21/12/2024

Atdhetari i pamposhtur Abas Kupi në një monografi shkruar nga shqiptaro-amerikani Makensen Bungo dhe botuar nga “Gjonlekaj Publishing”, New York, 2001

0
Bungo-Abaz-Kupi

Ç’prej momentit të parë që u sulmua toka e jonë e shenjtë prej armiqve fashistë, ne kemi qenë ata që kemi bërë çmos për të shpëtue nderin kombëtar dhe jemi përpjekur për bashkim të përgjithshëm dhe bashkëveprim me te gjithë shqiptarët pa dallim rryme dhe ideologjie. Ne jemi përpjekur për bashkim dhe vëllazërimin e shpirtrave, për të larguar luftën civile dhe për të siguruar luftën e përbshkët, për shporrjen e okupatorit prej tokës sonë të shenjtë.” – Abas Kupi, 22 tetor 1944

Jeta dhe veprimtaria e Abaz Kupit janë shembuj të ndritshëm të dashurisë, të dedikimit, të sakrificës dhe të vetëmohimit në shërbim të Atdheut të lire. Për ma se një gjysmë shekulli, ai asht dallue si luftar, si organizues dhe si udhëheqës në përpjekje për të fitue lirinë dhe pavarësinë shtetërore, dhe po ashtu për sigurimin dhe forcimin e kësaj qënie të lire shqiptare. Jeta e tij asht e mbushun me përpjekje për këtë ideal ndaj Atdheut, qoftë kundër ndërhymjeve të shtetëve fqinje për të pengue nga mbrenda konsilidimin filletar të shtetit të ri shqiptar, qoftë kundër qëllimeve imperialiste të fuqive të huaja, qoftë edhe kundër aaj shoqnie shqiptare e vetqujtun përparimtare, që ishte ba vegël qorre e Ndërkombëtares Komuniste në shenjat ruse-serbe, ne drejtim me robnue kombin shqiptare.” – Makesen Bungo, shkrimutar, New York

Nga Klajd Kapinova

Një jetëshkrim i veçantë mbi atdhedashësin e shquar Abas Kupi

Shumë rrallë dhe për më tepër vetëm në vitet e demokracisë në Shqipëri, fatmirësisht është shkruar dhe folur me fakte konkrete historike për veprimtarinë dhe jetën e madhe të nacionalistit të shquar të botës shqiptare në vendlindje dhe diasporë, personalitetin e paharruar Abas Kupin.

Aktiviteti dhe puna e tij e shumanshme në dobi të nacionit tonë, është ende e panjohur sa dhe si duhet. Për më tepër, gjatë sistemit të anatemimit dhe përbaltjes papushim të vlerave të pastra kombëtare shqiptare nga komunizmi i zi dhe servilët apo beniaminët me emrin absurd “studiues” komunistë, për shumë dekada, të cilët në unison hodhën vrerë dhe baltë, duke nxinë dhe gënjyer non stop 24/7 dhe hapur mbi aktivitetin dhe përkushtimin patriotik të nacionalistit Abas Kupi në vendlinje dhe këtu SHBA.

Kjo vepër e re letrare dhe historike si një pronë e punës së palodhshme krijuese, hulumtuese dhe shkencore e studiuesit skrupuloz Makesen Bungo, është e mirëpritur sot në qarqet e kulturës dhe historiografisë mbarëshqiptare dhe në veçanti në diasporën tonë këtu në SHBA, sikurse dhe në shtetin amë Shqipëri, Kosovë dhe Çamëri, si fryt i një pune të mirëfilltë shterruese shkencore dhe historike, me vlera të veçanta njohje në llojin e vet.

Redaktori i kujdesshëm e i talentuar, gazetari me përvojë i komunitetit tonë Dalip Greca[1], është përkujdesur njësoj sikurse shkrimtari i talentuar, autori i veprës në fjalë Makesen Bungo, duke i dhuruar më sëfundi Atdheut dhe trojeve etnike shqiptare figurën e Abasit në mënyrë originale, të gjallë dhe të pavdeshëm, në përjetësi.

Duke lexuar dhe rilexuar me shumë kujdes, përmes përjetimit historik ndihesh sikur je pranë personalitetit të madh dhe të shquar nacionalistit antikomunist të pamposhtur dhe sypatrembur Abas Kupit.

Stili dhe mënyra tërheqëse e të rrëfyerit, janë gërshetuar me finesë me materialet dhe dokumentet e pasura origjinale historike, janë një mjeshtëri e art në të shkruarit të autorit bashkëvuajtës nga qyteti i Elbasanit, dissidenti Makesen Bungo.

Për të tillë burra të shquar të nacionit shqiptarë, ka pasur dhe ka ende sot nevojë të edukohet, informohet dhe të ripërtërihet në vlera tradicionale patriotike rinia postkomuniste dhe populli ynë, i lodhur nga historiografia e shterpë komuniste dhe shërbëtorët e saj sharlatanë, që përsëri edhe sot fatkeqsisht po vijojnë të zhgarravisin apo shkruajnë në kllapi dhe vesh si në kohën e monizmit të diktatorit antishqiptar Enver Hoxha (alias Dullës së Gjinokatrës).

Duke depërtuar nëpër arteriet e kapitujve të veprës së re monografike, kushdo e kupton, se je futur në vërtetësinë e ngjarjeve dhe fakteve origjinale historike, të ofruar me kulturë dhe stil të ëmbel narrativ nga shkrimtari me përvoj Makesen Bungo, duke na shpalosur shembullin pozitiv të shërbestarit të nacionit dhe të Flamurit shqiptar, me të cilin ishte rritur e mbrujtur personazhi i tij atdhetar, i cili shfaqet natyrshëm faqe pas faqe, përgjatë jetëshkrimit të personalitetit zëmadh Abas Kupit.

Abasi, ishte dhe mbeti deri sa kaloi në amshim një fytyrë e ndritshme e dashurisë, sakrificës, përkushtimit ndaj nacionit dhe Atdheut të tij të dashur për shumë dekada. Ai sakrifikoi një jetë të tërë, në shërbim të vazhdueshëm të vatrave patriotike martire shqiptare.

Sikurse e shohim vazhdimisht në ditët tona, shumë studiues dhe shkrimtarë të moshave të ndryshme, me ose pavetëdije shpesh bijnë në përsëritje në stil dhe në mënyrën se si e ndërtojnë monografinë e tyre shkencore dhe historike, duke sakrifikuar fatkeqsisht kështu gjithë atë material të pasur, që kanë vjelur apo akumuluar ndër vite, dhe duke mos arritur fatkeqsisht në fund të realizojnë qëllimin e tyre të mirë.

Por, kësaj radhe sikurse shihet shumë kjartë, në këtë monografi kemi tërësisht një paraqitje të veçantë dhe dinjitoze të veprës jetëshkrimore nga studiuesi dhe letrari ynë i palodhur Makesen Bungo dhe redaktori i kujdesshëm i veprës në fjalë gazetari shqiptaro amerikan Dalip Greca.

Pesë dekadat e jetës e aktivitetit patriotik të personazhit kryesor Abas Kupi, esencialisht lexohen këndshëm dhe rrjedhshëm, duke e dalluar apo lartësuar me të drejtë Abasin shumë mirë si luftëtar trim dhe të pamposhtur, atdhetarë dhe përkushtues të flaktë, organizues dhe udhëheqës të aftë dhe largpamës, në përpjekje e tij të reja dhe të pashtershme, për të fituar lirinë dhe pavarësinë shtetërore njëherazi nga pushtuesit nazi-gjermanë dhe nazi-komunistë dhe për forcimin dhe sigurimin e qënësisë së lirë të mbarëshqiptarëve në trojet etnike asokohe.

Kontributi i shquar i Abas Kupit, është i mbushur gjithnjë me përpjekje për këtë ideal dhe si një rrymë atdhedashurie të pashuar dhe sublime, që e pëshkon tërësisht monografinë në fjalë, përkushtuar me dashuri, theks shkencor dhe nota të ndezura narrative tërheqëse letrare nga vetë autori i veprës historike, ish i denuari e i përndjekuri politik nga regjimi totalitar komunist, shkrimtari i shquar dissident Makesen Bungo.

Me interes, përgjatë faqeve të bukura të veprës, lexuesi mund të kundroj aspektet e rëndësishme të aktivitetit të dendur dhe cilësor të patriotit Abas Kupi në dobi të Atdheut, qoftë kundër ndërhyrjeve të shteteve fqinjë për të penguar nga brenda konsolidimin fillestar të shtetit të ri shqiptar, ashtu edhe kundër qëllimeve asokohe pushtuese të shtetëve shoviniste dhe megallomane.

Personazhi kryesor i veprës së re Kupi, natyrshëm është shquar për krijimin e një shoqërie bashkëkohore shqiptare përparimtare europerëndimore, duke iu larguar dhe dënuar gjithnjë e më shumë rrymat politike bolshevike dhe marksiste lindore europiane, që si sëmundje kancerogjene kishin depërtuar dhe fatkeqsisht kishin prekur keq trungun (trupin) shqiptar, individët dhe një pjesë të shoqërisë së pashkolluar dhe varfanjake shqiptare, si pasoj e importimit të shpejtë ideologjisë boshe ortodokse marksiste, leniniste të Rusisë, përqafuar  fatkeqsisht nga leninisti i pandreçshëm apo peshkopi i kuq, enveristi Fan Stilian Noli dhe komunisti stalinist dhe fanatik Ali Kelmendi asokohe.

Nëse ndonjë shqiptar nuk e di apo nuk ka pasur shansin dhe fatin të mësoj punën e madhe patriotike, që ka bërë biri i denjë i tokës së Arbërit nacionalisti Abas Kupi, tashmë sot ka mundësi që të ketë në dorë një vepër serioze monografike (e cila fatmirësisht ndodhet online në Amazon), me të gjitha të vërtetat e historisë të përshkruara thjeshtë nga shkrimtari ynë Bungo.

Sikurse shihet kjartë edhe në veprën shkrimore që kemi në dorë sot, shohim se ajo në brendsi është edhe historia e jetës së tij brenda popullit shqiptarë në vendlindje, sikurse edhe këtu në diasporën e SHBA-së, pranë familjes së tij, dhe komunitetit shqiptaro amerikanë, ku nacionalisti Abas Kupi kaloi një pjesë shumë të mirë të jetës së tij tepër aktive, me përmbajtje të theksuar nacionaliste, deri sa kaloi në amshim apo jetën e pasosun, sikurse thoshte vazhdimisht, në shenj nderimi dhe respekti (për mikun e vet të ngushtë Abas Kupin), personaliti ynë brilant, kleriku dhe patrioti i shquar i komunitetit shqiptaro amerikanë, antikomunisti i përbetuar, Themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989).[2]

Duke parë me kujdes përmbatjen e pasur të veprës monografike kushtuar Abas Kupit, shohim se ajo është e ndarë në 10 kapituj, të cilat vijnë dora-dorës me një lidhje dhe vijimsi të plotë organike, duke konturuar plotësisht dhe natyrshëm figurën e madhe të nacionalistit të shquar mbarëshqiptar.

Jetëshkrimi në fjalë, fillon me pjesët interesante historike, si:

“Rinia” (Pjesa e Parë);

“Në rrjedhat e jetës” (Pjesa e dytë: Hakmarrja, Unë pyes vetëm për Shqipërinë, Në Koplik, Takimi me Ahmet Zogun, Lufta e Krujës, Kyengritja e Elez Isufit);

“Oficeri i xhandarmarisë” (Pjesa e tretë: Abas Kupi afrohet me Ahmet Zogun, Oficeri i xhandarmarisë, 7 Prilli);

“Kthimi në Atdhe” (Pjesa e katërt: Në megrim, Në Shqipëri, Komandanti);

“Nga Peza në Mukje” (Pjesa e pestë: Në Konferencën e Pezës, Në Labinot, Në Mukje, Ne Qafë Shtamë);

“Pushtimi nazist” (Pjesa e gjashtë: Shqipëria rënkon nën pushtimin nazist, Mirt’hat Frashëri dhe Abas Kupi, Si u hodh në erë Ura e Gjoles!? Me oficerët anglezë, Çeta e Rinisë);

“Vëllavrasja” (Pjesa e shtatë: Në themelimin e organizatës kombëtare “Lëvizja e Legalitetit”, Takimi i fundit, Në kërkim të bashkimit kombëtar, Drejt Burrelit, nëna e Malësisë, Balli dhe Legaliteti në marrëveshjen e përbashkët, Përpjekja e fundit, Largimi);

“Jeta e kampeve” (Pjesa e tetë: Nga Brindizi në  Egjipt, Komiteti Kombë tar “Shqiperia e Lirë”);

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” (Pjesa e nëntë: Në New York, Nëpër Kongrese, Pleqëria, Nën peshën e kujtimeve për Shqipërinë, Vdekja, Shtypi për vdekjen e Abas Kupit);

“Vlerësimi” (Pjesa e dhjetë: Shqipëria Etnike dhe Abas Kupi, Persekutimi, Vlerësimi);

“Heronjtë nuk vdesin” (Pjesa e njëmbëdhjetë: Kangë për Abaz Kupin, Bajram Curri në Tiranë, Abaz Kupi trim drague, Ditën e hane tuj dalë drita, Hajde-hajde o Abaz Kupi!, Vargje për Abas Kupin, Lulja e harresës, Shtatë prill, kujtim i zi, Shtatë prill 1939, Bazit të Canës, Abaz Kupi, Opinione, Abaz Kupi, një nga shtyllat e mbrojtjes kombëtare, heroi i 7 prillit);

Përmbajtja” dhe një “Resume” në shkruar gjuhën angleze (Abaz Kupi: The unknown life of The hero of anti-fascist resistance).

Në këtë rast, shohim se përkthimi në anglisht i esencës së vepres se re, është bërë fatmirësisht në mënyrë shumë korrekte dhe të saktë, ku fatmirësisht shqiptaro amerikanët e rinj këtu dhe vetë gazetarët e studiuesit albanologë amerikanë, kanë se çfarë të mësojnë nga historia e vërtetë dhe e lavdishme e nacionalistit brilant të kombit shqiptar Abas Kupi.

Dhe me këtë vepër, ish i pëndjekuri politik shkrimtari dissident Makesen Bungo nderoi vetën dhe personazhin e tij, duke qëndruar burrërisht dhe stoik në qëndrimet e tij antikomuniste dhe mbrojtur me dinjitet dhe vërtetësi ish bashkëvuajtësin e kohës së tij nacionalistin e paharruar dje dhe sot Abaz Kupin.

Shkrimtari Bungo, në këtë mënyrë vendosi një gur më shumë të çmuar në xherdanin e artë të fytyrave të ndritura të atdhedashurisë së kombit tonë martir ndër shekuj.

Ndoshta, do të ishte me rëndësi, që të vihet në dukje, se autori Makesen Bungo për hartimin e kësaj vepre, ka mbledhur me durim dhe qëllimin fisnik si një bletë punëtore shumë të dhëna gojore të bashkëkohësve kujtime dhe dokumente të ndryshme nga zotërinjtë: Petrit Kupi, Enver Shaskaj, Fuat Myftija, Ndrecë Gjergji, Bradhok Ndreu, Atdhe Dungu, Nderim Kupi dhe sidomos Ramiz Dani, i cili, autori thekson se është edhe nismëtari për hartimin dhe botimin e kësaj vepre, duke e ndihmuar shumë autorin për hartimin e plotë të kësaj monografie serioze shkencore dhe historike.

Autori, në shenjë mirënjohje dhe respekti falënderon të gjithë, miqtë dhe dashmirësit, bashkëluftëtarit e patriotit të madh Abas Kuqit, mbasi pa kontributin e tyre kjo vepër do të ishte e mangët dhe e pamundur që të botohej e plotë.

Për hartimin e veprës, sikurse shihet kjartë, është dlirë dhe hulumtuar me kujdes një literaturë e pasur dhe e larmishme në diasporë dhe nga autorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, libra, dorëshkrime, shtypi i kohës, si dhe koleksionet e gazetave dhe revistave të përkohshme në vendlindje dhe diasporë, si: “Atdheu”, “Balli i Kombit”, “Bota sot”, “Dielli”, “Illyria”, etj., në botuar Shqipëri, Kosovë e gjetkë.

Vepra e re narrative luksoze, ka në ballinë portretin e patriotit dhe personalitetit të shquar në jetën politike dhe shoqërore në diasporë dhe vendlindje të Abas Kupit dhe është botuar me përkujdesin e veçantë nga Shtëpia e njohur Botuese shqiptaro amerikane “Gjonlekaj Publishing” në New York të SHBA-së, në vitin 2001.

Kush është nacionalisti atdhedashes Abas Kupi?[3]

 

Duke respektuar të gjitha të drejtat e autorit të monografisë studiuesit dhe letrarit Makesen Bungo, nuk dua të shkruaj mbi të rejat historike, që zbardhen në vepër për herë të parë nga autori, por në mënyrë telegrafike dua të përshkruaj truallin, se ku punoi për 50 vjet me radhë intelektuali dhe personaliteti i spikatur Abas Kupi dhe vetë shkrimtari ynë dissident Makesen Bungo, brenda tutelës së hekurt të juntës ushtarake, të fashistëve të kuq, ku ishte mbërthyer fatkeqsisht për 50 vjet Shqipëria ateisto-komuniste, ku jeta e përditshme ishte kthyer në një ferr të vërtetë, ku të gjithë shqiptarët ishin të mjerë dhe burgosur asokohe.

Autori Bungo, me të drejtë e fillon monografinë e tij me kapedanët, që kanë pasur dhe kanë shtete e tjera të botës, princër, mbretër, perandorë, presidentë, apo personalitete të tjera të shquara të fushave të ndryshme, që me të drejtë vazhdimisht janë respektuar nga popujt e tyre gjatë shekujve.

Ndryshe ndodhi e po ndodh shpesh në vendin më të çuditshëm në botë, që ka emrin e bukur Albania dhe albanët fatmirësisht, që jetojnë në trojet e tyre etnike, mbasi kështu na njeh historikisht deri më sot bota.

Afërsisht 200 faqet esenciale të monografisë, natyrshëm shoqërohen me shumë foto origjinale të kohës bardh e zi, të cilat hijeshojnë dhe e rrisin edhe më shumë seriozitetin, dinjitetin dhe vërtetësinë e veprës në fjalë.

Ky prijës i lirisë shqiptare, radhitet sipas autorit të monografisë me të drejtë përkrah: Mic Sokolit dhe Azem Galicës, Spiro Bellkamenit dhe Shaban Polluzhës, Isa Boletinit dhe Selam Salarisë, Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos, Dedë Gjon Lulit dhe Bajram Currit, Idriz Seferit e Sef Kosharja, për të ardhur sipas mendimit tim tek mijëra e mijëra Adem Jasharë të UÇK-së në Kosovë që luftuan kundër makinës shfarosëse serbe, në trojet etnike shqiptare, detyrë të cilën e kishte në zemër vazhdimisht edhe Abas Kupi.

Shpesh sikurse dihet nga nëna histori, krahina e Krujës, ka qenë vendi i heronjve të vërtetë dhe mbi të gjitha kryetrimi i Arbërisë ose Ati i Kombit tonë Gjergj Gjon Kastriotit, që për 25 vjet me radhë bëri që të dridhet Evropa e përgjumur, për qëndresën e tij stoike, kundër Perandorisë Xhihadiste Islame Otomane të “pathyeshme” ose turke asokohe, që kishte pushtuar dhe shkatërruar mizorisht deri në temel vendin dhe popullin tonë dhe pas vdekjes së Heroit Nacional Skanderbegut… pushtuesi mizor islam otoman, u hakmarr barbarisht ndaj rezistencës 25-vjeçare arbërore dhe e mbajti vendin dhe popullin tonë martir në morsën shkatërrimtare për 500 vjet me radhë…

Saktësisht 132 vjet më parë lindi Abaz Kupi në Krujë, në një ditë të nxehtë gushti, më 6 gusht 1892. Autori Bungo, është futur në thellësi të origjinës së Kupëve, duke theksuar se ata nuk janë vendas, por të ardhur në Krujë (Kurbin).

Biografi dora-dorës, ka pëshkruar me hollësi gjithçka që ka hulumtuar, lexuar, mësuar dhe dëgjuar nga bashkëkohësit apo shtypi periodik në diasporë dhe pas 1991 në Shqipëri mbi Kupët dhe birin e tyre të denjë Abas Kupi.

Vepra e mirëseardhur, vjen në një kohë dhe situatë kur në Shqipëri po shkruhet shumë për “historitë” me përralla të “lavdishme” të diktatorëve shqiptarë, në gazetat dhe revistat e majta globaliste, duke privuar shqiptarët për të parë edhe anën tjetër të medaljes, se kush kanë qenë dhe mbetën historikisht bijtë më të denjë të popullit shqiptar.

Sot, fatkeqsisht harxhohen me mijëra ton letra, bojë dhe dollarë, propaganda 24/7 non stop, për t’i mbushur mendjen shqiptarëve naiv, se diktatori antishqiptar gjinokastrit (kujtojmë vitin e mbrapsh 1998, kur nga një anketë e gazetës “Koha Jonë” (Tyne) humanistja Nënë Tereza dhe kryetrimi shtetit arbëror Gjergj Gjon Kastrioti (Skanderbegu), në menyrë idiote, absurde dhe fyese u radhitën pas Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, etj.

Për më tepër, në kapitujt e “Historisë së Shqipërisë”, (Tiranë, 2002) nuk përmendet Abas Kupi, ose nëse rastësisht citohet ky personalitet dhe më shumë trajtohet sipas syzeve negative të sistemit dhe propagandës diskriminuese të Enver Hoxhës, mbasi ata që po e rishkruajnë “historinë” janë të njëjtit persona, që kanë zënë vendet kyçe në departamentet apo insitutet e historisë, fondacione, ministri dhe departamentet e “kulturës” propagandistike neo-komuniste.

Për të qenë realisht i saktë, është më mirë t’u thuhet brezit të ri sot, se ato kurrë dhe asnjëherë nuk do t’a mësojnë realisht historinë e Shqipërisë, të saktë dhe me pa-anshmëri sot po nga ato punonjës (mercenarë) me rrënjë të ideologjisë së dikurshme komuniste dhe sot neo-komuniste, mbasi ato ende fatkeqsisht vegjetojnë me pushtet politik kudo si “studiues” dhe “historishkrues” servil dhe dritëshkurtër.

Po të lexosh me kujdes “veprat” e diktatorit Enver Hoxha, del se Abas Kupi është i paraqitur me epitetet më negative, si: një legalist tradhëtar, reaksionar, armik i popullit, agjent i CIA-s, KGB-së, UDB-së, Vatikanit, Serbisë, Greqisë e shumë epitete të tjera, që për çudi dhe fatkeqsisht kanë zënë rrënjë të thellë edhe në mendjet e hartuesve të teksteve për shkollat e mesme dhe ciklin e leksioneve propagandistike të majta globaliste shterpe, në universitete apo kolegje në vendlindje.

Vepra “Abaz Kupi” (New York, 2001), shkruar me fakte dhe argumenta nga studiuesi dhe letrari dissident Makesen Bungo, është një vepër e mirëseardhur për qarqet atdhetare dhe nacionaliste mbarëshqiptare dhe mbaratdhetare, që e kanë kujtuar gjithnjë në heshtje, gjatë kohës së diktaturës… dhe pas vitit 1991 me shkrime e libra (të integruar me personazhe të tjera të personaliteteve të anatemuar shqiptarë), kumtesa dhe përvjetore në shenjë respekti dhe mirënjohje, për misionin e tij të madh, në përkushtim të Atdheut të dashur dhe të shqiptaro amerikanëve këtu në SHBA, ku ai përkujtohet vazhdimisht çdo vit nga legalistët në ditëlindjen e tij.

Pak fjalë për autorin Makesen Bungo dhe redaktorin Dalip Greca

Dy autorë të ndryshëm Makesen Bungo dhe redaktori i talentuar dhe gazetar i njohur Dalip Greca, kanë bashkuar energjitë e tyre, talentin dhe dhuruar kohën për të nxjerrë në dritë një vepër shkrimore me të gjithë elementet bashkëkohorë që përmban hartimi i një monografie.

Ndonëse larg shtetit amë Shqipërisë autori Bungo dhe redaktori Greca, janë përpjekur me korrektësi të shkruajnë në gjuhën e bukur shqipe, ç’ka nuk ngjet shpesh në shumë libra që vijnë nga diaspora në vendlindjedhe për më tepër nga SHBA, që ndër shekuj bluan kultura dhe gjuhë të popujve nga vijnë dhe vendosen emigrantët.

Me sa duket, përvoja e pasur dhe talenti në të shkruar, pa përsëritje dhe fjalë të huaja (huazime) të pakuptueshme, kanë bërë që vepra kushtuar nacionalistit të flaktë Abaz Kupit të radhitet me dinjitet në fondin e artë të librave monografikë si të veçantë në llojin e tyre.

Puna voluminoze dhe përkushtimi atdhetar i autorit Bungo dhe redaktorit të kujdesshëm e të pasionuar Greca, ka bërë, që tashmë lexuesit shqiptarë të kenë në dorë një vepër origjinale, të cilën me vështirësi ose aspak s’do t’a kishin bërë një departament historie në Universitetin e Tiranës apo departamentet shkencore të Akademisë së Shkencave, që më shumë sot fatkeqsisht merren me promovimin e librave të diktatorëve komunistë, sesa të nacionalistëve e atdhetarëve të vërtetë etnik shqiptarë.

Shpirti dhe dashuria, për të kryer këtë shërbim ngaj popullit shqiptar dhe miqve, kanë bërë ka bërë që autori Makesen Bungo dhe redaktori i monografisë gazetari dhe redaktori i palodhur Dalip Greca të mirëpriten në Shkodër, Tiranë, Krujë dhe Kosovë, për këtë vepër cilësore dhe luksoze, që i kanë ofruar lexuesit dhe studiuesve të rinj shqiptarë.

Një fjalë e urtë franceze thotë: “Lavdia e tij (në rastin tonë personalitetit Abaz Kupi) s’ka nevojë për asgjë (mbasi flet vetë vepra e tij) e jona (autorit e redaktorit) ka nevojë për Të”.

Kush është dissidenti Makesen Bungo (1926-2018)

Makeseni, lindi më 14 prill të vitit 1926, në Elbasan, ku aty ai kreu shkollën Normale të këtij qyteti dhe Institutin e Lartë Pedagogjik, Fakultetin Gjuhë-Letërsi.[4]

Ai u arrestua në vitin 1946 dhe më 12 tetor të po atij viti, Gjykata Ushtarake e Elbasanit e deklaroi fajtor për “krime kundër shtetit” dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe konfiskimin e pasurisë.[5]

Dissidenti Makensen Bungo, në qelitë e frohta të burgut provoi shtazërinë komuniste… nga torturat e egra të hetuesisë së diktaturës komuniste dhe pa shpesh vdekjen me sy si në Kënetën e Maliqit, në kampin famkeq të Vloçishtit etj.

Akuza e fabrikuar ishte “Agjitacion e propogandë”, e konsideruar si krim kundër shtetit! Dhe pse? Eshtë e habitshme, por duhet thënë hapur… Sipas kujtime të bashkëkohsve të tij, thuhet se asokohe Makeseni kishte thënë në biseda të lira mes miqëve, se Kosova është e robëruar…

Për këtë arsye, gjatë kohës së diktaturës së mërhumit gjinokastrit, Makeseni nuk u lejua që të botoj asnjëher dorëshkrimet e tij. Ai nuk ishte asnjëherë antar i Lidhjes së Shkrimtarëve Komunistë të Shqipërisë, të drejtuar asokohe nga Enver Hoxha, Ismail Kadare, Dritëro Agolli etj.

Dissidenti Makensen Bungos edhe kur ia dhanë të drejtën e mësimdhënies, sipas diplomimit e dërguan në zona të thella, në fshatra humbura (të lënë mbas dore me qëllim nga regjimi komunist) të Tepelenës, Gjirokastrës dhe Fierit.

Dhe më 26 shkurt të vitit 1947, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Qendrës Elbasan urdhëroi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij familjare, të luajtshme dhe të paluajtshme.

Makesen Bungo, sikurse mësojmë nga burimet historike të kohës, është bashkëvuajtës i shkrimtarit Et’hem Haxhiademi, në burgun vdekjeprurës dhe famkeq për krime mosturioze të Burrelit.[6]

Antikomunisti i pamposhtur Makesen Bungo, u lirua nga qelia e burgut në vitin 1950. Asokohe pasi doli nga burgu, Mekeseni punoi si mësues në disa zona të thella malore, ku nuk dëshironte të shkonte asnjë mësues tjetër nga qyteti apo Tirana…

Disidenti Makesen njeri brilant në shpirt dhe fjalë embël

Unë e kam pasur mik dhe flisnim shpesh për shumë libra dhe persekutimin e Klerit Katolik Shqiptar 1944-1990, të cilët ai disa prej tyre i ka njohur nga afër në burgjet e rregjimit komunist.

Zëri i tij si i një shenjti në telefon, si gjithnjë vinte i shtruar dhe i qetë. Ai fliste me fakte dhe gezohej në shpirt kur botohej ndonjë libër dhe jetëshkrim për figurat e shquara të dissidencës shqiptare, që ishin përbaltur pa të drejtë gjatë kohës zezë të nazi-komunizmit dhe vazhdonin të injoroheshin me heshtje deri sot nga neo-komunistët në pushtet…

Makeseni ishte gjithnjë i pari, që me uronte në telefon për festat fetare të Krishtlindjes, Pashkën, Vitin e Ri dhe Ditën e Flamurit. Ai më dhuoi me autograph të gjithë librat e tij dhe biografinë e jetës së tij.

Falë punës së tij të palodhshme në fushën e letrave shqipe, ai ishte një ndër bashkëpunëtorët e palodhur për shtypin e diasporës sonë këtu due shkruar në gazetat e perskohshme të komunitetit tone, si: “Illyria”, “Bota Sot”, ”Dielli”, “Jeta Katolike” etj., ku kontribuoi vazhdimisht me studime, artikuj, poezi etj. Shkrrmtari Bungo, ishte antar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë, themeluar në vitin 2001 në New York…

Me vetërënien apo vetëdegradimin e regjimit të dekompozuar komunist shqiptar, shkrimtari dissident Bungo shfaqi talentin e tij, të fshehur në dessidencë, ku filloi të botoi disa vepra, si:

Këneta e vdekje” (Roman, 1996). Kjo vepër e suksesshme u ribotua edhe 5 herë të tjera në vitin 2009 dhe fatmirësisht u botua edhe në gjuhën e bukur angleze)

Abaz Kupi” (Monografi, New York, 2001);

Nëna kosovare” (Poemë, 2003);

Gruaja me të zeza” (Tregime, 2008);

Rrugëtim me psherëtima” (Roman, 2009);

Varret” Poemë;

Albumi “Mesazh”, kushtuar Musine Kokalari” (Monografi)

Ka lënë në dorëshkrim vëllimin me tregime “Nga mesi i errësirës”.

Ky vend ka zot”, dramë.

Mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989), si mik i ngushtë bën Lutje shpirterore tek varri i nacionalistit të flaktë Abaz Kupit

Shkrimtari dhe studiuesi bashkëkohor shqiptaro amerikan Tomë Mrijaj, në librin e tij monografik kushtuar prelatit të komunitetit katolik shqiptaro amerikanë, me titull: “Monsinjor dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”, (Jetëshkrim), botuar në New York 2009,[7] për herë të parë zbadh një ngjarje shumë të rëndsishsme historike, në lidhje mes nacionalistit Abaz Kupi dhe mikut të tij të ngushte mons. dr. Zef Oroshit, të cilën po ofroj ngjarjen origjinale, të peshkruar me shumë kujdes nga vetë publicisti Mrijaj:

Isha duke udhëtuar me makinë drejt aeroportit J.F.K. Për fatbardhësi, nuk kishte trafik makinash gjatë rrugës. Porsa mbrritëm pranë varrezave në Forest Hills, Queens New York, mons dr. Zef Oroshi më tha, që të kthehemi tek varri i General Abaz Kupit. Duke qenë dakort me mendimin e tij, ngadalë iu afruam banesës së amshimit. Mons Oroshi, shumë i emocionuar tha fjalët: “Miku im Abaz! E kreva amanetin tand dyfish.” Mbasi tha disa uratë për shpirtin e tij, vendosëm disa lule të freskëta dhe më pas ne morëm rrugën e kthimit në shtëpi.

Gjatë vazhdimit të udhëtimit, e pyeta imzot dr. Zef Oroshin, se cili ishte ai amaneti i dyfishtë, që u shprehe para varrit të nacionalistit të madh Abaz Kupit? Ai mbas një heshtje të shkurtë, drejtoi sytë nga unë e i përqëndruar thellë në historitë e së kaluarës, shtoi: “General Abaz Kupi, para se të kalonte në amshim, ma kishte lanë të shkrueme amanetin e çekun me nji shumë të caktueme, për t’i thanë meshë për nji vit.

Nji ditë, më kishte dalë nga kujtesa e nuk isha i sigurt, se a i kam çue të gjithë meshët sipas rradhës. Dhe kështu e vijova nji vit tjetër sërisht me ma shumë kujdes, që të mos e kaloi ndonji ditë pa thanë meshë për shpirtin e nacionalistit të shquem General Abas Kupit.

Për këtë erdha sot, me kujtue mikun tem të paharruem, për t’i thanë, se ia kreva amanetin dyfish, duke thanë meshë 2 vjet me rradhë.

Ky burrë i madh i popullit shqiptar, që shkriu gjithçka për Atdheun tonë meritonte ma shumë respekt. Edhe sikurse ai të mos ma lente këtë amanet, që nuk e tretë as dheu, unë isha përgatit të veproj, sikurse kam veprue deri tashti në kujtim të shpirtit të tij të pavdekshëm. Pushoftë në Paqe!”. Kështu gjatë gjithë rrugës dhe sa herë që binte fjala për General Abaz Kupin, ai shfletonte nga kujtesa shumë kujtime të bukura për mikun e tij të shtrenjtë nacionalist Abaz Kupin.”

[1] Dalip Rexhep Greca (1950-2022). Mësimet bazë i mori në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në vitin 1969 në Gjimnazin Abas Shehu në Tepelenë. Ai studioi për Gjuhë dhe Letërsi shqipe, në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër në vitet 1969-1971 dhe në vitet 1971-1974 kreu shërbimin ushtarak të detyruar në Marinë. Në vitin e fundit të shërbimit ushtarak Dalipi nisi me korrespondencë studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori Filologji pranë Departamentit Gjuhë Letërsi, të cilat i përfundoi në vitin 1976. Si mësues gjuhë letërsie punoi në arsim deri në gusht të vitit 1983, kohë kur filloi punën si gazetar (redaktor) për kulturën dhe sportin në gazetën lokale lushnjare “Shkëndija” deri në vitin 1990. Në korrik të vitit 1999 emigroi në SHBA dhe për 10 vjet (1999-2009) punoi si redaktor i gjuhës shqipe pranë gazetës shqiptaro amerikane Illyria. Asokohe ai paralelisht nisi dhe përfundoi studimet 2-vjeçare në Institut Tecnnology of Business në New York. Në gusht të vitit 2009 dhe deri sa mbylli sytë në vitin 2022, ai filloi drejtimin e gazetës tjetër shqiptaro amerikane Dielli (1909), në New York, organ i Federatës Panshqiptare Vatra (1912).

[2] Tomë Mrijaj, “Monsinjor dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”, (Jetëshkrim), New York, U.S.A., 2009, f. 128-130.

[3] Abaz Kupi (1892-1976) i njohur dhe si Bazi i Canës (Abazi i Hasanit, në të folmen e vendlindjes) ishte ushtarak dhe aktivist i çështjes kombëtare, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me zbarkimin e italianëve në Durrës me 7 prill 1939 mbajti qëndresë për 36 orë. Abazi lindi në lagjen Varosh të Krujës, në një familje që e kishte origjinën nga Kurbini. Bashkëpunon me Esat pashë Toptanin në nëntor-dhjetor të 1914, kur bashkë me parinë e Krujës vendosin t’i bien Lëvizjes së Shqipërisë së mesme. Me formimin e qeverisë kombëtare të Lushnjës, së bashku me Bajram Currin e Ahmet Zogun ai mori pjesë në Luftën e Koplikut. Merr pjesë në kryengritjet e M. Merlikës, Bajram Currit dhe Elez Isufit në shkurt-mars 1922. Gjatë vitit 1924 qendroi neutral, kapiteni Prenk Pervizi e afroi me Zogun, i cili më vonë e ngarkoi të shërbejë si komandant i xhandarmerisë në Krujë me gradën e kapitenit, që zyrtarizoi ndikimin e Bazit në vendlindje. Më vonë u gradua major dhe shërbeu në Durrës më 1934. Në ditët e agresionit fashist italian kundër vendit tonë, më 7 prill 1939, Kupi udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak te Durrësit, qëndresë e cila e shndërroi në një ikonë. Me pushtimin e Shqipërisë u largua në Stamboll, Turqi. Në qershor të vitit 1939 familja e tij, përbërë nga tre djemtë Petriti, Rrustemi e Fatbardhi, bashkë me nënën dhe motrat, u internua në Himarë. Me hyrjen e Britanisë së Madhe në Luftën e Dytë Botnore, po shihnin mundësinë e krijimit të rezistencës në Shqipëri. Bazi kalon nga Turqia në Jugosllavi i pritur nga Gani Kryeziu në kryeqytet, ku takon kolonelin Stirling dhe kolonel Dayrell Oakley-Hill, i fundit shef i zyrës së SOE në Beograd. Me ndihmën e të cilit kaloi në Shqipëri në krye të Rezistencës me përkrahjen e ambasadës angleze në Beograd. Punët përgatitore për organizimin e qëndresës u drejtuan nga Julian Amery. Qeveria e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene ishte kundër por pas pushtimit të Jugosllavisë nga gjermanët. Formohet Fronti i Bashkuar i Rezistencës së bashku me Gani Kryeziun, Xhemal Herrin, e Mustafa Gjinishin dhe Muharrem Bajraktarin. Kthehet në Shqipër me ndihmën e Bajraktarit për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit bashkë me të vëllanë, Ibrahimin, gjë që e bëri me shpenzimet e tij. Ai ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Mbledhjes së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ, si shumë figura tjera përdoreshin nga komunistët për të tërhequr masat bashkë me emrin e bujshëm “Fronti Nacional-Çlirimtar”. Më 26 korrik 1943, ora 11 p.dite, u mblodhën në shtëpinë e dr. Ihsan Toptanit në katundin Tapizë, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar”. Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, ai u bë nismëtari Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Pikërisht, Komiteti Për Shpëtimin e Shqipërisë organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër ushtrisë italiane që Marshonte për në Mat. Çetat partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër. Në mes të të vrarëve edhe koloneli A.P. Skampa. Kur Enver Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, se binte ndesh me synimet e agjentëve Popoviq dhe Mugosha, Abaz Kupi u largua më 19 nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar. Më 21 nëntor formoi Lëvizjen e Legalitetit që mësynte në rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Pas kësaj udhëheqja e PKSH urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit. Megjithatë ai iu shmang luftës civile të nxitur nga komunistët deri kur komunistët nisën të sulmonin Gegninë dhe zonat e Bazit. Gjatë avancimit të komunistëve në veri gjendej në vështirësi për të manovruar mes malesh, sidomos në Mirditë. Në pranverën e 1944, përveç oficerëve Billy McLean dhe David Smiley iu bashkua dhe Amery, të cilët qëndruan për shtatë muaj pranë trupave të Kupit. Raportet e operacioneve të shumta kundrejt gjermanëve do të ndeshnin me kundërshtitë e raporteve të oficerëve britanikë pranë komunistëve. Gabimet dhe spiunazhi komunist në Shtabin e Përgjithshëm të Operacioneve Speciale (SOE) në Bari bëri që nëpërmjet keqinformimit s’u kuptua veprimtaria e Bazit. Më 24 tetor 1944 u largua nga atdheu nepërmjet një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, bashkë dy bijtë Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga (SOE e Barit nuk e ndihmoi të tërhiqej bashkë me oficerët britanikë), për 6 ditë pa ushqim e pa ujë derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze që i çoi në Brindizi të Italisë. Familjen e la në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas nëpër kampet e internimit të Myzeqesë. Pas Luftës së Dytë Botërore, në emigracion merret me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik, më pas u aktivizua në komitetin “Shqipëria e Lirë” me president Mit’hat bej Frashërin, që do zëvendësohej nga Hasan Dosti. Më 7 korrik 1949 u emërua president i Juntës ushtarake, nën projektin “Valuable”, organizëm kontrollues i operacioneve ushtarake sekrete për destabilizimin e regjimit komunist në Shqipëri. Më 1968 zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara. Vdiq më 9 janar 1976 në ShBA, New York, trupi i tij prehet në Kew Gardens Cemitery në Queens. Me qendresën e Bazit në Durrës kundër pushtimit italian, familja Kupi u dërgua në Itali. Në fillim u mbajt e burgosur në qelitë e burgut të Brindizit. Për më shumë se një muaj, ata janë mbajtur në një burg të Brindisit, të izoluar plotësisht. Më pas i dërguan në një kamp internimi në Siena, deri në vitin 1942. Më pas u lanë të lirë, banuan pranë të afërmit, Sejfulla Merlikës. (Patrice Najbor, Histoire de l’Albanie et de sa maison royale (5 volumes), JePublie, Paris, 2008, (ISBN 978-2-9532382-0-4). (Patrice Najbor, la dynastye des Zogu, Textes & Prétextes, Paris, 2002).

[4] Portali “Historia Shqiptare”, Krimet e komunizmit.

[5] Fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunit – VËLLIMI I.

[6] Gazeta Zyrtare, nr. 28, 29 mars 1947, f. 8; AISKK, F. 1, V. 2012, D. 1, Fl. 228.

[7] Tomë Mrijaj, “Monsinjor dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”, (Jetëshkrim), New York, U.S.A., 2009, f. 128-130.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok