19/04/2024

AT GJERGJ FISHTA ARKITEKT I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE VAZHDON TË JETË I PA DËSHIRUAR NË VENDIN E VET

0

Nga Frank Shkreli

20 Qershori (i vitit 1919) shënon përvjetorin e fjalimit të At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqës në Paris mbi “Shqiptarët e të Drejtat e tyre”. Fjalimi ka si autor At Gjergj Fishtën, Sekretar i Delegacionit shqiptar por është lexuar në frëngjisht në Konferencën e Paqës nga Imzot Luigj Bumçi, Kryetar i delegacionit shqiptar.  Viti 2021 shënon 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, me 15 mars, 1991 — pas një ndërprejeje prej gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës — dhe hapjen e parë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, me 1 tetor, 1991.

Këto data më sollën në kujtesë një artikull që kam shkruar kohë më parë mbi vizitën e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara e që ndoshta ia vlen të përmendet në lidhje me këto përvjetorë të rëndësishëm të historisë së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe rolit që ka luajtur At Gjergj Fishta si njëri prej arkitektëve kryesorë në zanafillën e këtyre marrëdhënieve, në fillim të shekullit të kaluar.  E shoh të arsyeshme të kujtoj vizitën e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1922, si dhe veprimtarinë e tij lobuese me atë rast, në mbështetje të interesave të Shqiptarëve – për të cilat pakë njerëz janë të informuar dhe më pak dëshirojnë të flasin e të shkruajnë për të — përfshir lobimin që Fishta zhvilloi gjatë vizitës së tij të parë në Washington me zyrtarët më të lartë amerikanë në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara.  Këto shënime janë bazuar në disa të dhëna dhe korrespondenca në librin e vjetër përkujtimor, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës me 30-dhjetor, 1940. Nga këto të dhëna na del se historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane e ka fillimin shumë më heret se këto tre dekadat e fundit, megjithëse protagonistët aktualë të këtyre marrëdhënieve do të donin të na bindnin sot se historia e këtyre marrëdhënieve fillon me ta (e ndoshta po mos të jemi të kujdesshëm edhe mbaron me ta).

Komuniteti shqiptaro-amerikan me të drejtë njihet si mbrojtës historik i kauzave kombëtare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke filluar nga veprimtaritë e diasporës më të vjetër shqiptare në Amerikë. Këto veprimtari, në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë, e që në fjalorin e sotëm politik njihen si “veprimtari lobingu”, për shqiptarët e Amerikës kanë filluar me takimin e Fan Nolit me Presidentin amerikan Woodrow Wilson, kur ish-Presidenti Wilson, sipas Nolit, i kishte premtuar se, “një zë do të ketë në Konferencën e Paqës në Paris dhe atë zë do ta përdorte në mbështetje të Shqipërisë”.  Shumë është shkruar për këtë rast si dhe për veprimtaritë lobiste të komunitetit shqiptaro-amerikan, sidomos gjatë 40-viteve të fundit, në mbrojtje të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve kudo.

Por falë urrejtjes, shpalljes së tij si armik e tradhëtar i popullit, harresës dhe anashkalimit zyrtar të personit dhe veprës së At Gjergj Fishtës për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi komunist sllavo-aziatik – por edhe në 30-vjet të regjimeve post-komuniste, përfshir median dhe historiografinë shqiptare të influencuar nga komunizmi — pak njerëz mund ta dinë se përveç kontributeve të shumta në fusha të ndryshme, si në letërsi, gjuhë, kulturë dhe politikë shqiptare, Gjergj Fishta ka dhënë një kontribut të çmueshëm edhe në atë që sot e quajmë “lobing”, në mbrojtje të interesave kombëtare, në konferenca dhe takime ndërkombëtare të nivelit të lartë. Veçanërisht, roli që ka luajtur Gjergj Fishta në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara dhe në lidhjen diplomatike midis dy vendeve.

Përpjekjet lobiste të Fishtës janë bazuar në disa të dhëna dhe korrespondenca përfshir në librin përkujtimor, të lartë përmendur, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës me 30-dhjetor, 1940.   Bazuar në korrespondencën e pasqyruar në këtë botim të veçant përkujtimor — midis Fishtës, At Justin Rrota dhe At Pal Dodaj — Gjergj Fishta njoftonte Kuvendin françeskan në Shqipëri  arrijtjen e tij në Amerikë, duke shkruar se, “Me 8 të këtij muaji (Mars, 1922) në ora 2:30 mbasdite vuna kambën në Amerikë, në New York”.

Nga të dhënat që paraqiten në këtë libër, del se vizita e At Gjergj Fishtës në Amerikë kishte dy objektiva:  Një, të “kujdesej për interesat e Shqipënisë”, sipas porosisë së Imzot Luigj Bumçit, Kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris.  Objektivi i dytë ishte që Fishta të takohej me personalitetet më të dalluara të diasporës shqiptare në Amerikë.  I rëndësishëm është fakti se — nga korrespondenca e Poetit Kombëtar që ai ka shkëmbyer nga Amerika me pjesëtarë të Urdhërit Françeskan në Atdhe — pas takimeve me përfaqësues të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan si Faik Konica gjatë vizitës së tij të parë në Amerikë në vitin 1922 – mësojmë, ndër të tjera, edhe për veprimtarinë lobiste të At Gjergj Fishtës në Washington. (I vetdijshëm për rëndësinë historike të këtyre letrave, At Pal Dodaj ka shkruar se përmbledhja e letrave të Fishtës që dërgonte nga Amerika më 1922 do t’u interesojë, eventualisht, studiuesve të historisë, megjithse deri më sot nuk duket që ky dokumentacion të ketë tërhequr interesimin e historiografisë pseudo-komuniste që gjithnjë dominon në interpretimin e historisë së Kombit shqiptar). Sidoqoftë, le t’i këthehemi disa prej komunikimeve midis Fishtës në Amerikë dhe Kuvendit Françeskan në Shkodër të cilat pasqyrojnë veprimtarinë lobiste të Fishtës në Washington.

Provinciali i Kuvendit Françeskan në Shqipëri në atë kohë, At Pal Dodaj shënon në librin përkujtimor (më sipër), “At Gjergj Fishta – 1871-1940”, se në një letër të datës 8-V-22, dërguar atij nga At Gjergj Fishta prej Washingtonit, Fishta flet për veprimtarinë e tij lobiste në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara, si dhe për takimet që kishte zhvilluar ai me Senatorë katolikë amerikanë, me ndihmën e françeskanit amerikan, Godfried Shilling, i cili në atë kohë gëzonte influencë të madhe në qarqet politike dhe diplomatike të Washingtonit, sipas të dhënave në këtë libër:

“Këtu në Washington kam kontaktue me nji senator katolik, siç të kam shkrue (29.4. 1922), dhe i jam lutë me u interesue pranë Qeverisë së Tij për njohjen e Shqypnisë si Shtet i Pamvarun”, thuhet në letrën e Fishtës. “Ai ka folë sot me Senatorin e Partisë Republikane, Henry Cabot Lodge…”, (politikan me autoritet i asaj periudhe dhe mbështetës i madh i rolit amerikan në punët botërore — shënim i autorit), “…i cili më tha se njohja e Shqypnisë asht e mundshme, prandej Qeveria e Tiranës, t’a paraqesi kërkesën e Saj me shkrim në Nensekretariatin e Shteteve të Bashkueme t’Amerikës.”  Në faqen tjetër të letrës, sipas At Palë Dodaj, Fishta ishte shprehur se, “Ndërkaq, vizita eme në Washington ka pasë, si përfundim, njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si edhe ato të (Federatës Panshqiptare) “Vatra”, s’kanë pasë sukses…Kjenë Senatorët katolikë — të cilëve ua pata paraqitë çashtjen, sidomos, nga pikëpamja fetare– ata të cilët me ndërhymje të veta siguruan njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”, citohet letra e At Gjergj Fishtës dërguar nga Washingtoni në adresën e At Pal Dodajt.  Data e njohjes zyrtare e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës, përputhet plotësisht me vizitën e At Gjergj Fishtës në Washington si dhe me përmbajtjen e letrave të tija, cituar më lartë. Albania – Countries – Office of the Historian (state.gov)

Sipas Zyrës së Historianit të Departamentit Amerikan të Shtetit — me anë të një telegrami që mban datën 25 Korrik, 1922 — Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH) në atë kohë, Charles Evans Hughes, informon Komisionerin Amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake se në datën 28 Korrik, 1922 ai mund t’i, “Dorëzojë Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë njoftimin me shkrim për njohjen de jure të Shqipërisë, nga ana e Shteteve të Bashkuara.”

Sipas Zyrës së Historianit të (DASH) njohja e shtetit shqiptar nga Washingtoni u pasua me vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona më 4 Dhjetor, 1922, kur Përfaqësuesi i Jashtzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ulysses Grant-Smith i paraqiti letër-kredencialet Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë, pikërisht me 4 Dhjetor, 1922, theksohet në tekstin e Zyrës së Historianit të (DASH).

Thonë se njerëzit e mëdhenj të një Kombi, siç është Fishta, vlerësohen më shumë pas vdekjes se kur janë gjallë.  Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur me At Gjergj Fishtën pasi edhe sot pas 30-vjet “post-komunizëm”, Poeti i Kombit dhe Mbrojtësi më i vendosur i të drejtave, vlerave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve edhe sot e kësaj dite është i stigmatizuar si tradhëtar, si një personi i pa dëshiruar në Shqipëri – persona non grata në vendin e vet – atdheun, për të cilin punoi e veproi aq shumë.  Unë e kam shumë të vështirë gjithnjë të konstatoj se ku e ka hallin Tirana zyrtare me At Gjergj Fishtën, i cili me veprat e tija përjetësoi çdo gjë me të cilat mund të krenohet Kombi Shqiptar ndër shekuj, qoftë veprimtaria e tij shumë dimensionale, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në përgjithësi, qoft kontributi i tij në njohjen dhe vendosjen e lidhjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fillim të shekullit të kaluar, në veçanti.  Unë ende nuk e kuptoj se pse sot, gjoja në demokraci, “At Gjergj Fishta sakrifikohet pikërisht si përfaqsuesi madhor i vlerave kombëtare”, siç është shprehur me një rast i ndjeri Profesor Arshi Pipa.

Kemi arritur në një pikë të historisë pas kaq vitesh, që të themi me keqardhje të madhe, se me ketë klasë politike në Shqipëri dhe në Kosovë, e cila kontrollon çdo aktivitet të jetës së shqiptarëve në një sistem që guxojnë ta cilësojnë si “demokraci”- e kemi humbur shpresën se shqiptarët, si komb madje edhe 30-vjet pas komunizmit – do të jenë të lirë të vlerësonin më në fund njerëzit e mëdhenj të Kombit si At Gjergj Fishta për meritat historike që kanë. Me ketë nivel kulture bolshevike që tregon kjo klasë aktuale politike e shqiptarëve sot, ajo nuk është e denjë të përfaqësojë një komb të përparuar, që dëshiron të jetë i lirë dhe demokratik, në fillim të shekullit 21! Si të tillë, kot e kini se nuk mund të bindni askënd se ndani vlerat me botën perëndimore.  Fatkeqësisht për Kombin shqiptar, po shihet tashti se vlerat tuaja i kanë rrënjët thellë në trashëgiminë e Enver Hoxhës, nga e cila duket se e kini shumë të vështirë të distancoheni.

Kot e kini se me Enver Hoxhën dhe me gënjeshtrat tuaja nuk do të bëheni kurrë pjesë e botës së qytetëruar. Pyetja për këtë klasë aktuale politike, “post-komuniste” e të gjitha ngjyrave, vazhdon të jetë: me cilat vlera doni të shkoni drejtë Evropës dhe drejtë lidhjeve të ngushta me Shtetet e Bashkuara: me vlerat anti-kombëtare të sllavo-aziatikut Enver Hoxha a po me vlerat e At Gjergj Fishtës, “Përfaqsuesit madhor të vlerave kombëtare” dhe të vlerave të vërteta pro-perëndimore ndër shqiptarët, si dhe të njërit prej arkitektëve kryesorë marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, një shekull më parë.  Sa më parë që t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje – për mirë ose për keq — aq më e qartë do të bëhet rruga në të cilën kini ndër mend ta çoni Kombin shqiptar në të ardhmen!

_______

Ndoshta mbrojtësi më i vendosur, historikisht, i interesave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve – i këtij populli, të drejtat e të cilit i mbrojti si askush tjetër në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar — At Gjergj Fishta, për pothuaj një shekull tani i shpallur “armik i popullit” dhe “reaksionar”, nga ish-regjimi komunist i Enver Hoxhës, ndërkohë që vazhdon të trajtohet si persona non grata në vendin e vet nga regjimet e të ashtuquajturit tranzicion “post-komunist” i tre dekadave të kaluara.

Profesor Arshi Pipa është shprehur, se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “karakteri militant, luftarak, i patriotizmit” të tij. Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtur, ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka sulmuar. “Ai ka sulmuar të gjithë ata, persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, copëtimin e Shqipërisë. Ata që kanë cenuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar i ndjeri Profesor Pipa për patriotizmin e At Gjergj Fishtës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok