23/12/2024

Burgu qenka vetë jeta…

0
Shefqet-Kelmendi

Bisda e mbetur e pa botuar e profesorit tim

Nga Hasan Hasanramaj

Rruga përshkruese nuk matete me kohën, por me përjetime, me dhimbje e buzëqeshje e pakta, të cilat në shiritin e  ndërgjegjejës sime lanë gjurmë të cilat flasin, gjurmet që shpesh i ngjanë mishit të huaj, që më shumë kujton fjala limon se sa ato vetë. Është fjala për çaste që dëshmojnë së jetuam, por për fat të keq nuk jemi me ata të cilët ishim dikur?!

Jeta i ngjaka një lëmshi me pejë. Dikush e len lëmshin ende pa fillua mirë. Të tjerët, rrezo e ço, e shtjellojnë disi. Lëmshi, ku me shumë, e ku më pak dalin të nagatrruar me pej. Askush nuk  e zhvillon lëmshin deri në fund pa ju ngatërrua ndonjë herë. Po njerëzve u ka qëllua lëmshi me  për dreq: terhi e këput, tërhiq e këput deri në fund. I tillë qelloi edhe lëmshi i im- na rrëfeu në fillim të rrëfimit mjaftë interesant dhe tronditës për lexuesit e gazetës “Bota sot”- profesori i shumë gjeneratave të nxënësve në fshatin Isniq të Deçanit ,Kosovë dhe Shqipëri, nacionalisti dhe aktivisti i mirënjohur i Levizjës kombëtare shqiptare, Shefqet Kelmendi i ndjekur nga UDB-eja Jugosllave, i burgosur, i persekutuar dhe i denuar me denimin më të rëndë- vdekje kendej dhe andej kufirit shqiptaro- shqiptar,  në ditet më të mira të jetës së tij, kur kombit të vet i nevoitete me së shumti . Barbaret serbe dhe bashkombasit shqipta nga Shqipëria Enverisre e burgosen nëpër kazamatet Jugosllave –shqiptare.

Këto ditë dhe momente më të vështira të jetës së tij kur e mbyllen prapa grillave e la më të dashuren e jetës së tij pa bashkëshort, fëmijët pa përkledhje e më të dashurit të tyre të mirënjohura.

Mendime të turbullta. Të ngrohta e të ftohta. Të bardha e të zeza. Një film i përshpejtuem me drithërima të kandshme mbrenda meje. Shfaqet e rishfaqet, gjithmonë duke pasë në fund fjalët: turp e kënaqësi marramendëse. Po vloj si vegshi në valë. S’jam ajo që isha, nji grue e fisme, e pastër. Jam tjetërsue. Kam dalë nga hatullat. E grisa tisin e turpit. Qenkam krijesë e dobët. Ndoshta kështu janë të gjitha femnat. Me këtë po ngushëlloj vetveten. Si shkallova kështu? Më ka marrë koka erë. …Papritmas më doli përpara. Në dhomën e gjumit! U tmerrova kur e pashë. Mandej-s’di se si po ma qet goja- desh më iku mendja nga tërbimi i dalldisë. Më hodhi në nji botë që s’e kisha njoftë ma parë. Në nji livadh tjetër… E grue burri. E ç’burrë se! Dhe nanë tre fëmijësh. Turpi s’paska brina. Përpara të tjerëve ndjehem si e zhveshun lakuriq. Më bahet se të gjithë e dinë. Dhe, mesa duket, dinë diçka. “Të ka ra çehre tjetër- më tha Suta, shoqja ime. Më dukesh disi ma e zjarrtë.“. …Ishte alamet djali! I bukur, i hedhun dhe mjeshtër…

Sa cipëplasun u bana. Ishin tri netë që kurrë s’harrohen. Edhe tri të tjera… E tri të tjera akoma. Dhe s’u duk ma. Nuk  e mbajti premtimin. Ndoshta bani mirë. Ndoshta…Ai diti me më dashtë, me më zhveshë lakuriq me trup e shpirt. U dhashë me gjithë ç’kisha e ç’dija. E ndjej se është turp, po para arsyes më flet shtati, shtati im shpërthyes. Sa ngusht e ndjeva veten përpara Dakës, kur u kthye nga Zbori dymujor. E ndjeja se po më tradhëtonte pamja. E i miri Dakë, i shqetësuem, mendoi se isha e  sëmurë. Dhe vërtetë e sëmurë isha. Ai kurrë nuk dyshoi në mue. Gjithmonë më ka besue. Kam frikë se ky besim i tij një ditë ka me më vra. Bim Shketa-kështu quhej djaloshi- më qe vardisë edhe disa ditë ma parë e ia pata kthye shpinën. Por s’pata çka me ba kur papritmas ai u gjend në dhomën time. I kotë qe kundërshtimi im. Femna, natyrë e brishtë. U bana e poshtër. Edhe në shtrat me Dakën, me Dakën që e due, ai më del përpara sysh. Po, meqë kjo s’do të përsëritet më, shpresoj se edhe turpi do të vijë duke u zvogëlue. Do të mbetet si nji pikë e zezë në ndërgjegjen time për me e marrë me vete në vorr.

Fisnikëria e Dakës  me këndelli nga mjegulla e turpit…

Gjendja sa vjen e qetësohet. Sikur po i afrohem ujit të pastër. Po dal nga ai pellg i fëlliqun. Është fisnikëria e Dakës ajo që po më këndellë nga kjo mjegullnajë turpi. Janë edhe fëmijët, tri lulet tona: Pamiri, Zana, si dhe Liraku ferishte me buzëqeshje hyjnore. Pamiri, si i ati. I qetë e gojëambël. E Zana, hyjneshë bukurie. Janë gëzimi ynë në skamjen tonë. Si gjithë të tjerët rrotull nesh. Bashkë me Dakën punojmë në fermë. Po ai ban punë ma të rënda. Dhe, kuptohet, paguhet ma mirë. Sot i gëzoi  sndale të bukura plastike. Kurse mue më kishte ble nji basmë për fustan. Mbramë hangrëm edhe nji darkë të mirë. S’na mungoi as mishi. Shkurt, bajmë një jetë të qetë. E kaluemja ime e errët mbrenda meje ka mbetë si nji andërr munduese, e neveritshme. Kohën e lirë Daka e kalon në shtëpi. Dy shokët e ngushtë që kishte ia rrasën në burg. E për këtë nuk u befasue shumë. Nji ditë më tha: “Grishë, kjo nesër mundet me më ndodhë edhe mue. Se kështu shkojnë punët këtu. Por nëse ndodh, t’i duhet të jesh e fortë, burrneshë.“. Ai punon në atë grimë kopësht që kemi, po të shumtën e kohës rri me krye në libra. Edhe shkruen diçka. E shkrimet i fsheh. Ndëgjon edhe lajmet në italisht e frëngjisht në radion tonë të vjetër. Shpesh më ofron edhe mue ndonji roman për me e lexue. Por unë s’e kam vullnetin e tij. Shkurt ndjej se jemi mirë. U rrëzue kulmi i shtëpisë! Ma burgosën Dakën, bashkëshortin tim, babën e tre fëmijëve. Ma mbyllën derën. Qaj unë. Qajnë fëmitë, qan nënë Zakja më shumë. Qajnë trentë e shtëpisë. Por me lotë nuk u zgjidhja gjë. Shtëpia më ra në krye por unë nuk duhet të dorëzohem. Duhet të jem e fortë. Dhe s’jam e fortë në këtë murtajë që na ra për hise. Sa qe gëzue kur lindi fëmija i tretë. Liraku e quejti. Ka gjashtë muej që krye çdo pesëmbëdhjetëditëshi unë shkoj në hetuesi për me i çue ato pak ushqime që lejohen. Mendoja se t’i jepnin normën-dhjetë   vjet burg, si shumë të tjerëve. Si Gjergjit e Musait. Por Dakën e dënuen pesëmbëdhjet. Nji fjalë goje. Nuk u mjaftoi kjo, por kërkuen nga unë që ta mohoja si bashkëshort. Përndryshe do të më internonin. Me dhimbje shpirti e lotë në sy, ia ktheva shpinën qytetit të vendlindjes, shtëpisë ku hoqa duvakun. Përfundova në nji fshat të humbun, në baltë dhe vorfni të tejskajshme. Në mes njerëzish që ishin larg botës sime. Punoja shumë e paguhesha pak. Dhe tej mundësive që kisha, duke ua tha gojën fëmijëve, rregullisht tri herë e takova Dakën në kamp. Atje larg ku ban dreqi vezë. Një herë krye çdo tremujori, gjithmonë më data. 1 ose 2 të muejit. Takim mes hekurave. Për pesë minuta kohë. E ndjeja veten që isha në luftë. Dhe e rueja krenarinë.

Po për cilin i paskam ba këto sakrifica?!  Për një palaço burrë! Për një qelbësinë… Për atë që dogji jetën tonë. Si nuk e paskam njoftë? O Zot!

Ma thoni hapur të vertetën…

Kur shkova herën e katërt nuk më lanë me e takue. As ushqimet s’mi pranuen. Ndodhej në birucë, e simbas rregullores, asgja s’lejohej. U luta e u stërluta që të m’i pranonin ushqimet, po skuqet guri nga fjalët? E njejta gjë më ndodhi edhe pas tre muejsh. Prapë në birucë. Kur kjo u përsërit edhe herën e tretë, e humba durimin dhe kambëngula me çdo kusht që të më jepnin sqarime rreth arsyes se pse ndodhej në birucë sa herë që unë vija për takim. E oficeri i rojes, me mirësjellje dhe zë ma se njerëzor, më tha se Daka nuk sillej mirë. S’asht e mundun! Këtë nuk e besoj. E njoh tim shoq. Ai asht njeri me kulturë. Ashtu mendoni ju, se nuk e dini ç’bëjnë këta njerëz me kulturë, siç i quani ju.

-Ma shkoqun, ju lutem. Ma thoni hapur të vërtetën!

Daka, m o j  m o t ë r,-m’u drejtue me keqardhje- është pederast. Madje pasiv. E kuptoni këtë fjalë?

-Kjo është shpifje!-u tërbova unë-Ashtu mendoni ju, por ne e kemi zënnë me brekë nëpër këmbë. Është profesioni i tij…

Shtanga. Veç që s’më ra pika. Sytë m’u errën. Ndjeva se diçka m’u shkëput nga krahnori. Ashtu e marramendun, ia ktheva shpinën asaj godine mishngranëse, për të  mos e pa kurrë më. Rrugës turfulloja e flisja me vete. Ç’fat i zi. Dhe, për dreq-me të kam tre fëmijë. Ç’t’u them të tjerëve? Se s’asht diçka që mund të thuhet. A e meritoja këtë dënim? Vërtetë edhe unë qeshë fëlliqë, por pa e kërkue. Ai ma punoi. Fundja unë jam femën, kurse ai prej burrë bahet femën…Ptu!…

Vonë mbërrita në shtëpi.

Au lodhe, nuse?-tha vjehrra duke më dalë përpara.

-Ptu, për djalin që paske lindë!

-Çka flet kështu, moj nuse! Je në vete?

-Zhduku e mos më dil ma përpara!

-M’u ftohën edhe fëmijët. Se gjaku i tij. Shkurt Dakës i vuna kapak nji herë e përgjithmonë. Qëkur e burgosën Dakën- pështirë po më vjen me ia përmendë edhe emnin- qeshë përpjekë me i fshehë hiret që m’i ka falë Zoti, me aq sa mundja. Se bukuria asht dritë që nuk mbulohet lehtë. Më ranë edhe hallet mbi krye. Nuk më banin përshtypje shikimet dhe fjalët që m’i hidhnin të tjerët. E për cilin i paskam ba këto? Për nji qelbësinë…

Jeta-nji udhëtim rrzo e ço. Me kahje djathtas e majtas. Mesa duket qenka hise për gjithsecilin. Ndoshta me këtë po gënjej vetveten. Unë nuk di me i pa gjanat hollë. Se po të dija, s’do ta kisha këtë fat. Megjithatë, po flas sikur di diçka. Djathtas ecin ata që janë të matun, të durueshëm e të kujdesshëm. Që dinë me e kontrollue vetveten, me dalë mbi vetveten. Me i vlerësue gjanat drejt. E kundërta-krahu i majtë-njerëzit që paraprihen ma shumë nga instinktet. Që arsyen e vënë në punë mbas kosit. Sot-po e theksoj, sot- ndjehem në mes të këtyne dy krahëve. Qënia grue e paburrë më ngacmon fuqishëm. Pavarësisht se ndodhi ajo që s’duhej të ndodhte, unë sikur u ktheva në hullinë time të parë. Mirëpo në gjendjen e sotme, pse ta fsheh, kujtimi i atyne tri netëve me Bim Shketën ka fillue me m’u ringjallë. Më duket sikur ka ndodhë dje. Femna i ngjaka tokës që digjet për ujë. Kur shtrihem me fjetë, nji langëzim drithërues ma përshkon shtatin tash që i vuna kapak Dakës. E, jam fajtore që mendoj kështu? Jam e re, e bukur dhe në vlugun e moshës. Por koha është ajo që i zgjidh të gjitha çështjet.

Kaloi edhe ky dimër i mërzitshëm në këtë katund të humbun. Bari ka mugulllue. Nxorën krye sythat e para të gjetheve. Njomësia e pranverës ndjehet kudo. Edhe mbrenda meje. Gjallnia e mbrendshme, deri dje si e përgjumun, ma saktë e ndrydhun, asht zgjue. Pse të mos e gëzoj jetën? Pse të digjem mbrenda vetvetes? E për kë? Kush ma di? Shkurt, përditë e ma shumë ndjej nevojën e dorës së nji mashkulli. Deri dje kësaj gjendjeje i thoja JO. E tash ka nxjerrë krye e kundërta-PO-ja. Ndodhem mes të dyjave. Disa femna këtë PO e kërkojnë e nuk e gjejnë sa herë ua do shpirti. Për mue kjo asht fare e lehtë. Cili asht ai që s’ka dëshirë me i njomë buzët në gurrën me ujë kristal që i joshin e i ngacmojnë edhe kalimtarët e rastit?

Vendosa me ia çue fitilin kandilit. Molla e fshehun doli në dritë. Por ç’e do-femna krijesë e dobët-nganjiherë bahet kafshatë edhe për atë që s’e meriton.

Po punoja në vijat kulluese të arës me misër. Punë kjo e lehtë, që ma kishte zgjedhe brigadieri mbasi kishte vërejtë ndryshimin tim. M’u afrua kur s’e prisja. Më përshëndeti e bana sikur nuk e ndigjova. Në atë çast isha e mërdhezun. Po vloja përmbrenda. Ai e kuptoi dhe ma grabiti nji puthje të rreshkun. S’pata forcë me e

kundërshtue. Mandej, dihet…U dalldis nga kënaqësia. Ndoshta unë ma shumë. Se mbas kaq kohësh…

Nuk e çova gjatë me brigadierin. S’ishte për buzët e mia. U lidha me nji djalë bukurosh, por edhe nga ai u largova shpejt, sepse kuptova se shkonte edhe me të tjera. Radha i takoi magazinierit të kooperativës, nji burrë i pashëm, por i martuem. Ai më ndihmoi edhe me ushqime. Në vjeshtë, tëksa po kaloja rrugës, më ndaloi operativi i zonës. Sikur s’po vete më tek yt shoq?- m’u drejtue.

-Pse të mendoj për atë që s’po mendon për mua?

Dëshiron të kthehesh në qytetin tënd?

-Pyetje asht kjo?

-Do të bëhet. Por më parë duhet të bashkëbisedojmë.

E kuptova ç’kërkonte dhe iu binda, ndonëse s’më pëlqente si burrë.

Qendra paskësh vendosë me ma heqë internimin. E, për zbatim të çështjes e kishin ngarkue këtë, rast të cilin ai e shfrytëzoi në mënyrën e tij. Mjedisi rrethues ndikon tek njeriu. Botë tjetër. U përtëriva. Ky vend më fal humor e shpresë. Ashtu si dita pranverore me diellin rrezatues. Jeta në atë fshat të humbun ishte e kotë për mue. Njerëz të humbun e me shije të kufizueme. Shtëpinë e gjeta të damtueme.

  1. Ia plasa shpirtin deri sa i rash në dorë …

Me dritare të thyeme, me suva të rame në shumë vende, e me oborrin mbushë me ferra. Si shtëpi e lanun shkretë. Po qyteti qytet. Tjetër gjallni. Mandej ishte vendlindja ime e sa e sa kujtime. Në fermë pagesa ma e mirë. Po kjo punë nuk zgjati shumë. Kur vijnë të mirat, hapua derën. Më ofruen punë në fabrikën e duhanit. Punë e lehtë e rrogë edhe ma e mirë. Kjo, mesa duket si shpërblim për faktin se kisha heqë dorë nga im shoq.

Brigadieri i repartit ku punoj, Tomi quhet, më priti buzagaz. Duket se i pëlqeva. Nji burrë i pashëm rreth të dyzetave. I pamartuem. Që në fillim m’u vardis, por nuk i dhashë shteg, sepse shkonte me të tjera. Kur e kuptoi ngurrimin tim, m’u betue se tash s’mendonte për tjetër femën veç meje. Por unë prapë s’iu dhashë. Doja të bindesha për ato që më thonte. Shkurt, ia plasa shpirtin derisa i rashë në dorë. E kur kjo ndodhi, ai u dha shumë mbas meje. Femna e squet me hire shumë di me e mbajtë të dashtunin gjithmonë të uritun. Takimet i banim si me të vjedhun. Meqë m’u lut shumë, nji ditë i shkova në shtëpi dhe aty, si me dhunë, më mbajti tanë natën. Të nesërmen i gënjeva fëmijët sikur gjoja kisha punue dy turne rresht. Ata më besuen. Si të mos i besonin nanës që po i rriste e po i ushqente. Shkurt, me Tonin u bamë si burrë e grue. Më kërkon shpesh t’i shkoj në shtëpi, por rrallë i bindem. Më lutet që t’i braktis fëmijët e të bashkëjetoj me të, gja që unë s’mund ta baj. Janë ende të vegjël. Nuk më zemërohet. Më do me gjithë zemër.

Pamiri e kreu tetëvjeçaren dhe filloi punë në fermë. Do të donte me e vazhdue shkollën, se nxanës i shkëlqyem. Por djali i armikut s’mund të shkollohej. Sa kthehet nga puna, ha bukë e menjiherë me krye në libra. Lexon edhe italisht. Eglendiset edhe me radion e vjetër. Asht fjalëpak. I ngjan të atit. Tash që filloi punë, ndjehet burrë. Ka fillue me ndjekë edhe lëvizjet e mia. Me bisht të synit më shikon kur vishem. Edhe mënyrën se si ha bukë. Se, vërtetë nazike jam nga natyra. Mbramë hangrëm nji darkë

të mirë. Madje bamë edhe humor. Kësaj radhe afrova edhe vjehrrën Zake. E iu ngroh shpirti. Edhe kafen mbas buke vetë ia poqa. Dakën nuk e kujtuem fare. Ua kisha ndalue me kohë përmendjen e emnit të tij. Biseduem për gjana të rëndomta. Për libra ma shumë. Ua tregova edhe përmbajtjen e dy filmave që kisha pa dikur. Sa mirë do të

qe sikur kështu ta kalonim përnatë. Edhe ma mirë akoma sikur të mos kishin ndodhë ato që ndodhën. Lakmi ia kam Sutës. Edhe ajo burrin në burg, po larg fatit tim nopran. Për mue çdo gja asht e vonueme. Edhe po të doja me u bashkue me Dakën-mendim çasti ky- nuk do të pranojë ai, se emni im ka marrë erë. Duhet ta pranoj: i ngjaj sarhoshes që, edhe pse e di që rakia e damton, nuk rri pa e vu në buzë. Madje raki të mirë, të fortë.

Daka asht me kulturë, duhet ta pranoj. E njeh jetën. Edhe filozofinë. Shpesh më fliste për çështje që jo gjithmonë i kuptoja.

…Si çdo gja tjetër në gjithësi, Zoti ka krijue edhe djallin. Po djalli jeton mbrenda njeriut. Nuk vepron tek të gjithë njilloj. Disa, pakica, njerëz që dinë me mendue, të shumtën e kohës e lanë si në gjumë. Te këta njerëz, para instinkteve vepron zemra. Kurse tek shumica ma shumë drejton djalli, joshja ngacmuese e instinkteve të shumta. Pak a shumë kështu më thonte Daka. Simbas këtyne fjalëve, që për dreq m’u kujtuen, unë i takoj shumicës. Por a mund të jetë e gabueme shumica? Fajtore qenkam që Zoti më ka krijue të bukur? Se më vlon gjaku? Këtu nuk shoh mëkat. As turp.

U mora edhe unë me filozofi, për çka femna nuk ka kërrçik. Po përpiqem me përligjë jetën time. Ndoshta prejse s’jam në gjendje me e mbyllë digën e pasioneve. Rrjedhës mund t’ia ndryshojmë drejtimin, por ujin s’e ndalim dot.

Shoqet më janë shmangë. Ma saktë i kam largue unë, sepse filluen me më dhanë mësime, me përjashtim të Lumes. Ajo s’më bie ndesh. Prandaj iu përgjigja ftesës që më bani për ditëlindjen e saj. Tek po përgatitesha me shkue tek ajo, për dreq gjeta në sirtar nji letër të kahershme të Dakës. Paskësh harrue me e grisë. Ma prishi humorin. Ishte nga ato letra që m’i dërgonte mbasi u shkëputa nga ai. Nji letër për çdo muej. Aq sa lejohej. Dhe kjo vetëm nji fletë fletoreje. E shkrueme bukur e me shumë kujdes. Por ai shkruej e unë hiç. As që i lexoja fare. Dikur i ndërpreu. Më la të qetë. Mesa duket edhe ai më ka vu vizë. Do të ketë ndigjue fjalë jo të mira për mue. Sot fëmijët janë shqetësimi im. E kam të vështirë me ua kthye shpinën. Sidomos Zanës. Tek ajo shoh rininë time pa rini. Herët mbeta jetime. Axha më rriti.

Zanë, bija ime e shtrenjtë, mos e paç fatin tim!

Po flitet se do të ketë amnisti për të burgosunit. Kanë ndigjue edhe fëmijët. Dhe ndjehen të gëzuem. Ndjej se ma shumë e don atë se sa mue, megjithëse për ta po coptohem. Kanë fillue edhe mos me m’u bindë. Sidomos Pamiri. Sot. Po nesër? Duhet ta mbyll me Tomin, sa asht ende koha. Sepse Tomi nuk e ka të vështirë me gjetë ndonji tjetër. Ka fillue me e humbë durimin me fjalët e mia „prit edhe pak“. Po fëmijtë u rritën. Që të tre janë në punë. Edhe Liraku iu përvesh punës. Pas nji mueji e kreu tetëvjeçaren. Mendimin për me u bashkue sa ma parë me Tomin, tërthorazi ma nxiti Drandja, nji malësore plakë, por ende e bukur. Merre me mend si mund të ketë qenë e re. Kur e pyeta se a mbahej, m’u përgjigj:                                                                                                                                                  -Jo, kam mbarue.

-Po mue m’dukesh mirë me shëndet.

-Po, shëndosh jam. Por, moj Grishë, kur gruen s’e lutë ma asnji mashkull, ajo ka vdekë.

Qesha me lotë. Por ma vonë u ngrysa. Nji gja e tillë më priste edhe mue mbas do kohësh. Madje, shenjat e para kanë nisë me u shfaqë. Zemra vërtetë nuk m’asht

plakë, por thinjat e para kanë nisë me u dukë. Pulpat e kambëve nuk i kam aq të rrasta si dikur. Edhe gjoksi sikur e ka humbë krenarinë. E kujt do t’i duhem atëherë?

Sytë e përlotur të fëmijëve të mijë

Tomi po më pret. Përpara meje sytë e përlotun të fëmijëve të mi. Do të bahet ajo që asht shkrue me u ba.

Më qe lutë Pamiri për me e takue të atin në burg e, me rreptësi e ndalova. Nuk e meriton, i thashë. Ma vonë do ta kuptoni se ç’babë asht ai. Por sot Pamiri më tronditi me këto fjalë: “Të kam pa tue hy në shtëpinë e Tomit. Çka kërkoje aty?“. E qortova randë për dyshimin e tij. Ai nuk e zgjati ma, por ndjeva se nuk më zuni besë. Mbramë, si asnjiherë tjetër, erdhi shumë vonë. Qeshë ba marak.

-Pse kaq vonë?-iu drejtova rreptë sapo hyni.

-Takova babën në burg.-m’u përgjigj me nji qetësi të çuditshme. E humba durimin dhe iu vërsula.

-Mos gabo me më ra.-tha tue u çue në kambë- S’jam i vogël dhe e di çka baj. Bana atë që ti duhej ta kishe ba me kohë.

-E kemi babë, moj nanë.-ndërhyni papritmas Liraku, ndërsa unë atypëraty ja këputa shputë turijve.

-Nuk e di, mor këlysh, se ç’mut babe asht ai! Më vjen marre me jua thanë se çka ban ai.

-Ma parë shiko turpin tand!- foli Pamiri.

-E ç’turp të kam ba, ty mos t’pastë nana?

-Atë që e dinë të gjithë: lidhjet me Tomin tand të dashtun.

-E due, pra!-nuk e di se si më plasi damari.

-Mos fol ashtu, moj nanë.-ndërhyni kësaj radhe Zana-Se këta mendojnë se asht e vërtetë.

Në këtë çast trokiti dera. Ishte Dila, fqinja jonë e mirë, edhe ajo me halle shumë: burri të pushkatuem e djalin në burg.

E dielë. Pushim. Po hanim drekë. Nji drekë e bollshme. Se tash kemi katër rroga. Tek po hanim, vuna re se Pamiri po më përvidhte me sy. Ndoshta ngaqë haja me naze, natyrë e imja kjo. Po mesa duket, ma shumë ia tërhiqte vëmendjen fustani im i ri me vija zebre, që aq shumë më rrinte për shtat.

-E ke ba shpinë e Tomit si tanden.

E humba. Luga më ra nga dora.

-Dil jashtë e mos t’i shoh ma sytë!

-Kjo asht shtëpia e tim eti. Ma mirë ban me ikë ti. Se ti je ajo që                                      Nuk hapa gojë. U mendova paksa dhe u ngrita në kambë. Mijra mendime zienin mbrenda meje në atë çast. Dhe, ashtu e marramendun, u solla disa herë nëpër dhomë. Çdo gja më dukej e zezë, përveç Zanës. Por edhe ajo gjaku i tij asht, sikur më foli dikush… Çka lypë në këtë shtëpi? Dhe atypëraty, me shpejtësi të çmendun, mblodha disa rraqe të mia, në nji kohë që Zana filloi me dënesjet e saj. Edhe djemtë sikur u mpinë. Por tash ishte vonë. Kisha vendosë. Kishte ardhë koha. -Po ju la rehat.-u thashë teksa po dilja-ndoshta keni me e kërkue këtë nanë të keqe.

Dhe e mbylla derën. Në të vërtetë e kisha mbyllë me kohë.

Tek po ecja si e ndërkryeme, sesi m’u kujtuen dy vargje të nji poezie popullore: “Mos iu shmang burrit të parë/ Se i dyti t’del me fjalë…“. Por kishte marrë fund çdo gja. Së fundi, ai më la. Mashkulli u ba femën. Ç’neveri. Zaten gjithmonë ka qenë i butë. I butë asht edhe muti.

Sa u gëzue Tomi kur më pa. Iu duk sikur i shkova me krushq. Si me dorë ma largoi mjegullën që po më randonte në gjoks. Gjallni e forcë më dha. Femna ka nevojë me u mbështetë tek nji burrë.

Ftohtë. Shi. I veshun kollomoq e me çadër në dorë, si pika shiu rigonin mbi mue përshëndetjet e të njoftunve. Përepara hotelit, në qendër, nji lypës ndanë rruge. Nga zani s’duhej të ishte ma i madh se shtatë-tetë vjeç. Para tij bohçja që priste lëmoshë. I mbuluem fund e krye me nji si mushama, djali këndonte, në pritjen e tingullit të ndonji qindarke. I hodha nji monedhë, e më erdhi keq që ia preva kangën. Ai ndjehej i lumtun në mënyrën e tij. Ma i lumtun se unë. Ia pata lakmi.

Nuk ndjehem mirë. Kaherë më ka humbë qetësia. Ndonëse s’më mungon asgja. Por kjo s’qenka e mjaftueshme. Edhe me shëndet s’jam keq. Askund s’më dhemb. Më dhemb shpirti. Diçka randon mbrenda meje.

Jetë e kotë. E përkohshme. Si vonë po e ndjej kuptimin  e këtyne dy fjalive.

…Zgafellat e mia të errëta… Hapa mbi kurrizin e të tjerëve…hapa tinzarë që kurrë s’u morën vesh se ishin të mijtë. Këta hapa sot randojnë në ndërgjegjen time. Nji za më thotë: “Edhe ti ke me shkue atje ku i çojnë të tjerët para kohe…Çka fitove veç turpit? Se hangre e vazhdon me hangër groshë edhe për pak kohë…Përfundimi: faqja e zezë në këtë jetë e në atë jetë…“.

Edhe andrrat s’po më lanë të qetë. Paska diçka që njeriu e merrka me vete në vorr. Ky lamsh sa vjen e po më zmadhohet. Rrënova të tjerët, ashtu siç ma kërkuen ata që vrajnë e kthjellin. Jam njeri i dobët. Vrava të pafajshëm të cilët asqë i njihja. Kjo tokë mbaka gjithfarë plehu. Se përsëri po më pëlqen zvarrisja. Të tjerët më njohin si burrë të mirë. Intelektual, universitar i shkëlqyer, bir i një dere të shqueme në qytetin tonë të stërlashtë. Vazhdoj të jem i nderuem, se s’më njohin cili jam. Nji vdekje                                 ërsëgjalli. Femna qe dobësia ime e paskrupullt. S‘e kalbka toka të vërtetën pa dalë në shesh.

-Ulu!-më urdhnoi shefi. Dhe zuna vend në fund të tryezave në formë T-je. Ai hyni në temë menjiherë.

-Kësaj radhe do të të ngarkojmë një detyrë sa të lehtë aq edhe të këndshme. Tamam për midenë tënde.

Mbasi u sigurua për gatishmërinë time, shefi vijoi:

-E dimë se të pëlqejnë femrat dhe se je gjahtar i mirë. Po kujt s’i pëlqejnë. Madje, më duket se ke prekur edhe njerën nga ato të miat. Po nejse.

-Tani dëgjo këtu!-e mori fjalën nji tip i panjoftun që kishte ardhë nga qendra.-ne jemi të kënaqur me punën tënde. Ti di të punosh e të mos biesh në sy. Të tillë n duhen neve. Dhe për punën e bërë, besoj se shokët të kanë shpërblyer mjaftueshëm.

Pohova me krye. -Siç të tha edhe shefi, do të të ngarkojmë me një detyrë  s p e c i a l e. Meqë po rrinte në pritje të reagimit tim, i thashë: -Po ju ndigjoj.

-N d i gj o j…Intelektual dhe nuk e flet gjuhën e njësuar!

-Keni të drejtë. Më vete gjuha nganjëherë.

-Nejse. Dëgjo… Në qytetin N. banon një qytetar i rafinuar. S’kemi arritur ta kuptojmë se ç’bluan në kokë. Sepse nuk hapet me asnjeri. Kemi menduar ta zbërthejmë përmes gruas, se gruaja e njeh bashkëshortin e vet, apo jo?

Se s’i mu dha e lëpiva buzët, gja të cilën ai e vuni re dhe e vletërsoi. Pra, do t’i qepesh gruas së tij. Me ç’më thonë shokët, arti s’të mungon. Do ta pallosh për ca kohë, sepse me një të rënë të sopatës ti e di që lisi nuk bie. Do të tregohesh marrëzisht i dashuruar mbas saj; që për të je i gatshëm të sakrifikosh. Ca e nga ca, me marifet, do të tregohesh i pakënaqur me rendin tonë. Vonë, me shumë kujdes, fillo e rrëmoje aty ku ne na intereson- në pikëpamjet e burrit të saj. Sigurisht që këtë s’do ta bësh që në takimin e parë.

-Dhe ke pse i thyen këmbët pas saj.-ndërhyri shefi-Është e bukur dhe e dredh nga një çikë.

-Se kur do të vesh,-plotësoi njeriu i qendrës-do të ta thotë shefi. Çdo gjë vetëm me dijeninë tonë. Shefi do të të japë adresën bashkë me hollësitë e tjera të nevojshme. Sigurisht edhe dietën.

Ishte ora 23 e 30.

Mbas dy javësh-se takimet i bënim çdo pesëmbëdhjetë ditë në një shtëpi të braktisur jashtë qytetit-në vendin e caktuem, si gjithnji në ora 23 u takova me shefin.

-E çuditshme.-fillova unë-Tri ditë brodha më kot mbas saj. S’ishte nga ato që më thatë. E bukur po, por shumë e vendosur në besnikërinë ndaj burrit.

Shefi ndezi çakmakun për të më ndriçue fytyrën e për me u sigurue se nuk po tallesha.

-Nuk qenke i shkathët siç e kemi menduar. Paske nevojë që edhe piçkën ta rregullosh me ndihmën tonë.

-Tani e ke llokum në dorë. Të shoqin e dërguem për dy muej në ZBOR. Do të futesh tinëzisht në dhomën ku ajo flë. Ja, këtu-tha, duke më treguar skicën.-Sigurisht që në fillim ajo do të tronditet, por ti do të dish ta qetësosh dhe do shijosh kënaqësi të veçantë. Se femra femër mbetet, sidomos kur e bën për herë të parë me një të huaj. Do të qëndrosh tri netë. Mandej eja menjëherë këtu, në datën e orën që di.

Dhe parashikimi doli. S’kishte si të ndodhte ndryshe. Në fillim desh u çmend kur iu shfaqa përpara. Nuk e lashë me bërtitë. Mandej, dalëngadalë, falë butësisë e përkëdheljeve që di unë, ajo u dorëzua tue u shkri në krahët e mi si një llavë e zjarrtë. Djali dhe vajza flinin në dhomën tjetër me gjyshen, ndërsa foshnja disamuajshe ndodhej aty pranë në djep. Tri netë të paharrueme me atë femër hirëplotë.

Pa hapë gojë, shefi ndezi çakmakun, më shikoi e më tha:

-E sheh ore qerrata se sa mirë i trajtojmë ne njerëzit tanë?

Gjatë dy muajve shkova me “shërbim“ edhe tri herë të tjera. Mandej më thanë “Mjaft! Atje s’duhet të vesh më! Nuk ka nevojë!“. E për herë të parë më pati ardhë keq që një mision i tillë nuk zgjati më shumë.

Loti dhe gjaku do të vazhdojnë

Disa muaj ma vonë, si “anmik i popullit“, Dakë Sokolit i dhanë 15 vjet burg. Ishte vetëm fillimi i rrënimit të plotë të kësaj shtëpie, në të cilën kazmën e parë e vuna unë. Loti dhe gjaku do të vazhdojnë. Kjo flliqësi do të më kthehet ma vonë kundër, me humbjen e qetësisë dhe rrënimin e dalëngadalshëm të shëndetit. Jam qiri i qelbun që po shuhet dalëngadalë, pa e ditë kush se pse. Vërtetë që s’isha regjisori, por rolin tim prej aktori e luejta unë, në mënyrën ma të pistë. Dhe mbeta përpara të tjerëve si gacë e mblueme. Mallkimi i Zotit ka me ra mbi mue.

Lëvizin ngadalë. Pa zhurmë. Si hije. Rretheqark tyne, të shumëishtë tela gabrana. E në tre cepat, kullat vrojtuese me vetëm nga nji mitroloz. Apel!

Kryeulun kalojnë përpara oficerit të rojes. I numuron me kujdes. Si delet kur bariu i futë në torishtë. Në fund mungon NJI. Dhe, rinumërim. E tash, përdreq, NJI tepër. Por njerëzit e drejtësisë nuk duen as mangut e as tepër. Në fund del shifra e saktë: 485 në kambë, 11 në infermieri e 7 në biruca, gjithsej 505. Numër i lehtë me u mbajtë mend: 2 PESA-simbol me nji ZERO në mes….

-Në rregull!- tha oficeri i rojes.

-Të lirë!-urdhëroi roja e mbrendshme.

Mbas pak ra çanga. Bojëkafët iu drejtuen mencës. Në fillim ndërresa e parë.

…Prapë bukë e papjekun!-murmuriti Daka dhe hoqi tulin e bukës. Ndërkohë shoku i tij përbri u ngrit.

-Pse s’po ha?

-Gjeta krymb…-foli ai me za të ulët

-…Ç’m’u desh që e pyeta.-tha me vete Daka dhe futi lugën në supën spirilang.

Iu duk se pa një krymb.

„Derdhe atë lugë meqë u bane marak-i foli lukthi- e mos i shiko tjerat“. Dhe çilembyll sytë e boshatisi pjatën. I kapërdiu ato dy-tri lugë, siç kapërdihen hapat kur jemi të sëmurë.

Në oborr drodhi nji cigare me letra makaronash dhe filloi ecejaket e tij të zakonshme. I vetëm. Si shumë të tjerë. Mbas pak vërejti se bashkëvuejtësit u grumbulluen. Kartelisti po shpërndante letrat e ardhuna, e ai vazhdoi shëtitjen, sepse nuk priste letra. E dinte tashma se e kishin harrue. Kur…iu ba sikur ndigjoi emnin e tij, por nuk i besoi vetvetes.

-Dakë! Letër!-shendeverë iu afrue Musai. E uroi që t’i kishte mirë e u largue.

Si gjethet në vjeshtë kur era i shpupurishë, mendimet iu copëzuen sa andej-këndej. Njomësi e dhimbje ndjeu kur pa se ia dërgonte i biri-Pamiri.

…Si sot, para shumë vitesh…

Me tradhtuan syt

Po shëtisja i vetëm tue shestue veç zi, kur më thanë, gja që s’e prisja-t a k i m! M’u duk se po talleshin me mue. Kishte kohë që grueja s’po ndihej e gjallë. S’dija ç’kishte ndodhë. Mjerisht, nuk e di as sot. Fëmijët ishin të vegjël. Kur ja- takim: Pamiri

gjashtëmbëdhjetëvjeçar. Mezi e njoha. Sa ishte rritë! E pata lënë gjashtëvjeçar. Lotë gëzimi e shtrëngim duersh…Mes hekurash…

Nëna…-filloi djali e unë nuk  e lashë me vazhdue. E ndjeja se shumëçka kishte ndryshue. Diçka e rëndë. Grueja më kishte dashtë. E edhe unë e doja. Por, mesa duket, kjo tashma i përket së kaluemes. Nuk deshta me e prishë atë takim. Nuk desha me ia shtue dhimbjen edhe më shumë vetes sime. Mbas dy muejsh prapë më erdhi në takim. Kohë ma vonë, më erdhën që të tre: Pamiri, Zana e Liraku. Liraku që e kisha lanë gjashtë muejsh. Sa ishte rritë. Nuk u përmbajta kur e pashë. Më tradhëtuen sytë. U rritën larg meje. Më ngjante mue më shumë. Si Pamiri . Kurse Zana-Grisha në vend, në mos edhe ma e bukur. Por e brishtë. Deshtën me më folë për nënën e tyne, por nuk i lashë. Shkurt, ma njomën shpirtin. E tash, letër… Burgu puthi burgun. Kisha ndëgjue se e kanë burgosë dhe nuk qeshë befasue. Tjetër gja dhimbja. I shtrenjti babë,

T’i e di se nuk i shërbeva kësaj që ndodhi, gja që ty ta shtoi dhimbjen edhe më shumë.

Babë, ti e merr me mend se me çfarë telashesh u rritëm. Po përplasjet me jetën edhe na kanë kalitë, gjë që asht e kuptueshme. Jemi gjaku yt. Për mue mos u shqetëso. Do te di me e përballue. Të duem shumë. Ti duhet të jetosh. Të jetosh për ne.

Para se të bija mbrendë të pata ardhë edhe dy herë në takim, por nuk më lanë. Herën e parë qëlloi “gatishmëri“, kurse herën e dytë ndodheshe në birucë. Ta pata dërgue edhe një pako, e na u kthye mbrapsht. Ku ta dinim se të kishin lëvizë. Për nënën mos pyet. Nënë i ka mbetë veç emri…Zana e Liraku punojnë në fermë. Gjyshe Zakja, se harrova, mbahet. Nuk i del shpirti pa të pa. E kemi gjyshe edhe nënë.  Unë punoj në zgafellë. Punoj shumë e marr diçka. Ti postova 500 lekë. Rregullisht kam me të dërgue. Të përqafon me shumë mall së largu, yt bir- Pamiri. M’u mjegulluen sytë. Letra më ra nga dora. Si nji parullë e madhe, para sysh më rri shprehja: “Për nanën mos pyet. Nanë i ka mbetë veç emri“…

Sot këto dy fjali janë këmbët e mia mbi të cilat zvarrisem, duke ngrysë ditët e mbetuna. Rrëmoj e rrëmoj dhe mjegullnaja më bëhet ma e dendun. Si e Pse ndodhi ajo që nuk e kam pritë?                                                                                                                           Po ajo pusulla e çuditshme para burgosjes, të cilën kurrë s’e besova por as që e harrova: “Me dhimbje e keqardhje po të vë në dijeni, se jot shoqe, Grisha, nuk ka sjellje të mira. Këtë e dinë të gjithë. Sa keq që i fundit e merr vesh i zoti-Sala.

Po e përsëris. Kurrë s’e besova, por që më pati mbetë pikë në zemër. Mesa duket diçka po ndodhte. Dhe, e çuditshme-tash po më kujtohet-në ato ditë Grisha më dukej si e mpime. Mos qe ky fillimi i shkallimit të saj? Se, e bukur dhe e re. Kurse sot pa burrë në shpi.

“Për nanën mos pyet. Nanë i ka mbetë veç emni…“.

-A i kishe mirë?-m‘u afrue Musai.

Shoku i mirë dhimbjen ta pjeston e gëzimin ta shumëzon. Ia zgjata letrën.

-Ka edhe ma keq.-Foli Musai mbasi e lexoi-Banu burrë! Krenohu me fëmijtë që ke. Kujto Lamin që edhe djemtë e mohuen. Mandej, a s’jam unë ma në hall se ti? E je ti ai që ke dijtë me më dhanë zemër. Shyqyr që ke fëmijë. Unë mbeta i pamartuem.                              Ma mirë që s’i ke. Ma pak dhimbje. -Mos mëkatno. Fëmijët janë vazhdimësia jonë. Ti e di sa janë vra nga shtëpia jonë. Sot kam vetëm nji nanë plakë të internueme, që asht edhe e sëmurë. Dhe mbahem. Je ti që më ke dhanë zemër. Vërtetë Musai më dha forcë. E mblodha mendjen. Asht luftë. E në luftë burri duhet të jetë burrë. Monotoni e përditshme. E përvitshme. Tri herë në ditë apel, nganjiherë edhe natën; dy herë në ditë, me detyrim ndigjojmë broçkullat që ka shkrue udhëheqësi kryesor i vendit; Dy herë në muej kontroll i përgjithshëm me rrajë e skaj, që jo pak herë e pagova me birucë. Se në shtrojën time më fusnin thikë apo ndonji gozhdë, që janë të ndalueme. Lajmet e detyrueme në ora 20. -“Lule e dritë anembanë…“. Mëngjes e drekë supa spirilang dhe buka si për derra; në darkë çaj, ujë i vokët, sheqer i djegun, fare pak i ambël. Shkurt, jeta ime nji lamsh bore që prej majës së bjeshkës ka fillue torolangien drejt përroit. Por shpirti s’dilka nga dhimbja.

Kur e mbledh mendjen, them se edhe jeta e burgut duhet vlerësue. Duhet jetue

në kuptimin e thellë të fjalës. Çka s’shihka e çka s’ndigjueka njeriu këtu! Nji shkollë e veçantë për atë që don dhe din me mësue. Njerëz të ndryshëm, si karakter e si

kulturë. Dhe me formim shpirtnor jo të njejtë. Këtu rrjedhin dituni nga të gjitha sferat                                                                                                                              e   jetës dhe debatohet me zjarr. Jeta e burgut shumicën i shkatërrueka, por jo të gjithë.

Ndoshta këtyne të fundit u përkas unë. Sikur ndjek fakultete:

shkencat politike tek ata  që kanë njohje e nuhatje të hollë, artet

figurative e letërsinë tek disa, ndërsa tek të tjerët të tjerë shkencat

ekzakte. Por ma shumë më ngacmon filozofia, doktrinat fetare e

misticizmi në veçanti. Kur ndjehem shumë i lodhun, i pafuqishëm,

rri me djem të rinj, që e hanë hekurin me dhambë. Prania e tyne

sikur më falë energji.

Të gjithë i bashkon dëshira për liri. Por këtë liri e shikojnë në

mënyrë çapraze. Mjerisht disa të burgosun këtu e kanë njollosë

veten. Në burg njeriu paska kohë me e vu mendjen në

punë, gja që përditshmënia e jetës së lirë nuk na e mundëson. Por

qenka dhimbje  kur nji çështje, ndonëse ke kohë, nuk e zgjidh dot.

E kjo, randueka shumë. Po këndon kumria. Më mori me vete kanga

e saj. Sikur po m’i numuron ditët.

Nuk e kam të sigurtë se do ta ngrys të sotmen, madje as minutin që

vjen. Nëse do të  vijë. Asgja s’paska të sigurtë. Di vetëm që jam.

Humba në këtë bungajë. Po filozofoj kot:

Jeta, pasqyrë që s’kapet e mbrenda saj je. Kandil çasti i ndezun në erë.Nji fluturim i veçantë për secilin. Nji udhëtim i përgjumun. Nji gjethe e pemes së përjetshmme.                                                                                          Kot po e thartoj trunin. Jam i gozhduem në kohë e hapsinë. Si mund ta kuptojë e kufizuemja të pakufishmen?

Në këtë Tokë, si nji pikë uji në oqean, e krahasueme me gjithësinë, lëviz edhe unë me halle e shqetësime shumë. Duhet t’i pranoj ato që s’mundem me i ndryshue. Të jetoj çastet e dhana. Shpesh pyes veten: jam i mirë apo i keq? Ndoshta ma e saktë do të që pyetja: Si e kam pi ujin që më asht dhanë deri më sot? Jam fajtor për rastet kur jam rrëzue?  Po dhe Jo. Janë ndajfolje të kapuna shpinëpërshpinë. Si monedha metalike me turrë e jazë. Varet si bie. Por kot nuk bie. Fjala KOT asht mosdija ime. As rastësisht. Sepse rastësi nuk ka. E thotë mirë shkrimtari i madh francez, Anatol Fransi: “Rastësi asht pseudonim i Zotit, kur nuk dëshiron të firmosë“. Po femna? Grackë e krijimit, domosdoshmëni e jetës. Mister ngacmues i mbarsun me ligësi. “Për nanën mos pyet. Nanë i ka mbetë veç emni….“.

U njohëm qëkur ishim të rinj. E bukur. Me shtat të derdhun. Me ecje krenare. Ata sy bojëqielli me bisht. Të shitonte vështrimi i saj. E deshta shumë. Edhe më deshti. Jetova vite të lumtuna me të, ndonëse me halle si shumë të tjerë. Dhe tash ndodhi ajo që s’e prisja. Si e pse, nuk po e marr vesh. Nuk di hollësi. Kjo po më mundon.

Biruca. Ftohtë. Dimën. Pa shtrojë e mbulojë. S’dilka shpirti nga vuejtja. Vuejtja…Të merr dhe të jep diçka tjetër. Diçka e pakuptueshme. Nji dritë të mbrendshme që s’kapet, por që të jep forcë. Llaqi…Sa emën i pështirë! Kërkoi të bahesha varrmihës i bashkëvuejtësve të mi. Mjerë për ne kush e drejton anijen tonë. Ndoshta ky asht mallkim i Zotit. Grisha…sa po më lodhë ky emën! Por, e çuditshme, s’di sepse, e kam të vështirë me e urrye. Ndoshta prejse më ka falë shumë ngrohtësi shpirtnore. Edhe tre fëmijë. Si erdhi puna deri këtu? S’di asgja. E s’ka gja pa gja. Nji shoku im para se të lirohej, më pati thanë: “Mbas shtatëmbëdhjetë vitesh burgu, kur të shkoj në shtëpi, puna ime  e parë asht rinjohja ime me gruen, djalin dhe vajzën. Se kanë hy kaq shumë vite mes nesh, e ndoshta s’do mund ta pranojmë njeni-tjetrin“. Ky mendim mund ta ketë të vërtetën e vet, por asht jashtë natyrës sime. Ata janë të mijtë. Duhet ta jetoj atë që ka mbetë. S’asht e thanë që të tjerët të mendojnë si unë. Secili ka botën e tij. Nuk dihet se kush e ka ma mirë.

Sot kam qeshë pak ma shumë, se edhe në burg qeshet. Përditë kemi orë gazmore. Ndoshta dhuratë nga Zoti. Asht bashkëvuejtësi ynë Ferid Lopa ai që ban me qeshë edhe gomarin. Me e pa asht alamet burri: faqekuq, energjik dhe guximtar. Dy herë e kanë ridënue në burg. Ka ba njizet e sa vite burg, e s’dihet mirë edhe sa i kanë mbetë. Profesioni i tij: hajdut. Por i llojit të vet. Mbiemnin e ka Abdullai. Nofkën “Lopa“ ia kanë vu të burgosunit, sepse fillimisht ka ra në burg për nji lopë që pat vjedhë në koopërativë. Meqë ishte dimën me borë, për me humbë gjurmët, ia kishte pasë mbathë lopës katër çizme përsëmbrapshti. Feridi u vjedh ushqime të tjerëve. Nuk ka kurrfarë ndihme nga jashtë. Por, për çudi, asnjiherë s’e kanë zanë me presh në dorë. Kur ndokujt i mungonin ushqimet në strajcë, dihej mirë se kush i kishte vjedhë. Feridi vidhte edhe enë boshe që s’i hynin fare në punë dhe i flakte. Kjo ishte kënaqësia

e tij. Kur i gërryhen zorrët nga uria, rrëmon nëpër mbeturinat e hedhuna, gjen diçka dhe e kullufitë pa u mendue dy herë. Dhe asnjiherë nuk e ndigjoi kush tue u ankue për shëndetin. Asnjiherë nuk u shtrue në infermieri. Të rinjtë qëllimisht e ngacmojnë, tue e gjuejtë tinëzisht me objekte të çfarëdoshme, e Feridi shpërthen me shamje të ndryshme shumë të larmishme. Fjalori i tij asht aq i pasun, sa edhe polici shkyhet së qeshuni.

Sot më falën nji buzëqeshje të dhimbshme edhe dy bashkëvuejtës. Kur sovjetikët dërguen emblemën e tynë në Hanë, e të burgosunit po bashkëbisedonin për këtë arritje madhore, ndërhyn nji plak, i cili thotë: “Kjo s’asht e vërtetë. Asht rrenë me bisht. Nuk i len Turqia, se Hana asht e saj“. E tjetri pa të keq: “Kur isha i ri, ruaja bagëtitë. Im atë ma ka pasë ble nji sahat xhepi, të cilin e rueja si sytë e ballit. Deri vonë e kam pasë. Ai sahat kishte 12 numra. Mirëpo sot nuk po e kuptoj kah po ndigjoj të thonë: ora 15…ora 18…ora 20!“.

E këta jnë “armiqtë e kllasës“. Burgu…Çka s’sheh e çka s’ndin njeriu! Dhimbje të pabesueshme për atë që nuk i ka përjetue.

Zvarriset Eduard Sokoli nga Shkodra, me dy kambët e këputuna në rrazë…Jashar Duri nga rrethi Korçës, tanësisht i paralizuem, i gozhduem në shtrat. Me lugë e kuejnë shokët. Dhe e pastrojnë. Urim Elezi, po nga rrethi i Korçës, qorr dy sysh nga torturat e burgut. Me duer e sheh dritën. Se me nji dorë e me nji kambë ka shumë. Pleq të lodhun. Nji krye çdo jave toka e merr në gji të vet. Dhe kampioni Sami Dangëllia nga qyteti i Korçës: dyzet e dy vjet burg!…

Nata sterrë e zezë. Në dhomën e ftohtë, nji dritë e zbehtë bante të shquheshin katër krijesa: Pamiri, Zana, Liraku e Nanë Zakja. Rrinin si të ngrimë. Zbrazëtia që ndjenin i mundonte. Nji heshtje gërryese. E dyfishtë. Tre fëmijë dhe nji plakë.

Ishin me babë e ua rrëmbyen. Ishin me nanë e i braktisi…Po nana-nanë, hijen e len gjithmonë mbrapa. Dikur heshtjen zemërbrese e theu Pamiri.

-Mos qaj, motër! Asaj vetëm emni i kishte mbetë nanë.-Dhe s’foli ma. Ç’të thonte? E nanë Zakja, nën buzë diçka mërmëriste. Mezi kaloi ajo natë. Nata e parë pa nanën. Kaluen si kaluen edhe netët e tjera. E dalëngadalë, gjithnji me dhimbje në zemër, sikur u mësuen me gjendjen e mjerueme, me të keqen si pjesë e pandame e jetës së tyne. Klimës së metërkuadratave që na ofron jeta njeriu u përshtatet edhe me dhunë. Koha s’qëndron në vend. Me mungesën e nanës djemtë disi u mësuen, por Zana kurrsesi. Gjithnji sypërlotun. S’mund të rrinte pa e pa. Dhe, nji ditë, pa dijeninë e vllazënve, gjeti rastin e shpejt shkoi tek puna e nanës. Për pesë minuta. E rrok e puth njena-tjetrën, që të dyja sypërlotun. E këtë veprim Zana e bani disa herë.

Nji ditë që të tre e takuen babën në burg. Nji tis i bardhë drite në bebëzat e syve të tyne. Copëza buzëqeshjesh të njomuna me rruza lotësh, malli e dashunie.  Ledhatime

duersh mes hekurave. Si zogj cicëronin. E i ati, tue i kapërdi lotët, s’dinte cilin me e ndigjue ma parë. Dhe mandej u larguen, por zemrat aty i lanë. E zemrën me vete e morën. S’shkoi gjatë e Pamirin e thirrën ushtar, po me kërkesën që banë, ia shtynë edhe për nji vit. Jeta disi u kthye në normalitet. Po jo për Zanën. Ajo s’mund të rrinte pa loçkën e saj.

Në kulmin e shtëpisë së Dakë Sokolit prapë krrokati korbi i zi…

Qajnë. Dridhen. E asnji fjalë. Në palcë u ka hy frika. Kulmi i shtëpisë vazhdon me u rrënue. Ishin gjashtë. Mbetën pesë. Ma vonë katër. E tash tre: Zana, Liraku dhe Nanë Zakja. Mungon Pamiri…

Janë strukë pranë gjyshes e cila mezi merr frymë. I ledhaton me ato duer të thata, e diçka pëshpëritë nëpër dhambë. Kanë frikë. Nata e gjatë, shumë e randë për ta.

Kur e panë se trungu i Dakë Sokolit po rimëkambej, ia gjetën rrëfanën Pamirit dhe i dhanë NORMËN: 10 vjet burg. Por shpirti nuk del nga dhimbja. I gjalli me të gjallë. Edhe në dallgët e stuhishme jeta të fton. Liraku mori në dorë drerjtimin e barkës që po mbytej. Për ditë në punë së bashku me të motrën. E brigadieri i ri, që ua dinte hallin, i përkrahu me mundësitë që kishin. Kjo botë me kohë do të ishte përmbysë po të mos kishte edhe njerëz të mirë. Të tillë ka pasë e do të ketë. Vëlla e motër, shpi-punë e punë-shpi. Të pandamë, kryeulun e pa fjalë. Mirë që e kishin gjyshen. Prania e saj u jepte zemër. Në mbramje e mbyllnin derën me kujdes. Krisma ma e vogël ua dridhte zemrën. Harruen librat. Edhe radion e vjetër. E ndjenin veten në luftë. Ma saktë, robë lufte..                                                                                                                          gjendje i gjeta të nesërmen e asaj dite të zezë. Se shkova sapo mora vesh lajmin e kobshëm të burgosjes së Pamirit.

-Pse erdhe?- ashpër më priti Liraku. Ik, se po e prish çerdhen tande të re!

Nuk fola. U ndjeva e pafuqishme. Ç’të thoja? Kishin thanë të tjerët gjithçka për këtë shtëpi. Ndejta si në grepa. Ma vonnë Zana m’i shpjegoi të gjitha. Atypëraty ndjeva se Tomin nuk e doja ma. Por ai tashma ishte burri im. Burri im i dytë. Turpi im. Burrë nevoje. Femna, pus i qelbun. Me lindë femën qenka mallkim. Por ndoshta kjo asht vetëm për mue. Jam vërtetë e ndytë. Si dreqin m’u kujtue Bimi!… Sytë mos ia pafsha! Ndoshta s’duhej t’ia kisha kthye shpinën Dakës, megjithë flliqësinë e tij. Punë e ngatërrueme.

Dhe dola si hije, ashtu siç kisha hy. Tomi po më priste. Gjyshe e dashtun! E shtrenjta motër! Lirak-vëlla, shtylla e shtëpisë! Sikur qenë pak ato që kishim, e ja!, tash u shtue për ju edhe halli im. Po për mue nuk duhet të shqetësoheni. Unë kam kujdesin tuej: Gjyshe Zakën e sëmurë dhe randë e shitueme në shpirt, mandej ju të dyve, të rinj e pa përvojë. Vështirë e keni, e di. Por duhet ta çani jetën me guxim. S’e kam fjalën për bukën e gojës. Se ju punoni dhe duhet të punoni. Ma shumë mendoj për ty, motër. Se u rrite. Kujdes, të lutem. Shumë kujdes! Kudo e kurdoherë, gjithmonë bashkë me Lirakun. Asnjiherë vetëm. Mos gabo  me e takue nanën. Shkurt, mos na e nxij ftyrën edhe ti. E, mos m’u zemëro për këto fjalë.Lirak, vëlla! Unë kam besim tek ti, se ke me ditë me drejtue. Vetëm nji këshillë po të jap: mësohu me dyshue në çdo gja. Mbajeni afër gjyshen. Ngushëllojeni. E keni gjyshe dhe nanë. Me babën u lidha. E u gëzue shumë. Ai mbahet, ndonëse vuen shumë për fatin tonë. Ai jeton për ne. Do ta ndihmoj me të holla, sepse punoj shumë dhe fitoj diçka. Me mend e zemër gjithmonë pranë jush, ju puth me mall së largu,

Pamiri“. Këtë letër ma solli Zana tek puna. I kishte gjallnue. Edhe unë ndjeva njifarë force, ndonëse në letër s’ndjehem e gjallë. Me të drejtë. I braktisi grueja e papërmbajtun. Ajo që i do gjanat shpejt.

Jam mes zjarrit. Nuk e di çka me ba. Nuk e di çka më pret. Sigurisht ajo që meritoj.

Mesa duket kam marrë fund me të gjitha. Jam tëhujë nga jeta. Se ma, për shoqet e mia as që më bien ndërmend se janë gjallë. Më ndali në rrugë Suta, ndonëse u përpoqa t’i shmangesha. Më tronditi me ato që më tha. Më shkelmoi…Qenka lirue i shoqi i saj nga burgu e i paskej thanë se janë të rrallë burrat në burg si Dakë Sokoli. I mendshëm, me kulturë, i dashtun e njerëzor. Dhe me karakter burrnor. Pikërisht se

asht i tillë, se s’pranoi me u ba vegël, siç bajnë disa, për me e thye, sa herë bahej kontroll i përgjithshëm, i gjenin nën jastek nji thikë a gozhdë, gjana të ndalueme këto, të cilat vetë ata i fusnin. Kësisoj, sajonin arsyen për ta futë në qeli. Por ai mbeti i papërkulun.

Nji gja e munduekërka shumë. S’arriti me e kuptue se pse e braktisi e shoqja. Enigma ma e madhe për të ishte se si ia kishin gjetë shkrimet në vrimë të murit, të maskueme aq mirë. Shkrime që i kushtuen randë…

-Mjaft, se më çmende!-bërtita dhe ia ktheva shpinën pa e përshëndetë.

Në atë çast ndjeva sikur pushova së qëni femën. Bota u shemb përpara syve të mij.

Sa dritëshkurtën paskam qenë!…

Bim Shketa…

Po si pati hy mbrendë kur dyert ishin të mbylluna? Sa vonë po kujtohem për këtë!

Edhe vendin e shkrimeve unë do t’ia kem thanë në dalldi e sipër. Se u marrosa mbas tij. I besova çdo gja që dija. Jam e poshtër. Shkatërrova familjen time. O Zot, ma mblidh mendjen e kresë!

Gjindem përpara greminës. Ajo po më pret. Ndodhi ajo që kurrë s’e kisha mendue! Po se mos kam ditë me mendue ndonjiherë. O Zot, më jep forcë të baj atë që duhet ba!

Mbas burgosjes së Pamirit, Zana qe ligshtue edhe ma shumë. Vetëm takimi me mue sikur i jepte njifarë gjallnije. Punë pesë minutash. Tek dera kryesore e fabrikës. Kur s’më gjente aty, më vinte në shtëpi. Në shtëpinë time të re…

…Atë ditë, për dreq, ndodhesha në nji mbledhje. Nuk më gjen tek puna dhe, drejt tek shtëpia ime. Troket dhe del Tomi. -A asht nana në shtëpi?

-Po.-gënjen ai-Por asht tue gatue. I ka duert me brumë. Dhe vajza hyn mbrendë. Më bëzan e ku s’merr përgjigje ban me dalë. Po duert e fuqishme të Tomit e mbërthejnë. Fillon të bërtasë e ai ia mbyll gojën. Dhe, tue u kacafytë, e çon në shtrat. Në shtratin ku flen me mue…Vajzës i bie të fikët. Atëherë, Tomi e shpupurishë ngeshëm…Mandej edhe nji herë tjetër, se fort e kandshme Zana. S’asht kurrgja e ama përpara saj…Kur vajza vjen në vete, ia plas vajit aq fort, sa Tomit i hyn frika se mos po çmendej. E merr me të mirë, e vonë, ajo disi e mbledh veten. Tue dalë për dere, ashtu sypërlotun, i thotë:

-Më paç në qafë!

-Ta hangsha synin!-ia kthen harushani im.

-Ashtu e hallakatun mbërrin në shtëpi. E nanë Zakja, tue e pa ashtu të çaraveshun, i drejtohet:

-Ku ishe, moj bijë?

-Tek nji shoqe.-ia pret shkurt e drejt e në shtratin e saj.

Këtë tmerr e mësova sot, kur më erdhi në takim

Jo! Nana mos më pastë! E edhe unë mos e paça nanën që kam!-dhe u shkreh në dënesë.                                                                                                                                              Banga. Ndjeva se diçka u shkul me forcë mbrenda meje. Diçka e tmerrshme kishte ndodhë. S’kisha guxim as mos me kërkue sqarime të matejshme. Dhe vajza, me copëza fjalësh të shkëputuna, të njomuna me lotë dënese, m’i tha të gjitha me hollësi fillim e mbarim. Ma tha të vërtetën e kobshme që i kishte ndodhë para tre muejsh. Dhe-o Zot!- ajo ishte shtatzanë!

U shfytyrova. Atypëraty u mplaka. E ndjeva veten nji plakë të qelbun. S’dija çka me i thanë. Çka me folë. Kisha folë me kohë me atë vrapimin tim si nji pelë e hasdisun. Vonë disi e mblodha veten e i thashë: -A e di ndokush tjetër këtë? -Jo,-mezi foli ajo.

-Mirë.-i thashë unë Mirë po them kot, se e mira jonë ka marrë fund me kohë.   Mbas pak shtova: -Bijë, unë sot duhet të jetoj vetëm për ty. Sa për barrën, ta heq nana nesër. Të pres në mëngjes përpara Muzeumit. Lirakut thueji se je e sëmurë.

Dhe u ndamë.Ishim nda me kohë.

Ti s’erdhe sonte. Nata e parë pa ty…Se si po më duket…

Do të kesh pa nanë e bijë të çatrafilueme dhe e ke marrë me mend se ç’mund të ketë ndodhë. Me iu shmangë tërbimit tim të parë, sonte e ke pa të udhës me mungue. Sa të kalojë vala e parë. Dhe mirë ke ba. Se ti e njeh Grishën tande. Nji turr e kam. Mandej shkrehem e tana si ç‘e di ti…

Grue e trashë. E poshtër, ma shumë.

Fole mirë… Po uji e lan fytyrën e nxime. Ha-ha-ha!… Domethanë s’e meritoj me jetue!

E di ti. …Kush foli? Ti Dakë!  Sa mirë bane. Kaherë s’ta kam ndigjue zanin…

…Fol…fol…po të ndigjoj, se s’po mundem me të shikue në sy.

…Ashtu asht…Po, po, ashtu asht. Ke të drejtë. Gjithmonë ke pasë të drejtë…

…Bimi papritmas u gjind në dhomën time e kurrë s’e vrava mendjen se si hyni.

S’të la zjarrmia… Më le rehat. E shkrimet i gjetën… Me ndihmën tande…

Aman, mos m’i ngatërro mendimet! Dakë, dy herë të vrava. Të vrava me ç e l ë s a t  e huej dhe me fjalët e oficerit: m o j m- o t  ë r…Rrënova kulmin ku hoqa duvakun…

Nga epshi shtazarak… Mjaft se më çmende!  Në fillim e pësove ti, mandej Pamiri, tash edhe Zana… Zot, ma ruej mendjen e kresë për pak kohë! …Tomi, sa të vështirë e kam natën pa ty… The nji të vërtetë… Po unë do të…

Po më vlon koka. Si s’po më lëshon toka! S’po jam në gjendje me arsyetue.

Se mos ke arsyetue ndonjiherë… …I poshtri! Tash do të ketë vdekë. Nuk e di nëse po gëzohem, apo po më vjen keq.  Mendime të flliqta, m’u largoni! Cila isha e si u bana! Ma saktë më banë, gja që vonë, shumë vonë e kuptova. Jam fajtore. Vrasëse. E këtë e mësova nga letra që nji i panjohun ma lëshoi sot në dorë. “E kam porosi, amanet, dorazi me jua dhanë këtë letër.-më tha e u zhduk saora. Nuk e hapa rrugës. Kurrë s’ma priste mendja se ajo letër do të ishte nga Bimi. Ai që pati heshtë si të mos kishte qenë kurrë, tue lanë mbrenda meje nji turp të mbrendshëm. Nuk e di, nuk e kuptoj ç’ndodhi me mue mbasi e përfundova së lexuemi. Vetëm trokitjet e forta në derë, më sollën në vete. Ishte Tomi. Qe shqetësue kur më pa. E rrejta tue i thanë se isha e sëmurë dhe ai nuk e zgjati.

Jetoj vetëm për Zanën. Edhe për Tomin. Se harrova… Grishë! Janë të mundimshme fjalët e stërgjatuna. Kjo letër ka me qenë befasi për ty. Edhe tronditëse. Por ma se e domosdoshme për njohjen e së vërtetës tejet të dhimbshme të jetës sate. Nji e vërtetë e përbindshme që aq shumë iu kushtoi. Nuk po më del shpirti pa ta thanë atë që nuk e din… Unë faqeziu Bim Shketa hyna në jetën tande. Unë të shkatërrova. Unë nuk e meritoj emnin NJERI, ndonëse ishin të tjerët ata që më afruen pranë teje. Se nuk të njihja. Ata m’i dhanë ç e l ë s a t. Dhe ndodhi ajo që ndodhi. Nga puna ime e fëlliqun, u burgos bashkëshorti yt. Unë jam shkaktari që ti, grue fisnike, more rrugat. Si rrjedhojë e kësaj, edhe për Pamirin unë jam fajtori. Unë kurrkushi, njeriu i dobët e pa karakter.

E për të gjitha këto-dënim nga Zoti-sot po përjetoj dhimbje të padurueshme nga nji sëmundje e pashërueshme… Do t’i paguej edhe në jetën e përtejme…

Kur do ta lexosh këtë letër, unë nuk do të jem. Mallkimi yt do të jetë lehtësim për mue, për shpirtin tim të pashpirt Bimi  Mjeshtrja shpërvoli duert dhe Zana dështoi. Po u desh të rrinim edhe dy orë ma shumë nga sa menduem, se gjakderdhja vonë iu pakësue në njifarë mënyre.

Të kapuna dorë për dore si dy motra, mbërritëm tek shpia që kisha braktisë. E putha me mall dhe u ndamë me porosinë që nesër të mos shkonte në punë.

Liraku e kishte pa ashtu të zbehtë, paskej dashtë me thirrë mjekun, por Zana s’kishte pranue. Punë gripi, kishte thanë ajo. Nesër do të punojmë së bashku.

E paske marrë pushimin vjetor. Dhe qenke largue për në jug, tek të afërmit tu, për nji rast vdekjeje, siç më thanë. Po pse nuk e njoftove ma parë Grishën tande? Nuk prish punë. Nuk zemërohem me ty. Të vështirë po e kam me e kalue natën vetëm.

E vetme mes këtyne mureve që flasin shumë. Që po duen me më hangër…

S’po më zë gjumi pa ty, mue gruen tande. Grue e pakunorë… S’jam mësue me ndejë pa ty. Ma i madh ashku se dhimbja.  Fole bukur…Prapë ti? Tomi, duhet të jem e sinqertë me ty. Të jam zemërue paksa. Më bane hisenike në gjanë ma të shtrejtë që ka femna. S’të mjaftova unë?

Por s’ke faj. E re…E njomë…E bukur… Fundja s’ka randësi. Plaga asht, por do ta shërojmë së bashku. Kështu besoj se ke mendue edhe ti. Prandej u largove pa më lajmërue, që koha ta bajë të veten. …Ç’nanë!… Pse, nanë jam unë?

Shkatërrova Dakën, Pamirin. Edhe Zanën. Por Zana e ka ma të lehtë. Fundja, femën. Për atë punë e ka falë Zoti…Si t’i qet goja këto fjalë, moj e paftyrë!…

Ke të drejtë. E tillë jam unë. Tomi, të kam dashtë… Edhe të due…

Ta pata dhanë fjalën se nuk do të shkelja nëpër ograja të hueja. Dhe e mbajta premtimin.

Ti nuk e mbajte. Por mashkullit edhe i falet. Mandej, vetëm nji herë pate punë me të. Dhe vetë të erdhi. T’u fut vetë në gojë. Je kënaqë, besoj…Apo jo? Taze. Krisi?…

Ç’kënaqësi marramendëse do të kesh ndi në ato çaste hyjnnore! M’u langëzue shtati edhe mue…E largët po më duket nata kur do të derdhem në krahët e tu.

Në këtë shtrat… Sa me kujdes e paske rregullue. Po më vjen keq me e prishë. Bashkë do ta zhubravisim… Shtrat me kuptim të dyfishtë… Të lehtë ma bane këtë natë…

Zbardhi drita. Por jo për mue. Shkrepi rrufeja mu në lule të ballit tim!

Bota u përmbys për mue: Zana vdiq!  Zana që e zanoi nana! Vetë me dorë e këputa. Dhe vazhdoj të jem gjallë, në kambë!  Ky lajm i kobshëm tejembanë ma shporoi zemrën. Por, për çudi, m’u në atë çast, nji forcë që s’e di prej nga më erdhi, më bani me shtrëngue grushtat. Ndonëse s’jam veçse nji hije. Nuk lëshova asnji ofshamë. Asnji rënkim. Dhe asnji pikë loti. S’jam ma Grisha. Jam dikush që s’po e njoh. Nji njeri që vlon përmbrenda si vullkan. Vullkan në shpërthim e sipër. Çudi se si e mblodha mendjen. Ndoshta prejse kam edhe do punë me krye. Ndjehesha e paadresë. As në qiell, as në tokë. Nji copë mishi mbi dy kambë. Kambë që filluen me lëvizë. Shkonte vdekja tek vdekja. HIÇI tek HIÇI.

Në të ka mbetë diçka njerëzore,-më foli dikush-, ti, vetëm ti, sot nuk duhet me derdhë pikë loti. Qajnë themelet e shtëpisë që ti rrënove. Qan toka që të lindi…

Dhe, si nji gjeneral që i ka humbë të gjitha betejat dhe ka mbetë pa asnji ushtar, ngadalë, hyna në shtëpinë e vdekjes. Shikimet përbuzëse që më hodhën, m’u banë si përshëndetje.

…Ia putha faqet e ngrime…Buzët e kuqe…Ngadalë, që të mos e zgjoja. Ia ledhatova flokët dhe ia mbylla sytë. Ata sy të bukur bojëqielli me qerpikë të gjatë. Ia kisha mbyllë me kohë. Kalova njerëzit në dhomën tjetër, pastrova shtratin nga gjaku dhe e vesha bijën time. E bani nuse nana e vet… -Nana Zake,-iu drejtova mandej vjehrrës-, të lutem, vetëm sot mos më shiko shtrembët. Po ajo s’ishte aty…Të tepërta fjalët e mia. Të tepërta ishin që të tri femnat në atë dhomë-vorr: njena e shtrime, e ngrime, e dy hije anash saj…

-Pse moj bijë ma përvlove zemrën?!-foli dikur Zakja. -E nesërmja ka me i sqarue të gjitha.-shtova unë. -Grishë, ti je? -Unë, he mos qofsha! -Ç’u ba Liraku?

-Shkoi me lajmërue ata pak të afërm që kemi. Si zakonisht, ora me zile e kishte zgjue herët Lirakun. Para se të nisej për në punë, i afrohet së motrës me e pa se si kishte ndjehë. Se e sëmurë qe mbramë. E s’kishte pranue me ia sjellë mjekun. I afrohet dhe e sheh në gjumë. Por s’mund të largohej pa e përshëndetë. Kur e vërejti me vëmendje, e zbehtë dyllë. Akull…Dhe piskama në kupë të qiellit. -Gjyshe! Zana paska vdekë!

Plaka bani me u çue dhe ra përmbys…-Gjyshe!…-edhe ma e fortë britma e djalit-Mos më len edhe ti, se u çmenda! O Zot!

Dhe çuditërisht, nanë Zakja u çue ngadalë. Forcë e zemër qielli i dha. I afrohet njomëzakes së shtangun, ia përkëdhel faqet e ngrime, flokët. Dhe diç mëmërit me vete. Vajton kulmin e kësaj shtëpie. Kulmin që unë, Grisha, e shemba.

Mbas kaq vitesh, shtëpia e dakë Sokolit ka gjallni. Gjallni e heshtun. Pa zhurmë. Njerëzit, të zymtë hyjnë e dalin. Ngadalë e kryeulun. Nji ceremoni e vogël mortore në shpinë e vorrosun. Nji dhimbje pa gjamë. Se ata që janë, gjamës s’ia thonë. Po vajza e re, si kallet në dhé pa ia thanë dy fjalë te kryet?  Dhe afrohet plaka Dilë… Mjerë kjo shpi çka e ka gjetë sot! Besa sot e tash sa mot-oj-oj! Mbi ktë kulm veç korbi i zi… Gaz e dritë kurr s’pa kjo shpi-oj-oj! Në dhé nuse pa kunorë… Kush të bani akull e borë-oj-oj!

N’vorr o Zanë po bahesh nuse… Kush t’i ngriu buzët e kuqe?-oj-oj!

Babë e vlla a thue i ke gjallë? Fali, Zanë, s’mujtën me ardhë…-oj-oj!

Veç Liraku ka mbetë n’kambë. S’po t’vjen keq vetëm me e lanë?-oj-oj!

Nana Grishë s’di pse jeton! Sa shumë mban kjo toka jonë!-oj-oj!

Herët Zanë t’u shkimb të rijtë… N’botën tjetër ti pafsh dritë!-oj-oj!

Dhe katër burra e ngritën njomzaken. Mbas tyne, Liraku…

Dhe nata u err. E në atë FERR-tri hije. Njerëz duken. Se frymojnë. Nuk flasin. Nuk lëvizin. Dhe nuk qajnë. Qajnë gurët e themelit…Kambët e tyne shikojnë. Kambët që e nesëërmja s’dihet se ku do t’i çojë. Dikur vonë Liraku e theu heshtjen

-Patjetër që kam me ndejtë. Vetëm nji natë. Nji natë të vetme nana ka me u largue. Se ka pak punë. Dhe sërishmi heshtje vorri. Dhimbjen e përtypnin pa fjalë. Kah mesnata Zakja u lodh e ra si në kllapi. Grisha e vendosi në shtratin e saj, e mandej iu drejtue djalit:

-Bir, më ndigjo me shumë vëmendje. E mos i harro këto që po të them. Janë amanet.

Djali deshi me folë, por e pengova që të mos më ndërëpriste. Dhe vazhdova:

-Pra, mbaji mend fill e për pe këto që po t’i them. Nji ditë do t’ia thuesh babës tand.-Dhe ngadalë e shkoqun, pa lanë mënjanë as hollësitë ma të vogla, ia tregova aventurën e jetës sime, që nga Bim Shketa me ç e l ë s a t, peshën e fjalëve të oficerit: m oj   m o t ë r, jetën time të mavonshme, fjalët e Sutës, letrën e Bimit, fatin e vërtetë të Zanës, fillim e mbarim. Ia thashë të gjitha. Të gjitha. Ndërsa flisja, djali herë dridhej e herë zverdhej. Diçka donte me thanë, por shikimi im i rreptë e pengoi. Dikur u lodh. Se mesnata kishte kalue me kohë. E vendosa djalin në gjumë dhe shkrova nji letër.

Kaluen si kaluen ato dymbëdhjetë netë! Kaluen…Eh, si kaluen!-nji fjalë goje. S’dilka shpirti pa i ardhë koha. Gjeja forca me i dhanë zemër djalit. I thoja se vetë koha i shëron të gjitha plagët. Pra, edhe dhimbja e randë që kemi do të kalojë. Jeta duhet jetue. Ti je i ri. Ke të ardhmen tande. Duhet të shikosh përpara me besim. Kjo shpi ka me u rimëkambë. Daka e Pamiri do të kthehen. Do të kthehen patjetër. Shkoja në punë, ndërsa në mbramja kthehesha në shtëpinë që kisha braktisë. Kthehesha pranë djalit e vjehrrës. E deshta dhe e afrova plakën e gjorë, si kurrë ma parë. Si nanën time-

ndjesë pastë!- që si në mjegull mezi ia kujtoj pamjen. Natën e katërmbëdhjettë nuk u ktheva në shtëpinë ku kisha heqë duvakun. Ishte dita e trembëdhjettë pa Zanën. Dita kur Tomi do të kthehej në punë…Në mëngjes, tek po dilja, u përshëndeta me vjehrrën:

-Nanë Zake, a po ma ban hallall?  -Pse kështu, moj bijë?! -Ma ban hallall! Se nuk kam qenë gjithmonë e mirë me ty.  -Hallall, moj bijë!-m’u përgjigj me sy e gojë hapun.

Mandej përqafova thekshëm Lirakun dhe shpejt ia ktheva shpinën, se sytë më tradhëtuen… -Ti nanë ke me u kthye përsëri,-foli djali-se vetëm nji natë ke me mungue. Kështu më ke thanë, apo jo? -Do të kthehem…-mezi fola. E dielë. Ditë pushimi për ne bojëkafët.  Ndjehem i lodhun. Ndoshta ma shumë i mërzitun. Mesa duket, edhe mërzia qenka hise. Ma të lehtë do ta kisha dhimbjen, sikur rrajë e skaj t’i dija me hollësi ato që po më mundojnë. Tridhjetëvjeçar isha kur u martova. U zezova, thuej. Por, duhet pranue, se për aq sa bashkëjetova me të, isha i lumtun. Aq sa mund të jetë i lumtun njeriu në klimën tonë. Se ç’ndodhi ma vonë, nuk e ka.  E bukur. E bukuria, thonë se han vetveten. Sidomos kur asht pa burrë në shpi. Sido që të jetë- qenkam burrë i dobët-, megjithë mjegullën e paqartë që kam e që po më mundon, rreth mënyrës se si më braktisi, vetvetja s’u gënjeyeka: Grishën nuk mundem me e urrye. Ndonëse, fillimisht ajo duhet të ketë qenë nismëtarja e kësaj së keqeje. Pak merrej me leximin  e librave. Me shkrime jo se jo. Me shkrime që mue më kushtuen…Po si i gjetën në vrimë të murit? Grisha?! Kjo nuk më besohet. E pamundun.  Po ajo pusulla pak para burgosjes që kurrë s’e besova? Pikërisht në ato ditë, ajo më dukej e topitun si kurrë ma parë. Por gjatë hetuesisë më ra mbrapa. Edhe në kamp tri herë erdhi e më takoi. Mandej s’u ndi gjallë. Ç’ndodhi? Diçka me shumë randësi që unë nuk e di. Tash edhe Pamiri në burg.

…Kamba e djathtë po më mundon. Kot shpëtova kur tanë ajo masë dhéu e gurësh ra përmbi mue. Xhema i shkretë vdiq. Pesë fëmijë ka lanë…

Hapat e zemrës pak po më bajnë dobi. Vapë e madhe. E ka kohën.

M’u çanë hundët për nji cigare. S’u lypet gjithmonë shokëve. Edhe zorrët po më këndojnë. E, më pret gjella spirilang me bukën e papjekun. Vështirësia e frymëmarrjes ma kujton shpesh kthinën 1-1, të cilën ata e shqiptonin 1-NJËSHI. Mueji qershor-korrik. Nji kthinë betoni e nëndheshme, e blindueme për merak. Mezi mbushesha me frymë nga vapa përvluese. Avull më nxirrte kryet. E humba dhe nisa me folë përçart. Si nuk u çmenda! Si nuk më lëshoi zemra! Nga vrima e sportelit u përbirue nji mizë dhe u ndal mbi shpinën e dorës sime. U  gëzova kur e pashë. Nuk e tremba. Kishte ardhë për mue. Me më ba vizitë. Krijesë…,fola me vete. Edhe ti si unë. Por ti lëviz e qetë, pa e vra mendjen se ku je futë. Ta kam lakmi…Sa zgjati kështu nuk e di, por në nji farë çasti miza u rrudh e shtangu në vend nga vapa përvluese. Sa m’u dhimbs. Më vjen keq që më le vetëm, i thashë. Por të jam mirënjohës për energjinë që më dhurove. Edhe për atë që më mësove, sesi ta vras kohën që ajo të mos më vrasë. Krijo poezi, qenë fjalët tua të fundit. Këtë armë që më forcoi, ti ma dhe…Kështu i pata thanë. Dhe fillova hartimin e poezive. Poezi pa lapës e letër…Punë e mundimshme. Tek krijoja vargjet në vazhdim, harroja ato të parat. Megjithatë, me nji lodhje që ma merrte kohën, për ata dy muej hartova afro 20 poezi. Dhe arrita me i mbajtë mend, se i përsërisja me qindra herë gjatë ditës. Ato, ndoshta lanë me dëshirue nga ana artistike, po për mue kanë randësi të veçantë, se ma kanë ruejtë mendjen e kresë. Ja njena sosh:

Rreze t’arta dielli  përvidhen çdo mëngjes në t’voglën kthinën time e unë i përshëndes.. Puthin tri faqe muri, rrëshqasin ngadalë me trajta të ndryshueme, po s’m’thonë asnji fjalë. Ditën e gjatë nji shekull, me sy unë i ndjek pas… Me to knaqem si fmija e kohën me to mas. Po  retë ma vjedhin shpesh. Në kthinë bie trishtim… Kur rishtas më buzqeshin, në zemër më reshë gëzim… Rreze, këtu qëndroni!  Hyni në shpirtin tim! Të paktën sall nji ditë/ të mirë ta kem kujtim!… Po a do të vijë ajo ditë                                                                                                                    Tash edhe kjo. Duhet ta vlerësoj. Duhet ta jetoj.

Më duket sikur kam lindë në burg. Burg qenka vetë jeta. Kjo jetë e pakuptimtë.

Kot rrekem me mendime të tilla. Po këtu qenka vendi. Vendi ku palosen muej e vite, vendi ku minuti nganjiherë të bahet shekull. Më janë lëbyrë sytë. Deshta me pa shumë e nuk mësova asgja. Ndiz e fik, e fik e ndez në pambarimësi kjo botë përdreq. Por edhe e mrekullueshme. Jam nji xixëllonjë. -Dakë! Lëtër!-m’u afrue tanë gëzim Gjergji me nji zarf në dorë. Dhe u largue mbasi më uroi.  Letra më nxori nga mjegullnaja. Me siguri Pamiri, thashë me vete. Po kur pashë se ma dërgonte GRISHA, letra më ra nga dora…

I nderuemi Dakë! Drita ime e humbun!

E di, e ndjej se ky fillimletre ka me të lëndue, por unë shpreha të vërtetën time të sotme, pavarësisht se sa ke me më besue. Sidoqoftë, të lutem, lexoje me durim deri në fund.

Unë isha grueja jote. Si e tillë edhe do të vdes. Me emnin tand në gojë ka me më dalë shpirti: DAKË, ma ban h a ll a ll!… Nuk i shërbeva së keqes. Ajo më gjeti. Drejt saj më çuen ata që ti i njihje me kohë, gja të cilën dritëshkurësia ime vonë e kuptoi. U bana kështu fajtore, vrasëse, pa

dashje…i mekun asht sot zani im me folë për teposhtëzën që ma thanë. Ma dhanë ç e l ë s a t dhe fjalët  m o j  m o t ë r…Fëlliqa veten e ju turpnova juve. Ju shkatërrova…

Për ma shumë hollësi, ka me të njoftue Liraku. Ia kam thanë të gjitha fillepërpê. Por unë do t’i shlyej fajet e mia. Do t’i shlyej për ty, që shpirtnisht e moralisht të vrava, pa e meritue. Do t’i shlyej për djemtë, filizat tanë… Por në veçanti për Zanën. Për Zanën që e shitoi vetë nana!…Dakë! Je burrë e burrë qëndro! Jeto për dy djemtë që ke!

Dakë, ma ban h a ll a ll!  Grisha. Letra e vuni në gjumë. Që të pushonte pak ma mirë, e çuen në infermieri. Ma vonë, për ma mirë akoma, në spital…

Po ai do të kthehet nji ditë. Në mos ai-i biri-Pamiri. Kam frikë me e pa fytyrën time.                                                                                                       Këtë po mendoja, se si do t’jem dukë kur pashë Tomin në repart. Ai bani sikur s’më pa. Iu afrova me nji qetësi çuditërisht të përmbajtun. -Erdhe?-e pyeta fare e qetë.-Gjeta forca me e mundë vetveten.  -Grishë…-Mezi e shqiptoi emnin tim dhe shtangu.

-Si e kalove me pushime? Ngushëllime për kushërinin!

-Grishë!…Unë jam tregue shumë i poshtër…Faqezi!

Nuk i fola, por i hodha nji shikim tanë butësi, gja e cila i dha zemër.

-A thue ke me më falë?-m’u drejtue me sy të rrëzuem.

-Të fala apo nuk të fala, sot ka pak randësi. E keqja tashma ka ndodhë. Unë jam femën. Ku tjetër kam me u mbështetë përveçse tek ti?  Fjalët e mia e banë që të skuqej.

-Të kam dashtë shumë, Tomi. Plaga asht e randë, por ne…

-Me të thanë se do ta vuej tanë jetën poshtërsinë që kam ba, ti s’ma beson…

-Edhe ta besoj. Bashkë do të përpiqemi me e mbyllë këtë plagë të randë.

-Gjithmonë kam me qenë i përulun para teje me plot dashni.

-Mirë, Tomi. Mjaft tashti, se jemi në orar të punës.

Burrit i zbutet lodhja e ditës, kur e di se në mbramje e pret gjini i grues me hire shumë.

Me këtë mendim, Tomi e ngrysi ditën, i lehtësuem nga ankthi që ndjente. Kur hyni në shtëpi, më përshëndeti dhe filloi:

-Grishë, më vjen turp me t’i hedhë sytë, për çka kam ba…

-Të mos flasim ma për këtë. Ta lamë plagën të shërohet vetë. Ndjehem e

lodhun. Kam nevojë për pak ngrohtësi shpirtnore.

I pëlqyen këto fjalë dhe nuk e zgjati. Dhe unë ia shtrova darkën.

-Nuk po hamë bashkë? -Jo, Tomi. Tashpërtash s’po kam uri. Mund të ha ma vonë.

Mbasi hangri, m’u drejtue: Si thue, a të shtrihem unë?  -Mirë, se unë kam do punë me ba. Pije njenën gotë nga këto limonata, por  njenën ma len mue.

-Falemnderit.- më tha dhe e zbrazi gotën me nji frymë.

Dhe e zu gjumi si qingj… …Sa shpejt të mori gjumi! Gjumë i ambël…

Të vuna unë. Se të due shumë. Asht nata ma e bukur e jetës tande. Nata ma e kandshme. Ma e kandshme se nata e parë kur fjete me mue… Edhe ma e bukur se takimi që pate me time bijë…Hije e bukur të ka ra…Si hija e Zanës sime…

…Shtrat me shumë kujtime…Nusnia ime e dytë. Nuse pa kunorë…

Edhe nusnia e sime bije…Tek ti e ndala vrapin. Po ti e  deshte edhe Zanën. Nuk të mjaftova unë. S’ke faj. E njomë. E bukur. Taze… Prandej të due shumë, se ti kënaqe edhe time bijë… Nanë e bijë në nji shtrat…Me nji burrë…Dhe që të dyja pa kunorë.

Dhe e le shtatëzanë atë, në vend që të më lije mue…

U, Tomi! Desh harrova. Ku e le çarçafin mbi të cilin shpupurishe Zanën? E zhduke se u ba me gjak dhe bleve tjetër?  Jo, Tomi. Ai ruhet. Unë e pata ruejtë timin, natën e parë me Dakën…Në shtatëmbëdhetë duer kalova…

Për çudi, edhe Zana shtatëmbëdhjetë vjeçe ishte.

Zana që e shitoi nana…

…Bijë, je zemërue me nanën?  Pse, nanë jam unë?

Prapë do të zemërohemi bashkë. Flokëpërflokë kemi me u kapë. Se jemi gra të nji burri. Po javën e parë po ta la ty. Je ma e re. Javën tjetër e do Grisha.

Grisha apo Grifsha?!… Dakë, ma ban hallall!… Bij, faleni nanën!

Zanë, hapi krahët se erdha!… Dhe gota u zbraz…

Ditënata e nji udhëtimi

Rruga e përshkueme s’matet me kohën po me përjetimet, me dhimbjet e buzëqeshjet e pakta, të cilat në shiritin e ndërgjegjes kanë lanë gjurmë që flasin, gjurmë që shpesh ngjajnë si mish i huej, aq sa kur i rikujtojmë, ma shumë na kujton fjala limon sesa ato vetë. Asht fjala për çaste që ishin, që dëshmojnë se jetuen, por që s’janë ma. S’jemi edhe ne ata që ishin. Jeta i ngjaka nji lamshi me pêj. Dikush e len lamshin ende pa e fillue mirë. Të tjerët, me rrzo e ço, e shtjellojnë disi. Se lamshat, ku ma shumë e ku ma pak dalin të ngatërruem e me nêj. Askush nuk e zhvillon lamshin deri në fund pa iu ngatërrue ndonjiherë. Po disave u ka qëllue lamshi ma përdreq: tërhiq e këput, tërhiq e këput deri në fund.  I tillë qëlloi edhe lamshi im. Rrugash mbeti jeta ime copa-copa/ Mu si prroni që humb ujin nëpër gropa.

Pena ime

Ti e di sa të kam dashtë. Atëherë kur isha i ri, e bota ishte imja. Tue rendë mbas dritës, më re nga dora. Mos m’u zemëro! Jo pak vite lashë mbrapa. Po era e malit në damarët e mi ende gjallon. Futu thellë në zemrën time. Se hapsinën t’madhe e ka. Mprehe thepin, rapid banu deri në fund të grahmës sime! Pena ime e vonueme-pushka ime- Zjarr!

Bir

Asht e nji randësie të veçantë përvoja e fitueme me shpinë. Por ç’e do, se atij që e ka i hyn pak në punë. Që të mos përlyhesha me vrull lëviza. Po guri i dalë nga truelli u torolang e kurrë ma vend nuk zuni. U bana ma i lehtë nga sa isha. I bukur e me qoshe të lëmueme ishte guri. Sot, i plasaritun. Nuk e ka shkëlqimin e parë. Nesër do të jetë nji grusht me ranë. Për me i përballue shtigjet që të presin, mësoje amën e këtij guri, si vëzhgues i gjithçkaje. Nëse e padëshiruemja të përplaset, dritë bani nervat e mos u jep!

Qëndro! Jeto! Mendo! Mendohu thellë e do të rinohesh! Përpara, bir, me guxim!

Po mos vrapo se do të vonohesh!

Ajo ditë

Dita s’i ngjan ditës. Atë ditë- me “d“ fillon- ia ktheva shpinën djepit që më përkundi. Nga bora ika, reshmja më vuni para… Për ku kështu, o vëlla?-mbështetë tek dera e oborrit më pyeti motërzeza. E me buzëqeshje të shtime, gënjeshtrën sajova. Dhe mbeti aty derisa mora kthesën.  Vite kanë kalue…Mbështetë tek dera, motra, aty ka mbetë. Me sy të mbushun lotë, vëllain e pret edhe sot… Ajo ditë…Si pika shiu ditët e mia në qyp m’i mblodhi. E qypi në valë… Kalojnë makina me larmi targash. Ja dhe njena me targën “KU“. E shoh: I mungon nji “KU“…

Përralla e shtufit

E vërteta tejet e dhimbshme, për të tjerët nji përrallë Kohës sonë borxh i ka fjala. E zbehtë nji penë me thanë gjithçka për atë që fusha e male shkundulloi!

Emrin e tij goja s’ma qet. Ai djeg e përvëlon. Asht mishnim i tanë ligësive që natyra ia dha. Shtuf po e quej, emën ky i pandigjuem në meranë tonë. Se të pandigjueme janë bâmat e tij. Me gjakun tonë i skuqi faqet. Me djersën tonë shtatin e lau.

Sytë e tij na përvluen. Fjala e tij zemra shporoi!… Në meranë tonë të plagosun, emni i tij sot lexohet: në malin me eshtna, në shamitë e zeza, në magjet e zbrazuna, në vâthat pa bagëti, në buzëqeshjet e ngrime, në drynat e verdhë, në gardhin e përgjakun, në faltoret e rrënueme, në këpurdhat e betonit, e mbi të gjitha- në zvetënimin tonë!… Dhe për të, thonë, ka qenë njeri!… Kjo përrallë tre breza i hangri gjallë…

Zagna Liria

Në ngastrën PLAKË me larmi sojesh, në bisht të saj-zagna LIRIA.

Banorët e vilave, qumësht dallëndyshesh. Zyre kudo. Rregull e qetësi. Dhe krenari. Në rrugët me dredha, flamuj, parulla. “Lule e dritë…“-përditë gazetat shkruejnë e shkruejnë.

Pa rrëmujë, njerëzit në punë. Se duhet bukë. Se pa punë, besa të del punë…

Bukë dhe kangë. Kangë pak ma shumë. Fjala e lirë qet shkumë, shpesh e shkreta edhe pa dalë. Se miza shumë. Nji farë përdreq që kurrë ma parë s’e kish pa toka. Qielli sterrë përherë prej tyne. Gjak kërkojnë. Nuk kanë të ngîme. Dhe pickojnë fort. E nuk flejnë kurrë. Mu si era përbirohen në çdo vend. Njerëzit si hije, hije nuk bajnë.

Po edhe pse i ashpër dimni-acar, me sandale të bukura në kambë, i madhe  i vogël brohorasin, duartrokasin kur në tribunë del tribuni. Ai që shembi çdo gja të vjetër e me letër gjithçka na dha. Vonë iku. E, për mos me e harrue, këpurdha betoni mbrapa na la.Ata janë p e s ë. Edhe kur ndonjeni prej tyne firon, çilembyll sytë tjetri e zevendëson. E asht po ai. Në pamje. Në shpirt. Në bâma. P e shja   nuk ndryshon.

Mëngjespërmëngjes mblidhen. Edhe natën kur e lyp puna. Mandej si era, në pesë drejtime, secili tek  p e s a  e vet. Kështu deri në cep. Pa zhurmë. Si hije.

Njerëz duken. Se flasin. Edhe me shkrue dinë. E ata shkruejnë gjithnji. Në zyrën e tyne misterioze. Dhe kur shkruejnë, për çudi, larg e afër, në shumë vende dritat fiken.

Edhe me qeshë dinë. Qeshje po e quejmë. Po mbas punës e vrapit të lodhshëm. Qeshin e kënaqen kur puna u shkon dhjamë. Qeshin shpesh. Dhe kur qeshin, për mrekulli, dhjetra e dhjetra të tjerë vajtojnë…Zyra e tyne ditë natë me drita ndezë. Mbi tryezën pesëkambëshe, mbulue me cohë të kuqe, llamburit abazhuri pesëfaqesh, zbukurue me shkronjën “E“.  Të frymëzuem nga kjo dritë, shkruejnë fjalë magjibërëse që e bajnë tokën me u dridhë…Ata janë  p e s ë, gjithmonë p e s ë. Rastësisht pesë shkronja ka edhe fjala g r u sh t.

Kthinat e blinduar

Nji rruginë e nëndheshme me kthesa të kaladredhueme. Pa diell. Pa qiell. Po jo në terr. Dritë ditë e natë-d r i t a  e Partisë. Në rruginë, njeriu i drejtësisë. Në qafë, xherdani me çelësa. Tringëllima e tyne e lehtë, melodi drithmuese për zemrat e ngujueme.

Heshtjen munduese e then shpeshherë kanga me “O!…“. Sidomos në mëngjes herët, e në mbramje para gjumit. “O-ja“ kumbon e fuqishme dhe me variacione të panumurta, aq sa kthinat dridhen nga kënaqësia… Janë përshëndetjet MIRËMËNGJES e NATËN E MIRË, që njerëzit e drejtësisë me përzemërsi ua bajnë skeleteve të gjallë që guxuen me mendue në kokën e tyne. Gjashtëmbëdhetë kthinat e nëndheshme tri dalje kanë, me emërtimet: “Thuej fusha asht mal!“ “I krisun në spital…“ “Pa adresë në kanal…“.                                                                                                                Iu plotësue dëshira  Nga kamini-dritare, nji rreze e hollë drite papritmas puthi murin e kthinës së tij. E sheh, e sikur këndellet. Zgjat dorën, ledhaton copëzën e flakërueme të murit dhe ngre kokën andej nga vjen rrezja. Vëren diskun e artë jetëdhanës e i duket se merr shëndet. Pesë muej pa diell. Pa qiell. Po rrezja shpejt u zhduk, s’u pa ma. Lëviz si gjithnji ngadalë. Numuron hapat. Kullot me mend. E askund nuk përqëndrohet gjatë. E pengojnë zorrët me llokoçitjet e tyne. Pesë muej pa e ngî barkun qoftë edhe nji herë…

Sa herë i kujtohet ky numur, sytë i erren. E humb durimin e i vjen me vjellë. Ia kujton dy emna pesëshkronjash, që i dalin parasysh dhe i shndërrohen në nji 5 stërmadhe që kullon gjak. Por sot ai pati njifarë kënaqësie. Në cep të banjos gjeti nji kore buke të fortë si ashti, të cilën shpejt e futi në xhep, që të mos i binte në sy njeriut-blu. I kujtohet se e ka në xhep, e tash po e han me andje. E then në copa të vogla dhe e mban gjatë në gojë si karamele, tue e sjellë e përsjellë, derisa të squllet e të zbutet mirë e mirë. Mandej e kapërdin. Se dhambë nuk ka. Ata pak që kishte, ia theu “pa dashje“ njeriu i drejtësisë, tek po e përshëndeste me grusht. Të njerëzishëm këta njerëzit e ligjit, përfaqësues të popullit. Çdo ditë ia heqin mërzinë, tue e ledhatue në mënyrat nga ma të çuditshme.

Kurrë ma parë nuk do ta besonte se ka në botë njerëz me nji kulturë kaq të gjanë mirësjelljeje. E hangri koren e bukës dhe tash ndjehet i qetë, i kënaqun, thuej. Dita e sotme iu duk ma e mbara e këtyne pesë muejve. Se as byluzykët nuk ia vunë në duer. E kur ndodh kështu njerëzit blu nuk lënurin lesh. Lëviz ngadalë. Shikon batanijet e palosuna dhe mendon: “Sikur të më lejohej me fjetë. Të paktën për pak kohë. Sa ta drejtoja shtatin e këputun. Mezi po mbahem në kambë. Çdo ditë kështu gjashtëmbëdhetë orë…“A të shtrihem?“ “Je në vete!“ “Sa ta drejtoj shtatin.“ “Mos, se po të shohin! Ti e di mandej…“. “Nuk po rri shumë. Tak-fak dhe po çohem.“ Dhe u shtri

Po pikërisht në këtë çast, për dreq u hap sporteli. E fill mbas sportelit, edhe dera. E gjithë kjo, punë pesë sekondash. Përsëri numri p e s ë… …Tash rri i shtrimë. Nuk ka forcë as me rënkue. Duket si i pajetë.. Ia skuqi  p e s a  edhe ditën e sotme.

Filmi

Veshët e tij pipëz. Zilja elektrike…Cingërima e gjerdanit me çilësa pushoi para kthinës numur 1-16. Dhe sakaq zogu i kafazit përballë padronit. Nji kryqëzim shikimesh.

AI- në karrige pranë stufës, me pallto e shall rreth qafe. KY-përballë, në kambë, leckaman e i zbathun. -Besoj se kësaj radhe do të flasësh siç duhet. Se edhe kohë për të menduar të kam lënë, apo jo? -… -Hë, pra! Fol…Fillo… Po të pres… -Me ty po flas! Fol po të them! -S’kam çka me folë. -Fol për veprimtarinë tënde si armik i popullit!

-Nuk jam i tillë. E kam thanë disa herë. -Pse, kot të paskemi sjellë këtu? Ne i dimë të tëra, por duam t’i dëgjojmë nga goja tënde. “Tënde“!…As të ashtuquejtën gjuhë standart nuk e flet drejtë, mendoi ai. -Ju s’dini asgjë. Se s’keni ç’të dini. Ndryshe do të ma thonit.

-Domethënë, s’do të flasësh,ë? Prapë me kokëfortësi? Ma prishe humorin, more maskara. Po kokën tënde do thyeç. Mos harro se kjo godinë ka parë burra shumë më të fortë nga ty, por ne i kemi bërë të këndojnë si bilbila. Po ti s’ke faj. Jam treguar zemërgjerë me ty. Akoma s’të kam njohur me të tëra marifetet e punës tonë…

Dhe, f i l m…Kova me ujë sipër ia hapi sytë leckamanit. Dhe butoni u shtyp.

Merre këtë mut!-iu drejtue njeriut blu- dhe, tek NJËSH-NJËSHI!

“Njësh-njëshi…“. S’e kisha ndigjue ndonjiherë-mendoi ai.

Dhe kuptoi se priste pjesa e dytë e filmit…

…E kapën për krahësh, sepse s’qëndronte në kambë. Hapën një derë, i dhanë edhe nji shqelm bythëve dhe ai, sa gjanë gjatë, i zbukuruem me vija të kuqe, pushtoi copëzën e asaj kuvlie betoni. Nji heshtje zemërbrerëse. Nji orë. Shumë orë…Dikur hapi sytë.

“Paskam vdekë…Qenkam në vorr… Me rroba, siç isha… Kur ndodhi?

“Sa vapë e madhe! Po më zêhet fryma!…Avull po më nxjerr kryet…E thonë se vorri asht i ftohtë!…Nuk e paskan mbyllë mirë. Ja ajo vrima sipër…

“Çudi!…Atij që vdes i pushojnë dhimbjet. Mue jo! Jam në vete?

“Hapa…Po, hapa sipër meje. Dikush po kalon. Nji i gjallë. Nji njeri.

“Hej, ti atje! A ndigjon? Unë nuk kam vdekë! Jam gjallë. Nxirrmëni!“.

Dhe përgjigja nuk vonoi: -Me cilin flet, he nënën tënde!  “…O Nanë! Nana ime!…“.

Kur toka me përtesë bani rrethrrotullimin e saj, pranë tij u dukën disa si njerëz. E shpuen me diçka andej mbrapa, i lëshuen në gojë disa pika, ia hodhën copën e bukës dhe e lanë të qetë në vetminë e tij pa adresë.

Miza …

Nga vrima e sportelit, gjithmonë e hapun u përbirue nji mizë. U ndal mbi dorën e tij. Nuk e tremb. Gëzohet që erdhi. Me vëmendje ndjek lëvizjet e saj. Dhe i kujtohet…

Dyzet vjet ma parë… Në dhomë plot njerëz. Mes tjerash, hoxha tha: “Çdo gja në këtë botë Zoti e ka krijue për hatër të njeriut“. E ai, si i mendshëm, i thotë: “Edhe mizën e paska krijue për hatër tonë?“. Hoxha gjendet ngushtë e ai krekoset. Por ja!, tash po e kupton se miza s’qenka kot. Se ajo, miza, ia mblodhi mendjen në atë sketerrë. Ia vuni në punë. Sa kohë zgjati kjo nuk dihet. Por ma vonë miza shtangu. E atij iu dhimbs. “Për mue erdhe, foli ai, u vetëflijove, ma fale energjinë tande, zemër më dhe.“. “Po unë s’bahem ma njeri…

“Mblidhe mendjen! Je burrë e nuk të kanë hije këto fjalë. “Unë kam vdekë, veç hija më ka mbetë…“Jo. Ti je i gjallë e i gjallë do të mbetesh. Qëndro! MENDO!

“Mirë thue. Por si t’i vras minutat? “Me numra e fjalë. “Po. Unë duhet të jetoj.

Mendja e njeriut qenka Grumbull mizash n’grusht. Ikin po i le lirë,

ngordhin po i le ngushtë. Tanë ditën e lume me numra e fjalë                                                                                                                      i godas minutat miza me mbetë gjallë.

Nata…

Nji krismë e lehtë metalike me ritëm të ngadalshëm. Asht nji hije që lëviz. Nganjiherë krisma bahet e randë, mbytëse. Si shpërthim. Rrëzohet. Për sa kohë? Nuk dihet. Dhe në kutinë e betonit, përsëri lëvizje. Në murin e bardhë që t’i lëbyrë sytë, rrazë tavanit shumë të naltë, në vend të dritareve, nji vrimë rrumbullake. Nji copë qiell si sy përbindëshi. Po drita e synit shpejt shterron. Hija e ndjen se erdhi  n a t a. Nata lubi. Diçka i randon në zemër. Lëviz ngadalë. Lëpin buzët. Flakë i digjet krahnori. Kërkon ujë. Ka kohë që kërkon ujë. “Sa i mirë asht uji! Me shijen e tij asgja s’krahasohet. I lumtun asht ai që pi ujë. Që pi sa të dojë e kur të dojë. Ujë të ftohtë. Akull… Shpesh acarohet nervash. I kruhet ndonji pjesë shtati, gja që mund t’i ndodhë kujtdo. Po ai s’mundet me e prekë me dorë. Në dukje kjo asht diçka e randomtë. Por këtë e kupton vetëm ai që e ka përjetue. Me lakmi dërrmuese shikon paguren me ujë. Ja, tek kambët e ka. Po ai s’e rrokë dot. E i duket se pagurja po talllet me të. Ngërdheshet. Gishtat e âjun shtypin njeni tjetrin. Dhe lëviz ngadalë. Lëpin buzët. Mezi kapërdihet. Para syve të tij, skena të ndryshme-drama e jetës. E për çudi, ashtu në kambë, pa lapës e letër, rreket t’i kthejë në skica e poezi. Kjo lloj pune i falë njifarë kënaqësie. Ia qetëson në njifarë mënyre vullkanin e mbrendshëm. Kështu dita i kalonte si flluskë sapuni. Kurse  N a t a… ajo s’mbaronte kurrë.

“Edhe sonte shpëtova…-thonte me vete kur ndigjonte britmën e shkyeme ÇOU! Dhe ngrihej me nji farë shprese. Se nata të han. Që fëmijë e kishte mësue këtë shprehje. Por vetëm tash po e ndjen peshën e saj të randë. Se ai e di këtë, që të dënuemit me vdekje i qërojnë natën.  “Me vdekje!… E pse?! O tokë, sa e fortë je!

Pa dashje vuni buzën në gaz. Iu kujtue dita kur e hypën në makinë pa pare dhe e sollën këtu në zindanin qendror .

“Do të jetë keqkuptim, dhe kanë me më lirue sapo të sqarohet çështja.-mendonte.-Sa i trashë paskam qenë! Po se mos asht hera e parë që këto fjalë ia them vetvetes. E ç’ndodhi mandej!… S’ka gojë që e kallzon. S’ka njeri që e beson! Çka s’ndodhka në këtë botën tonë!… Çudi që jam gjallë! “Mos vallë kjo që po përjetoj asht nji andërr? Nji andërr e llahtarshme? Por jo. “Ja prangat… Plagët… Dhimbjet…“.

Jashtë akull e borë. Dridhet nga të ftohtit. Edhe nga frika. Nuk i flihet. E vrasin edhe hekurat. Ngre kryet dhe shikon synin e zi të përbindëshit. Dhe zemra i ngushtohet. Koha ka shtangë në vend. Qënia e tij asht shndërrue në veshët pipëz. Në veshët që presin…

uturimën e nji makine hapat e randë në rruginën e nëndheshme, dhe- cingërimën shporuese të gjerdanit me çelësa… “V d e k j a… Je e nuk do të jesh… E tmerrshme! Edhe ma zi kur të tjerët ta përcaktojnë, teksa ti nuk ia ke ba vendin!…

“Ndalu, ndalu mendje! Mos ik! “Banu burrë! Mandej nuk i dihet…

“Fjalët e mira nuk ta pushojnë dhimbjen. “Të dobëtit. Ti e di kangën: “Mos m’i lidh sytë me shami, /due me i pa plumbat me sy! “E Sali Ukella i lagjes sate, burrnisht qëndroi para xhelatëve. Tri herë u tha: “Qitni!, he ju dhjefsha n’ta!  “E Marijen, sokoleshën, vetë e pe si u tall me vdekjen!  “Po unë s’jam si ata… “Banu  si ata!

“Po. Duhet të jem burrë sa me i thanë dy fjalë. “Heshtjen e natës, që emnin e kishte vdekje, e then muzika e nji televizori, tingujt e së cilëv vijnë nga syni sterrë i përbindëshit. Kjo për njeriun-hije, muzikë funebër. Mbas pak, edhe nga rrugina e nëndheshme, hare kangësh e vallesh. Gëzojnë njerëzit-blu. Asht nata e netëve-Nata e Vitit të Ri. Para hijes, nji botë plot gjallni. Ftyra të gëzueme… Buzëqeshje të shpengueme… Trokitje gotash… Kangë e valle… Puthje e urime…

E në nji kasolle të humbun, nji nanë me tetë fëmijë, pa bukë në sofër…

Lëviz me mundim. Buzët i ka shkrumb. Don me u kapërdi por nuk mundet. Kërkon ujë. Vetëm ujë! Ujë, pa le të vdesë!  I ngrimë shtang qëndron para pagures me ujë, shikon. Dhe shikon, harron se ku asht… GJUMË!- urdhnon syni përgjues i sportelit. Hija shkundet. Vështron derën e randë të ngarkueme me hekura, dhe si planc plandoset mbi batanijet e pluhunosuna. Hallkat e duerve e të kambëve, të stolisuna me dryna ngjyrë ari- MADE IN HUNGARY, ia lënduen dregëzat që rifilluen me i kullue gjak.

Asht nata e fundvitit 1984…

Nënë!

Eh sa herë, o Nanë, t’i lëkunda eshtnat tue thirrë emnin tand!

Herë me za e herë pa za, po gjithnji me “O!…“ përpara.

E ti pranë meje shpejt ke ardhë…M’i ke terë lotët… Ma ke fshi gjakun…

M’i ke lehtësue dhimbjet-zemër më ke dhanë! Nanëmira ime me nusni të ngrime, mos qaj! Jepi forcë djalit në vorr përsëgjalli… Malli yt shkrumb-malli im zjarr.

Dhimbja jote e djegun-dhimbja ime e gjallë… E largët Rugova… Eja Loke të shkojmë!

O, si të qeshi nuri! Flladi i kësaj Gryke mushknive me vrima, gjak e jetë iu dha! Ta solli vajzninë. Faqet kuq si molla!  Qe dhe Gurra e parë! Kjo Gurra e bardhë…

Laji sytë nanëloke. Sytë e tu të përlotun. Tash po pi edhe unë. Se m’u dogj krahnori, nanë për nji pikë ujë! -Me cilin flet, he… nënën tënde! O Nanë, Nana ime!

Kafshatë

Pse sa herë të vë në gojë më kujton nji varg që fillon me emnin tand?

Po sonte ndeze nji llambë të re. Sonte në këtë natë të gjatë. Migjen, të kam ftue sonte me ndejtë me mue. E di se ta trazova shpirtin. Zemrën e ndjeshme. Sytë tu plot dhimbje. Je i lodhun. Ke vuejtë. Dhe për vuejtjen ke shkrue. Ke shkrue bukur. Pikërisht bukuria e fjalëve tua sonte po më ngacmon. Ti ike me merakun se mos Laroja, lopa e shtëpisë, mund të shtypte ndonji vocërrak, tue u ngrohë pranë zjarrit në kasollen e ngrime. Për këtë rri i qetë, se Laroja nuk asht ma. Por njomëzakët kanë çka me ngranë. Nanëlokja po ua zbutë gërtuken në ujë të vluem. Edhe për Lulin mos u shqetëso. Ai tash nuk rrin ma vetëm si dikur, por luen i gëzuem me shumë shokë. Vërtetë dimni asht i ashpër, por në vend të tollumbave që donin me të hangër ty, të gjithë kanë në kambë sandale të bukura plastike me llojlloj ngjyrash… Punëtori yt, dje i papunë, nuk sorollatet ma rrugëve si shokët e tij në Londër e Berlin. Se nuk ka kohë. Mandej atë e mbron ligji. Po, ligji. Jo si dikur…Ti pate thanë se “Shekulli XX…apoteozë …“. Dhe shkrove për bjerrjen e cilësive të malësorit. E paska qenë vetëm nji gacë e flakadanit të mavonshëm.

Sa për faltoret, që me majat e tyne të mprehta të thernin, gëzohu, se ato nuk janë ma…

Pas mëdyshjes sate, ma në fund Zenelit iu hapën dyert e dijes. E, për çudi, profecia jote doli: Zeneli theu qafën… Migjeni, Nuk e di a asht mirë a keq që ike aq i ri. Të çuditshme këto fjalë, p o r…Kjo fjala “por“ asht si me bisht. Katërshes së “tan-it“ tand koha ia shtoi edhe nji: Tan-tan-tan-tan-tan! Deri kur?

Nata e netëve

Rrazë nji kodre, e ndame prej shoqeve-nji kasolle. E ndame, e veçantë edhe jeta e të gjallëve që ajo kasolle ndryn mbrendë. Dy të vegjlit, të mbuluem me diçka që duket si jorgan, flejnë si qingja. Pranë të tretit, që me vështirësi merr frymë, rri e ama. Ka zjarrmi. I ka kaplue mjerimi. Por nana sojnike qëndron e fortë. Ajo e di se asht në luftë, e duhet zemër. Nuk e humb durimin. S’e ka humbë as bukurinë, ndonëse e veshun dosido. Flet pak. Fjalët e saj të preme, janë ligj për tetë fëmijët e saj. Po edhe fëmijtë e kanë kuptue gjendjen. Herët iu ra e keqja mbi shpinën e njomë. Dhimbja e shqetësimi janë të përbashkëta për të gjithë. Ndërkohë hapet dera. Hyni djali i madh. Atë po prisnin.

-Nuk e do.-foli s’i fajtor-Iu duk shtrejtë. “Qenka pendue!“- tha me vete nana. E mbas pak iu drejtue: -Jepja për tetëqind! Nisu! Shpresat se do ta blinin bukën e diç ma shumë, u ngjallën. Qysh dje s’kanë futë gja në gojë. Dy ma të vegjlit e hangrën nganji rriskë gërtukeje. Disa javë mbasi e burgosën babën, fëmijët i internuen, se nana nuk pranoi me braktisë bashkëshortin. I internuen në nji katund të humbun. Veç kësaj, organet e pushtetit ndërhynë dhe e prishën edhe fejesën e djalit të madh. Shêji u kthye. Me plaçkat e shêjit, tue i shitë nji nga nji, e shtynë disi. Se të ardhunat në kooperativë nuk mjaftonin me e ble as bukën thatë. Rrobën e fundit, fustanin, e kishin ruejtë me e shitë për nji rast të veçantë. Për sonte, se asht nata e Vitit të Ri, që përkon edhe me ditëlindjen e Tanit-njizetvjetori i tij. Nji përvjetor i bukur. U err. Nata e shtriu pëlhurën e zezë. Ai vërtetë s’e bleu për njimijë e pesëqind, siç kishte thanë ma parë, po për tetëqind lekë ka me e marrë me siguri. Kështu, ndonëse shkoi bukur vonë, do të kenë kohë me ba diçka për këtë natë dy herë të shënueme.

Trembëdhjetëvjeçari ka sy të bukur. Të bukur e ka edhe emrin: Verzan. Me mundim tërheq zvarrë këpucët e vjetra ushtarake. Ka ftohtë. Dridhet. Asht edhe i pangrânë. Në xhep ka vetëm të hollat e kthimit me tren. Ai asht kryefamiljar. Vetëm këtij, nën moshë, i lejohet me dalë jashtë zonës. I drejtohet Gjykatës së Naltë. E di se ku ndodhet. Ka gjashtë ditë që së jashtmi e ndjek gjyqin, që zhvillohet me dyer të mbylluna. Ka ardhë me marrë vesh masën e dënimit. Po treni e solli vonë. Nuk e lanë me hy në gjykatë. Mbramë u dhanë shumë mendime në familje. “Nuk ka faj. Do ta lirojnë.

“Mbasi e kanë futë mbrendë, s’e lanë pa e dënue. “Do t’ia japin ‘normën‘: dhjetë vjet.

Trembëdhjetëvjeçari, helm e vnerë. Çka të bante? Si mund të kthehej pa e marrë vesh sa ia dënuen babën. Por ai s’asht pa fat. Nga larg shquejti hetues Gavroshin, të cilin e njihte.

-Zotni Gavrosh! Nji shikim përçmues. -Sa e dënuen babën tim?

-Me vdekje!-u përgjigj fare i qetë dhe i ktheu shpinën.

S’kishte faj. Ishte për ngut. Mbas pak minutash do të fillonte ndeshja e futbollit Shqipni-Belgjikë. Me të birin përdore, moshatar me Verzanin-veshun kollomoq prejse bante ftohtë- u larguen tue e lanë djaloshin shtang të ngrimë.Tash kryeqyteti nuk ka njerëz. Në rrugë asht vetëm ai… Sesi e çuen kambët drejt stacionit të trenit, nuk e din. Në sytë e tij të bukur, mbushë me rruza lotësh, dy pamje: toga e pushkatimit dhe kasollja në katund. Si nji andërr trishtuese. Fishkëllima e trenit e solli në vete. Zbret i përlotun dhe hedh hapat ngadalë drejt kasolles. -Sa e dënuen? Në vend të përgjigjes, vaj e dënesë.

-Fol, more, sa e dënuen? Pse qan? Ne e kemi dijtë se sa kanë me e dënue, ndonëse e dimë se s’ka ba kurrfarë faji.-foli e ama kësaj radhe. -…Me… v…d…e…k…j…e!

Bomba ra. Te kambët. Po ajo nuk shpërtheu. S’e la nana. Forcë e zemër Qielli i dha.

-Nuk due pikë loti nga askush!-urdhnoi nana me rreptësi- E ka dënue robi e jo Zoti. Ai e ka në dorë. Megjithatë, hija e vdekjes kishte hy në kasolle. Ka mâ se nji javë që flasin për të. E kujtojnë me mall, po nuk qajnë. “S’duhet t’i kënaqim anmiqtë!-u jep zemër nana- E ban Zoti mirë.

Ishte terrë plotësisht kur djali i madh hyni mbrendë.

-Nuk e do. S’kishte páre. Ra nji heshtje e randë. Të gjithë helm e vnerë. Dikur, si me vështirësi, nana çohet. Nxjerr nga një cep copën e gërtukes, racionin e saj që s’e kishte hangër. Dy ditë s’kishte vu gja në gojë dhe ia jep Tanit.

-Merre bir, haje! Të paktën ti sonte mos rri pa darkë, se ke ditëlindjen…Dhe e puthi. Por sytë e tradhëtuen. Pritej vetëm nji shkëndijë që të merrte flakë kasollja. Po Leta, vajza e vetme, nuk e la të merrte flakë. -Gëzuar ditëlindjen, vëlla!- iu drejtue buzagaz Tanit. E mbas pak, shtoi:-Lum si ti vëlla, që ke ditëlindjen dhe nuk mbete pa darkë…

Dhe që të gjithë vunë buzën në gaz. Qeshën. Se natë buzëqeshjesh ishte.

NATA E VITIT TË RI 1985.

Nusnia e ngrime

Asht nisë drejt vorreve të Kodër-Tepes. Ecën ngadalë. I hedh hapat si në kllapi. Do të vizitojë vorrin e nanës. Mbas gjashtëmbëdhjetë vjetësh… Para syve të mendjes bota ka dy njerëz: Ai dhe nana. Nëna… Nji grumbull njerëzish. Mjedis i randë. Burra e gra. Djem e vajza. Hyjnë e dalin. Ngjiten dhe ulen. Ngadalë. Të zymtë. Kokëulun. Në dhomën e madhe, gra shamibardha. Plaka dhe të reja. Mes tyne, e shtrime, shtang e ngrime, verdh si dylli, pa jetë-nji nuse tridhetëvjeçare. Vaj e gjamë.

Ma në fund i pushuen dhimbjet. Edhe rënkimet. Edhe lotët. Ata lotë që përherë i mbajtën të squllun dy sy të butë ngjyrë gështenjë. Dy sy plot dhimbje e trishtim, të cilët, edhe mbasi humbën gjallninë, nuk deshën me u mbyllë nga malli e dhimbja që  e shkrinë sa qe gjallë. Ia mbyll qepallat nji grue. E tash ata sy mbyllen përjetësisht. Po për çudi, pse në ato qepalla të zeza shndrisin ende dy rruza lotësh? Janë dëshmi e dy plagëve me të cilat vdiq:  fëmijtë tashma jetimë-dhe eshtnat larg vendlindjes. Rabija, nji grue krajane, ia fshin lotët dhe vajton:  “Pse, Fatime kaq e re po hyn në dhé?

“Po fëmijtë, moj fatzezë, kujt ia le? “Ku asht Ujkani, i vetmi vlla?

“Ai as sot s’erdhi me t’pa…“. Dy vajzat e vogla njomëzake nuk e dijnë se ç’e zezë e madhe i ka gjetë. I kanë ngashnjye e po lozin diku jashtë, larg vajit me dënesë. Ma e vogla, ferishtja, do ta ndjejë mungesën e loçkës së vet e shpejt do t’i shkojë mbrapa. S’do të shkojë gjatë, e mbas saj edhe e dyta. Vajza e tretë, ma e madhja, do të jetojë për me vuejtë. Vetëm ma i madhi, djali dhetëvjeçar, nuk gënjehet. E ndjen humbjen e madhe. Sillet si i marrë. Qan dhe lebetitet. Me të madhe. Me shpirt. Mbramë, si kurrëndonjiherë tjetër, e zuni nji gjumë i randë. E kushedi sa do të flinte po të mos e zgjonte i ati.

-Çohu!…Çohu, pra!… T’u shërue nana… Ajo kishte vdekë natën. Dhe djali shpejt e te kryet e nanës. Ia dha piskamës. Tek faqet e saj dyllë… Tek sytë e mbyllun përgjithmonë… -Sillini fëmijtë!-foli dikush pak ma vonë.

E çuen edhe djalin e saj të vetëm për të cilin kaq shumë qe gëzue kur ia njomi prehnin. Po gëzimi i saj u ngrî shpejt… Nji grue bani që dora shtang e nanës të rrëshqiste mbi flokët e djaloshit. Si nji lamtumirë e fundit. Ajo dorë do t’i mungojë tanë jetën.

Zhurma e nji kamioni e solli në vete njizetegjashtëvjeçarin. Kaloi urën në krahun e majtë, urën e lojnave fëminore dhe iu drejtue Kodër-Tepes. “Gjithçka ma e vogël…Ura ma e ulët, rruga ma e ngushtë. Edhe kodra duket si e rrudhun. “Shegët e egra nuk qenkan ma. Këtë shtëpi e paska lodhë pleqnia. Ja edhe pak… Hapat iu randuen. Rrahjet e zemrës veç që s’po ia çajnë krahnorin. Eci si eci, e kur mbërriti-shtangu! Asnji vorr! Veç disa gurë aty-këtu…“S’paska vorre! I paska përpi dheu…“. Iu errën sytë. Dhe qau me dënesë. Si atë ditë kur ia sollën nanën këtu. Lëviz ngadalë. Zemërdridhun si nji zog, shikon dhe loton. Në dy vende e puthi  dheun e ftohtë. E dheun e ‘huej‘ ndoshta ka puthë. Mandej shpërtheu: -O Nanëlokja e loçkës sime, që me shkrumb të vendit tand ike në lule të pranverës, tregoji djalit ku e ke vorrin! Se fatziu ta ka harrue… “Çohu, pra nanë, e fol me mue! Se nga larg kam ardhë me të pa…“Me ta pa atë fytyrë të zbehtë, që thuejse krejt ta kam harrue…“Ai koll i thatë që frymën ta ndau, a të ka pushue?…

“Sytë tu plot dhimbje, gjithmonë të përlotun, a të janë terë? Ti prorë vajtoje si nëpër kangë, kah baje rangë nëpër shtëpi, e mue si fëmi, në zemër tue më therë…

“Me mall përvlues për bjeshkë t’Rugovës, ti nji lumë lotësh derdhe, o nanë!

Në tis të syve, mes rruza lotësh e pa nanën e vet tue ardhë… Fytyra e saj nur i bardhë… Dhe krahëhapun e përqafoi me tanë afshin shumë e shumë. Dhe ashtu, të përqafuem, në ngrohtësinë e atij krahnori, e zu gjumi ma i ambël përmbi vorrin e rrafshuem.

Ai djalë jam unë. Larg vendlindjes e filizave të mi. larg vorrit të rrafshuem, në nji vorr të gjallë… Unë, gjashtëdhjetëvjeçari, gjithmonë dhetëvjeçar për nanën time me nusni të ngrime. Burg, Shën Vasi e Sarandës, 1990

Ku janë lulet?

Në vathën e madhe, me plumba të kuq e tela gabrana, qindra e qindra kambë lëvizin ngadalë. Pa zhurmë. Kambë si shkopinj. Kambë si shtylla. Edhe kambë që bajnë lak. Tjera kambë, të shtrime në shtrat. Në shtratin e fundit. Edhe kambë që zhduken pa nishan.  Krahë të fishkun. Krahë fluturues. Zemra të lodhuna. Zemra luani.

K r y e b a r i u  ka mbarësi. Vatha plym tejembanë. Me zjarr të gjallëve fresk u bajnë.

Lëvizje. Lëvizje e përditshme. E përvitshme. Heshtje. Gjithçka hesht. Hesht edhe qielli. Shumë larg tyne shkëlqen dielli. Dhe gazetat shkruejnë përditë: “Lule e dritë anekand.“.

-Ku janë lulet? Ku asht drita?-shpërthyen njizani bijtë e mi, bijtë tu, vllaznit tu. Si shqiponja, mbi zindan fluturuen. Me dy gishta diçka kërkuen… E barijtë gjinden ngushtë. Pesëfish vathën e rrethojnë. Me miklime, me zbritë poshtë djelmoshat ftojnë.

Prush betoni. Dielli djeg e përvëlon. Natën me yje kuvendojnë bijtë e mi, bijtë tu, vllaznit tu.  Nga goja jonë, për gojën e tyne, nji copë bukë e nji pikë ujë. Po kulshedra ujin ndaloi.

-Uuujë!…-si nji bombë shpërtheu lugina, e sytë tanë në vend u njomën. Goja jonë mbeti pa fjalë. Në drumin e gjanë, makinat ndalun. E nanat tona, tej telave gabrana, me lotë në sy. Tej vargut-ushtar, me gjyma në duer, çunat buzëvarë. Buzët e sokolave shkrumb e gjak… Etja ma në fund i qiti në lak. Pesë prej tyne pa adresë… Se pesë thepa ka ylli i kuq me përshëndetjen simbol- g r u sh t…Revolta e të rijve në burgun e Shën Vasisë së Sarandës, korrik 1990.

Fotografia

Gjithmonë aty. Në të njejtin vend. Në të vërtetë largohesh nganjiherë. Si era. E me vete më merr. Shkon ku ke shkelë dikur. Edhe ma përtej. Fusha e male kapërcen. Kudo që ndigjohet  fjala e ambël NANË, të cilën aq shumë e deshte. Dhe, saora, çilembyllsytë, prapë këtu ku je. E qetë. E pafjalë. Nji heshtje me dhimbje krenare. Heshtje që flet

shumë. I flet njenit ndër të paktët e sotëm që të njohën së afërmi e kurrë s’të harruen. Jeton mbrenda tyne. Ti i rrite. Të shikoj përditë. Bashkëbisedojmë në një dhomë. Ti, atje, nalt, në mur, e  unë në shtratin tim tashma të lodhun.

Vajzë e re. Njizetekatërvjeçare. Dhe e re mbete përjetësisht. E pastër dhe e bukur. Bukuri e papushtueshme. Pra, ne njihemi. Ma saktë të njoh unë ty. Nga travajat e shumta që të ranë për  hise e i përballove me qëndresë legjendare, nuk pate kohë me e njoftë ma të voglin vlla tandin, i cili, për herë të parë e të fundit, të pa para gjashtëdhjetë vjetësh-nji fjalë goje. Atëherë kur ta ndigjoi përsëpari zanin kumbues, që djersët ia nxori prokurorit. Kur mësoi për bëmat tueja heroike në të mirë të tokës që të lindi. Dhe kur pa se si u talle me vdekjen, ti, vajzë kapedane, Orlani Shqitarë. Dhe që nga ajo ditë, si shumë të tjerë, ushtar i yti mbeta. Nji ushtar që në jetë pati rrëmore shumë. Motra ime e shpirtit, sokoleshë mali!  Sytë tu rrezatojnë mbrenda meje. Dritë e forcë më japin. Ata më kanë

mbajtë gjallë edhe kur u përballa me vdekjen! Dy botë në nji. Ti dhe unë. Bashkëbisedojmë. Ma saktë, flet ti. I flet motra e madhe vëllait të vogël shtatëdhetepesëvjeçar. Pse ndryshe nga shumë e shumë vite  ma parë, pamja jote e këtyne kohëve të fundit, ma saktë e këtyne gjashtë viteve, po më befason? Ndjehesh ma e qetë, ma e gëzueme. Ta ndjej edhe krenarinë e mbrendshme. Ngjan me timonierin që bashkë me shumë shokë, ma në fund, në luftë me stuhinë, e ka nxjerrë anijen në breg.

Pra, të shoh të përtrime. Dhe ke të drejtë. Ka gjashtë vjet, motër, që Kosova po merr frymë lirisht. U shporr njiherë e përgjithmonë shkerbja e Uralit, të cilën ti me trima shumë, e luftove me guxim e zgjuarsi të rrallë. E në fund, me ndihmën e Zotit në radhë të parë, nipat e mbesat tua e shporrën nga trojet tona pushtuesin shekullor gjakatar. Doli profecia jote: Gjaku im nji ditë ka me u ba liria  e Shqipnisë. Dhe tjetra: …S’ka dyshim se mbas vdekjes sonë, djemtë e vajzat shqiptare do ta vazhdojnë luftën, derisa Kosova t’i bashkohet Shqipnisë.  Fjalët e tua të fundit para tytave të kuqe ishin: “KOSOVË!

Sa shpresëmadhe të gjeta e sa zemërplasun po të la! Por edhe në këtë  çast të mbramë, po i lutem Zotit: GJAKU IM T’U BAFTË DRITË! Dhe, d r i t ë  u ba. Kosova për të cilën ti u flijove, e fitoi LIRINË! Të skalituna mbetën fjalët e tua:

Ne luftuem që pjesët ma të dhimbshme të atdheut t’ia kthenim Nanës Shqipni.

Ndër tubime baje thirrje: Mos t’i lëshojmë këto fusha të bukura! Mos t’ia dorëzojmë shkjaut në asnji  mënyrë armët tona!  Mbaje fjalime tue ua ngritë moralin luftëtarëve. Dhe baje thirrje: Shqiptarët nuk duhet të shkojnë me luftue në tokë të huej!

Sqaroje edhe faktin e turpshëm: Partizanëve të Sërbisë po u ndihmojnë partizanët e Shqipnisë.  Lufta kishte dhimbje. Kur u vra Mehmet Agë Berisha, u shprehe: M’u

thye njeni krah. E për vrasjen e Pjetër Tomës, rojes tande besnike, u pate shprehë: Vrasja e Pjetër Tomës më ka goditë thellë. I pate thanë Shaban Polluzhës:

Kam ardhë me u ba kurban për këtë tokë. Duhet ta mbroj edhe unë siç po e

mbron ti. Por ne duhet të jemi të bashkuem. T’i lamë mbanesh mosvarrëveshjet. Për këtë edhe ta kam mësye. Kam ardhë me t’u lutë. Për hir të Zotit, për hir të Atdheut, të Kosovës dhe për hatrin tim, thirre Mehmet Gradicën e pajtohu me të! Bashkohuni. Po s’u ba kjo, ka me na dënue historia. E ndoshta ty pak ma shumë, se sot je baba i Kosovës.

E kur qe arritë kjo, Shabani u pat shprehë: Kjo çikë më bani me u pajtue, me u besatue për luftën që na pret me shkjaun.   Ishe procesmbajtëse në tubimin historik të Dobërdolit, ku morën pjesë afër 200 burra zâmëdhej. Mes tyne, ti, vajzë e vetme, the në atë tubim:

Motra dëshiron me vdekë me ju, e ju bashkë me të. Sa të jemi gjallë, të mos iu dorëzohemi sllavokomunistëve! Ma mirë me vdekë me gra e fëmijë, e me i pa tue vdekë, sesa serbi me na i pre! Tek ne mbetet qëndresa, besimi e bashkimi. Me armë në dorë, ne do ta fitojmë lirinë. Pra, le të bashkohemi e të betohemi përpara Flamurit tonë kombtar, se kambë e serbit nuk ka me shkelë këndej pari! Le të bahemi barrikadë, kala në kufi! Le të përdoret gjaku ynë në vend të zallit e gëlqeres, e trupat tanë si gurë!…      E burrat, shumë prej tyne të përlotun, u përgjigjën njizani:  Ti, motër shqiptare, na ke ndihmue në kohët ma të vështira. Ti pranove vdekjen me ne, e edhe ne pranojmë vdekjen me ty! Rroftë motra jonë!  Gjithmonë mes flakëve. E kudondodhun.

Në luftë e sipër, e kisha për detyrë që të plagosunve randë me ua hapë plagët, që ata të vdisnin shpejt dhe me ua asgjësue dokumentat. Kurse të plagosunve tjerë, me u shërbye e me u dhanë kurajo.  Kështu shkrove në hetuesi. E vetëdijshme se populli të donte dhe të mbronte, pate shkrue: Populli më donte e më ruente si di Zoti. Në Gllogjan more plagën e parë e u mjekove në shtëpinë e Dan Pjetrit në Dobërdol të Ujëmirit, qendër e ONDSH-së. Gjashtë muej të strehuen, të mbrojtën ma shumë se birin e tyne, tue rrezikue, gja që ma vonë edhe e paguen shtrejtë.  Dhe beteja e fundit, ajo e Siçevës. Nji përleshje e përgjakshme me forcat anmike disa herë ma të mëdha në numër. Nji qëndresë heroike. Anmiku e pagoi shtrejtë, por edhe nga çeta u vranë 28 luftëtarë lirie e dhjetra të tjerë të plagosun randë. E për këtë, shkrove: Oh, ç’kanë pa sytë e mi! Dhimbje që nuk përshkruhet!…Dhe pak ma poshtë: Rrobat m’u mbushën me gjak…Mbeta e vetme në mes të pyllit… M’u kujtue njena nga pyetjet që të banë në hetuesinë sllavokomuniste, në nji kohë kur kishe shumë plagë lufte të pashërueme. -Qysh kur je marrë me politikë?

Dhe ti, në atë gjendje, vajzë e re, e vetëdijshme për çka të priste, u përgjigje:

-Po, qysh herët, që në moshën njizet vjeçe jam marrë me politikë, nëse mund të quhet politikë dashunia për atdheun. Jam përpjekë, qysh se di për vete, për nji Shqipni Etnike, të bashkueme me pjesët e saj të shkëputuna-Kosovë e Çamëri. …Më fal, motër, që po të ndërpres. Pse pikërisht në këtë moshë kaq të re jeta jote mori këtë kahje? Le prindët, Shkodërlocen tande, braktise edhe studimet dhe u hodhe në zjarrin e luftës. Çfarë të nxiti, çfarë të ngacmoi?  Që fëmijë jam edukue nga prindërit me dashuninë për Atdheun. Po qartësinë politike ma thelluen në shkollë profesorët e nderuem që kisha. Gjithmonë e kam urrye pushtuesin, pra edhe fashizmin. Po kur komunistët vranë në Tiranë intelektualin patriot Ludovik Zojzi, e pak ma vonë edhe Iliaz Agushin, apostullin e shqiptarizmës, pezmi im arriti kulmin. Vendosa që edhe unë të baja diçka. Para meje ishin dy palë anmiq: fashizmi e komunizmi. Po ky i fundit ndoshta edhe ma i zi, sepse tjetërsonte njeriun. Iu drejtova Kosovës, e cila sapo kishte nisë me marrë frymë lirisht. Kishte nevojë për kuadro. Nuk dihet se ç’mund të sillte mbarimi i luftës. Dhe, siç dihet, ndodhi ma e keqja. Ngjarjet rrodhën ashtu si rrodhën. Ti do me dijtë edhe ma shumë për jetën time. E shoh. Jeta s’u matka me vite, por me përjetime. Katër vitet e mia, 1942-1946, kanë qenë tejet të ngjeshuna. Arritje e dhimbje. Gjithmonë me nji qëllim. Gjithçka në shërbim të kombit. Partia ime ishte Atdheu, Liria. Kam krye vetëm detyrën. Asgja ma shumë. Randësi ka se kurrë nuk dredhova rrugë. Ndaj ndjehem e qetë që dhashë ma të mundshmen time. Kam përjetue shumë dhimbje, por lufta e drejtë t’i zbutka plagët. U rrita nëpër beteja, mes luftëtarëve të shquem, siç ishin: profesor Ymer Berisha, Mehmet Gradica, Shaban Polluzha, Ukë Sadiku, Ndue Përlleshi e shumë të tjerë. Ata ishin dhe mbeten krenaria e trojeve tona. Kosova asht djep herojsh. Unë, shkodrane, e ndjej veten si bijë të Kosovës, e në radhë të parë, bijë e familjes së Dan Pjetrit.  …Ti don me dijtë diçka edhe për fëmijninë time. Pse ma kujtove?… Nji vajzë si të gjitha tjerat, por disi me rrebe. Më tregonte nana Dilë, dritë pastë, se kurrë nuk paskam luejtë me kukulla. Edhe fustanet s’i paskësh pëlqye shumë. Me djem lueja ma shumë dhe grindesha me ta. Kur shkoja në shtëpi, nana më qortonte tue më thanë: “Kot ke lindë vajzë…“. Më ka pëlqye rregulli, pastërtia. E deshta shkollën. Kam dijtë me ndigjue dhe me vëzhgue. Jetova me hallet e familjes, por shpejt ua ktheva shpinën. Jeta ime mori tjetër rrjedhë.

-A u çmalle kur të erdhi Roza, motra e madhe? A të përqafoi edhe në emnin tim?

-Më gëzoi tej mase kur më tha se Kosova ishte në prag të lirisë. Por ardhja e Rozës në marsin e vitit 1999 më plagosi. Ishte pinjolli i fundit i derës së Mark Simon Shllakut, e me të, ajo derë u mbyll përgjithmonë…

Jo, motër, nuk u shkim dera e Mark Simon Shllakut. Ajo derë, si shumë dyer të tjera të stërlashta, do të mbeten të paharrueme, sepse lindi heroinën Marie Shllaku. Të lindi ty, motra jonë!

Një përvjetor

Shëndeverë tue u shalakatë, në livadh të blertë nandë lule mblodhi. Kur dhetë u banë, nji shi i nxehtë keq e përvloi, e në fushë të blertë ma nuk shkeli. Nëpër rrëmore u torolang. Prorë tue rendë në hapsinë me driza, me jo pak dhimbje, shkopij mblodhi, se s’kish fishekë. Sa u banë gjashtë, në lak të qafës kulpra i ra, e në gropë e hodhi. Nuk u lëndue, por i theri n’zemër, keq u gandue. Katër sokola i shkyu ulkonja. Kurrë s’i harroi. Me vete i mori… Doli si doli. Eci dy ditë. Po tue u nxitue, rishtas në gropë. Dy netë në terr. Nuk u ligshtue. Rruga e nisun duhej vazhdue. Me duer e kambë ferra tue shtypë, dritë kërkonte. Kaloi gjashtë shtigje me shumë mundime.

Njomzakëve dritë me shpirt u dha. Mos me u përlye, shtëpisë që e lindi me dhimbje shpinën ia ktheu. Livadhi i Vjetër… Me lotë dashnije tokën e puthi. Por u zhgënjye shpejt. Bari i shkelun… Lule të thame…Dryna të verdhë…Eshtna mal. Mu si matanë, në mos ma zi. Nji vend i mbyllun. Frynte shumë erë. Nji erë e qelbun, plot helm e vnerë. E bante ftohtë. Akull e brymë. Nji natë e gjatë me shi e shtërngatë.U struk i heshtun miza tue mbytë. Kur u banë njizet e tetë, shpërthyen rêtë. Rrëmyeshëm reshmja e vuni para. Shkumbë e valë, shpirti pa i dalë…Po nuk u mbyt. Tetë netë zvarrisje e në breg doli.

Kishte lindë dielli. Livadhi i Vjetër dukej tjetër. Po veç ngjyrën kishte ndrrue. I tejlodhun, mbi shpinë të zogut fluturoi në dhé të huej. Iu qetësuen zorrët por qetësi s’gjeti. Në shkëlqimin marramendës, sytë e tij në arrati… I biri veshi rrobën e të et. Xhubleta në muze mbet. Shkruen diçka e s’i pëlqen. Ndjen se pena i asht topitë. E ka ç’me thanë. E vonë asht ba për nji det dhimbjesh. Lëvizë në dhomë. Si në kthinat e blindueme. Mijëra xixa në sytë e tij. E letra e bardhë përpara i rri. Cilën sosh të kapë ma parë, se janë shumë e të gjitha i dhimbsen. Mu si prindi me shumë fëmijë. Shkruen dhe grisë. Nuk i pëlqen. Fjala në letër s’rri tamam. Si këpucët që s’bien për kambë. E orët ikin. Shtohet tundimi. Dron se dufin jashtë s’po e nxjerrë. Se shumë dallëndyshe ka përcjellë. Pena në dorë ngushëllimi i tij. Kot jetoi, po s’e nxori zjarrminë jashtë. Shkruen dhe grisë. E sa herë gris dhimbja i shtohet. Sikur zhgulë diçka nga vetja. Nuk po e rrokë të parin sitil. Dhe lëvizë. Dhe do të lëvizë derisa të rrëzohet. Livadhi i ndamë ka me u bashkue. Ndoshta ai s’ka me e pa, por nipat do ta gëzojnë. Shikon pasqyrën e befasohet. Në sy të e djathtë nji lexohet, e në tjetrën numri … Dhe mbet pa mend… Si paskan ndërrue vend këta dy numra?! Kur kalova në Livadh të Vjetër, numrin  kish syni i djathtë, e me tjetrin lexohej …

Lulëkuqe të ngrime, ju ma vodhët jetën time! Tokë e lashtë e të parëve të mi, mbi truell tand s’randova kurrë. Në gurrën tande ujë kam pi. Dy pllambë dhé për eshtna të mij!

Në Krovë të Gjermanisë, 1992.

Prilli im

Ta kisha harrue pamjen. Se ike shpejt, si të mos kishe qenë. Hijen mbrapa e le. Të largët. Të mjegullt. Dhe e huej do të mbeteshe po të mos ishte kjo copë kartoni me shënimin mbrapa-njizetvjeçar… Përvjetor i bukur. Po sesi tingëllon kjo sot për shtatëdhetëepesëvjeçarin. Nji andërr ngacmuese. E dhimbshme. E dija se ke qenë. Vetëm kaq. Gjethja e zverdhun, s’e kujton njomësinë e dikurshme. Më dukesh si mish i huej. Se s’jam ai që je. Ke mbetë hije mbrenda meje. Nji gjurmë dremitëse. Por gjurma mbetet gjurmë.  Kam lanë gjurmë që ia vlejnë? Fundja, ç’randësi ka, kur çdo gja do të avullojë…

Ma kujtove njizetvjeçarin, çka pak randësi ka sot për mue. Se nuk kam kohë. Ti ma kujton errësinën, e çasti më fton me e prekë, me e jetue. Ti je unë e unë s’jam ti. Nesër, nëse ka “nesër“, s’do të jem ky i sotmi. Lëvizja asht spirale. Ke shikim të butë, ball të kthjellët, mendime fluturake. Të pastra. Pa njolla. Dy herë u rrëzove, e sërishmi rende drejt burimeve të kristalta. Po nuk t’i njomën buzët. Sa më vjen keq për ty. Më dhimbsesh, sepse e din çka të pret…Kurse unë ndjehem mirë. S’po më kupton? Ke të drejtë. Që të dy kemi të drejtë, ndonëse mendimet na bien ndesh. Si pamjet tona, të hueja për njena-tjetrën. Ti i ri, e rinia asht bukuri, kurse unë fytyrëshmitër. Unë të njoh ndërsa ti s’më njeh. E për këtë nuk të qortoj. Pa ty s’do të isha ky që jam. I mirë?-këtë s’e thashë. Por edhe i keq jo. Në këtë mes nuk hyn thika. Mirësia na kushtoi dhe e keqja na teproi. Por kjo e fundit vuni në lëvizje mendimin-ushqimin e domosdoshëm për këtë rrugë të lodhshme. Bota ishte e jotja. Qiellit me grusht i bie. Nuk e dije se qielli mbrenda teje ishte. Kërkoje dorë të fuqishme-gjakosje duert tua. Mbas pëllumbave rende-sorrat pamjen ta errsuen. Dritën ndoqe-në gropa u rrëzove.

Doje ta rregulloje botën-e bota ishe ti. Kështu, me çou e rrzou do të mbërrish tek unë.

Ti dije shumë, unë i kam harrue. E luftove të keqen-mue po më tepron vetvetja.

Ti i unshëm-unë i ngopun. Ti zemërzjarr-unë i ndalun.

Sigurisht që baj vrima në ujë, por ndjehem mirë. E prapë, që të dy kemi të drejtë. Si PRILLI me TETORIN. Dy botë në nji gotë. Në nji gotë me pak ujë. Kurrë s’të pëlqeu me ndejtë në bisht. Po në këtë tokë me rrëmore shumë, s’shkohet kund me shpirt të butë.

…Vonohej treni që ditëpërditë të çonte në punë. S’e çaje hallin e vonesës tande. Tjetër gja të shqetësonte ty. Do të jetë i ri ai që grahë trenin, e s’ia ka marrë mirë dorën punës-mendoje ti-mund ta pushojnë. Ndoshta ka fmijë… Kështu, tue e ba si fakt të kryem, të dhimbsej njeriu që nuk e njihje, e nuk dije asgja për të… E tepruemja del jashtë ene. Këtë rrugë ndoqëm të dy. Dhe na qiti jo pak punë.  Sa të jem unë do të jesh edhe ti.

Tash rri ku je. Po më thërret perendimi i diellit. Due me u kënaqë tue i pa gjethet sa ambël bien…

E diele të vitit 1946

Buzëmbramje e kandshme shtatori. Nji hije ndalet. Nuk i ecet ma ndej. Ndanë rruge nji stol e fton. Gjallni. Lëvizje. Si shiu që trazon ujët e ndêjun sheshi shkundulloi. Rininë e humbun në pëllambë të dorës ia solli. E tash ai s’asht aty. Ngjarje të randësishme e të parandësishme i dalin përpara… Pse, të parandësishme janë ato ngjarje që nuk i shlyu nji pesëdhjetëvjeçar?  E diel, 24 mars 1946…

Dita e ditëve të mavonshme. Sheshi plotepërplot. Miting. Kërkohej Triestja me krahinën juliane. E fill mbas mitingut, burgu-Kullat e Xhevat Beut… Sa kujtime… Gjyqi i Prizrenit. Njizet e shtatë të pandehun. Në krye, motra Marije. Ai nuk iu gëzue lirimit.

Makinat e KFOR-it e këndellën.  “Prapë italianët. Po tash me tjetër mision.“.

Para Hotelit “Skenderbeg“, shumë të armatosun. -E kujt asht Kosova?

-E jona!-e fuqishme përgjigja  -Me çka do ta mbrojmë?  -Me gjak!

E gjaku u vlonte të rijve. Po ndryshe nga etërit e tyne, në dërrasën e zezë të shkollës, shkruenin: V.F-.L.P! Duhej të mbaronte lufta, që ta kuptonin se për Kosovën fashizmi paskësh qenë shumë ma i mirë se parulla e masipërme që solli katër “C-të“.

Lufta… “U gëzoheshim avionëve që gati përditë përshkonin qiellin e qytetit tonë. Uturima e tyne-kënaqësi për ne. Por nji ditë ata na dhuruen bomba. E gjak e gërrmadha qyteti.  “Në klasën tonë edhe 3-4 malazes shqipfolës. Sa për farë. I respektonim. Vetëm Zekiu i ngucte për mbrapashtesat e mbiemnave të tyne. S’ka ma VIÇ, u thonte-E kemi pré! Dhe ata buzëqeshnin. Nga halli. “Na çliruen vllaznit e Shqipnisë së Vjetër. Ata që na quejtën kokëderra. Mandej na lëshuen në dorë të shkjaut, të vllaut të idealit. Të atyne që u mbarojnë mbiemnat me VIÇ.  E Tabja me vneshta, plot eshtna…E Sali Ukella: Qitni, he ju dhjefsha n’ta!  Meli nuk asht mâ. Po unë e shoh sa herë që e ndigjoj këtë emën.

“Nxanësit e mi…Rriteshin ata, e bashkë me ta edhe unë. “Herët paska shkue Remziu në Kakarriq…Mermeri i ftohtë mbi shokun tim të ngushtë…

Rugova martire…

Larg po më duket e pranë e kam. I huej në vendlindje… Ç’dhimbje! Ajo Grykë buzët-shkrumb prej s’largu m’i ka njomë.  “Kapërcimi i gardhit… Si qeni mizat në stel, ditët m’i përpiu.  Por mësova nji gja të madhe: edhe mizat krijesa janë.“.

Britma shendeverë: “Besa! Besa!“, ia ndërpreu udhëtimin. Brohorisnin tifozat për fitoren ndaj “Vllaznimit“. Në fytyrat e tyne hare e shpengueme. Se VIÇ-i ngordhi.                                                                                                         Buzëqeshja juej, butësi e freski për shtatin tim të fishkun. Sendëzim i andrrës së kahmotshme.“. Nji gjethe e zverdhun i ra mbi krye. Dhe ai me kujdes e palosi në bllokun e shënimeve. U ngrit. Se gjethja i foli: “Ka ardhë koha me ua lëshue radhën të tjerëve…“.

Gjurmë që flasin…

-Copëza nga ditari- Budisalc i Pejës, dhjetor 1949.                                                                                                    Qe vonue treni atë ditë. Kolegia ime malazeze, Natalia Stamatoviq, u kishte thanë nxanësve të mi të vinin në mesditë. Meqë bante ftohtë, dimën, hyna në klasën e saj dhe po qëndroja pranë stufës. -Kështu pra, nxanës të dashtun,-tha due vijue mësimin aty ku e kishte lanë-, kurrë mos harroni, se Shkodra duhej të ishte e jona, e Malit të Zi. Asht kjo nji padrejtësi e pafalshme e fuqive të mëdha ndaj vendit tonë. -Ç’përrallis kështu, moj kolege!-ndërhyna i zemërueme-Pse helmon nxanësit me të pavërteta historike?

-Pse, nuk e ditke ti, që malazestë e kanë çlirue Shkodrën?-po më jepte mësim ajo.

-Simbas kësaj logjike,-i them unë-edhe Jugosllavia i përket Gjermanisë, sepse e kanë çlirue… -Po gjermanët ishin pushtues!-hapi sytë ajo, e befasueme.

-Po malazezët, a s’ishin pushtues të Shkodrës, ku as për farë nuk banon qoftë edhe nji malazes?  Dhe dola jashtë, tue shkapetë derën.

Tregimet e Martin Coli nga Klina

Në kohën kur gjyshi im ishte ende i ri, zot shtëpie në nji familje të madhe-Colajve, i vjen në konak patrioti i mirënjohun Haxhi Zeka, i cili mes tjerash i thotë:

-A do me ble tokë?

-Besa kam nevojë, por nuk ia mbërrij.

-S’po ta la shumë shtrejtë. Dhe po të pres.-i thotë Haxhi Zeka.

Në fund bijnë në ujdi dhe caktojnë afatin e pareve. Gjyshi shet shumicën e bagëtive, hyn borxh ndër miq e shokë dhe, përpara afatit të caktuem, i shkon Haxhi Zekës te kulla e tij në Pejë. Heq qemerin dhe ia numuron lirat. E Haxhi Zeka, mbasi i lëmon me dorë verdhushkat, merr vetëm nji sosh, e fut në xhep të xhamadanit, ndërsa pjesën tjetër ia kthen. “Merri!-i thotë-Janë tuat. Kaq kushton toka ime për ty. Ia pafsh hajrin!“. Dhe, atypëraty, ia lëshon tapinë e tokës në dorë.

Që prej asaj dite, me amanet nga gjyshi ynë, në shtëpinë tonë, sa herë vjen festa e Shën Kollit, ndezim dy qira: nji për Shën Kollin e nji për shpirtin e Haxhi Zekës.

Në qytetin e Pejës në verën e vitit 1944

Përballë Hotel “Skenderbeg“, ndanë Lumbardhit që i bien qytetit mespërmes-

t r e k a n d ë sh i… Në podium dy të varun. Kokat e shtrembnueme dhe qafat e stërgjatuna… Mes tyne, mbi nji arkë, me litar në fyt, nji tjetër-i gjallë. E kishin mbulue djersët. Nuk lëvizte. Herë mbas here, me gjysmë zani të shterrun, mezi arrinte me shqiptue fjalën “ujë…“. Kjo jepte me kuptue se ende nuk i kishte dalë shpirti.

Përpara tribunës, sheshi plym me njerëz. Të heshtun. Vërenin me dhimbje atë skenë të tmerrshme. Të gjallin ma shumë. E në ato çaste të randa, kur askush s’e priste, me nji shpejtësi e shkathtësi të çuditshme, nji grue çau turmën, hypi në podiumin e vdekjes, shkoi pranë të gjallit e me mundim ia afroi safën e ujit pranë buzëve të shkrumbueme… Ai hurthi disa herë dhe grueja, me të njejtën shpejtësi që hypi, u kthye në mesin e turmës. Rojet gjermane, për çudi nuk reaguen. S’patën kohë apo nuk deshën, kjo s’u muer vesh.

Ky ishte djaloshi komunist, shkodrani Tofik Çanga, të cilin e varën në Gjakovë të nesërmen e asaj dite.

Në fshatin Trestenik të Pejës në vjeshtën e vitit 1952

Po rrija nën hijen e nji kumbulle, degët e së cilës, të randueme nga kokrrat e pjekuna, fshiknin barin e njomë. Kur, papritmas, ndigjoj nji përshëndetje në gjuhë të huej. Ishte nji vajzë që mezi po mbushej frymë.

-Fat që ju takova!- më tha mbasi arriti me u qetësue disi.

-Pse, çka ka ndodhë?!

-Desh të më vriste ai “bjellokapci“!-dhe tregoi me gisht nji fshatar, i cili në atë çast, kushedi se për ç’hall, po ecte disi me nxitim.

-Po talleni?-i them unë.

-Mesa shoh, po ndodh e kundërta. Ju e dini që këta “Šiftari“ të vrasin.

-Nga jeni?

-Nga Kroacia. Jam me nji ekip shëndetsie.

Atëherë, me durim e sqarova, se këta “Šiftari“, siç i quente ajo me nofkën përbuzëse, janë ALBANCI, njerëz që jo vetëm nuk vrasin ndokënd kot së koti, por të huejin, si asnji tjetër komb në Europë, e mbrojnë dhe e nderojnë kur ai asht paqësor. E pashë se nuk po më besonte dhe i tregova letërnjoftimin tim, tue i thanë se edhe unë isha bir i këtyne qeleshebardhëve. Vajza u gjind ngushtë, u skuq e më kërkoi falje, tue më falenderue për sqarimin që i dhashë.

Dhe m’u kujtue Esat Mekuli, djepi i letërsisë kosovare, tri poezitë e tij, mbresëlanëse për kohën:

“Druže, ne recimi Šiftar“, botue tek organi qendror “Borba“.

Poezia: “Turk elham dylil lah“ dhe “Betimi i nanës“, botue tek revista “Jeta e re“

Pejë, viti 1949

Fatime quhej. Banonte në shtëpinë tonë, Kapeshnicë. Ishte shtatzanë e i them nji ditë:

-A po ma ban nji nder?

-Çfarë ndere pret nga unë?-u befasue ajo.

-Me ia vu unë emnin fëmisë që ka me të falë Zoti.

Qeshi e ma dha fjalën.

Ajo lindi djalë, i afrova nji listë me tridhetë emna nga brumi i shqipes, e Fatimja pëlqeu emnin Besim. E urova me gjithë zemër dhe e falenderova për nderin që më bani.

Disa muej ma vonë,-sapo isha kthye nga vendshërbimi- e gjej Fatimen tek po përgatitej me e çue djalin tek mjeku dhe e vendosa me e shoqnue. Mjeku, serb, merret vesh, mbasi e vizitoi, tue plotësue recetën, pyeti për emnin e foshnjës.

-Besim!-i tha Fatimja.

Mjeku, i pamësuem me emna të këtij brumi, u ndal dhe e pyeti:

-Ka ndonji kuptim ky emën që nuk e kam ndigjue kurrë?

-Sërbisht don me thanë Veran- iu përgjigj Fatimja, e cila sërbishten e fliste brisk.

-Epo, kështu thuej!- tha mjeku dhe u ba gati me shkrue në recetë emnin Veran.

-Doktor!-ndërhyna i nevrikosun-Ku keni pa e ndigjue se emni i njeriut përkthehet? Shkruejeni siç e ka: Besim!

Dhe mjeku s’e bani dysh. Tundi kryet dhe shkroi atë emën që s’e kishte ndigjue kurrë.

Et’hem Dalip Helmësi

Ishte nga Pojani i Korçës. Në burg u rinjoha me të. Se paskëshim qenë dikur bashkënxanës në Gjimnazin e Ulët të Pejës, gjatë Luftës së Dytë Botnore. I ati, Dalipi, dikur student në Gjermani, paskësh qenë njeni nga të 200 antarët e Partisë Naziste të porsaformueme. Në frontin kundër rusëve, në zonën e pushtueme, ai kishte qenë komandant i batalioni gjerman dhe kishte ba kërdinë. Ma vonë e dërgojnë me shërbim special në Pejë. Në dukje si nëpunës i thjeshtë, por që kontrollonte besueshmëninë e kuadrove që drejtonin Kosovën. Ishte nji luftëtar i vendosun kundër komunizmit. Vetë shkon në Çakorr me luftue dhe merr me vete të birin, Et’hemin gjashtëmbdhetëvjeçar, i cili, në luftë e sipër, plagoset në dorë dhe humb njenin sy.

Përjetova emocione të fuqishme kur mësova për jetën e tij. Ishte impulsiv, i qartë politikisht dhe me kulturë. Kishte krye për matematikë. Ishte edhe besimtar i thellë dhe kërkues, i një natyre krejt të veçantë. Nuk e njihte fare frikën. Siç e thashë, me të u rinjoha në burgun e tij të dytë dhe mbeta i pandamë me të, si shok e vëlla. Sikur të gjithë shqiptarët të mendonin e të vepronin si Et’hem Dalip Helmësi, kombi ynë do të ishte padyshim më i shquemi në Europë.

Ai u lirue nga burgu para meje dhe në ato çaste, kur po ndahesha me të, i lëshova në dorë këtë poezi:                                                                                                                                    “Unë ta putha dorën                                                                                                                                    Ditën kur u ndamë.                                                                                                                      Katër sy në atë çast

Me dashni u lanë                                                                                                                                                 Dorën e shit                                                                                                                              Për ditën e bardhë.                                                                                                                                Ti në zjarr u hodhe,

Djalë 16-vjeçar.

Syni yt shpellë…-

Shpellë në zemrën time-

Dritën e ka derdhë

Për Kosovën trime.

Hoxha i Trestenikut, 1952

Lexoja shumë. Edhe rrugës tue ecë. Madje, ka pasë raste që lexoja edhe tue ngranë. Merresha edhe me shkrime. Shkurt, koha e lirë për mue ishte punë. Sapo mbaroja mësimin, fill e me krye në libra e dorëshkrime. Mirëpo, çdo mbasdite vinte me ndejtë hoxha i fshatit, emnin e të cilit sot s’e mbaj mend. Mendoja si ta hiqja qafe e të mos turpërohesha me të, se ishte njeri i mirë. I them nji ditë:

-Hoxhë efendi, a don me më ndigjue diçka?

-Po more, nëqoftë se asht punë që bahet.

-Bahet.-dhe i ofrova romanin “Sikur të isha djalë“ të Haki Stërmillit.

-Me e lexue?!-u befasue ai. Dhe e mori librin me shuplakë të dorës, tue e peshue.

-Ma dhe fjalën.-i thashë.

-Atëherë po çohem, se kur punoj më pëlqen me ndejtë vetëm në dhomë.

Nuk u duk dy javë. E pyeta si me marifet dhe u binda se e kishte lexue. S’i bana za edhe për dy ditë. Mandej, i them sërishmi:

-A po e lexon edhe nji libër për hatër tim?

Dhashë e mora me të e, si përfundim, arrita me ia lëshue në dorë romanin “Lulja e kujtimit“ të Foqion Postolit. Ai e mori si me besdi. Dhe, prapë s’u duk për dy javë. Kur u rikthye-tash s’kishte kuptim t’i propozoja ma libra-i drejtohem:

-Shih çka thotë nji hoxhë persian që ka jetue para shumë shekujsh. Omar Khajam quhej. Dhe i lexova ngadalë e me kujdes disa nga rubairat e famshme. E ngacmuen aq shumë sa m’u lut që t’ia jepja librin. Dhe, për dy muej s’u duk ma tek unë. E kishte kopjue fjalë për fjalë.

Ma vonë rashë në hall me të. Kërkonte libra me lexue, e unë me vështirësi arrija me ia sigurue, sepse na mungonin.

Burgu i Pejës, Karagaç, 1949

Tregonte Sherif Rexha nga Korrotica e Epërme-Drenicë.

Erdhën partizanët e Shqipnisë së Vjetër edhe në Drenicë. Ata që vendin tonë ia dorëzuen shkjaut. E kujtoj si sot. Në shtëpinë tonë erdhi me bujtë komisari me dy partizanë. Nuk i dorëzuen armët simbas zakonit. Në prehën i mbajtën. E babës nuk i erdhi mirë. Kah e vona komisari i drejtohet babës:

-Ju kosovarët jeni kokëderra!

Valla more burra, s’kishte gja ma të randë se me të sha miku në bukë tande!

-Shka je kah thue, bre!-iu ngërmue im atë.

-Ju keni thënë: “Rroftë fashizmi!“.

-Edhe në paçim thanë, kemi pasë hak.

-Si ore, paskeni patur hak?!-dhe komisari vuri dorën në armë.

-Mos u ngut, lum zotnia. E mba vesh çka po të thom!

-Jo “zotni:, por shok.-qortoi komisari.

-E, ndigjo pra, ti lum shoku… Ne kemi ndejtë tridhjetë vjet nën shkja. Për nji libër shqip na kanë burgosë. Se ma, për shkolla në gjuhën shqipe as që bahej fjalë. Ne e dinim që kishim një flamur, por kurrë me sy nuk e kishim pa. Aq ma pak të valëvitej. Erdhi fashizmi e na e hoqi qafe shkjaun. Na hapi shkolla, na armatosi dhe na e lejoi edhe flamurin tonë. Saktë, e paska pasë flliqë me do sende anash, por ma mirë ashtu se hiç. Si thue ti? Ju jeni ma të mirë, e ju lashtë Zoti.

Dhe komisari nuk e hapi ma gojën.

I mirënjohuni rugovas Cufë Sokoli, nji emën që s’harrohet

E pata njoftë qëkur isha fare i ri. Për zgjuarsinë e tij, ndonëse i pashkollë, edhe sot e kësaj dite flitet shpesh në Kosovë. I kishin ra flokët, e njeni nga të pranishmit në shtëpinë tonë, e pyet:

-Cufë, pse të kanë ra flokët?

-Tue qeshë me zor.-përgjigjet Cufa.

Kohë ma parë, paskëshin ardhë nga Beogradi disa akademikë, të cilët ia kishin mësye drejt e në Rugovë. Mesa duket, për me gjetë gjurmët e origjinës së derës së Karagjiorgjeviqëve, të cilët, siç thuhet, paskëshin qenë kelmendas. Meqë Cufa e njihte mirë serbishten, e marrin si përkthyes. Kur shkojnë në Kuqishtë të Rugovës dhe marrin vesh për emnin e fshatit, ata shprehin mendimin se fjala “Kuqishtë“ vjen nga fjala “Kuča“, pra “shtëpi“.

“Jo!“-ndërhyn Cufa-“Asht fjalë shqipe dhe s’ka lidhje me Kuča-n tuej. Siç po e shihni, katundi asht si në gropë, i rrethuem nga malet. Në mëngjes, i pamë nga ato maje, në pranverë ky vend, prej bimësisë, kuqëlon nga rrezet e diellit. E të parët tanë patën thanë: KUQ ISHTE. Mandej këto dy fjalë u shkrinë ndër vedi dhe u krijua emri KUQISHTE“.

E pyesin Cufën se si quheshin ato bjeshkë të nalta.

“Janë Bjeshkët e Shtedimit“-sqaron Cufa.

E akademikët thonë: “Vjen nga fjala jonë ŠTEDIM.

“Jo!“-ndërhyn Cufa-“Kjo asht fjalë shqipe. A e shihni që edhe tash në verë ato maja janë të mbulueme me borë? Pra, ban shumë ftohtë, ban dimën. Kur e të parët tanë e panë së pari, patën thanë: Ishte dimer= Shtedim.

Mbas luftës, kur hyn në nji zyre, i thonë Cufës:

“Hiqe kapelen!“.

Dhe Cufa përgjigjet:

“Kjo s’asht kapele, por plis. Nuk e ka ba mjeshtri për me u varë në gozhdë.

I veshun me kostumin karakteristik të Rugovës, në nji ditë vere e qet puna në Beograd. I afrohet nji gazetar dhe i thotë:

“Ju lutem, pse e mbani tanë këtë shall rreth kreje, tash në verë?“

“Nevoja na e ka kthye në traditë. Banojmë në nji zonë të ftohtë malore dhe qytetin e kemi larg. Shalli na mbron nga të ftohtit, por në anë tjetër na shërben edhe si qefin, sepse jemi në luftë të vazhdueshme me anmikun. Kur vritet ndonjeni prej nesh, e mbështjellim me shallin e tij dhe e shtijmë në dhé.

I ankohen rugovasit Cufës:

“Siç e din, komandanti i xhandarmërisë në Drelaj asht tue na ardhë hakut. A mundesh me na e heqë qafe disi?“.

Cufa gjen dy kilogram duhan kontrabandë dhe, natën, arrin me e futë në bodrumin e postkomandës. Të nesërmen, gjoja për punë, hyn në zyrën e shefit kryesor në Pejë, e përshëndet dhe i ofron kutinë e duhanit.

“Si guxon me pi duhan kontrabandë, e për ma tepër me ma ofrue edhe mue? A e di se për këtë të dënoj me ligj?“.

“Mos u nxej!“-i thotë Cufa-“Kur guxon me e pi postkomandanti ynë në Drelaj, pse të mos e pi edhe unë?“.

“Kam me të dënue për këtë shpifje!“-thotë shefi tue u çue në kambë.

“Nuk asht shpifje. Shkoni tash në Drelaj, por jo ma vonë, e po nuk gjetët duhan kontrabandë në bodrum, ateherë flasim bashkë.“.

Dhe rrengu i Cufës dha rezultat: Postkomandantin e shkarkuen.

Nish, 1952

Sekretari i Fakultetit shënon gjeneralitetet e studentit: emni, mbiemni, vendlindja, shtetësia. E kur pyeti: Narodnost?, studenti i ri i tha Albanac, çka në Pejë, për të mos pasë pasoja duhej të thonte shiptar.

Sekretari ndal dorën dhe mbas pak shton:

-E dini se edhe unë kam prejardhje Albanci?

-Domethanë qënkeni shqiptar?

-Jo, unë në ndërgjegje sot jam serb, por ndoshta gjyshi im ka qenë, sepse ka folë ngapak shqip. Si ne, këtu në Nish ka me qindra familje, por tue qenë të besimit ortodoks, me kohë ne jemi serbizue.

Nishi, zemra e Serbisë.

Sa shumë na ka rrudhë historia!

Pak ditë shërbeva si mësues në fshatin Mazrek të Shkodrës, zonë e Dukagjinit. Ishte dimni i vitit 1957. Nji fshat i shkapërderdhun, tejet i vorfën.

S’po më vinte në shkollë nji nxanës. Dhe i shkoj në shtëpi. Shtëpi i thançin. Edhe tash që më kujtohet ndjej dhimbje. Nji kasolle e thurun me thupra dhe e lyeme nga mbrendë me baltë. Kuptohet, pa tavan. Dyshemeja, dhé i gjallë, i zi e tanë gunga të vogla. Për dritare, nji vrimë rrumbullake, e shtupueme me nji thes leckash. Nji derë me katër dërrasa të mbërthyeme dosido, nga ku vërshonte të ftohtit që të thante. Në mes të kasolles, nji zjarr që ma shumë nxirrte tym se flakë. Mbrenda në kasolle, nji nuse e re anemike me nji fëmijë gjashtë-shtatë muejsh në prehën. U gjind ngushtë kur më pa.

“E mjera unë që s’kam çka me të qitë!“-më tha e këto fjalë më landuen edhe ma shumë në zemër.

“Mos u shqetëso për këtë.“- i thashë dhe u ula në stol përballë saj. Nuk e hapa fare gojën për djalin që s’vinte në shkollë.                                                                                 “Ka shkue me të atin me mbledhë máre.“.

“Pse po e vlon atë ujë në fultere?“-e pyeta.

“Po asht i vogël, more mësues, gjashtë muejsh. Nuk e ha bukën e misrit pa e zbutë pak. M’u errën sytë dhe dola. Në ato çaste thashë me vete:

Ku me e marrë kasollen e ftohtë të Migjenit, se aty të paktën kishte nji lopë!

Burg, 1985…

Tregonte Vasil Kati, ish-zëvendësministër i Tregtisë së Jashtme:

Dilja jashtë shteti për të bërë kontrata tregtie, sipas planit që më jepej. Kur kthehesha sillja me vete lojëra të ndryshme për kalamajtë, gjëra që tek ne asokohe mungonin. Në fillim i zbrazja para syve të udhëheqësit kryesor të vendit, në vilën e tij. Ai zgjidhte ato që i pëlqenin më tepër, për nipërit dhe mbesat e tij, të cilat aq shumë i donte. Edhe mua më tepronin mjaft. Më thotë një bos jashtë shteti: “Kam disa kuintalë gjalpë. Meqë s’po gjej treg, sa t’i flak në det, merrini ju dhe faljuani popullit të varfër!“. Por unë nuk mund të vendosja pa u këshilluar me eprorët e mi. Përgjigja më erdhi: JO. Herën e fundit, jashtë shteti, për të zezën time, bashkë me shumë lojëra të tjera fëmijësh, bleva edhe një qen të bukur elektronik. Ishte aq interesant sa edhe unë u kënaqa me të. Vendosa që këtë qen të mos ia tregoja udhëheqësit të vendit. Mirëpo, mbas disa javësh, ai më thërret në zyrë dhe më drejtohet tërë butësi:

-Shoku Vaskë, më kanë thënë se ke sjell nga jashtë një qen të bukur.

-Po shoku udhëheqës.

-Sikur të ma jepje për nipërit dhe mbeskat e mia, do të më bëhej qejfi.

Dhe unë, duke menduar se udhëheqësi ishte me të vërtetë njerëzor, i dashur dhe mirëkuptues, i thashë me naivitet:

-Ah, shoku udhëheqës, e kam ca të vështirë tanni, sepse fëmijët janë mësuar tashmë me atë qen.

-S’prish punë fare.-tha ai me buzëqeshjen e tij karakteristike.

Me kaq u largova.

Mbas tre muajsh, më vunë prangat si armik i popullit, sepse jashtë shtetit qënkesha takuar me ca të arratisur që punonin kundër pushtetit popullor. Dhe për këtë: 15 vjet burg, shoqëruar edhe me internimin e familjes. Kuptohet: qenin e mori se e mori për nipërit dhe mbeskat e tij të dashura!

Pejë, 1944…

Nxanës në Gjimnazin e Ulët të Pejës… Na tregonte profesori ynë i nderuem, Serafin Mazreku: Isha student në Austri. Me dispensa në dorë, dola një ditë me studiue jashtë qytetit. Pranë meje kalon me motoçikletë një person. Kur motoçikleta mori kthesën, prej saj ra nji çantë e madhe në tokë, gjë të cilën motoçiklisti nuk e vuni re. I thirra që të ndalonte, por ai u largue si era. Vështrova rrotull, por nuk kishte frymë njeriu. U afrova, hapa çantën dhe ç’të shihja! Çanta ishte e mbushun plotepërplot me kartëmonedha. Siç u muar vesh ma vonë, ai kishte qenë pagatori i punëtorëve të një uzine. Në ato çaste, filloi një luftë shpirtnore mbrenda meje: t’i dorëzoja apo t’i mbaja? Ma në fund vendosa që të mos e ndërtoja lumturinë mbi fatkeqësinë e të tjerëve. Bana shpalljen në gazetë dhe i zoti i mallit ia behu menjiherë. Ai veç që s’mi puthi kambët nga gëzimi. Futi dorën në çantë, mbushi grushtin me të holla dhe m’i zgjati. Nuk ia mora, ndonëse ai ngulmoi gjatë. Atëherë m’u drejtua:

-Kush jeni ju që ma batë këtë nder të jashtëzakonshëm?

-Nuk kam ba ndonji gja të madhe.-ia ktheva- ju dhashë atë që ishte jueja.

-Si flisni kështu? Unë nuk e di si mund t’jua shpërblej. Jo vetëm që më shpëtuet nga burgu, por edhe nderuet tanë farefisin tim. Se askush nuk do ta besonte që më kanë humbë, por do të dyshonin se i kam përvetësue. Prandaj, ju lutem shumë, më thoni kush jeni? Unë duhet ta di.

-Jam shqiptar.-iu përgjigja

-Shqiptar?!-u befasue ai-Po emnin si e kini?

Por unë nuk ia tregova emnin tim.

Në këtë kohë ra zilja që lajmëroi mbarimin e orës së mësimit dhe profesori bani me dalë.

-Profesor, pse nuk ia treguet emnin?-e pyetëm të gjithë njizani.

-Këtë gjejeni ju!-na tha profesori ynë i nderuem.

Asokohe ishim të vegjël, 13-14 vjeçarë dhe s’mund ta kuptonim mesazhin që mbartte ky rrëfim i profesorit të nderuem.

Gjuha shqipe

Në hapsinën e begatë me lumej e dete shumë, kryezot në ngastrën PLAKË, i mësoi shkerbet si me folë i stërlashti PELLAZG HYJNOR, i madhi fis, i pari ARIAN, i shpërndamë tejembanë ku lind dielli e perendon.

Dhe i forti gen s’doli fare nga rrebeshet. Grusht i mbledhun në nji brezare, prapë i thotë sot GURIT-GUR, siç i thanë zotat dikur.

Gur themeli- rrezatim për fjalë të lashta pa shpjegim, të fryme nga era në gjuhë tjera-taban SHQIPJA e fisit ARBNOR, gen i ruejtun PELLAZG HYJNOR.

Vegshi

Disa javë mbasi dola nga burgu i vllaut, (se dy herë tjera i pata prej shkjaut), nga malli shkova në fshatin ku kisha shërbye për herë të fundit: në Zejmen ku zuna mend… Takova disa nga kolegët e mi, të cilët u gëzuen kur më panë. Mes tyne edhe Gjovalin Frani (Mashi), pinjoll i derës së Dedë Cokut, i mirënjohun në bregun e Matës e ma përtej.                                                                                                                                               -A të kujtohet-m’u drejtue Gjovalini-kur si me dorëza pate rrëzue gur mbi sistemin që e theu qafën?

-Jo. Asgja s’më kujtohet.

-E unë të thashe: A nuk ke frikë se unë mundem me të denoncue?

Dhe Gjovalini, si të kishte ndodhë dje ajo bisedë, ma rikujtoj fill e për pé përgjigjen që i paskësha dhanë:

“Nuk e besoj se ti e ban nji veprim të tillë, sepse të njoh çfarë njeriut je. Nuk ta mban edhe dera me u marrë me punë të tilla. Por, le ta zamë, se ja, e bane… Se mue më burgosën dhe ty, si shpërblim, të rrahin shpatullat. Vetëm kaq. Fundja, le të mendojmë se edhe vdiqa në burg, domethanë e lashë pa e përfundue vegshin tim të groshës. Kurse ti do të vazhdosh ngeshëm me e hangër deri në fund vegshin tand. Po mandej? A nuk do të vish edhe ti tek unë? E ku mbetet fytyra e njeriut?“.

Kurrë s’i harrova këto fjalë.-përfundoi bisedën miku im.

Gjovalin Frani, ma i ri se unë, nji burrë i pashëm e nga derë soji, sot nuk jeton ma-dritë pastë. Ndërsa unë, ende po gjerb në vegshin tim ato pak lugë që kanë mbetë.

Vegshi im…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok