AUTOKRATËT E SOTËM, I

– Pjesa e parë –

(Nga ligjërimet për të vërtetën)

Nga Prend BUZHALA

Paslufta, vit pas viti, profilizoi edhe një karakter njerëzish, që lirisht mund të quhen autokratë komunalë apo autokratë partiakë. Në Fjalorin e shqipes kjo fjalë përkufizohet kështu: “Ai që ka në duart e veta gjithë pushtetin e lartë, ai që sundon me pushtet të pakufizuar, sundimtar absolut.”

1.

A duhet kërkuar autokratin apo demokratin?

Dhe, për të qenë demokrat, a thua u dashka me çdo kusht të kërkohet njeriu që ka autoritet?

Nuk është po ashtu e habitshme përse ligjet që krijohen, bëhen sipas nevojave që ato t’iu shërbejnë jo Kosovës, as qytetarëve të saj, por autokratëve politikë e ekonomikë, sepse shteti është i kapur nga rrjete të tilla ekonomike e politike. Rrjetëzimi i tyre është funksional për t’iu shërbyer autokratëve të tillë, por aspak qytetarëve e hallexhinjve. Opinioni publik kontrollohet nga rrjeti i tillë, ashtu sikundër kontrollohen dhe burimet publike. Qytetarët shohin (ata që duan të shohin): se si, qoftë edhe një ndihmë minimale për bujqësi (nga donatorë të jashtëm), përfundon në duart e një autokrati të tillë. Regjimi autokratik shërben vetëm për ta shkatërruar një vend e jo për ta ndërtuar. Ndërtimi i ndërtesave të larta, nuk përbën vetvetiu ndërtim, kur ato kanë uzurpuar sheshe, trotuare, hapësira rekreative për fëmijë, hapësira publike në shërbim të qytetarëve, duke shkelur çdo plan urbanistik dhe duke dhunuar të drejtat publike të qytetarëve, thua se ende jetojmë në feudalizëm!

2.

Tashmë demokracia jonë e brishtë merr edhe tipare të plutokracisë: ku sundojnë të pasurit; xhepi i pasur financiar i këtyre të pasurve, ndikon edhe në ligjet e shtetit. Ndryshe nuk do të kishte kaq emra të pasurish si deputetë, apo përfaqësues familjesh të pasura nëpër institucionet e shtetit.

Autokratët e vegjël, të kooperativizuar nëpër parti politike, tashmë kanë krijuar oligarkinë e tyre të sundimit e ku maksimalisht bëhet përpjekje që pushteti dhe forca e pushtetit të koncentrohet në sa më pak njerëz. Aty vijnë edhe oligarkët e medieve, oligarkët ekonomiko-fianciarë, oligarkët e pasur të klerit. Të gjithë pajtohen me njëri-tjetrin, pajtohen edhe kur grinden për parcela pushtetore,

A janë të mundshme ndryshimet?

Për deri sa marksistët akuzojnë demokracinë në kapitalizëm që ua lejon vetëm borgjezisë sundimin, teoricienët e elitës si Gaetano Mosca (vepra “Elementi di scienza politica”- “Elementet e shkencës politike”) dhe Vilfredo Pareto, në teoritë e tyre për elitën, theksojnë se elitizmi është veçori e pashmangshme e jetës shoqërore, për shkak të dallimeve në aftësitë që kanë elitat dhe masat e gjera. Robert Michels thekson ligjin e betonuar të oligarkisë, sepse çdo organizatë prodhon domosdoshmërisht oligarkinë, gjithnjë sipas tendencës që pushteti të përqendrohet te sa më pak njerëz. Prandaj ekzistojnë oligarkitë politike, ekonomike, ushtarake, klerikale etj.

Shans për ndryshime është demokracia, si e tillë, ku ushtrohet ndikim i gjithë qytetarëve përmes përfaqësuesve të zgjedhur në Kuvendin e republikës.

Autokratët tanë kanë përvetësuar edhe një aftësi tjetër, a të demagogjisë: në dorë i kanë edhe institucionet e përfaqësimit zgjedhor (për ta zgjedhur veten gjithnjë e vazhdimisht nëpërmes të ashtuquajturit qytetar) dhe thonë: “ne përfaqësojmë interesin qytetar, sepse jemi të zgjedhur”, e në fakt përfaqësojnë interesin e ngushtë autokratik të oligarkive të tyre.

Demagogjia e tyre është perfide: ata vazhdimisht kandidojnë. Dhe, për t’i bindur të tjerët se kanë të drejtë, thonë: urdhëroni edhe ju kandidoni!

E ç’ndodh?

Ndodh ashtu si parashikojnë oligarkët e autokratët: përzgjedhësit e forumeve tashmë janë të blerë, shpirtshitur. Shpirtshiturit e dinës se kë duhet ta votojnë: oligarkun e tyre. Edhe nëse kandidon tjetri, që në fillim ai është i humbur, sepse rrjeti oligarkik është vendosur: me privilegje partiake e shtetërore, me punësime nepotiste, me rrjete tenderësh… Kandidatët frikësohen: e përse të kandidojnë, kur gjithçka flet kundër tij? Shpirtshiturit nuk njohin vlera, njohin vetëm interesin e ngushtë. Dhe pranojnë të shkelin gjithçka, si puthadorë.

Dhe, në skenë: përsëri “i zgjedhuri”.

I Zgjedhuri i përjetshëm!

Demokracia pëson abortim!

Pëson fiasko!

Dështim, mossukses, dobësim, ligështim.

Institucionet nuk janë të qëndrueshme.

3.

Fati i një populli vërtitet në një rreth vicioz, të egër e mizor:

gjithnjë gjenerohet sipas traditës autokratike të së kaluarës. E njerëzit, si njerëzit: e kanë të zorshme të mendojnë ndryshe, përpos skemave të së kaluarës. Qytetarët përqafojnë qëndrimin inert, të plogët.

Autokratët “e zgjedhur” nuk i kontrollon askush.

Autokratët “e zgjedhur” shndërrohen në qëllim të vetvetes, sillen rreth vetvetes,

Populli bën sikur e kupton gjendjen, por ende nuk e ka kuptuar se gjendja e tillë është vdekje e shuarje e sigurt e tij.

Të rinjtë, tashmë e dinë: nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndryshuar gjendjen. E vetmja zgjidhje: ikja jashtë!

A është i ndërgjegjshëm I Zgjedhuri i tillë “me vota demokratike”, tashmë i shndërruar në autokrat, se çfarë po bën me jetët e të tjerëve?

Njerëzit e thjeshtë thonë: a ka shpirt udhëheqësi i tillë? E kjo do të thotë: se a e merr jetën e të tjerëve si detyrë shpirti, dhe të ketë përgjegjësi përgjithësisht për jetën?

Apo fare nuk kanë as përgjegjësi e as ndërgjegje?

E vetmja sakrificë e tyre qenka: ta sakrifikojnë tërë një popull për interesa të ngushta vetjake.

(Prend Buzhala, 6 maj 2019)

_____________________

Prend BUZHALA:

AUTOKRATËT E SOTËM, II

– Pjesa e dytë –

(Nga ligjërimet për të vërtetën)

Nëse urtia konsiderohet virtyt i një kombi, ky komb e ka për detyrë që urtinë, mendjen më të lartë, ta bartë në institucione. Domethënë: në to të ketë njerëz të mençur e të drejtë. Ky është ëndërrim i një kombi për demokracinë, është dëshira e një kombi për vetveten: që të ketë njerëz të mençur, që janë roje e jetës së tyre, e mirëqenies së tyre.

E po qe se këto institucione nuk janë mishërim i kësaj urtie qytetare, as i mirëqenies qytetare, as i përparimit e zhvillimit, atëherë përse faji i lihet popullit që ka urti dhe e dëshiron institucionet e qëndrueshme? Se qenka popull hajvan, shtazë, i pa-mençur?!

1.

Kështu e konsiderojnë dhe kështu e trajtojnë popullin e tyre autokratët.: si mjet për interesa të vetat. Qytetari tjetërsohet: shndërrohet në mjet, në qëllim të autokratit.

Liria e fituar shndërrohet në pasiguri për ekzistencë, shndërrohet në armë frikësimi. Shndërrohet në armë të autokratit.

Liria shndërrohet në një robëri të re.

Dhe, natyrisht: sundojnë “në emër të popullit”, në emër të demokracisë. Në sy të qytetarëve paraqiten si model lideri, si shembull udhëheqësi, mbasi janë vetë qytetarët që e “tolerojnë” shembullin e tillë të papërgjegjësisë. E, në fakt, stili i tillë i qeverisjes, është stil i autokratit të sëmurë.

Dhe qytetari i thjeshtë zhytet në mjerimin e vetvetes: zoti ua paska dërguar vuajtjet në tokë.” Ky qenka fati. Fataliteti! E në shërbim të këtij fataliteti vihet edhe oligarkia klerikale. Natyrisht, për t’i mbrojtur “të zgjedhurit” autokratë!

Demosi, zgjedhësit, tashmë vetëshkatërrohen.

E mira e përbashkët (Res Publica), për shkak të sjelljeve autokratike e oligarkike, shkatërrohen.

Demosi, zgjedhësit, me familje, shtëpi e katandi, dezintegrohen.

Autokratët tashmë i kanë humbur kriteret për të mirën e përbashkët. Së pari ato i kanë shkelur, i kanë abuzuar e në fund, i shkatërrojnë, i humbin këto kritere, sjellin kritere të reja, të pashkruara e që janë në shërbim të tyre.

Dikur, autokratët e tillë sigurisht shndërrohen në barrë të rëndë mbi qafën e qytetarit të thjeshtë.

Populli e di: se a është udhëheqësi i tillë autokrat apo dhelparak, se a është për të mirën e përbashkët apo për interesa të veçanta oligarkike, autokratike?

2.

Lufta la plagë të thella, kurse vuajtjet e njerëzve ende i sfilitin ata. E vërteta është se pushteti zgjidhet “me votë demokratike”, por autokratët e tillë ende krijojnë atmosferë frikësimi dhe mosdurimi. Nëse lufta ka krijuar plagë përçarjesh mes njerëzve, mes kombeve etj, atëherë ky mosdurim e kjo përçarje vazhdon “me mjete të tjera.” Ndërtimi i një paqeje midis njerëzve, ende qenka vetëm një ëndërr, misionet e organizatave e individëve për një shoqëri të ndershme e tolerante, fundosen e bien në ujë. Dëmet materiale të luftës mbeten të pakompenzueshme, traumat e së kaluarës nuk mënjanohen, ndërkohë që të mirat materiale përfundojnë në duart e një kaste të tillë autokratike. Pushteti iu përket vetëm atyre që sundojnë, një pakice, mu si në sistemet autokratike. Të drejtat politike dhe liria për shumicën, shndërrohen në instrumente të uzurpimit të tyre.

Do ta dëgjojmë ndonjë autokrat të vogël (po qe se ka bërë shkelje dhe akuzohet në gjykatë), kur i çirret edhe një gjykatësi a njeriu të drejtësisë: “Unë ta kam sjellë lirinë që ti sot je gjykatës… E ku guxon ti të më akuzosh?”

E, njeriu i vogël, i revoltuar, kur e dëgjon ti, klith i tmerruar e i zhgënjyer: “Merre edhe këtë liri të pakët, bëj çka të duash me të, shkërdheje si të duash. Nuk më duhet gjë liria që ti ma dhuron dhe e dhunon… Falë të qoftë!”

Duke u përpjekur t’i imitojnë autokratët e së kaluarës, edhe autokratët e vegjël të kohës sonë përpiqen që ta ndërtojnë Kultin e tyre të Personalitetit (meritat, meritat,meritat…), por, ç’e do, arrijnë ta ndërtojnë vetëm Antikultin: ky anti-kult iu shërben si mjet për frikësim: “nuk ke se çka të më bësh!”

3.

Të mos harrojmë: ti je i pranueshëm te qytetarët, te masa a te një komb, vetëm po qe se manifeston cilësi, urti, mendje, e jo me lojëra fati a lojëra olimpike si dikur te cezarët romakë:

“Ave, Cæsar, morituri te salutant…. Të përshëndesim, Cezar, jemi ata që do të vdesim për ty. Ave Cezar! Rroftë Cezari!”

Udhëheqësi i vërtetë vetëpërmbahet nga lakmia, nga tundimet e nga dobësitë tjera njerëzore.

Ne nuk i dëgjuam autokratët tanë të jenë demokratë: unë heq dorë nga kandidimi, jam përgjegjës për gjendjen e krijuar.

E pra, autokrati i tillë nuk është në shërbim të të gjithëve, e as të mirës së përgjithshme.

Autokratit të tillë do t’i pëlqente të ishte një gjysmëperëndi.

Autokratët kanë krijuar ligje për ta mbrojtur vetveten e jo popullin.

Autokratëve e konsiderojnë pengesë njeriun e ditur dhe dijen. Prandaj duan që popullin ta lënë pa kokë, pra pa udhëheqja dhe pa dije. Duan ta përhapin sa më shumë injorancën…

Autokratët janë në gjendje që ta drejtojnë demosin (qytetarin) në luftë për interesa të vetat (nuk ka rëndësi se ku, në luftëra “kombëtare” apo “fetare”, apo të “mbrojtjes së shtetit” kundër palës tjetër që synon ardhjen në pushtet etj.

Ti kot hap kuzhina bamirësie, apo kuzhina për darkë (siç bëjnë kishat apo dhe religjionet tjera, apo në emër të religjionit, firmat e bizneset e pasura për t’u treguar solidarë).

Përse?

Sepse populli i thjeshtë nuk dëshiron të ushqehet në kurriz të tjetrit.

As të jetojë në kurriz të tjetrit, siç veprojnë autokratët parazitë që përhapin parazitizmin shoqëror.

E thuhet: kur masa e tillë tashmë vjen në gjendjen e një ekzistence lakuriqe, kur masa e tillë e njerëzve kënaqet me një darkë solidare falas në kuzhinë, ajo masë manipulohet lehtë. Ajo masë pranon lehtë për ta dërguar drejt vdekjes: vdekjes në emër të së shenjtës apo të “kombit” apo “të shtetit”. Për të vdekur për autokratin e tillë: “Ave, Cæsar, morituri te salutant…. Të përshëndesim, Cezar, jemi ata që do të vdesim për ty. Ave Cezar! Rroftë Cezari!”

E çka të bëhet me një popull që më as punën këtu nuk e do?

T’ua mësyjë kuzhinave të bamirësisë së mëshirës?

Kur ka kaq papunësi enorme: t’ua mësyjnë drogave a shitjes së drogës, alkoolizmit a perversioneve tjera?

Darkave perverse a kuzhinave perverse?!

Nuk është thënë më kot që kërkohet një rilindje morale, një rilindje shpirtërore.

Rilindjen, aty ku u ka rend, disiplinë të ndërgjegjshme (e jo prej frikës), rilindje ku ka rregull.

Ku shpirti forcohet e jo të futet në kallëpet e shpirtshitjes së autokracisë.

(Prend Buzhala, 7 maj 2019)

____________________

Prend BUZHALA:

AUTOKRATËT E SOTËM, III

– Pjesa e tretë –

(Nga ligjërimet për të vërtetën)

Fjala autokrat rrjedh nga fjalët greke “auto” (vetë) dhe “cratic” (që nënkupton rregull, sundim). Thuhet se aty ku mungon një opinion publik, aty ka një truall të përshtatshëm qeverisja autokratike. Edhe një politikan mongolian, si Tsakhiagiin Elbegdorj (një nga drejtuesit kryesorë të revolucionit demokratik të Mongolisë të vitit 1990, që i dha fund sundimit komunist 70 vjeçar të në Mongoli), duke shijaur vlerat e lirisë, thotë: “Asnjë planifikim i regjimit centralizues, asnjë rregull autokratik dhe asnjë regjim ushtarak nuk mund të prodhojë atë që njeriu i lirë mund të bëjë.”

1.

Ndonëse ky stil menaxhimi haset në kompani të shumta të botës perëndimore, janë jo pak ushëheqës ushtarakë, trajnerë sporti të skuadrave të njohura, dhe që vërtet kanë treguar sukses; prirjet e tilla, megjithatë, janë kritikuar gjithanshëm, pikërisht për faktin se burimet historike të qeverisjes së tillë, janë tek tirania dhe diktatorët. Kritikuesit kanë vërejtur: që gjatë periudhave me stres, udhëheqësit autokratë mund të jenë efektivë, por është vërejtur që shfaqen abuzime të shumta në punë, ka dekurajim tël ekipit a stafit, dekurajon komunikimin e hapur ndërmjet udhëheqësve dhe vartësve… Në shtetet e zhvilluara, sidomos aty ku sundojnë paraja, bankat e mëdha , sidomos korporatat e mëdha; kundruall një realitetit të tillë , të politikës militariste, polarizohen varfëria e skajshme (në nivel botëror), urrejtjet mes civilizimeve, besimeve apo racave.

Leonard D. Shaeffer (“The Leadership Journey) thekson: “Përfitimet e udhëheqjes autokratike: udhëheqësit e jashtëzakonshëm miratojnë stilin që i përshtatet vizionit, sjelljes dhe personalitetit të tyre. Stili i udhëheqjes autokratike ende funksionon mirë në disa institucione, siç janë ushtria, prodhimi, restorantet dhe kompanitë me kuotat energjike të shitjeve. Dobësitë e udhëheqjes autokratike: udhëheqja autokratike nuk është aq e përhapur sa një herë ka qenë, për disa arsye. Dobësitë e udhëheqjes autokratike: mentorimi si një stil udhëheqës, i popullarizuar në mesin e mijëvjeçarëve që në përgjithësi çoi në drejtues autoritarë. Stilet e udhëheqjes demokratike: janë laissez-faire dhe transformuese që përfshijnë shumë nivele të vendimmarrësve…”

Në vendet me demokraci të brishtë, nuk është e rastit përse ende riciklohen elitat që ndjekin një oushtet autokratik dhe të centralizuar, për të vënë kontroll mbi ekonominë dhe shoqërinë. Regjimet e tilla janë të kalbura së brendshmi, janë të frikshme, autoritare, tejet të këqija, sado që në dukje të jashtme duken imponuese. Janë regjime të korruptuara autokratike. Sundimi i tillë e mbyt shprehjen e lirë, sidomos frymën krijuese. Prandaj, nuk është e habitshme përse në botën e zhvilluar shfaqen kaq shumë lëvizje kundruall qendrave të centralizuara, autokratike…

2.

Auotokratizmi është e drejta e më të fortit mbi tjetrin që është i pambështetje dhe i dobët. Ngjet si në xhungël, ku tigrat e luanët sundojnë mbi shtazët tjera. Prandaj shfaqen kryengritjet e shpirtit njerëzor, kundërshtimet, protestat e format tjera të pakënaqësisë kundruall një regjimi autokratik, apo kundruall një padrejtësie, shkeljeje të rëndë etj. Të tjerët, në kërkim “të qetësisë e harmonisë”,”Dorën e fortë” totalitare, s’ka rëndësi se çfarë është ajo dorë, le të jetë me trashëgimi komuniste apo monarkiste.

Një autor indas, Amit Kalantri, shprehet: “Në një demokraci do të ketë më shumë ankesa, por më pak kriza, në një diktaturë më shumë heshtje, por shumë më tepër vuajtje”. Lirinë e gëzojnë të gjithë dhe e ushtrojnë të gjithë.

Njerëzit duan të jenë të lirë, t’i gëzojnë liritë politike, sociale dhe civile. Në liri njerëzit shprehin vullnetin e tyre të lirë, shprehin prirjet e tyre për të bërë zgjedhjen midis dy a më shumë alternativave.

3.

Fatkeqësisht, në shoqërinë tonë, ende individët janë të detyruar t’iu nënshtrohen doktrinave fetare, etike apo ideologjike, nën trysninë e një mendësie të vendosur që moti në raportet familjare, shoqërore, shkollore apo njerëzore. Prindi autoritar, kleriku autoritar dhe mësuesi autoritar në shkollë a universitet,… ende konsiderohen si një zot i vogël në tokë. Autoritarizmi dhe respekti i ndërsjellë, kanë dallime. Autoritaritzmi familjar, shkollor apo fetar, nuk merr parasysh kërkesat e fëmijës, nxënësit, studentit apo të besimtarit, as mendimet e tyre, as dëshirat e tyre: fjala e tyre autoritare, është përfundimtare, e paprekshme. Harrojnë se ata janë vetëm udhëheqës që marrin pjesë në gëzimet e dëshpërimet e nxënësve, fëmijës së tyre apo të besimtarit të tyre. Kleriku autoritar, mësuesi autoritar apo prindi autoritar, duke harruar se duhet ta marrin për dore fëmijën, nxënësin apo besimtarin, për ta drejtuar në jetë a në punë të tjera, ata duna kontroll të pakufishëm mbi vartësit e familjes, shkollës apo të institucionit fetar; ata kanë rregullat e tyre të ngurta, deri te stigmatizimi i të pafuqishmit, nuk pranojnë as kritika e as këshilla, duan kontroll autoritar e absolut. Vendimet merren vetë dhe i diktojnë të gjitha metodat e punës a të jetës. Janë të ngurtë në veprimet e mendimet e tyre. Pretendimet se e forcojnë moralin, bien në ujë, mbasi sjellja autoritare nxit pakënaqësi, sepse dëmtohen zgjidhjet kreative, mbasi vetë nuk kanë kreacion e as zgjidhje kreative ndaj kërkesave apo problemeve. Prindi autoritar, mësuesi autoritar dhe kleriku autoritar, e dëmtojnë suksesin dhe ecjen në jetë të fëmijës, nxënësit, studentit apo besimtarit. Kur nuk merren parasysh as shqetësimet e vartësve, as kërkesat e tyre, atëherë kësisoj dhunohet personaliteti i tyre i lirë.

Prandaj liria ka rregullat e veta kreative, përgjegjësinë e vet dhe ushtrimin e vet.

(Prend Buzhala, 8 maj 2019)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok