19/05/2024

ÇAMËRIA DHE EPIRI NË KONGRESIN E BERLINIT (1878)

0

Nga Adil FETAHU

Kongresi i Bërlinit ka qenë ngjarja më e rëndësishme historike dhe tubimi më reprezentativ në historinë e diplomacisë në shekullin 19. Në të kanë marrë pjesë nga tre përfaqësues të shtatë fuqive të mëdha:  të  Gjermanisë, të Perandorisë së Austro-Hungarisë, të Francës, të Perandorisë së Anglisë, të Italisë, të  Perandorisë Ruse dhe të Perandorisë Otomane. Kongresin (Asamblenë e Lartë të Kongresit) e përbënin ministrat e punëve të jashtme dhe ambasadorët e  shteteve të përfaqësuara në Kongres, përveç Gjermanisë të cilën e përfaqësonte vet kryetari i Këshillit të Ministrave të Prusisë dhe kancelar i Gjermanisë, Oto von Bismark, i cili nga Asambleja e Lartë u zgjodh kryesues i Kongresit. Delegacioni i Perandorisë Osmane, si palë që e kishte humbur luftën kundër Rusisë dhe aleatëve të saj, ishte i ranguar më ulët se delegacionet e fuqive tjera, jo përkah nominimi i funksionarëve, por përkah rëndësia e votës së tij, që nuk mund ta bllokonte konsensusin e fuqive tjera në marrjen e vendimeve.

Kriza e Lindjes dhe Traktati i Shën Stefanit

Kongresi u thirr nga fuqitë e mëdha pas përfundimit të Krizës Lindore, që kishte filluar me kryengritjen në Bosnje-Hercegovinë (1875), luftërat e Serbisë, Malit të Zi dhe Rumanisë, të nxitura dhe të ndihmuara nga Rusia (1876-1878) dhe vet lufta e drejtpërdrejt midis Perandorisë së Rusisë dhe Perandorisë Osmane (1877-78), e cila kishte përfunduar me humbjen e shumicës së territoreve të Rumelisë dhe kapitullimin e ushtrisë osmane.  Armëpushimi ishte lidhur më 31 janar 1878. Pas atij armëpushimi, në lokalitetin Shën Stefan, afër Stambollit, më 3 mars të atij viti,  ishte  bërë lidhja e paqes midis Rusisë dhe Perandorisë Osmane, e njohur si Traktati i Shën Stefanit.

Me traktatin e Shën Stefanit, përveç Bullgarisë dhe Malit të Zi, nuk ishin të kënaqura  shtetet (principatat) e tjera të Ballkanit: Serbia, Rumania e Greqia, por jo vetëm ato, veçse edhe fuqitë e mëdha ishin të pakënaqura, sepse zgjërimin e Bullgarisë e shihnin si depërtim të Rusisë në Ballkan. Prandaj ato u morën vesh të organizojnë e mbajnë një Kongres, për të reviduar Traktatin e Shën Stefanit.

Principata e Malit Zi ishte e stërkënaqur, sepse ishte zgjëruar me territor gadi katër herë, shumicën e tyre duke marrë tokat shqiptare, por edhe një pjesë nga Hercegovina. Ato që nuk mundi t’i merrte me luftë, i mori në tavolinën e bisedimeve në Traktatin e Shën Stefanit, e pak më vonë edhe në Kongresin e Berlinit.  Me Traktatin e Shën Stefanit Bullgaria ishte e kënaqur,  sepse territori i saj do shtrihej prej Danubi deri në Detin Egje dhe prej Detit të Zi deri në te Drini Zi, duke përfshirë edhe Voskopojën, Korçën, Pogradecin, Strugën, Dibrën, Gostivarin, Kërçovën, Tetovën e Kumanovën. Përveç Rumanisë, të gjitha shtetet tjera ballkanike kishin pretendime ose kishin marrë toka shqiptare.

Të alarmuar e brengosur nga vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, paria shqiptare u mobilizua për ta kundërshtuar atë Traktat dhe pretendimet e fqinjëve.  Me nismën e Komitetit të Stambollit, më 10 qershor 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që ishte vetëm 3 ditë para fillimit të Kongresit të Bërlinit.

Kongresi i Bërlinit u mbajt  në seanca të rregulltaprej 13 qershor deri më 13 korrik 1878, por në seanca të jashtëzakonshme vazhdoi tri vjet. Kongresi ndryshoi hartën politike  jo vetëm të Ballkanit, por pjesërisht edhe të të Europës Qendrore dhe të Azisë, duke formuar, zgjëruar e njohur shtete të reja. Aty iu njoh pavarësia e plotë Malit të Zi, Serbisë dhe Rumanisë, ndërsa Bullgarisë iu ngushtua territori i caktuar me Traktatin e Shën Stefanit dhe iu njoh statusi i principatës nën sovranitetin e Sulltanit, por që do kishte qeverinë e vet të krishterë dhe ushtrinë e vet. Austro-Hungarisë iu dha e drejta e okupimit të Bosnje-Hercegovinës, gjoja për të ruajtur qetësinë, por që akoma njihej sovraniteti i Sulltanit (deri më 1908, kur e aneksoi tërësisht dhe ia bashkangjiti Austro-Hungarisë).

Geqia që nuk kishte qenë aleate e Rusisë në luftën kundër Perandorisë Osmane, nuk ishte përmedur fare në Traktatin e Shën Stefanit për zgjërim territoresh, prandaj kishte mbetur që Kongresi i Berlinit t’i dhuronte toka nga ato që deri atëherë ishin nën Perandorinë Osmane, e që kryesisht ishte fjala për toka shqiptare, të Epirit dhe Maqedonisë, Thesalinë dhe Kreten.

Punimet e Kongresit të Berlinit

Kongresi i Bërlinit zhvilloi punime intensive plot një muaj, prej 13 qershor, deri më 13 korrik 1978. Punimet i  zhvilloi në seanca plenare të Aamblesë së Madhe,  siç i quante ato, dhe në Komsione: Komisioni për caktimin e kufijve, Komisioni për Redaktiimin e vendimeve të Kongresit,  e komisione tjera konsultative ose të kontrollit. Brënda një muaji, Kongresi mbajti 20 seanca plenare, në të cilat trajtoi të gjitha çështjet e krizës së krijuar, shqyrtoi nen për nen, paragraf për paragraf dhe fjalë për fjalë dispozitat e Traktatit të Shën Stefanit, e revidoi atë sipas interesave të vet fuqive të mëdha dhe sipas simpatisë së tyre ndaj shteteve të vogla ballkanike. Në seancat e Asamblesë së Madhe janë mbajtur procesverbale (protokolle), në të cilat janë evidentuar hollësisht diskutimet dhe formuluar vendimet, të cilat, bashkë me anekset pastaj i ka redaktuar Komisioni i caktuar dhe i ka miratuar Asambleja e Madhe në mbledhjet vijuese.

Greqia shteti më i përkëdhelur në Kongresin e Berlinit

Në Kongres, përfaqësuesit rus përpos interesave të veta, i përfaqësonin edhe interesat e sllavëve tjerë, malazezëve, serbëve, bullgarëve. Këto satelite ruse nuk kishin përfaqësuesit e tyre të Kongresë, por i kishin paraqitur Kongresit kërkesat e tyre për zgjërim. Serbia që gjatë luftërave 1876-1878 kishte pushtuar tokat shqiptare të Sanxhakut të Nishit e Toplicës, kërkonte nga Kongresi që t’i jepej edhe Kosova, kurse Mali Zi kërkonte edhe Shkodrën me rrethinë!

Shqiptarëve nuk iu mundësua të kenë përfaqësuesit e tyre në Kongres, me arsyetimin se nuk ishin subjekt ndërkombëtar më vete dhe se tokat e tyre që ishin nën Perandorinë Osmane i mbronin përfaqësuesit e asaj Perandorie. Prandaj, shqiptarëve iu mbetej vetëm mundësia e paraqitjes së protestave, memorandumeve e kërkesave për moslejimin e copëtimit të dokave të tyre, dhe kërkesa për njohjen e një autonomie në kuadër të Perandorisë Osmane, të katër vilajeteve shqiptare të bashkuara si në vilajet shqiptar. Nga anë të ndryshme, nga veriu e nga jugu, nga Kosova, nga Shkodra e nga Janina, por edhe nga Stambolli e vende tjera, shqiptarët i dërguan Kongresit ose përfaqësuesve të fuqive të mëdha në Kongres më se 100 letra, elegrame, protesta, memorandum, peticione. Ato vetëm evidentoheshin dhe mund të lexoheshin në Sekretariatin e Kongresit, por nuk shqyroheshin në mbledhjet plenare.

Greqia që nuk kishe marrë pjesë në luftën kundër Perandorisë Osmane në kolacionin e sllavëve, kishte kërkuar t’i mundësohet pjesëmarrja në Kongres, në mënyrë që të parashtrojë kërkesat e saj për të marrë toka e zgjëruar territorin e shtetit..

Siç dihet, pas pavarësisë së Greqisë, në vitin 1830 ishte caktuar një princ gjerman nga Bavaria, Oto, për mbret të Greqisë, dhe Perëndimi, veçmas Gjermania, kishin një simpati të veçantë ndaj Greqisë, prandaj ia mundësuan që përfaqësuesit e saj të merrnin pjesë në punimet e Kongresit e të parashtrojnë kërkesat dhe aspiratat e shtetit “helen”, kur të shqyrtohej çështja e Greqisë. Për lejimin e pjesëmarrjës së përfaqësuesve të Greqisë u diskutua në mbledhjet plenare të Kongresit më 5 korrik 1878, ndërsa përfaqësuesve të Greqisë:  kryeministri Kumunduros, minstri i punëve të jashtme Delianis dhe  ambasadori grek në Berlin, Rangabe, iu mundësua të shtronin kërkesat e tyre në mbledhjen e datës 29 qershor dhe në mbledhjen e datës 5 korrik.

Me demagogjinë e tij, ministri grek, Delianis, ndër të tjera kishte thënë: “Pasi Europia krijimin e mbretërisë së Greqisë e ka parë si një vepër të madhe të qytetërimit, zgjërimi i saj vetëm sa do ta kompletonte këtë vepër. Bashkimi me Greqinë i krahinave rreth kufirit të Greqisë, do të përmbushte dëshirat e tyre dhe do të elminonte trazirat”. Kërkesa e përfaqësuesve grekë shtrihej mbi krejt Epirin, Çamërinë dhe krejt Vilajetin e Janinës, mbi Thesalinë dhe Kretën.

Përfaqësuesi i Turqisë, Karatheodori Pasha, duke i kundërshtuar kërkesat e përfaqësuesit grek, ndër të tjera kishte thënë: “Është e paqëndrueshme pikëpamja se Greqia nuk ka territor të mjaftueshem për popullatën e vet. Deti e rrethon në të gjitha anët dhe i lë në dispozicion mundësi për zhvillim të pakufizuar. Turqia i kushton rëndësi ruajtjes së provincave të veta, poullata e të cilave është e lidhur me të dhe e cila është e alarmuar për shkak të idesë që këto provina t’i jepen Greqisë. Për këtë mund të bindeni fare lehtë nëse lexoni peticionet me numër 15, 19 dhe 23, të cilat Kongresi i ka në tavolinë”.

Përfaqësuesi i Francës (Vadington) bashkë me përfaqësuesin e Italisë, duke mbështetur kërkesat e përfaqësuesve grekë, kishin propozuar vijën e kufirit midis Turqisë e Greqisë,  që shtrihej nga Lugina e Salamariasit deri në Detin Egje, dhe nga lumi Kalamis deri në Detin Jon. Kongresi u kishte lënë në dispozicion Turqisë dhe Greqisë që, në këto koordinata, të arrinin marrëveshje për kufirin, duke shtuar se fuqitë e mëdha janë të gatshme që të dy palëve t’u ofrojnë ndërmjetësim të drejtpërdrejt, përmes Komisionit ndërkombëtar që do ishte fjala e fundit.

Kongresi, në mbledhjen e 13, më datë 5 korrik 1878, e votoi propozimin e përfaqësuesve të Francës dhe Italisë. Vetëm përfaqësuesit e Turqisë nuk e votuan atë propozim, por mosvotimi i tyre nuk mund të paralizonte punën as vendimet e Kongresit. Kryetari i Kongresit, Bizmark, konstatoi se Fuqitë e Mëdha, me përjashtim të Portës së Lartë, kanë arritur pajtimin për të pranuar propozimin e përfaqësuesve franko-Italian, për çëshjtjen e kufirit midis Greqisë e Turqisë.

Është interesant një detaj tjetër nga ajo mbledhje, e që ka të bëjë me Mirditën. Konti Valier, në emër të të autorizuarëve të Francës dhe të Austrohungarisë, i bëri Kongresit propozimin që “Popullata e Mirditës të gëzonte edhe më tutje privilegjet dhe imunitetin, të cilat i kishte gëzuar një kohë të gjatë nën sundimin Osman”. Përfaqësuesi turk, Mehmed Ali Pasha, lidhur me këtë ka theksuar se “Porta e Lartë nuk synon ndryshimin e statusit aktual të Malësisë së Mirëditës, por se ato tradita e privilegje nga e kaluara janë të destinuara të zhdukën, pasi Porta  së shpjeti do të zbatojë reforma”. Megjithatë, Asambleja e Lartë e Kongresit shprehet për autonominë e Mirëditës, se mirditasit e meritojnë dashamirësinë e Asamblesë!

Në Traktatin e Kongresit të Bërlinit ( sido që ta quani, marrëveshje apo traktat: në original quhet Traktat),  që përmbanë 64 nene, çështja e kufijve të Greqisë me Turqinë, në frymën e vendimeve nga mbledhja e 13, dt. 5 korrik 1878, janë formuluar në dy nene; neni 23 dhe 24, me këtë përmbajtje:

Neni 23:

“Porta zotohet të zbatojë me përpikëmëri në ishullin Kreta rregullat organike të vitit 1868, duke iu bashkangjitur modifikimte të cilat do të konsiderohen të paanshme.

Rregullat e tilla, të adaptuara për nevojat e vendasve, përveç kur është fjala për shkarkimin nga importi i akorduar për Kretën, do të zbatohen njësoj në të gjitha pjesët e Turqisë Europiane, për të cilat nuk është paraparë ndonjë organizim i veçantë me këtë traktat.

Porta do të ngarkojë komisione të veçanta, në saje të të cilave elementi indigjen do të jetë gjerësisht i përfaqësuar për të elaboruar detajet e këtyre rregullave të reja në secilën provincë.

Projektet e organizimit, të cilat burojnë nga kjo marrëveshje, do t’i paraqitën si detyrë Portës, e cila para se të dekretojë aktet ligjore për të mundësuar zbatimin, do të merr mendimin e Komisionit Europian të themeluar për Rumelinë Orientale.

Neni 24.

Në rast se Porta dhe Greqia nuk arrijnë të merren vesh për rregullimin e kufirit të paraparë në Protokollin e trembëdhjetë të Kongresit të Bërlinit,- Gjermania, Austro-Hungaria, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Rusia ofrojnë ndërmjtësimin e tyre për të dyja palët për të lehtësuar negociatat”.

***

Greqia e trimëruar nga dobësimi i Turqisë dhe angazhimi i shqiptarëve në luftën kundër Malit të Zi për mbrojtjen e trojeve në Veri, u përpoq të organizojë e çojë në kryengritje popullsinë e Epirit, që dominohej nga Shqiptarët,  gjoja se po duan të shkëputen nga Turqia e t’i bashkoehn Greqisë. Por nuk mund arriti këtë dredhi e qëllim. Përkundrazi, Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me seli në Janinë, dhe Komiteti i asaj Dege në Gjirokastër, u organizuan të bëjnë qëndresë të armatosur, për të mos lejuar zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit,  që trojet shqiptare të Epirit t’i jepen e bashkohen Greqisë.

Me qenë se dispozita e nenit 24 të Traktatit të Bërlinit nuk ishte një vendim i prerë për ta zbatuar pa diskutim, por ishte një rekomandim i fuqive të mëdha që të merren vesh Perandoria Osmane dhe Greqia për caktimin e kufijve, kjo rrethanë bëri të mundur që shqiptarët të organizoheshin për rezistencë kundër apetiteve greke.

Edhe Perandoria Osmane e zvarriste procesin e bisedimeve për kufirin, me vonesën e formimit të komisionit dhe me caktimin e vendit për bisedime. Me presionin e fuqive të mëdha, në dhjetor 1878, Pearandoria Osmane formoi komisionin  e vet, me këtë përbërje:  Gazi Muhtar Ahmet Pasha, kryetar, që ishte ushtaraku më i njohur i Perandorisë;  Vuhan efendiu, këshlltar në Ministrinë e Drejtësisë, dhe Abedin Dino, nga Preveza e Çamërisë, që asokohe ishte komesar i Bursës së Stambollit, por që njëkohësisht ishte dhe anëtar i Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Vilajetin e Janinës. (Ky më vonë u emërua ministër i punëve të jashtme të Perandorisë). Emërimi i Abedin Dinos në këto funksione kishte për qëllim të qetësonte shqiptarët.

Komisioni i qeverisë së Greqisë përbëhej nga gjenerali Sucos, Zinopulos, sekretar përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe koloneli Kolokotronis, agjutant i mbretit Jorgo.

Pas shumë mosmarrëveshjeve, më në fund ishte vendosur që bisdimet të mbaheshin në qytetin e Prevezës.

Më 11 janar 1879, u mbajt në Prevezë Kuvendi i Lidhjes Shqiptare – Dega e Prevezës, në të cilin u muar vendim për mobilizim të armatosur për të mbrojtur trojet nga copëtimi dhe aneksimi Greqisë. Nga ai Kuvend iu dërgua memorandum fuqive të mëdha, duke e kundërshtuar Protokollin 13 të Kongresit. Në Prevezë kishin ardhur delegacione nga Veriu, në përkrahje të mbrojtjes së Çamërisë dhe Epirit. U formua Komisioni ushtarak, i kryesuar nga Vesel Dino, për të organizuar forcat e armatosura, dhe Komisioni diplomatik, me kryetar Abdyl Frashërin, për të mbrojtur çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Më 28 janar (1879), kishin arritur në Prevezë anëtarët e delegacionit grek. Shqiptarët i pritën me protestë dhe brohori e të armatosur. Bisedimet  filluan më 6 shkurt, por për shkak të protestës së zhurmshme e të armatosur të  shqiptarëve para selisë ku zhvilloheshin bisedimet, delegacionet u detyruan që bisedimet t’i vazhdojnë në një anije, në Skelen e Prevezës. Bisedimet vazhduan më 6, 10 e 11 shkurt, por nuk ishte arritur marrëveshje. Pala greke kishte insistuar të zbatohej Protokolli 13, por pala turke nuk e konsideronte të obligueshme  zbatimin e tij.  Bisedimet ishin ndërprerë më 13 shkurt, për një kohë të pacaktuar.

Në ndërkohë, shqiptarët përgatiteshin për mbrojtje; kishin grumbulluar në Prevezë ushqime për 40.000 veta, të mjaftueshme për një vit rezistencë. Llogarisnin se armët do i merrnin nga depotë e ushtrisë osmane.

Njëkohësisht, Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, me një memorandum të gjatë,  më 30 mars 1879 u nisën për të vizituar kryeqytetet e fuqive të mëdha: Romë, Paris, Londër, Berlin, Vienë e Stamboll (delegacioni nuk planifikonte të vizitonte Moskën, ngase nuk do kishte ndonjë dobi nga ajo vizitë). Në Romë, Paris e Londër, delegacioni shqiptar u prit nga nga ministrat e jashtëm, kurse në Bërlin dhe në Vienë nuk ishin pranuar! Në ndërkohë, ministër i punëve të jashtme të Perandorisë Osmane ishte emëruar Abedin Pashë Dino, i cili luajti rol në mbrojtjen e Çamërisë e cila kishte popullsi të pastër shqiptare.

Greqia nga ana tjetër, kërkonte nga fuqitë e mëdha që ta detyrojnë Perandorinë Osmane të zbatojë Protokollin 13, respektivisht nenin 24 të Traktatit të Bërlinit.

Por gatishmëria e vendosur e shqiptarëve për mbrojtje të armatosur, dhe diplomacia e Lidhjes Shqiptare, ndikuan që fuqitë e mëdha, më 24 maj 1871, në Stamboll e abroguan Protokollin 13, respektivisht nenin 24 të Traktatit të Berlinit, dhe në vend të Epirit ia dhanë Greqisë Thesalinë dhe disa vise me popullsi greke në juglindje të Epirit, me një sipërfaqe të përgjihshme prej 13.400 km.katrore.  Janina me Çamërinë mbeten nën sundimin e Perandorisë Osmane, në saje të ambicjeve të Italisë që kishte për Janinën.

Por kjo gjendje nuk zgjati shumë, pasi në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, pas Luftës Ballkanike,  më 29 korrik 1913, Çamëria dhe i tërë Epiri i Jugut iu dha Greqisë. Kështu, padrejtësitë e fuqive të mëdha kundër popullsisë dhe tokave shqiptare që bëri Kongresi i Berlinit, i përfundoi Konferenca e Londrës, duke tkurrur trojet shqipare e duke lënë një pjesë të madhe të popullsisë shqiptare nën mëshirën e regjimeve fashiste e raciste serbe, malazeze, greke e më vonë edhe maqedone.

***

Me përfundimin e Kongresit të Bërlinit, pas ceremonies së nënshkrimit të shtatë ekzemplarëve të Traktatit (Kontratës) së formuluar në 64 nene,- kryesuesi Oto von Bismark, iu drejtue të panishmëve me një fjalim të shkurtër rasti, duke thenë: ”Këtu i shpalli të pëfunduara negociatat e Kongresit. Duke përmbushur obligimin tim të fundit si kryetar, dëshiroj të ju shpreh falënderimin e Kongresit të të autorizuarve,të cilët kanë punuar në komisione, në veçanti zotit Depresh dhe princit Hohenlohe. Më tutje, falënderoj sekretarinë për përkushtimin me të cilin ka kryer punën e vet, duke lehtësuar kështu punimet e Kongresit.

Zotërinjë, në momentin kur po ndahemi, kam të drejtë të theksoj se Kongresi i ka bërë një nder të madh Europës. Edhepse ishte e pamundur të përmbusheshin të gjitha shpresat e opinionit publik, historia do të japë gjykimin për qëllimin që synuam dhe për rezultatet që arritëm. Të autorizuarit mund ta kenë ndjenjën që,  në kuadër të mundësive të tyre, ia kanë kthyer dhe siguruar Europës bekimin dhe paqen, e cila u kërcënua seriozisht. Këtë rezultat nuk mund ta zbehë asnjë kritikë. Shpresoj se mirëkuptimi në Europë, me ndihmën e Zotit, do të jetë afatgjatë dhe se lidhjet tona të përzemërta personale,të cilat u krijuan dhe u vendosën gjatë punës sonë, do të forcojnë dhe thellojnë marrëdhëniet e mira mes qeverive tona”.

*

Fjalët e Bismarkut, se Kongresi “me rezultatet e arritura, i bëri nderë dhe i garantoi bekimin, mirëkuptimin dhe paqen afatgjatë Europës”, u demntuan pas 34 vjetëve, kur shpërtheu Lufta Ballkanike dhe në vazhdim të saj edhe Lufta e Parë Botërore, më e përgjakshme deri atëherë. Dhe la sherrin dhe rrezikun permanent të përleshjeve gjakatare në Ballkan, që ndodhi në Jugosllavi në dekadën e fundit të shekullit 20, dhe kërcënimin që në çdo moment mund të shpërthejë lutë e re e përgjakshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok