AFRIM ZHITIA- JO, NUK PENDOHEM DHE KURRË S’DO TË PENDOHEM, EDHE GJATË VUAJTJES SË DËNIMIT DO TË PUNOJ PËR KOSOVËN E LIRË, DO TË PUNOJ DERI NË VDEKJE
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
(1965- e vranë me 2 Nëntor 1989)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Afrim Zhitia u lind më 22 mars të vitit 1965 në fshatin Llugë të Podujevës. Babai i Afrimit ishte Osman Zhitia e nënë kishte Qamile Zhitien e quajtur Behrami. Prindërit e Afrimit që të dy ishin bijë dëshmorësh. Andaj edhe rrugën që zgjodhi Afrimi më vonë nuk ishte e rastësishme. Ai u rrit në një familje me tradita të mëdha patriotike.
Ai në moshën shtatëvjeçare regjistrohet në shkollën fillore në fshatin Llugë të cilën pas tetë viteve e përfundon me sukses të shkëlqyeshëm. Shkollën e mesme teknike e vazhdoi në Prishtinë. Po në këtë shkollë, ai kupton se ishte formua një organizatë ilegale me emrin “Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës”. Më 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, inkuadrohet në organizatën ilegale dhe ishte anëtar i saj. Në aktakuzën PP. nr. 60/84, thuhej se më 17 shkurt 1982, në Prishtinë, në lokalet e Shkollës Fillore “Zenel Hajdini”, me anëtarët e grupit mbajnë mbledhjen konstitutive. Me iniciativën e Sejdi Veselit, që fillimisht ishte propozua emri për organizatën që të ishte “Fronti i Çlirimit Kombëtar”, u aprovua propozimi mbi ndryshimin e emrit në “Fronti Nacional Çlirimtar i Kosovës” (FNÇK). Në këtë mbledhje zgjidhet udhëheqësia dhe komiteti i kësaj organizate. Sekretar i përgjithshëm i organizatës zgjidhet Sejdi Veseli, me pseudonimin “Guri”, e herë pas here e mbante edhe pseudonimin “Liridon”. Po ashtu zgjidhen edhe sekretarët ekzekutivë. Këto funksione i marrin Rrahman Bahtiri (Shpendi), Veli Vitia (Vetima), Ymer Jahiri (Skyfteri), ndërsa Esat Brajshori caktohet arkëtar i organizatës dhe vepron me pseudonimin “Lisi”.
Në mbledhje caktohet edhe stema që e përdorin në formë të vulës. Pajtohen që veprimtarinë ilegale ta zhvillojnë në formë të “Treshes”. Në fund të mbledhjes japin edhe betimin solemn para flamurit kombëtar, me dorën dhe grushtin e ngritur lart: Teksti i betimit ishte: “Betohem se me gjithë qenien time do të luftoj për çlirimin e atdheut nga robëria shekullore, të gjitha detyrat që m’i parashtron “FNÇK”-ja do t’i kryej me nder, duke mos kursyer as jetën”. Në atë kohë në një mbledhje të organizatës, Sejdi Veseli i njoftonte të pranishmit se organizata e “FNÇK” numëronte mbi 90 anëtarë dhe interesimi i individëve për t’u futur në radhët e saj ishte i madh.
Po ashtu sipas Aktakuzës PP. nr. 60/84, lëshuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, mund të thuhet se edhe Afrim Zhitia gjatë vitit 1983 në Prishtinë është bërë anëtar i organizatës ilegale. Gjatë tërë kohës sa zgjasin demonstratat studentore ai merr pjesë aktive në to, duke brohoritur parulla të ndryshme për statusin e Kosovës Republikë. Në një shtëpi private në lagjen “Bregu i Diellit” para Esad Brajshorit jep betimin solemn dhe i caktohet emri konspirativ “Besimi”. Nga Esadi furnizohet me literaturë dhe me materiale të ndryshme ilegale. Më vonë po në këtë vit, me propozimin dhe sipas tekstit që e kishte përpiluar Esad Brajshori, me makinë shtypi Ilaz Zhitia shumëzoi 53 ekzemplarë të afishes së quajtur “Trakt”, të cilat më 4 prill u shpërndanë në lagjen “Bregu i Diellit”, ndërsa një numër të caktuar ia jep Afrim Zhitisë, që i shpërndan në fshatin Llugë. Esad Brajshori Afrim Zhitinë e njofton në hollësi për veprimtarinë e organizatës “FNÇK”. Nga ai merr për të lexuar “Programin” dhe “Statutin” e saj. Pastaj disa trakte i shpërndan në Prishtinë dhe në fshatin Llugë. Sipas obligimeve që marrin nga organizata, ai angazhohet në anëtarësimin sa më të madh të anëtarëve të rinj për të formuar “treshet”, lexonte dhe këmbente literaturë ilegale.
Në vitin 1983, pas përfundimit të shkollës së mesme, Afrimi shkoi në shërbimin ushtarak në Banjallukë.
Mirëpo, pas disa muajsh, organizata e tij zbulohet dhe shumë shokë të tij arrestohen. Ndërkohë, më 14 shkurt të vitit 1984, edhe ai arrestohet në kazermën ushtarake të Banjallukës. Disa muaj më vonë, organizohet një proces gjyqësor i cili zgjat pesë ditë dhe në ditën e gjashtë iu shqiptohet dënimi prej shumë vitesh burgu për veprimtari të organizuar në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës. Në gjykatore Afrimi bëhet shembull i guximit e i qëndresës. Këto virtyte të shpirtit të tij militant, u dëshmuan në të gjitha momentet dhe situatat, deri në çastin e aktit sublim të flijimit.
Me datën 19 qershor 1984, Afrimi del në gjykim me grupin e Sejdi Veselit. Afrimi ishte shumë i ri dhe ekzistonte dilema se a ishte i moshës madhore për tu dënuar. Gjykatësi Ahmet Ahmeti për ti plotësuar kushte për dënimin e Afrimit, ai me një mjeshtri të rrallë ia shton muajt dhe Afrimi del para tavolinës së zezë. Në grupin e Sejdi Veselit Afrimi ishte më i riu. Gjatë procesit gjyqësor gjykatësi Ahmet Ahmeti e pyeti me ironi: “Afrim ti je shumë i ri, a pendohesh për veprën që e ke bërë? Jo, nuk pendohem dhe kurrë s’do të pendohem. Edhe gjatë vuajtjes së dënimit do të punoj për Kosovën e lirë, do të punoj deri në vdekje, i ktheu përgjigjen Afrimi Zhitia. Gjykatësi kësaj radhe iu kërcënua duke i thënë: A e din që je para gjyqit? Por, Afrimi i përgjigjet, duke i thënë: “Unë i përkas popullit dhe vetëm populli mund t’i dënojë bijtë e tij, e jo ky gjyq!” Dhe në pyetjen tjetër që i bënë gjykatësi Ahmeti, se, a e ka dhënë betimin, Afrimi plot gjallëri i përgjigjet: Kurrë më i lumtur s’kam qenë, se atë ditë kur u betova para flamurit kombëtar me yll në Bregun e Diellit.”
Ndërsa gazeta “Rilindja” me 26 qershor 1984, në shkrimin “Gjykimi i së keqes së popullit”, lajmëron opinionin e gjerë se mori fund procesi gjyqësor ndaj grupit të organizatës ilegale “FNÇK”, dhe shpallet aktgjykimi, ku të akuzuarve prej 20 personave iu shqiptuan këto dënimet:
- Sejdi Veseli (1949), Orllan (Podujevë), teknik shëndetësor- 14 vjet burg
- Rrahman Bahtiri (1954), Brainë (Podujevë), punëtor- 3 vjet burg
- Shemsi Veseli (1961), Orllan (Podujevë), student – 11 vjet burg
- Esat Brajshori (1963), Sharban (Podujevë), student- 11 vjet burg
- Musli Prebreza (1962), Vranidoll (Podujevë), teknik m.– 10 vjet burg
- Hamdi Rafuna (1958), Gjyrishevc (Kamenicë), teknik m.– 9 vjet burg
- Sabri Sopa (1963), Mramor (Prishtinë), sh. m.– 10 vjet burg
- Fatmir Sopa, (1961), Mramor (Prishtinë), student- 7 vjet burg
- Agim Sahiti (1956), Kishnapole (Gjilan), teknik i makinerisë- 8 vjet burg
- Islam Krasniqi (1956), Majanc (Podujevë), sh. m. t.– 6 vjet burg
- Tefik Ramadani (1954), Qarr (Bujanoc), defektolog- 6 vjet burg
- Muhamet Kryeziu (1956), Dushanovë (Prizren), farmacistë- 3 vjet burg
- Skender Boshnjaku (1948), Vushtrri, epidemiolog i dip.– 4 vjet burg
- Ilaz Zhitia (1962), Llugë (Podujevë), sh. m. elektro- 10 vjet burg
- Ramadan Avdiu (1964), Prishtinë, student– 8 vjet burg
- Sali Sefa (1958), Prapashticë, teknik medic.- 8 vjet burg
- Afrim Zhitia (1965), Llugë (Podujevë), student– 8 vjet burg
- Xhemajl Rexhepi (1958), Prishtinë, teknik i elek.– 7 vjet burg
- Kadri Haziri (1954), Bellopojë (Podujevë), makinist– 3 vjet burg
- Rexhep Makolli (1955), Prishtinë, metalgdhendës– 3 vjet burg
Një kapitull i veçantë i jetës dhe i veprës së Afrimit, pa dyshim se është mbajtja e burgut. Ai, një pjesë të burgut e mbajti në burgun e Mitrovicës, por pas shtatë muajve e transferojnë në kampin “Zabella” në Pozharevc të Serbisë. Po në këtë burg të burgosurit politik shqiptar kishin kalua vitet më të mira të rinisë nëpër biruca të pista të tij. Afrimi sa qëndroi në këtë burg famëkeqe pati rastin të njoftohet me shumë të burgosur shqiptar me të cilët krijoi miqësi dhe në çdo kohë kur e kërkonte nevoja ai ishte pranë tyre dhe me ta.
Afrimi ishte shok e mik me të gjithë, dhe me sinqeritetin dhe mirësinë që kishte të burgosurit e donin dhe e respektonin. Me vullnetin rinor që kishte shpesh me të burgosurit bisedonte dhe qante hallet për kombin dhe vendin. Iu tregonte se vetëm një rrugë ekziston për të na nxjerr nga ky batak i quajtur Jugosllavi. Ne duhet të jemi të bashkuar dhe të përkrahim njëri tjetrin se të përçarë armiku do e luaj dhe do na imponoi lojën e vet. Gardianet dhe hetuesit e burgut duke e parë se Afrimi ishte djalë i mençur dhe kishte vizion për të ardhmen, të burgosurit politik shqiptar ishin në gjendje të bënin çdo gjë, vetëm se a e kërkonte Afrimi. Ata filluan ti frikohen atij. Andaj edhe arsyeja pse Afrimi pjesën më të madhe të burgut e kaloi i izoluar nga të tjerët.
Më tepër se katër vjet i kaloi në burg. U lirua në muajin shkurt, 1988. Por, posa del nga aty ai ra në kontakt me shokët e vjetër të ilegales dhe filluan për konsolidimin e radhëve. Po ashtu, Afrimi i kushtoi rëndësi dhe u angazhua në formimin e tresheve të reja, dhe bënte mobilizimin e kuadrove me të cilët mbante lidhje të vazhdueshme.
Posa ishte kthye në shtëpi, ai ishte njoftua se shërbimin ushtarak që e kishte lënë në gjysmë për shkak të arrestimit, e kishin thirr që ta vazhdoi aty ky kishte mbetur. Për herë të dytë Afrimin e dërgojnë në ushtri për ta plotësuar pjesën e mbetur të shërbimit ushtarak. Ishte fundi i majit 1989. Po në atë kohë arrestohen disa shokë të lëvizjes ilegale. Afrim Zhitia merr vendimin e prerë: I gjallë ose i vdekur unë duhet ti kthehem Kosovës martire, dhe me 13 shtator 1989, bashkë me shokun e jetës Fadil Vatën, erdhën nga Shibeniku i largët ku kishin shërbye si ushtar. Pasi se kishin arritur në Prishtinë, Fadili fillon të bëjë jetë prej ilegali, ku fillimisht ishte vendosur në shtëpinë e atdhetarit të njohur nga Presheva, trimit të paepur Ali Aliut, i cili njëkohësisht edhe ishte burri i hallës së Afrimit, zonjës Miradije.
Në ndërkohë u takua me shokët e idealit si me Fahriun, Fadilin, Hasanin, Bedriun e shumë të tjerë. Ata i vazhduan takimet dhe bënin organizimet për aksionet e ardhshme që i prisnin.
Në vitet 1988/1989, Afrimi me shokun e jetës dhe të idealit- Fahri Fazliun u bënë diga të pakalueshme të shovinizmit dhe të padrejtësive të shumta nga pushtetarët serbo-malazez. Po në këtë kohë ndodhën, demonstratat që ishin në mbështetje të grevës së minatorëve. Greva e minatorëve të Kosovës në vitin 1989 ishte një grevë urie e iniciuar nga punëtorët e Minierave të Trepçës më 20 shkurt 1989 kundër heqjes së autonomisë së Krahinës së Kosovës nga Republika Socialiste e Serbisë. Greva mori shpejt mbështetje në Slloveni dhe Kroaci, ndërsa në Beograd u mbajtën protesta kundër udhëheqësve slloven, shqiptar dhe kroat. Greva përfundoi pas shtrimit në spital të 180 minatorëve dhe dorëheqjes së krerëve të Lidhjes Komuniste të Kosovës Rrahman Morinës, Ali Shukrijes dhe Husamedin Azemit e që doli se e tëra kjo ishte një mashtrim i madh, ngase dorëheqjet kurrë nuk kishin ndodhur.
Afrimi, veç që ishte një atdhetar i madh, ai kishte edhe oratori të jashtëzakonshme në të folur. Edhe sot, shumë nga të pranishmit që merrnin pjesë në sallën e sporteve të universitetit e mbajnë në mend fjalimin e tij me plotë taban kombëtar. Mbahet në mend edhe traktet e shumta që u hodhën në prag të ardhjes së Sllobodan Millosheviqit me rastin e 600 vjetorit të Betejës së Kosovës në Gazimesta, më 28 qershor të vitit 1989. Ai me anën e tyre, demaskoi politiken gjenocidale të kreut serb para popullit shqiptar.
Derisa në vend protestat kundër heqjes së autonomisë në Kosovë po vazhdonin në prag heqjes së autonomisë, 22 shqiptarë u vranë gjatë ndërhyrjes së forcave jugosllave të sigurisë. Ministria e Brendshme e Jugosllavisë fajësoi protestuesit duke i quajtur “separatistë dhe nacionalistë”.
Sidoqoftë, Beogradi mori kontrollin mbi policinë, administratën, gjyqësorin dhe sigurinë dhe nuk ishte më e nevojshme të konsultonte krahinën e Kosovës rreth ndryshimeve kushtetuese të Serbisë. Në Serbi, mijëra njerëz ishin mbledhur në Qendrën Sava në Beograd për të festuar kthimin e pushtetit të Serbisë në Kosovë. Millosheviqi pastaj u propozua për postin e presidentit të Serbisë. Një editorial i gazetës The Guardian i datës 29 mars 1989 paralajmëroi se “Kosova tani është një provincë e okupuar ku frika serbe nga lufta e armatosur shqiptare mund të bëhet realitet”.
Trimat si Afrimi e Fahriu, nuk pajtoheshin me fatin. Ata nuk ishin të qet dhe ndodheshin çdo kund në ballë të demonstratave gjithë popullore. Ata ishin të parët më 31 Tetori 1989, më 1 Nëntorit të viti 1989. Ata nuk kursenin asgjë dhe luftonin me tërë fuqinë e shpirtit e të mendjes kundër politikës shfarosëse të Serbisë.
Më 1 Nëntor, 1989, ata ishin në ballë të demonstruesve, duke brohoritur parulla për Kosovën Republikë, dhe në duar mbanin flamurin kombëtar shqiptar. Mirëpo, në ethe të mëdha ishte shërbimi sekret dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët vetëm iu kishin rënë në gjurmë Afrimit e Fahriut. Porosia ishte e qartë nga shefat e policëve -Afrimi e Fahriu të zihen të gjallë o të vdekur. Dita për të kryer aksionin ishte caktuar. Me 2 nëntor duhet filluar me aksionin. Forca të shumta të policisë e kishin rrethuar qytetin, por ajo që binte në sy ishin tanket, autoblindat dhe policia e armatosur gjerë në dhëmb që kishin bllokua hyrje daljet në Bregun e Diellit, e sidomos hyrjen e tret të bllokut të tretë ku ndodhej banesa e babait të Fahriut, Rrahmon Fazliut. Ardhja e shumë policëve dhe qarkullimi i shumtë i automjeteve policore, fluturimi i ulët i helikopterëve mbi qytet, paralajmëronte se diçka e keqe po përgatitej. Ata, udbashët dëshmonin edhe një të vërtet se ata e dinin se me kënd kishin të bënin , andaj edhe ia kishin frikën.
Përballja kishte fillua në orën 12, të mesditës së 2 prillit, 1989. Fillimisht filluan me megafon duke bërë thirrje që të dorëzohen e pastaj pasuan me të shtëna e sulme në drejtim të hyrjes së ndërtesës, me shqelma e thyen derën e hyrjes, por trimat ishin barrikaduar, të vendosur për të qëndruar deri në fund përball një armiku të përbetuar kundër shqiptarëve.
Pas disa orë luftimesh, e që për popullatën shqiptare që jetonin në Prishtinë ishte dita e nata më e gjatë, e më e frikshme e viteve të fundit. Ata qëndruan duke kënduar dhe duke shti me armë në drejtim të forcave policore ku mbetën shumë të vrarë nga forcat okupuese. Rrethi ngushtohej, por Afrimi e fahriu këndonin dhe shtinin me rafalë në drejtim të forcave policore. Ata kriminelët e shtetit, fillimisht e kishin vrarë Afrim Zhitien, të cilën humbje Fahriu e përjetoi shumë rëndë. Ai më vonë nuk kurseu asgjë për të marr hakun e shokut të idealit. Në orën 20 të mbrëmjes një snajperistë e qëllon edhe Fahriun kështu duke rënë heroikisht në altarin e lirisë.
Në një shkrim të botuar në “Kosova e lirë” “Dëshmorët Afrim Zhitia e Fahri Fazliu i kishte bashkuar ideali deri në vdekje”, më 2 Nëntor 2023, profesori i Afrim Zhitisë, e ilegalisti i njohur Nezir Myrtaj, shkruan: “Me rënien dhe qëndresën heroike, dëshmorët Afrim Zhitia e Fahri Fazliu dhanë provën më të madhe të sakrificës, provë që mund ta japin vetëm ata që deri në fund u mbeten besnikë idealeve të tyre dhe ata që luftën për liri nuk e shkëmbejnë me asnjë produkt kompromisi. Ata përsëritën në Bregun e Diellit, epopenë e qëndresës, të cilën disa vjet më parë, në Kodrën e Trimave e kishin shkruar me gjakun e kulluar të zemrës, dëshmorët Rexhep Mala e Nuhi Berisha.