24/05/2024

“Dashuri pa Kushte”, libri i Albert Zholit befason me intriga

0

Nga Harallamb Kota

Libri me tregime “Dashuri pa Kushte” i autorit të njohur shqiptar Albert Zholi, përmban një galeri interesante individualitetesh të përfshira në ngjarjet e tyre individuale, familjare, social-shoqërore, politike dhe intime, të ndodhura në mjediset shqiptare dhe në emigracion. Tregimet edhe pse të shkurtëra, e kanë dimensionin e shprehjes së qëllimit dhe me përmbajtjen e lëndës, fuqinë e fjalës e të figurave letrare, të rrëmbejnë vëmendjen dhe të përfshijnë në gjykimin e ngjarjeve. Qëllimi i tregimtarit Albert Zholi është ta njohë lexuesin me ngjarje reale, të ndodhura gjatë diktaturës komuniste në mjedisin e familjeve shqiptare dhe mbas viteve 1990 ku nisi rumpallhana shqiptare dhe çoroditja e madhe morale, politike e militante, që u shoqërua me prishjen e familjeve dhe zhytjen e shqiptarëve në llumin e pashpresë të mbijetesës. Duke qenë mjeshtër i dimensionit lirik të vargut e prozës, Albert Zholi i jep ngjyrë dashurisë duke e mbështjellë pasionin me afshin e natyrës tokësore e qiellore, që ndizet e shuhet…e jep shpresë nga larg me tinguj celulari të ngjashme me këmbanat e një morti serial. Në vargun tregimtar të Albert Zholit skicohen copërat e asaj jete kalimtare që konsumohet në mjediset e Athinës me copëza dashurish të shuara apo flirtime zhgënjyse me shqiptarka provinciale të qullosura e të pispillosura. Zholi i ndodhur në emigracion në Greqi, di me i ndërthur ngjarjet edhe me copëza kujtimesh nga vëndlindja apo me ngjarje të ndodhura në familjet e tyre të braktisura prej vitesh në mëshirën e fatit. U desh vdekja e gjyshes që Afrimi të kthehej në fshat e ta shihte për ta kallur në dhe. Por jeta vazhdon dhe vdekja i lëshon vendin jetës, lotët thahen dhe qënia njerëzore mbushet me shpresë dhe shpresa nxit dëshirën për të dashuruar. Por dashuria është e shthurur në emigracion. Ndrydhja e femrës ka perënduar dhe mjerisht shumë syresh janë kthyer në prostituta, profesion që u siguron të ardhura, por edhe i konsumon fizikisht. Zholi e sjell këtë dukuri realisht duke e gërshetuar mëkatin femëror me persivitetin mashkullor. Në çdo tregim Zholi sjell emrin e një femre me formatin e saj trupor dhe mentalitetin mendor. Në kushtet e emigracionit ato të bukurat e të kolmet ditën e perëndisë janë rrugave, por në mesnatë mblidhen diku dhe duke shpërthyer lotëve kujtojnë familjarët dhe jetën vajzërore tashmë të vdekur. Sidoqoftë, Zholi kërkon t’u ngjallë shpresën dhe e vetmja shpresë është kthimi në Shqipëri, ku pamvarësisht vështirësive ekonomike jeta e tyre do marrë një kuptim njerëzor. Emocionet kombëtare janë të atilla, sa mbizotërojnë ndjenjat e tregimtarit të shquar Albert Zholi dhe e çojnë atë në vendlindje në Progonat, në fshatin Lab, të cilit edhe i kushton tregimin e fundit me titull: “Progonati, vendi i Bilbilenjve të shquar”. Libri me tregime “Dashuri pa kushte”, e vendos autorin Albert Zholi në panteonin e tregimtarëve të shquar shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok