22/12/2024
u6_Papuciu-Franco-Marussich

Meditim për diasporën shqiptare

Nga Alfred Papuçiu

Bashkëkombasit kudo që janë në Europë, në Amerikë, Australi, Amerikë Latine e gjetiu, bëjnë një shërbim  për mbajtjen gjallë të frymës kombëtare, edhe përkohësisht jashtë tokës mëmë. Kete mendoja kur nga shtypi mora vesh se Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim një grup nga Arbanasit e Zarës në Kroaci, të cilët ndodhen për një vizitë disaditore në Shqipëri. Arbanasitt e Zarës njihen për ruajtjen e zakoneve të tyre, dhe traditës, ata vizitojnë trevat e prejardhjes së tyre, promovojnë kulturën dhe artin dhe shënojnë festën Zoja e Loretos.

Një prej tyre është edhe një shqiptar të brezit të tretë, nga Zara, Franco Marussich, i cili e ka për nder që e ka prejardhjen nga Shqipëria, nga Dukagjini. Ai flokëthinjur, flet me thjeshtësi, pa u mburrur se gjithçka që ka grumbulluar për familjen e tij të madhe, përbën një histori të vërtetë e të dhimshme, të shqiptarëve të cilët menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut u detyruan të lënë vatrat e tyre, për t’i shpëtuar invazionit të huaj. Kur i them se historia e familjes së tij duhet hedhur në letër, ai më thekson se e ka menduar një gjë të tillë, por ajo s’ka ndonjë gjë të veçantë, është tepër e zakonshme, si edhe përpiqet t’i shmanget duke theksuar se pasioni për profesionin e tij, arkitekt, e ka afruar me artin, me dëshirën për të bukurën, për historinë e shqiptarëve, por nuk i ka lënë kohë më tepër…

Një miku im mjek më tha një ditë: „Ndoshta nganjëherë jemi shumë pranë njerëzve të mëdhenj, por nuk e kuptojmë filozofinë e tyre“. Këtë ndjeva kur e takova Frankon, shqiptarin me prejardhjen nga Dukagjini, erudit dhe njohës i thellë i historisë së popullit prej nga e ka prejardhjen, prej „Arbanasi“ të Zarës. U njoha me të krejt rastësisht para shumë vitesh. E ruajtëm miqësinë tonë. Më ftoi disa herë në shtëpinë e tij, diku në një fshat të Francës. Një shtëpi e ndërtuar mbi bazat e një ish ferme, ku edhe tavolinën e tij të punës, mobiljet dhe pajisje të tjera të ndërtesës tre katëshe, i ka skalitur me duart e tij të arta. Ai pret atje miq e dashamirës të shumtë, shpesh herë rreth një gote rakije rrushi nga Shqipëria që ja sjellin miqtë, ose edhe me një gotë verë të mirë e të vjetër që ai e njeh si degustator e prodhues i saj. I tillë është dhe në jetë, gjithmonë me atë buzëqeshjen e tij karakteristike, me respektin që gëzon tek kolegët, tek miqtë e shumtë. Edhe unë kam fatin e mirë të jem një prej tyre, që herë herë i marr ndonjë mendim edhe për artin, historinë e popullit tonë, letërsinë, si edhe arkitekturën. Me njohuritë e tij të thella, shpesh më ka folur për historinë e Ballkanit, për prejardhjen e familjes së tij, por nuk ka dashur që ajo të bëhej publike, pasi e quante diçka të zakonshme. Më së fundi ja mbusha mendjen dhe një pasdite më rrëfeu për orë të tëra këto rreshta në dhomën e tij të punës, ku ndodhet një bibliotekë e pasur. Aty gjen edhe fjalorin frëngjisht-shqip të profesorit tim të nderuar të frëngjishtes, Vedat Kokona,  një fjalorth italisht-shqip dhe shqip-italisht, botime për „arbanasit“ e Kroacisë, për Zarën, për historinë e shqiptarëve, të Ballkanit, të Shqipërisë, si edhe relike nga Zara, ku shqiptarët kanë fshatin e tyre me emrin „Arbanasi“, kishën, korin e tyre dhe ku rrugët mbajnë emrat e paraardhësve të Frankos. Ai është këmbëngulës për të arritur diçka, pasi thotë jam si malësorët shqiptarë, pak kokëfort, por dua që gjithçka të jetë e përsosur. Diku, në shënimet e tij ka shkruar në frëngjisht: „Mon père était de langue maternelle albanaise“ (Babai im gjuhën amtare e kishte shqipen).

„Familja jonë, sipas burimeve familjare, por edhe sipas kërkimeve që janë bërë nga një historian i lagjes sonë, është me origjinë nga krahina e Sködar (Shkodrës), me sa duket në malet pranë Dukagjinit. Në fakt, meqënëse një familje me emrin Dukagjini (që bën pjesë në grupin tonë familjar- u quajt më vonë Duka„.Në fillim, emri ynë, me sa duket ishte „MAR-UKU ». Emrat e familjeve të ndryshme u ndryshuan nën Austro-Hungarinë, me qëllim që t’u jepej atyre një tingëllim sllav, meqënëse në atë kohë favorizohej sllavizimi.

Kur e pyeta Frankon se kur ka filluar largimi i famljes së tij nga Dukagjini, ai duke u menduar thellë, më theksoi : « Migrimi i grupeve të ndryshme familjare u realizua me anën e dy rrugëve të ndryshme : një nëpërmjet Barit (Itali) ku një prej paraardhësve të mij u martua me një italiane ; tjetra gjatë bregdetit dalmat : data e mbritjes së tyre në Zara (tani quhet Zadar) për një pjesë të tyre është në vitin 1726, dhe për një pjesë tjetër në 1733. Paraardhësit e mij ikën nga Shqipëria në atë kohë, pasi kishin luftuar kundër otomanëve që pushtuan tokat tona. Në shekulllim e 16-të, shumica e shqiptarëve ishin Kristianë, me Kishën Katolike Romane që sundonte në Veri, dhe me Kishën ortodokse në Jug. Në fillim, vetëm një numër i vogël qytetesh u kthyen nga  feja Islamike, për të mbajtur pozitën e tyre ekonomike dhe privilegjet e tyre nga pushtuesit otomanë. Ndërsa në mëse 100 vjet, megjithë presionet ekonomike dhe pengesat e shumta, pjesa e shqiptarëve që ishin kristianë e ruajtën fenë e tyre. Kur otomanët filluan islamizimin e vendit, ne u larguam nga Dukagjini… ». Në 1726, 21 familje shqiptare ikën nga vatrat e tyre dhe u vendosën një kilometër në jug të Zarës. « Arbanasit » u vendosën rreth Zarës ku kishte përparësi Kisha Romane dhe kjo bëri që ata të vendoseshin nën mbrojtjen e « Republikës Veneciane të Dalmacisë ». Ata u ndihmuan të ndërtonin shtëpi dhe të kishin stane për bagëtitë e tyre, dhe në rastin e Zemunikut, disa kilometra larg Zarës, ju dhanë livadhe për kullotje, si dhe u pastruan tokat nga gëmushat. Në 1726, të udhëhequr nga dy vëllezërit me mbiemrin PETANI, erdhën 24 familje shqiptare. Profesori Vjekoslav Klaic, shkruan për « Arbanasit » në librin e tij « Opis zemalja u kojim stanuju Hrvati (Raport mbi vendbanimet e banuara nga kroatët), i botuar në 1881. Aty ai thekson se ishin 1354 Arbanasi, rezidentë nga Skutari (Shkodra) që u vendosën aty.

Duhet theksuar se kolonitë shqiptare të Zarës në Dalmaci i kanë rezistuar rebeshëve të kohës, nuk janë asimiluar nga fiset sllave, por kanë ruajtur gjuhën, doket, zakonet, emrat, mënyrën e jetesës. Ata e pohojnë kurdoherë prejardhjen e tyre arbërore dhe në përgjithësi flasin shqip, sidomos brenda familjes duke synuar të ruajnë dhe transmetojnë brez pas brezi gjuhën e tokës amë. Arbanasit flasin një nga dialektet ose gjuhët më të rralla në Europë, e folur sot nga vetëm 300 deri në 500 persona. Ajo kombinon elementë të dialektit geg shqiptar me dialektin dalmat të Kroacisë dhe pak italisht.

Në vitin 1756, qeveria e Venetikut bëri një regjistrim të tokës për familjet « Arbanasi ». Regjistri kishte si qëllim të nxirrte numrin e vendndodhjeve dhe të njerëzve që ishin në çdo familje. Në librin « Erber » ndodhen disa nga këto mbiemra : Duka, Petani, Marsan, Marsiga, Kovacevic, Marsig, Sestan, Bargela, Gjoka, Kalmeta, Markuz, Marusic, Nikagi, Skopelja, Vuk, etj.

Në një dokument të 15 gushtit 1726, për « arbanasit », ndër të tjera thuhet : « Migrimi i parë u bë për shkak të persekutimit fetar dhe dhunës nga ana e otomanëve ; është e shkruar se familjet shqiptare ranë dakord të largohen nga barbarizmi otoman, duke lënë tokat e tyre dhe çdo pasuri tjetër, duke u strehuar dhe marrë në mbrojtje nga Republika ». Në një dokument tjetër të 30 dhjetorit 1726 theksohet lidhur me migrimin e dytë të shqiptarëve : « këto familje u detyruan të ikin nga tokat e tyre, për shkak të persekutimit të shkaktuar nga ana e dy pashallarëve otomanë nga Bar (port që është quajtur edhe Antivari). Vetë turqit kanë njohur se persekutimi nga ana e Akmet Pashës ka qënë i gabuar dhe se kjo i detyroi « Arbanasit » të lëvizin nga tokat e tyre amtare. Sipas legjendës, një nga rrugët që përdornin otomanët për të persekutuar shqiptarët ishte rrëmbimi i grave të reja të krishtere. Si hakmarrje ndaj këtij veprimi çnderues, shqiptarët sulmonin natën otomanët ku ndodheshin, digjnin fshatrat e tyre dhe largoheshin nga vatrat e tyre, për t’i shpëtuar një persekutimi të ri nga ana e pushtuesve.

Përveç arbanasve në Kroaci jetojnë edhe shqiptarë që mërguan atje në kohën moderne si punëtorë sezonalë, refugjatë lufte ose sportistë, kryesisht nga trevat shqiptarë nën ish-Jugosllavi.

Shumë banorë të Zadarit sot, pa asnjë dyshim janë me origjinë nga migrimi i parë dhe i dytë e Arbanasve. Në shkrimet për Zadarin e sotëm theksohet se ai është një qytet kozmopolit. “Nga kohët e para popullsia ishte ilire, romake dhe slave. Në Mesjetë u vendos aty një komunitet i vogël çifutësh dhe grekë, kurse para pushtimit ottoman aty ishin vendosur komunitete të Arbanasve dhe serbe. Aty mund të dëgjosh edhe sot gjuhën Zaratine dhe dialektin Shqip, si edhe në traditën e këngëve popullore në kishat katolike dhe në ceremonitë e ortodoksëve…”          « Arbanasit » kanë pasur gjithmonë frymën e solidaritetit, të ndihmës për njeri tjetrin. Ata ishin të bashkuar përballë të huajve. Shpesh martoheshin në rrethin e tyre, natyrisht jo me kushërinj të afërt.

Franko vazhdoi tregimin e tij : « Im atë ka qënë një sportist i nivelit të lartë, sidomos në kanotazh (vozitje), në shkallë ndërkombëtare, por gjithashtu si nën-kampion ushtarak italian i hedhjes së shtizës. Ai ishte themeluesi i seksionit socialist klandestin në Zara, në kohën e fashizmit… »

«  Me një grup miqsh vozitësish si ai, ata përshkruan bregdetin dalmat me një anije me rrema, një aventurë e madhe prej nga u shkrua libri « Remi sull’Adriatiko » (Rremat mbi Adriatik). Fatkeqësisht, unë nuk pata fatin ta lexoj këtë libër, pasi ekzemplarin që e kishte babai ja mori hua dikush që nuk e ktheu më kurrë».

« Duke qënë se kam lindur në Zara tek « Arbanasi », vazhdon Franko tregimin e tij, trashëgova shtëpinë e tim eti, ku mendoj të kaloj pleqërinë time, me gruan, me të cilën kam tre fëmijë, një djalë dhe dy vajza. Pas mbarimit të shkollës së mesme në Itali, unë përfundova studimet për arkitekturë në Gjenevë, ku mora dhe diplomën, më 1969. Duke qënë si arkitekt i pavarur, kam pasur mundësi të punoj në Amerikë (Porto Riko), në Afrikë, si edhe në Evropë : Zvicër, Portugali, Itali, Angli dhe Francë. Ka punuar sidomos si arkitekt urbanist për programme të posaçme: si në krijimin e qendrave për persona me aftësi të kufizuar, të banesave sociale, shkollave dhe ndërmarjeve industriale. Ka projektuar vila (si të sheikëve arabë), shale-shtëpiza në male, ka ristrukturuar qendra në zona rurale, dhe është marrë edhe me arkitekturën e brëndëshme. Ka realizuar ndër të tjera një qendër shëmbullore arkitekturale në Gjenevë, në « qytezën » Kolonji (Cologny) ku kanë rezidencat e tyre miliarderë dhe artistë të dëgjuar si Alen Delon, Sharl Aznavur, si dhe ka rinovuar kështjella në Londër, apo « qyteza » antike në Itali.

Së fundi Franko ka botuar librin « San Donato Zara » (Analizë e krahasuar e elementëve arkitektonikë) në Tiranë. Së shpejti libri do të botohet edhe në gjuhën shqipe, pasi botimi i parë është italisht. Libri është tepër i dokumentuar dhe lexohet me endje si nga arkitektët, por edhe nga lexues të tjerë dashamirës të artit, pasi jep një vizion tjetër të arkitekturës. Franko ishte edhe në Shqipëri për të gjetur gjurmët e të parëve të tij shqiptarë, për të pasuruar pemën gjenealogjike të familjes së tij, si dhe për të dhënë ndihmesën e tij për arkitekturën shqiptare dhe për të sjellë investues francezë. «Dua edhe unë të jap kontributin tij si shqiptar, thotë ai, në zhvillimin e Shqipërisë. Nuk e prisja nga këto që pashë që vendi im të kishte bërë kaq hapa të mëdha. Natyrisht ka akoma shumë për të bërë, por edhe vende të mëdha, si Franca, Italia e gjetiu, kanë probleme me urbanizmin. ».

Unë i përkas brezit të vjetër të arkitektëve dhe më është dashur të merren sidomos me urbanizmin e një qyteze, qyteti, apo edhe me punime të tjera, si ndërtimi i shkollave, rinovimi i kështjellave e te tjera. Këtu, në Tiranë shoh që janë bërë hapa përpara për urbanizmin, por duhet bërë më tepër për hapësirat e gjelbra, për rrugë dytësore që janë akoma me gropa. Rëndësi i duhet dhënë sidomos bregdetit dhe jo të veprohet si në Spanjë ku gjithçka po betonizohet. I duhet dhënë përparësi turizmit, por kjo kërkon të zhvillohet infrastruktura e duhur. Unë do të përpiqem të ndihmoj me mundësitë e mia dhe me miqtë e mi. Ndërkohë, do vazhdoj kërkimet për të pasuruar pemën gjenealogjike të familjes dhe për të gjetur më tepër të dhëna për prejardhjen time. Në këtë drejtim, më kanë ndihmuar vëllezërit e mi shqiptarë, këtu dhe në Diasporë”.

Djali im (1966) është valltar-koreograf. Dëshira e tij është që një ditë të vizitojë trevat e të parëve të tij në Dukagjin (familja Duka), si dhe të më fton të vizitoj shtëpinë e tij në Zara dhe trevat e shqiptarëve atje dhe në brigjet e Dalmacisë ku ata punojnë me nder e japin ndihmesë në prosperitetin e asaj zone të bukur turistike. Franko ka botuar dy libra: «Zara, një qytet në hapësirë dhe në kohë» dhe «Zara-San Donato».

Sipas Frankos, në Zemunikun e ulët dhe Zemunikun e lartë, rajone në Kroaci, jo shumë larg Zadarit, banorët vendas thonë se « ne jemi kushërinj ». Ata kanë ardhur nga Veriu i Shqipërisë. Arkitekti me origjinë shqiptare më tregon se një ditë kur ishte duke restauruar shtëpinë e tij në Zara, kishte kërkuar një kamion për të transportuar disa pajisje. Shoferi ishte nga Marussichët… ». Vendbanimi i « Arbanasve » i vendosur nga Republika e Venetikut në 1727, në Zemunik, 14 km larg Zarës është po ashtu tepër domethënës. Një dokument i 12 shkurtit 1728, thekson emrat e shqiptarëve të vendosur aty : Gjeçi d’Andrea, Pietro di Marko, Giovanni di Vucchia, Giovanni Prençi, Nicolo Giovi, Giovanni di Giovo. Sot në Zemunik ka familje me mbiemrin : Paleka, Sestan (Shestani i sotëm), Prenda dhe Curkovic.

Franko përmend me respekt Aleksandër Stipçeviç, historian akademik kroat, me origjinë shqiptare dhe që konsiderohet një nga studjuesit më të mire të çështjes ilire dhe të prejardhjes së shqiptarëve.. Është autor i një numri të madh veprash për ilirët dhe historinë e librit: “Historia e ilirëve”, “Arti i ilirëve”, “Simbolet e kultit te Ilirët”, “Bibliografi për ilirët”, “Historia e librit”, “Censura në biblioteka”, “Interpretime albanologjike”, etj

Qyteti i vjetër « Arbanasi », është më i vjetër se Roma. Aty janë gjetur eshtra të njerëzve që kanë egzistuar 3 mijë vjet para lindjes së Krishtit. Popullsia në fillim quhej « liburnë », që ishin ilirë në Zara. Ata merreshin atëhere më tepër me kullotjen e bagëtive, por edhe për jetën e përditshme kishin edhe zanate të tjera. Ishin njerëz krenarë, fisnikë, të bukur dhe me karakter, si gjithë shqiptarët e mirë e të ndershëm, kudo që janë në botë. Nuk e njihnin as drogën, as kriminalitetin, as prostitucionin, që në kohët moderne disa të paudhë, sëbashku me ata që s’ja duan të mirën shqiptarëve, përpiqen t’i fusin disa të rinj të papjekur në rrugën e mbrapshtë të fitimit të të hollave pa djersë, pa mund… »Arbanasit » kanë bërë restaurime dhe janë nderuar për punën e tyre nga kushdo. Përmendet me mirënjohje Sergio Papuçi, për restaurimin e « Vetratës së Duomo di Arezzo », Giovanni Marussich për restaurimin e « Maestra di Santa Trinita » dhe emra të tjerë të shquar shqiptarësh, për të cilët do shkruajmë njëherë tjetër…Në Apenine tek « Luogo di Romagne » ndodhet « Bivacco Marussich » që është një vendndodhje në mal ku alpinistë e turistë ndalen, bisedojnë, pushojnë dhe pastaj marrin rrugën për më tej, në lartësira të tjera. Në jug të Dalmacisë ndodhet një fshat me emrin « Marussich ». Interesant është se edhe në Peloponez të Greqisë ndodhet një fis me mbiemrin « Maroussi » që thuhet se janë shqiptarë…

Shumë banorë „Arbanas“ flasin  shqip, dhe ruajnë fjalë të parardhësve të tyre. Fjalët „bregdeti“, „pirun“, „marangon“, „kaiço“ (kaike- varkë e vogël), „stan“, „jam i angër“ (Kam uri) etj., përdoren gjërësisht në mjediset me shqiptarë në Zara. Një port i vogël në Zara quhet « Bregdet » dhe atje banonin « arbanasit ».  Po të shohësh fjalorin e folur nga « Arbanasit » të Dr. Kruno Krstic gjen një ngjashmëri të çuditshme të fjalëve që fliten edhe sot në shqip atje. Për shembull tek fjala « bregdet » thuhet : « era po fryn pe bregdetit » ; « faculet » që thuhet në Shkodër, « arbanasit » thonë : « e ko mbluo krenin me faculet » ; « fjal » : « me dhan fjalën » ; « fol : « un po të flas si mik mikut » ; « flok » : « kur s i kren flokët » ; « grabit » : « vajzat kan vot në pus me grabit » ; « kap » : « shkon me kap zogj në vishç » ; « këput » : « mos ma këput udhën », « këcye » : « këcen si liepuri » ; « kopësht » : kopshti n’o mas shpie » ; « mbyll » : « mbylli syt në daçësh më flet » ; « mujt » : « sot nuk munj me punua » ; « punua » : « i ati i ti punon në gjutet » ; « rush » : ko rush për me angër e për me bo ven » ; « vogël » : « mere voglin me vete », « Zadër » : « Arbénesh jan sot nji vend me Zadër ».Shpesh mblidhen sëbashku dhe këndojnë në kor këngët e tyre në kishën shqiptare. „Arbanasii“ janë katolikë dhe praktikues të fesë së tyre.

Franko erudit, por tepër i rezervuar për të folur për familjen e tij, nuk më flet për të birin, Yann Marussich, „arbanasin“ që është kërcimtar i njohur në botë. Unë, në aq vend sa do të më lejojë lexuesi i gazetës, do të jap një përmbledhje tepër të shkurtër të rrugës së këtij artisti të madh. Qysh nga 1989 ai ka realizuar më se 20 arritje (Performance) të shkëlqyera dhe koreografi. Nga 1993 deri në vitin 2000, ai ka qënë drejtor i „Teatrit të Uzinës“ në Gjenevë. Sot ai merret sidomos me kërcimet vetiake dhe body-art. Spektakli i tij “Ble Provisoire” (Bluja e përkohshme) është paraqitur në shumë festivale në Zvicër dhe jashtë shtetit dhe ka qënë i ftuar nderi në edicionin 2003 në “Montpellier Danse” të Francës. “Bluja e përkohshme” është një vepër vizuale që merret me trupin për t’i dhënë bukurinë e tij fillestare: një ballë për ballë i mrekullueshëm ku spektatori merr përvojën intime të lëkurës dhe përbërjes së tij. Në Milano në Festivalin e Artit u paraqit me dinjitet me “première-performance”( performance ose arritja e parë). Në Qendrën Kulturore Zvicerane të Parisit, që është anëtare e Forumit të Instituteve të Huaja Kulturore, u cilësua nga shtypi i Parisit si « eksploratori i të gjitha zhanreve, koreografi dhe valltari Yan Marussich bën performance, vallzim, art plastik dhe body-art që zgjat 3 deri 5 orë, por që do të deshim të vazhdojë akoma… » Një kujtim i bukur për mua kur shoh se “arbanasi” me prejardhje nga Zara e Kroacisë ka arritur shkallët më të larta të artit në Gjenevë, paçka se ai nuk flet shqip, paçka se jetën e tij, fëmijërinë e tij e ka kaluar në Zvicër ku jeton me gjithë familjen. Megjithatë, ai nuk e harron prejardhjen e tij, ashtu si dhe të gjithë shqiptarët që kanë marrë nënshtetësinë zvicerane, por që njëkohësisht ka edhe pasaportën e vendit ku ka lindur, Shqipërisë, pra gëzon dyshtetësinë dhe është mirënjohës ndaj vendit që e ka pranuar, por edhe krenar që fëmijët e tij do ta dijnë se nga kanë ardhur. Ashtu, siç thotë  miku im i urtë: afroju bashkëatdhetarëve të mirë, punëtorë, edhe atyre që e kanë në venat e tyre gjakun shqiptar, atyre që janë pasardhës të Nënë Terezës, të Isa Boletinit, të Rilindasve tanë, të…; atyre që e gëzojnë jetën, që pijnë nga një gotë raki, edhe pse janë larg Atdheut, por largoju “qoftëlargëve”, atyre që kanë frikë nga hija e tyre, atyre që nuk njohin miqësi e shoqëri, që vetëm lëshojnë anatema ndaj bashkëatdhetarëve, mos kij frikë nga i ftohti i dimrit, ji më i fortë se vuajtjet, shqetësimet, brengat, bujar si një pemë mbushur me mollë, ik diku pa kërkuar diçka, prano vetëm atë që të jep e ofron jeta e përditshme. Tek njerëzit e kombeve të ndryshëm që kanë të njëjtin karakter si ne mesdhetarët, ballkanasit, shqiptarët kudo që janë në Kosovë, Maqedoni e në botë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok