22/12/2024

Arti nuk njeh kufij, “Luleborë” udhëton drejt Rumanisë

0
u6_Arlinda-Morava

Nga Entela Binjaku

Tingujt dhe vargjet e “Luleborës” shqiptare hynë në mëngjesin e 14 prillit edhe në shtëpitë e rumunëve.  “Dëshiroj të sjell pak pranverë, diell dhe dritë në shtëpitë tuaja. Unë jam shqiptare dhe jam soprano”, u drejtohej në rumanisht telespektatorëve Arlinda Morava.

Si pjesëmarrëse në fushatën: “Të flas me gjuhën time”, ajo kishte zgjedhur këtë formë për t´i drejtuar publikut rumun mesazhet e saj në këto ditë të vështira. Këto ditë të tilla prej pandemisë, nën hashtagun “Jemi të aftë” (#SuntemÎnStare) Morava është bërë pjesë e fushatës që synon të ndihmojë qëndrimin në shtëpi të qytetarëve në Rumani.

Por edhe pse kjo fushatë zhvillohet për  rumanishfolësit, sërish ajo zgjodhi t´u drejtohej me “Luleborën”, një nga këngët më të dashura shqiptare.

Po atë ditë, disa orë më vonë  sopranoja shqiptare përcolli për ndjekësit e saj në median sociale një tjetër projekt muzikor. Në kushtet e mbylljes prej pandemisë ajo  këndonte “Ave Marinë” nën shoqërimin pianistik të (Georgiana Diaconescu) Xheorxhiana Diakoneskut, instrumentiste e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Operetës të qytetit të Galacit.

” Në këtë Javë të Madhe për Ortodoksinë, ju ofrojmë këtë dhuratë të zemrës sonë: “Ave Marinë” shprehej sopranoja e njohur.

Interpretimet nga banesa e saj  kanë qenë të shumta sepse siç shprehet ajo vetë: “artistët nuk rrinë dot pa dhuruar art”. Bashkë me pianisten rumune si pjesë e fushatës “Kultura në shtëpi” menduan të përgatisnin një pjesë muzikore.

Dita kur edhe u punua ky bashkëpunim përkonte me të dielën e shenjtë të Pashkëve,  ndaj të dyja artistet menduan këtë hymn për këtë festë të madhe të Krishtërimit.

Për  aranxhimin muzikor të kësaj pjese është kujdesur një muzikant shqiptar, i diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë, Jusiald Xhani.

Theksojmë se me  pianisten Diakonesku,  Morava kishte bashkëpunuar vite më parë në celje të një projekti që kishte në qendër vendin e saj të orgjinës, dhe konkretisht për projektin me titull “Shqipëria tokë legjende”.

Sorpranoja Arlinda Morava e ka nisur rrugën e saj muzikore në Bukuresht në vitin 1997. Fillimisht duke ndjekur studimet në shkollën e mesme të muzikës “Dinu Lipatti” e më pas në Konservatorin e Muzikës. Ajo njihet për pjesëmarrjet e saj në ngjarjet kulturore që mbahen jo vetëm në Bukuresht por edhe në mbarë Rumaninë.

Kur një pjesë e madhe e botës është mbyllur, shumë qytetarë janë duke qëndruar në shtëpi.

“Ditët e mia të karantinës nuk kanë qenë aspak të lehta, si për shumë prej nesh. Nga një jetë aktive, me shumë koncerte, me shumë angazhime, nga një jetë e bukur, e zhurmshme, më të mirat dhe vështirësitë e veta, u kthye në një jetë të mbyllur. Në fillim më trembi, por natyra ime krijuese, më erdhi në ndihmë”.

Nëse ditët e para ja kushtoi punëve të shtëpisë dhe gatimeve, me kalimin e  ditëve sopranoja ktheu vështrimin nga pasioni më i madh i saj, muzika sepse siç  edhe vetë pohon “jeta e saj është arti, muzika dhe se nuk mund të rrijë dot pa të”.

Edhe pse në kushte të pazakonta, ajo vazhdon të mbajë lidhjet me publikun  e saj tashmë televiziv. Si e ftuar e  programeve të  ndryshme në televizionet rumune ajo ka kënduar dhe përcjellë mesazhe mbështetëse ndaj çasteve të vështira që njerëzimi po kalon.

“Me  zemër jam pranë të gjithëve që i dua, por fizikisht jam larg tyre. Nëpërmjet muzikës arrij të përcjell të gjithë dashurinë që kam për ta”, shprehet ajo.

Në videon që po qarkullon në këtë javë të Pashkëve shihet edhe logoja e “Rotary Club” të Bukureshtit. Arlinda Morava është anëtare e kësaj organizate që ka ekzistuar që në kohën e Mbretërisë dhe gëzon një reputacion të gjerë në shtetin rumun. Në këtë organizëm bamirës bëjnë pjesë njerëz të rëndësishëm  dhe me ndikim në shoqëri si nga pikëpamja e statusit ekonomik ashtu edhe nga pikëpamja e nivelit kulturor. Në kohën e regjimit komunist kjo organizatë u ndalua të veprojë por e rinisi aktivitetin në vitin 1990. Gratë janë bërë pjesë e këtij klubi në vitin 2000.  Si  anëtare e këtij organizmi Morava shprehet me krenari se ndjehet e privilegjuar si e para shqiptare pjesë e këtij klubi botëror që ka në themel humanizmin dhe bujarinë.

Duke ju rikthyer aktivitetit të saj artistik një ndër aktivitetet ku është edhe firma e saj është edhe Festivali  “Muzeikorum” (Museicorum) një aktivitet që ka ngjallur mjaft jetën muzeale të kryeqytetit rumun.  Festivali i Muzikës së Dhomës “Muzeikorum”organizohet nga Bashkia e Bukureshtit. Në dy edicionet e fundit Arlinda Morava ishte Drejtore Artistike e tij duke e zgjeruar larminë e muzikantëve pjesëmarrës edhe me instrumeniste nga Tajvani, Koreja, Serbia etj. Kjo ishte një arritje për një artiste të huaj që për herë të parë  arrinte të merrte drejtimin artistik të këtij aktiviteti të rëndësishëm. Vitin e kaluar ky  aktivitet, ju bashkëngjit Festivalit Ndërkombëtar “Xhorxhe Enesku”, tashmë një emblemë e jetës kulturore rumune. Kjo ishte sërish një risi dhe do të mbetet në historinë e Festivalit “Muzeikorum”  si  hera e  parë që ky organizim ju bashkua një aktiviteti prestigjoz siç është edhe Festivali “Xhorxhe Enesku”.

Arlinda shprehet se prej vitesh bashkëpunon me muzikantë shqiptarë, nga më të njohurit që edhe gjatë këtyre ditëve kanë përcjellë mesazhe të forta për publikun shqiptar. Duke përmendur emra të spikatur si violinistin e njohur Lorenc Radovani, pianisten e talentuar Klejda Tare apo edhe kuintetin e pagëzuar me emrin “Albania”, ajo shpreh vlerësimin për bashkëpunimet me ta.

“Disa nga këta artistë i kam pasur të ftuar në Rumani dhe kemi dhënë koncerte të shumta. Jam ndjerë shumë krenare që i kam pasur pjesë të Festivalit “Muzeikorum”, Drejtore Artistike e të cilit kam qenë dy vitet e fundit. Nata e  instrumentistëve shqiptarë ishte një sukses i madh”.

Por nëse të gjitha këto aktivitete zhvillohen në shtetin rumun, i drejtohen publikut vendas, identiteti i shprehur shqiptar i sopranos nuk ka lënë mënjanë edhe publikun në Shqipëri. Në fillimet e këtij muaji të vështirë, nga shtëpia e saj në Bukuresht sopranoja Morava interpretonte disa nga pjesët më të njohura të repertorit lirik.

“Pas furtunës do të lindë dielli” ishte edhe një nga shprehjet më frymëzuese të sopranos që dy javë të shkuara i drejtohej  publikut në vendin e  saj, ndërsa fliste për një nga televizionet shqiptare.

Sopranoja Arlinda Morava, është njëherazi edhe Atasheu Kulturor i vendit tonë në shtetin rumun.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok