12/12/2024

75 VJET – MASAKRA E TIVARIT

0
u6_Masakra-e-Tivarit

NGA DR. SC. ILMI VELIU

Jugosllava e Titos, me Tempo,Dushan Mugosha e Milladin Popovç, ishin projektantët e kësaj masakre por edhe Enver Hoxha qëndronte pas tyre. Jugosllavija e pranoi këtë kasaphane por shteti shqiptar ka heshtur, duke e mbuluar me harresë , aq më tepër që ky akt tragjedisë kosovare kaloi nëpër territorin e nënës Shqipëri.

Ky pra ishte vazhdimi i proektit të Vasa Çubrilloviç; Ti zhdukim ose t’i shpërngulim shqiptarët. Pastaj të behet kolonizimi i trojeve shqiptare, me kolonët serbë të sjellur nga Serbija. Ushtrisë serbo-jugosllave iu dha urdhër që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë” (A Kos, F. OKKM k.10/29, 335 nr.1) PK Jugosllave arsyetohej se luftonte “reaksionin shqiptaromadh”, “bashkëpunëtorët” e nazifashizmit etj.  Por, kjo luftë ishte e vështirë për krerët e Serbisë, sepse populli i Kosovës, dhe i viseve tjera shqiptare ishte ngritur më këmbë, i armatosur dhe i gatshëm për të mbrojtur trojet shqiptare që Enveri i ja kishte dorzuar Titos. Plani u bë nga Tempo, Milladin Popoviç e Dushan Mugosha, që gjatë luftës kishin qenë gjithë kohën te Enveri dhe kishin deklaruar se ishin vëllezër të tij. Ata e detyruan Titon, në cilësinë e komandantit të Ushtrisë NÇJ, ti kërkonte  Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Maqedoni, Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit” dmth kundër shqiptarëve që nuk donin ti nënshtroheshin Serbisë.  Kjo kërkesë u përsërit edhe në emër të Kosovës, më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën e firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha. (A. i FA, F.Sh. i Përgj.)

Enveri, pasi vrau mijëra nacionalistë të Ballit, Legalitetit dhe krerëve të veriut përgjatë luftës civile në Shqipëri (1943-1944), më 12 shtator 1944, i dha urdhër Korp-I të niste 2 brigada për në Kosovë. (Dok.po aty, vol.II)

Po në këtë datë, vëllau i Enverit-Milladini, i shkruante Liri Gegës: “Lajmëro Pavlen (Pavle Joviçeviq) se dy brigadat e Shqipërisë së shpejti do të nisen për në Kosovë….(AQSH, Fondi 14) Kjo u mbajtë fshehur edhe nga  britanikët, që ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën në Shqipëri e Jugosllavi. Enveri porosiste Dali Ndreun, kom. i Korparmatës I:,,Të mos u tregohet inglizëve objektivi brig.V-III, që do të shkojnë në Kosovë”( AQSH, F.14)

Në Kosovë,Maqedoni e Mal të Zi, ishin krijuar dhe vepronin organizata të fuqishme politike dhe ushtarake nacionaliste si: Balli Kombëtar, Lëvizja Irridentiste, Lidhja e Dytë e Prizrenit,Besa Kombëtare dhe Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (NDSH), që kishin me vehte thuajse gjithë popullin shqiptar që kishin mbetur jashta Shqipërisë së Enverit. Me ata ishte edhe Muharrem Bajraktari dhe forcat e tij kombëtare.

Pra ushtarët shqiptarë të Enverit që i kërkoi Tito e Fadil Hoxha, kinse për të luftuar armikun,u përdorën  në luftën kundër shqiptarëve të Kosovës,e që ishin ngritur kundër Titos, Fadil Hoxhës e Serbisë.

Enveri,që tu ndihmonte Titos,Milladinit e Fadilit, si një vasal i bindur, urdhëroi brigadat e Divizionit I: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë, nëse gjinden brenda ose edhe jashta kufirit shqiptar, pa treguar tolerancë.” (A.FA, dosja 45, v.1944)  Në nëntor 44, në këtë luftë kundër kosovarëve u angazhuan edhe Divizioni V, me Brigadat III, V dhe XXV, dhe Divizioni VI (brigadat VI, VII, VIII dhe XXII). Ata ishin kthyer në Kosovë, nga Sanxhaku e Bosnja, ku kishin luftuar kundër gjermanëve. Edhe Ramiz Alia,në një intervistë të më vonëshme thotë se ka qenë në Bosnjë kur ka ndodhur masakra e Tivarit,e që nuk eshtë e vertetë sepse ai dhe Divizioni V ndodheshin në Mitrovicë, e më vonë në gjithë Kosovën. (Dok. 3.03.1945 i Sh.Përgjithshëm)

Urdhrat për të luftuar kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, që refuzuan të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat e shqiptarëve në Mitrovicë e Drenicë, i dhanë, më 1 shkurt dhe më 5 shkurt 1945, kolonel Fadil Hoxha dhe komisari politik, nënkolonel Krsto Filipoviq. (A.h.i Jugo.k.1411)

Tragjedija shqiptare e Tivarit filloi me masakrat në Drenicë dhe zhbërja e Brigadës VII kosovare që ishte nisur për në Frontin e Sremit. Divizionet shqiptare të UNÇ të Shqipërisë u bënë pjesë e ushtrisë  serbo jugosllave për vendosjen e regjimit ushtarak në Kosovë dhe për shtypjen e rezistencës kosovare, e që ishte ripushtimi serbë i  Kosovës dhe forcimi i pushtetit jugosllav. Ata qëndruan në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare edhe pasi ishin larguar gjermanët, qysh nga shkurti, e deri në dhjetor 1945, pra për 10 muaj, derisa Kosova e viset e tjera shqiptare u bënë pjesë e Jugosllavisë.

Dokumentat arkivore na vërtetojnë se,pikërisht Divizionet V-VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat tjera shqiptare dhe kur u nisën kolonat me rekrutë shqiptarë për në Tivar më 24 mars 1945. Bashkëpunimi i ngushtë i Ushtrisë NÇ të Shqipërisë me ate te Serbo-Jugosllavisë për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është i vërtetë dhe i dokumentuar. Janë radiogramet e shtabit të Divizionit V-VI, nënshkruar nga Ramiz Alia dhe komandantët Gjin Marku, Rahman Parllaku… dërguar Komandës së Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945, si edhe emrat e kosovarëve të arratisur, që u kishin ikur ushtarëve serbë dhe ata ziheshin dhe dorëzoheshin përsëri te ushtria jugosllave për ti pushkatuar. Ndodhte edhe ajo që komandantët e brigadave të Shqipërisë,u bënin thirrje shqiptarëve të Kosovës që të bashkoheshin me ta, por që pabesisht,pastaj  i dorëzonin te ushtria jugosllave. Ja urdhëri i Hoxhës: “T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.(AQSH, F.206, v.1945). Si rezultat i këtij bashkëveprimi, të mobilizuarit  shqiptar të Kosovës, që besonin tek thirrjet e Komandës së Divizioneve V dhe VI të Shqipërisë, u dorëzoheshin pabesisht Oznës dhe komandës Ushtarake Jugosllave dhe përfundonin si mish për top, të cilët ushtria serbe i largonte nga Kosova dhe i dërgonte për t’i asgjësuar në Tivar.

Divizioni i 46-të dhe një batalion i Brigadës 27 të Serbisë,  mandej Brigada X malazeze, ishin caktuar për ti përcjellur eshalonet shqiptare te Kosoves e Maqedonisë, drejt kasaphanës së Tivarit dhe kjo tregon se sa rëndësi i kishin kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhej të përfundonte në Varrin masiv të quajtur Tivar. Gjat mobilizimit të dhunshëm të shqiptarëve me arsyetimin se duhej te shkonin në  frontin e Adriatikut, mernin pjesë 13.323 rekrutë shqiptarë dhe  asnjë serb, malazez apo maqedonas. Përse? Pra ky ishte plani i Çubrilloviçit për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre nën Jugosllavinë. Përse i kaluan nëpër Shqipëri, kur kishin rrugë tjera,që kalonin nëpër Malin e Zi drejt Tivarit..? Që turpi ti mbetej Shqipërisë dhe Enverit sepse ata lejuan që kolonat e ushtrisë serbe të hynin e të kalonin nëpër territorin shqiptar dhe të vepronin si t’ua donte interesi. Pra, shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqësia partiake dhe shtetërore e Shqipërisë. Raporti i shtabit të Kolonës IV të Ar.Jugosllave, 8 prill 45 thotë se,“Shkuam mirë deri në Kukës.Aty ndodhi një incident. Njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë, me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rrëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetash. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën.( A. i Luftës i Jugos.1411) Pra dokumentat arhivore na vërtetojnë se, asgjësimi i rekrutëve të Kosovës, u krye në bashkëveprim të forcave Jugosllave dhe atyre Shqiptare; brenda territorit të Shqipërisë së Enverit. Dokumenti tjetër thotë; “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1500 kosovarë të pafajshëm” (Ark.Min.Jashtme, v.1949, D.191) Këtë masakër brënda Shqipërisë, e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu i cili thotë se: “Xhelatët e Rankoviqit, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo, një rrugë e përgjakshme e kosovarëve  brenda tokës sonë, deri në Ulqin” ( B. Spahiu, Pretenca në gjyqin e K.Xoxes, 1949)

Zoi Themeli, shef i Mbrojtjes-Shkodër, thotë se rekrutët e mobilizuar kosovarë, jugosllavët “i vrisnin në rrugët e Shqipërisë, pa pasur faj” dhe rekrutët që iknin për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin prapë komandove jugosllavë, prej të cilëve ata gjenin vdekjen. Zoi Themeli, gjithashtu, pohon se dorëzimi i rekrutëve kosovarë tek autoritetet jugosllave, bëhej me urdhër të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, pa marrë parasysh faktin se rekrutët ishin shqiptarë dhe nuk kishin bërë asnjë faj.           Qeveritarët e Shqipërisë, jo vetëm që nuk bënë gjë për të mbrojtur jetën e kosovarëve,jo që nuk protestuan për vrasjet masive të shqiptarëve brenda kufijve të shtetit shqiptar, por i dorëzuan te jugosllavët edhe ata bashkëkombës që përpiqeshin të iknin nga kolonat e vdekjes. (Arkivi MB, D.1623)

Njeriu që i kishte shpëtuar masakrës,Azem Hajdini, me gojë të vet kishte dëshmuar se ,,Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë, dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbë, malazezë e maqedonas. Shumë shpejt u bindëm, kishte thënë ai, se as këtu nuk kishte vënd për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh.”( A.Hajdini, Letër e hapur)

Sipas të dhënave të arkivave jugosllave, në Fushë-Arrëz u vranë 126 rekrutë shqiptarë në gjendje agonie, kur ishin në gjumë. “Kur kaluam Pukën, i nxorën nga kolona tre të rinj shqiptarë, të veshur me rroba kombëtare, dhe i pushkatuan para syve të kolonës si edhe para një skuadre ushtarësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi, derisa ne qanim me dënesje, ushtarët e skuadrës së Shqipërisë e përcollën pushkatimin e tyre me duartrokitje!”tregon Hajdini (A.Hajdini, Masakra e Tivarit .Në Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u plagosën. E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në Shkodër; gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish. Në kazermat e Shkodrës u pushkatuan 11 shqiptarë, ndërsa në kalimin e Bunës, 18 të tjerë. Para plot 75 vitesh, në mesditën e datës 31 mars 1945, në qytetin e vogël të Tivarit ishte ngritur kurthi, për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë të sjellur nga Kosova. Në hyrje të Tivarit filloi masakra dhe arriti kulmin  në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Vrasësit ishin ushtarët e  Brigadës X malazeze, të komanduar nga krimineli Markoviq. Ka shumë të vrarë edhe nga kolonat e tjera me shqiptarë të mobilizuar nga viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës,Strugës, dhe Shkupit,që marshuan  nëpër Shqipëri e i gjeti i njëjti fat.

Eshtë e pa mundur dhe shumë e vështirë që të thuhet një numër përafërsisht i sakët i shqiptarëve të vrarë në këtë masakër. Nuk është berë ndonjë evidencë dhe nuk janë shenuar emra gjatë pushkatimeve e vrasjeve të shumta edhe gjatë rrugës drejt Tivarit dhe eshtë e pa mundur që te ju besojmë të dhenave qe na japin burimet jugosllave po dhe ata shqiptare. Ata thonë se në këtë masakër jan zhdukur 2.947 – 3.447 shqiptarë të pafajshëm, por numri eshtë shumë më i madh. Dëshmitarët kan thënë se numri do te duhet te ketë qenë mbi 4.000 të vrarë. Sipas Arkivave të Shqipërisë, mbi 1000 shqiptarë të Kosovës u vranë përgjatë rrugës nga Kukësi në Shkodër. Sipas dëshmitarit Azem Hajdini, dhe dëshmitarëve të tjerë, thuhet se nëpër territorin e Shqipërisë u vranë dhe u zhdukën mbi 1500 shqiptarë të Kosovës kurse numri i të vrarëve në Tivar mund të ketë arritur edhe mbi 15 mijë shqiptarë. Në Tivar jeton edhe popullatë shqiptare vëndase. Në verën e vitit 2008 unë dhe bashkëvendasi im Xhemo Osmani i bëmë një vizitë Tivarit. Kërkuam të shihnim se ku mund te kishte qenë ndërtesa me emrin ,,Monopoli i Duhanit,, por nuk gjetëm njeri të na e tregonte. Një miku i Xhemës,që e takuam në Ulqin na tregoi ate që kishte dëgjuar nga gjyshi i tij, se pasi kishin përfunduar pushkatimet te Monopoli i Duhanit,të nesërmen, ashtë dukur sipërfaqeja e detit Adriatik, krejt e bardhë,e që kan qenë kësulat (çeleshet) e bardha kosovare dhe ata kësula jan dukur aty për gjatë kohë,dersa eshtë prishur moti dhe dallgët e detit i kan marrë dhe futur në brëndi të detit. Nga kjo eshtë kuptuar se njerëzit e pushkatuar janë hedhur në det ku i kanë ngrënë peshqit kurse kësulat e tyre kan notuar mbi ujë disa muaj me rradhë. Politikanët e sotëm të Kosovës nuk nuk i përmendin dhe nuk kan njohuri as për kosovarët që u zunë robë nga ushtrija bullgare dhe u sollën në malin Bukoçë të Kërçovës për ta ndërtuar hekurudhën e parë 1915-1918; e as për Masakrën e kosovarëve në Tivar, sepse nuk kan njohuri për këta ngjarje të dhimbëshme. Ata lexojnë e mësojnë vetëm për politikë…..!!!

*(Literatura dhe fusnotat gjinden në materijalin që eshtë përgatitur dhe duhet të dalë nga shtypi).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok