Bashkimi në një shtet (Viabël Shqiptar)

0
Petrit-Dibrani

Nga Utopia Romantike te Domosdoshmëria Pragmatike!

Nga Petrit Dibrani

Bashkimi në një shtet të vetëm dhe funksional është një hapësirë plotësisht e qëndrueshme dhe stabile vetëm në një Shtet Viabël Shqiptar.

Nuk është dhe s’duhet të mbetet thjesht një fjalë, një slogan elektoral apo një dëshirë sentimentale e mbetur në sirtarët e historisë.

Ky projekt i domosdoshëm përfaqëson një projekt madhor kombëtar; një platformë gjeopolitike, ekonomike, kulturore dhe tradicionale, e cila ka potencialin për t’u shndërruar në një realitet të gjallë e dinamik.

Ky projekt ushqehet nga një traditë e gjatë dhe e përbashkët, e trashëguar brez pas brezi nga të parët tanë, dhe sot ai thërret për një qasje moderne e racionale.

Bashkimi përfaqëson nevojën jetike për të tejkaluar copëtimin e dhimbshëm historik, duke kaluar nga retorika e tryezave akademike te veprimet konkrete dhe të matshme në terren.

Për t’u bërë i prekshëm, ky proces duhet të mbështetet mbi tre shtylla strategjike:

  1. Fuqia ekonomike dhe sinergjia e tregjeve

Bashkimi i potencialeve ekonomike nuk është thjesht mbledhje numrash, mirëpo krijim i një sinergjie të re prodhuese.

Kombinimi i burimeve të pasura natyrore e minerare të Republikës së Kosovës me vijën e gjatë bregdetare, portet strategjike dhe infrastrukturën e Shqipërisë krijon një hapësirë unike ekonomike.

Ky treg i përbashkët do të rriste shkallën e vetëqëndrueshmërisë, do të tërhiqte investime të huaja direkte të një kalibri më të lartë dhe do të krijonte një treg konkurrues rajonal.

Energjetika, turizmi, bujqësia dhe teknologjia e informacionit mund të integrohen në një zinxhir të vetëm vlerash, duke zhdukur varësinë nga importet e jashtme dhe duke rritur mirëqenien e qytetarëve në të dyja anët e kufirit të dikurshëm.

  1. Stabiliteti strategjik dhe faktori ushtarak në (GADISHULLIN TONË ILIRIK)

Në një botë gjeopolitike gjithnjë e më të paqëndrueshme, siguria nuk mund t’i lihet asnjëherë rastësisë.

Koordinimi i plotë dhe i pakthyeshëm në fushën e mbrojtjes dhe të diplomacisë është kusht ekzistencial për ekzistencën si Komb Shqiptar.

Marrëveshjet e fundit për bashkëprodhim ushtarak, unifikimi i doktrinave të mbrojtjes dhe stërvitjet e përbashkëta taktike janë hapat e parë drejt një arkitekture të re sigurie.

Duke u rreshtuar si një trup i vetëm në politikat e jashtme, Kombi ynë shndërrohet nga një konsumator i sigurisë në një eksportues dhe faktor kyç paqeje e stabiliteti në mbarë Gadishullin tonë ILIRIK.

Ky pozicionim i ri parandalon pretendimet hegjemoniste rajonale dhe garanton paprekshmërinë e interesave tona kombëtare.

  1. Heqja e barrierave dhe integrimi organik si KOMB

Hapat praktikë dhe të përditshëm janë testimi i vërtetë i këtij vullneti.

Vendosja e kalimit të lirë, të përhershëm dhe të pakontrolluar kufitar, unifikimi i sistemeve arsimore, njohja e ndërsjellë e diplomave dhe e licencave profesionale dëshmojnë se afrimi po ndodh natyrshëm.

Ky integrim duhet të jetë burim organik nga poshtë-lart dhe nga vetë qytetarët, bizneset, artistët dhe e mbarë shoqëria, duke e bërë kufirin thjesht një vijë formale administrative.

Çdoherë, edhe në vendet e tjera të ndara, kur njerëzit, kapitali dhe idetë qarkullojnë pa pengesa, shteti i përbashkët funksional është thjesht hapi i fundit juridik i një realiteti që tashmë ekziston në terren.

Përfundim

Një domosdoshmëri edhe për të ardhmen e Evropës!

Ky proces ka kohë që ka pushuar së qeni një utopi romantike apo një ëndërr nostalgjike e shekullit të kaluar.

Ndërsa sot, ai është një domosdoshmëri e ftohtë pragmatike. Konsolidimi i hapësirës shqiptare në një shtet të vetëm VIABËL është garancia e vetme për të siguruar zhvillimin afatgjatë, dinjitetin ekonomik dhe sigurinë e përbashkët.

Për më tepër, një Komb Shqiptar i fortë, i qëndrueshëm dhe i integruar rreth vlerave perëndimore nuk përbën kërcënim për askënd. Përkundrazi, ai shërben si një shtyllë e fortë stabiliteti për popujt fqinjë dhe si një vlerë e shtuar e patjetërsueshme për sigurinë dhe prosperitetin e mbarë “Kontinentit Evropian”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok