Tregim nga Sabile Keçmezi-Basha

Më kishte tregua gjyshja shumë-shumë më herët, se si kishte ardhur deri te një konflikt i vogël për herë të parë në jetën e tyre, në mes babit tim dhe gjyshit, respektivisht burrit të saj. Më thoshte, kjo ka ndodhur për herë të parë dhe për herë të fundit në mes tyre dhe mu atëherë kur ke lindur ti. Vetëm njëherë më kishte tregua për këtë dhe, me gjase, gjyshen time të mirë, kjo mosmarrëveshje në mes dy njerëzve që i kishte dashur shumë, e kishte lënduar tej mase. Derisa më tregonte gjyshja, për ndodhin e para sa e sa viteve, kisha përshtypjen se ne një mënyrë më akuzonte mua, se gjëja unë isha ajo mollë sherri që kishte hy në mes babit dhe gjyshit.

Më tregonte gjyshja, se babai im qenka gëzuar shumë kur kisha lindur unë, dhe sa e sa herë kishte thënë se fëmija i im i parë poçes lind vajzë, do i vë emrin –Martinë. Ndërsa për djalë nuk kishte dhënë asnjë emër.

-Vënia ju, -kishte thënë mallëngjyeshëm. –Përtërini ndonjë emër nga gjyshërit e stërgjyshërit tanë.

-Nuk e dijë pse iu kishte pjekur në mendje se vetëm këtë emër duhet të ta venim. Babai yt shumë e donte pushkën. Por, mbi të gjitha i donte pushkët e vjetra-martinat. Shpesh thoshte Liri-babai yt (dhe për çudi sa herë gjyshja më fliste për babin e theksonte edhe fjalinë tjetër- Babai i yt), kur kam armë në shtëpi, veten e ndijë më mirë, më të sigurt dhe më të fuqishëm. Nuk mundja ti besoja veshëve, si është e mundur, babai im ta ketë dashur aq shumë armën. Ai ka qenë i urtë, i butë, i sjellshëm dhe tepër, tepër  paqësor, për të pasur armën.

Bile njëherë i pata thënë gjyshes, -s’mund të jetë e vërtet se babai i ka dashur armët ashtu siç thua ti. Ajo u habit nga reagimi im, dhe më shikoi gjatë, qortueshëm nga fakti se si guxoja unë të reagoja ndaj një së vërtetës që e thoshte ajo.

_ Ti… nuk mund ta marrësh me mend, se çfarë kohëra ishin ato… – më tha. –E di ti se vetëm ai që ka pasur armë, ka mundur të ekzistojë. Kohëra të egra kanë qenë ato, bija ime. Andaj edhe babi yt donte të vente emrin Martinë. Simbolik e qëlluar, fat për një të ardhme të mbar.

-Kishte përfunduar lufta, bobo sa shumë luftëra bëheshin atëherë, pëshpëriste gjyshja më tepër për vete dhe ndjehej e shqetësuar. E djalit tim i gjetëm një vajzë shumë të mirë, e mos të flasim sa e bukur ishte, yll fare. Sa e donte babai yt nusen e re, ama ajo e donte edhe më tepër. Nuk shkoi gjatë dhe Hyria ngeli me barrë dhe kënaqësia tek ne nuk kishte kufi. Të gjithë ne u gëzuam, por babai yt, fluturonte nga gëzimi.

– Do ia lë emrin Martinë, -më tha një ditë.

– Ndoshta do lind djalë , – i thash, për ta ngacmuar.

– Unë dua të jetë vajzë, për bukuri le ti ngjaj nënës e për mençuri le të më ngjaj mua,- më tha me mburrje Liri.

– Mburravec, mor mburravec,- i thash në shaka,- nuk turpërohesh nga këto fjalë. Pas kësaj që i thashë, u skuqë në fytyrë dhe iku nga dhoma ku rrinim duke murmuritur diçka ndër dhëmbë.

Dhe vërtet nuk shkoi gjatë e erdhi pranvera, pastaj nënën tënde e kapën dhembjet e lindjes dhe erdhe ti. Gjyshi yt nguli këmbë që ta vente emrin e gjyshes, ndërsa babai donte emrin që e kishte bërë gati me vitet të tëra…kaherë e kishte imagjinuar vogëlushen këmbëzbathur, duke vrapuar rrugicave të fshatit. Gjyshi nuk lëshonte pe, e edhe më tepër këmbëngulte babai yt. U krijua një tollovi në shtëpi, xhaxhallarët u ndan në dyshë. Dikush përkrahte gjyshin e dikush vëllamin. Pas një zënke në mes tyre, babai yt tha, tërhiqem nga ky emër,  ama vetëm me një kusht. Që në jetën e përditshme do të thërrisnim me emrin që e donte babai i yt. Ndërsa në administratë të shkoi emri i gjyshit. Kjo është historia e tërë rreth emrit tënd. Për këtë i ke dy emra, e tani ti zgjidhë cilin do ta mbash.

Vura buzën në gazë dhe i thash gjyshes, epo gjyshe unë qenkam vajza më me fat, që mbaj dy emra të mrekullueshëm.

-I gëzofsh vogëlushe,- më përqafoi gjyshja duke më puthur në ballë.

E luta gjyshen që të më tregonte se ç’ndodhi më vonë. Ajo heshti një kohë, pastaj me përtesë u ngrit nga vendi qeli arkën, që e mbante në një qoshe të dollapit dhe nga aty nxori diçka, në formë katrore që e kishte pështjellur me shami.

-Merre, – më tha, të gjitha këto janë për ty. Lexoi me kujdes, se ty të janë dedikuar nëpër shumë vite të shkuara. Fshehurazi, ktheu kokën më një anë dhe fshiu lotët me mangën e këmishës.

-Margaritar më ke ruajtur, fola sa për ta larguar atë nebulozë që u futë pa pritur në mes nesh.

-Po, -më tha, babi yt nuk pati stoli për të lënë si pajë, por të la këtë që ka vlerën shumë më të madhe se të floririt.

Gjënë e pështjellur e rrëmbeva me nxitim, dhe në hundë ndjeva erën e rëndë të ftoi që gjyshja zakonisht i mbante në arkë. Ajo që mbaja, ishte dhuratë e papritur, nga babai im. Dhe për një moment, mu kujtua fytyra e zeshkët e babait, dhe miliona kujtime më kaluan sa qelë e mbyllë sytë për babin tim. Në kohën më të mirë kur kisha nevojë për të, dhe doja ta njihja, e kisha  humbur përgjithmonë.

Deri sa mbaja në dorë peshqeshin e papritur, mu kujtua “Baulja e Babait” e Orhan Pamukut, dhe e kuptova plotësisht se çfarë ndjenje kishte pasur për të shkrimtari i madhe turk.

Ta hapja, apo mos ta hapja, kisha dilemën. Një mijë e një pyetje më silleshin vërdallë.  Vërtetë çfarë mund të kishte aty. Çfarë mesazhi do të marr nga kjo dhuratë. Çfarë amaneti do të më ketë lënë , babai. E shumë e shumë pyetje tjera më silleshin vërdallë, por që ngelnin pa përgjigje. Athua, mundë të ketë armë, mendova. Jo, për të pas revole brenda, dhurata do te kishte tjetër formë. Edhe pse nga natyra jam kureshtare, megjithatë vendosa, mos ta hapi. Të pres edhe ndonjë ditë, thash me vete. Të presë kur në shtëpi do të jem fillikat vetëm, apo kur të jenë të tërë familjaret aty. Kisha një droje, kisha një frikë të pa justifikueshme. Me dy duar shtrëngoja shaminë dhe për një moment mu fanit babai. Më doli para, më çarmatosi me buzëqeshje dhe më zuri pritën. Si gjithmonë ishte i hareshëm, vërehej se ishte i lumtur. Më buzëqeshi ëmbël, dhe më tha:

– Hape … hape Martinë, pse heziton… mos ke frikë, nga ajo që do gjesh brenda. Hape, se jam i sigurt se do befasohesh kur të shohësh se çfarë të kam lënë për dhuratë…

U frikova nga ajo që po më fanitej. Mendova se ishin shenjat e para të çmendurisë, ose do të ndodhte pak më vonë. Duart filluan të më djersinin Më rrëshqiti dhurata. Mbi qilimin e kuq u derdhën zarfe të shumtë duke më mbetur në dorë vetëm shamia si një trofe i dal kaherë jashtë mode. Nxitova ti mblidhja letrat, por duart nuk më bënin punë. U shtanga. Hija e babait që qëndronte pak më parë në skajin e dhomës, ishte tretur. Nga dritarja e hapur, perdet e holla e të mëndafshta të gjyshes, bënin lëvizje të pahetueshme, dhe brenda depërtoi një freski pranverore.

-O zot, thirra, çfarë po ndodhë me mua…

U gërmuqa dhe me kujdesin më të madh mblodha një nga një të tëra letrat e shkapërderdhura në katër qoshet e dhomës. Nuk e dijë se kush e kishte hapur derën, nuk di se çfarë kishte ndodhur me mua, nuk di kush më kishte shtrirë në shtrat, por e dijë një gjë se të gjitha letrat ishin të lidhura me një fjongo të portokalltë, dhe ishin të vendosura, mbi skrivaninë time. Është e çuditshme se, edhe tani kur shkruaj pas ca e ca viteve nuk kam mundur ta zbërthej misterin, se çfarë kishte ndodhur atë ditë me mua në shtëpinë e gjyshes. Nuk besoi në  besëtytni, nuk besoi në shpirtra që shëtisin natën deri sa t’iu plotësohej dëshira e fundit, por atë ditë jam shumë e bindur se diçka kishte ndodhur në shtëpinë e vjetër…

Letrat ishin të palosura me shumë kujdes. Ishin të radhitura në bazë kronologjike, sipas datave që ishin shkruar, vetëm se ajo që të lente përshtypje ishin zarfet me ngjyra të ndryshme si të kuqë, të verdhë, të kaltër, por kishte letra që ishin edhe pa zarfe. Ajo që më bëri të mendoja më gjatë, ishte se në krye të tyre, një fletë e zakonshme e bardhë ishte e kapur me një kopse që kaherë ishte ndryshkur, dhe në letrën dikur të bardhë kishte mbetur gjurma e kohës. Me shkronja italike dhe me një shkrim shumë… shumë të bukura, ishte e shkruar: “LETRA PËR MARTINËN”

Shkrimi më ishte i panjohur, dhe mendova kush ka mund të më shkruaj me këtë emër. Vetëm një njeri më ka thirr, “Martinë”. Por, ai tani nuk ishte në mesin tonë. Kishte kohë që më kishte vdekur babai. Ç’është e vërteta, gjatë tërë jetës, shumë pak më kishte rënë të qëndroja me të. Të shumtën e herëve, jeta e tij ishte e mbushur me procese gjyqësore, dhe vitet më të mira të jetës i kishte kalua në burgjet e Hadit. Unë isha fëmijë, dhe shumë dëshirë kisha që ta vizitoja babanë, por xhaxhallarët me vështirësi pranonin që të më merrnin me vete. Me vite, kur kisha lëshuar shtatë, shkoja me ta, por pasi nuk e dija gjuhën e burgut, nuk më linin që të hyja brenda. Me orë të tëra pritnim tek dera e burgut, mos rastësisht do i likshtohej zemra cerberit ( dhe a i likshtohej zemra atij), dhe do na linte të hynim brenda. Shpesh ka ndodhur, që udhëtonim me qindra kilometra, por gardianet posa na shihnin, kërkonim që të flisnim në gjuhën e Hadit, babai nuk pranonte dhe ne ktheheshim pa e parë fare. Mund ta merrni me mend se çfarë ligësie ndjeja ndaj tyre. I mendoja se ata nuk ishin njerëz. Ishin bisha mali. Bile njëherë më kujtohet, kur isha studente në një qytet të madhe të Hadit, i kisha pas thënë, një kolegeje të sojit të tyre.

– E di ti, se kur kam qenë e vogël, kam menduar se ju të gjithë jeni gjakpirës. Ajo kishte qeshur me të madhe duke më thënë, po vërtet ne edhe tani jemi të tillë… E mora për shaka. Sa naive kisha qenë…

Me vite kisha udhëtuar në këmbë, për në shkollë, nga fshati në qytet dhe anasjelltas, që të plotësoja dëshirën e babait.

– Duhet të jesh e ditur,- më thoshte, – jo vetëm për vete, por edhe më shumë për të tjerët, më patë thënë një ditë kur e kisha vizituar në Burgun Qendror të Beogradit. Xhaxhai i kishte treguar se kisha filluar të mos ta mësoja historinë. Historinë e mësonim në gjuhë serbe, dhe ligjërata na mbante një arsimtar nga Vraja. Ai na shpjegonte luftërat serbe dhe betejën e Kosovës. Nuk merrja vesh gjë prej gjëje, për shqiptaret thoshte se janë do fise të ardhura barbare, andaj edhe nuk më tërhiqte fare. Përtoja të shkoja në shkollë. Kur xhaxhai im e kishte pyetur arsimtarin se a mësoi ndopak, ai kishte thënë,

-Mirë është, çalon në histori, kishte thënë kujdestari i klasës, dhe kishte shtuar-fundja çfarë i duhet asaj historia,- xhaxhai ishte hidhëruar tej mase me mua e jo me mësuesin. Pas kësaj ngjarje të hidhur, dhe pas qortimit të babait, fillova të mësoja edhe atë histori që nuk ishte e imja dhe nuk e doja fare.

Lajmi se shkoja mirë me mësime e kishte gëzuar babin. Ndoshta edhe ky është një moment kyçë që ai kishte filluar të më shkruante edhe më tepër letra. Zakonisht letrat vinin me postë, apo ndodhte shpesh kur vinin dorë më dorë. Nga burgu delte ndonjë i burgosur dhe në këtë mënyrë shfrytëzohej rasti dhe i lëshuari nga burgu sillte letrat e pritura gjatë nga familjarët e tyre. Por mënyra më e preferuar për të dërguar letra në shtëpi të burgosurit kanë preferuar këtë stil, kur dërgonin ndërresat për ti pastruar në shtëpi, në jakat e këmishëve fshihnin letrat për ti lexuar më vonë familjaret.  Sidomos i fshihnin letrat që mbanin ndonjë fshehtësi. Kur kishin ndonjë porosi, apo kur kërkonin diçka të ndaluar. Shpesh në ato letra shkruheshin edhe torturat që iu bënin atyre gjatë hetuesisë. Ata që shkruanin këso letra nuk ishin të pakt. Gjatë leximit të letrave shumë më vonë kam kuptuar se babai im, më së tepërmi më kishte qua këso letra, nëpërmes të jakave të këmishëve.

Disa nga ato letra edhe ishin zbuluar, edhe ishin konfiskuar, e për ato babi shpesh e kishte paguar një kosto të madhe, duke e futur në qeli të ftohta dhe të errëta-burg. E kishin veçuar duke e mbajtur me muaj të tërë pa dëgjuar as një zë njeriu, veç zërit të ashpër të gardianëve. Shpesh kishte ndodhur, tek të burgosurit, që nga qelit e tilla të mos dalin normal, ose të çmendeshin fare. Më kishte tregua njëherë babai se nga çmenduria e kishte shpëtua vetëm një pikim i ujit që kishte rrjedhur vazhdimisht në qeli…

Megjithatë, babai im kishte arritur t’iu sfidojë të gjitha atyre torturave, dhe kishte mbërritur që të më shkruante edhe letra, jo letra do si do, por letra të gjata burgu, në burg.

Ende qëndroja në këmbë dhe shtrëngoja sa mundja letrat në gjoks sa për një moment ndjeva dhembje në kraharor. Isha e shastisur. Nuk e dija se çfarë mund të ketë në to, por një zë nga brenda më thoshte se duhet ti lexoja, por, kur… dhe si…

Për ti hapur ato më nevojitej një  kurajë fortë e madhe, e ajo tani për tani më mungonte. Për një moment ndjeva angështi. Hapa dritaret dhe ndjeva se si diku larg këndonte një kanarinë.

Kishte kohë që më kishte vdekur babai, dhe tani më kthehej në formën e shkruar. Nuk dija a të gëzohem apo të bërtas, por dashuria për të, më erdhi edhe tani në mënyrën më të valët, dhe një zë më thoshte- hapi letrat… hapi letrat… se ai është aty… në rreshtin e shkruar…

Kishin kalua orë, e unë qëndroja e shtangur. Dhoma ishte errësua e nga larg dëgjoja se më thirrtë motra. Assesi të kujtohesha se ku isha, assesi të largohesha nga kujtimet që më kthyen vite e vite mbrapa. Lëvizja si somnambul nga dhoma në dhomë, hapja dritaret krah më krah dhe diku si në kllapi dëgjoja zërin e babait që më thirrtë jashtë, kah vinte flladi pranveror. Edhe më tej qëndroja e shastisur dhe assesi të vendossha me i lexua ato letra. Sillesha vërdallë, prej dhome në dhomë, nga dora nuk i lëshoja, i mbaja me vete duke i shtrënguar fortë. I shikoja me kujdes dhe i rrotulloja duke u frikësuar se do thyeja diçka brenda tyre. Më kishte tregua gjyshja edhe këtë, se pas lindjes sime, pas ca muajve nëna më kishte vdekur. Babai kishte pësuar thyerje shpirtërore. Shumë kishte vuajtur për humbjen e saj. Por edhe më shumë iu kisha dhimbsur unë, që kisha ngelur pa mama, besa edhe jeta ime kishte qenë në rrezik, por falë gjyshes dhe kujdesit të saj jam këtu ku jam.

Pastaj, në Vendin e Shqipeve kishin ardhur shumë ushtarë më thoshte gjyshja, dhe kishin bërë kërdi në popull. Babi nuk ishte pajtuar me ta dhe me sjelljet e tyre prej barbari. Ata kishin kërkuar drithin nga fshataret, kishin kërkuar edhe mishin, edhe vezët edhe çdo gjë tjetër që ata nuk e kishin as për vete. Kur fshataret nuk i dorëzonin në ditën e caktuar, ata i ndëshkonin rëndë. Vinin me milic dhe me do farë kampanjolla iu thoshin. Ishin ca vetura të tmerrshme ku aty i futnin fshatarët dhe i dërgonin në burgun e qytetit. I mbanin me orë të tëra të mbyllur. I keqtrajtonin, i rrihnin me shkopinj gome, me shkelma e me grusht, derisa binin në alivani.

– Oh , moj loke, kur dilnin nga aty të futnin datën, ishin të mavijosur, me fytyrë e trup. Vinin në shtëpitë e tyre dhe është e çuditshme se si ata heshtnin, nuk bëzanin, nuk e thoshin asnjë fjalë. Grumbullonin drithin që e kishin ruajtur me aq kujdes dhe e dorëzonin tek odbornikët e fshatit. Radha na kishte ardhur edhe neve, dhe duhet dorëzuar i tërë bereqeti që e kishim. Ishin kohë të vështira, njerëzit vdisnin nga uria e ne e ndihmonim pushtetin që nuk e llogaritem asnjëherë për tonin.

– Një ditë, Liri u kthye vonë nga qyteti. Ishte i rraskapitur dhe nuk foli gjë. Drejtën të them, diçka më sëmboi në shpirt. Kishte ndërrua çehre djali im. Shumë-shumë më vonë më ka tregua se po atë ditë e kishin marr në pyetje hijet e zeza. Ai kishte reaguar, nuk ishte pajtuar me ta. I kishin thënë që tiu ndihmonte. Babai i kishte pështyrë në fytyrë dhe hapur iu kishte thënë se nuk pajtohet me rendin kolonialist që po venin në Vendin e Shqipeve. Ata iu kishin kërcënuar duke i thënë, pse nuk ikni nga këtu, organizo fshatin dhe shkoni për në Anadoll. Ai i kishte shikuar i habitur, duke mos iu besuar fjalëve që kishte dëgjua. Atë ditë erdhi në fshat, por nuk qëndroi duarkryq. Thirri parin e fshatit, i njoftoi se çfarë kishte dëgjuar, por në fund i porositi ” Ne duhet të qëndrojmë dhe të jemi sa më të bashkuar”.

Merre me mend moj Martinë, po atë natë ende pa gdhirë, shtëpinë e kishin rrethakuar forca të mëdha policore. I mëshonin dyerve dhe thirrin sa mundnin “otvorite vrata” (hapeni derën) thoshin ata. Ne ishim të trishtuar se nuk dinim se çfarë po ndodhte. I thyen dyert, u futen si bishat dhe e kapën Lirin ashtu në tlina duke i lidhur të dy duart me kllapa pas shpine. Të gjithë u zgjuam, fëmijët tjerë britnin, e ai babai yt, qëndronte me duar të lidhura në mesin e dhomës. Ata e shtyn brutalisht, e detyruan që të ecë para dhe e futën në maricën ngjyrë mavihu. Ne ngelëm të habitur, nuk kuptonim assesi ishte ëndërr apo zhgjëndërr këtë që pamë. Dhe nga ajo ditë Liri u arrestua për të dal vetëm pas pesëmbëdhjetë viteve. E akuzuan, se kishte formua një organizatë ilegale dhe se kishte dashur të shkatërronte shtetin që ekzistonte në tokën e huaj. E shef se nata kishte vesh e dita kishte sy dhe se çdo gjë përcillej sa qel e mbyll sytë.

Derisa rrija shtrirë në shtrat dhe me orë të tëra mendoja se kur do të filloja ti hapja letrat edhe tani si për inat më vinin rrotull fjalët e gjyshes.

-Duhet pasur kujdes nga armiku, pa marr parasysh se me çfarë petku paraqitet, dhe vërtet vitet në vijim e dëshmuan këtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok