11/12/2024

AJET FAZLI GËRGURI, ATDHETARI QË LUFTOI PËR SHQIPËRINË ETNIKE

0
Ajet-Gerguri

TI KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Ajet Gërguri ishte i biri i Fazliut dhe i Mihanes. Ishte i lindur më 1906 në fshatin Dubovc, komuna e Prekazit të rrethit të Vushtrrisë. Ka qenë nëpunës në Këshillin Popullor të Rrethit të Podujevës. Ishte anëtar i LNDSH-së, vepronte në kuadrin e rrethit të Komitetit të NDSH-së, të Prishtinës dhe mbante lidhje të rregullta me KQ të NDSH-së në Prizren. Ndërsa, si terren pune e aktiviteti kishte territorin e Drenicës së Epërme.

Me marrjen veshë se organet e OZN-es po e përcillnin dhe i kishin rënë në gjurmë aktivitetit të tij, ai me një grup shokësh arratiset në mal. Nga atje filloi një jetë e re për patriotin e madh Ajet Gurgurin. Prej maleve mbante lidhje të ngushta me Adem Gllavicën dhe bënin koordinimin e punëve ndërmjet gueriles shqiptare. Mirëpo pas qëndrimit të vështirësuar në male, Adem Gllavica së bashku me Hysen Tërpezën dhe të tjerë vendosin që përkohësisht të largohen nga Kosova dhe kalojnë në Greqi. Në Greqi, Adem Gllavica udhëhoqi organizatën Nr-1 të NDSH-es, ndërsa Ajet Gurguri që vepronte në Drenicë udhëhoqi organizatën Nr-2 të NDSH-es dhe nga bashkëpunimi i ndërsjellë i këtyre dy organizatave, Ajet Gurguri mbante lidhje të drejtpërdrejta me KQ të NDSH-se në Shkup. Sipas direktivave që merrte nga lartë, Organizata Nr-2 ishte e angazhuar në formimin e Komiteteve, të rretheve, vendeve, fshatrave e qyteteve në terren. Me aktivitetin e kësaj organizate u formuan Komitetet e rretheve të NDSH-së si: në Prishtinë, Drenicë, Vushtrri e vende të tjera. Komitetet e fshatrave të NDSH-së u formuan në Komoran, Tërstenik Prilluzhë, Siçevë etj. Me direktivën e marrë nga KQ i NDSH-së në Shkup, në bashkëpunim me Gjon Serreqin, Hilmi Zariqin, kanë hartuar Programin dhe kanë bërë organizimin për mbajtjen e Kongresit të Pestë të NDSH-së në Malet e Lipovicës (25 korrik 1946). Pas përfundimit me sukses të punimeve të kongresit, Ajet Gurguri duke u kthyer nga kongresi bie në prit dhe me 3 shkurt 1947, arrestohet dhe në procesin gjyqësor të Prishtinës me 22-27 prill 1947, akuzohej se në fillim të vitit 1945, si nëpunës i KPRr-së në Podujevë, duke pasur qëndrim antiserbi dhe anti jugosllavi, kishte marr pjesë në organizimin dhe ka formuar komitetin ilegal në rrethin e Prishtinës, i cili ishte i ndërlidhur me Komitetin Nacional Demokratik Shqiptar në Prizren, duke e marr si teren të aktivitetit të tij territorin e Drenicës së Epërme. Po ashtu, me 23 korrik, 1945, kur  informohet se organet e ndjekjes jugosllave i kanë rënë në gjurmë veprimtarisë së tij patriotike, ai është arratisur në malet e Drenicës dhe me këtë rast është bë prijës i një grupi atdhetarësh dhe s bashku me ta ka vazhduar veprimtarin e tij atdhetare deri më 3 shkurt 1947, kur edhe është zënë nga bandat kriminele serbe. Gjatë kohës sa ishte në male me të madhe angazhohej në ndërlidhjen e grupeve patriotike që ishin arratisur, për organizimin e tyre në baza ushtarake, ka bërë sensibilizimin e fshatarëve kundër okupimit jugosllav dhe kundër rendit shtetëror, ka punuar fortë për të njoftuar masat e gjera për okupimin nga Serbia e Jugosllavia pa dashjen e popullit shqiptarë në Kosovë.

Në muajin tetor 1945, para se të nisej Adem Gllavica për Greqi, Patrioti Ajet Gërguri është marr vesh me të që të mbaj lidhje të përhershme me të dhe të bashkëpunojë ngushtë me të. Sipas aktgjykimit thuhej se Adem Gllavica ka marrë përsipër që në Greqi të organizojë organizatën nr. 1, të NDSH-së, kurse Ajet Gërguri të formojë në Kosovë organizatën nr. 2. Të NDSH-es. Ndërlidhja ndërmjet këtyre, sipas marrëveshjes, duhej të realizohej përmes Organizatës ilegale patriotike Nacional Demokratike Shqiptare, me seli në Shkup. Me këtë, mbante vazhdimisht lidhje, qoftë me shkrim, qoftë nëpër mes vizitave që i bënin personalisht anëtarët e këtij komiteti, si: Kemal Skenderi dhe Hasan Bilallin. Në këtë mënyrë mbahej lidhja dhe realizohej bashkëpunimi me Adem Gllavicën, por edhe me patriot të tjerë të ikur në Greqi, të cilët vepronin për të organizuar sulme ndaj Jugosllavisë.

MË 1946, sipas direktivave të Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar në Shkup, Ajet Gërguri, punonte në formimin e komiteteve ilegale patriotike në fshatrat e rretheve të Drenicës, të Prishtinës dhe të Vushtrrisë. Në këto komitete përfshiheshin individ e grupe për të cilët dihej se janë atdhetar të përbetuar dhe do ta luftojnë okupatorin deri në çlirimin e tokave shqiptare. Në këtë periudhë u formuan komitetet në Komoran, në Tërstenik, në Prilluzhë, në Siçevë dhe në disa fshatra të tjera. Këto komitete kishin për qëllim që të ndihmojnë patriotët që ishin në male me ushqim, me veshmbathje, ti strehojnë në vende të sigurta anë e këndë Kosovës, të vëzhgojnë lëvizjet e ushtrisë dhe për këtë ti informojnë patriotet që ishin në male, pastaj të informojnë popullatën se kjo luftë shpejt do të përfundoj dhe këto komitete do të marrin pushtetin.

Po ashtu, në marrëveshje me Komitetin Qendror të NDSH-së në Shkup, si dhe në bashkëpunim me patriotët Gjon Serreqin dhe Hilmi Zariqin, ata bënë përgatitje, kanë hartuar programin dhe kanë ftuar luftëtaret e armatosur dhe simpatizantët e tyre në Kongresin e Pestë të NDSH-es, i cili u mbajt me 25 korrik 1946 nën udhëheqjen e tyre në malet e Lipovicës, Rrethi i Prishtinës. Ky kongres ka pasur për qëllim të krijoj lidhje sa më të ngushta me të gjithë atdhetaret, ti organizojë ushtarakisht, tua caktojë një udhëheqësi të përbërë ushtarakisht dhe të pengoi shpartallimin eventual të grupeve çlirimtare, dhe këta luftëtar të formojnë një fuqi ushtarake me emrin “Ushtria Nacional Demokratike Shqiptare”.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë, pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor publik në ditët 22-27 prill 1947, aktakuza kërkoi që të gjithë të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të gjykohen me dënime maksimale. Me 30 prill 1947 gjykata shpalli publikisht Aktgjykimin me Nr. 66/47, duke i shqiptuar Ajet Gërgurit dhe tre shokëve të idealit:   Ukë Sadikun, Gjon Serreqin, dhe Osman Bunjakun, dënimin me vdekje- pushkatim. Dënimin me vdekje e ka kryer seksioni i punëve të brendshme pranë Këshillit Popullor të qytetit përmes organeve të policisë popullore. Në ekzekutimin e dënimit me vdekje prezent ishin:1. Udhëheqësi i seksionit të punëve të brendshme pran Këshillit Popullor të qytetit, Hashim Mustafa. 2. Eprori i i seksionit të punëve të brendshme pran KAKM -Glisho Sharanoviq, major, si i deleguar i Ministrisë së punëve të Brendshme të Republikës Popullore të Serbisë. 3. Zëvendësi i prokurorit publik për Kosmet Sadri Doqi; dhe 4. Mjeku i rrethit Dr. Vaso Jovanoviq. Ekzekutimi është kryer saktësisht me 31 gusht 1947, në ora 3 të mëngjesit, pa pjesëmarrjen e publikut në Tauk Bahqe- Prishtinë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok