11/12/2024

Çfarë duhet të dimë për Skënderbeun?!

0
25 mars 2018.pmd

Studim nga Vihelme Vrana Haxhiraj

Me kërkesë të lexuesëve po ribotoj Elitën e Kombit Skënderbeun. “ V.H.Haxhiraj: “Elitat e Mohuara, krenari kombëtare”,ShB.Europrint,2018 F.187-200

Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që e bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të.” Gjergj Kastriot Skënderbeu.

* Çdo komb ka një Hero Kombëtar. Por rrallë ndodh që një vend i vogël si Shqipëria, të ketë për të tillë, një figurë si Gj. K. Skënderbeun i cili e mban këtë titul që nga viti 1965.

* Ai ishte njohës i gjuhës osmane, latine dhe shqipe, i cili shkruante në këto gjuhë  dhe dallohej si orator i lindur.Zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e Sulltanit (içogllanëve),e cila përgatiste komandantë e nëpunës.

* Për dhuntitë e tij mendore e fizike, mori emrin Iskënder

(Aleksandër).

*Martesa e tij me të bijën e Princ Gjergj Arianitit, Donika Arianitin nga Kanina, mundësoi bashkimin e princërve në luftë të përbashkët kundër pushtuesit

Historianë e personalitete të huaj, i kanë venë epitetin , “Ideatori i Aleancës së Parë Euroatlantike”, që e përjetëson figurën e Heroit tonë Kombëtar. Sot në botë emrin e Skënderbeut, e mbajnë shumë sheshe në kryeqytetet më të rëndësishëm të botës, që nga Tirana, Prishtina, Zyrihu, Parisi, Roma, Çikago, Shkupi, etj. Buste dhe shtatore të Skënderbeut ndodhen në Londër, Spanjë, Buones Aires, New York, Kanada, Kosovë, Tiranë

Heroi ka adhuruar Pirron e Epirit dhe Aleksandrin e Madh. Ai ka deklaruar se, “unë jam pasardhës i Pirros së Epirit”. Ndaj përkrenarja e tij me kokën e dhisë që mbante mbi krye, ishte një simbol me origjinë nga legjendat e Pirros së Epirit e Aleksandrit të Madh.

*Ashtu si Pirro i Epirit dhe Aleksandri i Madh dhe emri i Skënderbeut i kaloi kufijtë e Gadishullit Ilirik, ndaj gjithë kohërat flasin për Skënderbeun.

-Historiani dhe shkrimtari francez Volter (Voltaire) ka thënë se, “Sikur Perandoria bizantine të kishte pasur njerëz si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes do t’i kishte shpëtuar pushtimit turk”.

-Lidhur me tolerancën e bashkëjetesës fetare të shqiptarëve, Gjenerali anglez Xhejms Wolfe (heroi i Kuebekut ) ka deklaruar se, “Skënderbeu ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse”.

-William Temple, burrë shteti e shkrimtar anglez i shekullit XVII, në veprën e tij mbi “Virtytin heroik”, e vë Skënderbeun “si një nga shtatë kapedanët e mëdhenj të pakurorëzuar (jo mbretër) të Evropës”.

Skënderbeu Mbret i Shqipërisë dhe Maqedonisë, që në vitin 1458

*Skënderbeu është njohur si Mbret i Shqipërisë dhe Maqedonisë, që në vitin 1458. Fakt që për herë të parë doli në dritë dokumenti,në fundvitet (2000) Ekziston një akt diplomatik, mandat, në të cilin emërohet ambasador i Skënderbeut, Martin Muzaka.

– Është e shkruar “letra origjinale e shkrua, në pergamen me një vulë shtetërore të varur, që ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit në fondin; Miscellanease, volumi XXXIX, dokumenti 2398, i vitit 1458.

Pikërisht në këtë mandat Skënderbeu quhet “mbret”.Dr. Musa Ahmeti, një studiues i arkivave të Vatikanit ka publikuar kohët e fundit, mandatin e mbretërisë shqiptare.

Vula e mbretit Gjergj Kastrioti një artefakt me vlera të mëdha historike

Në qoftë se kronikat tona nuk gënjejnë, ta dini se ne quhemi epirotë dhe, në kohëra të ndryshme, stërgjyshët tanë kanë jetuar në vendin që mbani ju sot, ku kanë bërë luftime të mëdha me romakët” (Gj.K.Skënderbeu: letra drejtuar Ferdinandit të Napolit1460, botuar nga F.Noli në angliht dhe përkthyer në shqip, më,1967.) Ky është një fakt, por jo i mjaftueshëm.

Sipas hulumtimeve mësojmë :  Musa Ahmeti, studiues dhe hulumtues nga Zagrebi në vitin 2000, Arkivin Sekret të Vatikanit, në fondin: Miscellaneae, zbulon një mandat (akt diplomatik) origjinal të Skënderbeut që i takon vitit 1458, me të cilin emërohet Martin Muzaka si përfaqësues i tij “legjitim dhe legal”. Sipas tij:“Dokumenti është i shkruar në pergamen, është ruajtur mjaft mirë”dhe ka përmasa 68 x 92.5 cm, ku janë  varur dy vula origjinale:1- , vula shtetërore e Skënderbeut dhe 2-, e noterit Johannes Borcius de Grillis. “Një kopje e këtij mandati e saktë dhe besnike, pa asnjë lëshim nga ana e përshkruesit, ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit, në: Diversa Cameralia, vëll. 30, f. 134- r-v.). Studiuesi thotë, se sipas origjinalit, mandati është lëshuar më, 28 tetor, të vitit, 1458. Me vlerë është edhe pohimi i noterit publik Johannes Borcius de Grillis, i cili shkruan:“me urdhër dhe autorizim të mbretit…” . Ky dokument e quan Skënderbeun “Mbret” dhe është tepër domethënës, pasi edhe në vulën shtetërore të varur që e shoqëron këtë dokument gjejmë të shkruar tekstin në latinisht: “Sigil (um)o Regni(ae) o Macedonia(e)o et oAlbania (e)”, që në gjuhën shqipe do të thotë: “Vula e Mbretërisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë. Gjithashtu aty shkruhet: “Skënderbeu trashëgon zyrën nga i ati, Gjoni”, ”, e cila i përket shek XIV dhe fillimi i shek. XV.

Një vlerë e patjetërsueshme janë kancelaritë shqiptare.

“Natyrisht që kancelaria e Skënderbeut ishte shumë më moderne dhe u ishte përshtatur rrethanave të kohës kur vepronte. Sipas hulumtimeve, kemi një të dhënë interesante, se nga zyra e Skënderbeut, ka ndodhur që brenda një dite të dalin  13 akte të ndryshme diplomatike, të shkruara në 5 gjuhë. Kjo tregon komunikimin e Heroit tonë kombëtar me shtetet e tjera mjesjetare dhe me fqinjët, si dhe rolin e rëndësishëm që luante kjo diplomaci në ruajtjen e autoritetit, të  pavarësisë shtetërore dhe teritoriale”.

Amaneti i Skënderbeut, aktual dhe sot që Shqipëria po shkombëtarizohet dhe po shpopullohet

Ndiqni porositë e Skënderbeut:

Fjalimi i Gjergj Kastriot Skënderbeut para princërve shqiptarë në çastet e fundit të jetës:

Studiuesi Aurenc Bebja (Francë), vitin e shkuar ka zbuluar një tekst të botuar 238 vite më parë në Gjermani me fjalët e fundit të Gjergj Kastriotit në shtratin e vdekjes, që është marrë nga libri me 131 fq, Stephan Zannowich– “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”-Sh.Botuese: J. J.Kesler, Frankfurt-v.1779- (fq70-89).

Fjalimi i Gjergj Kastriot Skënderbeut në shtratin e vdekjes

Gjergj Kastrioti, para se të fillonte fjalimin, urdhëroi që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe 10 vjeç, të ndodhej mes të ftuarve. Po jap fjalën e tij:

“Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen, ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj.

-“Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të”. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni.

Duhet të jetë virtyti si themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…

-Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë.

*Kujdes për drejtësinë:Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë, në vendin e krimit: “ju do të vini re, se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…” Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtyteve.

*Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe luksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje.

*Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…

* Qëndroni larg nga supersticiozët, priftërinjtë ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.

*Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.

*Kur t’ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysmë veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…

*Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullin, rrethin dhe racën tuaj, turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…

*Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin çastin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashëgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajnë çfarë të dëshirojnë…

*T’i jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që t’ju shkruajë; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të përgjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…

*Mos përbuzni askënd; më i vogli dhe më i varfëri mund t’ju rrëzojë, ashtu si dhe mund t’ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.

*Duhet të jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund t’ju shkaktojnë.

*Këshilltarë të huaj dhe të arsimuar:Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës.

_*Qëdroni larg Injorancës së kamur: Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.

*Mos u druani për të drejtën:Nuk duhet të jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do t’ju gënjejë dhe do t’ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë.

*Poetëve që do t’ju thurrin vargje, për t’ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhrin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënien e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.

*Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, t’i stërvitni dhe t’i trajtoni jo si skllevër, por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëhiqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar.

*Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë

*Dëboni larg jush astrologët, gjykatësit e kimistët prodhues ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht.

* Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i fshehu mbretit pafajësinë, që përkeqësoi nga kopracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…

*Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqij. Jini të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë së njerëzve të ngjashëm me ju.

*Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do t’ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj: mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…

*Mos harroni se politika turke, është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz, se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.

*Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës.

*Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka.

*Ajo ndryshon maksimat (politikat synuese) dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb t okat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer.

*Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni: kur prifti do të dojë të dijë më shumë, sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.

*…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi.

*Zoti hakmerret ndaj fyerësve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.

*Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për t’u ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij…

*Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur.

*Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, që uzurpohen nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit!”

Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, me amanetin që la para vdekjes, tregon se është modeli i Atit të kombit, i një kohe moderne, pa llogaritur se këto porosi janë thënë para 550 vitesh.(Vivra).

Botoi:(Fjala e lirë,15-1-2018, Voal,16-1-2018)Nacional, Dielli i Tomorrit & Bulevard,21-1-2018

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok