22/12/2024

Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit

0
Agron-Gjekmarkaj

Agron Gjekmarkaj:

Fjala ime e plotë e mbajtur sot në seancën e Parlamentit

E nderuar Znj. Kryetare,

Të nderuar deputet!

Sot në vendin tonë realiteti është më kokfortë se shekujt. Ai ka ndërtuar gjuhen e vet dhe semantiken e re.

Ndonëse në fjalorin e shqipes fjalës “konçesion” si term sinonimor i vihet fjala “lëshim”, publiku i yshtur nga puna shkencore e Qeverisë i ka vënë sinonimin korrupsion.

Në kullën e Babelit ku u lidhën gjuhët po bëhet ndryshimi i duhur. Leksikologu, Ilir Beqja, morfologu Ilir Rrapaj, gramaticieni Ilir Rrjepsi, dhe të tjerë  po i shpjegojnë njerzisë se “sterilizim” do të thotë të pastrosh xhepat e shqiptarëve nga çdo qindarkë.

Jo vetëm duke i zier portofolet në temperaturën e lartë të vesit, aty ku vdes çdo pasion kolektiv për mirqënie dhe besim te publikja, por duke i fyer ata në inteligjencë, duke i sterilizur ata në të drejtat dhe aspiratat e tyre më elementare, pse jo duke i përqeshur në besimin e tulatur tek drejtësia.

Bëhet fjalë për 200 milion euro të cilat ju kanë ndryshuar jetën per mirë zhvatësve, për keq, të zhvaturve-qytetarve. Kjo ndodh bash kur defiçiti i skemes së pensioneve thellohet, në qytet rritet me 5% dhe në fshat me 12 %. Fondi për konçesionet rezulton 3.5 herë më i lartë se ai për pensionet dhe rreth tre herë më i lartë se ai për 64 mijë familje që jetojnë me ndihmë ekonomike.

E vjetra shëmbet, kohet ndryshojnë, një jetë e re lulëzon gërmadhash. Shkrimtari i famshëm ja ka këputur kot. E vjetra nuk shëmbet, vjetërohet edhe më, mediton Spiropali! Koha nuk ndryshon, përshtaten njerëzit hamendeson Taulanti, teksa germadha morale bëhet stil jete, konstaton Majko. Punëtoret e kësaj germadhe janë ketu. Imagjinojeni vetën secili me një lopatë në dorë, kazem a qyski duke e gërmuar.

Diçka është kalbur në Danimarkë thoshte Hamleti, gjithçka është kalbur në qeverinë Rilindjes ma bën me shenjë Salianji, një duhmë kjo që e marrim bashkë me ajrin që thithim.

Qëndrimi i kësaj qeverie nuk ndryshon kurrë përsa i perket financimit të PPP-ve nga Buxheti i Shtetit. Kryeministri apo ministrat që ende nuk kanë shkuar në burg nuk ndijnë trazim nëse janë hapur procese gjyqësore siç është rasti i inceneratorve dhe sterilizimit!

E çfarë rëndësie ka se pronaret janë në arrati, madje ndonjëri na jep edhe leksione publike, mbi “galateon”, i ulur nën ikonën e Shën Merisë?! Në kohët antike hajdutët vareshin nëpër kryqe, në bashkohësinë tonë ata i varin kryqet në qafë dhe na nxjerrin gjuhën. Po pse duhet të kemi gajle kur yndyra e qeverisë, vetë Zëvëndëskryeministri, tigrushi i gjorë, i cili po i sëmur të gjithë nga frika se mos i jep gojës, merr rrugët e kurbetit duke thënë ; “Lamtumirë vendet e mija që po zhdukeni dalangadalë, gjëmon deti e stuhia, por me buzëqeshin paret e mia”. Dhe financimi jo vetëm nuk ndalon, po rritet edhe më gjatë në vitin 2024.

Gjatë këtij viti shoqëria do të sterilizohet edhe më shumë, do paguhen 50 milionë të tjera për katër konçesionet në mjekësi, 11,9 milionë inceneratori Tiranës, 33 milionë “Rruga e Arbërit”, e cila  nuk  mbaron kurrë, dhë është e një cilësie të tmerrshme. Aty, Lala nuk duket të ketë interesa të shpejta.Nuk ndalon financimi i PPP-ve. Një i korruptuar bie, qindra ngrihen. Nuk ka rëndesi se ministra, ish ministra, kryetarë bashkishë dhe deputet janë bërë me tension, aritmi, dridhen, zverdhen, belbëzojnë, në dyert e SPAK-ut, paraja duhet të shkojë në destinacion.

Ata “vdesin” të gjithë njësoj, duke vikatur rroftë udhëheqësi, ne jemi zuzarë, ne jemi tradhëtarë, të shkojmë në litar! Drejtorët tuaj kudo janë turrur si karkalecat në bereqet por shefat e tyre nuk dinë gjë, nuk mbajnë përgjegjësi. Ata kanë ngrënë kaq shumë dardha, kumbulla e fiq, sa po ju shkon barku mbi tryezat e shqiptarve por nuk shohim askund as pergjegjësi politike e as morale. Ky është sistemi politik, piramidal i ngritur për të patur nëpërmjet korrupsionit dhe të korruptuarve gjithcka nën kontroll, edhe voten e cila blihet po me paranë e vjedhur publike.

Ne votojmë shumë ligje po sa më i korruptuar shteti aq më shumë ligje prodhon ai. Ky i sotmi është njëri prej  tyre. Në të 12 vit që qeverisni keni thyer çdo rekord me parullat dogmatike, simptoma këto të një mendje anemike kompozuar nga gënjeshtrat, cektësia e fuqisë argumetuese dhe akuzat ndaj qytetarëve dhe opozitës!Tanimë jeni shndërruar në mimetikë, në xhestikulativë, nuk keni më as fjalë, ju po kerkoni të modifikoni thelbin e shqiptarit modern.

Frika ju shtyn drejt oazit të broçkullave! Shqiptarin e dëshironi idiot, të sterilizuar në gjykim, nën chek-up patronazhistësh, duke i kontaminuar të tashmen dhe djegur të ardhmen në incenerator. Hesap i gabuar. Vonesa jo domosdoshmërisht është harresë. Çdo ditë thoni atë që nuk qëndron dhe përpiqeni me fsheh atë që di e gjithë bota.

Të kundërshtosh sot, të luftosh me korrupsionin e kësaj qeverie është një akt patriotizmi, më i larti akt. Sot, Edi Rama mund ti ikë interpelancës së kërkuar nga Opozita, nga z.Gazmend Bardhi por jo gjyleve që ka lidhur tek këmbet e veta. Në rëndje, në ikje ato plasin një nga një. Sot korrupsioni është armiku kryesor i Shqipërisë. Konçesionet dhe PPP-të, ngerdheshja e tij.

Ai rritet në oborrin e Qeverisë. Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit, na mëson Sami Frasheri. Shënojeni !

https://www.facebook.com/profile.php?id=100069034779753

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok