26/12/2024

‘Ah, Shqypni, mos thuj marova’

0
Blerim-Latifi-UCK

Nga Prof. Blerim Latifi

Në mëngjesin e 24 Shkurtit të vitit të kaluar Europa dhe bota u zgjuan me një lajm tronditës: Rusia sapo kishte nisur pushtimin ushtarak të Ukrainës. Brenda pak çastesh ëndërra e paqes së përhershme europiane, e ushqyer gjerësisht pas vitit 1945, ishte bërë pluhur dhe hi. Putini kishte vendosur të hakmerrej për humbjen e Bashkimit Sovjetik, si dikur Hitleri për humbjen e Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore.

Derisa breshëri i bombave ruse po binte mbi Kiev, bota pothuajse ishte e bindur se Ukraina do të gjunjëzohej shpejt para çizmes ruse. Kur ambasadori ukrainas në Berlin shkoi në zyrat e qeverisë gjermane për të kërkuar ndihmë, përgjigja që mori shprehte krejt thelbin e kësaj bindjeje: Nuk u duhet gjë ndihma jonë; për pak ditë ju do të merrni fund.

Por kështu nuk mendonte populli ukrainas. Ai vendosi të rezistonte dhe presidenti Zelenski tha se do t’i printe luftës pa u lëkundur nga Kievi. Nuk dua ndihmë për të shpëtuar kokën time; dua armë dhe municione,- u tha ai amerikanëve.

Kështu qysh në ditët e para Putini humbi betejën e parë në luftë: betejën psikologjike. Kjo ndikoi që Perëndimi të braktiste skepticizmin e tij për rezistencën ukrainase dhe të mobilizohej për ta mbështetur atë. Rrugët e Europës u vërshuan nga autokolonat me armatime që shkonin drejt Ukrainës.

Pastaj erdhën humbjet e njëpasnjëshme të ushtrisë pushtuese. Kievi nuk u rrethua dot, ndërsa në Mariupol, një brigadë ukrainase po përsëriste në Shekullin 21, Betejën e Termopileve( viti 480 para Krishtit),  ku një grusht burrash spartanë kishin bllokuar një armatë gjigante persiane që ishte nisur për ta shkelur Greqinë.

Dështimi i Blitzkrieg-ut e bëri Putinin të zhvendosej në strategjinë e luftës së gjatë frontale. Edhe në këtë luftë krejt llogaritë e tij dolën të gabuara. Tash tirani i Kremlinit po lufton ngase nuk po gjen rrugë të daljes me pak fytyrë nga aventura e tij rusomadhe.

Një ditë kur rusët ta heqin qafesh këtë farsë të carëve të dikurshëm, do ta mësojnë edhe të vërtetën se agresioni rus në Ukrainë ishte një ndër budallallëqet më të mëdha në historinë ruse. Mbase më i madhi. Ndërsa pjesa tjetër e botës do të mësoj nga populli ukrainas se si luftohet për liri, se si nuk duhet pasur frikë nga një tirani e armatosur, sado e madhe që të jetë ajo. Një mësim ky që Europa e kishte mësuar nga Zelenski i Shekullit XV, i cili quhej Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.

__________

Kënga “Ah, Shqypni, mos thuj marova”, është njëra prej këngëve më të popullarizuara në Kosovë. Këndohet gjithandej dhe pothuajse të gjithë i dinë vargjet e saj të para:

Ah, Shypni, mos thuj mbarova,

Se djelmt tu edhe jan’ gjall’!

N’kamb asht çu e rrebt Kosova

E ban luftën ball për ball.

Por kështu nuk qëndron puna edhe me njohurinë për autorin e saj. Hil Mosi, student nga Shkodra në Austri, po qëndronte në Stamboll në pranverën e vitit 1910. Aty mori vesh për kryengritjen e madhe antiosmane që kishte shpërthyer në Kosovë. I frymëzuar nga lajmet që mbushnin gazetat e kryeqytetit osman, ai hodhi në letër vargjet që më vonë u kthyen në këngën e famshme, e cila u këndua edhe në frontet e luftës së UÇK- së.

Hil Mosi ishte një ndër shqiptarët më të kulturuar dhe më të edukuar në gjysmën e parë të Shekullit XX. Edhe pse e kishte kundërshtar, Zogu ia kishte nevojën diturive të tij, prandaj edhe ia besoi detyrën e ministrit të arsimit. Në këtë detyrë e gjeti vdekja, në moshën më të mirë, kur ishte vetëm 47 vjeç, në 22 Shkurtin e vitit 1933, si sot 90 vjet më parë. Edhe pas kaq kohësh nuk besoj se shqiptarët, andej dhe këndej kufirit, kanë pasur ministër arsimi më të kulturuar e më të formuar intelektualisht se Hil Mosin. Mbase me një përjashtim: Ernest Koliqin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok