Aromë jete, dëlirësi, art dhe dashuri na dhuroi Durrësi
Një përurim dinjitoz i librit “Genti, Mbreti Ilir i Ardianëve”
Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj
*Mirënjohje nxënësve të mrekullueshëm të shkollës “14 Nëntori”, Durrës!
*Falënderime dhe konsiderata përt znj.Merita Thartori Kuçi (Drejtore e shkollës“14 Nëntori”!)
*Nderim për znj. Sava Hoxhaj (zv/drejtore e shkollës dhe kabinetit të historisë që ajo drejton!
Një vlerësim dashamirës dhe i paharruar nga Drejtoria, stafi pedagogjik dhe mbi të gjitha nga nxënësit e shkollës “14 Nëntori”Durrës që vlen të merret shembull për të gjitha shkollat e vendit.
Nuk ka gjë më të bukur, më të vyer, më edukative, më dashamirëse se fytyrat e qeshura dhe zërat e çiltër e të gëzuar të fëmijëve artist të shkollës “14 Nëntori”Durrës.
Ditën e bukur të 26 prillit u nisëm nga Vlora e dy deteve, me djalin tonë, Ladin, bakëshorti im, Fitimi (menaxher e fotografi im personal, trashëgimtari i familjes sonë Rainhardi dhe unë. Gjatë rrugës, në Lushnje një re e hirtë zbrazi lotët e qiellit, aq pak, sa për t’na trembur. Por Dyrrahu i lashtë, Durrësi mikpritës na buzqeshi aq ëmbël dhe bukur, duke shndritur nën vezullimin e rrezeve të ngrohta të diellit jetëdhënës, na uroi mirëserdhjen plot bujari.
Për ne ishte diçka e bukur dhe e pazakontë. Nxënës të qeshur, të veshur bukur, na pritën të ngazëllyer dhe sa u futëm në sallën e koncerteve na rrethuan, sikur ne ishim mbrojtësit e tyre nga kanosja e çdo të keqeje. Ndërkohë një vajzë bukuroshe më dhuroi një buqetë të madhe me lule të freskëta me aromë Shqipërie. Ishte një pritje e ngrohtë e pastër fëmijënore. Megjithëse ky ishte përurimi i dytë me këtë shkollë, ne nuk njiheshim më parë me këta nxënës.
Zonja Merita Kuçi më kishte ftuar në fundtetorin e 2019 për përurimin e librit studimor “Elitat e Mohuara, krenari kombëtare”, në një takim prindër, mësues dhe nxënës. Takimin e parë e nderoi edhe Kryetare e Bashkisë Durrës, znj Valbona Sako. Madje më vlerësoi duke më dhuruar “Kullën Veneciane”që përdoret si emblemë për diplomatët. Shpreh mirënjohjen time për zonjën e nderuar Valbona Sako!
Këta nxënës të mrekullueshëm që kishin organizuar këtë festë të bukur, herën e parë ishin të vegjël, kurse tashmë ishin në klasën IV dhe në klasën V. Nxënësit dhe stafi pedagogjik i kësaj shkolle, në përuriin aktual, tregoi se arsimi, arti dhe letërsia qëndrojnë mbi politikën.
Ata vocërrakë të bukur fizikisht dhe tejet të bukur shpirtërisht, vlerësojnë librin si portën nga e cila hyn dija, atdhedashuria, mirëkuptimi, toleranca, dashuria për arsimin, kulturën dhepunën, si dhe mirënjohja për shkrimtarët. Fëmijë të tillë që i gjen kudo në vendin tonë, treguan se ata janë miq të shkrimtarëve, të cilët me librat e tyre edukativ, u çelin dhe u tregojnë brezave të rinj rrugët e jetës. Në atë mjedis festiv mes nxënësve ishin të pranishëm mësuesë, shkrimtarë dhe prindër.
Përshtypjet e para për mjedisin , i cili ngjasonte me një miniekspozitë të kohëve antike në Iliri. Në një format të madh spikaste kopertina e librit, “Genti, Mbreti ilir i Ardianëve”, punuar në grafik, nga nxënësi Orgesti Kaboçi. Në vazhdimësi… portreti i shkrimtares punuar në grafik nxënësja e klasës VII-A- Marie Domi. Pak më tej në një poster të madh kishin vendosur faqe ilustruese nga libri, mes tyre dhe fjalorin pellazgjisht etj.
Pasi zumë vendet zonja Merita çeli takimin duke uruar mirëseardhjen mysafirëve nga Vlora. Ndërkohë prezantoi autoren. Më pas e mori fjalën organizatorja e takimit Sava Hoxhaj. Veç vënies në dukje të vlerave të librit, zv/drejtore Sava recitoi vargje nga poezi të të dy poetëve durrsakë, Agim Bajrami dhe Kadri Tarelli, kushtuar autores. Pas tyre doli konferencierja një vajzë e kl.V-që paraqiti programin me një zë kumbues dhe të pastër. Nxënësit që do të debutonin u vendosën pas miktrofonit dhe paparitur, katër prej tyre bënë një hap përpara dhe recituan nga një strofë nga poezia e vendosur në palosjen e kopertinës së librit, “Vendi im përrallor”
Vendi im përrallor,
Moj e shtrenjta Iliri!
Zoti… të ka qëndisur
me dorën e tij.
Perlë margaritare,
dielli, në 270 ditë në vit
të dhuron ngrohtësi e mirësi
të përkëdhel e të josh përditë,
por mbi të gjitha…
të fali shumë dashuri.
Të dha ujë, diell dhe dritë,
jeta gëlon në çdo stinë…,
gjallojnë kafshët, çelin lulet.
Kudo gjelbërojnë bimësitë.
Zoti me tepëri të fali bukurinë,
me fusha, male dhe kodra të qëndisi,
dy dete e shumë lumenjë ujëplot,
me to të dhuroi mirësinë e gjithësisë.
Mbitoka mbushur me bukuri e begati
kurse nëntoka, pambarim pasuri.
Ndaj Zoti të bekoi e të quajti
Të Përkëdhelurën e tij,
“Parajsa, ku kanë folenë
dhe prehen,… Perënditë,
Ky,
është vendi im, Shqipëri!
Vivra
Në skenë u ftua shkrimtari dhe publicisti i shquar, Shpendi Hulësi Topollaj, i cili lexoi analizën e librit të mbreti Gen tqëu prit me duartrokitje. Natyrisht që ai spaktakël i bukur fëmijnor kishte regjisore një mësuese, por ata u shndërruan në regjisor, në prezantues, në këngëtarë në piktorë, në aktor të vegjël që me zërin e tyre të ëmbël, sollën gëzim në të pranishmit, në shoqet dhe shokët e tyre. Me çiltërsin dhe padjallëzinë e engjëjve ata u vunë në rolin e shkrimtares, të cilën e morën në intervistë që të mësonin diçka nga goja e saj. Përgëzoj mësueset e historislë se kishin vënë në gojën e fëmijëve pragrafet më të spikatura edukative të librit. Për vlerat ekëtij libri foli shkrimtari, historiani, kritku dhe analisti i mirënjohur Kadri Tarelli.
Më pas disa fëmijë analizuan ilustrimet në poster që flasin për jetën dhe luftrat, mjetet luftarake, për monedhat e Gentit apo psurinë e tij. Nxënësit fjalët pellazgjisht të vendosura në poster i shqiptuan në gjuhën e sotme letrare shqipe, duke treguar se pellazgjishtja dhe gjuha e sotme shqipe kanë të njëjtën rrënjë apo vazhdojnë të fliten ende si në lashtësi. Katër nxënës dramatizuan dhe zhvilluan dialogje nga libri, porositë e mbretit Pleurati III që i lë Gentit. Ose amanetet e Mbretit Gent për dy djemtë e tij. Jo vetëm ishte skenë e bukur dhe e arrirë, por shumë prekëse, kur dy djemtë të ulur në gjunjë i premtuan babait se amanetin e tij do ta plotësonin. Ata aktorë të vegjël u bënë mbret me kostumet arbërore dhe me kurorën e artë në kokë, u bënë mbetëresha Etleva dhe djemtë e tyre.
Më në fund pas këngëve të bukura, ata filluan t’u drejtohen nxënësve në sallë, se ç’kishin mëusar nga ky libër. Secili sipas radhës ngrihej dhe përgjigjej saktë dhe bukur. Ishte një takim që na ka lënë shumë mbresa. Për herë të parë nga goja e tyre mësova se ç’vlera ka ai libër. Aktorët e vegjël më bën që të përlotesha. Drejtori i shkollës “Qemal Mici”, z.Besim Dema, uroi shkrimtaren dhe i dhuroi portetin bashkë me nxënësen , piktoren e së ardhmes, Marie Domi.
Më pas ftuan z. Fitim Haxhiraj të përshëndeste auditorin. Pas fjalës përshëndetëse, ai citoi një poezi nga fëmirija e tij, e titulluar “Nëna ime”.
Së fundmi përshëndeti dhe shprehu mirënjohjen shkrimtarja e ftuar në këtë përurim të veçantë, autorja e librit, Vilhelme Vrana Haxhiraj.Drejtoresha me nxënësit i dhuruan shkrimtares Çertifikatën,
MIKE E FËMIJËVE
I jepet Mësueses dhe Shkrimtares Vilheme Vranari Haxhiraj, nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare “14 Nëntori” për pasurimin e njohurive të tyre si studiuese dhe përçuese e fjalës në fushën e historisë.
Biblioteka e shkollës 9-vjeçare Drejtore e Shkollës
“14 Nëntori” Merita Kuçi (Thartori)
Durrës, Më, 26 prill, 2023
Lexues të nderuar!
Veç kënaqësisë që morëm nga Durrësi, nuk më ngelet gjë tjetër, veçse të them me plot gojën se shkolla “14 Nëntori”, edhe pse është bujtëse në shkollën “Qemal Mici” qysh nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019, aty punohet me përkushtim. Ndiqni shembullin vetmohues të këtyre mësuesve dhe nxënësve të mrekullueshëm.
Urime dhe falenderime për piktorët, Marie Domi dhe Orgesti Kaboçi, si dhe për gjithë aktorët e vegjël, të cilët i dua shumë. Nxënës të dashur, mësoni dhe punoni me përkushtim se ju nesër do të jeni politikanët, ligjformuesit, ligjzbatuesit, diplomatët dhe arkitektët apo ndërtuesit e së nesërmes së vendit tonë të drobitur.
Mirënjohje dhe konsiderata për shkollën “14 Nëntori” !
Vilhelme Vrana Haxhiraj
Vlorë, 1.5.2023