30/12/2024

ATA NUK JANË HERONJ

0
Ndue-Dedaj

NGA NDUE DEDAJ

Ata janë nesh, por ndyshe nga ne. Të gjitha kohët kanë njerëzit e vet, ndaj dhe koha jonë s’bën përjashtim. Dallojnë njerëzit e pabujshëm, të “padukshëm”, modestët, por që nuk janë heronj. Mishërues të virtyteve të Nënë Terezës. Njerëz që kanë punuar në heshtje ka pasur gjithmonë, por sot ata bien dhe më pak në sy, pasi shumicën tonë i ka kapluar mania e reklamimit të punës së bërë e të pabërë. Ata nuk duan dekorata, fletë nderi e stimuj të tjerë të vjetëruar, aq më pak klikime rutinë, siç është sot në mode, nga qeveria te shitësi i misrave të pjekur në plazh. Atyre iu pëlqen të bëjnë veprën e tyre në komunitet pa kurrëfarë duku. Ja disa “personazhe” që ia vlen t’i njihni të gjithë…

*

Në trungun e një pemë të madhe në qendër të Lekbibajt (Tropojë) është vënë një tabelë e shkruar shqip dhe anglisht që i kushtohet Ndoc Mulajt nga Nikaj-Mërturi, i cili  humbi jetën në një tjetër mal, në atë të Munellës, nga rrëshqitja në akull. Është shkruar e folur shumë për këtë “bir” të natyrës dhe promovimit të turizmit malor, përmes shtegtimeve, por pas vdekjes. Sa ishte gjallë ai rrinte larg dukut, edhe pse njerëzit e mediave i kishte miq dhe bashkudhëtarë të maleve. Ai ishte një personazh jo i zakontë, e megjithatë punët e tij i bënte në heshtje, si të thuash, jo për të dalë në ekran. Na ka ndodhur sa herë që disa njerëz të shquar t’i “zbulonim” vetëm pasi ata ishin larguar nga jeta. Këto ditë në Shkodër u shua Ferdinand Bushati dhe pati plot përcjellje që nxirrnin në pah figurën e tij të vlefshme, si drejtues për një kohë të gjatë i klubit të Rinisë “Herojtë e Vigut”. Poeti Rudolf Marku e sillte në vëmendje për një gjest që zotnia kishte kryer në vitin 1990 – kur askush nuk ua kishte hapur dyert një grupi shkrimtarësh nga Tirana, që kishin shkuar në Shkodër për të zhvilluar një takim jubilar kushtuar Gjergj Fishtës, këtë e kishte bërë pa asnjë medyshje Nardi fisnik e kurajoz. Nëpër duart e këtij mjeshtri kishin kaluar sa e sa talente, ashtu si dhe të profesorit e dirigjentit të njohur shkodran Kujtim Aliaj, drejtues për vite e vite i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Shkodër, njëherësh organizator i “Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve”, ndarë nga jeta më 2021. Ta paharruarin Kujtim e pata takuar në në vitin 2001, në institucionin që drejtonte, ku kisha shkuar për të përzgjedhur disa vizatime të nxënësve me tematikën e “gjakmarrjes”, me të cilat do të ilustroja librin tim “Kanuni dhe koha e sotme” (për fëmijë), botuar nga World Vision Albania atë vit. Por mos të presim që ata të shuhen, pastaj të shkruajmë për ta. Shoqëria ka detyrimin t’i evidentojë njerëzit që, në mënyrën e tyre, janë paraprijës të zhvillimeve të vendit. Ata i kemi kudo mes nesh dhe qëllimisht në këto radhë nuk jemi kufizuar në një apo dy emra apo profile individësh…

Gjon Krasniqi, nga Nepola e Lugut të Beranit në Kosovë, që punon e banon familjarisht prej disa dhjetëvjeçarësh në Luzernë të Zvicrës, është një emër i mirënjohur jo vetëm në vendlindjen e tij, apo në Gjakovë ku ka të afërm e miq, por dhe në Lezhë e Mirditë, për bamirësinë e tij ndaj njerëzve nevojëtarë dhe familjeve në nevojë. Për këtë ai bashkëpunon me institucionet shëndetësore, shkollore, kulturore dhe ato të kultit. Për kontributin e tij në vijimësi në këtë rajon është nderuar me tituj nderi. Gjoni përpiqet që të tërheqë dhe të tjerë emigrantë apo shoqata bamirësie të komunitetit shqiptar në shtetin zviceran, në veprimtari të tilla humane, të cilat sipas tij nuk duhet të përmenden në adresimin personale të askujt. Ka familje që kanë nevojë për strehim, fëmijë kopshtesh që kanë nevojë për lodra, biblioteka që kanë nevojë për libra, studentë që kanë nevojë për mbulimin e shpenzimeve shkollore, autorë që kërkojnë mbështetje për botimet e tyre, salla veprimtarish që iu nevojitet foni, ndriçim etj. Shteti nuk mund të jetë kudo e në gjithçka edhe sikur ta ketë të mundur financiarisht, ndaj kemi dhe këtë “shtetin” tjetër të bamirësve, donatorëve etj. Gjoni i përket kësaj filozofie humane. Në veprimtari të ndryshme bamirësie ai është gjithnjë “violinë e parë”. Kjo është bamirësia e vërtetë, ajo pa emrin e bamirësit, kurse bamirësia e politikanëve dhe qeveritarëve ka tjetër kontekst, ata me njërën dorë ta japin dhuratën e më tjetrën ta marrin, kur të vijë dita e votimeve!…

Në Dioqezën e Rrëshenit veprojnë shtatë “shtëpi” murgeshash të kongregatave të ndryshme, tri në Rrëshen, si dhe në Rubik, Fan, Perlat dhe Suç; shumica e motrave janë nga vende të ndryshme të botës, si italiane, zvicerane, braziliane etj., ashtu si dhe motrat nga Kosova. Të gjitha ato humbasin mbiemrin familjar për të fituar në famulli titullin “motër”, “nënë”, njëlloj si Nënë Tereza. Kemi njohur ndër vite shumë sosh, si motër Anna, motër Virgjinia, motër Mira, motër Lurda, motër Kiara etj., ndërkohë që më shumë se motrat që kemi njohur drejtpërdrejt janë ato për të cilat kemi dëgjuar, si dy motrat gjermane të Fushë – Arrësit Gracia Ruff dhe Bernadet Erbenhov, që veprojnë atje që nga viti 1995, motër Drita Syku që drejton shkollën “Ylber” Tiranë etj. Ashtu e heshtur, e përvuajtur, e paepur shkoi në amshim në moshën 92-vjeçare motër Marie Kaleta në Zadrimë, simbol i murgeshave shqiptare që i mbijetuan diktaturës. Veprimtaria e motrave misionare në Shqipëri, në këto tridhjetë vjet, është një realitet i mbarsur me plot vështirësi e sfida të tranzicionit, që ende na fanitet si një “përbindësh”, që na e ka bërë pëshqesh politika e qeverisja e keqe.

Le të vazhdojmë më tej me “apelin” e atyre që kemi vendosur t’ua tregojmë. Në shkollat e qarkut të Lezhës mund të takosh dhe tre psikologë shkollorë që nuk shikojnë, Frrok Gjikolaj, Bashkim Dervishi dhe Besmir Guri, por që punën e tyre me nxënësit e bëjnë me përkushtim e profesionalizëm. Të dashur, të qeshur, të ditur, miqësorë. Secili ka kryer një a dy shkollime të larta dhe nuk shkojnë në punë thjeshtë për rrogën, por për të luajtur rolin e tyre aktiv në jetë. Sfidues të vështirësive dhe me plot pasione. Frroku shkruan libra artistikë, veçanërisht tregime dhe novela, ndonjëherë duke qenë vetë personazhi i tyre. Bashkimin e kujtojmë kur vinte nga Zejmeni me furgona, pa shoqërues, për në njërën nga shkollat e qytetit; ai ka kohë që e ka bërë Lezhën të tijën në çdo pëllëmbë, falë aftësisë për t’u orientuar, pa i prekur muret me majat e gishtave. Besmiri shkruan artikuj në revistat psikologjike, mban ligjërata në rrethet e psikologëve, është një këshillues special dhe për djalin e tij të vogël etj. Një sivëlla i tyre për nga fati dhe profesioni është dhe Hekuran Kërçiku në Vaun e Dejës, që gjithashtu e sheh jetën me besim dhe opimizëm, si qytetar, psikolog shkollor dhe prind. Njerëzit që i njohin e dinë se ata janë në radhë të parë familjarë të mirë. Kanë shkuar disa herë dhe jashtë vendit, në Itali, Greqi, Suedi etj. Do të ishte jo vetëm kurreshtje e kënaqësi, nëse do t’i shihnim herë pas here jo vetëm në shkollat e tyre, por dhe në ekrane apo tubime publike duke na kumtuar përvoja të një realiteti që nuk e njohim…

Në vazhdën e individëve që i japin jetë dita-ditës sipërmarrjes së vet është dhe Ermal Duka, një biznesmen i spikatur në Mirditë, ku në vendlindjen e tij Perlat ka ndërtuar mes pishash resortin agroturistik me emrin domethënës “N’Kanu”, që ka kuptimin e mbajtjes gjallë të traditës së mikpritjes. I pandalshëm në qëllimin e tij për të lënë gjurmën e vet autentike në fushën e agroturizmit, edhe pas pësimit të një aksidenti të rëndë, që i kushtoi rreth tre vite të ringrihej në këmbë, pas kurimit të gjatë dhe ndërhyrjeve kirurgjikale në Tiranë dhe Milano. Vullneti bën çdo gjë. Mbas një përvoje të gjatë si emigrant në Itali, ai donte ta bënte ndryshimin në vendin e tij. Për të asnjë punë nuk është e pamundur, vetë bën punëtorin e thjeshtë me karrocë, mastershefin në kuzhinë, specialistin e agroturizmit, mekanizatorin në punimin e vreshtave, njëlloj siç kalëron për argëtim mbi kalin e tij si të princërve të mesjetës. Përherë kërkues në rritjen e cilësisë së ushqimit, prodhimit të verës, mishit, mjaltit, çdo produkti bio që iu shërbehet klientëve. Vetëm dhjetë kilometra larg nga Rrësheni, ku deri para një viti e gjysmë e pinim kafën përditë të “Kafja e Madhe”, siç e quante ai njërin nga bar-kafetë e qytetit, ndërsa tashti kjo nuk ndodh më, vetëm nëse merr “lejen e zakonshme” pasi të lehtësohet ardhja e turistëve. Një agroturizëm i konceptuar gradualisht me të gjitha prodhimet të vetat, prandaj ka vite që ka krijuar vreshtat, ullishtën, blegtorinë e tij. Kooperon me fermerë të zonës për produkte të tjera që i nevojitën. Sivjet në maj “N’Kanu” u zhvillua një veprimtari e gjërë rajonale, në kuadrin e ditës botërore të bletëve, me pjesëmarrës dhe nga Kosova.

Ndaluam këto ditë në Fierzën e hidrocentralit digëlartë, që është “kështjella” e energjitikës shqiptare dhe në mendje na erdhi doktor Ndue Cara, që shërbeu këtu për disa vite, edhe pse i kishte kaluar të 70-at. Ai bënte zakonin e vjetër të mjekut, hapjen e kartelave për të sëmurët e zonës, mbi 2000 të tilla. Ka mësues që shkon në shkollë dhe për një nxënës, ka meshtar që bën orë të tëra për në kishën e fshatit, edhe për katër-pesë veta. Kështu dhe mjeku apo infermieri që ecën në këmbë maleve dy-tri orë për tek i sëmuri. Këto mund të duken punë të vogla për metropolin e zhurmshëm me njerëz pafund, por jo për misionarët, që duan ta mbajnë të pakëputur fillin e jetës aty ku ai është në zgrip.

Përflitet gjithnjë administrata për korrupsion dhe marrje rryshfeti, ama tjetra nuk thuhet asnjëherë, që ka dhe zyrtarë e nëpunës që nuk duan të shohin qytetarë pas dere duke pritur, por përpiqen t’iu mbarojnë punë sa më shpejt të jetë e mundur, pa qenë nevoja për “kafe”. Ata janë të njëjtët, pavarësisht se ndërrohen ministrat, kryetarët e bashkive, prefektët, drejtorët e agjensive etj. Duke qenë njohës të mirë të ligjit, politikave dhe strategjive të zhvillimit, shpesh ata janë “eminenca gri” e institucionit, që do të thotë se nuk bëhet gjë lart pa u pyetur ata. Por këtë pushtet ata e përdorin për mirë, prandaj dhe janë jetëgjatë në zyrat që mbajnë. Teksa shkruaj këto rreshta miradije për njerëzit e fisëm veshur me petkun e shtetit, në mendje më vijnë plot emra nëpunësish që kam takuar nëpër zyra, e nëse dhe ju do të shënonit emrat e tyre që njihni si të tillë, me siguri që do të dilte një listë e gjatë, lokale dhe kombëtare. Sado vërejtjeve, kritikave, mangësive, ndërhyrjeve të politikës, nëqind e dymbëdhjetë vjetët e shtetit shqiptar e kanë bërë të tyren dhe sa i përket konsolidimit të administratës.

*

Njerëzit e “padukshem” ashtu janë gatuar, me heshtjen rreth vetes, shkëlqejnë përmes punës dhe s’duan t’ia dinë për fotografinë e tyre publike. Por na duhet neve ta kthejmë vëmendjen nga ata me mirënjohje, si modelet më të mira për fëmijët dhe nipërit tanë. Emisionet televizive të paradites dhe mbasdites shpesh mbushën plot me të rinj të showbizit me përvoja modeste, që pak gjëra mund t’i thonë publikut lidhur me artin, modën, stilin e jetesës etj. Sa më shumë dritare mediatike e publike të gjenden për njerëzit që kanë vepër jetësore të pasur, aq më mirë do të ishte për të gjithë ata shqiptarë që janë në kërkim të vetes në këtë “tranzit” që i mungon projektimi i së nersërmes. Ata, pa qenë së bashku, por të përbashkuar sa i përket frymës së ndryshimit, janë një zë, një mundësi, një vision ndryshe. Prej tyre mund të mësojmë shumëçka, që për të rinjtë tanë sot është e papërceptueshme, fjala vjen, të mjelësh dhitë në fshat, edhe pse ke kryer universitetin në Romë etj. Kjo nuk është diçka moralizuese, por thelbësore e ekzistencës njerëzore, pasi sado të ecë teknologjia, përkryhet inteligjenca artificiale dhe robotët të na kryejnë shumë procese, gjithmonë do të ketë nevojë për njerëz që kryejnë ca punë delikate, si mbjellja e orizit në arat e mbuluara nga uji, manovrimi i borëpastrueseve në mal kur ka tre metra borë, ndërtimi i shtëpive alpine atje ku ngjitet veç mushka etj., që zor se i bën roboti…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok