14/10/2024

Nga Brunilda Zllami

Teksa shfletonte një pas një fotot e të shkuarës, cepat e buzëve formonin një buzëqeshje të hollë, që tregonte krenari të mpleksur me trishtim. Ishte një përzierje ndjenjash e emocionesh që e kishte topitur, ndërsa vështrimi rrekej të lidhej me kujtimet e kohrave kur ishin shkrepur ato foto. Dhe në çdonjërën prej tyre ishte një femër tejet e hijshme, një nga ato që kur i vështron të vjedh sytë. Sytë që nuk shkëputen dot nga një bukuri e tillë mahnitëse, sy që duan të rrëmbejnë atë pamje për ta ruajtur si diçka të çmuar e të jashtëzakonshme në përjetësi.

Që kur kishte lindur ajo kishte arritur të shkaktonte emocione të paprovuara tek ata që e kishin njohur. Një fëmijë me sy të mëdhenj ngjyrë deti, flokë të arta që formonin disa valëzime të përkryera përreth lëkurës së bardhë si prej albastri. Kishte foto ku e ëma ia kishte kapur flokët me fjongo bojëqielli, ku dukej aq hijshëm sa edhe vetë rrinte me minuta të tëra duke i admiruar. Çdokush që e takonte ndalonte herë duke i përkëdhelur flokët, herë duke i kapur faqet me një lloj dashurie e inati të përzier me habinë që ekzistonte dikush me një bukuri të tillë. Gjyshja ishte e para që e kishte pajisur që në lindje me një koleksion të larmishëm hajmalish, ca gure, pjesë kafshësh, disa barishte që i njihnin vetëm të vjetrit. Nuk guxonte të dilte pa to, madje disa herë që ishte rebeluar e kishte paguar me vuajtje nga tenperatura, dhimbja e barkut dhe njëherë kishte thyer dhe këmbën. Edhe sot i ruante hajmalitë e gjyshes, ndonëse nuk kishte më rëndësi nëse i vinte apo jo.

Nuk ishte e nevojshme të kuptonte se kur nga një fëmijë i bukur, u kthye në një femër tronditëse. Ishin vështrimet e të tjerëve, kryesisht meshkujve që vulosën hyrjen e saj në adoleshencë. Ishte topitja e tyre kur ndeshnin sytë e hijëzuar nga qerpikët e dendur, buzët e plota ku e poshtmja ishte pak më dalë duke e bërë më joshëse. Nuk shqiteshin vështrimet nga qafa e gjatë ku mbante hajmalitë e gjyshes, gjoksi që kishte bulëzuar si gonxhe e rritur si trëndafil, beli i hollë, këmbët e përsosura. “ Ti ke një bukuri që të vret” – i kishte thënë një nga shokët e kursit që ishte kaq i magjepsur pas saj sa lënda e vetme ku shkëlqeu ishte pikturimi në mendje i çdo elementi sado të parëndësishëm të pamjes së saj. Po bukuria nuk ishte vrasëse, përkundrazi. Ishte si një kartë, si hajmalitë e gjyshes që amplifikonin qënien e saj. Kur je i bukur të duket diçka e natyrshme që të tjerët të dorëzohen pa kushte. Para bukurisë zbutet e hutohet gjithkush edhe i serti, i ndershmi, arroganti, i pasuri. Të bukurën e do gjithkush dhe natyrshëm pa kontrolluar veten rendin për ta pasur. Nuk kujtonte dot sa sy e kishin ndjekur një jetë të tërë, sa fjalë dashurie kishte dëgjuar e sa zemra kishte plagosur. Për atë që kishte lindur ashtu, ishte një e drejtë që i takonte. Një e drejtë që i kishte ardhur si dhuratë nga natyra, një dhuratë që e kishte shfrytëzuar si ujin e një burimi të bekuar gjithë jetën.

Burrat që kishte njohur e kishin parë gjithnjë si objekt të rrallë koleksioni që asnjëherë nuk iu kishte interesuar mendja e saj. Nuk kishte kuptuar ndonjëherë pse burrat nuk mund të pranojnë që një femër e bukur mund të jetë dhe e zgjuar. Apo truri i tyre njëdrejtimor nuk mund të konceptojë mendjen e një femre? Apo ndoshta nuk duan të prishin imagjinatën e ëmbël të pasionit që nxit një femër e bukur me kokëçarjen që krijon një femër e zgjuar? Si përfundim kishte mësuar që gjëja që urrejnë më shumë meshkujt ishte një mendje që mendon e pavarur dhe një gojë që shpreh ato mendime. Dhe kishte mësuar të heshte duke nënqeshur me vete sa herë që dikush mendonte se kishte në dorë një kukull kur në të vërtetë kishte një dhelpër me sy naivë. Por zgjuarsi është dhe të lësh një mashkull të mendojë se është i fuqishëm dhe që ka të drejtë. Ata që kishte njohur, nga të gjitha klasat e moshat kishin një të përbashkët. Ishin qënie kaq të thjeshta që mund t’i komandonte si marioneta. Zoti nuk duhet të ishte munduar shumë kur krijoi meshkujt. Për ta ka vetëm një katalog përcjellës dhe një pult universal komandues që fillon me fjalën “Ke të drejtë I dashur! Je kaq i zgjuar…”. Ajo e mësoi këtë togfjalësh që bashkë me bukurinë e sharmin që përsosi ndër vite u bë arma vrasëse, bukuria që vret!

Dashurinë e njohu vetëm njëherë dhe ishte më tepër iluzioni i saj se dashuri e vërtetë. “Atë varfanjakun do zgjedhësh? Ti mund të kesh kë të duash dhe zgjedh atë barktharin? Sot do të dojë, por kur të shohë atë fytyrën prej urithi para të des do të shembë në dru. Se burrat xhelozë bijë, janë të frikshëm para diçkaje që nuk e kontrollojnë”. I ishte bindur të ëmës, një gruaje të mençur që kishte jetuar atë nga e cila po e mbronte. Dhe kishte të drejtë. Pas shumë vitesh kur e kishte takuar dashurinë e parë kishte qeshur hidhur. Një burrë i zakonshëm nga ata që duken si guret e një rruge pa personalitet.

Ajo nuk kishte dashur askënd, por kishte marrë dashuri nga më të çuditshmet, ato naivet, të marrosurat, pasionalet, sipërfaqësoret, të përjetshmet dhe momentalet. Kishte koleksionuar burra interesantë dhe të pasur, të lexuar dhe budallenj, arrogantë e të sjellshëm, fisnikë dhe të pagdhendur. Dhe kishte marrë atë që donte, sepse asnjëri prej tyre nuk deshi as diti të lexonte mendjen që fshihej pas bukurisë së saj.

Tek po shfletonte fotografitë ndihej e dyzuar brenda vetes, sepse tani që bukuria I kishte lënë vendin një femre në moshë pak koka ktheheshin kur kalonte ajo, pak vështrime putheshin me sytë e saj. Një kohë kishte dashur të ndalonte kohën me botoksin, vetullat e nxira si shqiponjë ( nuk e kishte kuptuar asnjëherë këtë historinë e vetullave të trasha mashkullore) të frynte buzët që vitet i kishin ndryshuar, më pas kishte vendosur të donte veten siç ishte, me rrudhat e holla, vështrimin e mençur, buzëqeshjen e natyrshme. Ajo kishte pasur çdo gjë në jetë dhe mund të kishte luksin të donte veten e saj siç e kishin dashur gjithnjë të tjerët.

Duke shfletuar fotot e një kohe të shkuar, ajo më në fund vendosi të mos mërzitej që nuk ishte më e bukur.

“Nuk do doja para, as dashuri. Thjesht do doja që koha të kishte ndaluar. Por bukuria nuk vret dhe as mungesa e saj!

Tek e fundit dhe femrat e bukura plaken një ditë!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok