22/12/2024

BAJRAM BAHTIRI- JETA PA LUFTË, PA PËRPJEKJE PËR T’U ÇLIRUAR DHE PA RREZIQE, PËRDERISA POPULLI SHQIPTAR ISHTE I ROBËRUAR NUK KISHTE KUPTIM

0
Bajram-Bahtiri

(1961 – 1984)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Në vitin 1945, nuk ishte hera e parë që shqiptarëve iu mohua një e drejtë e ligjshme e tyre, por ky do të ishte mashtrimi më i madh që komunistët jugosllavë u bënë shqiptarëve. Prandaj rezistenca ishte fati ynë historik. Deri vonë historiografia shqiptare nuk u mor me këto ngjarje, jo vetëm se okupuesi u kujdes që t’i shpallte tema tabu, siç e patën shpallur gjithë rezistencën shqiptare kundër robërisë, por edhe ngaqë ende nuk ishte mbyllur fleta e fundit e kësaj historie, e cila vazhdoi të rridhte gjithnjë e më bujshëm në vitet e mëvonshme në të gjitha viset etnike shqiptare.

Aneksimi i Kosovës në Serbinë Federale shënon manovrimin sllavo-nacionalist dhe fillimin e një tragjedie të re për shqiptarët këndej kufirit. Shqiptarët e Kosovës përkundër sakrificave të mëdha në luftën antifashiste nuk përfituan nga rasti në përmbushjen e ëndrrës së tyre të çlirimit kombëtar dhe të bashkimit me Shqipërinë. Ata pas legalizimit të ri okupimit në Kuvendin e Prizrenit (1945), u detyruan të ndiqnin një politikë më të zakonshme dhe të pranuar përgjithësisht, por lufta për çlirim dhe për të ardhmen e tyre kombëtare nuk pushoi, natyrisht me forma të reja e me emra tjerë të imponuar nga situata e krijuar. Populli i Kosovës kur hetoi tradhtinë, filloi të shprehte pakënaqësinë e vet në forma të ndryshme të veprimit. Ato forca dhe ata  patriotë që kishin luftuar gjatë gjithë kohës për një Shqipëri etnike, pas kësaj që ndodhi, vendosën që në mënyrë të organizuar, por edhe ilegalisht të luftojnë dhe të veprojnë për bashkimin e tokave shqiptare. Për këtë, ishte e natyrshme që të bëhej një organizim i tillë, pasi ku ka okupim dhe robëri, lind  rezistenca dhe qëndresa e popullsisë.

Edhe më vonë duke kaluar nëpër vite, kohën e informbyros, kohën e Rankoviqit, aksionin i mbledhjes së pushkëve e shpërnguljet e shqiptarëve me dhunë për Turqi e edhe shumë e shumë etapa të errëta të historisë sonë,  shqiptarët kaluan dhe kalonin etapën më të errët, dhe një kalvar të vërtet. Edhe pse Kosova ishte e pushtuar, ajo trajtohej vazhdimisht si zonë e rrezikshme dhe e pasigurt për shkak se banohej nga një popullsi jo sllave, e shtypur dhe e diskriminuar shqiptare, prandaj dhe ekzistonte frika tek okupuesit. Me këtë gjendje të imponuar, ku “liria” dhe “barazia” e popullit shqiptar ishin shndërruar në robëri nga një pakicë kombëtare – serbët dhe malazezët, kuptohet që populli liridashës nuk ishte i kënaqur. Meqë shqiptarët e Kosovës përgjatë gjithë kufirit me shtetin amë, edhe zyrtarisht ishin shpallur si element i pabesueshëm, për këtë arsye ndiqeshin, burgoseshin, torturoheshin, detyroheshin të shpërnguleshin, madje edhe vriteshin dhe askush nuk merrej në përgjegjësi. Gati një shekull, rezistenca e lëvizjes ilegale në territorin etnik shqiptar e mbajti të ndezur flakën e lirisë dhe të bashkimit kombëtar. Në të gjitha periudhat e këtij okupimi lëvizja për çlirim e bashkim kombëtar i është kundërvënë kësaj politike antishqiptare. Këtë rezistencë, të avancuar deri në luftë të suksesshme çlirimtare, e bënë dhe e udhëhoqën personalitete të shquara kombëtare, të përparuara politikisht, luftëtarët më të guximshëm të popullit shqiptar në territoret e pushtuara etnike. Ata bënë një luftë dhe një rezistencë me forca dhe mundësi shumë më të vogla se sa armiku. Dhe ky armik e ndoqi pamëshirshëm këtë lëvizje ilegale patriotike. Anëtarët e saj i burgosi, i torturoi dhe i dënoi me burgje të gjata e të rënda, i likuidoi, herë hapur, herë tinëzisht dhe herë-herë edhe i pushkatoi. Pavarësisht nga përdorimi i të gjitha mjeteve, Beogradi kurrë nuk arriti ta shuaj dhe ta asgjësojë këtë lëvizje. Lëvizja ilegale patriotike, me largpamësinë e vet, me qëndrueshmërinë e vet po sidomos me vetëdijen e paluhatshme për nevojën e vetëflijimit për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare, arriti të triumfojë ndaj shtetit dhe politikës jugosllave.

Në këto kushte dhe në këtë klimë politike u lind e u rrit atdhetari e trimi Bajram Bahtiri. Bajram Bahtiri u lind me 4 mars 1961, ne Prishtinë, nga babai Hajrush dhe nëna Naile. Familja Bahtiri kishte  10 fëmije, ndërsa Bajrami ishte fëmija i shtatë sipas radhës. Ai kishte tre vëllezër dhe gjashtë motra. Prindërit e Bajramit ishin familje e mirë dhe e ndershme, . Ishin atdhetar të cilët shumë rëndë e përjetonin peshën e robërisë. Andaj të gjithë fëmijët i kishin edukuar me taban kombëtar. E tërë familja shërbente si model e shembull i mirë. Bajrami dallohej nga fëmijët e tjerë me guximin dhe krenarin që kishte në vete. Ishte i zgjuar dhe me fillimin e mësimit në klasën e parë e në vazhdim u dallua me sukses të shkëlqyeshëm. Iu ndihmonte shokëve dhe shoqërohej me ta. Në Prishtinë e kreu shkollën fillore e më vonë u regjistrua në shkollën e mesme ekonomike, të cilat i kreu me afat dhe u dallua për notat e mira që i kishte.

Ai ishte shumë i çiltër dhe kishte dhuntinë që të bisedonte me shokë dhe ti dëgjonte gjatë të tjerët. Fjalët i peshonte mirë e ishte serioz. Prezenca e tij në takime ilegale kishte rendësin e vet. Shokët e dëgjonin dhe këshilloheshin me të. Me urtësi i  këshillonte të tjerët dhe shokët kishin besim tek ai. Kryesisht shoqërohej me shok që kishin të njëjtin ideal siç ishte edhe ai. Bisedonte me shok për situatën politike në vend, dhe vazhdimisht e brente dëshira që një ditë Kosova të jetë e lirë dhe populli i saj të jetë i barabartë me të tjerët.

Bajrami gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë ilegale kishte gjetë përkrahjen e vëllezërve e motrave më të mëdhenj se ai. Dhe, mu këtu, nga vëllai Rrahmani kishte njohuri se po vepronte organizata ilegale patriotike shqiptare Fronti Nacional Çlirimtar i Kosovës. Menjëherë ai u imponua dhe i ndihmonte vëllait në shkrimin dhe shpërndarjen e parullave. Lexonte literaturë ilegale që i sillte vëllai dhe ishte i pandashëm në çdo aksion që ndërmerrte grupi. Pas zbulimit dhe arrestimit të grupit prej 20 vetave të cilën e udhëhiqte Sejdi Veseli, edhe Bajrami arrestohet me grupin. Më 31 mars dhe më tej situata  politike në Prishtinë ishte e nderë. Bojkotimi i mësimit në fakultete vazhdonte. Një numër i madh i studentëve dalëngadalë kishin filluar të manifestonin pakënaqësinë e tyre. Gjithashtu nuk mungonin edhe nxënësit e shkollave të mesme që vepronin në qytet. Sipas informatës së Kryesisë së KK të LKK-së, më 31 mars mësimi u bojkotua në të gjitha fakultetet e Prishtinës. Në mësime mungoi edhe kuadri arsimor të cilët ishin urdhëruar që nga ora 7.00 e mëngjesit e deri në ora 19 në mbrëmje, të ishin në fakultete.

Gjatë kohës sa zgjatën demonstratat në Komitetin Krahinor të LKK-së po ashtu edhe në Komitetin Komunal të LK-së të Prishtinës çdo ditë mbaheshin mbledhje,  ndodhte të mbaheshin edhe nga dy a tri takime. Më 31 mars 1981, Komiteti Komunal dhe Komiteti i Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe Vetëmbrojtjes Shoqërore, në marrëveshje me organet e mbrojtjes territoriale, urdhëruan që të forcohet sigurimi i objekteve. U organizuan mbi dhjetë grupe me nga 30 aktivistë në punkte të ndryshme në qytet. Këto grupe ishin të mobilizuara gjatë gjithë kohës. Ndryshe, nga më parë,  pas 26 marsit,  ishin organizuar kujdestari dhe ishte urdhëruar aktivizimi i Komitetit të mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe të vetëmbrojtjes shoqërore dhe azhurnimi i planeve të tyre për situatat e krizave në të gjithë Kosovën.

Më 1 prill 1981, në orën 12.30 minuta në Prishtinë shpërthyen demonstratat më masive deri më atëherë. Një grup nxënësish të shkollës së mesme ekonomike në mesin e të cilëve printe Bajram Bahtiri dhe të shkollës bujqësore, por edhe studentësh u nisën nga oborri i shkollës në drejtim të qytetit, duke thirrur parullën “Republikë”. Për ta penguar hyrjen e grupit në qytet, forcat e Sigurimit e kishin bllokuar dhe i ndanë demonstruesit në shumë grupe të vogla. Duke u shpërndarë demonstruesit, kërkuan që atyre t’iu bashkohen edhe punëtorët. Bajrami gjatë tërë kohës bënte thirrje që t’iu bashkoheshin edhe punëtorët e ndërtimtarisë, të cilët punonin në objektet e lagjes “Dardania”, çka bëri që demonstruesit u shtuan dukshëm në numër. Grupi i punëtorëve vazhdoi në drejtim të Konvikteve të studentëve, kur arritën afër  mensës, ata filluan të thërrasin “Studentë”… “Studentë”. Punëtorët vazhduan marshimin e tyre në rrugën “Ramiz Sadiku” në drejtim të fakulteteve dhe të qendrës së qytetit. Në ecje e sipër atyre iu bashkuan me mijëra studentë, qytetarë e nxënës, kështu që deri në orën 15, grupi numëronte mbi 5000 veta. Në udhëkryqin mes Fakultetit Teknik dhe atij Juridik, demonstruesve iu bashkëngjitën  punëtorët e ndërmarrjeve ndërtimore, të Fabrikës së Amortizatorëve dhe të Kombinatit të Obiliqit. Disa prej tyre ishin edhe të armatosur me shkopinj gome, shufra hekuri, me helmeta të punëtorëve dhe me sende të tjera për t’u mbrojtur.

Po atë ditë, disa qindra punëtorë të Mihjes sipërfaqësore të Bellaqevcit, u tubuan para drejtorisë dhe  kërkuan që të bisedohet me udhëheqësit më të lartë krahinorë. Kuadrot përgjegjëse të Krahinës kishin biseduar me ta afro 1 orë. Gjatë bisedave me udhëheqësit krahinorë, edhe punëtorët e Bellaqevcit përkrahën demonstratat studentore dhe shprehën pakënaqësinë e tyre për ndërhyrjen e policisë ndaj studentëve. Pra takimi i funksionarëve partiakë me punëtorët kishte dështuar. Pas orës 16 demonstratat në qytet u bënë më të fuqishme, ndërsa presioni ndaj forcave të Sigurimit shtohej. Policia kishte marrë urdhër nga lart që të ndërhynte, gazi lotsjellës me një shpejtësi të paparë u hodh ndaj demonstruesve. Turma nuk shpërndahej. Ata vazhduan marshimin deri te ndërtesa e Këshillit Ekzekutiv, e pastaj u drejtuan para ndërtesës së KK të LKK-së. Rinia studentore e shkollore nuk ndalej dot. Pa ndërprerë dëgjoheshin parullat. Për herë të parë u dëgjua parulla “Rroftë Adem Demaçi” (irredentist i njohur e i përbetuar, i cili gjendej në burg si i dënuar), kurse para KK u shkrua parulla “Rroftë Adem Demaçi”, “Duam Republikë”, “Kosova Republikë”, “Të lirohen shokët” etj.

Numri i demonstruesve ishte shumë më i madh se sa ai të cilën e prezantojnë organet krahinore. Ata thonë se në këtë demonstratë kishin marrë pjesë 3000 demonstrues, por numri duhet të ketë qenë trefish më i madh. Në këtë demonstratë gjithashtu përsëri zyrtarisht përgjysmohet numri i të lënduarve duke dhënë këto shifra: u lënduan 17  punëtorë të policisë, nga ata dy ishin të lënduar rëndë dhe 15 demonstrues, nga ata tre ishin lënduar rëndë. Asnjëri nuk ishte i lënduar nga armët e zjarrit.

Në të gjitha demonstratat që u organizuan në Prishtinë, i riu Bajram Bahtiri ishte i pari dhe pjesëmarrës i tyre, bashkë me vëllezërit e motrat. Edhe pse ishte përdorur dhunë e paparë ndaj demonstruesve nxënësit e studentët i vazhduan ato edhe ditën e nesërme më 2 prill 1981. Në orët e hershme të mëngjesit (ora 6.00), një turmë e madhe e punëtorëve të KNI ‘Ramiz Sadiku” ishin tubuar para stacionit  të autobusëve, e më vonë këtyre iu bashkuan edhe punëtorët e Organizatës Punonjëse Ndërtimore “Kosova” të Vushtrrisë, që pastaj marshuan në drejtim të qytetit. Policia kishte marrë masa me kohë. Urdhëratë nga lart nuk mungonin, punëtorëve iu dolën përpara. Turma nuk u ndal. Pastaj policët përdorën gazin lotsjellës dhe në lagjen “Dardania” arriti që t’i shpërndante. Edhe pse u shpërndanë në grupe të vogla, pas një kohe filluan të bashkohen duke iu bashkangjitur edhe punëtorët e “Voçarit”, të PUT-it, të Fabrikës së Tullave e të tjegullave, nxënësit e qendrës së arsimit të orientuar “Xhevdet Doda”. Aty  dolën në demonstrata edhe nxënësit e Qendrës Teknike “19 Nëntori” dhe  dihej vendqëndrimi, që ishte qendra e qytetit. Po atë ditë, duke parë se demonstruesit ishin në avantazh, organet shtetërore me në krye, Komitetin e Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe i Vetëmbrojtjes Shoqërore të KSA të Kosovës nxorën tanket në rrugët e Prishtinës për të trembur demonstruesit.

Pas përhapjes së lajmit se në rrugët e Prishtinës kishin dalë tanket, drejt qytetit ia mësyn nga çdo anë qytetarët e Kosovës.  Rreth orës 11 një grup qytetarësh afër fshatit Devet Jugoviq, sulmuan forcat e Sigurimit. Po ashtu një grup tjetër qytetarësh ishte nisur nga Obiliqi për në Prishtinë duke u përleshur me forcat policore.

Po ashtu edhe në qytet rreth orës 1500-1600 një grup i madh demonstruesish ishte ndalur para gjykatës së Qarkut në Prishtinë.  Ato ishin kryesisht punëtorë të Fabrikës së tullave e tjegullave me të cilët u bashkuan edhe demonstruesit që vinin nga Podujeva. Ky grup ishte shumë aktiv dhe me këmbëngulje kërkonte që të thyhet bllokada dhe të kalonin para ndërtesës së Këshillit Ekzekutiv, ku kishin depërtuar shumë demonstrues. Sipas të dhënave zyrtare, thuhej se me ndihmën e forcave policore në orën 2000 e mbrëmjes demonstruesit u shpërndanë.

Gjatë gjithë kohës sa zgjatën demonstratat në qytet hetuesit e organeve ndjekëse filmonin dhe fotografonin demonstruesit. Askush nga të rinjtë nuk lodhej për fotografit që bënin ata. Por, pas përfundimit të demonstratave, hetuesit filluan gjahun ndaj pjesëmarrësve. Në bazë të fotove i kërkonin, i identifikonin dhe i arrestoni, duke i dënuar me shumë vite burgu. Kështu kishte ndodhur edhe me  Bajram Bahtirin, të cilit nëpër mes të fotove i bien në gjurmë ngase fotoja e tij dukej kudo në aksione e demonstruesve. Duke e ditur se po e kërkonin, Bajrami kalon në ilegalitet për ti ikur arrestimit të sigurt. Pas një kohe e zbulojnë se ku fshihej, e arrestojnë dhe gjykata komunale e Prishtinës e dënon me 60 ditë burg. Dënimin e kishte mbajtur në Ferizaj e Smrekovnicë. Torturat dhe maltretimet që i bënin Bajramit gjatë kësaj kohe kishin vetëm një qëllim ngase hetuesit nga ai kërkonin që të pendohej dhe të tregonte shokët. Dhe mu kjo ishte ajo, që Bajramin e bënte më të fortë dhe më të rezistueshëm. Nuk pendohej jo se jo… por hetuesve iu thoshte hapur se po qese nuk plotësohen kërkesat e tyre, po qese nuk shpallej Kosova- Republikë, përsëri do na keni në rrugë.

Në burg u takua me shumë djem të rinj, moshatar të tij të cilët kishin lidhur besën se edhe pasi të dalin nga këto skuta të pista do ta vazhdojnë luftën për liri dhe bashkim kombëtar. Tani, Bajrami i kishte të qarta qëllimet e tija. Ishte i përkushtuar në lëvizje dhe shumë më serioz në aktivitetin ilegal. Ishte i kujdesshëm dhe çdo veprim që bënte  e bënte pa i rrezikuar shokët e të afërmit. Ishte konspirativ dhe i fjalës. Ai ishte i vetëdijshëm se udbashet po e përcillnin çdo kund dhe ishte i survejuar nga ata, andaj kujdesi ishte tejet i nevojshëm. U angazhua tej mase që të angazhonte sa më shumë anëtar në ilegale. Organizonte aksione kundër pushtuesit dhe edhe më tej shpërndante parulla në qytet.

Ai shpesh në takime me shokët iu thoshte se liria pa gjak nuk fitohet dhe ajo nuk fitohet pa derdhur gjak. Kundër okupuesit duhet luftua i madh e i vogël, duhet të ketë luftëtar për të luftuar. Andaj,  vëllezërit Rrahman e Bajram Bahtiri e kishin organizuar dhe aktivizuar tërë familjen. Bajrami angazhohej edhe në fusha të tjera. Ishte për angazhimin e gruas në çdo fronte të luftës pa kushte. Shkollimin e vajzave e shihte si shumë të rëndësishëm për popullin shqiptar dhe thoshte se vetëm të shkolluara ato do të jenë të dobishme për familjen dhe atdheun. I demaskonte tradhtarët dhe angazhohej në propagandimin e idesë për bashkimin kombëtar.

Ai ishte i palodhur  në organizimet ilegale, por edhe kishte përkrahjen e vëllait, i cili po ashtu ishte i organizuar në organizatën e FNÇK. Udbashët e dinin se Bajrami nuk ndalej në aktivitete, andaj e arrestuan përsëri më  me 27 dhjetor 1983. Në burg e mbajtën deri më 30 janar 1984. Ndërsa vëllain e tij Rrahmanin e dënojnë me 10 vite burg të rëndë. Bajramin udbashët e kishin burgosi dy herë. E kishin torturoi rënd. Trupin e tij të njomë e kishin la me gjak, por ai gjatë tërë kohës qëndroi i pathyeshëm. Sapo dilte nga burgu ende me plagë në trup e vazhdonte punën patriotike. Për Bajramin, jeta pa luftë, pa përpjekje për t’u çliruar dhe pa rreziqe, përderisa populli shqiptar ishte i robëruar nuk kishte kuptim. Lufta e Bajramit dhe përpjekjet e tij, brenda radhëve të organizuara u bënë model edhe për brezat që erdhën e që do të vijnë pas tij.

Lirimi i Bajramit nuk ishte bë për shkak që ai nuk kishte veprua në ilegale, se dosja e tij ishte e mbushur me plotë veprimtari anti jugosllave, e anti shtetërore, porse udbashët llogaritnin që me daljen e tij në liri ai përsëri do të filloj veprimtarin ilegale dhe në këtë mënyrë do të zbulohen edhe anëtarët që nuk i zbuluan të akuzuarit. Bajramin e kishte regjur puna ilegale dhe i kishte mësua hilet e okupatorit, andaj edhe nuk lejoi që të arrestohen edhe të tjerë. Dhe me 8 shkurt 1984, në Lagjen e Trimave, ku ende nuk ishte bë një muaj nga vrasjet e dy trimave Rexhep Malës e Nuhi Berishës, rrethohej shtëpia e Hajrush Bahtirit, duke kërkuar që të hynë brenda dhe të arrestojnë djalin e tij- Bajramin sypatrembur. Familjaret barrikadohen dhe nuk lejojnë që të arrestohet Bajrami. Djali i tyre trim me një pushkë të vjetër, trashëgim nga babagjyshi, siç shkruan Sejdi Veseli, e palosi për tokë denoncuesin  shqipfolës të armikut dhe çau rrethin e parë me forcën e armës së tij. Tërhiqet drejt vendit të quajtur Majdeni i Sali Bullakut, që gjendet jo larg shtëpisë së tij. Por, aty përballet me rrethin e dytë të forcave armike, të cilat pa paralajmërim hapen breshëri zjarri të kryqëzuar drejt pozicionimit të tij. Në pamundësi për ta ndërruar vendin e pozicionimit, Bajrami  kishte vendosur për të rezistuar, deri në fishekun e fundit.

Andaj kriminelët, përdorën taktikën e vjetër duke thirrë me megafon që të dorëzohej, por në ndërkohë snajperisti kërkonte vendim më të përshtatshëm për ta qëlluar djaloshin trim. Bajrami edhe pse e dinte se ishte i rrethuar, për një moment iu kujtuan trimat Rexhepi e Nuhiu që me këngë kishën rënë në altarin e lirisë, edhe ai filloi këngën dhe sa mundte gjuante në drejtim të policisë deri sa e goditi për vdekje predha e snajperistit që kishte ardhur nga Beogradi, enkas për të likuduar shqiptarët që luftonin për Kosovën e lirë.

Siç bënin zakonisht udbashët edhe kësaj radhe në varrimin e dëshmorit nuk lejuan që të merrnin pjesë populli, andaj trupi i Bajramit u varros me nderimet më të larta nga familja e tij e ngushtë, të cilët e deshën shumë, varrimi u bë nën rrethimin e hekurt të forcave të shumta të sigurimit të pushtuesit. Bajramin e vranë por në zemrat e popullit asnjëherë dhe kurrë nuk mundën ta vrasin dashurin dhe nderin që gëzonte ky trim i Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok