21/12/2024

ATY KU MERR UDHË TË REJA IDENTITETI ARBËROR-SHQIPTAR

0
u6_Buzhala-Zym-Gjecovi10

ZYM, NË TAKIMET E GJEÇOVIT, TË 51-AT ME RADHË

Nga Prend Buzhala

Në Zym të Hasit, edhe sot ishte një festë e vërtetë dhe një ditë e bukur tetori. Hapësirat e qendrës së këtij vendbanimi historik ishin të mbushura jo vetëm me qytetarë, por edhe me ekspozime të ndryshme: të veshjeve tradicionale shqiptare, të luleve, të ushqimeve tradicionale e sidomos me festën tradicionale të pjekjes së Ditëve të Rakisë, prodhues të kësaj pijeje nga anët e Dukagjinit dhe Hasit. Ishte një ambient etnografik, tipik etnik, shqiptar, një mikpritje proverbiale zymjane. Një etnografi përplot emocione.

Në TAKIMET E GJEÇOVIT, të 51-at me radhë, merrnin pjesë qytetarë nga të gjitha viset etnike shqiptare, përfaqësues qeveritarë e komunalë, shkrimtarë, njerëz të kulturës,  etj.

Janë, ndër të tjera, disa figura që identifikohen me këto TAKIME, siç janë organizatorët Frrok Kristaj, At Ndue Kajtazi, Lajde Kajtazi Kolgjeraj, Arbnora Kolegjeraj, etj.

1.

Në fakt, sot ishte dita e dytë e tyre. Ato filluan ditën e djeshme me FESTIVALIN E BUKËS, për të tetën herë, tashmë tradicional ky festival, i vetmi i tillë që mbahet në hapësirat euroballkanike. Hasjanët janë të njohur për zejen e furrtarisë, dhe kjo karakteristikë e tyre ka qenë shtysë për themelimin e  një veprimtarie të tillë në këto Takime. Në këtë festë të bukës pati tribunë shkencore (ligjëruar nga Frrok Kristaj e Albert Mirdita), ekspozimi i gatesave tradicionale etj. Po ashtu aty janë promovuar katër libra të tri autoreve hasjanë: motër Franciska Suzana Lekajt, Hatixhe Çollakut dhe Arbnora Kolgjeraj-Rexhajt.

2.

Ndërkaq sot takimet vazhduan me Programin tradicional të tyre. Ato i hapi nikoqiri At Ndue Kajtazi, i cili ndër të tjera, iu uroj mirëseardhjen me një tekst domethënësd:

“Takimet e Gjeçovit 2022

Të gjithë juve këtu ju urojmë mirëseardhje,

Mirë se erdhët në Zym, në vendlindjen e Bogdanit, pishtarit të dijes dhe pishtarit të lirisë,

Mirë se erdhët në Zym, aty ku mori shtat e këndoj Pal Hasi,

Këtu ku gjetën strehë ipeshkvinjtë: Mihill Suma e Gjon Nikollë Kazazi, e Karagiqi që mori rrugë për në Kuvendin e Arbërit,

Mirë se erdhët në vendin ku u shkrua Abetarja e parë.

Mirë se erdhët në vendin ku pushojnë eshtrat e trupit të dërmuar të Patër Luigj Palit.

Mirë se erdhët në Zymin e Gjeçovit, ku mori shtat Kanuni i Lekës.

Mirë se erdhët në Zymin e Katarinës, ku ajo mësoi si luhet, këndohet e vajtohet në dërrasat e vekut, e këto dërrasa do ti bëjë dërrasa të teatrit.

Mirë se erdhët te Anton Pashku me rënkimin e tij “OH”…

Mirë se erdhët në vendin e bukës, ku buka quhet shpirt.

Mirë se erdhët në vneshtin e rrushit – Zym.

Mirë se erdhët në vendin ku me gotë të rakisë lëvdohet Zoti.

Mirë se erdhët në Has, ku nuk kishte asnjë han, sepse çdo shtëpi ishte e hapur për mysafirin, sepse shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. “Takimet e Gjeçovit 2022 ” manifestimi që po mbanë gjallë kujtesën kombëtare e që po e promovon traditën e vlerat atdhetare, fetare, kulturore e artistike, sipas shembullit të figurës së Atë Shtjefën Gjeçovit.”

Mandej përshëndetën ministri i kulturës, sinisë dhe sporteve i Qeverisë së republikës së Kosovës, Hajrullah Çeku, kryetari i komunës së Prizrenit Shaqir Totaj, edhe vetë hasjan dhe deputetja shqiptare e parlamentit kroat Ermina Lekaj Përlaskaj. Ishte domethënës edhe gjesti i Ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gkergjit, i cili radhën e tij për të përshëdnetur, ia dha mulla Xhevat Kyreziut. Mulla Xhevati, ndër të tjera tha se ndjehet krenar që e tarshlgon mbiemrin e Shtjefën Gjeçovit – Kyreziut, e që i takon rrënjëve të një gjaku. Përshëndeti edhe një klerik hasjan. Me pika muzikore, valle shqiptare, u paraqitën të rinjtë e SHKA “Katarina Josipi” të Zymit.

Në Tribunën shkencore kushtuar mikpritjes shqiptare, ligjëruan Arbnore Kolgjeraj, etnologe dhe Prend Buzhala.

Në orën tardicionale letrare poezitë e tyre i lexuan poetë nga trojet etnike shqiptare si Vera Istrefaj (Kukës), pastaj Halil Gashi (Kanada), Ramadan Mehmeti, Prend Buzhala, Gjon Gjergjaj; Skënder Berisha etj. Gjatë gjithë kohës, në skenën e amfiteatrit zymjan, që ngjet në një amfiteatër antik, në ri grupe ishin të ekspozuara veshjet e trojeve të krahinave të ndryshme shqiptare, si dhe gatimet, për të cilat foli aktivistja Remzije Berisha, duke i prezantuar me radhë veshjet e Hasit, Mirditës, Malësisë, Tetovës, Dukagjinit, Drenicës, Karadakut etj.

3.

U ndanë edhe çmimet tradicionale. Çmimin “Pena e Gjeçovit” e fitoi studiuesi dhe historiani Jaho Brahaj, ndërsa Çmimin “Unaza e Katit sivjet i dhurohet dr. Prof.. Edi Shukriut.

Kësaj radhe, po e veçojmë një shënim për studiuesin Jaho Brahaj, i cili foli edhe për figurën e Gjeçovit, me thirrjen “TË NJOHIM KONTRIBUTIN DHE VLERAT E DIJETARËVE TANË”!

Jaho Brahaj është i lindur në Kryezi-Pukë në vitin 1952.  Ka, botuar artikuj në shtypin e përditshëm dhe në revista shkencore, dhe ka marrë pjesë me kumtesa në aktivitetet shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ka përgatitur dhe botuar gjatë viteve 1984-1995, katër broshura monografike me tematikë traditat e rrethit Pukë. Ka, botuar librat studimorë:

– “Il primo Albanese D’Italia” (Arbëreshi i parë në Itali), në Brindizi, në gjuhën italiane. – – “Emblema Shqiptare”. Studim monografik për heraldikën historike shqiptare.

– Kronikë e Derës së Gjon Buzukut”,

– “Flamuri i Kombit Shqiptar”.

– Studime dhe artikuj per Shtjefen Gjeçovin.

– “Kurora Mbretërore Shqiptare”

Ka, përgatitur dhe botuar 4 vëllime, nga trashëgimia e mbetur në dorëshkrim të Shtjefën Gjeçovit, siç janë: vëllimi me publicistikë  “Shtyllat e Kombit”, vëllimin poetik: “Tomorr e Pashtrik Përpiquni”, drama “Shqyptari Ngadhnjyes”, novela e shkruar në vitin 1902 “Mnera e Prezës”. Në vëllimin publicistik “Shtyllat e Kombit” është paraqitur dhe një bibliografi e Shtjefën Gjeçovit me zëra të panjohur nga bibliografia e tij deri në këtë vit (1999). Në konkursin e shpallur nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Kulturës Tiranë në vitin 1997 për botimet historike të periudhës 1992-97, është fitues i çmimit për monografinë shkencoro-historike.

4.

Pas Programit artistik, tribunave, ekspozitave etj. të pranishmit shijuan pijet e Ditëve të rakisë, si dhe ushqimet tradicionale shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok