22/12/2024

Çdo nënë është një shenjtore dhe çdo shenjtëri na shpërblen me vullnet prej nëne!

0
William-Adolphe-Bouguereau

Nga Albert Vataj

Ajo është “La Charité” (Mëshira), e piktorit William Adolphe Bouguereau (30 nëntor 1825 – 19 gusht 1905 ). Eshtë realizuar në vaj, kanavacë në vitin 1878. Përmasat: 196 x 117 cm (77,17 ” x 46,06 “). I përket një koleksioni privat.

“La Charité” është një nga punët që sinjifikon krejt galerinë krijuese të William Bouguereau, i cili megjithëse u anatemua si askush tjetër, u mohua dhe u dëbua bashkë me stilin e tij akademik, sot e gjejmë në podin e famës, larg nga e shkuara fyese, pluhuri i harresës dhe dangat e poshtërimit.

“La Charité” (Mëshira) aktualisht mban rekordin botëror si piktura më e shtrenjtë e shitur e galerisë së Bouguereau. Ajo u shit në një ankand në vitin 2000 kundrejt vlerës 3.600.000 dollarë. Për një piktor të mbetur pas portave të mbyllura, kjo është një befasi.

“La Charité” (Mëshira) përshkruan një grua të bukur, shëmbëllimi i përsosmërisë femërore, dlirësisë së kulluar, hireve rrezatuese dhe forcës amësore. Ajo kridhet në këtë tablo jo vetëm si elementi dominues por edhe dëshmimi më universal dhe i vetvetishëm i rolit të një nëne, i rolit të vazhdimsisë së jetës. Ajo shpreh kujdeseni dhe mbrojtjen e pesë fëmijë të vegjël, duke u dhënë atyre edukatë, ushqim dhe dije. Mirërritja është përfaqësuar nga gjinjtë e saj të kolmë që tregon synimin për të lejuar fëmijët të gjejnë aty përkujdesje në të ushqyer. Prarimi i syve, drejtqëndimi dhe rrethqarkimi i krahëve që zapton tre nga vogëlushët, shëmbëllen atë kumt gruaje dhe nëne që jetësohet në botkuptimin e të pazevendësueshmes, që nga Hyjlindësja e këndej.

Eshtë ngadhnjimi emblematik i një nëne, njimendja dhe vullnesa e saj e hovshme për të dhënë për ta gjithçka nga vetja përkundër gjithë përpjekjeve dhe sakrificave vetmohuese.

Nën këmbën e saj të majtë qëndron një enë përmbys me monedha ari dhe argjendi, të cilat qëllimisht janë derdhur. Ky simbol tregon se nuk ka kosto për lumturinë e tyre, që e tejkalon atë për të cilën ajo, nëna, është e gatshme t’ua japë me mish e me shpirtë. Pratë kësisoj nuk trajtohen si përparësi, ata nuk zotërojnë atë forcë, atë energji që u duhet atyre për t’u rritur të shëndetshëm të edukuar dhe të ditur. Burimi i vetëm prej nga ata e marrin atë që u duhet në jetë është ëma e tyre, është e perëndishmja, që piktori e ka trajtuar si një shenjtore, si një amanet që ka marrë mbi vete në përjetësi një grua, një nënë. Një tjetër detaj është edhe tematika e dijes, e shtjelluar nëpërmjet elementit të fëmijës, i cili është mbështetur mbi disa libra dhe diç lexon në një fletë të shkëputur dhe të vendosur në shkallare. Fëmija i ndrojtur që struket në të djathtë nën petkat solemne që derdhen përposhtë prej shtatit të gruas, dëshmon dhe denoncon realitetin, ashpërsinë dhe egërsinë, me të cilën ai do të qaset. Por nëna është aty, e vetmja dhe më e vetvetishmja mburoje dhe edukuese e fëmijëve, të cilët mbartin misionin trashëgimisë. Ajo rend në përjetësi me dashurinë dhe detyrimin, për fëmijët e saj, për jetën, për gjeneratat. Një nënë është themeli i një brezi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok