Ballafaqimi i shqipes me gjuhën e globalizimit, anglishten

0

Nga Prof. Blerim Latifi

Gjatë historisë gjuhës shqipe i ka rënë fati të ballafaqohet me gjuhë të ndryshme, që kryesisht ishin gjuhë të fuqive dominuese të kohës. Krejt në fillim ishte ballafaqimi me latinishten romake. Një pjesë e konsiderueshme e leksikut të sotëm të shqipes na vjen nga ajo kohë.

Pastaj erdhën shekujt e dominimit bizantin. Edhe ata lanë gjurmët leksikore në gjuhën shqipe. E kur Bizanti humbi kontrollin mbi Ballkanin, fuqitë jetëshkurtëra bullgare e serbe bënë të njëjtën gjë.

Po ashtu edhe sundimi i gjatë osman që erdhi pas tyre. Por, përkundër kësaj historie të gjatë të hegjemonive që zëvendësonin njëra-tjetrën, shqipja mbijetoi.

Ku qëndron shkaku?

Gjuhëtarët thonë se një gjuhë përbëhet nga tre përbërës kryesorë: sintaksa, fonologjia dhe leksiku. Derisa dy të parët përbëjnë armaturën e gjuhës, i treti përbën llustrën e saj. Kjo do të thotë se leksiku vazhdimisht është nën presionin e ndryshimeve që vijnë nga gjuhët dominuese. Por kjo nuk e rrezikon ekzistencën e një gjuhe. Rreziku shfaqet atëherë fonologjia e një gjuhe fillon e shkrihet në fonologjinë e një gjuhe tjetër, ndërsa kur sintaksa e saj filllon të çrregullohet e të mosfunksionojë, atëherë gjuha hyn në procesin e vdekjes klinike.

Shqipja nuk e ka pasur këtë fat sepse ndikimi i gjuhëve të tjera nuk ka shkuar përtej rrafshit të leksikut, duke i lënë pothuajse të paprekura dy rrafshet kryesore, sintaksën dhe fonologjinë.

Sot ne po jetojmë në një ballafaqim tjetër gjuhësor të shqipes: ballafaqimin me gjuhën e globalizimit, anglishten. Si rezultat i kësaj, tek gjeneratat e reja të shqiptarëve, ka marrë jetë një variant i të folurit që mund të quhet “anglo-shqipe”. Dy vajzat, të cilat dy ditë më parë u bënë temë diskutimi në rrjetet sociale për faktin se shpreheshin në një të folur gjysmëshqip e gjysmëanglisht, paraqesin vetëm dy shembuj tregues të këtij zhvillimi të ri në ekzistencën e gjuhës shqipe.

A do t’ia bëjë anglishtja gjuhës shqipe atë që nuk ia bënë dot latinishtja romake, greqishtja bizantine dhe turqishtja osmane, pra prishjen e sintaksës- kjo nuk mund të thuhet tash për tash. I mbetet të ardhmes ta tregojë përgjigjen. Sigurisht një pjesë e saj varet nga mënyra se si vetë shqiptarët do të sillen me gjuhën e tyre.

______________

Libri “Paris 1919- Gjashtë muaj që ndryshuan botën” i historianes Margaret Macmillan përbën një ndër librat më të mirë që janë shkruar mbi negociatat në Konferencën e Versajës, e cila vendosi rendin e paqes ndërkombëtare pas Luftës së Parë Botërore.

Në atë konferencë, përveç vendosjes së kufijve të rinj mes shteteve, fuqitë e mëdha që e kishin fituar luftën përcaktonin edhe nivelin e lejuar të forcave ushtarake të shteteve të tjera.

Siç tregon Macmillan kur erdhi puna tek Serbia çështja që u shtrua ishte nëse i duhej lejuar Serbisë të kishte në dispozicion një flotë ushtarako-detare. Presidenti amerikan Woodrow Wilson u shpreh kundër me fjalët : “DO TË BËHEJ NJË KOMB I HARBUAR, MEQË EDHE KËSHTU ATA JANË POPULL TURBULLUES, DHE NUK DUHET TË KENË NJË FLOTË QË TË LUAJNË MENDËSH”.

Ndoshta kjo është analiza më e saktë që dikush ndonjëherë ka mundur të japë për shtetin serb. Ajo edhe sot është e vlefshme, ndonëse kanë kaluar 104 vjet prej ditës kur presidenti Wilson e dha atë.

Fatkeqësia është se njerëzit e liderët e tyre i injorojnë mësimet e vlefshme nga e kaluara dhe për pasojë vazhdimisht i përsëritin gabimet e saj. Siç thotë Hegeli të vetmin mësim që e marrim nga historia është se nuk mësojmë prej saj.

______________

Në vitin 1940, me ta pushtuar Parisin, nazistët kishin filluar regjistrimin e popullatës hebreje, të cilën planifikonin ta dërgonin në kampet e Holokaustit. Të tmerruar hebrenjtë përpiqeshin me lloj-lloj mënyrash të fshihnin identitetin e tyre, dikush duke korruptuar zyrtarët nazistë, dikush duke u konvertuar në të krishterë, dikush duke falsifikuar dokumentet e identifikimit.

Një ditë në stacionin e policisë ku bëhej regjistrimi i detyrueshëm, u paraqit një plak me shëndet të rrënuar. Mezi ecte dhe mbushej frymë. Zyrtari i ofroi formularin e identitetit. Me duart që i dridheshin nga pleqëria, plaku shkroi në të: Henri Bergson. Akademik. Filozof. Fitues i Çmimit Nobel.HEBRE. Fjalën e fundit e shkroi me shkronja të mëdha që ta lexonin më mirë. Zyrtari mbeti i habitur nga guximi i plakut, guxim që nuk e kishte hasur gjatë kohës që po bënte atë detyrë.

Pak muaj më vonë, në një ditë të ftohtë janari, filozofi i madh do të shembej për tokë derisa po priste në rradhë për të marrë bukë në furrë. Ishte 82 vjeçar. Në shkrimet e të tij të hershme rinore kishte shkruar një fjali të cilës do t’i qëndronte besnik deri në fund të jetës: filozofia dhe guximi për të vërtetën janë e njëjta gjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok