23/11/2024

Bisedë me znj. Bora Qehaja nga Fronti i Luftes në Itali

0

Zonja Bora Qehaja shërben në Istitutin Clinico Beato Matteo Vigevano, regjoni Lombardia.

Ajo është në vijën e parë të Frontit të Luftës në një nga vendet më të prekura në botë nga Covid 19.  Ajo shprehet se unë jam rritur në një vend që e ka bazë humanizmin dhe kjo forcohet më shumë kur punon pranë të sëmurëve që kërkojnë ndihmë për t’u shëruar sa më shpejt.

Në këtë kohë pandemike që po kalon gjithë bota, Italia është në vendin e parë që është goditur shumë keq cila është  detyra juaj në spital për t’i shërbyer popullit italian?

Unë punoj asistente në sallën e ndërhyrjeve të kirurgjisë ortopedike urologjike në Istitutin Clinico Beato Matteo Vigevano, regjoni Lombardia.  Italia zë vendin e parë për nga humbjet njerëzore në botë, ngase shkaku kryesor është numri i lartë i të moshuarve që vuajnë edhe nga sëmundje të tjera, por që i bëjnë pacientët shumë të rrezikuar nga virusi.  Spitali ku punoj për hir të situatës së krijuar në Lombardi ka ndryshuar drejtimin se nuk kishim repart të sëmundjeve infective, prandaj u detyruan të përshtatnin spitalin.

Cili është shqetësimi juaj kryesor si punonjëse e shëndetësisë kur ndodheni pranë pacientëve tuaj?

Shqetesimi është i gjithanshëm, por në radhë të parë vjen jeta e pacientëve për t’i shëruar e shpëtuar jetën e tyre sa më parë.  Unë jam rritur në një vend që e ka bazë humanizmin dhe kjo forcohet më shumë kur punon pranë të sëmurëve që kërkojnë ndihmë për t’u shëruar sa më shpejt.  Të gjithe të sëmurët me virus nuk kanë pranë familjarët e tyre ngase nuk lejohet asnjë vizitë në spital për shkak të infektimit.  Shumë nga pacientët humbin jetën e tyre pa u dhënë as lamtumirën e fundit familjarëve.  Kjo është e dhimbshme por duhet t’i nënshtrohemi rregullave të rrepta të shëndetsise botërore.  Të vdekurve nuk u bëhet asnjë funeral, familjarët marrin njoftime për gjendjen e të sëmurit dhe vdekjen e tyre nga administrata e lartë e spitalit.

Sa kohë keni që punoni në shendetësi në Itali?

Kam 12 vjet që punoj pranë këtij spitali me përkushtim dhe ndershmëri.

Si u ndjeve kur ju dhanë detyrën se ju do të jeni në vijën e parë të Frontit të Luftës?

Nuk është e lehtë, por detyra ime është e tillë të jem në dispozicion të sëmurëve duke rrezikuar jetën time për të shpëtuar të tyren.  Pse ta fsheh, frika të shoqëron përditë.  Po situata e krijuar nuk na lejon të mendojmë gjatë, humbjet e tyre para syve tanë janë dramatike dhe shumë të dhimbshme…

A mendoni se do të  zhduket së  shpejti kjo epidemi globale?

Këtu në  Itali me gjithë  numrin e madh të vdekjeve patjetër që kemi shpresë .  Shpresa na bën të  ndihemi të fortë dhe më të bashkuar se kurrë.  Po merren masa më të  rrepta për izolimin nga qeveria.  Shpresoj t’ja dalim.

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare dhe punonjese në spitalet e Italisë?

Shqipëria po përpiqet të eci përpara, por 30 vite tranzicion janë shumë. është për të ardhur keq që vendi ynë akoma nuk është në trupin e Bashkimit Europian.

Sistemi shëndetsor në Shqipëri lë shumë per të dëshiruar, por besoj se ata mund të jene më me fat se këtu në Itali kesaj radhe për shkak të rasteve të shumta tragjike që kanë ndodhur.

E kishit endërr të punonit në shëndetësi?

Deshira ime ka qenë gjithmonë të punoj në shendetësi dhe këtu pata mundësi të punoj dhe të jetoj me dinjitet. Këtë ëndërr ma realizoi Italia ku punoj dhe jetoj, vendi që për shumë emigrantë si unë është bërë Atdheu i dytë.

Sa është e shqetësuar familja juaj në Shqipëri apo kudo ku ata jetojnë pasi ju jeni direkt në front të Luftës?

Njerëzit e mi të dashur janë shumë të shqetësuar që nga nëna ime në Tropojë e deri tek vëllai im Mark Qehaja në Nju Jork i cili më merr vazhdimisht dhe më inkurajon. E ndjej shumë mungesën e tyre. Unë nuk kam shumë kohë të flas për hir të turneve të gjata, por i lexoj mesazhet e thirrjet në ato pak orë pushimi që mund të kem dhe më sjellin pozitivitet dhe më shumë forcë.

Shpresoj dhe lutem të dalim sa më shpejt nga kjo situatë e krijuar në gjithë botën.

Ju faleminderit zonja Qehaja për bisedën dhe paci shëndet!

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

30 Mars, 2020

New York

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok