ATDHETARI QE U SHKRI PȄR KOMBIN

0

– Me rastin e 93 vjetorit të eleminimit të patriotit Shtjefën Gjeçovi nga shovinistët serbë –

NGA VLASH PRENDI

Sot mbushen plot 93 vjet nga dita e ndarjes nga jeta të patriotit, shkrimtarit, dramaturgut dhe arkeologut të njohur Atë Shtjefën Gjeçovi. Ai lindi në Janjevë të Kosovës më 12 Korrik të vitit 1874, në një familje të varfër fshatare një nga mështarët dhe patriotët më të shquar të Rilindjes Kombëtare, Atë Shtjefën Gjeçovi. U rrit në një mjedis nga kishin dalë njerëz të shquar të kulturës shqiptare. Prindërit e pagëzuan me emrin Mëhill. I shkathët, trupvogël dhe i etur për dije dhe culture, Mëhilli i vogël do të mbaronte mësimet e para në fshatin e lindjes. Në shkollë u dallua për zgjuarsi, karakter dhe vullnet të forte, cilësi këto që i ranë në sy priftit të Janievës i cili me ndikimin e tij i mundësoi regjistrimin në një kolegj fetar për studime të mëtejshme.

Kështu, në vitin 1884, në moshën 10 vjeçare u nis për në koleghjin Françeskan të Troshanit, të cilin e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1888. Po këtë vit, ai regjistrohet në Urdhërin Françeskan të Kuvendit të Fajniscës në Bosnjë ku vazhdoi mësimet liceiste dhe filozofike. Kalon në Kuvendin e Derventes dhe të Banja – Llukës dhe më tej studimet teologjike i përfundoi në Kuvendin e Kreshëve në Bosnjë. Në këtë Kuvend pati fatin të njihej me shumë figura të shquara që do të bënin emër në të ardhmen, një prej të cilave qe edhe poeti kroat Gergo Martiqin. Pashk Bardhi të cilin At Shtjefni e kish pasur shok klase shprehet: “At Shtjefni qe dashtë fort prej G.Martiqit i cili ishte më se 70 vjetsh…”.

Në vitet e studimeve At Shtjefni veç të tjerash mësoi me zell shumë çështje rreth Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për liri dhe pavarësi, por bënte kujdes të njihej edhe me letërsinë e traditës. E tërhiqte Buzuku, Budi, Barleti dhe Samiu. Kërkonte të mësonte sa më shumë për gjuhën shqipe, madje në vitin 1893 sa ishte në Kuvendin e Banja Llukës shkonte në Kreshevë për të ndjekur leksionet e Talotcit mbi origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe. Kënaqej në zemër kur mësonte se gjuha e tij ishte një nga gjuhët më të vjetra dhe më të bukura në Europë. Kish filluar kështu moshën e pjekurisë artistike, prandaj bën edhe përpjekjet e para letrare dhe shkencore. Në këtë periudhë shkruan një studim të gjatë rreth 350 faqesh që dëshmon për talentin e rrallë dhe përgatitjen intelektuale të tij.

Pas përfundimit të studimeve, plot force dhe energji të pashtershme për punë, kthehet në Troshan dhe me 25 Korrik 1896 emërohet meshtar. Krahas punës së meshtarit këtu punoi edhe për përhapjen e dijes dhe kulturës. U bë mësues dhe hapi shkollat e para. Pas kësaj u transferua në Rubik (Mirditë), më pas në Pejë dhe në vitet e vrullshme 1899 – 1905 e gjejnë në Kishën e Shën Mëhillit në Laç (Kurbin). Këtu veç të tjerash u mor edhe me veprimtari patriotike për të cilën kishte nevojë aq shumë populli ynë. Në Kurbin, ashtu siç e dëshironte ai, gjeti klimë të përshtatshme patriotike, gjeti vrullin kryengritës të masave, gjeti dëshirën e popullit për t’u ngritur në luftë dhe për të fituar lirinë e munguar në shekuj. Atë Shtjefni pothuajse e braktisi kishën dhe u vu në shërbim të lëvizjes patriotike që sapo kishte shpërhtyer, për të mos e shuar më kurrë deri në Shpalljen e Pavarësisë.

Në zemër i vlonte një dëshirë. Dëshira për të hapur një shkollë për fëmijët e fshatarëve të parapambetur të Laçit. Ai shpirt i madh dhe ajo mendje e ndritur nuk mund të robtoheshin para presioneve të pushtuesve osmanë, prandaj ai e hapi shkollën brenda në ndërtesën e kishës në vitin 1901. Një nga ish – nxënësit e tij, patrioti Nikollë Selala kujton: “…Kam qenë një nga nxënësit e Gjeçovit. Shkolla u çel më 1901. Gati për 6 vjet At Gjeçovi ka qenë mësuesi ynë. Me ndihmën e fshatarëve ai përshtati një nga dhomat e kishës në klasë. Na jepte 6 – 7 lëndë mësimore. Bazë ishin gjuha shqipe, letërsia, historia dhe gjeografia e Shqipërisë”. Karakteristikë e vaçantë e punës së tij  ishte se nuk kishte as miratimin e qeverisë dhe as të klerit, por programet i hartonte vetë dhe lendët i zhvillonte po vetë. Për këto arsye fillon të shihet me sy jo të mire nga autoritetet, megjithatë ai vazhdon rrugën e nisur me guxim dhe vendosmëri, duke dhënë një kontribut të paçmuar në përhapjen e arsimit dhe dijes në masat e popullit. Prandaj theksonte me force qëllimin e tij imediat: “…E fillova mësimin dhe do të vijoj me njat qëllimin e përhershëm tem për me vleftë të masës së re të kombit tone me dëshirë që të përparojë kah zhvillimi i mendjes e kah zhvillimi i jetës shoqnore e qytetare…”. Të gjitha këto aktivitete i kryente më së miri pa lënë pas dore misionin e tij fisnik të mështarit të përsosun në planin shpirtëror, At Shtjefni ligjërimet me cilësi për doktrinën kristiane i kishte parësore, duke qenë vetë një bari i përkushtuar i Zotit dhe si bari i grigjës së vet shqiptare. Dhe çdo punë e kryente me zell dhe dëshirë duke qenë një shembull i lartë frymëzimi për ata që e njihnin. Në Kurbin e donin dhe e respektonin pa masë meshtarin e talentuar, patriotin dhe mësuesin e respektuar. E shihnin jo vetëm në kishë, por edhe mes fshatarëve me lapsin dhe fletoren në dorë dhe kazmën e arkeologut në brez, sepse atdheu kishte visare të paçmuara mbi tokë dhe nënë të. I kërkoi ato me vendosmëri, i gjeti dhe ia dha përsëri popullit të vet.

Vrulli shpirtëror i At Shtjefnit nuk u ndal kurrë. I kishte lindur dëshira për të shkruar për fatet e kombit të vet, për brengat, por edhe për kohën e lavdishme të tij për të rizgjuar tek ky popull i robëruar ndjenjën e lirisë. Provat e para i kishtë dhënë gjatë kohës së studimeve, por kur ra në kontakt me masën e popullit, kuptoi se tek ky popull ishin visaret tona, prandaj u bë më i hovshëm, më i zjarrtë. Suksesin e ndjen shpejt, sapo iu afrua gurrës së folklorit shqiptar, në të cilën u mbush me frymëzime të reja që pak më vonë do t’i kultivonte energji të pashtershme deri në çastin e fundit të jetës. Dhe filloi t’i derdhë këto frymëzime në vepra, sepse letërsia kishte kohë që po i  bulëzonte ndjenjat, ndërsa vjershat e para me temë patriotike i pat botuar në revistën “Albania” të Brukselit në vitet kur qe student në Kroaci. Jetonte në një trevë që kishte lindur dhe rritur heronj. Kryengritjet, lëvizjet patriotike, epoka e kastriotëve i dhanë atij subjektin për të shkruar tregimin “Mnera e Prezës”. Për asnjë çast nuk la pas dore mbledhjen e materialeve gojore nga populli. Mblodhi mjaft gojëdhëna, përralla dhe këngë popullore, 100 prej të cilave u mblodhën në vëllimin “Kënga popullore gegnishte”, nga imz. Vinçens Prenushi botuar më 1911 në Sarajevë. At Gjeçovi mund të quhet edhe si një nga themeluesit e dramës shqiptare. Pikërisht në atë dhomë të vogël në kishën e Shen Mëhillit në Laç, me veladonin e priftit veshur shkroi më 1901 dramën patriotike kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti me titull “Dashuria e atdheut”, e cila përshkohet nga ideja se Kryetrimi u bë hero dhe fitoi mbi armikun, sepse u mbështet tek populli dhe pati kurdoherë mbështetjen e tij. Po këtu, rreth viteve 1905 – 1906 ai shkroi edhe dy drama të tjera “Kushtrimi” dhe “Tradhëti gjakësore”, ku gjithë subjekti i tyre i dedikohet një trimi kryengritës që quhej Marka Kuli, i cili ka bërë jehonë me trimëritë e tij në luftën kundër pushtuesve osmanë. Motivi kryesor i veprës së tij ka qenë ndjenja kombëtare. Kjo shihet edhe në veprat e mëvonshme të tij si: “Shqiptari ngadhnjyes”, “Princi i dy Dibrave”, “Ngrehu Shqypni”, “Agimi i gjytetnisë” dhe deri tek “Edipi i Shqipnisë”, duke lënë dhe mjaft përkthime me vlerë, por që shimca e tyre janë të pabotuara, aq më tepër dorëshkrime. Në fushën e historisë pasi punoi disa studime për Skëndërbeun, mbi arbëreshët e Italisë, synoi të lidhte mitet e besimet e lashta të popullit tonë me ato ilire dhe pellazge.

Flober ka thenë: “Fjala gjendet gjithmonë, po të zotërosh idenë”. Dhe idenë At Shtjefni e zotëroi gjithmonë dhe fjalën e gjeti, sepse ishte i përkushtuar në mbledhjen e perlave kulturore nga goja e popullit. Rrobja e priftit, kërcënimet e osmanëve dhe detyrimet ndaj fesë nuk ia ndërruan dot natyrën e një malësori me vullnet dhe dashuri të flaktë për atdheun, për popullin dhe për kulturën tonë të lashtë. I nxitur nga kjo dëshirë iu fut punës për të mbledhur në popull disa kode dhe norma zakonore që u quajtën “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, vepër të cilën e filloi më 1898 dhe u mbyll me vrasjen e tij. Në të vërtetë për më se një shekull, studiues dhe udhëtarë të huaj ushtruan një veprimtari jo të pakët lidhur me njohjen dhe botimin e traditës zakonore shqiptare, por vepra e Gjeçovit mbetet puna e përkryer, më me vlerë dhe e papersëritshme në këtë fushë të traditës shqiptare.

x     x      x

Pasi ka lënë qytetin e bukur të Pejës ku shërbeu vetëm dy vite, Shtjefën Gjeçovi emërohet në kishën e Shën Mëhillit në Laç. Një ditë të bukur pranvere të vitit 1899, ngarkuar me një çantë me libra dhe fletore shënimesh, ai mbërrin në fshatin e Laçit, aso kohe ende i panjohur dhe vendoset në kishën e vjetër në majë të kodrës. Këtu në Laç, Gjeçovi gjeti një ambient të përshtatshëm bashkëpunimi dhe një mjedis ende të pa hulumtuar. Për këtë arsye përshkoi mbarë fshatrat e Kurbinit, për të mbledhur visarin kombëtar nga goja e popullit dhe për t’ua lënë trashëgim brezave të ardhshëm. Nga ana tjetër vijoi në mbledhjen dhe kodifikimin e Kanunit të Maleve, punë të cilën e kishte nisur që në Trashan, në vitin 1896. Thuhet se në Laç, ai shkroi dhe përpunoi mjaft paragrafë të Kanunit dhe i pasuroi ata me mendime, rregulla, ide dhe shembuj. Raste të tilla ai i shpjegon edhe vetë, sidomos tek nenet 83, 84, 119, 130, 142,  154, 165, 170, 213, 251, 252, 253, 379, etj. Ndërsa në fund të paragrafit 245 të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”,fq.10, Gjeçovi shënon: “Këta kanune mbi kufij i kam pas shkrue në Laç – Sebaste të Kurbinit, semti i Krues, në vj. 1902, kur u kapën dy katune Gjonmi e Laçi, e kur i zhgatërruen krent e 16 katuneve të Kurbinit e të parët e qytetit të Krues. Ishem edhe vetë në krye  ndër këta kuvende…”. Madje është pikërisht Atë Shtjefën Gjeçovi që shkruan shënimet e mbledhjes së dates 5 – 7 gusht 1906, të Delbnishtit ku 45 burrat më të shquar të Kurbinit miratuan një shtesë në Kanunin e Maleve. Për vetë vlerat që pati ky material u shtua në Kanun nga vetë Gjeçovi. Këto fakte tregojnë se edhe paria e Kurbinit, pleqtë e mençur të kësaj treve kanë dhënë ndihmesë të madhe në hartimin e këtij kanuni. Ja ç’shkruan Gjeçovi në kreun IV – Kufiri, mbledhur në Kurbin:

Neni 251

Kuptimi i kufinit

Seicilla tokë,po kje arë e livadh,kopsht a veshtë,prozhëm a zabel,xanë a ograjë,a rrethi i shipsë,katundi me katund a flamuri me flamur e shpia me shpi,kanë të damet me kufij.

Kufini përbahet prej gurësh të mëdhaj e picigiatë qi ngulen san en,aq mbi dhe.Për kufi mund të shërbejë edhe ndonji landë e motnueme. “Guri i kufinit ka dishmitarë mbrapa”.Guri i kufinit ka përreth dishmitarë gjashtë a dymbdhetë papërdhokë (gurë të vogjël),të cillët vorrohen nën dhe rreth e rreth gurit të kufinit.

Neni 252

Ngulja e kufijve

Në të ngulun të kufijve,posë shpiave në fjalë,duhet të jenë edhe pleqt e katundit,pleqt e flamurit e sa ma shumë prej të rijsh e fmish e edhe prej katundesh të rrethit,qi tëmbahet mend kufini.

Ai qi të hijë me da kufij,a me drejtue ndonji kufi të harruem,do ta marrë në shpirt,do të ngarkojë në cup të krahit nji gur e nji bucë dheu e do t’u prijë dy shpiave,a dy katundeve,a dy flamurve tuj ngulë kufinin e ri e tuj kallxue shejat e kufijve të vjetër.

Po iu dha pakut guri e plisi i vuni në krah e u vu me diftue kufijt,nuk mund të dale kush me e ndalë pse it hotë: “Prij,pra,e,mos punofsh me të drejtë,kjo peshë t’u randoftë në atë jetë!” Sit a ngulë kufinin plaku,do tëmbajë dorën mbi te edhe thotë: “Ai qi e lujtët këtë gur,iu randofët në atë jetë! Si ta marsh me peshë (sit a marsh gurin e kufinit në krah),s’ka burrë qi mund ta luej.

Neni 253

Mëndyrët e besë

Me gur e me dhe në cup të krahit,plaku qi prin në të dame të kufijve të vjetër,do të përbehet para se të niset.

Mëndyrët e besë mbas kanunit janë njekëto:

1 – “Për ket gur e dhe (ase: për ket peshë),me të cillat e ngarkova vedin,për shka kam pasë ndie prej së parësh,viset e kufijve janë kenë sikurse do t’ju diftoj tash e,më sa ma merr mendja e shpirti,s’do t’i randohem kurrnjanes lagje”.

2 – “Për ket peshë,këtu e këtu kanë kenë kufijt e hershëm e këtu poi  nguli edhe unë.I bajsha në atë jetë,në kjosha tuj ju rrejtë”

3 – “Për ket peshë,e cilla m’u randoftë në atë jetë,njikëtu janë kenë shejat e vjetra të kufijve,si më ka pasë kallxue tatëgjyshi kur isha camerdhok e bari dhizësh me te.Ai e ka pasë marrë në atë jetë se kufijt janë këtu e këtu e përmbas fjalës së tij,edhe unë po e marr në shpirt”.

4 – “M’u randoftë në ket e në atë jetë kjo peshë në mos shkosha me shpirt kah kufijt e vjetër”.

Veç punës së mundimshme për mbledhjen dhe kodifikimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit në Laç, shpërhthen talenti, dëshira dhe vrulli shpirtëror i Gjeçovit për të mbledhur dhe sistemuar visaret e kulturës popullore dhe historike të popullsisë së kësaj krahine.

Siç dëshmohet edhe nga shkrimet e studiuesëve të shumtë, në vitin 1900, ai nisi kërkime për të dokumentuar perlat e kulturës popullore dhe historike të Kurbinit. Kështu nis punën me disa shënime ku hedh fjalë, shprehje popullore dhe emërtime tradicionale të krahinës që mbajnë vitin 1900. E nis me emra flokësh si: shkruhen – Nëntori 6/1982,fq.155, po aty emra sysh dhe emrat dhe shprehjet popullore të mijëve të vitit. Në shënimet e Gjeçovit nuk mungojnë edhe emrat e njerëzve, të bimëve, të kafshëve, emrat mitologjikë të orëve dhe të zanave të Shqipërisë.

Gjeçovi ishte edhe poet, madje shumicën e poezive të tij, të cilat paten përmbajtje patriotike i botoi në revistën “Albania” të Konicës në vitet 1900 – 1901, me pseudonimin Lkeni i Hasit. Janë gjithsej 11 vjersha me përmbajtje atdhetare, të cilat i botoi tek kjo revistë, ku do të dalloheshin “Dashtnia e Atdheut” dhe “Besa e shqiptarit”. Për të krijuar idenë e mjeshtërisë së tij në fushën e poezisë, po japim poezinë “Naim Bujar Frashёrit”.

 

Naim Bujar Frashërit – A ktu Shqiptarit

 

Nji dhimt në zemer po m’mundon,

Mendt s’i shof si për here t’kfillta

Shpirtin n’jet,as i send s’ma gzon.

 

Rreth për rreth i shof t’errue,

T’gjitha male t’vobekts Shqypni,

Rrezet dilli s’a tuj mjerue

Zemrat,si perher m’na i pertri!

………………………….

N’shpirt për gjuh u mundove,

Për ty kjan e kndon Shqypnia,

N’pushim na qoftë!Se gja s’la met,

Për lulzim t’gjuhës,mjaft punove.

 

E kur t’vin koha ç’pe presim,

Vorri jot ngrihet n’pamendtar,

Kto fjal,ktij n’ball do t’ja njesim,

Se gjith jetën rroi si shqiptar.

 

Një punë e mundimshme, tërësisht studimore ishte edhe punimi i gjatë shkencor “Sebaste n’Armni apo n’Arbni”, nisur në Laç – Sebaste dhe botuar në 11 numra të revistës “Zani i Shnanout” në Shkodër në vitin 1921. Është një studim prej 12 faqesh, përfunduar në Rubik dhe plotësuar me shënime në Gjakovë. Studimi ishte rrjedhojë e disa hulumtimeve, gjurmimeve, gojëdhënave dhe të dhënave historike të fshatrave Laç dhe Zhejë, ku synon të vertetojë rrënjët historike të kësaj treve, dhe të kundërshtojë hipotezat e studiuesve të ndryshëm që hidhnin dyshime mbi ekzistencën e prejardhjes së lashtë të Sebastes bashkë me objektet e saj të kultit. Për këtë arsye, në një nga artikujt e botuar tek “Zani i Shnanout” me titull “Sebaste n’Armëni apo n’Arbni”, ai thotë: “

Shkruen: A.Sh.K Gjeçov, O.F.M.

Në vijim të kësaj çështje,po më kandet me shtue edhe se hetime gojëdhanore e historike qi i ka qitë në dritë i Pernderti Atë Urban Talija,sot Provincjal i Franciskajve të Delmacës,i cilli në rasë të XVI qindvjetore të mundit e të dekës së Shën Vlashit Ipeshkëv,i pat botue në Përkohëshmen ipeshkvnore të Rraguzhës në vjetë 1916,ku,pose mendimesh të veta,qet në dritë dhe arsyetmimet e shkrimtarve qi i sillen rreth kësajë çashtje.

Shën Vlashi Ipeshkev e Deshmuer a kje mundue në Sebaste t’Arbënis a në Sebaste t’Armenis? (Mbas A. U. Talijes, O. F. M)

Në të parën pjesë,Ati i përmendun difton,i pështetun në shkrimtarë me randsi e në dy gojëdhana me të cillat dëshmohet se,në të IX a të X qindvjete mb. Kr. Kje zgjedhë Shën Vlashi për Mbrojtuer i Rrepublikës së Rraguzhës,e çë prej aso kohe paten fillue me u ngrehë ndërtesat në nderë të Shejtit e me ja përcjellë ditën-3 të Frorit – me sjellje të kremtimeve të madhënueshme.

Gjithkush,por sidmos kishtarët,janë kenë përpjekë me zell e me dije me madhënue ket Shejt,tuj u permbëledhë lavdet e tija ku me tuba vjerrshash ku me shkrime tjera,e nder sa,asht Atë Fabri,i cilli e permbëlodh jetën e Shejtit në të II Lekcjone të Zyrës së Hyjnueshme (Off. Div) tuj e pasë para sysh  Baronin,i cilli pshtetej n’ “Acta” të mundimit të Shën Vlashit sikurse i ka pasë permbëledhë e shkrue Simeoni Logothetes (Metafrastes) shkrimtari Grek i së XI qindvjet mb. Kr.)…

…Mendimit të Roses i duel për ballë Atë Sebastjan Dolci (Slade) Franciskan,me nji kundrapergjegje qi ky ja dergoj të permendunit Natali Alette. (Dorëshkrimi ruhet në Bibliot. Të Franc. Nr. 210 faqe 213). Porse arrësyt e A. Dolcit pose qi s’e topiten Rosen,këto as menden nuk ja mushen,e me nji leter tjeter id ha kundrapergjegjen. (Dorëshkrimi gjindet në Bibliot. Franc. Nr. 110 faqe 267).

Mbas Dolcit shkrou Atë NiccolAI (1752) i cilli permendë edhe dy jetëshkresat tjera mbi Shen Vlashin,njena e Kamil Tudinit,prej Napullit,e shtypun në vjetë 1635,e tjetra e Ndre Matei-t kanonik i kishës s’Evolit,e cilla ka hupë (Niccolai: Memorie faqe XXVI).Të gjithë këta shkrimtarë kan pasë para sysh mendimin e Baronit se Shen Vlashi ka jetue në Sebaste të Kapadocjes e se atje ka dhanë jeten per Krishtin.

Në fillesë të XIX qindvjete,sa për me ja çue rraguzjnjanve dishiret në vend shkrou mbi Shen Vlashin Atë Bashiqi e ma vonë edhe Z. Shtjefen Skurla kanonik. “Shen Vlashi Ipeshkev e Deshmuer” –Rraguzhë. 1871. –Skurla (si edhe Niccolai) pështetet në kater “Acta Sanctorum” edhe iv e mendja se arrësyetimet e tija do të jen të patunduna vetem pse pështetet mbi Rorbacherin e do Hymna të Shën Gjon Damascenit të hetueme prej Kardinalit Maji.

Në këtë jetëshkresë Skurla permendë gojëdhanen shqyptare të botueme prej Z. S. Roses; difton nji mende të ngulun se Shen Vlashi kje Ipeshkev i Sebastes së Kapadocjes (i Armenis së vogël); perpiqet me prapshtue mendimin e Roses tuj perdorue ato arrësyt q ii pat perdorë Atë Dolci,porse ma të shtueme e ma të plotësueme; pështetë në disa diftesa të kronikve,kallëxon sepse rragushnjanet e paten zgjedhë Shën Vlashin për Mprojtuer,e së mramit flet mbi të mbetunat e Shën Vlashit.

Kryepështetje e mendimit se Shen Vlashi ka jetue e lane jeten nder mundime në Shqypëni të soçme e jo në Kapadocje.

Në Shqypni të soçme,nja 60 lidhka larg Durrësit gjindet nji mal i thirrun A r d e n i e në ket mal asht nji shpellë bukur e thellë në të cillen buron ujët.Si shpella,si ujët,thirren të Shen Vlashit.Këtu shifen rrenimet e nji gjytetit të motnuem të cillin,gojëdhana e popullit e thrret gjyteti i Agrikolaut.Gjindet rrenimet e lashta të Kishës së 40 Deshmorve.Aty asht leqeni i gjatë nji lidhkë me hamendas.

Në mal kapo-Rodoni (Muzhel) ka kenë kasha e Shen Vlashit në të cillen,edhe pse ka vojtë në rrenim,ruhet vorri i Shen Vlashit me ket mbishkrim: Hic jacet corpus Bcati Blasii Episcopi et Martyris (Këtu pushon korpi i të Lumit Vlash Ipeshkev e Deshmuer).Ruhet ky vorr edhe pse nuk ka gja mrende.

Sikurse shofim,këjo gojëdhanë në të cillen pështetet Z.Rosa e mbas ti A.Urban Talija,nuk asht për t’u qitun poshtë. –Ata thonë se gjindet nji mal me emen “Ardeni”,porse nder 16 katunde të Kurbinit më sa di,nji mal me ket emen nuk gjindet; asgjamendut,sit haçë,nuk asht për t’u ba n’asgja ky emen,në të cillin unë shof nji nderlikim të vogel,e ky kishte me kenë: sikurse ka mujtë me u shndrrue B në M – ArBënija në ArMenija – ashtu ka muejt me u shndrrue B në D – ArBëni në ArDeni.Nuk tham se gjindet në Kurbi nji mal me ket emen të veçuem aty afer Shpellet e Shen Vlashit,porveç në këjofët se heret e kan quejt malin e Sebastes së Laçit mal ii Arbënit,nuk kam gabue kurr ‘i grimë’,tuj kenë se per nen i shtrihet fusha e quejtun “Fusha e Arbënit”. –Në mal të Sebastes s’onë gjindet shpella e quejtun e Shën Vlashit edhe Ujët e Shën Vlashit.Për tjera imtime mbi ket shpellë e mal,kam folë në të Përkohshmen “Zani i Shna Ndout”,Maj, Gusht e Shtator 1921. “Sebaste n’Arbëni a po n’Armeni?”.

Germadhat e Kuvendit të vjetër të Franciskajve gjinden në mal të Sebastes e kundruell gjinden rrenimet elashta të Kështjellit të madh e tjera me të gjitha rrethana janë zhvillue  në të Perkohshmen të permendun Maj, Gusht, Shtatuer 1921. Mbi Kishëzën e 40 Deshmorve e mbi “Ujët e Bardhë” kam folë gjatë në Perkohshme të permendun në tre numra të muejv e të vjetit si   nalt. – Këtu due me jau ndalë synin zgjedhësve të nderët. Atë Urban Talija, mbas Roses, thotë se ngjatë Kishëzës së 40 Deshmorve gjindet lëqeni i gjatë nji lidhkë. Gjasët janë të thuesh themelore: Rrafshina qi asht për nën Laç – Sebaste, për nën katund të Gjonëmit e ve e perpiqet me Ndermollëz për nën Zheje, ku gjindet Kishëza e 40 Deshmorve, edhe sot asht të tanë kënetë, sa, sidomos në dimen, së ka burrë qi mund të kalojë nëper ato vende pa gradisë e pa hupë pa shej e pa dukë.

Gjeçovi e njihte mirë prozën popullore dhe e vlerësonte shumë atë si një mjet artistik i domosdoshëm për të edukuar brezat me cilësitë më të mira patriotike dhe atdhetare. Kjo histori e lashtë duhet transmetuar brez pas brezi me qëllim që edhe kombi ynë të tregojë se ka histori të lavdishme krahas popujve të tjerë të Evropës. Gjatë qëndrimit në Laç, ai mblodhi rreth 16 gojëdhana dhe i botoi në revistën “Albania” në disa numra të vitit 1906. Për këtë Gjeçovi thotë: “…Këta punë po i  shkruej këtu o vëlla shqyptar, jo me ndonji qëllim të keq, por se ma ka ana me e pështetë në ta vjetërsinë e kombit tonë… Por ta marrë vesht bota se hyjnitë,mëndyert, e sjelljet besimtare, si Grekët, si dhe Latinët e vjetër i patën prej etënve tonë Pellazgëve”. Ai zgjeron gjeografinë e mbledhjes së tyre pasi në këtë mbledhje nga 16 gojëdhana përfshihen 13 për Kurbinin, një për Tiranën dhe 2 për Mirditën. Për të gjykuar mbi këtë punë, po japim 3 gojëdhana të zgjedhura të shkruara nga autori:

Mullini Fall n’Urdhazë – Kurbi

Kishte pasë vot njiher Skendërbegu me do ushtarë e me dymdhet mushka t’ngarkue me drithë për me blue n’do ‘i mulli t’Hurdhazës.E masi i pat ra ati zallit përpjetë,n’gjithsa mulli si neshi,asnji nuk gjeti tuj punue.I përvol llanat e me ata ushtarë qi i pat me vedi, u vu e me t’shpejti e goditi nji mulli tjetër.Porsa e goditi,e lshoj edhe e bluejti drithët qi pat prun për kët qëllim.Masi maroj s’bluëmit,para se u nisë n’punë t’vet e la kët fjalë:

-Metshin e mos metshin mullitë tjerë,ti kurr mos metsh, -i bani kryq e shkoj.E përnjimen Mullini Fall,jase Mullini i Skendërbegut,si e thrrasin edhe n’ditë tona,bluën; e me qillue se prishet do ‘i her,me pak mun nreqet,por me met krejt nuk ka nollë.Fjala e popullit asht se edhe sod asht guri i ati mullinit qi e ka pasë lanë Skendërbegu.

Vyn me ditë se Mullini Fall s’asht i kurrkuej e i t’gjithve asht; d.m.th. kushdo qi t’shkoin me blue ktu prej gjashtmdhet katuneve t’Kurbinit,ujem s’i napin kuej,por secilli bluen për vedi,ashtu kur t’i çartet do ‘i sen,t’gjashtmdhet katune do ta godisin vllaznisht.

Mali Skënderbeg n’katun T’Vinjallit n’Kurbi.

Tu ba rrug Skendërbegu me ushtri t’vet,i ra shteku me kalue rraz kti mali.T’përvapun prej s’ecmes,i pat ardh net si Skënderbegut,si ushtrisë.U suellën për me gjetë ‘do ‘i krue atypari,por s’kje gja.Skendërbegu atbotë e xuër shpatën prej millit e i ra nji gurit,qi i ra përsyshë ma i pari,i qiti ujët,ashtu piu Skendërbegu edhe ushtria marë mje n’t’ngimë. Porse n’at hov qi duel ujët prej gurit i tha Skendërbegu: -Ktu dalsh e ktu humatsh, -E vërte aj ujët edhe sod rrjedhë si atëherë,porse nji pash prej gurrës ke del,humat e nuk shifet përmi dhe.

Poçi i venës n’shpi t’Malçaive  n’katun t’Skurait n’Kurbi.

E pat qitë tari Skendërbegun me ushtri t’vetë me kalue për katun t’Skurajt,e,si kje lodhë, u nal n’kët katun e për pushim e msyni shpin e Kokë Malçi.Po sa zun ven Skendërbegu e u nreq me ushtarë t’vet,i tha Kokës: -M’than fyti,or Kokë,a thue t’nollë ‘do  ‘i pik venë,t’pi unë e kta vllazen t’mi? -Koka ja priti:

-Posi,or t’u njaj jeta,m’ka nollë nji poç,sa mos me m’korit perenia me ty. -Shkoj Koka e ma para i dha me pi Skenërbegut mje qi s’deshti ma e,kup mas kupet,i rreshtoj edhe ushtrien e Skendërbegut,e ngini,e me kupë n’dorë t’mushme venë i pvette ushtarët Koka:

-A doni ma,or juni? Për marre ja për dhimt mos kqyrni,poçi jem ka edhe ma venë! -Masi s’deshti kush ma,Koka e pshteti kupën m’nji skajë e vot m’u ulë njat Skendërbegut. Zun atëherë me buzë n’gaz,me folë me Kokën Skënderbegu:

-Or Kok,ti m’thae,se veç nji poçë me ven(ë) t’ka nollë e megjithkte ti na ngine marë, çfarë poçi do t’jetë njaj,a munem se si me e pa?

-Po,t’u njat jeta,ja priti Koka,urdhno mrena e shife.Skendërbegu u ngrejt dhe mueren mrapa Kokën.Mrrinë ke poçi.Ç’ka me pa!Kishte pasë kenë sa ‘i vozgë e madhe.Met serian Skendërbegu e s’iu dha tjetër me thanë,por:

-Poçat e Skurajt,brez mas brezit u përmenshin. -E përnjimen edhe sod mahen m’za poçat e kti katunit.E kush don me pasë nji poç të bukur(ë) e t’madh shkon n’Skurai edhe i blenë për mirë kanë edhe i main për gja t’madhe përse thonë:- Poçat e Skurait i ka pasë bekuë Skënderbegu.

Gjeçovi ishte edhe një dramaturg me vlera, madje pikërisht në Laç shpërthen talenti i tij në fushën e krijimit të veprave dramatike. Janë shtatë drama me temë mitologjike dhe historike të shkruara nga Gjeçovi në Laç, veç njëra prej tyre u shkrua në Zarë të Dalmacisë në vitin 1906. Bëhet fjalë për dramën “Tradhëti Gjakësore” një dramë e shkruar me shumë ndjenjë dhe art. Ndërsa të tjerat “Dashtnia e Atdheut” Laç 1901, “Shqiptari ngadhnjyes” Laç 1902, “Prijësi i dy Dibrave” Laç 1902, “Marka Kuli kryeqitës” Laç 1903 dhe “Vrasja e Marka Kulit” Laç 1906, ndërsa drama “Katër të lumet” një pjesë teatrale prej 7 faqesh u shkrua më 1926 në Gjakovë. Drama “Dashtnia e Atdheut” na vjen jo e plotë, ajo ka në qendër ndjenjën patriotike dhe atdhetare, dashurinë dhe mallin për atdhe si kushtin kryesor për fitore ndaj pushtuesve të huaj,ndërsa tek “Shqyptari ngadhnjyes” vë në qendër të saj figurën e trimit Gjon Kastrioti, i cili sakrifikon për atdheun duke i dhënë peng Sulltanit katër djemtë e tij për çështjen e shtrenjtë të atdheut. Drama “Prijësi i dy Dibrave” shtjellon ngjarjet pas humbjes së Skëndërbeut në betejën e Beratit dhe kthimin e Misionit të Dibrës përsëri me Skendërbeun si dhe vendosjen e tij nga kryetrimi si princ i dy Dibrave. Pasqyrohet në këtë dramë ideja e bashkimit,si kusht për të mposhtur çdo rrezik që i kanoset atdheut të dashur. Kur erdhi në Laç – Sebaste, Gjeçovi u njoh edhe me historinë e një trimi zhejan si Mark Kuli, të cilit i kushtoi një dramë “Marka Kuli Kryeqitës”, përmes së cilës përcjell idenë se dashuria për atdhe shton urrejtjen për pushtuesin dhe ngre peshë zemrat e luftëtarëve të vendosur për lirinë e Atdheut.

Përmes këtyre dramave pasqyrohen idetë patriotike dhe dashuria për atdheun nga autori. Po japim një fragment nga drama “Marka Kuli kryeqitës” – 1903. Si ilustrim konkret të ilustrimit të ideve të tij patriotike, po sjellim këtu disa fragmente të nxjerra prej këtyre veprave të tij në dramë Jemi në periudhën kur Esat Pashë Toptani në krye të forcave osmane hidhet në sulm kundër forcave kryengritëse të malësorëve të udhëhequr nga Marka Kuli, i cili është i betuar për çështjen e atdheut, këto ide ai i perserit edhe tek drama tjeter “Kushtrimi”. Le të shikojmë çfarë mendimesh rrihen në kullën e patriotit Gegë Pjetër Kuli nga Bushkashi i Matit në dramën “Kushtrimi” ose “Marka Kuli kryeqitës” shkruar në vitin 1903:

Gega:-U plaka e u thinja e s’e ndjeva në këtë Shqyptari tonë zanin e “ndërtesimeve”.Por se nuk mund t’e di,kjo fjalë “ndërtesim” qi muer dheun,a do të jetë e vërtetë,a po asht prrallë të papunësh…”.

Ndueja:-Na msyni ushtria anadollake!

Marku:-Pa u pri vendi,ata s’kanë shpirt me u dukë në kto ana.

Ndueja:-Besa,or vlla,vetë vendi (tradhtarët e vendit) asht tue u pri.Madje thoshin se Italja i kishte dërgue “Esadit” topat mauzere me pesë të shtyme,për me shtrue Shqypninë.

Marku:-A e huptë Zoti Italjen.Ajo asht ba vetë me lypë,e jo me dhanë.E ku i merr Italja ata topa me pesë të shtyme,mbasi as mbretnitë tjera nuk i kanë?.

Ndueja:-More,…mund të jetë qi ia ka dhanë Italja,mbasi ky Sad Pasha thonë se ka të marrë e të dhanë me të,por tinëz.Shpirti i tij asht Italja.

Marku:-Paska gjetë vorba mbulojsen!.

Ndërsa tek drama “Prijësi i dy Dibrave”, në qendër janë dy figura të njohura historike si Gjergj Kastrioti dhe Moisi Golemi. Në betejën e Beratit ranë thuajse gjithë komandantët e shquar të ushtrisë sonë mes tyre edhe nipi i Kastriotëve Muzaka. Gjergj Kastrioti shfaqet i hidhëruar. Në pjesën dramatike “Prijësi i dy Dibrave”, pas disfatës së Beratit dhe vrasjes së disa prej komandantëve të shquar, në mes të të cilëve edhe nipi i kryekomandantit, Muzaka, Gjergj Kastrioti është i hidhëruar, por kur udhëheqësi i madh pyet dy shqiptarë të thjeshtë për vrasjen e Muzakut e njëri prej tyre i përgjigjet:

Skënderbeu:- A ju ndjeu zemra keq edhe juve,o vllazën,kur e muert vesht vrasën e Muzakut?

Fshatari:-Keq na patne zemrat sa s’kallxohet…Porse dhimba po na lehtësohet,tuj dijtë se,sa na ranë në fushë të trimnisë për liri të Shqypnisë sonë,me mija djelmsh janë gadi për me ngjeshë armët nën hije të Flamurit Tand të madhnueshëm,për të dalunit zot të Atdheut tonë.Mos kjofshin mjaft të rinjtë për me ia thye hundën tyrkut,s’kanë për ta kursye vedin as pleq e as të jetosët, (të lënët nga këmbë e duar).

Skënderbeu:- Janë tuj ma përtri zemrën,fjalët e tua,o plak i bindueshëm.Mos të ligshtohena,pra,se për ta përmbysë kena at… të true (të mallkuar).

Siç vihet re edhe këto pak fragmente mjaftojnë për të dëshmuar se patrioti Shtjefen Gjeçovi, me pikëpamjet kaq të përparuara për kohën kur jetoi, me qëndrimet kaq të vendosura demokratike, antifeudale dhe antiimperialiste,ishte luftëtar sypatrembur për çështjen e shenjtë të një Shqipërie të popullit.

Po në Laç – Sebaste,Gjeçovi shkroi edhe vepra me karakter shoqëror,një prej të cilave qe edhe “Mnera e Prezës”, një novelë e gjatë shkruar me 1902. Në qendër të kësaj novele janë dy personazhë Fatmiri dhe Dashmira, dy të rinj që i nënshtrohen fatit,por që japin një mesazh të qartë dhe kuptimplotë se fjala e dhënë dhe besa e lidhur për një dashuri të vërtetë është baza për një familje të shëndoshë dhe jetë të lumtur. Do të shkëpusim një fragment nga kjo novelë jo vetëm për të dhënë subjektin interesant të saj,por për të treguar edhe pasionin e shkrimtarit Shtjefën Gjeçovi, mjeshtër në këtë fushë.

Largohet nga Kurbini në vjeshtën e vitit 1905 duke marrë me vete një çantë me fletore, shënime dhe  objekte arkeologjike të zbuluara në këtë trevë me histori të rrallë, për tu nisur drejt fshatit arbresh të Zarës në Dalmaci, por për t’u kthyer përsëri pranë miqëve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të tij Kurbinas, kur atë e pushojnë nga puna në vitin 1917 – 1918, për të shkruar ndoshta ndonjë vepër tjetër në këtë zone. Bie në sy fakti se nga 28 vepra dhe studime të botuara nga Atë Shtjefën Gjëçovi 8 prej tyre janë shkruar në Laç – Sebaste, ndërsa 6 materiale ai i nisi në Laç dhe i përfundoi në vende të tjera dhe i botoi vite më vonë. Ndërsa nga 39 materiale që gjenden në dorëshkrim nëpër arkiva të ndryshëm si Tiranë, Shkodër, Beograd, Zarë – Kroaci etj, 14 prej tyre janë shkruar në Laç – Sebaste në vitet 1899 – 1905, ndërsa 7 dorëshkrime i pati marrë të papërfunduara nga Laçi.

Siç edhe vihet re, pjesën më të madhe të krjimtarisë së tij Gjeçovi e përgatiti dhe e shkroi në Laç – Sebaste, për vetë faktin sepse kjo ishte një trevë e begatë që njihej historikisht për burra të shquar dhe histori të lavdishme. Gjithçka ia kushtoi atdheut, por u hesht gjatë sundimit të sistemit totalitar, sepse do të eklipsonte mjaft pseudostudiues të kësaj fushe, prandaj emri i tij u la në hije për t’u kujtuar vetëm pas lulëzimit të demokracisë në vendin tonë. Heshtja për të foli shumë. Ishte vetëm 56 vjeç kur u godit tinëzisht nga dora shoviniste serbe. Ai la pa mbaruar një vepër të madhe. Ëndërronte të shihte vendin e tij të lire, por nuk arriti, sepse u vra me 14 tetor 1929, pranë fshatit Zym. Ai u flijua për çështjen e madhe të kombit të tij, për çështjen e kulturës, për çështjen e lirisë. U vra nga dora gjakatare serbe për t’u kujtuar ndër mote.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok