21/12/2024

AJO DREJTON KATEDRËN E ALBANALOGJISË NË UNIVERSITETIN E NAPOLIT…

0
Visari-Blerina-Eda

Nga Visar Zhiti

I di arritjet e saj, punimet, ia çmoj bashkë me modestinë, ajo hulumton dhe zbulon pa bërë zhurmë, ia lë veprës të flasë… kështu po thoshim.

Miqësia jonë me Blerina Sutan është e hershme, nd?rsa dëshira për t’u takuar – përherë e re.

Me Edën time shkëmbejnë herë pas here mesazhe, ndërsa unë kujtoj dhe bashkëpunimin, kur ajo përkthente poezi shqipe në italisht, përgatiste më Filippo Bettinin librin e madh të jubileut të Vitit 2000 në Romë. Një poezi imja pati fat, me këtë rast u vu në “Piazza Navona” siç u vunë nëpër Romë dhe poezi të tjera, p.sh, e Gëtes në “Stazione Termini”, e Janis Ricosit dhe e Joseph Brodskit te “Colosseo”, te “Campo dei fiori” poezia e nobelistit Czeslaw Milosz, etj. Po Blerina solli në italisht edhe poezinë e Ali Podrimjes, tronditshëm dhe dhimbshurisht dhe përmbledhja u botua me parathënien time.

Tani do ta takonim si Drejtore e Katedrës Albanologjike në Universitetin “L’Orientale” të Napolit. Ajo njihet tashmé në studimet e gjuhës dhe kulturës shqiptare, promovuese e albanologjisë në Itali dhe më gjerë në Europë.

Po të kërkosh të dish për të, do të gjesh se Prof. Blerina Suta ka një karrierë të rëndësishme akademike, teksa jep me përkushtim lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Departamentin e Studimeve Letrare Gjuhësore dhe Krahasuese, është autore e një sërë veprash shkencore, që përfshijnë periudha të ndryshme të letërsisë shqipe të traditës dhe asaj bashkëkohore, të  filologjisë dhe kritikës letrare, etj, etj.

Takimi ynë do të ishte miqësor në një bar të Romës, ajo do të vinte me tren nga Napoli. E thjeshtë dhe e përzemërt.

Para kafes po bisedonim për librat dhe katedrat e shqipes në botë, se ndodh, – po bënim humor serioz, – që para librave në katedrat e albanalogjisë të flitet për kafetë. Vështirësitë janë të shumta, po dhe gëzimi që ato katedra ende janë, shpesh falë dhe aftësive dhe pasionit të drejtuesve të tyre, kur mbështetja e shtetit amë nuk duhej të mungonte siç dhe është realiteti. Më shumë të ndara se sa bashkëvepruese, që edhe do të duhej…

Blerina na foli për veprimtaritë e shumta albanalogjike që udhëheq, shqip së pari, por dhe italisht, edhe anglisht. Biseduam për realitetet e reja letrare, disidencën, është apo s’është, kur në letrat shqipe u njoh disi me vonesë nga shkaqet, por harrohet pa shkaqe, për të mos thënë të tjera gjëra, është e veçantë, – shtova, – pa grupime, programe e shkolla, po, vërtet, – pohova, – por është disidencë individuale dhe klandestine, madje e përgjakur, – ngrita zërin. A duhet vlerësuar më mirë, kur shmanget aq mirë?…

Dhe kujtuam miqtë e përbashkët me Blerinën, por dhe jo miqtë, në kuptimin ngacmues siç dhe na përshfaqen, duhen njëlloj dhe ata, – vazhdova të them pa të keq, mos mbetshim pa armiq, etj, etj.

Pas xhamave mbrëmja e Romës po i ngjante një pikture impresioniste, që edhe mund të përdorej për kopertinën e një libri të ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok