03/12/2024

Brerore lavdie feniksëluftëtarëve

0
u6_Nuhi-Veselaj

BRERORE LAVDIE FENIKSËLUFTËTARËVE ANONIMË E TË TJERË

SADOPAK TË NJOHUR TË SHKRIMSHQIPNXËNIES

KUDO QË ISHIN, JANË E DO TË JENË

Verba volant, skripta manent  (Fjalët i merr era – shkrimi rron përhera)

Nga Dr. Nuhi Veselaj

Parasqarim motivimi

Lindja e lashtoshqipes, natyra dhe struktura saj, si për gjuhë të tjera, edhe për të, mbetet enigmë, por ne sipas parimit ontologjik logjikisht mbështetur në realitetin e sotëm, po shprehemi ortoletrarisht se Zotynë që nga krijimet e para të shoqërisë njerëzore, popull-kombin tonë e ngarkoi dhe e bekoi me këtë gjuhëpor sidoqoftë, edhe pse misteret e ADN-së mbesin të pazbërthyera qartë, ne duke falenderuar të parët e të parëve tanë e pasuesit në vijimsi, tashti jetojmë shqip: flasim shqip. gëzohemi e brengosemi shqip dhe së këtejmi edhe mësojmë, meditojmë, por edhe lexojmë, shkruajmë e krijojmë shqip. Nuk thuhet kot se KrijuesiZot, si të tjerëve edhe të parëve tanë, kur ua besoi vetëqeverisjen mbi Tokë bashkë medhantitë si: vetëdija, vullneti dhe kujtesa historike, duke ua bekuar gjuhën ua ngarkoi përgjegjësinë me detyrim për tamirëmbajtur dhe t’ua trashëgojnë brezave dinjitetshëm, sa më të më të pasur, po edhe me ngarkim përgjegjësie. Së këtejmi, edhe sot secili individ shqipfolës i memendshëm lidhur me këtë dhanti ka detyrim ndaj vetvetes, familjes, rrethit shoqëror dhe ndaj kombit e ndaj hyjnisë që ta japë kontributin e vet në arat frytdhënëse brenda kufijve të nënqiellit të Nanës së Atdheut në të mirë të gjuhës shqipe, prandaj edhe ne sipas dëshirës së kësaj Nane këtë punim aurealë të titulluar: “Brerore lavdie feniksëluftëtarëve anonimë e të tjerë sadopak të njohur të shkrimsbqipnxënies kudo që ishin, janë e do të jenë”, po ua kushtojmë pikërisht shqiptrashëguesve dinjitozë ose feniksëshqipkultivuesve anonimë e të tjerëve që në rutinë deri tashti dhe tashembastashi, sipas mundësisë ta kryejnë amanetin rreth trashëgimisë së shkrimshqipnxënies.

Së këndejmi, pikërisht duke u mbështetur në historikun dhe përpjekjet rreth shqipshkrimit apo shkrimshqipnxënies anonime, jo mjaft të njohur që meritojnë të zbardhen e të përkujtohen me respekt për hir të ecejakës së vështirë të mësimshkrimit shqip gjatë historisë sonë jo të largët, meditimin tonë do ta shprehim me disa fjalë në këto 6 pika:

1) Gjurmë shqipe e shqipshkrime nën hijen e feniksëluftëtarëve pararëndës e frymëzues të rilindësve tanë, të cilët, në krahasim me gjuhë të tjera, na e lanë shqipen të identifikuar botërisht të tipizuar si gjuhë më vete si në aspektin e brendshëm strukturor, ashtu edhe në atë të botës së jashtme.

2) Shkrimshqipnxënia, para, gjatë e pas LPB me theks shkolla e konvikti “Kosova” në Kolgecaj e Krumë, vepër vlerëshume kjo, por pak e përkujtuar te ne.

3) Takimi ynë i parë në Kosovë me shkrimshqipnxënie në “Tokat e Lirueme”, bashkuar Shqipnisë-Nanë gjatë LDB (1941-1944).

4) Vazhdimi i shkrimshqipnxënies zyrtare ndaras Shqipëri/Kosovë, 1945-1966, në dy nënperiudha mjegullnajash 1945-1948 dhe 1948-1966.

5) Rreth shkrimshqipnxënies euforike standarde në Kosovë si në Shqipëri (1967-1999)..

6) Realiteti i ri pas demokratizimit, sfidat rreth krizës konceptore të një grupi standardistësh paskajorefobë nga Qendra, pengues drejt normëzimit të natyrshëm të shkrimshqipnxënies.

Natyrisht, fjala përmbyllje si përfundim nuk do të mungojë me shprehje urimi e mesazh suksesi për feniksët e shqipshkrimit.

1. Gjurmë e shqipshkrime nën hijen e pararëndësve dhe të vetë rilindësve tanë

si feniksëluftëtarë të vërtetë me frymëzim iluminist kombëtar

Pa hyrë në parahistori e histori të lashtë nga mesjeta e tutje, po nisur nga mesjeta e vonë e teknej ia vlen të përkujtohet trashëgimia e feniksëluftëtarëve të shqipshkrimit nga pararendësit e Rilindjes sonë Kombëtare, të cilët na lanë vepra të sukseshme shkrimi, pikërisht në shqipe me potencial modern të identifikuar qartë, duke filluar nga Formula e Pagëzimit (1462), veprat e shkrimtarëve të Veriut të konfesionit katolik, me jehonë vërtet kombëtarie “ën së dashuni të botës sanë”. Kalojmë nga Jugu përmendim uniatët, pastaj anonimin e Elbasanit dhe shqipshkruesit voskopojarë e pasuesit e tyre të konfesionit ortodoks, pa harruar shkrues e poetë muslimanë bejtexhi nga të gjitha viset e Shqiprisë pasi që edhe tek këta u përftuan shkrime me vlera përtej fetare, ashtu si ishin edhe një mori shkrimesh me shumë vlerë që i prinin shkrimit shqiporilindës nga arbëreshët e Italisë.

Sidoqoftë, lidhur me sa u tha ia vlen të theksohet e vërteta, se këta shkrimtarë të vjetër pararilindës bindjen dhe besimin e tyre tre konfesionor e shprehën me alfabete të huaja, por me fjalë të gjuhës që e kishin dhuratë perëndie. Po sido që të ketë qenë, kjo stafetë e shkrimit të shqipes gjithnjë duke u vetëdijësuar u përkap dhe më me zemër e ndërgjegje të plotë nga feniksluftëtarët tanë rilindës, shebëlltyra të ndritura atdhetare, të cilët pa dallim feje, krahine e ideje, deri edhe në gojën e ujkut çpikën armën mbrojtëse, 36 shkronjat  (Alfabeti shqip i Stambollit), për të folurët shqipme të cilat u identifikua dhe u madhua shqipnxënia, duke rrezatuar edhe përtej perde-kurthave të Qendrës së Osmanisë në Stamboll dhe qarqeve të shteteve shoviniste fqinje, të cilat nuk e donin zgjimin kombëtar të shqiptarëve.

Ç’është e vërteta, rilindësit tanë si feniksë të vërtetë arritën të nxirnin nga shpirti i popullit dhe të derdhnin e ngulitnin po në ndërgjegjen e masës të asaj popullate nektarin e shkrimshqipxënies sonë të shëndoshë, mësim-ushqim ky i mbjellë në arën kombëtare, e cila bimonte e shumohej në çdo çast, kudo ku i jepej mundësia, siç ishin saksitë lulësore mendore intelektuale të shoqatave të mërgimtarëve shqiptarë, por edhe në strofullogjet kanunore fisnike brenda trojeve vendëse, ku kishte gjurmë lashtotradita shqip, e cila u bë bimë substancë elikzire që jepte fryte pavdekësie për arbërshqiptarët, duke u shfaqur si gjuhë shkrimi gjithandej jo vetëm diasporave por edhe brenda trojeve shqipfolëse, duke ndjekur shembull burimet që prinin siç ishte Shkodra loce me rrethinë me shkollat shqipe-katolike, me kombinin shkronjash latinepor me përmbajtje gjithnjë e më me ngjyrim shqiptarie.

Ndërkaq, si rezultat i kësaj veprimtarie rilindëse, sidomos me alfabetin shqip të Stambollit (Samiut) u krijua premisa gjithnjë me përmbajtje më të fortë shqiptare, kështu në Korçë, (lule shqiptarie), jo pa vështirësi u bë hapja e shkollës së parë zyrtare kombëtare shqipe. Po ashtu në këtë vazhdë u vulosën si tapi dy veprat madhore emblematike të kulturës së shkrimshqipnxënies: Kongresi i Manastirit (1908), dhe Normalja e Elbasanit (1909). Dhe kështu shkrimshqipnxënia përkundër pengesave të shumta nga jashtë e brenda, në prag ashtu edhe gjatë Luftës I Botërore, nuk kishte të ndalur.

2. Shkrimshqipnxënia në prag, gjatë e pas LPB, me theks shkolla e konvikti

“Kosova” në Kolgecaj e Krumë, vepër pak e përkujtuar te ne

Është e vërtetë se periudhat gjatë e pas Luftave Ballkanike si dhe Luftës I Botërore, gjeografisë shqipfolëse i solli fatkeqësi më të mëdha se koha e Turqisë, ngase tokat shqiptare, vetëm pse ishin pothuaj formalisht nën sundimin turk, të përkrahura nga Europa, u pushtuan nga shtetet fqinje, gjoja si toka turke. Kështu fillimisht Çameria iu aneksua Greqisë, ndërkohë një pjesë e Kosovës Lindore (Sanxhaku i Nishit etj) Serbisë (1878), më vonë krejt Kosova dhe Maqedonia Perëndimore e disa vise anësore veriore, po ashtu Serbisë e Malit të Zi (1912), kështu, si rrjedhojë, shkrimshqipnxënia e filluar në kohë të fundit të sundimit turk tashti në viset e pushtuara shqiptare nga okupatorët e rinj pati ndërprerje, sepse as Greqia, as Serbia e Mali i Zi (1912-1915), assesi nuk toleronin mësimin shqip, mirëpo për fat pas shpalljes së Shqipnisë së Mosvarme (1912), një pjesë e gjeografisë shqipfolëse u emnua autonome (1913), e cila fitoi me fjalë e letër liri shkrimshqipnxënieje, ku feniksët vullnetarë të shqipshkrimit nuk e ndërprenë mësimin shqip, andaj sigurisht ndërkohë e me kohë, në këto vise pati njëfarë përparimi nga pikëpamja e shkrimshqipnxënies. Madje deshi fati që gjatë viteve (1915-1918) në rajonet nën pushtimin e Austrohungarisë, ku bënin pjesë edhe disa treva të Kosovës e më gjerë, pati liri shkrimshqipnxënieje, të cilën e shfrytëzuan po feniksëmësuesluftëtarët tanë vullnetarë, ndërsa mjerisht viset jugore të Kosovës në trevën që ishte nën pushtimin bullgar, nuk qe e lejuar një mundësi e tillë.

Me fjalë të tjera Autrohungaria, jo vetëm lejoi, por përkrahu e ndihmoi edhe hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Madje, çka është tejet me rëndësi për kulturën tonë kombëtare: pikërisht në atë periudhë u ravijëzua edhe standardi e gjuhës zyrtare shtetërore i të shkruarit shqip, duke përkrahur edhe zbatimin e administratës shqipe. Kështu në Komisinë Letrare Shqiptare të Shkodrës (1917) që përbëhej nga intelektualë me përgatitje të lartë profesionale e atdhetare, zyrtarisht në administratë e shkolla u stabilizuan shkronjat e Kongresit të Manastirit dhe në parim, pra, u ravijëzuan drejt bazat e një gjuhë të administratës dhe të shkollës shqipe, duke rekomanduar gjuhën e Shqipnisë së Mesme (elbasanishten), gjuhë kjo, e cila duke u përpunuar paksa vazhdoi së përdoruri gjatë tërë Periudhës së Pavarësisë së Shqipnisë Londineze 1918-1939, pa u ndërprerë më 1939-1944 dhe u shtri në Kosovë në vitet 1941-1968.

Ndërkaq, fatkeqësisht, pas ripushtimit të Kosovës nga Serbi-Jugosllavia 1918-1941 shkrimi shqip rreptësisht ishte i ndaluar, mirëpo në ato fillimvite të riokupimit serbo-jugosllav 1918-1922, jo pak individë e familje kosovare, qoftë nga trevat që kishin qenë nën administrimin austrohungarez, qoftë edhe atij bullgar, si refugjatë kaluan ose u ndodhën në vise që konsideroheshin se do t’i takonin Shqipnisë së Pavarur, kryesisht në Malësi të Gjakovës e në Lumë. Kështu pikërisht për fëmijët e familjeve të tilla kosovare në vitin 1922/23 ishte hapur Shkolla e Kolgecit (Tropojë), e cila ndërkohë u transferua në Pukë 1928. Pranë kësaj shkolle ishte hapur konviktime emrin “Kosova”. Kjo ka rëndësi praktike e historike për kosovarët dhe që duhet përkujtuar si lavdi kombëtare, jo aq për emërtimin “Kosova”, por për faktin semesa di, ështëkonvikti i dytë pas atij të Elbasanit (1909), ku atje pati frekuentuar një numër simbolik i fëmijë-shkollarëve kosovarë, kurse këtu, në shkollë-konviktin Kolgecaj e Pukë, numri i shkollarëve (në raste jo vetëm fëmijë) përgjithësisht kalonte edhe 100-shin, 80% prej të cilëve ishin kosovarë. Ky fakt me vlerë kulturo-historike patriotike ia vlen të përkujtohet me jehonë. PO ritheksoj duhet rikujtuar solemnisht si vepër e madhe sidomos nga shteti e shkolla e Kosovës si dhe asociacionet si Lidhja e shkrimtarëve etj, në shenjë falenderimi për drejtuesit e atëhershëm të shtetit e popullit shqiptar dhe në veçanti duhet mos-harruar feniksëmësuesit e shkrimshqipnxënies, ndër të tjerë si më të dalluar: Niman Ferizi, Sali Morina, Idriz Jaku e të tjerë si Beqir Kastrati, i cili, pas LDB, atë përvojë e vazhdoi me sukses në drejtimin e Shkollës Normale të Gjakovës. Aq më tepër kjo vepër ka rëndësi atdhetarie, sepse kur kemi parasysh gjendjen ekonomike e politike të Shqipnisë së atëhershme, kjo ishte sakrificë tejmase atdhedashurie, solidaritet i vërtetë vëllezëror me kosovarët, ngase Shqipnia asokohe, sapo ishte emnuar si shtet, apo më mirë me thënë, sapo kishte shpëtuar nga kthetrat gjakatare të ushtrive të huaja dhe gjendja në shtetin e ri shqiptar vazhdimisht ishte tejet e brishtë si ekonomikisht ashtu edhe politikisht.

Sidoqoftë, ndërkohë rrjeti shkollor i shkrimshqipnxënies në Shqipni në periudhën 1918-1939 pati rritje. Kjo pasqyron të vërtetën sa arsimdashës ishte populli ynë, i cili edhe në kushte tejet të rënda, deri edhe me krizë buke, bëri përparime vigane në shkrimshqipnxënie, siç ishte rihapja e rifuqizimi i Normales së Elbasanit, vazhdimi apo hapja e Liceut të Korçës, ashtu si edhe edhe rihapja apo zgjerimi i Gjimnazit të Shkodrës si dhe ndërkohë Shkolla e Shulcit në Tiranë etj. Në të vërtetë, vullneti për dije e shkollë i manifestuar në këtë periudhë ishte e mbërrime e madhe për shtetin, por edhe për mbarë popullin shqiptar, siç do ta tregojë e ardhmja e afërt, ngase ndërkohë një pjesë e asaj klase intelektuale entuziaste pikërisht si forcë potenciale e shkrimshqipnxënies do të angazhohet shumë sukseshëm në trevat e Kosovës e në vise të tjera gjatë LDB e në vijimsi.

3. Takimi ynë i parë me shqipshkrimnxënien në ”Tokat e Lirueme”

bashkuar Shqipnisë Nanë gjatë LDB (1941-1944)

Në të vërtetë, gjatë Luftës II Botërore, kur pothuaj në tërë botën armatat në formacione rivale, me plot ushtarë, oficerë e gjeneralë, luftonin njëra-tjetrin pa mëshirë, duke shkaktuar humbje njerëzish e shkatrrim pasurish, ne fëmijët i një pjese të Kosovës të ashtuquajturave Toka të Lirueme që iu ribashkuan Shqipnisë Nanë, patëm fatin që për të parën herë të takoheshim me shkrimshqipnxënie institucionale, në shkolla shqipe.

Ç’është e drejta, sa më kujtohet ose dua ta kujtoj romantikisht, që në prezantimin e parë me ne, ku ishim bashkë, nxënës të grupmoshave të ndryshme të shoqëruar me ndonjë përfaqësues nga prindët e pushteti, që tani po e jap të stilizuar, mësuesi ynë, i shkodran, Hilmi Duli, na u drejtua veç tjerash me këto fjalë:

Edhe na në këtë kohë lufte, së bashku do të rreshtohemi e do të luftojmë në një front të veçantë, në frontin jo të lehtë të luftës së shkrimshqipnxanies dhe si mjet të parë nuk do ta kemi thikën e pushkën po shkumësin e lapsin. Dhe për fillim luftën tonë do ta ngrohim jo me marshe e zhurmë pushkash e topash, por me kangë për Flamur e për Atdhe dhe paralelisht do të njihemi me armën tonë themelore: 36 shkronjat e shqipshkrimit dhe me to do të çajmë përpara në frontin e dijenisë e të shqiptarisë.

Dhe vërtet, edhe ne me vullnetin që kishim, sigurisht të motivuar euforikisht edhe nga nxënësit e klasave më të larta të konvertuara tash nga mësimi serbisht në shqip dhe nga prindët dhe rrethanat lirijoshëse në ato momente, natyrisht, duke vepruar me dëgjueshmëri e disiplinë ushtari, duke konsideruar mësuesin komandant deri edhe në gradën më të naltë, gjatë tri-katër viteve (1941-1944) arritëm jo vetëm të mësonin e zotëronin shumë shpejt armën 36 shkronjëshe shoqëruar me këngët patriotike, por edhe me përmendshimin e vargjeve dhe të tregimeve më të bukura nga librat e këndimit në gjuhën tonë, të përvetësuara gjithnjë me uniformën shpirtërore kuqezi, por aq më tepër tash të joshur edhe me krenari familjare, e ndjenin veten si pjesëmarrës të një faqeje të historisë së lavdishme kombëtare, në veçanti të shkrimshqipnxënies. Kështu edhe unë si krejt nxënësit e shkollave te ne, edhe pse si fëmijë (8-11 vjeç, si të rriturit e ndjenim veten se u bëmë më të pasur me shqipshkrimin edhe si ushtarë flakadanë të shqiptarizmës në kuadër të armatës së shkrimshqipnxënies ndihmonin mësimshkrimin tek të tjerët. Dhe vërtet si pjesëtarë të një armate të lavdishme në Tokat e Lirueme që udhëhiqej nga 200 e sa mësues oficerëkomandues e nëpunës zyrtarë të dërguar nga Shqipnia Nanë, arritëm një fitore të mrekullueshme masive në arenën e brendshme të shqiptarsisë, pa pësuar asnjë humbje, pa derdhur asnjë pikë gjaku e loti, pasi lufta jonë ishte në rrugën e drejtë: për dije e atdhedashuri, ishte në frymën e kauzës rilindëse të zgjimit kombëtar me ndihmën e shkrimshqipnxënies, me shkollën shqipe.

Kështu themi sepse, edhe pas mbarimit të luftës së vërtetë shfarosëse, edhe pse te ne ndodhi rikthimi i pushteteve të errësirës serbo-sllave, megjithatë, përkundër intrigave e kurthave gjithandej e këndej, nuk mundi askush me na zmbrapsë nga koncepti idealist kombëtar rreth nevojës së vazhdimit të shkrimshqipnxënies, vlerë hyjnore kjo, e cila në qenien tonë shqiptare do të mbetet e vulosur në mendje e shpirt si dëshir-ideal i pashuar drejt përbashkimit kombëtar mbi bazë të shqipligjërimit, gjë që për këtë flasin veprat atdhetare-kulturore të mbarë ajkës së njerëzve të brezit tonë, sepse e pamundshmja ndërkohë e me kohë vërtet do të bëhet e mundshme (!), pra edhe me ndihmesën e brezit tonë dhe të atyre që i edukuam shembëllisht ne, apo jo?!

4. Vazhimi i shkrimshqipnxënies zyrtare ndaras Shqipëri /Kosovë 1945-1966,

në dy nënperidha mjegullnajash 1945—1948 dhe 1948-1966

Periudha e shkrimshqipnxënies ndaras Shqipëri–Kosovë (1945-1966 (Jugosllavi), kur kemi parasysh politikën ndërshtetërore, mund të trajtohet në dy nënperiudha, e para 1945-1948 dhe e dyta 1948-1966.

a) Nënperiudha 1945-1948

Në të vërtetë, në fillimvitet pas përfundimit të LDB (1944-1948) edhe pse thuhej se marrëdhëniet politiko-shoqërore ndërshtetërore të dy shteteve socialiste Shqipëri-Jugosllavisë ishin në një vijë (komuniste), ne si nxënës më fort ndjenin jehonën e propagandës jo shqipe, po ruso-jugosllave me parullat e klithjet si: “Oxin Krasnaja Armija”“Zhiveo Stalin-Tito-Enver! etj., kur shkrimshqipnxënia në Kosovë ishte minore dhe ishte e ndarë nga ajo në Shqipri, megjithatë ende nga Shqipëria kishte kuadro mësuesish që ndihmonin ose ishin të punësuar në shkollat e Kosovës, por programet mësimore ishin të ndara, sepse tekstet në shqipe nuk silleshin më së andejmi. Sidoqoftë, në të dyja anët bëhej fushatë kundër analfabetizmit dhe kjo ishte punë shumë pozitive. Për fat, edhe arsimi shqip në Kosovë edhe pse shumë i ligshtuar, nuk u ndërpre. Por, ndërkohë, cilësia mesimshqipnxënies, si me thënë, pësoi edhe më keq në vitin 1948 kur për shkaqe politike, ndodhi e ashtuquajtura Rezolutë e Informbyrosë 1948, me të cilën Jugosllaviau leçit nga kampi socialist me Bashkimin Sovjetik në krye, kurse Shqipëria u forcua nën atë ombrellë, atëherë marrëdhëniet Shqipëri Jugosllavi, sidomos ato kulturo-arsimore me Kosovën u ndërprenë pothuaj hermetikisht.

b) Nënperiudha 1948-1966

Nga Rezoluta e Informbyrosë (1948), si akt politik, siç u tha, pësoi edhe më keq shkolla shqipe, sepse disa kuadro nga Shqipria që ende kontribuonin këndej u dëbuan e disa u larguan pasi nuk u lojalizuan me regjimin titoist, por ndodhi diçka keq me disa intelektualë vendës, kundër tyre u intensifikuan maltretime, duke i shpallur armiq “informbyroistë” vetëm pse përpiqeshin që me përforcim të shrimshqipnxënies të vepronin kundër asimilimit, ndërrimit të kombësisë në turq e muslimanë (boshnjakë), madje edhe kundër shpërnguljes.

Përveç asaj që sapo u cek në këtë periudhë 1948 -1966, përveç ndarjes fizike, lidhur me shkrimshqipnxënien ndodhi edhe një ndarje tjetër lidhur me vetë gjuhën mësimore (zyrtare-administrative). Në Shqipëri, pas Çlirimit u hartuan dhe u miratuan “Ortografi të gjuhës shqipe”, duke u fuqizuar kodi i ri zyrtar mbi bazë të toskërishtes, ndërsa në Prishtinë (Jugosllavi) sadokudo te shqiptarët vazhdonte shqipja zyrtare që ruante traditën mbi bazë të gegnishtes. Mirëpo, edhe pse ky dallim ortografie nuk ishte aq shqetësues, pasi për fat dialektet e shqipes nuk kanë mospërputhje të mëdha, por ndërkohë edhe ky dallim sidomos në Kosovë shfrytëzohej politikisht nga pushteti për shpërlarje truri me edukimin socialist jugosllav, duke shfrytëzuar për keq po këtë dallim dialektor si adut që nga populli shqiptar të identifikoheshin aktualisht dy kombësi (kombe): albanci (albanezi) zyrtarish quheshin, si me thënë, toskëshqiptarët në Shqipëri, ndërsa këta në Kosovë (Jugosllavi), pra gegëshqiptarët quheshin shiptari (jo albanci). Ky ishte shqetësim me vend, ngase duke u zmadhuar ky emërtim-ndarje mbi bazë dialektore, ishte rrezik të humbiste shprehëse burimore e gjuhës së shtetit amë te ne, por edhe do të zbehej sadopak ndjenja njëkombëtare në të dyja anët e kufirit dhe si rrjedhojë sidomos këndej do të jetësohej më lehtë dëbimi ose asimilimi i tyre, vepër kjo djallëzore e planifikuar nga Jugosllavia (serbe) që me këto masa sadopak të bënte të veten, duke zbehur në këtë mënyrë reagime nga Shqipria, pasi për botën e jashtme, gegëshqiptarët kishin tjetër gjuhë nga toskë-albanezët(!), apo jo?

Në të vërtetë, kjo ndërprerje e marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi për shkak të Rezolutës së Informbyrosë 1948 zgjati deri në vitin 1966, kur në Brione (ishuj) të Kroacisë u mbajt i ashtuquajturi Plenum i Brioneve (1966), ku për interesa të udhëheqjes së Federatës Jugosllave u demaskua nacionalshovinizmi serb, konkretishtgrushti i hekurt i shtetarëve shqiptarofobë serbojugosllavë, me në krye Aleksandër Rankoviqin. Vërtet tashti, pas këtij Plenumi, qëndrimi brutal ndaj shqiptarëve filloi paksa të shlirej politikisht e shtetërisht, por emërtimi ndarës albanci/shiptari propagandisht ende vazhdont edhe me lajkëtimin e rendit të ri të: vetëqeverisjes socialiste me të drejta të barabarta për kombë e kombësi (republika e krahina) në Jugosllavi që kishte efekte joshëse kjo ndasi përfshqiptarët, propagandë joshëse kjo, e cila ndikohej edhe nga pasojat e ndarjes së drejtshkrimit mbi bazë dialektore . Ky shqetësim që prekte, pra, identitetin njëkombëtar nuk ishte i pranishëm vetëm tek disa intelektualë e studiues të gjuhës shqipe gjithkëndej, por edhe i disa intelektualëve politikanë e udhëheqës shqiptarë, të cilët, ashtu si edhe disa kolegë të federatës jugosllave, e kishin ndjerë në palcë hegjemonizmit serb, andaj me gjallërimin e të drejtave të shqiptarëve që të bashkëpunojnë kulturisht me Shqiprinë donin ta dobësonin sadopak nacionalhegjemonizmin e egër serb, por edhe ta zbusnin, si me thënë politikisht Shqipërinë kritikuese ndaj vetadministrimit të moderuar jugosllav..

Pikërisht kjo shlirshmëri bashkëpunimi u manifestua në kulturën gjuhësore te ne, siç do të sqarohet në vijim.

5. Eufori, përparime e sfida rreth shkrimshqipnxënies standarde

në Kosovë si në Shqipëri 1967 -1992

Pas Plenumit të Brioneve (1966), ç’është e vërteta, në shenjë demokratizimi sipas sistemit të ashtuquajtur: vetëqeverisje jugosllave Kosova u lejua me fillue bashkëpunim kulturor (edhe pse i kontrolluar) me Shqipërinë. Kjo mundësi u shfrytëzua rrufeshëm nga kuadrot politiko-kulturorë shqiptarë nga të dyja palët, edhe në planin e harmonizimit të gjuhës zyrtare drejt shqipes letrare të Tiranës. Është e vërtetë se tashti u nxor nga heshtja dhe shpërtheu haptas slogani nga pala kosovarfe: Një komb, një gjuhë letrare”, slogan ky që gufoi dhe u përqafua euforikisht nga brezi ynë posa na u dha një mundësi e tillë.

Së këtejmi, pala shqiptare kosovare, pra, shfrytëzoi këtë atmosferë ashtu si edhe ajo e Tiranës, Kështu kur në Tiranë u botua teksti Rregullat e drejtshkrimit të shqipes 1967 (Projekt), ky tekst pa asnjë vërejtje, mbase pse nuk kishte mundësi polemizimi, u aminua euforikisht në Konsultën gjuhësore të Prishtinës më 1968. Në këtë situatë, studiuesit normëvënës të Prishtinës me prof. Idriz Ajetin në krye, duke u zotua që teksti i Projektit do të fillojë së zbatuari menjëhershmërisht pa asnjë vërejtje te ne, hoqën dorë nga drejtshkrimi i vet mbi bazë gegnisht dhe kështu dhanë mundësi që Tirana shtetërore, pikërisht duke shfrytëzuar qëndrimin kosovar, ta konsolidonte edhe më tepër standardin e vet mbi bazë të toskërishtes. Dhe vërtet, pas Konsultës gjuhësore të Prishtinës (1968), pa vërejtje e me një entuziazëm të paparë filloi zbatimi i Projektit të Rregullave të drejtshkrimit (1967) në të gjitha institucionet shqipe në Kosovë (Jugosllavi) dhe kjo fazë zbatimshtrirjeje zgjati pesë vjet. Është e vërtetë se Konsulta e Prishtinës u shfrytëzua nga Qendra rreth paravendosjes së standardit unik mbi bazë të toskërishtes që u miratua pa ndonjë ndryshim qenësor në Kongresin e Drejtshkrimit, Tiranë (1972), ku mori pjesë edhe një delegacion nga shqiptarët e Kosovës (Jugosllavisë) e më gjerë, të cilët nënshkruan Rezolutën me të cilën pohohej solemnisht se në këtë Kongres, edhe pse quhej Kongresi i Drejtshkrimit, të shpallet: njëzimi zyrtar i gjuhës letrare kombëtare shqipe.

Sidoqoftë, flas nga përvoja ime, në periudhën 1967-1984, si shumë prej nesh, ashtu si edhe unë, që kishim provuar edhe burgje, izolime, përndjekje, represalje nga pushteti titorankoviçist, ku domosdo rëndonte edhe qëndrimi fanatik yni ndaj shkollës e gjuhës shqipe, tash në atmosferën postbrioniane filluam të ndjenim paksa njëfarë shlirje prangash nga mendja, edhe pse ende mbanin rezervë ndaj besës jugosllave, por sa i përket normëzimit rronim nën narkozën e euforizmit, sepse me këtë na u hap një deriçkë shprese drejt Shqiprisë, kur vetë emri i saj na i ngrohte synimet, prandaj Projektin e pranuam me mish e shpirt dhe përpiqeshim ta bënim të pamundurën që ta zotëronim dhe ta zbatonim kudo këtë normë, aq më tepër pas Kongresit (1972), kur edhe u kompletua ai standard me vepra mbështetëse, si: Drejtshkrimi i gjuhës shqipe (1973), Fjalori drejtshkrimor (1976), Gjuha letrare shqipe për të gjithë (‘76), Gramatika e Akademisë I (1978), Studime mbi leksikun I, II, III, Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (1980) etj., me të cilat kryesisht fuqizoheshin po ato rregulla të Projektit 1967, të cilat për ne konsideroheshin vepra pa të meta, andaj si të tilla u gëlltitën nënvetëdijshëm nga goja e truri ynë, si me thënë, si buka për të uriturin, edhe pse mbase dilnin nga furra e veprimtarisë pa u pjekur mirë, por vetëm pse ishin bukë e miellit të drithit tonë shqipoligjërimor dhe e gatuar nga profesionistët tanë më me famë të përkrahur nga qeveria shqiptare, pa llogaritur fare se si do ta pranojë midja atë ushqim-strukturë të sistem-standardit që sadopak e kishim të ravijëzuar, prandaj veprat në fjalë ishin të përqafueshme pre nesh. Sidoqoftë, norma e re e vullnetshme realisht në formë të shlirshme te ne vazhdoi të bënte shtatshtrirjeje pa kurrfarë rezerve si gjuhë zyrtare, si gjuhë shkolle, administrate, publicistike deri edhe në veprimtari letrare artistike.

Në të vërtetë, veprat e sapocekura pas kongresiane mua më gjetën të parapërgatitur, me që gjuha shqipe më kishte rrëmbyer shumë më parë, që në bankat e para të shkollës fillores si dhe të shkollës së mesme, të cilën si dashamirës i saj e kultivoja qoftë si krijues vargëzimesh të para, qoftë si mësues filloreje e ndërkohë pa shkëputje nga puna edhe e studiova gjuhën shqipe, e kreva fakultetin, magjistrova dhe doktorova po nga kjo fusha e gjuhësisë shqiptare.

6. Realiteti i ri pas demokratizimit, sfidat rreth krizës konceptore të një grupi standardistësh paskajorefobë nga Qendra pengues drejt normëzimit

të natyrshëm të shkrimshqipnxënies

Ç’është e vërteta, deri në vitet e ’90-a unë si edhe më parë, që nuk isha pa shokë shumë, ndonëse e dinim se Shqipria ishte me halle, por kurrë nuk kemi duruar që dikush të hedhë baltë mbi Nanë-Shqiprinë, Atdheun tonë të shenjtë, madje nuk i përfillnim as ata që njollosnin politikisht udhëheqesit e saj, sepse ndërrimi i pushtetit me dhunë në komunizëm do të shkaktonte luftë qytetare, destabilizim e kaos të shoqërisë në të gjitha poret e jetës si edhe në çështjen e gjuhës zyrtare, gjuhë kjo, e cila na ushqente nëpërmjet radiostacioneve të Shqiprisë si dhe disa burimeve që ilegalisht mund të na binin në dorë. Kështu duke pasur bindje se rreth gjuhës letrare kombëtare gjithçka ishte zgjidhur drejt dhe në mënyrë profesionale, çdo vërejtje apo thashetheme që pëshpëritej edhe lidhur me largimin e gegërishtes në përgjithësi dhe kërkesën për paskajoren e mirëfillt në standard, e quanim të pabazë, edhe pse pikërisht ajo na paraqitej si penguese e parë. Sa ishim fanatikë në zbatimin e atyre rregullave pa paskajore po përmend faktin se në biseda të lira, e korrigjoja vetveten, madje edhe të tjerët sipas devizës: Fol shqipo fol me mend,/paskajores mos e përmend. Kështu i korrigjoja bashkëfolësit, nxënësit, studentët, mësuesit, këdo, deri edhe të moshuarit në familjen e gjerë, ndeja odash e takime të ndryshme. Dhe pikërisht për t’ua mbyllur gojën pëshpëritësve kundër shenjtërisë së normës së Kongresit dhe për herrjen më lehtë të paskajores nga ligjërimi spontan i vura vetes për detyrë që të studioja më në hollësi shtyllat bazë të këtij kodi. Së pari fillova nga Drejtshkrimi… duke e krahasuarme drejtshkrimin e mëparshëm: ortografinë mbi bazë të Komisisë Letrare të Shkodrës, e në veçanti me Ortografinë e gjuhës shqipe të Prishtinës 1963, të cilën e kishim në përdorim deri në vitin 1968. Nga ky krahasim dhe nga përthellimi logjik në studimin i bazave teorike mbështetëse rreth formimit të stadardeve gjuhësore të gjuhëve të ndryshme, menjëherë më ra sy se norma e shqipes mbi bazë të toskërishtes ishte e ngushtë e jo gjithpërfshirëse e vlerave të domosdoshme të thesarit të shqipes së natyrshme, megjithatë ishte pozitive pasi tashmë ishte shpallur si gjuhë e përbashkët letrare kombëtare, dhe përkrahej shtetërisht, madjedhe besonim se baza e saj do të përplotësohej ndërkohë e me kohë. Kështu, pra, për ne baza e përzgjedhjes toskërishte në parim aspak nuk kontestohej, nuk kontestohet as sot por ajo bazë, për të qenëmbidialektore, siç i takon çdo norme standarde do të duhej zgjeruar bazën e vet. Këtë bindje e përforcuam pasi pasi u përthelluam sadopak në ristudim-konsultimin e shtyllavetë tjera bazë dhe konsultuam në hollësi Fjalorin drejtshkrimor dhe Gramatikën si dhe shkrime të tjera, të cilat përkundër propagandës se ishin të përkryera, vërehej lehtë se në to nuk pasqyrohej i plotë as sistemi emëror as ai foljor, madje kishte disharmoni mes tyre, pa përmendur atë më të rëndësishme se në to nuk ishin përfshirë vlerat kryesore përfaqësuese të shqipes globale as thesari historik, as ai aktual.

Kështu gjatë trajtimit të gjithanshëm të këtyre shtyllave mësuam të vërtetën se standardi zyrtar mbi bazë të toskërishtes fillimisht ishte plasuar alapartizançe më 1945 dhe po sipas asaj parimsie ishte formëzuar dhe kishte vepruar si gjuhë shtetërore mbi atë bazë deri në vitin 1967, dhe si e tillë u miratua në Konsultën e Prishtinës (1868) dhe kështu u mundësua edhe të shpallurit e kurorëzimit të saj si gjuhë e përbashkët zyrtare shqipe në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).

Por sidoqoftë, pa marrë parasysh ecejaket e formëzimit, tashti gjuha standarde shqipe ishte një fakt në funksion mbarëkombëtar që nuk mund të mohohej dot. Kjo ishte arsyeja që kërkoja ide si me zbutë këtë problem kaq të madh. Për një veprim të tillë kishim parasysh atë që ishte thënë në Kongresin e Drejtshkrimit, siç ishte fjala prof E. Çabej, i cili porosiste që “…drejtshkrimi nuk duhet bërë tepër i ngrirë”…dhe se “puna e drejtshkrimit ndërkaq nuk ka mbaruar…” Po ashtu edhe prof. Androkli Kostallari ndër të tjera, në fjalën e mbylljes së Kongresit pranonte që as gramatikisht puna nuk qëndronte mirë, sepse sipas tij: “… studimet e thelluara në fushën e morfologjisë ende nuk kanë filluar”. Madje edhe nga Rezoluta e Kongresit lexojmë: “Institucionet shkencore arsimore… t’u kushtojnë vëmendje të vazhdueshme problemeve të drejtshskrimit dhe të ndëmarrin studime të mëtejshme në këtë fushë … duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare “Rregullave të drejtshkrimit” t’u bëhen, në të ardhmen (…) përmirësimet e plotësimet e duhura”.

Kështu duke u thelluar në këtë problematikë, duke pasur në vijë dy mendim-propozime të cekura nga profesorët tanë të nderuar Rexhep Ismajli e Fadil Sulejmani arrita në gjykimin se sa për fillim si mundësi e parë e përmirësimit të standardit ekzistues, i cili duhet të mbetet bazë, ofrohej rikthimi i paskajores së mirëfilltë në standard, së paku si rast i veçantë, pa u ndërlidhur me paradigmat e sistemit foljor të gegrishtes, i cili komplet ishte përjashtuar nga normëzimi aktual. Dhe vërtet paskajorja e mirëfilltë me autonomi kuptimore që ka ofrohej një sigurrë zgjidhjeje me burime të kthjellta që po t’i kthehej derdhja në bazenin standard, jo vetëm nuk do të prishte punë fare, por do ta vazhdonte me kthjellue, forcue dhe pasurue bazën e gjuhës së sotme letrare shqipe, duke e kthyer ecjen e saj në binarët apo rrjedhjen e saj të sigurt drejt një standardi të natyrshëm.

Kështu pasi e përblova mirë e mirë në mendje këtë ide-zgjidhje gjeta rastin që për këtë e njoftova profesor Androkliun, duke i theksuar këto nënfusha autonome semantike që mbulon paskajorja e mirëfilltë si rasti veçantë pa prekur normën aktuale, siç janë:

1) barasvlerësia e plotë ndaj infinitivit të gjuhëve të tjera,

2) të shprehurit e idiomave tëveçanta frazeologjike me paskajore,

3) e drejta e përdorimit të paskajores në fushën e krijimtarisë artistike dhe

4) në raste sinonimie paskajore / lidhore e trajta të tjera, ku përdorimi i saj del i arsyeshëm.

Me të cekur të fushave të caktuara autonome, profesori i nderuar, më dëgjoi me mirëkuptim dhe më porositi që sa më parëta paraqitja me shkrim këtë zgjidhje, në mënyrë që t’ua marrim nga goja (kundërshtarëve), që edhe me këtë formë ta pasurojmë kodin e shqipes së sotme letrare kombëtare.

Në të vërtetë, konteksti për tri nënfushat e para është pasuri që assesi nuk mund të anashkalohet, madje as të mbulohet (përkthehet) plotësisht me ndonjë mjet sinonimik, ndërsa fusha e katërt mund të mbulohet sinonimisht me ndonjë trajtë të lidhores, duke u konkretizuar me njërën nga tetë vetat përkatëse, por megjithatë paskajorja mbetet me kuptim autonom në fushën abstraksionit, madje përveç barasvlerësisë që ka me ndonjërën nga tetë vetat e lidhores, varësisht nga koteksti ka barasvlerësi edhe me trajta të mënyrave të tjera foljore, por edhe edhe me ato emërore në raste të caktuara.

Sido që të ketë qenë që nga ajo kohë fitova bindjen se fushata e luftës që bëhej kundër zhdukjes së paskajores së mirëfilltë në fakt ishte vetvrasje për vete normën në fuqi, ngase me një përjashtim a zhdukje të tillë normës i mbyllej rruga e perspektivës drejt standardit të natyrshëm të gjuhës shqipe. Andaj lidhur me këtë ide-zgjidhje, pra për paskajoren e mirëfilltë në standard, kur m’u dha rasti, opinionin tim e paraqita fare shkurt në Konferencën shkencore me temën bosht: “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot”, Tiranë, nëntot 1992, kur mjerisht prof. A. Kostallari nuk ishte më në jetë, andaj nga pasuesit normëvënës nuk hasa në mirëkuptim.

Vërtet, ndërkohë rreth nevojës për integrimin e paskajopres së mirëfilltë në standardin ekzistues kam bërë edhe paraqitje të veçanta me shkrim: më 1997, 2000, 2006, 2015 etj., shih titujt e veprave më poshtë.

Ç’është e drejta, ne përveç kësaj teme gjatë vëzhgimeve tona kritike rreth problemeve të standardit të shqipes ndërkohë kemi trajtuar edhe jopak tema të tjera në këtë frymë, pa qenë i ngarkuar nga vendi i punës, pa qenë i inxitur nga ndonjë institucion apo epror, përkundrazi, pa përkrahje, pa u stimulua fare nga askush as gojarisht as materialisht, duke respektuar ndërgjegjësisht standardin në fuqi, për hir të emërtimit gjuhë shqipe e përbashkët me vetiniciativë vijova për aq sa munda dhe dita me kontribue në të mirë të përvetësimit e përmirësimit të këtij standardi (edhe pse kryesisht njëdialektor), me qëllim që duke paraqitur të metat t’u bëhen përforcime, përplotësimie e përmirësime shtyllave kryesore të këtij standardi me synim për të arritur në një standard më të natyrshëm të gjuhës globale shqipe. Së këtejmi për të njohur lexuesin e nderuar dhe studiuesit e interesuar, mbase ende të painformuar me temat e trajtuara prej nesh që nga ajo kohë e deri në ditët tona, tash fill po i paraqit titujt e 15 veprave, deri tash të botuara nga fusha e gjuhësisë shqiptare, duke i shoqëruar me ndonjë sqarim nga përmbajtja:

1. Çështje të shqipes standarde në fushë të leksikut dhe të fjalëformimit I, Rilindja 1997, fq. 224

-ku pas parathënies jepet punimi, Përsosja e shqipes standarde faktor integrues në jetën tonë kombëtare, i cili në njëfarë mënyre në disa pika ceket paskajorja si dhe paralajmërohen temat që do të trajtohen në vazhdimësi. Ndërkaq aty rreth konsolidimit të modeleve të caktuara emërformuese mbi bazë të disa prapashtesave të specializuara, janë trajtuar katër tema: a) Përcaktimi i rregullës për formimin e emrave prejfoljorë të vepruesit  me –ËS, b) Formanti –AS si ndajshtesë e specializuar për emërtimin e njerëzve sipas vendbanimeve e prejardhjes… c) Rreth formimit me prapashtesim të emrave të sendeve në shqipen letrare -UE/S, -ORE etj. dhe ç) Formanti –TORE prapashtesë e mëvetësishme në shqipe me prirje specializimi për emërtimin e vendshërbesave. Mjerisht zgjidhjet pragmatike që ofrohen nga analizat përkatëse të këtyre temave nuk janë shfrytëzuar, andaj atë ditë e sot çështje e tilla sot e kësaj dite kanë mbetur përgjithësisht të hapura.

2. Paskajorja, çështje e shqipes standarde, Dardania sacra, Prishtinë 2000, fq. l69–

u prit mirë si punim, pati jehon, madje nuk përçmohej as vlera e mesazhi i saj, por ndërkohë u gogolëzua, me shpifje se integrimi i saj gjoja do ta prishte standardin e pastër të toskërishtes?!

3. Foljet më -O – në gjuhën shqipe, Dardania sacra, Prishtinë 2002, fq, 245

– Meqë Xhuvani –Çabej i kishin trajtuar vetëm prapashtesat e parashtesat e sistemit emëror të shqipes, ne trajtuam kryesisht prapashtesat e sistemit foljor të shqipes dhe vërtet arritëm në rezultate të reja. Në gramatikat shkollore si dhe në atë të Akademisë, përmenden nja 8-9 prapashtesa foljore, nga analiza jonë dolën risime që lypsen vlerësuar, ngase në formimin e foljeve marrin pjesë 27, përkatësisht 28 prapashtesa, të cilat kanë prirje specifikimi për  nënfusha të caktuara semantike.

4. Paskajorja dhe standardizimi i gjuhës shqipe, Prishtinë, 2006, fq. 280

Meqë ndërkohë ishin pajtuar studiuesit nga Tirana e Prishtina me arsyetimin se paskajorja  gege, edhe pse cilësohej si shtyllë kurrizore e gegrishtes atë assesi nuk e pranuaka standardi aktual mbi bazë të toskërishtes, ne, edhe pse kishim sugjerim që të hiqnim dorë nga botimi i këtij libri propaskajores në standard, përndryshe do të kisha pasoja bojkotuese, ne, megjithatë e publikuam, me të cilën argumentuam të kundërtën, nevojën e domosdoshme të integrimit të paskajores, pikërisht për nënfushat e caktuara autonome semantike që mbulon ajo etj.-etj.

5. Rreth formëzimit të emërtimeve të njerëzve sipas profesionit në gjuhën shqipe (tezë doktorate) MASHT e RK-së, Prishtinë 2014, fq.290

Edhe sot e kësaj dite në Shqipëri, po edhe në Kosovë emërtimet e njerëzve sipas profesionit e sipas organizatave ndërkombëtare si ILO etj. kanë mbetur çështje të hapura, por aq më tepër kanë mbetur çështje fjalëformuese brendapërbrenda shqipes, por edhe në raportin Kosovë-Shqipëri. Me rastin  e konstatimeve dhe të formimit të emërtimit të vepruesit si emërtim i njeriu sipas profesionit domosdo konstatohet edhe trajta e pjesores së paskajores së mirëfilltë, por edhe të asaj standarde te foljet me prapashtesën -r e –rë  tipi: ziej (me zie, zier) zies e zierës; blej (me ble, brerë) bles e blerës etj.

6. Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme, Era, Prishtinë, 2015, fq. 200

Rreth asnjanësit të shqipes të gjithë studiuesit e deritashëm kanë dështuar, ngase kanë analizuar kryesisht apo vetëm tipin asnjanës pandajshtesor, ndërsa i kanë lënë të patrajtuar 3 tipa të tjerë asnjanës paranyjëzorë: a) asnjanësit prejmbiemërorë, 2) asnjanësit prejpjesorë dhe 3)asnjanësit prejrrjedhorë, të cilët janë aktivë në shqipen e sotme, përdorimi i të cilëve, sidomos në fushën e abstraksionit puqet, përkatësisht ndërkëmbehet sinonimisht edhe me paskajoren me+pjesore.

7. Shumësi dhe shquarsia e emrave në shqipen standarde, Era, Prishtinë, 2015, fq 528

Vërtet, në gramatikën e Akademisë, por edhe në punime të tjera, shumësi dhe shquarsia e emrave nuk është trajtuar në hollësi dhe në mënyrë të plotë, andaj nga analiza jonë dolën rezultate me jopak risime, të cilat duhen vlerësuar drejt, ngase kompletojnë njohuritë përkatëse në shqipen e sotme letrare dhe njëherazi dalin në dritë shumë prirje zhvillimore që nuk janë hetuar më përpara, siç është edhe prapashtesa –aj e specializuar për fushën e antroponimisë e jo parësorisht për atë të toponimisë, apo jo?!

8. Drejt standardizimit të gjuhës shqipe, Era, Prishtinë 2015, fq. 516-

Në këtë vëllim trajtohet historiku i gjuhë së shkruar shqipe, që nga shekulli XV e në veçanti nga Shoqëria e Stambollit e deri në ditët e sotme. Vërtet gjatë analizës saktësohen e ofrohen risime, konstatime e zgjidhje që nuk njiheshin më përpara. Trajtohen të gjitha ortografitë pas LDB, të Tirtanës dhe të Prishtinës. Nga trajtimi i tekstit të Drejtshkrimit në fuqi po cek faktin në 64 paragrafë të Drejtshkrimit dalin mbi 200 çështje të diskutueshme (!), madje trajtohet në hollësi edhe çështja e paskajores me+pjesore për të cilën rikërkohet urgjentisht integrimi i saj në standard.

9. Kontributi i Asdrenit në formimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe, Era, Prishtinë 2015 , fq. 204

Edhe kjo temë magjistrature për kontributin e Asdrenit për gjuhën letrare shqipe e formuluar nga prof Kostallari ka risime që nuk janë vërejtur nga studiuesit e tjerë, siç është edhe përdorimi i gegizmave nga autori dhe në veçanti përimtimi i përdorimit të paskajores së mirëfilltë.

10. Çështje të shqipes standarde në fushë të normëzimit II, Era, Prishtinë 2015, fq. 272

Këtu në 20 tema trajtohen çështje të diskutueshme të nomës standarde, të cilat kërkojnë vlerësim e zgjidhje. Secila temë në vetvete zgjon interes.

11. Çështje të shqipes standarde III, 28 tema të hapërdara, Era, Prishtinë, 2017, fq. 273

Edhe në këto 28 tema janë trajtuar çështje nga fusha të ndryshme të standardit të shqipes, të cilat përmbajnë shumë risime që gjithsesi kërkojnë vlerësim e zgjidhje.

12. Çështje të shqipes standarde rreth emërtimit të njerëzve sipas veprimtarisë IV, Era, Prishtinë, 2017, fq 249

Këtu është vazhduar trajtimi rreth formimit të emrave të vepruesit me cilësi profesioni, ku veç tjerash janë konsultuart tri guida (tekste të emërtimeve të njerëzve sipas veprimtarisë) të pas vitit 1990, të botuara me plot gabime, dy në Shqipëri e një në Kosovë, andaj tërhiqet vërejtje që edhe çështjet nga kjo fushë të zgjidhen e harmonizohen si duhet, duke pasur parasysh, edhe natyrën fjalëformuese të gjuhës shqipe në raport Shqipri-Kosovë-Maqedoni etj., si dhe të harmonizohen emërtimet që imponohen në raporte ndërkombëtare.

13. Çështje të shqipes standarde rreth disa termave nga fusha e teknikës dhe e ekonomisë V, Era, Prishtinë, 2017, fq 178

Në këtë vepër janë përfshirë disa tema me të cilat ishim të ballafaquar në Kosovë, me synim që zgjidhjet të jenë në harmoni mes profesionistëve të dy shteteve Shqipëri – Kosovë.

14. Çështje të shqipes standarde rreth vendbanimeve, VI, Era, Prishtinë, 2017, fq. 253.

Meqë në Kosovë u bënë përpjekje si edhe në Shqipëri më parë rreth shqipërimit të disa emërtime të vendbanimeve ne ofruam përvojën tonë, duke gjetur e mënyra emërformuese të  të kësaj natyre me prapashtesat e specifikuara sipas natyrës së gjuhës shqipe.

15. Fjalor pune (poslovni rečnik) shqip –serbisht, për ndërmarrjet metal-përpunuese – me theks terminologjia tekniko-teknologjike, Era Prishtinë, 2017, fq, 155

Edhe pse e titulluam këtë vepër si Fjalor pune (menagjimi), në të vërtetë është Fjalorth dygjuhësh shqip-serbisht e anasjelltas, i cili përmban afro 5000 zera dhe 3000 nënzëra, gjithsej mbulon afro 8000 koncepte emërtesash kryesisht nga fusha e tekniko-teknologjike, me interes për shqipen standarde. Ky Fjalorth dygjuhësh serbisht shqip e anasjelltasështë hartuar gjatë procesit të punës konkrete si përkthyes në ndërmarrje industriale metalpërpunuese “Amortizatorët”- Prishtinë, andaj përmban edhe terma me interes nga fusha të tjera, me të cilat ballafaqoheshim në vendin e punës. Është me rëndësi të konsultohet kjo vepër dhe të shfrytëzohet ndërtimisht në raport me profilizime të gjuhëve të tjera.

Të gjitha këto vepra që kapin afro 4 mijë faqe tekst (3985), pa llogaritur intervista e artikuj të botuar nga kjo fushë që ende nuk janë letërlibërtuar, kanë mbetur, pothuaj, ende të pa vlerësuara rigorozisht, edhe, pse në to shtrohen edhe çështje të hapura e risime nga fusha e standardit, siç është edhe çështja e paskajores së mirëfilltë, për të cilën qysh para afro 30 vitesh e në vazhdimësi kam kërkuar ugjentisht integrimin ose rikthimin e saj në standard, por njëherazi pa marrë parasysh rrjedhojat, edhe e kam filluar me përdorë praktikisht në shkrimet e mia, përkundër disa reaguesve (studiues e intelektualë të dalluar) të cilët janë shprehur pro rikthimit të paskajores së mirëfilltë në standard, por mesa kam vërejtur numër i konsiderueshëm i tyre ende po hezitojnë me e përdorë në shkrimet e tyre, dhe kështu nënvetëdishëm po demantojnë vetveten dhe njëherazi po ndihmojnë paskajorefobët në luftën e tyre për zhdukjen apo gjthsesi janë kundër paskajores në standard.

E tham se në veprat tona kemi shtruar mjaft gjerësisht çështjen e paskajores së mirëfilltë (me+pjesore e shkurtër), por edhe tani në 6 pika, do t’i them ca fjalë, të cilat duhet t’i dëgjojnë të gjithë e në veçanti standardistët mohues të paskajores.

E para, standardistët paskajorefobë, mohimin e rikthimit të paskajoires në standard vazhdojnë ta arysetojnë: “Norma e sotme e hartuar mbi bazë të toskërishtes nuk e pranon paskajoren (gege)”. Çdo njeri që njeh punë, kur e krahason këtë arsyetim me titullin e shtyllës bosht të standardit: Gjuhë e përbashkët letrare kombëtare shqipe, e kupton se arsyetimi i tillë vret vetveten, apo jo?! Kjo kuptohet lehtë, pasi nuk kemi të bëjmë me standard të një dialekti po me standard të përbashkët të gjuhës shqipe, standard ky që ka detyrim, të përfshijë të gjitha vlerat më thelbësore jo të një dialekti, por të gjuhës (shqipe) që e përfaqëson, apo jo?!

E dyta, edhe arsyetimi tjetër plotësues se gjoja: “Toskërishtja nuk ka paskajore me+pjesore, andaj nuk e njeh atë”, konstatim ky qëdel shumë i diskutueshëm dhe gjithsesi dëmton tipologjinë e vërtetë të gjuhës shqipe?! Ne kemi sjellë argumenta të parrëzueshëm në të mirë të ndeshjes së paskajores me+pjesore, jo vetëm në këngë, por në të folur në të gjitha viset jugore, madje fundi i fundit nuk mund të thuhet se shqipja nuk ka paskajore të mirëfilltë, apo jo?!

E treta, kur thuhet se arbërishtja (Itali) i takon toskërishtes pa infinitiv, e vërteta e demanton këtë konstatim. Studiuesit kanë sjellë me dhjeta shembuj që e thonë të kundërten. Ne sa për kërshëri, po e sjellim një fakt që zgjon shumë interes. Në një abetare arbëreshe (Libër këndimi i progamuar nga Golletti, 1997), ndeshëm tekstin:

Kur zë vasha m’u leeee,/ pra m’u rritë, m’u bë kopile,/ proskonit vejin e vijiiin…

Pra, kuptohet qartë se në atë abetare të programuar u rekomanduaka mësim-përdorimi i shprehjeve me paskajoren e mirëfilltë: me u le, me u rritëme u bë (kopile), të cilat mbesin pjesë e kultivimit të kulturës gjuhësore me paskajore tek arbëreshët,

E katërta, lidhur me pikën e mësipërme pyesim standardistët aktual nga Qendra, kapës të politikës së standardit gjuhësor, pse në abetare ose në librat e filloristëve tanë e përgjithësisht, mos të veprohet si tek arbëreshët? Pse mos të ketë vend në librat tanë shkollorë edhe ndonjë shprehje lapidare idiomatike me paskajore si kjo:

O sa mirë me qenë shqiptar, me folë shqip e me pasë atdhe!

Nuk besoj se ka njeri të esëlluar nga bota shqiptare, jo vetëm ata që e kanë të lindur paskajoren e mirëfilltë në strukturën e tyre ligjërimore, por edhe nga të tjerë ngado qofshin ata, që nuk e kuptojnë këtë perlë, apo nuk vlerësojnë rëndësinë e kultivimit të pasurimit të standardit të natyrshëm të shqipes me paskajore: me qenë (shqiptar)me folë (shqip) dhe me pasë (atdhe), shprehje kjo normale e gjuhës shqipe, që josh shpirtin e çdo shqipfolësi, apo jo?! Kërkojmë të vlerësohet kjo që e thamë.

E pesta, të kuptohemi ne nuk kontestojmë normën, por jemi këmbëngulës në kërkesën që edhe paskajorja me +pjesore të jetë e pranishme në standard, sepse siç e kanë vërejtur me dhjeta e dhjeta studiues e intelektualë, dëbimi i saj i ka shkaktuar e po i shkakton kulturës gjuhësore të shqipes shumë dëme, si nga pikëpamja historike ashtu edhe ajo aktuale, dhe aq më keq refuzimi i saj nga disa standardistë paskajorefobë nga Qendra po ndikon fatalisht edhe në unitetin shpirtëror kombëtar.

E gjashta, paskajorefobët duke u përpjekur paskrupullisht për zhdukjen e paskajores së mirëfilltë kanë përdorur e po përsërisin edhe sot shumë të pavërteta, duke theksuar se rikthimi i saj në standard prishka gjithçka, gjë që nuk është e vertetë, por me një progandë të tillë kanë arritur që disa respektuesve naivë t’ua shpërlajnë trurin.

Ne nuk po përmendim këtu fakte të tjera, ngase diçka më shumë paralajmërojmë se do të themi në një trajtesë tjetër që do të pasojë së shpejti, titullin e së cilës po e zbulojmë me qëllim: “Gogolëzimi i paskajores së mirëfilltë, trill patalogjik i shpifur me pasoja fatale ndaj njëzimit të standaradit të shqipes së natyrshme”. Do të isha i lumtur, nëse dikush argumenton të kundërtën.

Sido që të jetë, duke e lënë temën rreth paskajores të prangosur për standardin, marrim guxim të kërkojmë nga feniksëluftëtarët anonimë e të tjerë të shkrimshqipnxënies jashtë e brenda trojeve shqipfolëse, kudo që janë, ta kenë detyrë morale me i thye barrierat penguese nga veprimet e këtyre paskajorëfobëve standardistë kapës të politikës së standardit gjuhësor, të cilët nuk janë të vetëdijshëm se sa dëm i kanë shkaktuar deri tash normëzimit të shqipes së natyrshme dhe unitetit ligjërimor kombëtar, duke mosqasur prurje të domosdoshme nga norma e natyrshme e shqipes globale, siç është edhe paskajorja e mirëfilltë (me+pjesore e shkurtër).

Përfundim

Nga kjo aureollë ose brerore, kushtuar feniksëluftëtarëve të shkrimshqipnxënies, u përpoqëm të sjellim te lexuesi historikun e gjuhës shqipe nga një këndvështrim i veçantë. Edhe pse enigma rreth lindjes së gjuhës shqipe qëndron, por sido që të zbërthehet kjo për ne dihet se falë lashtoshqipes, përkatësisht të të parëve tanë pas hapërimeve shumë shekullore ne e gëzojmë të trashëguar këtë gjuhë zemre, mendje e pune si gjuhë të folur, por edhe si gjuhë të shkruar.

Ç‘është e vërteta, nuk ishte lehtë të ruhej e të mbrohej duke u gjallëruar ky identitet i përbashkët shqiptar, sepse historia njeh dështime të mëdha të gjuhëve të komb-popujve të caktuar, ngase disa syresh u shuan gjuhësisht, disa u rrudhën, gjeografikisht, por në anën tjetër disa edhe u ripërtërinë, u ringjallën, duke e lulëzuar rritën e gjuhës së tyre. Shikuar në këtë kontekst mund të thuhet se shqipja pësoi shumë rrudhje në etnogjeografinë e vet gjuhësore, por megjithatë ajo u ringjall pikërisht edhe në saje të veprimeve të vetëdijshme të shumë feniksëluftëtarëve shqippërdorues e kultivues nga e kaluara, të cilët jo vetëm e folën, por edhe e begatuar trashëgimin e saj edhe edhe me vepra të shkruara. Për këtë, pra, falenderimi, parësorisht i takon vetë bashkësisë shqipfolëse me në krye feniksëluftëtarët anonimë e të tjerë të derisotëm e sidomos të ardhshëm të shkrimshqipnxënënies, të cilët NanëMadhja Shqiptare, e cila bashkë me bekimin e mësimit të shqipes përsërit detyrimin moral për të tashmen e të ardhmen për të gjithë bijt e bijat e veta, për çdo nxënësushtar të shkrimshqipnxënies, nga çdo prind atdhedashës e nga çdo mësueskomanduesi të shqipkultivimit që përveç pajisjes me uniformën shpirtërore kuqezi që është lulja më e bukur e shqipohistorisë, të pajisë vetveten dhe rrethin familjar të ngushtë e të gjerë me shkrimshqipnxënie dhe të ndihmojë shqipfolësit të bashkëjetojnë dhe bashkëshoqërohen në bashkësitë që madhojnë mbretërinë e shqipopoezisë dhe të shqipodijenisë universale e atdhetare, veprimtari kjo, e cila e dalë nga thelbi i shpirtit shqiptar i priu kombit tonë nëpër shekuj në luftën e shenjtë për mbijetesë e begati njerëzishmërie dhe po i prin sot me mjete bashkëkohore për një jetë me edukatë e shqipodashamirësi që kjo të mbetet kurorë e përjetshme e trashëgimisë njerëzore.

Dhe së fundi, NanëMadhja e Atdheut të gjithë shqipfolësve e në veçanti feniksëluftëtarëve anonimë e të tjerë pak ose shumë të njohur, brenda e jashtë trojeve shqipfolëse dhe kudo që jetojnë dhe e kanë shqipen në shpirt, mendje e zemër, në shtratin e së cilës, siç e ka thënë një studiues: mund të gjejë prehje çdo gjuhë e huaj, ndërsa kjo jona, gjen qetësim vetëm në shtratin e vet, të angazhohen deri në pamundësi që t’ua lënë brezave këtë gjuhë edhe me njohuri shqipshkrimi, të cilët i përshëndet me ngrohësinë e rrezeve të para nga nënorbita e Atdheut Shqiptar, të shoqëruar me kaltërsinë qiellore të këtij vendi, me ahtin e freskisë të bjeshkëve tona si dhe me aromën e luleve dhe të fryteve vendëse, natyrisht bashkë me devizën e perëndishme të jetëgjatësisë e të harmonizimit të idealit të përbashkësisë sonë kombëtare, duke kërkuar edhe vazhdimin e tolerancës së shenjtërishme: “Fe që Zotynë e bekon – shqiptaria feja jonë, duke respektuar pra me mend, me shpirt e fjalënjerëzishmerie çdo besim të rrënjosur tek besimtarët tanë, të cilët me gjuhën e përbashkët standarde si Toskë e Gegë duhet të jenë së toku si kokrrat në shegë, ndërsa në situata edhe: si dy rrfe që shkojnë tue djegë, sepse: Npër gjuhë shqype bota mbarë …/ Ka me ju njohtë për shqyptarë. (Atë Gj. Fishta) dhe gjithsesi duke ua kujtuar të vërtetën ligjërimore se shqiptarët Gegni e Toskëni kanë frymim një Shqipri, sepse: Në një diell jemi rritur /si dy lisa pranë ngjitur… (Asdreni), sespe: Geg e Tosk, malci jallia/janë nji komb me u da s’duron/fund e maje nji a Shqipnia/ e nji gjuh’ t’gjith na bashkon (Dom Ndre Mjeda),prandaj edhe norma e sotme mbi bazë të toskërishtes duke u sforcuar me palcën kurrizore të gegnishtes siç është paskajorja e mirëfilltë, siç provokojnë edhe shprehjet: ka me ju njohtë (bota) si dhe e papërkthyeshme: (gjuha e kombit) “me u nda s’duron” si dhe me prurje të tjera, duhet të bëhet edhe më e mirë, më e sfocuar me të dyja koinetë në bazë dhe kështu grushtbashkuar të çajnë e shqyejnë përpara drejt sukseseve të reja si në botën e brendshme ashtu edhe në arenën globale ndërkombëtare, gjithnjë duke falënderuar edhe feniksëluftëtarët anonimë e të tjerë vullnetarë të shkrimshqiponxënies, kudo që ishin, janë e do të jenë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok