30/03/2025

BUKURIA E SHPIRTIT NË NJË LETËR QË SFIDON KOHËN

0
Skufi-Letra

(Mes  kujtimesh  të  një  ditari)

NGA DR. EDUARD A. SKUFI, ATHINË

…Bashkë me fotografinë e nënës e të babait në valixhen e rrugëtimit  tim  vendosa  dhe  letrën e një  nënë  labe. Nuk doja ta  ndaja  nga  kujtimet  atë  letër, një letër që nuk ishte vetëm dëshmi  mbresëlënëse .e një  kujtimi  nostalgjik, por dhe dritë motivimi për karrierën dhe jetën  time në  vazhdim. Ajo letër mes coprave të një shpirti të dërmuar dhe të një zemre të helmuar të një nëne, që gjente kurajon  dhe  mirësinë të  shprehte mirënjohjen, duke  sfiduar thënien Aristoteliane se ”mirënjohja plaket shpejt”. Por nuk ka gjë më të bukur dhe më       të besueshme sesa ta shohësh veten me sytë e të tjerëve…

Në meditim  u iluminova  nga  aforizmi i të shquarit  Spinoza:”Nëse dëshironi që  e tashmja të  jetë  ndryshe  nga       e  kaluara,  studjojeni   të   kaluarën”.

Agimi i pranverës të vitit 1984 me ringjalljen e natyrës, i zgjoi mendimin për dritën. Zbriti në Vlorë nga kurora e maleve të  Gërnecit, si një shpat mali mbështetur në një shkop të gdhendur, me dritën e mendjes, pasi fati  ja  kishte  privuar  dritën e syve. Ishte e lartë në trup, stoike, një  grua  burrneshë, që mbante mbi supe dramën e tetë dekadave, quhej Bejaze  Hoxha. Imazhi krejtë në të  zeza, dhe shamia po në atë ngjyrë mbi kokë, nuk i zbehnin as hijeshinë, as  fisnikërinë. Kërkonte  dritën e syve, dhe mbas mohimit për kaq vjet  të  asaj  dëshire,  kur zhgënjimi i kishte  thyer  optimizmin, më së  fundi  vendosi. Me mendimin e kristaltë   dhe   shkopin  magjik  udhërrëfyes,  kërkonte  mjekun. Në spital i thanë se doktori ishte larguar pas shërbimit të rojes. Kur panë  kufizimin  e  aftësive  të  saj i propozuan një tjetër mjek, por  ajo  e  refuzoi. Mblodhi veten  dhe  zbriti  rrugën e spitalit. Në  atë cast një dorë  ju mbështet në sup. Nënë Bejaze, u dëgjua zëri i ngrohtë i Sidherit, i atij  njeriu  të mirë, që sa  herë  e kishte  vizituar në fshat, i dërguar nga komiteti. Ajo menjëherë e njojti dhe e përshëndeti. Për ku kështu, vazhdoi  bisedën  ai. “Erdha për të marr dritën, kërkoj Dr.Edin”, ju përgjigj  nënë  Bejazia e vendosur. Pasi i spjegoi se nuk e gjeti doktorin në spital, kërkoi ta  çonte  tek  shtëpia  e tij. Dhe kështu duke biseduar u gjendën tek  sheshi  i Kateqit, në  shtëpinë  e doktorit.

…Në oborrin e shtëpisë  pranë  trëndafilave, im atë në shezlongun e tij  po  lexonte  gazetën  ndërsa  mamaja  ujiste  lulet. U dëgjua trokitja e  bastunit në portë, dhe me një, urdhëroni, mamaja u gjend  pranë  nënë  Bejazes dhe  Sidherit. Prindërit e mi i mirëpritën  dhe  biseda  u ndez miqësisht. Unë lart në dhomë, shtrirë në divan për tu qetësuar, në tingujtë e një muzike instrumentale, dëgjoja  bisedën. Mësova  se ajo nënë  labe  kishte humbur djalin e vetëm, Yllin. Në moshën 16 vjec, ai kishte dal partizan  dhe nuk e  pa më. Në shkopin që e  drejtonte nënë  Bejazen, kishte të skalitur  portretin  e djalit, si dritë që i ndriconte  rrugën. Por fragmentet e dramave të jetës së saj      nuk kishin të sosur. Një forcë e brëndshme më  ngriti nga   divani. U vesha, zbrita  shkallët dhe u gjenda  pranë  tyre. Mbasi i  përshëndeta   me   përzemërsi   dhe    shkëmbyem   mendimet, telefonova të vinte autoambulanca. Shkuam  në  spital  për ta vizituar. Bukuria e shpirtit të  saj i reflektonte  në  fytyrë , ndërsa sytë përpëliteshin në  errësirë  për  pak  dritë. Të dhënat gjatë egazaminimit të njërit sy  ndezën  optimizmin, ndërsa syri  tjetër  dikur  i  operuar  mbetej i  pashpresë. Biseduam  gjatë,  më bëri rrëfimin e jetës së saj  me zë  të dridhur. Ku imazhi i  saj u gjigantua, sepse emri i saj  bashkonte virtyte  dhe vlera,  por ashtu  shumëfishonte  përgjegjësinë time  si njeri  dhe si  mjek…

Dita e operacionit ishte e vecantë për mua, vështirë  ti  shmangja  emocionet. Operacioni nuk ishte i lehtë, pasi katarakti ishte i  përparuar dhe i ndërlikuar me rritje të tensionit okular. Mbretërinë e qetësisë në sallë e prishte vetëm  tringëllimi i instrumentave kirugjikalë  dhe ndonjë  këshilla ime. Së fundi  interventi  kirurgjikal  përfundoi  me  sukses. Shkallën e suksesit do ta vërtetonin ditët në vazhdim. Unë e përkëdhela nënë  Bejazen dhe i komunikova  përfundimin e  operacionit.  “U të keqen nëna, bir i nënës, nuk kuptova gjë fare, të faleminderit”, u dëgjua  zëri i saj, i emocionuar. Ditën e nesërme, kur e mora në dhomë për ta ekzaminuar dhe i hoqa nga syri pansamentin, ajo nuk e përmbajti veten, fluturoi nga gëzimi. Mandej bëri një ritual emocional  rrënqethës, duke ju drejtuar  shkopit  ku  ishte  skalitur portreti i të birit :“Malli më dogji shpirtin për tynë, ti  më erdhe me dritën dhe lirinë”…Krenarinë dhe  burrërinë e saj e thyen  lotët. Unë shtanga. Ajo mori  dorën time  e  puthi  dhe shtoi :  “ Më  dhe  dritën  bir,  dritë  pac  gjithë  jetën  tënde !”

Kështu  nënë  Bejazja  hyri në  shpirtin  tim  për  të  mbetur  aty. Muaji pas operacionit  në vizitë më dha kënaqësi të plotë, pasi rezultati ishte i pabesueshëm, me parametra të normalizuara. Ajo e  shprehte gëzimin pa u kursyer. Kur po ndaheshim nxorri nga trasta një postiqe prej lëkure dele, në anën e pasme të së cilës kishte qepur një copë të leshtë me dekoracion të qëndisur, plot ngjyra dhe tonalitete. “Eshtë e jotja, më tha, ta vendosësh mbi karrige kur lexon.E krijova me syrin tënd dhe zemrën time”.

Fundi  i  Nëndorit  papritur  na  ndau me babanë. Insulti cerebral i preu enkas rrugën e jetës. Sic po bisedonim të dëshpëruar me mamanë në sallon, postjeri na  solli  një  letër  rekomande nga Gërneci. E hapa fillova ta  lexoj  i prekur, Ishte letra me ngjyrat e shpirtit dhe të zemrës të asaj nëne  kreshnike,labe . Nuk  mund ta  mbaja  të  fshehtë  këtë  fragment emocionues : “ Me  kohë  kisha humbur dritën e syve dhe besimin për tu mu rikthyer. Kështu e konsideroja veten të gjallë si të vdekur, pa shpresë. Por duke më folur  njerëz të ndryshëm të operuar e mjekuar nga Dr.Edi për aftësitë dhe sjelljen e tij humanitare vendosa të operohem. Njojta babanë dhe nënën e doktorit që më hapën derën e më pritën me respekt, aty kuptova ku i merrte vlerat ai djalë. Dhe tani me dritën e syrit që më dha Dr.Edi, bir i nënës, dhe jo vetëm në sy  por dhe në shpirt, po ju shkruaj  këto dy fjalë për të shprehur mirënjohjen dhe falenderime, duke i uruar suksese në vazhdim dhe jetë të lumtur. Dr.Edi nuk është vetëm djali juaj, tani u bë djalë e shkuar djalit  edhe  për mua, prandaj të  na rrojë  dhe  ta  gëzojë   jetën  ashtu sic  ja  do  zemra “…

Fjalët e asaj letre ishin rrezatim vlerash që  fshihte  shpirti i dhëmbur  i  kësaj  zonje  të  heshtur. Akoma nuk ishin shuar impresionet, kur një e  trokitur me shkop më ngriti. Ishte ritmika e shkopit të Nënë Bejazes. Ajo kishte dëgjuar për humbjen e babait, por fisnikëria dhe sublimimi  shpirtëror nuk e linte indiferente  dhe   vinte   për   ngushëllime.  Ajo  nuk ishte vetëm  ikonë, por  kompozim  mes ngjyrash  individuale, ku  filantropia me  altruizmin  bashkëjetonin   në   një   zemër  të  madhe.

Ajo  nënë  që nisi djalin partizan pa mbushur 16 vjec  dhe nuk u kthye. Një ditë i prunë vetëm kapelen e tij me yll të kuq, ku ishte fshehur  letra e  nënës qëndisur me gjak, dhe shallin që ajo i kishte varur në qafë. I shoqi nuk e duroi dhimbjen e u bashkua dhe ai me partizanët. Ndërsa nënë Bejazja mes lotësh u thurte  çorape leshi dhe dorashka. Kur prunë ushtarët italianë si robër në fshat, për ti ndarë tek fshatarët, ajo kapërxeu dhimbjen e shpirtit, duke shprehur vlerat morale. Mori e mbajti me ngrohtësi në shtëpi, si djalin e saj njërin prej tyre. Në dimrin e acartë kur bishat naziste donin ti vinin flakën gjithëçkaje, ajo me disa nëna të tjera, e veshi kurajon me zgjuarsinë  labe  dhe  shpëtoi  fshatin. Ajo mbarte mitrën genetike  të  mëncurisë  dhe trimërisë  të  bjeshkëve  të  labërisë.

Pra ishte një portret tipik i nënës labe, ku vlerat e personalitetit, stoicizmi dhe burrëria mbështeteshin në një shpirt me ndjenjë, vec krenar e të pathyeshëm, në një kodë “emancipimi“ natyral  dhe  unikal. Ajo nuk ishte  si imazhi tradicional i “Nënës” së Gorkit, as si ai misterioz i “Nënës” thriller të T.M.Loganit, por do të mbahet mend si një  tip  i vecantë, me  përmasa të  tjera, që mohonte  moshën  kronologjike dhe gjininë, duke   abstraguar kufizimet.

Një ornament i rrallë fisnikërie ku harmonizoheshin në  një status, elementet  epike të  trimërisë  dhe të bujarisë, me reflektim të  karakterit  Epirotik dhe Spartan  të nënës, që  sintetizohet  në  fjalët  e  shenjta,  NENA  LABE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok