08/10/2024

KOSOVA NË NATO DHE NË BE – JO KONFLIKT I NGRIRË

0

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Kryetari i Serbisë, Vuçiqi, thotë: “Populli serb mendon se konfliktin me Kosovën duhet ngrirë”. Ai i komenton zgjidhjet potenciale për marrëdhëniet midis dy popujve – shqiptarëve dhe serbëve. Si një prej zgjidhjeve të “problemit” të Kosovës, sipas Vuçiqit, është që ky “problem” të shndërrohet në çështje të ngrirë. Po qe se një çështje midis dy shteteve nuk zgjidhet me vite dhe dekada, atëherë ajo qëndron në status quo. Status quo-ja, tërthorazi ngërthen në vete konfliktin e ngrirë. Për marrëdhëniet me Prishtinën, Vuçiqi thotë: “Do të bëj çmos që të përballem me qëndrimin e 80 për qind të njerëzve në Serbi të cilët mendojnë se  duhet ruajtur konfliktin e ngrirë”.

Përfaqësuesit e Kosovës thonë se mosmarrëveshjet me Serbinë duhet të kapërcehen nëpërmjet dialogut.

Konflikt të ngrirë kemi në pjesë të caktuara të botës, por jo edhe midis Kosovës dhe Serbisë, thonë ekspertët e konflikteve të ngrira dhe të pangrira të Institutit të Lajbnicit për Studime të Evropës Lindore dhe Juglindore.

Ç’është konflikti i ngrirë? – Termi “konflikt i ngrirë” është shfaqur pas luftës së ftohtë dhe ka të bëjë me situatat e krijuara në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik. Në atëkohë, grupet apo forcat separatiste kanë krijuar shtete, të cilat nuk kanë njohje ndërkombëtare. Ato krijohen pas ndërprerjes së konflikteve të armatosura, por pa një marrëveshje paqeje dhe kornize politike, që bën të mundur një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme.

Megjithëkëtë, konflikt i ngrirë nënkupton edhe të heqësh dorë nga marrëveshja, për një kohë të pacaktuar, derisa nuk ndryshohen rrethanat dhe nuk krijohen kushtet për zgjidhjen e problemit.  Për këtë arsye, shpeshherë politikisht nuk pranohet si zgjidhje. Më parë kemi të bëjmë me pranimin e pafuqisë apo të pamundësisë objektive të mbartësve të forcës, jo vetëm të pushtetit, për të arritur kompromis dhe marrëveshje në të cilën fitojnë që të dyja palët.

Shembulli që e ilustron më së miri këtë koncept është lufta për Nagorni-Karabah që ka zgjatur prej vitit 1988 deri në vitin 1994 ndërmjet Republikës së Azerbajxhanit dhe shumicës armene të këtij rajoni. Në luftë u zhvendosën rreth një milion njerëz. Në referendumin e mbajtur, shumica e votuesve të Nagorni-Karabahut votuan që t’i bashkëngjiten Armenisë, ndërsa azerët e kësaj pjese e bojkotuan votimin.

Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik konflikti u thellua, për arsye se Azerbajxhani e shpalli pavarësinë. Pas kësaj, shumica armene në Nagorni-Krabah votoi për shkëputje nga Azerbajxhani dhe e shpalli republikën. Më vonë e ndërroi emrin në Arcah.

*   *   *

Konflikte të ngrira – Çështja e Gjibraltarit (La Cuestión de Gibraltar) – Sovraniteti i Gjibraltarit ka qenë çështje më e rëndësishme e tensioneve në marrëdhëniet e Spanjës dhe Anglisë. Gjatë luftës për trashëgiminë spanjolle të Gjibraltarit, midis Spanjës dhe Anglisë, ushtria angleze dhe holandeze, më 4 gusht 1704, e morën qytetin e Gjibraltarit. Ushtria spanjolle dhe ajo franceze, e humbën luftën. Shkretimi i Gjibraltarit zgjati tri ditë, përkundër marrëveshjes se nuk do të ushtrohet dhunë ndaj popullsisë civile. Shumica e kishave katolike u shkatërruan. Shumica e popullsisë u dëbua, iku ose u vra nga ushtria angleze dhe holandeze. Me Marrëveshjen e Utrehtit (Utrecht) të vitit 1713, me të cilin përfundoi lufta midis Spanjës dhe Anglisë, Gjibraltari dhe ishulli Minorca, mbetën nën sovranitetin e Britanisë. Britania e Madhe në vazhdimësi ka sovranitet ndaj Gjibraltarit, përkundër përpjekjeve të shumta të Spanjës për ta kthyer nën pushtetin e vet. Që nga Marrëveshja e Utrehtit (Utrecht) të viti 1713 e këndej, tensionet midis Spanjës dhe Britanisë së Madhe për Gjibraltarin, nuk kanë pushuar. Spanja edhe më vonë ka pasur pretendime ndaj Gjibraltarit dhe ka kërkuar nga Londra që t’ia kthejë. Kontesti rreth Gjibraltarit, herë-herë ka marrë edhe formën e konfliktit të ngrirë.

*   *   *

Territor për paqe – Izraeli dhe bota arabe – Shprehja “territor për paqe” është interpretim legal i Rezolutës 242 të Këshillit të Sigurimit të KB-ve që u përdor si bazë për arritjen e paqes midis arabëve dhe Izraelit. Shprehja territor për paqe është nxjerrë nga teksti i paragrafit të parë operativ të rezolutës që përcakton se paqja duhet të përfshijë zbatimin e dy parimeve: tërheqjen e forcave izraelite (të heqë dorë nga territori); dhe pushimin e të gjitha kërkesave apo të gjendjeve të luftës (Making Peace). Duke qenë se rezoluta parashikon zbatimin e të dy parimeve, ato bashkërisht mund të trajtohen si arritje e paqes duke hequr dorë  nga territori, që në mënyrë koncize quhet “territor për paqe”.

Ky interpretim u kontestua gjerësisht për arsye se implikon se tërheqja e Izraelit ndërlidhet me gatishmërinë e fqinjëve të tij që formalisht të lidhin marrëveshje paqeje. Interpretimet oponentë të rezolutës konsiderojnë se Izraeli është i detyruar të tërhiqet pa kusht nga të gjitha territore e pushtuara në vitin 1967.

Diplomati britanik, Lordi Karadon (Hugh Foot, Baron Caradon, 1907-1990) flet për lëshimet që duhet t’ia bëjnë Izraelit shtetet arabe, si pjesë e zgjidhjes gjithëpërfshirëse – sipas Rezolutës 242. “Parimet e Rezolutës 242 i kanë pranuar Egjipti, Jordania, Siria dhe Arabia Saudite. Respektohen edhe nga Izraeli. Po qe se Izraeli tërhiqet nga territoret e pushtuara në vitin 1967, të gjitha shtetet në atë rajon duhet të jenë të lira që të jetojnë brenda kufijve të sigurt dhe të pranuar, pa forcë dhe kanosje me forcë. Kjo nënkupton pajtimin që Izraeli të ketë të drejtë ekzistimi dhe të drejtë për shtet të vet. Kjo nuk është diçka e re. Kjo buron që nga viti 1967”.

Më 19 qershor 1967 Izraeli ofroi tërheqjen nga Sinai dhe Golani si këmbim për paqen. Shtetet arabe, me Rezolutën e Kartumit të shtatorit të vitit 1967, ofertën e Izraelit e refuzua: “S’ka paqe me Izraelin, nuk ka njohje të Izraelit, nuk ka bisedime me Izraelin”.

Formula “territor për paqe” u zbatua për herë të parë me Marrëveshje e paqes të vitit 1979, midis Izraelit dhe Egjiptit. Sipas kësaj marrëveshjeje, Izraeli u tërhoq nga Sinai, si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të paqes, të mbështetur me ndihmën ekonomike të ShBA-së për të dyja palët.

Në vitin 1994, një marrëveshje e ngjashme gjithëpërfshirëse që i referohet Rezolutës 242 krijoi bazën e marrëveshjes së paqes midis Izraelit dhe Jordanisë, sipas së cilës të dyja palët u tërhoqën në anët e veta të kufirit të njohur në shkallë ndërkombëtare.

*   *   *

Marrëveshja e katër fuqive për Berlinin (Four Power Agreement on Berlin) – Marrëveshja e katër fuqive për Berlinin (Four Power Agreement on Berlin), i njohur si Marrëveshja e Berlinit apo Marrëveshje katërpalëshe për Berlinin, e 3 shtatorit të vitit 1971, e fuqive aleate të Luftës së Dytë Botërore, të përfaqësuar prej ambasadorëve të tyre. Katër ministra të Punëve të Jashtme, Alek Dagllas-Hom (Alec Douglas-Home, 1903-1995) i Mbretërisë së Bashkuar, Andrej Gromiko (Andei Gromyko; Starie Gromyki, Bjellorusi, 1909 – Moskë, 1989) i Bashkimit Sovjetik, Moris Shuman (Maurice Schumann, 1911-1998) i Francës dhe Uilliam P. Roxhërs (William Pierce Rogers, 1913-2001) i ShBA-së, më 3 qershor 1972 nënshkruan protokollin përfundimtar. Me Marrëveshjen e Berlinit si dhe me Marrëveshjen themelore (Grundlagenvertrag) që hyri në fuqi në qershor të vitit 1973, i njohën dy shtetet gjermane – Republikën Federale Gjermane dhe Republikën Demokratike Gjermane dhe dy vendet u obliguan të respektojnë sovranitetin e njëri-tjetrit. Në bazë të dy marrëveshjeve të sipërthëna, në shtator të vitit 1973, të dy shtetet gjermane iu bashkuan Kombeve të Bashkuara.

*   *   *

Marrëveshja themelore e dy shteteve gjermane “Marrëveshje për bazat e marrëdhënieve ndërmjet Republikës Federale Gjermane dhe Republikës Demokratike Gjermane” e nënshkruar më 21 dhjetor 1972. Paraqet bazë për një sërë marrëveshjesh të tjera të dy shteteve gjermane deri në bashkimin e tyre në vitin 1990. Në nenin 1 të marrëveshjes thuhet se RFGJ dhe RDGJ do të zhvillojnë ndër vete marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë. Në nenin 2 thuhet se RFGJ dhe RDGJ do të udhëhiqen nga objektivat dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, sidomos nga parimet e barazisë sovrane të shteteve, të respektimit të pavarësisë dhe të tërësisë tokësore, i të drejtës për vetëvendosje, i respektimit të të drejtave të njeriut dhe i mosdiskriminimit. Në nenin 3 thuhet se në përputhje me Kartën e KB, RFGJ dhe RDGJ, çështjet e kontestueshme të ndërsjella do t’i zgjidhin përjashtimisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kanosja me forcë apo nga përdorimi i forcës. Ata e konfirmojnë moscenimin e kufijve, tani dhe në të ardhmen dhe obligohen për respektimin e plotë të integriteteve territoriale të tyre. Marrëveshja ka 10 nene. U nënshkrua në Berlin më 21 dhjetor 1872 nga diplomati i RFGJ-së, Egon Bar* (Egon Bahr, 1922-2015) si dhe nga diplomati i RDGJ-së, Mihael Kol (Michael Kohl, 1929-1981).

Shënim: I besueshmi i kancelarit gjerman Vili Brant (Willy Brandt, 1913-1992), Egon Bar (Egon Bahr, 1922-2015), ishte një prej arkitektëve kryesorë të hapjes së Gjermanisë kah Lindja, d.m.th. një prej themeluesve të ostpolitik. Më 1999, Egon Bar kritikoi ndërhyrjen e NATO-s kundër Jugosllavisë.

*   *   *

Pas këtyre dy marrëveshjeve të sipërthëna, u lidhën një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare. Disa studiues thanë: “Filloi formalizimi i luftës së ftohtë dhe ndarja e Evropës”, ndërsa studiues të tjerë thanë se dy marrëveshjet e lartpërmendura shënojnë fillimin e fundit të luftës së ftohtë. Në vitin 2001, historiania amerikane, njohëse e luftës së ftohtë, Meri Elizë Sarot (Mary Elise Sarotte, 1968-) shkruan: “Përkundër frikës së gjithanshme, dy shtetet gjermane, si rezultat i dialogut për uljen e tensioneve, arritën të lidhin shumë marrëveshje”.

Pas rënies së murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, në vitin 1990 dy shtetet gjermane u ribashkuan.

*   *   *

Çështja e Gjibraltarit (La Cuestión de Gibraltar) edhe sot vazhdon të ndikojë në marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe Spanjës. Shumica e madhe e banorëve të Gjibraltarit, kategorikisht janë kundër kthimit nën pushtetin e Spanjës, si dhe kundër propozimit për ndarjen e sovranitetit. Më 17 nëntor 2002, u mbajt referendumi në të cilin qytetarët e Gjibraltarit u deklaruan për ruajtjen e sovranitetit britanik mbi Gjibraltarin. Vetëm 1 për qind e qytetarëve kanë qenë për ndarjen e sovranitetit midis Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa 99 për qind – për mbetjen e gjendjes së përtashme. Në shtator të vitit 2006, përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar, Spanjës dhe Gjibraltarit zhvilluan bisedime në Kordobë (Córdoba) të Spanjës, me një marrëveshje kornizë për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me Gjibraltarin dhe me Campo de Gibraltar, me të cilat hiqen disa kufizime të imponuara nga Spanja. Gjatë muajit maj të vitit 2009, u shtua numri i shkeljeve të ujërave territoriale të Gjibraltarit nga anijet spanjolle. Pas kësaj, pasojnë protestat diplomatike të qeverisë britanike.

*   *   *

Vendet me “konflikte të ngrira”:

– Armenia dhe Azerbajxhani rreth Nagorno-Karabahut, i ngrirë që prej vitit 1994;

– Konflikti ndërmjet forcave ushtarake dhe paraushtarake në Moldavi rreth Pridnjestrolit, i ngrirë që nga viti 1992;

– Konflikti në Gjeorgji rreth Osetisë Jugore dhe Abhazisë, i ngrirë që nga viti 2008;

– Konflikti i Qipros ndërmjet Qipros Veriore dhe Turqisë, i ngrirë në vitin 1974;

– Lufta në Ukrainën lindore, që nga viti 2014, edhe pse kohë pas kohe zhvilloheshin konflikte të armatosura. Po të mos ishte agresioni rus në Ukrainë, konfliktet atje do të mund të rezultonin me krijimin e konfliktit të ngrirë. Aktualisht, në atë pjesë të Ukrainës, midis forcave pushtuese ruse dhe ushtrisë ukrainase, zhvillohen luftime të përgjakshme.

Kjo mënyrë e zgjidhjes së konflikteve është “burim i problemeve ekzistenciale për shtetet e vogla , të përfshira në to”.

Konfliktet e ngrira nuk janë opsion i mirë politik për arsye se:

– konfliktet e ngrira gjithmonë paraqesin kërcënim që të shndërrohen në luftë të hapur;

– ato janë burim i konfliktit të ditëpërditshëm, me intensitet të ulët;

– gjithmonë krijojnë mundësinë e ndërhyrjes së fuqive të mëdha dhe të përplasjeve të tyre të ndërsjella, në kurriz dhe në dëm të atyre, për fatin e të cilëve vendosin;

– e vështirësojnë zhvillimin ekonomik;

– ekzistimi i konfliktit të ngrirë nxit mobilizimin etno-nacional të vazhdueshëm;

– nuk u kontribuon përpjekjeve për ndërtimin dhe për zhvillimin e shtetit ligjor, por krijojnë kushte plotësuese dhe terren të përshtatshëm për korrupsion dhe klientelizëm;

– konfliktet e ngrira u pengojnë shteteve në territoret e të cilave figurojnë, që të integrohen në BE.

*   *   *

BE-ja dhe dialogu i ngrirë nuk janë kompatibilë (të pajtueshëm) – Ka të tillë në Serbi që propozojnë “ngrirjen e konfliktit në Kosovë, në mënyrë që një ditë, kur të ndryshojnë rrethanat në botë, të gjendet zgjidhje në dobi të Serbisë”.

Një politikë e këtillë e konfliktit të ngrirë do ta çonte Serbinë në një rrugë gjeopolitike të gabuar. Me ngrirjen e konfliktit, Serbia në të ardhmen do të parapaguhej për luftëra të reja, me shumë të panjohura dhe si pasojë do të humbte çdo mundësi për t’u bërë një demokraci funksionale, juridikisht të rregulluar dhe ekonomikisht të zhvilluar.

Serbia synon anëtarësimin në BE. Konflikti i ngrirë nënkupton ngrirjen e kandidaturës së Serbisë për t’u bërë anëtare e BE-së. Ai që mbështet idenë e ngrirjes së konfliktit, duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për ngrirjen e integrimeve evropiane. Në Serbi ka që thonë: “Po qe se politika e ngrirjes së konfliktit e ka mbështetjen e qytetarëve, atëherë kjo do të ishte një  politikë legjitime , por problemi i Kosovës mbetet”.

Shembuj pozitivë të konflikteve të ngrira – nuk ka. Vetë termi nënkupton në të vërtetë “paqe negative” , d.m.th. mungesë armiqësie, por jo edhe zgjidhje problemi. Në situata të konflikteve të ngrira, shpeshherë mungojnë mekanizmat e paralajmërimit. Ç’duhet bërë po qe se konflikti shpërthen përsëri, kurse rreziku për një të tillë, gjithmonë është i pranishëm.

Sipas hulumtuesve të Institutit të Lajbnicit për Studime të Evropës Lindore dhe Juglindore, Serbia, duke marrë pjesë në dialogun e Brukselit, ka hequr dorë nga konflikti i ngrirë.

Hulumtuesit e Institutit të Lajbnicit, Grupi për konflikte të ngrira dhe të pangrira, thonë: “Momenti i vetëm në të cilin Serbia ka mundur të arrijë konflikt të ngrirë në Kosovë, ka qenë ai pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Ka mundur të thotë: Nuk dëshirojmë dialog dhe dërgojmë ushtrinë në kufi. Këtë e ka bërë Azerbajxhani me ushtrinë e vet. Duke qenë se Serbia është përcaktuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe për dialogun në Bruksel, ajo  ka pamundësuar që konflikti të stopohet, përkatësisht të ngrijë”.

Ekzistojnë disa parametra të rëndësishëm që e mundësojnë lindjen e konfliktit të ngrirë, si opsion politik.

Shtetet të cilët sot janë të përfshirë në konflikt të ngrirë, në terren janë të pavarura, por nuk njihen nga organizatat ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara, Fondi Monetar Ndërkombëtar, FIFA, Banka Botërore, etj.

Rasti i Kosovës është krejt tjetër. Ajo është njohur nga 117 vende të botës dhe pothuajse nga të gjitha shtetet, anëtare të BE-së. Është anëtare e shumë organizatave. Për dallim nga vendet e tjera me konflikte të ngrira, në Kosovë është e pranishme edhe bashkësia ndërkombëtare. Përveç kësaj, në Kosovë nuk kemi as konflikt të armatosur, që është edhe një kusht. Për këtë arsye, raporti midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të trajtohet si konflikt i ngrirë.

*   *   *

Sipas qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes, Uashingtonit dhe Brukselit, rasti i Kosovës është i veçantë në botë. Këtë e thonë Uashingtoni, Londra, Parisi dhe Berlini. ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Midis Kosovës, në një anë dhe territoreve që i ka pushtuar Rusia në Moldavi, në Gjeorgji dhe në Ukrainë, në anën tjetër, nuk mund të bëhet kurrfarë krahasimi. Midis Kosovës, në një anë dhe Pridnjestrolit të Moldavisë, Osetisë Jugore e Abhazisë – të Gjeorgjisë, të pushtuara nga Rusia, Krimesë së Ukrainës, të pushtuar nga Rusia, Donbasit apo Luganskut dhe Donjeckut, të Ukrainës, të pushtuar nga Rusia, në anën tjetër, nuk ka asgjë të përbashkët. Krahasimet dhe arsyetimet e kryetarit të Rusisë, Vladimir Putinit, janë kryekëput të pabaza.

Kosova është subjekt historik. Ajo lufton për liri që nga viti i pushtimit serb, më 1912. Pas Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht me Kushtetutën e RSFJ-së, të vitit 1974, ka qenë pjesë konstitutive e federatës jugosllave. Me shpërbërjen e kësaj federate, Kosova është shkëputur prej saj, njësoj si pjesët e tjera federative.

E mbështetur nga Moska, Serbia i bën obstruksione dialogut të Brukselit. E zvarrit atë deri në pafundësi. S’ka kompromis për Kosovën. Kompromis është pakoja e Ahtisarit. Kosova sa më parë duhet të pranohet në NATO dhe në BE. Serbisë, e cila refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe e cila në rastin e invadimit rus në Ukrainë, është rreshtuar në anën e Rusisë, përgjithmonë duhet t’i ndalohet anëtarësimi në Union. Vendet e Perëndimit duhet ta privojnë Serbinë prej investimeve të tyre. Kompanitë e tyre duhet t’i vendosin në Kosovë dhe në Shqipëri.

*   *   *

Qendrat proruse të BE-së duhet ta dinë se politika evropiane s’bëhet dot duke e anashkaluar ShBA-në. Ndryshe, të vjen lufta te pragu i derës. Qendrat filoserbe të BE-së, duke e lënë Kosovën në margjinat e agjendës së tyre, e çonin atë drejt një konflikti të ngrirë. I mbështetur nga Putini dhe i përkëdhelur nga qendrat filoserbe të BE-së, Vuçiqi manifestonte arrogancë, megalomani dhe mendjemadhësi. Stabilpolitick e Angela Merkelit u pa në Ukrainë. Arkitektët e ostpolitikës gjermane kishin parasysh kryesisht interesin ekonomik të Gjermanisë. Por, BE-ja dhe NATO-ja janë më shumë se kaq. Integrimi i Ballkanit Perëndimor s’bëhet dot, duke i lënë hapësirë Putinit që të penetrohet në rajon. Agresioni rus në Ukrainë i dha fund politikës lindore të Berlinit.

*   *   *

Kancelari gjerman Olaf Sholc (Olaf Scholz, 1958-), gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 10 qershor 2022, tha se dialogu është e vetmja rrugë. Ai e ftoi Serbinë dhe Kosovën që sa më parë të lidhin marrëveshje për njohje të ndërsjellë dhe t’u japin fund tensioneve shumëvjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok