me ndjenjën e mallit të natyrshëm për vitet rinore të disa dekadave të mëparshme.

Pastaj vazhdoi të rrëfente:

– Shpesh e kam menduar që çdo student, pavarësisht profilit të zgjedhur, detyrën parësore ka përkushtimin ndaj studimit brenda orarit të shkollës apo dhe në orët e programuara mbas tij. Tjetra me po të njëjtën rëndësi, ta jetojë dhe t’i gëzohet moshës rinore me gjithë të drejtat e ligjshme të saj, si: argëtimin në mjedise shoqërore (më të thjeshtat e të cilave konsiderohen mbrëmjet e vallëzimit), shëtitjet e organizuara me grupe shokësh brenda qytetit (nëse i krijohet mundësia të shkelë edhe vise të panjohura), frekuentimi i pjesëve teatrale të vlerësuara, përzgjedhjen e filmave në kinema (pa i tejkaluar kufijtë në kuptimin e përgjithshëm të këtij termi)… Fatkeqësisht, unë këto detyrime i plotësova pjesërisht dhe u ndërgjegjësova me vonesë.

Është  e vërtetë që asnjë hap të vetëm nuk hodha në përmbushjen e detyrave të dyta krahas me bashkëmoshatarët. Kjo ishte natyra ime dhe pothuajse do të duket e pabesueshme që Selami përballë teje aktualisht po ecën në gjurmët e një rruge të largët e të parikthyeshme në kohë…

Heshti disa çaste, vetëm se shikimi i syve krejtësisht u ndryshua papritur, duke shprehur trishtim të thellë dhe të paqartë. Mjeku po e ndiqte me vëmendje, pa humbur asnjë fjalë të tij dhe pothuajse aprovonte gjithçka që Selami rrëfente për vitet studentore.

Ishin të përqendruar në një bisedë jo të zakonshme midis tyre, sa  gotat me lëngje freskuese i kishin harruar fare. Përsëri nisën të flisnin, këtë herë ishte mjeku:                       – Selam, je shumë vonë për të kuptuar e korrigjuar gabimet e dikurshme. Ke qenë një student i respektuar gjithë viteve të shkollës, me kokën të përkulur vetëm mbi libra, pa e hedhur shikimin as para vetes, as rreth e rrotull, gjë e pabesueshme në ditët e sotme. Pse duhet ta kritikosh veten mbas kalimit të viteve? Dikur krenoheshe… Thjesht një nostalgji? As edhe një moment i së shkuarës nuk mund të kthehet pas, për më tepër të vuajmë gabimet e paqëllimshme… E pranojmë se jemi të pafuqishëm, – mjeku pati befas një shikim të ngulët e gati dyshues, por vendosi të vazhdonte. – Ne jemi takuar shpesh, kemi biseduar gjatë për tema të ndryshme, por asnjëherë nuk ke shprehur keqardhje për kohën e harxhuar mbi libra. Gjithashtu ti gjykoje se, të njihje aspekte të jetës së prezantuar e përshkruar në to, nuk ishte gjë e pakët. Të mos harrojmë një tjetër fakt të rëndësishëm: ty të përzgjodhën midis studentëve të shumtë për të vazhduar punën e pedagogut në njërën nga katedrat e fakultetit dhe ti e kundërshtove me dëshirën e patjetërsueshme për të ushtruar profesionin… Nuk po e kuptoj se çfarë ka ndodhur me ty… Jam i shqetësuar!

– Ke të drejtë, i dashur koleg! Më lejo të drejtohem me këtë emër, ndonëse ai nuk  përputhet plotësisht me realitetin. Sapo u ktheva, jeta ime nisi të ecte me ritme të shpejta. Bëja punën e mjekut të kafshëve në disa fshatra, ndonjëherë edhe gjatë natës. Na duhej të  ndërtonim një shtëpi për një jetesë normale. E vjetra  po shembej çdo ditë. Ndërrimi i sistemit na mundësoi rikthimin në ara, vreshta, ullinj të shumtë. Gëzoheshim, por ama ballin e kishim përher të mbuluar me djersë…

Koha kalonte pa u ndier. Përherë i angazhuar me punë të ndryshme dhe një ditë, fare thjesht, aprovova fejesën me mblesëri. Disa muaj më vonë u martova me vajzën e re Dize, bijë e dy prindërve të ndershëm, banorë përtej lumit. Lajmësi ishte një mik i vjetër i familjes sonë. Dizja ishte me arsim të mesëm, por kishte një nivel zgjuarsie mbi të zakonshmen, veçantinë e rrallë që mund t’i kuptonte tjetrit mendimet ende të pashprehura, fliste në kohën e duhur. Ishte mikpritëse. Zemërgjerësia, sjellja e hijshme e spikatur vlerësohej nga rrethi ynë familjar apo të tjerë që për të parën herë e takonin. Pamjen e saj të jashtme nuk më është e lejueshme ta përshkruaj, si cilitdo bashkëshort, por ajo plotësonte gjithë parametrat normalë.

– Si i ndërtuat marrëdhëniet bashkëshortore në jetën e përditshme? – e  pyeti mjeku.

Përgjigjja çuditërisht iu kthye me zë të ulët:

– Sinqerisht atë e përcaktoj të qetë dhe të zakonshme, nivelet më të larta të së cilës arritën në ditët kur u bëmë prindër të fëmijës së pare. Tre vjet më pas vogëlushit i dhuruam një vëlla. Të dy vëllezërit, si të prezantonin forcën genetike të familjes, shumë shpejt u njohën me punët bujqësore, me kënaqësitë shoqëruese të saj. Gjithashtu treguan prirje ndaj mësimeve, gjë që hapi para tyre një rrugë të sigurt…

Vitet kalonin njëri pas tjetrit (zëri i Selmait tani dukej lehtësisht i trishtuar). Isha pikërisht unë ai që, pa e kuptuar as vetë si, e prisha harmoninë e familjes. Fillimisht bëra një kthesë të vogël e të mezidukshme, por shpejt përmasat e saj në rritje nuk mund t’i fshihja. Edhe pse kam bërë përpjekje të shumta me ndërgjegje të plotë, asnjë rezultat…                     Pse po e ndryshoja sjelljen time të përditshme? Të ishte vallë një ndjenjë hakmarrjeje e vonuar ndaj varfërisë të tejskajshme në vitet e femijërisë dhe ndaj të tjerë faktorëve të panjohur plotësisht?

Të më falësh, o mik, po zgjatem. Pikërisht situata e re dhe tepër e vështirë ne të cilën u gjenda, na mundësoi njohjen, respektin e ndërsjelltë, miqësinë e mëvonshme, si të vetmet mirësi prej saj.

Nisa të ndryshoj sjelljen. Fillimisht pakësova aktivitetin fizik (jo leximin e librave; si një blerës i rregullt i tyre, raftet e mbushura nuk më mjaftonin), aq sa çdo lëvizje brenda fshatit tim e jashtë tij e realizoja hipur në motoçikletë. E drejtoja me më të lartën shpejtësi, jo përherë të nevojshme, sigurisht. Lëvizjen e saj do ta shoqëronte përhapja sa më larg e zhurmës përkatëse, si të doja t’u tërhiqja vëmendjen banorëve në fshat, si t’u tregoja se nuk isha njëri prej bashkëfshatarëve të zakonshëm, por isha ngritur disa shkallë (dhe më duheshin fakte ta demonstroja)…

Një tjetër ndryshim i qëndrimit tim në jetën e përditshme ishte mënyra e të ushqyerit. Natyrisht ndodhesha përherë në krye të tavolinës dhe konsumoja gatime cilësore në sasi të tepërt, si drekën, ashtu edhe darkën. Një zog apo një rosë të vogël, mishi i viçit i gatuar me shumë yndyrë, gjendeshin përherë në pjatat e mia, sasi e tepërt për cilindo person. Në mëngjes konsumoja dy apo tri vezë të freskëta, fillova të pija duhanin jo më pak se dy paketa në ditë (nga më të kushtueshmet në treg). Më dukej se nuk po gaboja, i plotësoja jetës sime të deriatëhershme gjithçka të mohuar padrejtësisht më parë (sipas mendimit tim). Gjithashtu, po e konsideroja të vonuar “kthesën moderne të viteve të fundit” në vendin tonë…

Besoj të mos ma kesh harruar pamjen në momentin e njohjes para tre vjetësh. As syve të mi nuk mund t’i shpëtonte përshtypja jote e veçantë kur u ndodha përballë teje. Isha kthyer në një njeri që nuk shihesha me sy për shkak të mbipeshës; peshoja plot 130 kg. Më dukshëm shëndetin e tepërt e tregonte barku i madh i zvarritur shumë më poshtë rripit të gjerë të pantallonave të prera e të qepura nga një rrobaqepës mjeshtër se të mëparshmet as mund t’i provoja.

Më kujtohen të gjitha: shikimet kureshtare të njerëzve, ndonjë i panjohur mund të ngadalësonte hapat në rrugë, të gjithë më shihnin si të kasha ardhur nga një planet tjetër. Shumë shpejt e qartësova momentin e zëvendësimit të shikimeve habitëse me të tjera mospërfillëse, gati neveritëse. Tani pyes veten:

“Si u bë e mundur që unë Selami të arrija në atë gjendje plotësisht jashtë kontrollit, të kthehesha në një person me paraqitje pothuajse qesharake?!”.

Prisja të më shfaqeshin shqetësime, pra, të ndieja dhembje në zemër, pikërisht ato që më treguan rrugën e duhur për ndihmë mjekësore. Unë nuk dija asgjë për shifrat e larta të tensionit të gjakut, yndyrnave të tepërta dhe të sasisë së skajshme të sheqerit brenda gjakut tim; nuk e hiqja kurrë cigaren nga buzët, edhe pse të gjithë e dinë mirë se secili prej këtyre treguesve është një dëmtues serioz i shëndetit të njeriut kur gjenden së bashku në organizmin e një mashkulli që është afër tek të 60-tat. Atëherë?

Po, gjithçka u stabilizua saje mjekimit tënd cilësor. Të jam  sinqerisht shumë mirënjohës. Nga ana tjetër, të mirëkuptova, bëra përpjekje të forta për të zbatuar me saktësi çdo këshillë tënden. Ti ndihmove realisht t’u  kthehesha parametrave të norms. Sot, për të dytën herë, të kërkoj të më qëndrosh pranë e të më ndihmosh. Ja kjo është arsyeja e ardhjes sime…

Selami heshti më gjatë se zakonisht, duke marrë frymë thellë. Kishte një fytyrë të tjetërsuar, ku spikaste qartë një shikim i veçantë, si tregues për një dhembje të pazakontë shpirtërore. Heshti përsëri një hop, si të ishte në çastet e fundit të jetës, e pastaj, gati përgjërues, iu drejtua mjekut:

– Kam një peshë të madhe këtu, – vendosi pëllëmbën në pjesën e majtë të gjoksit, – të panjohur, të paprovuar gjatë gjithë jetës sime. Duhet ta pranoj me sinqeritet se atë barrë të paimagjinueshme nuk mundem ta spostoj aspak e jo më ta largoj përfundimisht, edhe sikur të kisha pranë kampionin botëror të peshëngritjes për të më ndihmuar. Realisht ndiej një dhembje shumë të fortë, hidhërim të thellë në këtë vend (përsëri vendosi dorën në pjesën e gjoksit pranë zemrës). Po të kërkoj ndihmë, sepse të besoj plotësisht sikundër ke dhënë prova. Ti për mua je njeriu i parë dhe i vetmi mik që vlerësoj, prandaj dua të njohësh gjendjen time tragjike, përcaktim më të saktë nuk gjej dot. Ti mund të më lehtësosh dhe askush veç teje nuk duhet të dijë se në çfarë thellësie jam kredhur…

Mjeku po e dëgjonte tepër i përqendrur, pa e fshehur habinë e skajshme. Qartësisht shihej pamundësia e futjes në brendësi të temës së bisedës së Selamit. Për më tepër, asnjë të vetme ankesë specifike apo të përgjithshme si treguese për sëmundje të zemrës nuk po dëgjonte nga personi ulur përballë. Në të njëjtën kohë, ekzaminimi kompletues dhe i hollësishëm rezultonte pa më të voglin dyshim. Si mund të zgjidhej ky problem, pothuajse një enigma, çfarë ndihme mjekësore të ofronte? Nuk po bindej që shqetësimet e tij të kishin lidhje me sëmundjen e zemrës.      – Selam! Mendoj se është mirë për të dy. Së pari, në pozitën e mjekut, njëkohësisht të mikut, të kërkoj të flasësh më hapur. Herë më tregon se ndihesh mirë, gjë që u vërtetua me të gjithë parametrat mjekësor, në një çast tjetër i largohesh subjektit, e ke anashkaluar atë disa herë…

Selami ia ndërpreu mjekut fjalën në moment:

– Të kuptoj, të jap të drejtë për paqartësinë e bisedës sonë. Nisur nga ato që po tregoj, fatkeqësisht po prezantohem si një person me probleme psikologjike. Sigurisht një përshtypje të tillë do krijonte çdokush. Po ta përsëris me këmbëngulje dhe me siguri të plotë se e kam të kthjellët logjikën. E njeh shprehjen “Një gur brenda zemrës sime”? Aktualisht e prezanton situatën time të tanishme dhe përputhet saktësisht me të, por mua më duhet të shtoj një hollësi. Spostimi i këtij “guri” është i vështirë. Sa për largimin përfundimtar, as që e mendoj, është i pamundur.

E kam menduar gjatë. Ti je i vetmi mik që zotëron të drejtën të miratuar prej meje, të shohësh sadopak brenda tij, atje gjendet e vërteta, shkaktarja përgjegjëse e vuajtjeve të mia dhe, kur ta njohësh nga afër atë, jam i sigurt se do të më japësh ndihmë. Po të pres…

Mjeku tundi lehtësisht kokën, si të donte t’i aprovonte se ishte i gatshëm ta ndihmonte, po për cilën sëmundje kur të gjitha argumentet e përjashtonin mundësinë e pranisë së saj? Atëherë, mos duhej kërkuar zgjidhja në fusha të tjera? Ndihej i gatshëm ta ndihmonte, por në  ç’mënyrë, me ç’mjete?  I zhytur në mendime, herë pas here shihte pa shprehur asnjë fjalë drejt Selamit, i cili duket se ia kuptoi mendimet .

– Me sa po kuptoj, – foli Selami, – ty të shkrepi mendimi se unë e kam të nevojshme një konsultë me psikologun. Kështu? Jam i sigurt që nuk më duhet takimi me mjekun psikiatër, jam i kthjellët plotësisht, e njoh mirë veten time dhe i ndërgjegjshëm për shkakun e  situatës së sotme, të cilën dua ta bisedoj vetëm me ty. Ke dhënë prova me rezultatet pozitive në shpëtimin e jetës sime, vetëm se atëherë vuajtet e mia lidheshin me anën fizike të njeriut, ndërsa tani ato janë vetëm shpirtërore, këtu qëndron ndryshimi.

– Atëherë e ke detyrë të më qartësosh, të më tregosh përmbajtjen e këtij problemi të ndërlikuar, sepse gjithë biseda jote sa vjen e bëhet më e pakuptueshme, – i tha mjeku. – Po e bluaj në mendjen time, por pa asnjë rezultat. Më shpjego ti ç’lloj ndihme pret prej meje dhe jam gati në moment.

– Po, ke të drejtë. Për fillimin e zgjidhjes, kryefjala jam vetëm unë dhe e ndiej tepër të vështirë të ta hap zemrën, nuk shoh rrugë tjetër, prandaj më parë iu drejtova viteve të shkuara si hap të pare. Nuk e gjykoj një justifikim, por vazhdimësinë e saj e pres prej teje. Së pari je njeri i vërtetë dhe mjek kardiolog. Ti më shumë se kushdo tjetër ke të drejtë të shohësh në thellësi të zemrës sime në çastet kur ajo të lutet për ndihmë…

Selami, pas një heshtjeje paksa të zgjatur e me kokën të ulur lehtas dhe parakrahët të shtrirë mbi tavolinë, po fliste me një zë gati të mbytur, a thua se duar të padukshme i shtrëngonin fytin:

– Veten e fajësoj qysh kur fillova të ndryshoja dietën, hap i gabuar si  hallka e parë e zinxhirit të hekurt që më lidhi këmbë e duar. Mos të duket thënia ime një shprehje e figurshme? Jo, brenda saj gjendet  përmbajtja tejet e hidhur. Ja ta përshkruaj:

Po, zanafilla e rrugës së gabuar, pamundësia e kthimit mbrapa, u mbështetën në të vetmen bazë: pangopësinë time të përditshme, e cila nisi ta vështirësonte jetën normale brenda familjes. Dizja, falë zgjuarsisë së natyrshme, u përmbahej konfliktimeve tona. Nuk mund të mos më hidhte vështrime pyetëse, kritike e jo rrallë ironike, ndërsa pjatën e madhe të porsatejmbushur nuk e vendoste para meje si më pare. Atë qëllimisht e mbante disa çaste mbi tavolinë, pastaj, duke i dhënë një shtytje të lehtë, pjata rrëshqiste drejt meje. Qartësisht, qëndrimi im nuk ishte i duhuri, i mëparshmi. Situata midis nesh brenda asaj pak kohe të lirë të mundshme dukej e nderë, bisedat ishin të rralla, me heshtje e pakëndshme. Fatmirësisht, djemtë nuk u prononcuan asnjëherë.

Në vazhdim të bisedës, mjeku, duke parë ngultas Selamin, pyeti:

– Jam kurioz të mësoj se sa kohë t’u desh për të zbatuar udhëzimet e rekomanduara nga konsulta e parë mjekësore. Mos po i largohesh përmbajtjes së bisedës? Duket se po e anashkalon.

– Nuk më duhet të mendohem, po atë mbasdite, sapo dola nga shtëpia, eca në këmbë përgjatë rrugës kryesore të fshatit, derisa u errësira mbuloi gjithçka. Të njëjtën gjë edhe ditët e mëvonshme. Ishte fillimi i zbatimit me korrektësi i këshillave. Çuditërisht para meje po shihja pjesëza të jetës të panjohura më pare, të lëna pas dore dhe erdhi çasti vendimtar të më jepnin përgjigjen e merituar. Pikërisht baza e tjetërsimit të jetës sime… ta tregoj me detaje tani…

Zakonisht lëvizja me kokën paksa të ulur. Në këtë mënyrë mund të evitoja shikimet e ngulitura drejt meje të njerëzve kureshtarë apo ndonjë kollitje të lehtë. Më e çuditshme më dukej zhurma e përplasjes së kanatës së portës së drunjtë të një shtëpie dykatëshe, në kryqëzimin e rrugëzës sonë me kryesoren e fshatit. Nuk kaloi shumë kohë dhe pa kuptuar si m’u krijua një ndjenjë dyshimi: të ishte rastësi përputhja në kohë midis momentit të ecjes sime në rrugë dhe, kur afrohesha te porta, hapej kanata, zhurma e shkaktuar prej së cilës ishte në përputhje perfekte me momentin e mbërritjes sime? Dikush aty pranë dëshironte të më tërhiqte vëmendjen… Përse, vallë? Nuk po mundesha ta kuptoja…

Më parë, kur nuk e vlerësoja se në ç’shkallë obeziteti e kisha çuar organizmin tim me mungesën pothuajse të plotë të aktivitetit fizik. Përherë mbi motoçikletën e markës së fundit shihja vetëm rrugën  para meje, sigurisht në zbatim të rregullores. Mund të ishte kjo e  vetmja arsye? Analizoj qëndrimin tim… Një kapadai i krekosur, por e pranoj çiltërsisht se përveç respektimit të rregullores… Edhe një vogëlsi tjetër: kohëve të fundit, poshtë murit rrethues të asaj shtëpie, ishin mbjellë lule të shumta e të bukura. I shihja nga larg me kureshtje, si të ishte një risi për banorët tanë. Lulet përherë i kishin të sistemuara brenda kopshtit apo rreth e qark ballkonit të gjerë. Pra, sikur tërhiqesha pa dashje. A do të mjaftonte një shikim i vetëm imi drejt personit te porta të thyente kureshtjen në rritje? Megjithatë e vazhdoja rrugën me kokë të  kthyer anash.

Një pasdite, nuk mund të mos shihja duart e bardha të një femre që gjithë lulet e këputura me shpejtësi i bashkoi në një tufë të madhe, bukuria e së cilës shoqërohej me ndjesinë e aromës tepër të këndshme përhapur rreth e qark. Njëherazi me detyruan të mos i shpejtoja hapat. Në çastin pasues e shkëputa shikimin prej luleve dhe ndalova, pa dashur dhe pa e kuptuar se çfarë po ndikonte tek unë të mos e vazhdoja rrugën më tej.

Gruaja e panjohur, e moshës  mesatare, po qëndronte përmes portës së hapur. Kësaj radhe nuk po e dëgjoja zhurmën karakteristike të përsëritur të kanatit të gjerë në momentin e hapjes së portës… Dukej se qëllimi ishte arritur, mund të ish kuptuar që forca tërheqëse e mëparshme e saj kishte qenë e pamjaftueshme të realizonte ngadalësimin e hapave të mi, ndërsa bukuria e trëndafilave të kuq, rozë e të bardhë të porsaçelur ia doli të ushtronte një tjetër forcë të panjohur. Ia dolën me sukses qëllimit të paramenduar. Pa e kuptuar se çfarë po më ndikonte, në mënyrë të pavetëdijshme u ndala një çast… Të ishte gruaja simpatike dy metra larg meje dhe me tufën e luleve në duar që më jepte një komandë të pazëshme?

Nuk po kuptoja asgjë. Për më tepër, unë e kam zakon t’i përgjigjem përshëndetjes së dikujt. I sigurt jam në faktin se në ato momente po shihja për herë të parë pas disa vitesh në fshatin tonë një femër të panjohur për mua. Dyshova se nuk ishte e njëjta gjë për personin përballë meje. Thënë shkoqur, një burrë në moshën e pozicionin tim, me një familje të formuar prej vitesh dhe me një funksionim normal të saj, shihja e njihja rrugën e përditshme shtëpi-stallë bagëtish ,disa orë pune në ara e vreshta apo, në çaste të veçanta kërkesën e papritur të bashkëfshatarit për ndonjë kafshë shtëpiake.                                                    Ajo mënyrë jetese në përgjithësi më kishte kthyer në një person me qëndrim e sjellje korrekte, pa kuriozitetin e zakonshëm për të hyrë brenda jetës së një tjetri. Më përcaktonin si një njeri që sheh punën e vet, mbase dikujt mund t’i dukesha dhe indiferent.

Gruaja ishte rreth 45 vjeçe dhe dukej tërheqëse. Nuk e njihja dhe asgjë nuk dija rreth saj. Tiparet e spikatura në atë lëkurë të lëmuar e tepër të bardhë të fytyrës ku ishte e pamundur të zgjidhje e të vendosje se cilat ishin më të bukura: flokët e zinj të dendur të thurur gërsheta në të dyja anët e një qafe të hollë e të gjatë të shoqëruar me një tjetër gërshet rreth kokës në formë kurore, një gjë e veçantë, krehje e pazakonshme për femrat te ne. Sytë po atë ngjyrë me një shkëlqim rrëzëllitës, shoqëruar me një përqendrim thuajse ngulitës, si të kishin pikësynim të depërtonin mes për mes e në çast të ndanin më dysh; çuditërisht, aq sa të pëlqenin t’i shihje, po aq të krijonin një ndjenjë frike: a do të mund t’i anashkaloje, të largoheshe prej tyre? Hunda e vogël, e drejtë, me një ngritje në pjesën fundore të saj, i garantonte emërtesën më se të goditur, “hundëpërpjeta”. Buzët e trasha me ngjyrën plotësisht natyrale të nuancës rozë dhe… në vijimësi shikimi im mbeti te pjesa e poshtme e kofshëve, atje ku përfundonte fustani i tejdukshëm, me një dizenjo ngjyrash të spikatura, gjë e zakontë për një adoleshente, por jo për moshën e saj. Gjunjët dhe këmbët e zbathura me të njëjtën ngjyrë lëkure dukeshin aq të lëmuara, si të ishin produkt i një fërkimi të porsapërfunduar nga një makineri imagjinare, gjithë puna perfekte e së cilës të ishte realizuar në përputhje të plotë nga fytyra deri te pulpat vezake, lehtësisht muskuloze…

I habitur pa masë, nuk po ia ndaja sytë, qëndroja gati i shtangur, si të ishte hera e parë që shihja një femër simpatike… Fakti që bëri buzën në gaz dhe ngriti lehtësisht tufën e luleve drejt meje si një shenjë përshëndetëse, ma shtoi hutimin. Mos vallë kishte qëndruar në po atë vend edhe herë tjetër në pritje të kohës kur unë do të kaloja fare pranë saj dhe këputja e luleve e mbledhja e tyre në një tufë të ishin veprime të paramenduara? Nuk e di…

Në moment pa e kuptuar as vetë, ndoshta pikërisht unë po prezantoja qartazi një mbresëlënie të thellë, e  cila, si të kishte vetitë fizike të një vale ultratingullore, kalonte nga një subjekt në tjetrin duke reflektuar saktësisht tiparet përbërëse të secilit objekt, konkretisht midis ne të dyve. Po qëndronim përballë njëri-tjetrit, derisa të pakësohej forca misterioze e transmetimit të ndërsjelltë të ndjenjave tona të porsalindura me natyrë ende të panjohur… A do të ishin rezistente? Gjatë atyre çasteve brenda meje përsëritej pyetja:

“Pse u mbërtheva në vend si i ngrirë? Pse nuk ecja dot përpara dhe të vazhdoja rrugën për në shtëpinë time?”.

Si rrallëherë fantazia ime e kapërceu mendimin. Po kthehesha në vitet e jetës studentore kur matesha t’i drejtoja letër “Tatjanës”, një nga subjektet më të përzgjedhura të Pushkinit, aq sa po shihja ngjashmëri të pashpjegueshme midis tyre, me të vetmin ndryshim: e dikurshmja nuk më kishte parë ndonjëherë me atë mënyrë, sa të qëndroja gati i gozhduar…

Doja të përcaktoja situatën reale, sepse po jetoja episode të dikurshme; thjesht po i ngatërroja pamjet e dy femrave, e pandodhur kurrë më pare, dhe në moment i drejtova më të çuditshmen pyetje:

“Mos ke qenë studente në vitet..?”.

Nuk më la të vazhdoja. Dëgjova një zë gazmor, shoqëruar me buzëqeshje të çiltër, pothuajse fëmijërore:

“Unë studente?! Vitin e parë të shkollës së mesme kam përfunduar”.

Nuk mundem ta përcaktoj sa kohë m’u desh të kuptoja gjendjen time të vërtetë dhe të shkëputesha nga e kaluara. Me ngadalësi hodha disa hapa më tej e në mënyrë të pavetëdijshme ktheva kokën mbrapa, si të doja të bindesha se ajo skenë kishte qenë kalimtare, thjesht si një nga fantazitë e mia…

tyrshme, saje së cilës në mesin e faqes së djathtë iu formua një gropëz e vogël…

Selami i hidhi një shikim hetues mjekut, si për të lexuar përshtypjet që i kishte lënë rrëfimi i tij dhe pasta vazhdoi përsëri:

– Dëgjo, mik i dashur, gjithçka është e vërtetë. Ai prezantim i veçantë nuk ishte bërë para meje kurrë ndonjëherë! Mbase një vend i lirë për të brenda zemrës e mendjes sime po priste për t’u mbushur e për t’u shijuar, por i shoqëruar në të njëjtën kohë me një peshë në rritje të shpejtë dhe në  pamundësi të parashikohej ecuria e mëtejshme…

Atë ditë nuk shkova në fshatin më të largët të zonës, më prisnin për një problem pune të planifikuar. Sigurisht e kisha të vështirë të gjeja një justifikim, sepse rrallë i isha shmangur punës, pavarësisht vendit e kohës. Atë ditë, më e veçanta e jetës sime të deriatëhershme, përparësinë e mori  kurioziteti. Ai po më tërhiqte të mësoja sa më parë e sa më shpejt diçka rreth gruas misterioze… E kisha të pamundur të qartësohesha…

U ndala ne barin më të afërt e, ndërsa mbaja në dorë një pije freskuese, iu afrova një bashkëfshatari ulur pranë dritares. Nisëm një bisedë të zakonshme. Gjoja rastësisht fjalën e solla rreth ditëve të sotme, te njerëzit që mbjellin lule përgjatë kanalizimeve pranë murit rrethues të shtëpisë. Është diçka që tërheq vëmendje, sepse në zonën tonë lulet i mbjellin në parcela të vogla brenda oborrit ose në dy rreshta paralele, duke filluar pranë portës deri pranë verandës.            Kjo ishte një traditë e hershme, sepse aroma e tyre përhapej drejtpërsëdrejti para shtëpisë, ku dhe kur banorët e saj të stërlodhur mund të shijonin brenda kohës më të shkurtër të mundshme një çlodhje plotësisht të merituar. Ishte momenti i duhur për mua të merrja sadopak informacion për trëndafilat e mbjellë përreth kopshtit në pjesën e jashtme të tij (brenda territorit të tij nuk kisha pasur mundësi të vështroja), tërthorazi për femrën e cila po qëndronte ende para syve të mendjes sime. Shoku, duke folur natyrshëm e me një  buzëqeshje, më dha këtë përgjigje:

“Sigurisht, përkushtimi yt në punën e përditshme me kohë të tejzgjatur nuk të krijon mundësi të njohësh më banorët më të rinj të fshatit, siç është familja e sistemuar në atë shtëpinë dykatëshe në kryqëzimin e rrugëve atje tej, – tregoi me dorën e ngritur para dritares së hapur. – Për më tepër, ata nuk mbajnë asnjë kafshë shtëpiake, e cila, nëse sëmurej një ditë, do të kërkonte ndihmën e veterinerit, njëherazi do të mundësonte njohjen me të zotët e shtëpisë.

Kryesorja është zonja e re, që ua kalon për nga bukuria gjithë grave të tjera… Çifti i ardhur nga një zonë e largët, prej gati dy vjetësh banon në shtëpinë e boshatisur, pasi ndërtuesi i saj është larguar përgjithmonë në Amerikë. Burrë e grua janë të apasionuar mbas luleve. Nga ana tjetër u shërben si një nga format e mundshme të sigurimit të jetesës, sepse bashkëshorti i gruas bukuroshe (të mund t’i kishte tërhequr edhe meshkujve të tjerë vëmendjen?), herët në mëngjes, pasi mbush një karro dore plot e përplot me tufa lulesh të freskëta, vazo të vogla të shumëllojshme të porsambjella, niset për në qytet, i tregton në rrugë apo furnizon dyqane lulesh, kthehet në shtëpi me karrocën të boshatisur, sigurisht falë vlerësimit të cilësisë së tyre. Po, – shkoi më tej bashkëbiseduesi im, – për të siguruar atë sasi të madhe lulesh aq të bukura, kujdeset gjithmonë e shoqja, që thuajse nuk del asfare nga porta e shtëpisë, ama së largu duket një femër e veçantë”…

E ndërpreva në çast:

“Nuk kam interes të di për jetën e njerëzve të panjohur, sidomos për gratë e tyre!”.

Po i trembesha një mundësie të fantazuar. Po sikur ajo të kish treguar të njëjtin qëndrim ndaj një mashkulli tjetër në fshat? Po mirë, ku e gjeta të drejtën unë që ta konsideroja sjelljen e saj një privatësi timen?! E gjykova të mos pyesja më tej, ndonëse mendimet po zienin e zhurmonin brenda meje si bletët në koshere në kulmin e aktivitetit të tyre. U ktheva në shtëpi duke ecur në rrugëzën pas saj, si të doja të shmangja përsëritjen e çasteve ende të freskëta…

Gjatë darkës, në përputhje me këshillat e dhëna prej teje, e kisha pakësuar dukshëm të ngrënët, si rezultat i së cilës Dizja nuk tregonte  më mospërfilljen e mëparshme. Gjoja rastësisht e pyeta gruan për banorët e kopshtit me lule të shumëllojshme, ato tek porta e drunjtë.

“Epo, ti kishe harruar të lëvize në këmbë si të gjithë njerëzit e fshatit tone. Sapo dilje nga shtëpija, i hipje motorit që e ke ndërruar tre herë, as që doje t’ia dije se çfarë ndodhte rreth e rrotull teje, por çdo njeri vazhdon rrugën e tij në jetë”, – e  përfundoi fjalën pa m’i shkëputur sytë gruaja.

Plotësisht dakord me gjykimin e saj, po unë ku ndodhesha në ato çaste? A do të mund ta shihja përsëri atë femër tepër tërheqëse, atë, “hundëpërpjetën” të nesërmen, mbas një nate të tejzgjatur që do kalonte pa gjumë?  A do të qëndronte në të njëjtin vend me kokën të kthyer në drejtimin e rrugës që unë do të përshkoja, në përmbushje të rekomandimit për aktivitetin tim fizik të munguar?

Pa e kuptuar si, brenda meje lindi një dyshim i lehtë: “Si mund të rastiste në të njëjtën kohë lëvizja ime përgjatë rrugës me përplasjen e fortë të portës së kopshtit me lule?”.

Të jem i sinqertë, këtë pyetje mendova t’ia bëja edhe Metit (bashkëfshatarit), kur ishim ulur së bashku te bari, por nuk munda, se i trembesha përgjigjes…

Mjeku nuk e ndërpriste Selamin asnjë çast, tepër i përqendruar në tregimin e tij e me kuriozitetin në rritje dhe të pandarë nga ndjenja e  respektit, bazën e të cilit e përbënte natyrshmëria e tregimit dhe vërtetësia  e padiskutueshme. I kishin përqendruar shikimin njëri-tjetrit:

– Në zbatim korrekt të këshillës sate (mjekut nuk mund të mos i tërhiqte vëmendjen përsëritja e së njëjtës shprehje, por me etikë  u përmbajt), – vazhdoi Selami, tanimë paksa me shtruar, – po shtoja aktivitetin fizik. Thjesht nuk përdorja motoçikletën në mëngjes kur nisesha për punë, kur kthehesha mbas saj apo në rast se më kërkonin ndihmë për një kafshë të sëmurë në fshatrat fqinje. Ndihesha shumë më mirë se më parë, e pranoj pa mëdyshje para teje, se pika kulminante e asaj mirësie i përket njohjes me “hundëpërpjetën”. Drita ishte emri saj.

Një tjetër argument për justifikimin e ndjekjes sime asaj rruge të  mbushur me rreziqe a mund të ishte shpejtësia e pazakontë, ndonjëherë ekstreme e drejtimit të motorit? Pra, t’u kisha tërhequr vëmendjen bashkëfshatarëve apo  pjesa e fytyrës sime në profil që shihej poshtë kasketës të më kishte prezantuar si një mashkull tërheqës? Nuk e ndaj dot. Pyetje të shumta.

Nga ana tjetër, kuptova se për rrezikun që i kishte shkaktuar organizmit tim mbipesha nga kaloritë e tepërta, motoçikleta mbante njëfarë përgjegjësie, por atyre ditëve ajo (motoçikleta) e “shleu borxhin”, sepse shpejtësia dhe zhurma e saj ishin arsyet e tërheqjes së vëmendjes së gruas bukuroshe, që shihte drejt portës sime, në pritje të çastit kur unë do të dilja mbi motor.

Si të tjera pyetje, edhe këto mbetën pa përgjigje. Di të them se gjumin e bëja me copa netëve të mëvonshme, rrallë rrija zgjuar dhe prisja agimin. Të nesërmen hapat e mi në atë pjesë të rrugës ishin të ngadaltë, edhe pse nuk morën asnjë komandë së brendshmi. Çuditërisht shihja përsëritjen e qëndrimit të saj të mëparshëm, me të vetmin ndryshim: unë qëndroja për disa çaste pas çdo hapi. Nuk mundesha t’i largohesha pamjes mbresëlënëse të gruas lulishtare. Përpiqesha ta justifikoja sjelljen time, veproja saje tërheqjes së aromës së këndshme të luleve, ndonëse me logjikë të ftohtë pranoja se aroma e luan rolin e saj, pa qenë e nevojshme të shohësh drejt tyre. Pra unë shihja Dritën dhe nuhasja aromën e këndshme, pa mundur t’i ndaja nga njëra-tjetra.

Nisa të kujdesesha më tepër për paraqitjen time. Vishja një kostum të qepur enkas për në mjedise festive (shkoja me Dizen, e cila, krejt ndryshe nga unë, kujdesej t’i përzgjidhte veshjet dhe paraqitej e këndshme). Sigurisht gruas nuk mund t’i shpëtonte sysh qëndrimi im para kanates së hapur të dollapit për një kohë mbi të zakonshmen, teksa tërhiqja njërën këmishë, e shihja me vëmendje e përqendrim disa caste, si të isha duke bërë një vlerësim profesionisti dhe, nëse nuk ma mbushte syrin, e zëvendësoja me një tjetër në varësen e radhës.

Dizja prapa meje qëndronte pa folur (të tregova se ka një zgjuarsi mbi normalen). E habitur, ajo nuk tha asnjë fjalë të vetme kur unë, para pasqyrës në dhomën tonë, përpiqesha të përshtatja xhaketën, gjë të cilën sigurisht e pengonte muskulatura e fuqishme e krahëve, shpatullat e gjera, pasoja të shëndetit të tepruar. Nuk mund të harroj shprehjen e vrenjtur të fytyrës së saj, kur u largua në heshtje pa më përshëndetur si zakonisht. Të dy po ndiheshim në pozitë të vështirë, çka nënkuptohej lehtë. Unë me këmbëngulje u nisa si përditë të bëja ushtrime një rruge të gjatë me hapa të shpejtuara, sikundër më kishe rekomanduar ti, mjeku im personal (“E pesta përsëritje”, – mendoi mjeku, pa shqiptuar asnjë fjalë të vetme). Nga ana tjetër, e kuptoja se shëtisja qëllimisht në të njëjtën rrugë, pa qenë i detyruar, edhe pse disa syresh kishte rreth e qark shtëpisë. Përzgjedhja ime përkonte me shprehjen “Fshihu pas degës së fikut”, aq e goditur për dikë që tenton t’i largohet të vërtetës.

Të nesërmen, kostumi dhe përshtatja me ngjyrën e këmishës më gozhduan gjatë përpara pasqyrës. Ndihesha i tjetërsuar, aq sa në                         momentin e hapjes së portës së madhe gati u pengova. Sytë e mi  ishin përqendruar në fundin këndor të rrugës. Ende pa mbërritur, po përfytyroja takimin me gruan e bukur. Do të shijoja mbresat e saj për “look”-un tim, teksa do të prekte me duart e saj veshjet e mia të pazakonta, e pse jo… Nuk kishte nevojë të hamendësoja më tej. Hundëpërpjeta kishte kaluar dy-tre hapa para portës dhe qëndronte me trupin kthyer drejt meje. Nuk gaboj të pohoj se ajo ishte në pritje të kalimit tim në atë interval rruge. Së largu shihja buzëqeshjen e saj të veçantë dhe gropëzën në mes të faqes. Foli  para se të isha afruar:

“Tungjatjeta! Sot keni marrë një pamje të veçantë me këto veshje, se zakonisht ju visheni thjesht në mënyrën e zakonshme të përshatshme për punë. U bë një kohë e gjatë që kur ju keni tërhequr vëmendjen time me paraqitjen origjinale, të natyrshme… Sa për kostumin e bukur të veshur sot, ai nuk mund të më ndryshojë numrin e rrahjeve të zemrës… Fatkeqësisht ne nuk kemi asnjë kafshë shtëpiake… Kujdesi për të mund të na kishte siguruar njohje kohë më parë, pse jo edhe afërsi”…

Gati po bindesha se ajo prej kohe paramendonte dhe dëshironte njohjen tonë, por natyrisht e kushtëzuar në pritje të qëndrimit tim që dukej se prezantonte qartë prirjen për të biseduar nga afër, me padurim momentet e duhura, favorizuese…

Pasi u mendova pak, iu përgjigja:

“Njerëzit duhen të njihen me njëri-tjetrin jo vetëm në çaste të veçanta kur t’u duhet ndihma, pavarësisht llojit dhe kohës. Njohja, sipas mendimit tim, duhet të bazohet në parametrat e një shoqërie njerëzore, normale, sepse…”, – e ndërpreva fjalën, ngaqë m’u duk se për të do të ishte më mirë aprovimi i njohjes sonë në mënyrë të thjeshtë, pa retorikë, sikurse e kuptova ditët e mëvonshme.

Drita, emrin e kisha mësuar sapo nisa të tregoja interes rreth saj, duke u përpjekur të mos bija në sy, më tregoi se jetonte me dy fëmijët e vegjël, bashkëshorti më të shumtën e kohës e kalonte në shtetin fqinj i punësuar në një kompani që merrej me mbjelljen dhe rritjen e  luleve, një pjesë e të cilave i përpunonin të thara për t’i eksportuar në të tjera vende. Këtë profesion e ushtronin së bashku, por, kur ai mungonte, Drita jetonte e vetme, punonte me shumë vështirësi, pa shprehur asnjëherë ankesë dhe pa e shtrirë dorën. Me sa po kuptoja, çastet e qëndrimit pranë portës në pritje të kaloja unë, ishin një çlodhje për të.

Sikur po kërkonte në heshtje ndihmën time? Çfarë donte prej meje konkretisht? Përherë e me kënaqësi u falja të tjerëve ndihmë, nëse ma kërkonin, pasi isha i qartësuar, i ndërgjegjësuar brenda vetes. Shpejt u binda. Mbase logjika ime po më drejtonte të mos futesha më thellë në jetën e saj të vetmuar, më kryesorja të mos kaptoja pragun e njërës prej dhomave ku dera shihej e hapur tejpërtej. Ajo nuk tregonte asnjë çast lodhje, dukej e freskët si të kish marrë shëmbëllimin e luleve të porsaçelura herët në mëngjes, edhe pse punët brenda kopshtit ishin të shumta e të vështira. Pothuajse u binda: Drita shihte tek unë pikërisht njeriun e munguar të deriatëhershëm  në jetën e saj…

Largohesha pa u zgjatur në hollësira të jetës së saj familjare, të cilat i nënkuptoja. Isha gati i sigurt se Drita ndiqte kthimin tim të ngadaltë, mbështetur në njërën nga kanatat e gjera të portës prej dërrase ngjyer në të gjelbër të thellë, si të donte të tregonte gjelbërimin pas saj dhe se së bashku duhej të ndodheshim mes tij.

Dukej qartë që ne ndiqnim njëri-tjetrin, pavarësisht largësisë që mund të na ndante. Një ulje e lehtë e kokës, shoqëruar me ngritjen e dorës së djathtë, ishte kthyer në një ritual. Kthehesha në shtëpi si të isha duke plotësuar një urdhër të rreptë të komandantit të repartit ushtarak, në rastin tim ai kërkonte përsëritje.                                                 Fillimisht përmbushja vetëm urdhrin, por shpejt u përballa me qëndrimin e Dizes, tërësisht ofendues apo më mirë një tallje e heshtur. Ajo nuk më përshëndeste më, ngrihej pa shkak herë pas here dhe hidhte shikime të nënkuptuara drejt rrugës e pas pak kthente kokën në drejtim të shtëpisë së Dritës. Sytë e Dizes reflektonin hapur një ndjenjë urrejtjeje të papërshkruar, egërsi të tejskajshme që, saje forcës së karakterit, nuk shpërthente vrullshëm e të rrezikonte muret…

Nuk po tentoja të rikthenim situatën familjare. E dija mirë se ishte plotësisht e pamundur. Dikur një miku ynë i familjes e përcaktoi në njërën nga darkat miqësore të shumta si familje ideale, por ama ky vlerësim ishte zbehur dhe jeta e familjes së dikurshme ishte një kujtim i largët tashmë.

Për çfarë të flisja, si mund ta justifikoja sjelljen time krejtësisht të paigjinueshme para Dizes? Mbase i kishte ndjekur veprimet e mia të përsëritura, të papajtueshme me qëndrimin e mëparshëm dhe tepër korrekt mbi të cilat ishte ngritur një familje normale? Me siguri, pëshpëritjet e banorëve të fshatit në veshët e gruas rreth mënyrës  së sjelljes sime kohëve të fundit, nuk mund të mos i hidhnin benzinë zjarrit, shkëndija e parë e të cilit ishte shkrepur prej meje.                         Megjithatë, unë e ndieja të domosdoshëm takimin me Dritën, pavarësisht kohëzgjatjes. Në pamundësi të tij, shkëmbenim shikime të ndërsjellta së largu. Drita, si të kronometronte kohën e lëvizjeve të mia, përherë shfaqej para portës në pritje të daljes sime nga shtëpia në mëngjes, pasdite dhe të tjera herë, kur, për të justifikuar largimet e shpeshta, i kërkova Dizes të bëja disa blerje në një market në fshatin fqinj.

Ja përgjigja më ironike dhe e pazakontë prej saj:

“Falënderime të sinqerta, Selam! Po më çudit fakti si paska mbijetuar deri sot familja jonë, kur në duart e tua nuk kam parë ndonjëherë çanta mbushur me ushqime?! Më duhet të kujtoj për ty, thënien: ‘Më mirë vonë se kurrë’… Ja, falë teje, jetëgjatësi e sigurt për ne!”.

Po ndihesha keq! Mos po i futesha një aventure të rrezikshme?               Në të njëjtën situatë ndodhej edhe Drita, ndonëse nuk shprehej.                   Mendova të beja një përpjekje të fundit, të ndryshoja rrugën e kalimit para shtëpisë së saj me një anësore. E  pabesueshme: përpara meje po qëndronte në fundin e rrugës Drita, e cila m’u afrua me buzën në gaz. Sinqerisht të dy ndiheshim të lumturuar. Vendi i takimit tonë larg kureshtarëve na favorizoi një bisedë disi më të zgjatur. Ajo më hapi zemrën dhe pohoi se e kishte të pamundur të mos më shihte apo të mos më përshëndeste; nuk gjente asnjë çast qetësie, njëkohësisht ishte informuar se burri bashkëjetonte me një grua tjetër (ta kishte njohur vallë ftohtësinë e zemrës së Dritës, dhe u detyrua të gjente zgjidhjen?). Situatën e krijuar brenda familjes sime mund ta përcaktoja si një “luftë të ftohtë”, ndaj së cilës nuk kisha asnjë mjet mbrojtës. Lehtësohesha paksa, nëse mund të shkëmbeja disa fjalë me Dizen.

E dija mirë se e kishte të ngulitur brenda zemrës dashurinë shumëvjeçare për mua, kam qenë e mbetem i sigurt. Koha në rrjedhën e saj të paparashikuar e detyroi të prezantohej ndryshe, e tjetërsuan goditjet e forta e të pazëshme të sjelljes sime, ndaj zgjodhi heshtjen absolute. Pyesja veten shpesh se pse nuk po më interesonte familja jonë e mëparshme, e qetë, e respektuar, ku humbi ajo dhe nëse kishte shpresa për ta rindërtuar e gjallëruar atë sërish. A po përpiqesha unë ta shpëtoja? Çfarë më kishte ndodhur?

Duhet të pranoj faktin se nuk e konsideroja ditën të plotësuar pa u përshëndetur e pa folur me Dritën, ndonëse ishte shoqëruesja e pandarë e mendimeve  dhe rrahjeve të zemrës sime gjatë 24 orëve. Në njëfarë mënyre, po i shmangesha punës në orët e pasdites. Kur dikush më kërkonte ndihmë, vrisja mendjen të gjeja ndonjë justifikim.

Dizja përherë e më tepër vëzhgonte lëvizjet e mia, veshjen e papërshtatshme… Po shkoja të punoja me kafshët në stallë dhe jo në një mbrëmje vallëzimi, a nuk  po dukesha paksa qesharak veshur me një kostum të porsaqepur?! Gruaja shprehte pa zë dhembjen e sinqertë e të thellë kur u bind  plotësisht se mosha ime gati 60-vjeçare nuk po ushtronte forcë të më tërhiqte nga një rrugë e shtrembër.

Një mbrëmje, Dizja arriti deri në atë pikë sa e mbylli derën e shtëpisë para kohe. Unë trokisja radhazi. Ajo qëndronte mbas dere, si t’i gëzohej ngricës së egër të asaj nate rreth e qark meje… E pa të arsyeshme pas ndonjë ore të më lejonte të futesha në sallon, pa iu përgjigjur as përshëndetjes. Asnjë pyetje të vetme nuk më drejtoi për arsyen e vonesës (dikur kishte një sjellje të admirueshme; më hidhte krahët rreth qafës sapo më shihte… U bë kohë pa e ndier përqafimin e saj).

Një  ditë e gjykova me gjakftohtësi. E keqja nuk qëndronte në mungesën e shprehjes së dashurisë së Dizes ndaj meje, sepse brenda zemrës sime mbeti e pacenuar, por realisht e shtypur, nën peshën e papërballueshme të ndikimit të Dritës…

Isha për t’u keqardhur kur kuptova se dashurinë time shumëvjeçare për të po e zhyste përherë e me thellë një tjetër e re, më e fuqishme, më e freskët, përmasat e së cilës e kisha të pamundur t’i përcaktoja saktë. Situatën e re në marrëdhëniet me gruan time nuk e vlerësoja, për më tepër po e anashkaloja.

Në vaktet e ngrënies, të cilat, konform dietës së rekomanduar (“përsëri?”…), u thjeshtësuan pothuajse me përmbajtje bimore, Dizja nuk ulej në të njëjtën kohë me mua në tavolinën e bukës, por para apo pasi unë të isha larguar nga kuzhina. U ndërgjegjësova se mirëkuptimi ynë i skajshëm që më parë pikë referimi, tashmë ishte zbehur tërësisht… Përpjekjet për t’iu larguar kthesës sime të jetës nuk sollën më të voglin rezultat. Të njëjtën gjendje po përjetonte edhe Drita, deri kur një ditë mësoi se i shoqi nuk kthehej pranë saj. Pastaj ajo filloi të ndihej e qetë dhe nuk mundi ta fshihte para meje e vetes së saj gëzimin. Ndonëse e kishte të domosdoshme ndihmën e tij në serën e luleve (se ato i siguronin jetesën e përditshme), Drita e kuptonte, e pranonte që marrëdhënia midis nesh nuk ishte thjesht një lodër për vocërrakët.

Një ditë, ndërsa përpunoja në mendje rrjedhën e ngjarjeve (bëja krahasime midis dy periudhave), sepse m’u krijua ideja që së bashku, Dizja, Drita dhe unë, formonim këndet e një trekëndëshi kënddrejtë, barazforca e të cilëve është e mirënjohur në matematikë, por ja që nuk po ndodhte midis nesh. Ndofta po i kundërviheshim njërit prej ligjeve themelore të matematikës? E veçanta qëndronte në faktin se Drita dhe unë ishim vendosur e shkrirë së bashku në njërin prej tyre në mënyrë të fuqishme… mos vallë duke i marrë Dizes pjesën përkatëse të saj, të cilën ajo e meritonte drejtësisht? A pranohej ky devijim!? Si mund të guxoja të ndryshoja pikërisht unë, barazinë e këndeve të trekëndëshit, njërin nga themelet e përjetshme të dijeve njerëzore. Nuk mund t’i jap një përgjigje kësaj hipoteze, por ajo çka unë pranoj dhe pohoj ndershmërisht është një fakt i vetëm: po jetoja pjesën më të bukur të jetës, të cilën e kisha njohur vetëm nëpërmjet leximit të librave të panumërt. Sinqerisht shpesh zhytesha në botën e subjekteve të njohura. Ndonjëri më tërhiqte me forcën e një magneti, por, sa shpejt e përjetoja ngjarjen, po aq shpejt largohesha prej saj, sepse gjurma e mëparshme e venitur zëvendësohej me një tjetër situate. As që bëhej krahasimi midis jetës së dikujt në librin e lexuar me jetën reale. Kështu, emocionet brenda meje u koncentruan në një substancë të vetme, solide; humba interesin, vlerësimin për gjithçka gjendej rreth e qark. E vetmja njësi matëse, përcaktuese si një ditë e jetuar realisht nga unë takimi me Dritën apo një përshëndetje… aq sa m’u krijua një përshtypje e çuditshme përgjatë një natë të pagjumë, sigurisht nxitur nga fantazia e skajshme: sikur ndodhesha në fund të detit dhe fare pranë dallova shkëlqimin e artë të monedhave të panumërta brenda një arke në sfondin e një anijeje të mbytur piratësh në shekujt e kaluar…

Për sa tregoj, jam plotësisht i sigurt se nuk më joshi ajo pasuri përrallore, për të vetmen arsye: ishte tejet e vështirë ta mbaja në duart e mia dhe e pamundur ta nxirrja mbi sipërfaqen e ujit. Pastaj, për çfarë do të më duheshin monedhat e arit? Vlerën e vetme të jetës sime e përfaqësonte një grua me emrin Drita, të tjerat i plotësonte fantazia e harbuar… Besoj se sjelljen time të veçantë mund ta kishin mësuar disa të njohur dhe çuditërisht kishin shprehur të njëjtin mendim:

“Selami nuk është në rregull mendërisht!”.

E vërteta është e hidhur, as mund të merrja guximin t’ia tregoja dikujt dhembjen e thellë të zemrës. Faktikisht më kishte gllabëruar të tërin dhe, fatkeqësisht, të vërtetën për vuajtjen e zemrës sime, askush nuk do ta kuptonte e të më falte për qëndrimin tim ndaj familjes…

Përsëri heshti një çast, teksa u dëgjuan dy-tri psherëtima të thella dhe zëri i Selamit që vijoi:

– Mik i dashur, pikërisht ky është shkaku për të cilin erdha të kërkoj ndihmën tënde si mjek me ekperiencë shumëvjeçare, gjë që e  vërteton shërimi im, sa pothuajse e kam harruar sëmundjen…

A më beson tani që dhembja brenda zemrës sime as që mund të krahasohet me të mëparshmet si nga përmasat, ashtu dhe nga kohëzgjatja e llojit të saj? Të lutem, mos më rekomando konsultë me një mjek psikolog! Nuk kam asnjë problem me trurin, janë vetëm ndjenjat e mia të thella, pa më të voglin dëmtim gjithë viteve të kaluara që u shfaqën, lindën dhe lulëzuan me vonesë për ta jetuar atë pjesë të jetës që më kishte munguar.

Shpesh kujtoj  Pushkinin dhe thënien e tij gjeniale që e vërteton në mënyrë absolute jeta ime e kohëve të fundit: “Dashuria nuk njeh moshë!”. A po kërkoj të mbrohem? Janë të aprovueshme veprimet e mia? Mos po e kujtoj për të lehtësuar sadopak ndërgjegjen? E vetmja arsye, jeta ime aktuale përputhet me të në mënyrë absolute, shumë të tjerë mund ta kenë përjetuar.

– Po, – ju përgjigj mjeku me shikim të përqendruar drejt Selamit, në të cilin qartësisht shprehej afërsia njerëzore dhe ajo shpirtërore. – Të ndoqa fjalë pas fjale dhe sinqerisht e përjetova pothuajse të gjithë situatën në të cilën ndodhesh…

Selami përsëri nuk e la mikun të përfundonte mendimin:

– Dizja u bind për tërheqjen time ndaj Dritës. Derën e hapte me vonesë. Një natë, mbas ores 22. 00, në padurim për vonesën time, trokiti në portën e jashtme të shtëpisë së Dritës, duke iu drejtuar me zë të ashpër:

“Ku e ke  Selamin? Pse ndodhet në këtë orë në shtëpinë tënde?! Ti, e dimë mirë të gjithë banorët e fshatit, merresh vetëm me kujdesjen e luleve, nuk mund ta ulësh veten duke i shërbyer një lope apo deleve, je grua e ‘fisme’, kështu që nuk do kesh kërkuar  ndihmën e veterinerit për një kafshë shtëpiake. Mos ndoshta ke qenë e sëmurë dhe kërkoje ndihmën e mjekut? Shpreh keqardhje të thellë: ke ngatërruar mjekun që ka detyrë të mjekojë kafshët, me atë që shëron njerëzit, kështu apo jo? Për cilëndo arsye ta kesh thirrur Selamin në ‘shtëpinë tënde dykatëshe mes aromes’ së karafilave, zambakëve, borziloku është i preferuari im… E ke mbajtur gjatë. Nxirre sa më shpejt nga dhoma, të kthehet në shtëpinë tonë përkrah meje, më kupton tani ‘zonjëzë’? Nuk kam keqardhje, të urrej”…

“Si mund ta di unë se ku ndodhet burri yt në këtë orë të natës, – u përgjigj Drita me një naivitet gati fëmijëror (gjithçka po e dëgjoja mbas dere në korridor dhe i drithëruar. E njihja mirë këmbënguljen e Dizes, natyrshmërinë e karakterit të saj).

Një copë herë heshtën të dyja.

“Ja, po e shoh tani min. Po këtë, e njeh? E gjeta të hedhur në degët e trëndafilit të bardhë, më tërhoqi pranë, e vendosi në duart e mia dhe unë po të dhuroj me respekt një medalje të merituar. Është punuar me mjeshtëri të rrallë prej meje, tani e vlerësoj si një ‘medalje për rrëmbimin e burrit tim”.

Dizja ia afroi pranë syve shallin tim të leshtë (dyshova se edhe mund t’ia kishte hedhur mbi kokë). E kemi komentuar së bashku funksionin e tij mbrojtës ndaj të ftohtit, por vlera e fshehtë e shfaqur në momentin më të vështirë të jetës sime nuk mund të komentohej…

“Oh! Oh!” – rënkoi Drita, pa mundur të fliste.

Dëgjo rëndafilin pranë portës, si një send të padobishëm në ato çaste… Sido që kish ndodhur, shalli në ato momente përfaqësonte një provë  absolute për të tre dhe kundërshtimi do të ishte qesharak…

Dje, mbasdite vonë, më duhej të shkoja në qendrën e madhe tregtare të qytetit. Në momentin e largimit prej saj, dallova Dritën të qëndronte në këmbë te shkalla e fundit. E papritur për mua, e pabesueshme, një ëndërr e vërtetë, si përherë kur ndodhesha nën kontroll për lëvizjet brenda fshatit dhe jashtë tij. U ulëm diku pranë, po as më kujtohet se çfarë biseduam. Ishte një ditë vjeshte, retë e errëta të qiellit shpërthyen papritur me një rrebesh të paparë, si të donin të na lehtësonin dhe të justifikonin pozicionin tonë afër njëri-tjetrit (pas natës kur shalli im i leshtë ngeci në trëndafilin e shtëpisë së Dritës, takimet tona realizoheshin me shumë vështirësi). Shiu na detyroi të gjenim një strehë me të gjerë. Nuk jam i sigurt të përcaktoj se cili prej nesh iu afrua shokut. Në çast buzët tona po e kërkonin njëra-tjetrën… Nuk mund ta përshkruaj se ç’po ndodhte. Më kishte zaptuar një ndjesi e veçantë si të isha ngritur në lartësitë qiellore, rrethuar me kundërmimin e luleve të shumëllojshme që tashmë i kisha shoqëruese të pandara. E humba nocionin e kohës dhe të vendit ku ndodhesha, truri me siguri kishte ndalur së punuari. Sa për rrahjet e zemrës, dukej sikur ajo do dilte nga kraharori…

Nuk e di sa kohë kishte kaluar derisa shiu pakësoi vrullin e tij, por dukej se po na jepte ndihmë për të dytën herë… Në shtëpi u ktheva rreth mesnatës. Trokitjet e forta e të përsëritura në derën e shtëpisë nuk e bindën Dizen ta hapte. Dola ngadalë në rrugë dhe po qëndroja midis shtëpisë sime dhe të Dritës…

Rrezet e para të agimit më përshëndetën në mezhdën e kanalit… Nuk prita të shihja kalimtarët e parë të fshatit. Erdha për ty, je shpresa ime e vetme, je Zoti të cilit i përulem.

– Do të të ndihmoj, të premtoj, – e theu heshtjen mjeku. – Sa të njoh, besoj se ti Selam do të bësh më të mirën, më të mençmen zgjidhje…

U ndanë duke i dhënë fjalën njëri-tjetrit se do të takoheshin së shpejti. Mjekut nuk i ndahej dyshimi nëse kishte bërë mjaftueshëm atë që i kërkohej nga miku vetëm duke e dëgjuar dhe asgjë tjetër.

Ditë më pas, Selami shkoi ta takonte mikun e vet. Mjeku ishte pjesëmarrës në një konferencë mjekësore jashtë vendit. Ditë të tjera më vonë, përsëri e pati të pamundur takimin. Me shumë mirësjellje, ngaqë e njihte Selamin që ishte mik i mjekut, infermieri i tregoi se ai ishte larguar pas një shërbimi të zgjatur 24 orë në spitalin e qytetit.

E pamundur të shiheshin, të bisedonin dhe të gjente mënyrën ta ndihmonte mikun shpirtërisht në çastet më të vështira të jetës së tij. Mjeku u trishtua kur mësoi se të dyja herët takimi nuk u realizua. Nuk ndihej i qetë, në njëfarë mënyre e fajësonte veten që nuk e kish ndihmuar mikun e tij. E kuptonte qartë dhe besonte se vetë Selami, saje mençurisë, pranimit pa kushte të rrjedhës natyrale të ngjarjeve, do ta zgjidhte rrugën më të përshatshme…

Rreth një javë më vonë, në njërën nga vizitat mjekësore, ndërsa një i sëmurë jepte të dhënat e identitetit, rastësisht mjekut i zuri veshi emrin e njohur të fshatit ku banonte Selami. Iu afrua të sëmurit dhe e pyeti nëse e njihte dhe a dinte gjë për shëndetin e tij…

– Po, Selami është një nga njerëzit më të respektuar në të gjithë zonës, profesionist dhe i papërtuar. Nuk di të flas më tepër, por në të gjithë zonën ndihet mungesa e tij…

Po atë ditë, mbas pune, mjeku e gjykoi të mësonte realitetin. Nuk mund të mos e kujtonte hollësisht gjendjen e tij shpirtërore, vuajtjet e pamasa, nga të cilat Selami nuk po largohej dot.

Në shtëpi e mirëpriti Dizja me pamje të tjetërsuar, dëshmi e një lëngimi të tejzgjatur. Ajo i pohoi se Selami ishte larguar dhe askush nuk dinte ku mund të ndodhej. Gjendja e tij shëndetësore…

Në momentin kur shihnin me pikëllim njëri-tjetrin, në mendje kishin pothuajse të njejtat mendime ,pas pak Dizja foli ngadalë:

– Nuk dihet ku ndodhet Selami. Do të bënim të pamundurën…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok