03/05/2024

BASHKIM KADIU Përuron librin “Panteonin e Vlerave”

0

Njeriu i mënçur nuk kënaqet se i’u zgjat jeta e tij, por nëse ka bërë diçka për jetën e të tjerëve, të popullit të vet.

Agim Shehu (Poet).

Nga Kadri Tarelli

I kam ndjekur të gjitha veprimtaritë e autorit durrsak Bashkim Kadiu, si fillim në gazetari, më pas si shkrimtar e studiues. Kam marrë pjesë në të gjitha kuvendet dhe përurimet e librave të tij dhe çdo herë kam bërë shkrime që janë publikuar në shtyp. Po ndalem te njëri, që daton pesë vjet me parë, gusht 2028, kur u përurua libri, “Vlerat e qytetit tim”, volumi i III-të. Ku theksova:

Bashkimi është një ndër studiuesit, duhet thënë biografët e intelektualëve durrsak, në kohështrirje gati 150-vjeçare, që kanë dhënë kontribute të vyera në zhvillimin e qytetit tonë tre mijë-vjeçar, ku përfshihen të gjitha fushat e veprimtarisë në qytet, si industri, ekonomi, jurispudencë, mjekësi, inxhinieri, detari, letërsi, art e kulturë, arsim, sport, etj, etj.

Vetvetiu, kur ke folur për njeriun, ke bërë një fotografi, apo kartolinë të jetës qytetare durrsake të kohës, duke i bërë një shërbim të çmuar historisë së qytetit tonë, sepse, nëse ka ngjarje, sukses apo dështim, aty është dhe heroi durrsak”.

Ky shkrim u Publikua në: gazeta “Bota sot”. Dardani, portali “VOAL. “Zëri i shqiptarëve”. Zvicër, Revista “Dituria”. Suedi, portali “Zemra shqiptare”, Angli.

Bashkimi është i vetëdijshëm se shkrimtarët, poetët, historianët, artistë, matematikanët, gazetarët, mjekët, inxhinierët, sportistët, secili është një qelizë e shoqërisë, ku ka pjesën e vet të krijimtarisë, duke lartuar emrin e qytetit me veprat e tij. Bashkimi nuk merret me ngjarjet dhe fushën konkrete të veprimtarisë, por me autorët e veprave, që përbëjnë ajkën e shoqërisë durrsake, duke i dhënë librave të tij, tipare të një kronike. Aty, personazhe janë durrsakët e kohës që jetuan kohën. Ata janë vetë historia e qytetit.

Unë e di mirë se sa e vështirë është të ndërmarrësh studim dhe të hartosh monografi, aq më shumë për një qytet si Durrësi ynë, që rritet dhe zhvillohet. Nuk është e lehtë të mbledhësh material, intervista, shkrime, foto, apo dokumente arkivore, pa llogaritur kohën dhe shpenzime të tjera, në dukje të “Vogla”, që kur mblidhen bëhen shumë. Studiuesit e dinë mirë, se kjo punë do durim skllavi e shpinë hamalli. Ndaj them pa frikë, se ky libër është një shërbim fisnik dhe vlerë qytetarie, për Durrësin dhe durrsakët, pasi emrat e tyre, i përjetëson në kujtesën e brezave, duke i futur në libër, që unë e quaj “Arka e kujtesës”. Nuk shtoj gjë të re: libri ruhet në jetë të jetëve, në Biblioteka publike, në ato familjare, etj, etj.

Po them diçka nga përvoja ime, meqë merrem me gazetari dhe shkrime historike: Nuk e besoja, por është një e vërtet e  çuditshme….! Jo të gjithë pranojnë të bëhen persona publik, aq më pak pjesë e historisë së qytetit. Mbase modesti e tepruar, por që nuk i shërben askujt? Nuk më pëlqen të vendos emra sepse janë disa raste, por me mësuesin e nderuar, matematikanin Fiqiri Resuli, u ndodha keq. U lodha, dua të them, se ia grabita intervistën, pasi nuk pranonte kurrë, duke u shprehur: “Jam si gjithë të tjerët. Kam bërë detyrën, dhe asgjë më shumë”.

Ky libër, “Panteoni i vlerave”, është vazhdimi vëllimeve të mëparshëm, që unë i vlerësoj në tërësi, është një përmendore, që ngrihet dhe vendoset në Panteon, për intelektualët e Durrësit, me shpirt, mençuri, mirësi e qytetari durrsaku. Bashkimi nuk e mbyll shtegun e studimit, as për  vete, as për autorë të tjerë, sepse jeta qytetare nuk shteret këtu. Lexuesi do më japë të drejtë të shprehem: Bashkim Kadiu, i ke lënë Durrësit dhe durrsakëve një thesar trashëgimie me vlera njerëzore dhe historike. Jam i bindur se ka ende shume për të bërë, për sot dhe të ardhmen. Ky është vetëm fillimi……!

Besoj se Bashkimit, “heroit” tonë, mësëmiri i  shkojnë përshtat fjalët e Adriano Çelentano, kur thotë: “Dua të jetoj pranë njerëzve shumë njerëzorë, që dinë të buzëqeshin me gabimet e veta, që nuk fryhen me “fitoret” e tyre, që nuk e konsiderojnë veten “të përzgjedhur”, përpara se t’i zgjedhim ne…….!”

Shenjtorja jonë Nënë Tereza, diku thotë:  “Për të mbajtur një llambë të ndezur, ajo ka nevojë për vaj”. Kështu edhe pena e Bashkimit, ka kohë që e ushqen me vaj fenerin e dritës dhe diturisë durrsake. Pavarësisht moshës, që rritet për çdo vit, kjo si dhuratë perëndie, shpresoj se “Heroi” i këtij kuvendi, Bashkim Kadiu do të vazhdojë punën për të tjerë volume.

Urime Bashkim! Puna studimore e kërkimore, po të mban përherë të ri, mes shokësh e miq krijues. Edhe ju jeni ngjitur në panteonin e vlerave durrsake. Jeni një prej tyre.

Nuk e di si ndjehesh kur je rrethuar me miq e shokë, shkrimtarë, poetë, artistë dhe studiues!? Mendoj dhe besoj se duhet të ndjehesh mirë, pasi dija, puna dhe mundimi yt u vu në shërbim të qytetit dhe qytetarëve, sepse munde t’i ngresh Durrësit një përmendore kaq të lartë, të bukur dhe plot harmoni qytetare”. Një vepër që koha do ta gjykojë e vlerësojë në përjetësi.

Urime dhe suksese! Jetë e shëndet për libra të tjerë. Panteoni do përherë dritë!

Edhe një herë faleminderit, që na bëre bashkë në këtë festë libri, me vlera qytetarie.

Mirënjohje!

Kadri Tarelli

Durrës më: 10, të vjeshtës së tretë, 2023.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok