12/12/2024

ARBËR CAKA, NJERIU DHE SIPËRMARRËSI FISNIK

0
Arber-Caka

NGA NDUE DEDAJ

Mirditorët, këto Krishtlindje, do të ndezin një qiri përshpirtje për një djalosh të paharruar, Arbër Cakën, që u shua në fundin e tetorit, në moshën 38 – vjeçare, nga një aksident i rëndë në punë. Siç do të jenë përherë të freskëta lulet në vendin ku ai prehet. Rrallë herë qyteti i Rrëshenit ishte veshur në zi si atë ditë që i dha atij lamtumirën në Katedrale, ngaqë Arbri kishte lënë gjurmën dhe buzëqeshjen e tij kudo dhe te secili. Kishte lënë emigracionin në Angli, bashkë me vëllezërit, për ta krijuar së bashku me ta në atdheun e tyre punën dhe arritur sukesesin.

Pinim kafën çdo pasdite në të njëjtin bar dhe ai asnjëherë nuk kalonte pa folur, përherë i buzëqeshur, i vëmendshëm ndaj secilit. Ishte i ri, aq as dhe “plak”, pasi veti e tij ishte t’i pleqnonte mirë e mirë punët para se t’i niste. Ua pati bërë jetën të gëzueshme dhe festën të bukur njërezve me të cilët punoi shumë vite, por dhe vetë komunitetit me veprat e ndërtuara që la pas në ndërtimtari, ura, vila, pallate, resorte turistike, kanale vaditës si ai i Malajve me partnerë të huaj, objekte dekorative etj. Firma e tij punoi dhe në ndërtimet e pas-tërmetit, në lagjën e re të Rrëshenit, te ish-reparti ushtarak. Ai ishte sipërmarrës i suksesshëm, që punoi bashkë me vëllezërit në një kompani ndërtuese, brenda dhe jashtë Mirditës, si në Lezhë, Kurbin, Mat e deri në Bujanovc, te shqiptarët në Serbi, ku do të ndërtonte dy pallate. Arbri ishte vërtetë shef e menaxhues i punimeve, por ishte dhe njeriu novator, mjeshtri që çdo gjë donte ta bënte të bukur dhe cilësore. Kjo ishte edukata e punës që ai dhe vëllezërit e motrat (tetë fëmijë) kishin marrë në familjen e tij punëtore qysh të vegjël. Nuk kërkoi kurrë të dukej, të binte në sy, nuk dinte të ankohej.

Arbri, djaloshi energjik përherë i qeshur, do të kujtohet gjithnjë jo vetëm për mirësinë që e karakterizonte si njeri, por dhe si një i ri sipërmarrjes që krijoi një model pune, në përballje me vështirësi të shumta të terrenit, burokracisë etj. Telefonit të tij mund t’i binte lirisht çdo qytetar dhe do të gjente zgjidhje dhe për punë të thjeshta: dikuj i duhej kamioni për të transportuar drutë e zjarrit, dikujt fadroma për të larguar dheun e shembur mbi shtëpi nga shirat, dikujt skela për të suvatuar faqen e murit të banesës etj. Asgjë nuk fitonte firma nga këto, përkundrazi ishin humbje, por qytetarit i zgjidheshin problemet. Nuk bënte llogari kur ishte fjala për të kontribuar në komunitet, aq më tepër kur bënte ndërtime me Caritasin, si një banesë në Bruç të Matit etj. Ndaj qe simbol i punës dhe qytetarisë, bashkëpunues me investitorët privatë e shtetërorë, pushtetin vendor dhe institucionet. Parimi i tij ishte kryerja e punimeve me përgjegjësi, “si për shtëpine e vet”, komunikimi korrekt dhe përmbushja e detyrimeve kontraktore në kohë.

Arbri ishte nga Kthella e Epërme dhe të “epërme” i kishte dhe punët, thotë inxhinieri i ndërtimit i firmës Dod Pjetraj, që ka mbi 46 si ndërtues, duke u shprehur me vlerësim për Arbrin, serioziteti i të cilit fillonte që nga zbërthimi me detaje i projekteve të objekteve, organizimi i punës etj. Ai qe dhe sponsorizues i veprimtarive artistike e folklorike të trevës së tij.

Vdekja e tij e papritur i pikëlloi të gjithë, në mënyrë të veçantë familjarët, nënën e tij të moshuar që e kishte dritën e syve, ata që e njohën dhe ata që e kishin dëgjuar. Nuk është e rastit që në lamtumirën e tij kishin ardhur jo vetëm nga Tirana e rrethet e tjera ku kishte punuar, por dhe nga trojet shqiptare. Si një Arbër në vendin e Arbërve, gjithmonë do ta kujtojë me mirënjohje vendlindja, të cilës ai i dha punë, mirësi dhe dinjitet.

Post scriptuam. Dy vite më parë, pas përurimit të resortit agroturistik “N’Kanu”, Perlat, një çast Arbri m’u drejtua: “Eja, profesor, e bëjmë një fotografi bashkë”, duke më futur krahun miqësisht. Nuk e gjeta atë fotografi për momentin, ndaj një motiv më shumë për të vazhdue me e kërkue “fotografinë” e tij sot e nesër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok