21/11/2024

Bashkëpunimi Rama – Vuçiq është shkatërrues për Ballkanin Perendimor!

0

Nga Enver Bytyçi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për portalin europian “Politico”  ka thënë se “Presioni i tepruar i Perëndimit ndaj Serbisë është shkatërrues për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”. Kjo deklaratë projektohet prej tij në mbrojtje të qëndrimeve të Beogradit ndaj agresionit rus në Ukrainë, duke justifikuar mos-vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Serbia e Aleksandër Vuçiq refuzon prej 110 ditësh që t’i bashkohet sanksioneve europiane dhe amerikane kundër Moskës. Dhe për këtë arsye ishte në Beograd Olaf Scholz, duke e kritikuar ashpër qëndrimin e presidentit të Serbisë! Por në intervistën e toj zoti Rama merr në mbrojtje Serbinë dhe paralajmëron Europën se “Nëse rrit presionin kundër saj, atëherë do të shkatërrojë stabilitetin e rajonit”! Edhe nëse kryeministri i Shqipërisë do të luante rolin e zëdhënësit të qeverisë dhe presidentti serb, nuk do të kish guxuar të shkonte deri në këtë pikë!

Por duket se përpjekjet e zotit Rama në mbrojtje të aleatit të tij në Beograd Aleksandër Vuçiq ngjajnë me  përpjekjet e Enver Hoxhës në mbrojtje të Josif Stalinit! Të dy këta kanë marrë anë në mbrojtje të padronëve të tyre për shkak të pushtetit. Asgjë nuk lidhet me stabilitetin rajonal apo me kërcënimin ose jo ndaj këtij stabiliteti. Një analizë e thjeshtë na bën të ditur se Serbia, pavarësisht armatosjes së saj nga ana e Rusisë dhe Kinës, nuk ka kapacitete që të kërcënojë dhe destabilizojë Ballkanin Perendimor. Ndaj Rama shpif me qëllime të pastra avokatie në këtë drejtim!

Po pse atëherë Rama e ve theksin të destabiliteti? Sepse ai ka mësuar tashmë se fati i tij në pushtet është i lidhur me fatin e Aleksandër Vuçiq. Nëse presidenti serb rrëzohet nga pushteti, atëherë edhe Edi Rama do të këtë të njëjtin fat. Diktatori shqiptar, Enver Hoxha, e mbrojti Stalinin dhe stalinizmin deri në ditën e fundit të jetës së tij pikërisht për këtë arsye: – Për të ruajtur pushtetin e tij totalitar në vendin tonë. E njëjta gjë ndodh në marrëdhëniet midis Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq. Të dy këta janë lidhur tashmë për kërthize dhe nuk ka kirurg që i ndan nga njëri-tjetri. Nëse ata ndahen, vdesin të dy politikisht! Aleanca e ngushtë Rama – Vuçiq i ka rrënjët e saj te pushteti dhe lidhjet e ngushta me mafien dhe krimin e organizuar në Shqipëri, Serbi e rajon.

Me teorinë e destabilitetit, nëse “detyrohet Serbia të shkëputet nga Rusia”, Rama mbron lidhjet e tij të ngushta me këtë vend dhe largon vëmendjen e aktorëve perendimorë nga rajoni ynë. Sa më larg perendimorët nga ky rajon, aq më gjatë qëndrojnë në pushtet Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama. Sa më gjatë këta të dy të mbahen në pushtet, aq më shumë pasuri përmes veprimtarisë kriminale e mafioze do të kenë ata! Sa më shumë pasuri të pakontrolluar e larg syve të Europës, aq më lehtë i shpëtojnë ata ndëshkimit të drejtësisë! Nuk ka asnjë arsye tjetër pse presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Shqipërisë bëhen bashkë në iniciativat jashtë aleancës euro-atlantike, si Open Balkan. Nuk ka asnjë shkak tjetër pse këta të dy bashkëpunojnë kaq ngushtë me njëri-tjetrin dhe pse Rama dëshiron ta rrëzojë kryeministrin e Kosovës, zotin Kurti, nga pushteti!

Në fillim Rama i thotë portalit “Politico” se “Serbia është ndryshe nga të tjerët, sepse ka lidhje historike e speciale me Rusinë”. Më pas e justifikon mos vënien e sanksioneve kundër Rusisë me tezën se “Adoptimi i sanksioneve nga Serbia është praktikisht i pamundur… Është vetëvrasës për ekonominë serbe”. Çfarë avokatie! Çfarë mbrojtjeje të pozicionit anti-perendimor e për rrjedhojë anti-shqiptar të Beogradit! Nëse kryeministri i Shqipërisë do t’i kishte përdorur argumentet që njihen në dobi të Kosovës, Kosova do të ishte sot në një pozitë shumë komode dhe në epërsi politike e diplomatike të padiskutueshme ndaj Serbisë. Por jo! Kryeministri i Shqipërisë hulumton dhe sajon argumente të pafund në mbrojtje të Serbisë me qëllim për rrënimin e Kosovës. Këtij synimi i shërben gjithashtu Ballkani i Hapur!

Pas kësaj interviste do të ketë përsëri politikanë, gazetarë, moderatorë, analistë, televizione, radio, gazeta e portale pa fund, të cilat do ta justifikojnë qëndrimin e Edi Ramës në intervistën e tij për “Politico”! Do të thonë: “Sigurisht pa miqësi me Serbinë nuk ka paqe në Ballkan”! “Pa integrimin rajonal nuk ka integrimi europian”! Do të shkriajnë se “Ballkani i ballkanasve është teza më e mirë për rajonin”! Asnjëri prej tyre nuk do të ndalet në atë se çfarë përfitojnë shqiptarët nga mbrojtja që Rama i bën Serbisë! Askush nuk do të mendojë se si rrënohet shtetësia dhe pavarësia e Kosovës nga kjo lidhje e ngushtë! Mjafton të rrëzohet Albin Kurti nga pushteti dhe të rikthehet sërishmi mafia politike dhe kriminale në Kosovë, me të cilën bashkëpunojnë Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama!

Mbrojta dhe avokatia e Ramës ndaj Serbisë është në fakt rrënuese për shtetësinë e Kosovës e për pasojë edhe për stabilitetin ballkanik. Me këtë përkushtim të kryeministrit shqiptar ndaj interesave serbe në rajon, shkohet vetëm drejt ndarjeve, rritjes së mosbesimit dhe destabilizimit të rajonit. Nuk është kjo rruga e paqes dhe e sigurisë. Nuk sjell paqe e bashkëpunim në rajon aleanca e ngushtë e Beogradit me Moskën, të cilën Edi Rama e bekon dhe e trajton si “Garanci për paqe e stabilitet në Ballkanin Perendimor”! Jo! Nuk mund të shkohet kaq larg në avernturën pro-serbe e pro-ruse!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok