Bashkëbisedim me Elda Gashin kryetare e shoqatës “Studentet Shqiptarë në Gjenevë”
TRI ZËRA STUDENTORË NGA GJENEVA: ANGAZHIM, IDENTITET DHE KUJTESË HISTORIKE
Nga Nexhmije Mehmetaj
Në mbrëmjen e organizuar për ekspozitën “Sanxhaku – Histori e dhimbjes kombëtare”, tri studente shqiptare nga Gjeneva sollën një frymë të re angazhimi dhe ndërgjegjësimi kulturor në komunitetin shqiptar në Zvicër. Të bashkuara në shoqatën “Studentet Shqiptarë në Gjenevë”, ato përfaqësojnë një brez që e njeh dhe e rikthen historinë në vëmendje për forcimin e identitetit dhe solidaritetit kombëtar.
Në bashkëpunim me shoqatat “Komunitetin Shqiptar në Gjenevë” dhe “Kosova për Sanxhakun”, Elda Gashi, Fatjeta Ramadani dhe Elsa Ramiqi dëshmuan se studentët shqiptarë në diasporë janë aktorë aktivë kulturorë e shoqërorë. Angazhimi i tyre tregoi pjekuri, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj kujtesës historike.
Në vijim, sjellim intervistat që zhvilluam me këto studente, të cilat ndajnë përjetimet dhe reflektimet e tyre mbi ekspozitën dhe rolin e tyre në komunitet.
Bashkëbisedim me Elda Gashin kryetare e shoqatës “Studentet Shqiptarë në Gjenevë”
NM: Ju lutem prezantoheni!
EG: Unë quhem Elda Gashi, jam me origjinë nga Prishtina në Kosovë. Kam lindur në Gjenevë, Zvicër, ku aktualisht po ndjek studimet e mia. Jam në vitin e fundit të studimit Bachelor-it në Shkencat e Edukimit dhe për master jam e interesuar të vazhdoj studimet në Fakultetin e Teknologjisë dhe Informatikës në Edukim, si dhe në Kriminologji.
NM : Elda, mbrëmë patët një bashkë-organizim të rëndësishëm me “Komunitetin Shqiptar” dhe “Kosova për Sanxhakun”. Si lindi ideja për t’u bërë pjesë e këtij aktiviteti?
EG: Shoqata jonë studentore bashkëpunon shpesh me shoqatën “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”, qoftë për organizimin e festave të pavarësisë, qoftë për konferenca të rëndësishme. Kishim diskutuar prej kohësh me ta për të organizuar këtë konferencë, pasi e konsideronim temën shumë të rëndësishme dhe interesante.
NM : Çfarë domethënie ka për ju personalisht përfshirja e shoqatës “Studentet shqiptar në Gjenevë” në një ekspozitë historike dhe kombëtare të kësaj natyre?
EG: Për mua personalisht, përfshirja e shoqatës “Studentet shqiptarë në Gjenevë” në një ekspozitë të tillë ka domethënie të veçantë, sepse dëshmon se brezi i ri shqiptar në diasporë është i vetëdijshëm për historinë dhe përgjegjësinë kombëtare. Është një mënyrë për të ruajtur kujtesën kolektive, për të forcuar identitetin dhe për ta kthyer angazhimin studentor në veprim kulturor me vlerë shoqërore.
NM : Pse mendoni se është e rëndësishme që studentët të marrin pjesë aktive në evente që lidhen me ruajtjen e kujtesës dhe identitetit shqiptar
EG: Është po ashtu e rëndësishme që studentët të marrin pjesë në aktivitete të tilla, sepse ne jemi brezi i ri dhe kemi nevojë të informohemi për këto çështje, në mënyrë që më pas t’i transmetojmë brezave të ardhshëm. Për më tepër, njohuritë tona mbi këtë temë ishin të kufizuara, prandaj pjesëmarrja në këtë konferencë ishte shumë e dobishme.
NM: Si u prit aktiviteti nga studentët e shoqatës ?
EG: Aktiviteti u prit shumë pozitivisht nga studentët e shoqatës. Ata treguan interes të madh, angazhim dhe ndjeshmëri ndaj temës, duke e përjetuar ekspozitën jo vetëm si ngjarje kulturore, por edhe si një moment reflektimi dhe ndërgjegjësimi për historinë dhe identitetin kombëtar.
NM: Cilat sfida keni hasur në organizimin e këtij eventi dhe si i keni menaxhuar në kuadër të ekipit tuaj studentor?
EG: Sfida kryesore lidhej me koordinimin e kohës, përgjegjësive dhe burimeve, duke qenë se të gjithë jemi studentë me angazhime akademike. Përmes bashkëpunimit të ngushtë, komunikimit të vazhdueshëm dhe ndarjes së qartë të detyrave brenda ekipit, arritëm t’i menaxhojmë me sukses këto sfida dhe ta realizojmë aktivitetin në frymë bashkëpunimi e përkushtimi.
NM : Cili ishte momenti më i veçantë për ju gjatë mbrëmjes së ekspozitës?
EG: Momenti që më la përshtypje më të madhe ishte kur profesori na tregoi videon e një gruaje shqiptare që shpjegonte se ishte detyruar t’u fliste fëmijëve të saj në bëshnjakeshit në vend të shqipes, në mënyrë që ata të mund të integroheshin më mirë në shoqëri.
NM: Sa i rëndësishëm është bashkëpunimi ndër shoqatash dhe çfarë mund të sjellë ky model për komunitetin shqiptar në Gjenevë?
EG: Bashkëpunimi ndër shoqatash është shumë i rëndësishëm, sepse forcon unitetin, rrit ndikimin e aktiviteteve dhe krijon ura besimi brenda komunitetit. Ky model sjell më shumë organizim, përfshirje dhe qëndrueshmëri, duke e bërë komunitetin shqiptar në Gjenevë më aktiv, më të bashkuar dhe më të dukshëm në jetën kulturore e shoqërore.
NM : Cilat janë projektet e afërta të shoqatës që drejtoni dhe a mendoni të vazhdoni me aktivitete që sjellin në fokus historia dhe kultura shqiptare?
EG ; Aktualisht jemi duke diskutuar disa projekte, të cilat synojmë t’i finalizojmë para se t’i bëjmë publike në rrjetet tona sociale. Ndër to përfshihet organizimi i një feste me rastin e Pavarësisë së Kosovës, si dhe prezantimi i një eventi me karakter historik dhe kulturor.
NM: Çfarë mesazhi do t’u jepnit studentëve shqiptarë pas këtij aktiviteti që sjell në vëmendje një pjesë të dhimbshme, por të rëndësishme të historisë sonë kombëtare?
EG : Mesazhi im për studentët shqiptarë është që ta njohin dhe ta ruajnë historinë tonë, edhe atëherë kur ajo është e dhimbshme, sepse vetëm përmes kujtesës ndërtohet identiteti dhe forcohet vetëdija kombëtare. Angazhimi, solidariteti dhe pjesëmarrja aktive në aktivitete kulturore e historike janë mënyra më e mirë për ta mbajtur gjallë trashëgiminë tonë dhe për ta përcjellë atë me dinjitet te brezat që vijnë.
