27/04/2024

Autori, Origjinali, Mesjeta, Kopja

0

Nga Edison Ypi

Një tjetër Mesjetë më e errët dhe më e egër se ajo e inkuizicionit, djegies së librave dhe mendimtarëve në turrën e druve, na ka hy brenda me të gjitha të zezat, pa trokitur te porta.

Autorin e vranë. Origjinalin e helmuan. Janë zëvendësuar nga Kopja dhe Kopjaci që po rrëshqasin si minj nëpër vrima dhe qenefe. Livadhi i freskët dhe i shëndetshëm i librave të mirë dhe leximeve emocionuese, tashmë nuk ekziston. U mbush me rrëshqanorë, u bë batak i helmët e i qelbët legenash që mburrin veten.

Vlerat që mezi u formësuan nga Njerëzimi gjatë shekujve dhe mileniumeve, improvizimi, alternimi, kreativiteti, na lanë shëndenë.

Përtacia, parazitizmi, qefi për me rrejt, qefi me mbush dhe me zbraz barkun, fukarallëku i mendjes, shterpësia e imagjinatës, vrazhdësia e hajdutllëkut, e bënë punën e vet, e vranë Artin si stërmundim, si vullnet, sakrificë, vetmohim, i janë vërsulur kopjimit.

Thirrja e egër ardhur nga kohët e lumtura të gazetës Drita dhe revistës Nëntori, mbledhjet, plenumet, miqësia vllazërore me vende nga fundi i botës, hajnia, rrena, frika, i thanë Bujrum Mesjetës, dhe ulën në krye të sofrës kopjen dhe kopjacin.

Origjinali po se po që është zhdukur pa nam e nishan. Por edhe kopja e ka humbur orientimin. Kopja nuk po di kopje e cilës kopje është, kopje e kopjes së parë, kopje e kopjes së dytë, të tretë, apo të njëqintë.

Kopja me autor kopjacin ka rrafshshuar të gjitha relievet, ka mbushur të gjitha honet e thella, humnerat mendimtare.

Tashmë që kopja mbahet për origjinal, dhe kopja e kopjes, kopja e kopjes së kopjes, kanë zaptuar gjithçka, dukey tepër vonë për të ndrequr diçka.

Fjalori është katandisur te nja treqint fjalë gjithsej, ja pesqint, kurrë më tepër.

Librat, jo vetëm artistikë, janë kopje për ibret të njëritjetrit.

Fjalimet e të gjitha llojeve janë kopje të varfëruara e shkurtuara si kurrë më parë.

Titujt e programeve televizive, formatet, dhe brendia e programeve, janë të kopjuara.

Çfarë ka ndodhur me Poezinë dhe Letërsinë lus të më mirkuptoni që s’po e them këtu.

Flasin, shkruajnë, pyesin, përgjigjen, lëvizin, duke kopjuar më të kollajtët, bërllogun social, politik, mediatik, që sjellin dallgët nga përtejdetit.

Kopjes po i vjen në ndihmë me sa mundet motra e saj, klisheja.

Zullumet që po bën kopja dhe klisheja me pjesmarrjen e të kudondodhurës rrenë, udhëhequr nga kopjaci, janë tashmë një det pa anë e fund plot me këllira që i mbajnë për kryevepra, dështime që i shesin për suksese, marrëzira që i imponojnë për urtësira.

S’është dëgjuar kurrë të thuhet, për shembull, zoti Biden, apo zoti Berlusconi, apo zoti Blair. Vetëm nëpër dreka e darka e qoka, zotrinjtë u drejtohen njëritjetrit me zoti filan, zoti fistek.

Megjithatë Shqipo Kopjaci servil e frikacak i kompleksuar deri në tmerr, edhe kur për tjetrin flet keq dhe në hell do ta shkojë, u drejtohet me zoti Berisha, Zoti Rama, Zoti Meta etj. etj. me një qurravitje kopjace të turpshme të panevojshme.

Ku ka ndodhur një krim, prej kohësh nuk shkon më një polic por një “efektiv policie” (!), dhe kur për të ndihmuar dikend që theu tre brinjë kur e preku një makinë, nuk vete ta ndihmojë një mjek, por një “bluzë e bardhë” (!).

“Kënaqësi që ma pranove ftesën”, ose “faleminderit që u bëre pjesë e emisionit tim”, thotë pa i lëvizur qerpiku copa e mishit që i thotë vetes moderator ose moderatore kur dihet se nuk është aty për tu mburrur me manovra të fëlliqta autoreferenciale por për t’i shërbyer publikut.

Në vendin e kopjeve, klisheve, rrenave, kafeja, uji, dhe në përgjithësi lëngjet, nuk pihen por konsumohen (!), Ngjarja nuk ndodh në katundin x, por në aksin (!) mes qytetit y dhe z.

Ku kopja dhe kopjaci janë përhapur si ferrat në përrua, çfarë shkruhet, çfarë pikturohet, çfarë kompozohet, çfarë filmohet, janë pleh, llum, bërllog, dhe nuk i interesojnë askujt, nuk kanë asnjë rëndësi. Rëndësi ka kopertina me llustra, titulli bombastik i kopjes, emri i kopjacit të lavdishëm, lehjet e tij plot me kalkulime, jeta me bëma të paqëna, ku ishte, ku s’ishte, si e ktheu gotën, si e rrufiti kafen, çfarë brekësh mbath, çfarë ushkur përdor, çfarë ha, çfarë pi, sa dashnore ka.

Aq e rëndësishme është bërë kopja, sa tamam si në Mesjetë, i kanë ngritur dhe këngë.

Kopje moj të qofsha falë

Ishe çupë por qënke djalë

Kopje moj që na kënaqe

Del e bredh nëpër çardhaqe

Kopje moj që gjeç belanë

Ma zure në fyt trahananë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok