15/11/2024

“AUTOPORTRETI” I PASHK PËRVATHIT, PIKTORIT UNIK TË VJESHTËS

0

NGA NDUE DEDAJ

Piktorët zakonisht e lënë shëmbëlltyrën e vet në autoportrete, ai ato të Rembrandt-it, Vincent van Gogh-ut, Pablo Picasso-s etj., paçka se gjithnjë na është dukur e pamundur që ta zbërthejmë kodin piktorik të atij apo këtij piktori vetëm nga piktura. Arti i tyre e ka të ndryrë brenda pëlhurës misterin e krijimit. Pashk Përvathi nuk bën përjashtim nga raca e tij. As autoportreti i tij shkrimor “Rrugëtimi im” (Jeta e një piktori), “Toena” 2023, nuk na e zbulon atë të gjithin si artist, pasi fjala është e pafuqishme para mbretërisë së ngjyrave, ashtu si ngjyrat, në rastin e shkrimtarëve, janë po aq të pazonjat përpara fjalës. E ndien këtë dhe në poezinë e poetëve Ndoc Gjetja, Rudolf Marku e Preç Zogaj, të një areali kulturor, artistik me piktorin e mirënjohur Përvathi.

Në këtë jetëshkrim artstik të tij, piktori ia ka dalë mbanë të luajë mjeshtërisht me mjetet e publicistikës, memuaristikës dhe letërsisë. Nuk ishte e rastit, që kur po flisnim për këtë libër, dhjetë vite më parë, një miku ynë i përbashkët shkrimtar, tha: “Ky po na e merr zanatin neve, kurse ne nuk mund ta bëjmë zanatin e tij”. Dhe kishte të drejtë. Ai nuk sforcohet në asnjë rast kur rrëfen, detaji është mjeti i tij më shprehës, po dhe njëfarë humori, çka bën që faqet kushtuar fëmijërisë t’i lexosh me një buzagaz të fshehur. Është kolazhi i një fëmijërie me reflekset diellore të Malit të Velës mbi Manatinë e tij buzë rrugës, fshatin vetëm 2 kilometra nga muret antike të Lezhës.

Zakonisht librat autobiografikë janë të mërzitshëm, prozaikë, pasi ka shumë “unë” nëpër ta, kurse ky autoportret është mbrujtur nga urtia, maturia dhe fisnikëria e fjalës. Ne e dimë tashmë klasin e tij si piktor, kemi të bëjmë me një ndër koloristët më të mirë të pikturës shqiptare, në vazhdën e paraardhësve të shquar: Ndoc Martini, Zef Kolombi, Kol Idromeno, Vangjush Mio, Abdurrahim Buza, Andrea Kushi, Androniqi Zengo, Ibrahim Kodra, Gjelosh Gjoka, Omer Kaleshi, Lin Delija, Sadik Kaceli, Sali Shijaku, Safo Marko, Ismail Lulani, Rexhep Ferri, Agim Faja, Skënder Kamberi etj.

Libri “Rrugëtimi im” është i ndërlidhur si strukturë, sa të ngjan me një roman autobiografik. E kishim vënë re dhe më parë nga intervistat ne televizione, se Pashku rrëfen bukur, natyrshëm, me elegancë e vërtetësi, çka do ta ndihmonte në shkrimin e kujtimeve. Janë po aq interesante e plot penelata mirësie personazhet e këtij libri, ata që e rrethojnë personazhin autobiografik, prindërit dhe të afërmit, miqtë e tij të lagjes e të shkollës, mësuesit shkodranë e të tjerë, por dhe njeriu bohem Marka Fana etj. Teksa kujton fillimet, Përvathi thotë: “Dukej sikur atë ditë po bëja vrapin e jetës sime”. Kështu ka nisur karriera artistike e tij, si një maratonë që ka pasur si pengimet, ashtu dhe kulmimet e veta.

Nëpër faqet e librit njihesh dhe me ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij artistik, që nga prindërit, bashkëshortja e përkushtuar, Lula, tash së voni dhe ajo piktore, apo artistë të tillë, si Petro Kokushta, që e tërheq piktorin e ri lezhjan drejt metropolit artistik, përmes shkollimit në Akademinë e Arteve. Nëpër rreshta kupton dhe smirën e ndokujt, përçmimin e përjetshëm të burokracisë së provincës ndaj artistëve, po ku bënin dallim disa individë të spikatur të veshur me pushtet, shpesh dhe vetë krijues, si Anastas Kondo e Kujtim Buza në Tiranë, apo Dodë Gjika në Lezhë, që iu gjendën pranë dhe Pashkut kur ai kishte nevojë për mbështetje.

Vetëdija e artistit te Përvathi shfaqet në çdo rrethanë, edhe kur atij i duhet të fshikullojë burokracinë dhe të shpëtojë të vetmin monument të qytetit të tij, atë të Çlirimtarit, që donin ta hiqnin këshilltarët militantë, meqë tani nuk ishin më në “modë” partizanët. Janë faqe groteske të një proze fshikulluese, ku shfaqet protesta qytetare e artistit në mbrojtje të një vepre arti. Piktorit të njohur do t’i duhej të mbronte jo vetëm një skulpturë, por dhe vetë galerinë e artit të qytetit të tij, në përballje me zyrtarët mediokër.

Libri rrëfen me emocion e natyrshmëri hapat e piktorit, rrugëtimin e tij të pandalshëm, do të thoshim, përvathian. “Dalëngadalë vjeshta hyri në arsenalin tim si motivi më i zgjedhur”, shkruan ai. Dhe ata që i kanë parë punët e tij prej 40 vjetësh i pikasin menjëherë vjeshtat e Përvathit, pasi ato janë autentike për nga shpalimi, mjetet shprehëse, kudo ku ka pikturuar, në Vain të Lezhës, Vithkuq, Theth, Lëpushë, Himarë, në brigjet e Kalabrisë etj.

Në përshkrime të tilla pena e autorit lëviz po aq e sigurt sa peneli mbi telajot e tij të peizazheve. Me poetikë përshkruan Pogradecin lasgushian. Gjithashtu “Berati gjithnjë ka qenë lakmia e piktorëve”, shkruan Pashku. Ai e dashuron peizazhin e gjallë të natyrës shqiptare nga jugu në veri, koloritin e tij të mahnitshëm, ndaj dhe peizazhi i tij artistik ka përherë larmi dhe befasi, për çka iu kthehet vazhdimisht atyre vendeve. Alpet e Përvathit janë më të bukurat në botë. Ata që i kanë vizituar ato në natyrë, duke i shkelur më këmbë, nëpër “sytë e kaltër” të tyre, nuk kthehen pa marrë me vete një nga tablotë alpine të këtij piktori.

Ai kujton me imtësi se si më 1989 krijoi peizazhin, që më pas u pagëzua si “Vjeshta e kuqe”, brenda një reparti ushtarak, nën “shoqërinë” e një ushtari rojë, që piktorit dhe shokut të tij, Arbenit, iu hiqte vërejtjen që të mos shikonin andej nga pjesa perëndimore e repartit, ku dalloheshin grykat e topave që dilnin jashtë bunkerëve të mëdhenj. Ishte dita e pikturimit të hurmave në Tiranë. “Peizazhi që kishim përballë ishte i rrallë. Kurrë më parë nuk kisha pasur një vjeshtë të këtij lloji përpara syve të mi. Dita ishte me diell e, në raste të tilla, ngjyra e gjetheve të hurmave flakërinë, në të kuqen, portokallinë e të verdhat indiane. Prania e diellit ndikonte shumë në ngritjen e potencës së ngjyrës në gjethet e hurmave. Mua vetvetiu më lindi një ide, që ta transformoja ngjyrën e tokës poshtë gjetheve të atyre hurmave, ku e kuqja e tyre do të rrinte në harmoni me umbrën e errët të tokës. Toka e trajtuar në umbra, blu parisiane dhe vandyk do të ishte e rëndë. Do të krijonte me të kuqen e gjetheve simbolikën e flamurit tonë kombëtar. Kur kjo vepër u ekspozua, nga vizitorët dhe artdashësit mori emrin “Vjeshta e kuqe”, pagëzimi më i mirë që mund t’i bëhej asaj.”

Rrugëtimi i tij piktorik pasurohet me “Ciganen e vogël” të Korçës, guralecët magjikë të “Bregut të Himarës”, kishën e Shëlbuemit të Rubikut, “dritë mbas shiut” të Librazhdit, kuajt që kullosin në lendinat idilike, rrëketë e fshehura ndër pemë etj., çka po përvijonin portretin e tij si piktor peizazhist. Pashku natyrisht është piktor i të gjitha stinëve, por mund të thuhet se ai është piktori unik i vjeshtës. Vjeshta lezhjane që u ngjiz rrëzë kalasë, mes malit dhe detit, përherë me Drinin si një lajtmotiv, rri mirë me arritjet më të mira të peizazhistëve shqiptarë. Siç e ka cilësuar edhe kritika e artit “ai është një vazhdues i veprës së Mios” apo siç thuhet shpesh në ambientet artistike, “ai është një Mio i kohëve moderne”.

Vjeshta është magjia e telajos së Përvathit. Ai ka hyrë në kujtesën artistike të Shqipërisë jo vetëm si piktor i stinës së ndezur, por edhe i një pikture dekorative, që nis e shfaqet si një risi në krijimtarinë e tij aty nga fundi i viteve ’90, ku zë fill nga një cikël peizazhesh me gurë, që shënonin edhe fazën e parë të kërkimit të ri drejt kësaj pikture, që më pas, shpesh do të bëhej mbizotëruese. “Motivet e gurëve, varkave, por edhe të kuajve tashmë ishin epiqendra e krijimtarisë sime”, shkruan ai për pikturën e tij të fundit të viteve ’90. Dhe vijon: “Guri ishte kthyer në gjetjen time të përhershme. Në peizazhet e mia, shpeshherë simbolika e gurit ka zëvendësuar retë. Doja ta bëja shenjën time të dallueshme. Kuajt e kuq, blu apo jeshil, e po kështu edhe gurë të këtyre nuancave që nuk ishin në të vërtetë në realitet, tek unë kishin hyrë si një realitet artistik”. Kështu po përsosej forma, që ishte dhe thelbi i pikturës së Përvathit. Piktori po krijonte gjetjet dhe mjetet e tij identifikuese përtej vjeshtës së tij të deriatëhershme, që kishin më shumë fuqi abstraguese. Kjo fazë moderniteti zgjati 10-15 vjet për t’u maturuar dhe kulmoi me ekspozitën e Tiranës në vitin 2005, duke qenë tashmë një vlerë e shtuar dhe për më pas.

Pashk Përvathi, piktor i disa këndvështrimeve, i peizazhit, i dekoratives, i portretit, mjeshtër i pastelit, por që sa i përket vjeshtës, “përkthehet” veçse me vetveten.

Ai ndalet herë pas here në krijimtarinë e tij, duke parë prirjet, risitë, ndryshimet konceptuale, gërshetimin e teknikave krijuese, modernitetit me tradicionalen etj. Pas dhjetë vjetësh (1997-2007) që kishte pikturuar në studio, i rikthehet “dashurisë së parë”, siç thotë vetë, pikturës drejtpërdrejt në natyrë, në një koloni piktorësh në Korçë. “Momenti dhe rrethanat janë faktorë të rëndësishëm që përcaktojnë rrugën dhe metodën krijuese të një piktori. Unë këtë nuk e them nisur nga librat, por nga realiteti që kam përjetuar vetë”, shkruan piktori, duke shtuar se atje kishte zbuluar një “thesar”, që ishte Vithkuqi. “Në ndryshim nga Drenova, ku vjeshta akoma nuk kishte mbërritur, në Vithkuq ajo ishte ulur këmbëkryq. Pamja nga kisha e Shën Mëhillit, ku si në pëllëmbë të dorës shtriheshin arat e vogla në një mozaik shumëngjyrësh, ishte e rrallë dhe e pandeshur nga unë më parë. Kurrë nuk kisha parë vjeshtë më të bukur.” Prandaj ai atëbotë e mbrapa shkruante se: “E ndiej veten edhe pak korçar, ndoshta vithkuqas pak më shumë. Janë rreth 150 vepra të realizuara në atë trevë. Edhe vendlindjen time nuk e kam pikturuar aq sa Vithkuqin. Por kështu qenka jeta. Vendi yt i artit nuk përcaktohet nga origjina. Ai të vjen natyrshëm në zgjedhjen tënde gjatë jetës.”

Rrugëtimi i piktorit nuk ndalet vetëm brenda Shqipërisë. Ai ka shkelur Italinë, Spanjën, Amerikën, Francën, Anglinë, Austrinë, Zvicrën, Kinën etj. Është i dashuruar veçanërisht me Parisin, e shëtit atë me një frymëzim djaloshar, me një hartë në dorë dhe për fatin e tij të rrallë i ndjekur nga kamera miqësore e Albert Mingës. Pashku e bën zanatin e tij dhe aty buzë Senës, me sportivitet, ku në çastin që një vajzë aziatike e një kolonie piktorësh, që pikturonin në rrugë kalimtarët, e fton që t’i pozonte, ai nuk bën tjetër, por i merr lapsat nga dora dhe nis e vizaton portretin e saj dhe vetë mjedisin artistik të improvizuar. Gjuha e artit, ashtu si ajo e dashurisë, nuk ka nevojë për fjalë. Përshkrimi parisian i tij është me të vërtetë i zgjedhur, si një vjeshtë e fjalës. Hapat e tij e shpien në Luvër para “Mona Lizës” së famshme të Leonardos. Piktori shqiptar në muzetë e artit të Parisit takohet me mjeshtrit më të mëdhenj të artit pamor të planetit. Kur është në një ekspozitë me kolegë në Gjenevë, ai sheh si “ikin” vjeshtat e tij, një në koleksionin e një zonje nigeriane të Pallatit të Kombeve e një tjetër në duart e një vajze nga Singapori. Kështu kishin ikur me kohë veprat e tij jashtë vendit, nga dita që një gazetar italian kishte blerë pikturën e parë të tij në Tiranë. Ambasadorët, që prej George Mikut, janë miqtë e pikturës së tij, të cilët e vizitojnë rregullisht në studio-galerinë e tij në Lezhë, një stacion i preferuar i turistëve të rrugëve të Veriut.

Viti 2010 është viti që autori do të donte të përsëritej, në radhë të parë prej suksesit të ekspozitës së tij në Galerinë Kombëtare të Arteve, në inaugurimin e së cilës patëm kënaqësinë të ishim dhe ne. Piktori përshkruan me ndjesi të veçantë dhe ekspozitën e tij në Prishtinë në marsin e 2011-s, takimet me piktorin e shquar kosovar Rexhep Ferri, kritikun e mirënjohur të artit pamor Mustafa Ferizi etj.

Pjesë e çmuar e veprës së tij janë dhe një varg portretesh të realizuar me mjeshtri, vitet e fundit, si i Skënderbeut, Nënë Terezës, Zef Pllumit, Ndoc Gjetjes, kryetarvëve të Kuvendit të Shqipërisë, miqve të tij artistë etj.

Së fundi, në botën e artit ndodh shpesh që një emër artisti, pas një brezi, të ketë pasuesin e tij. Edhe në këtë rast kemi: Përvathi (i Vjetri) dhe Përvathi (i Riu). Kur djali i tij Admiri, në klasën e tretë fillore, filloi të vizatonte kështjella, luftëtarë dhe sidomos Skënderbeun, ngaqë i pëlqente historia e vjetër, Pashku shkruan: “Unë fillova të shoh veten time te fëmija im”. Dhe e kishte parë vërtet, pasi dhe i biri, Admir Pervathi, do të bëhej një ditë piktor i njohur.

Përvathi, përherë e më shumë është një rrugëtim piktorik i dyfishtë, i Atit dhe i Birit, tashmë me studiot përkatëse dhe “Galeri +” në Tiranë.

NDUE DEDAJ

Tiranë, qershor 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok