22/12/2024

AMERIKA UROI PAVARËSINË E KOSOVËS

0
Clinton-Bush

(Me rastin e 12-vjetorit, 2020)

Nga Frank Shkreli

20-vjet pas çlirimit dhe 12 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë mbështetësi kryesor i integritetit dhe sovranitetit të Kosovës së pavarur, ndërsa vazhdon angazhimet dhe përpjekjet në nivel rajonal për një marrëveshje përfundimtare midis Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë që nivelin ndërkombëtar, Washingtoni lobon gjithnjë për më shumë njohje të Republikës së Kosovës nga vendet e botës që nuk e kanë njohur ende.  Të gjitha këto me synimin për anëtarësimin eventual të Republikës së Kosovës në organizmat euro-atlantike dhe në organizatat kryesore ndërkombëtare, përfshir Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në të vërtetë, duket sikur Shtetet e Bashkuara po bëjnë më shumë në këtë drejtim se vetë Kosova dhe Shqipëria, marrë së bashku.  Zyrtarët amerikanë të niveleve të ndryshme, kanë theksuar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara janë mbeten një partner i vendosur i Kosovës dhe kanë nënvizuar, vazhdimisht, në deklaratat e tyre në Prishtinë dhe në Washington, se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara për një Kosovë demokratike, të bazuar në ligj, tolerante dhe e begatë, që do të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane dhe euro-atlantike, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta dhe në paqe me fqinjët e saj.

Vazhdimësia e këti partneriteti, jo aq të zakonshëm në marrdhëniet ndërkombëtare, është mbështetur gjatë dy dekadave të fundit nga administratat amerikane, demokrate dhe republikane, pa dallim, si një nga prioritetet e politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor dhe në kontinentin evropian.  Administrata republikane e Presidentit Trump ka caktuar dy përfaqsues të saj, muajt e fundit, për tu marrë me Kosovën.  Presidenti amerikan, Donald Trump i ka dërguar një telegram Presidentit të Kosovës, Z. Hashim Thaçi me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës duke shkruar se, “Populli Amerikan dhe unë së bashku, urojmë të gjithë qytetarët e Kosovës për 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.  Lidhjet e fuqishme në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë farkëtuar nga përkushtimi i përbashkët për bërjen e Kosovës vend sovran, të pavarur, multi-etnik dhe demokratik.  E përgëzojmë Kosovën për zgjedhjet demokratike të muajit tetor dhe mirëpresim angazhimin e vazhdueshëm për të çuar përpara paqen, drejtësinë dhe prosperitetin për popullin e Kosovës si dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”,  është shprehur Presidenti Trump në mesazhin e tij me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe premtoi se ,”Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale, të mbështetura në punën e vyeshme të popullatës tuaj dinamike dhe në përcaktimin e përhershëm për vlerat tona të përbashkëta” ka nënvijuar Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Trump.

Në 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, uroi me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës ndërsa ka thekësuar rëndësinë që Washingtoni i kushton sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, duke thënë se ato janë thelbësore për sigurinë dhe qëndueshmërinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.  Në urimin e tij, Kryediplomati amerikan shkruan se, “Për më shumë se një dekadë dy vendet tona kanë gëzuar një partneritet të fortë mbështetur në vlera të përbashkëta.  Sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës mbeten thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor.   Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën në udhëtimin e saj drejt integrimit në institucionet transatlantike dhe do të vazhdojnë të punojnë për të forcuar sundimin e ligjit, për të çrrënjosur korrupsionin dhe për të nxitur përparimin ekonomik për të gjithë qytetarët e Kosovës”, është shprehur Mike Pompeo në mesazhin e tij.

  1. Pompeo iu referua edhe zgjedhjeve të fundit në Kosovë, duke thënë se me formimin e qeverisë së re, Kosova ka një mundësi të re për të realizuar mundësitë e saj të plota, si për qytetarët ashtu edhe për marrëdhëniet me vendet fqinje.Ai u shpreh i inkurajuar nga ngjarjet e fundit, siç duket në reference të dy marrveshjeve të nënshkruara në Berlin,  që sipas tij, “sinjalizojnë një lëvizje drejt lehtësimit të investimeve, turizmit dhe lidhjeve tregtare dhe të njerëzve me Serbinë, të cilat paraqesin themelet për përparim të mëtejshëm në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në të ardhmen e afërt”midis dy vendeve, ka thekësuar Sekretari I Shtetetit, Mike Pompeo në urimin e tij me rastin e përvjetorit të 12-të të pavarësisë së Kosovës.

Këtë vazhdimësi të partneritetit historik midis Amerikës dhe Kosovës e theksoi edhe Partia Demokrate e Shteteve të Bashkuara nepërmjet Kryetarit të Komisionit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shteteve të Bashkuara, Z. Tom Perez, gjë që, sin ë të kaluarën, tregon qëndrimin e përbashkët të politikës amerikane karshi Kosovës. “Sot ne bashkohemi me të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, por sidomos me shqiptaro-amerikanët në Shtetet e Bashkuara, për të festuar pavarësinë e Kosovës.  Ne jemi krenarë për rolin që ka luajtur Amerika në mbështetje të paqës, begatisë dhe demokracisë në Ballkan gjatë gjithë shekullit të kaluar.”

“Shtetet e Bashkuara”, nënvijoi Kryetari i Komisionit Kombëtar të Partisë Demokrate të Amerikës, “nën udhëheqjen e Presidentit Woodrow Wilson, luajtën rolin kritik në mbështetje të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Shqipërisë.  Në vitin 1999, Shtetet e Bashkuara, suksesshëm, udhëhoqën misionin ushtarak për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë”, u shpreh, demokrati Tom Perez

Duke thekësuar mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe duke u zotuar për ndihmën e pa kursyer për Republikën e Kosovës në të ardhmen në rrugën si demokracia më e re në Evropë, Z. Perez përshëndeti me këtë rast edhe komunitetin shqiptaro-amerikan, i cili tha ai, feston pavarësinë e Kosovës dhe të cilët kanë punuar aq shumë për të bërë këtë ëndërr realitet.  Emigrantët shqiptarë, si shumë të tjerë para tyre, kanë adaptuar Shtetet e Bashkuara si vendin e tyre dhe kanë dhënë kontribute të dukëshme komuniteteve anë e mbanë këtij vendi.  Duke filluar nga antarët e sindikatave në Nju Jork e deri tek tregëtitë e vogëla në Miçigen, përfshir artistët frymëzues shqiptarë, shqiptaro-amerikanët i shtojnë vlera atij mozaiku, që e quajmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me besimin për një vazhdimësi të marrëdhënieve të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, është shprehur Kreu i Komisionit Kombëtar të Partisë Demorkate amerikane, Z. Tom Perez.

Fjalët e udhëheqësve më të lartë të Shteteve të Bashkuara, përfaqsues të dy partive politike në Amerikë, me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, janë tepër miqësore.  Angazhimi si edhe dëshirat e tyre për një zhvillim edhe më të fortë të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë gjithashtu të sinqerta.  Por, mbetet për tu parë nëse udhëheqësit e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, përfshësirë Tiranën zyrtare do të punojnë të bashkuar, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, drejtë realizimit të vizionit të hershëm të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, i cili i dëshironte shqiptarët në përgjithësi si pjesëtarë të vlerave të përbashkëta me perëndimin dhe Kosovën, “Shtet të pavarur e sovran, të integruar në strukturat euroatlantike dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok