13/07/2024

Sepse ti je grua e adhuruar, nënë shenjtnesh… je vetë vullneti qiellor ngjizur dhe shëmbëllyer në ty!

0

Nga Albert Vataj

Ti dëshiruese e çasteve të lartësuara në altar, guxo të besosh se gjithçka që është gatitur deri në adhurim, për t’ju shndërruar në shkreptimën më të dritshme të lumturisë, është brenda jush.

Nëse ti heziton të jepesh, më ç’të drejtë shpreson, se diçka është e tillë përulëse dhe skllave e çdo nënshtrimi, sa të sakrifikohet për të ndezur në ju, çfarë asnjë yshtje nuk e ka ngrohur me hukamë e turitur me ngasje.

Ti ëndërrtare e atyre mrekullive të mishit, provo të zgjosh brenda vetes dëshirën për ta prekur diellin me bulëzat e tua të zjarreve të epshit… dhe do të shohësh se si do të zjarrmosh në çdo pore, do të dalldisësh në çdo epje.

Nëse ti mendon se gjithçka që është gati të ju bëjë të lumtur, pikon nga qielli, atëherë provo të lutesh… dhe të besosh se universi është gati t’i bëhet aleat synimeve tuaja, se çdo yll do të pluskojë në prekjet e tua.

Para se të ngrysësh nën mantelin e errët të dyshimit, hezitimit për të kërkuar çfarë është e jotja, në këtë pafundësi shansesh për adhurim, para se të fshikullosh vetveten më shpagimin e pamerituar dhe t’i nënshtrohesh diktatit të fatit të keq, jepu pa ndrojtje asaj çfarë zemra jote thërret.

Harro gjithçka, ndoshta edhe “veten” dhe provo të kridhesh në çastin fatlum të andjes për shndërrim.

Lëshoje trupin tënd të magjishëm në krahët e atij tafti të prushtë ngulmesh epshi dhe do të ndjesh se si çdo yll që ke ëndërruar në dehjen tënde të dritës, do të shpërthejë brenda teje. Vullkanet e gjithë zemëratave të kohërave do të vërshojnë në kurmit tënd. Harbimi i gjithë pranverave do të kundërmojë në trupin tënd. Më të kuqërremtat kokrra të qershisë, do të hepojnë në buzët e tuaja, shegë gjaku do të lulojë puthja jote.

…e do të shohësh se si do të të ulën në prehër engjëjt e gjithë tablovë të kohrave dhe gjenialiteteve të shpengimit artistik.

Dhe vetë krijuesi do të mallëngjehet nga shëmbëlltyra e tij.

Sepse ti je gjithçka… nëse beson, se çdo gjë që lind në ëndrrat tuaja është dhurata, me të cilën meriton të shpërblehesh.

Sepse ti je grua… dhe çdo grua është një shenjtore… sepse vetë shenjtëria e jetës është ngjizur dhe rritur brenda teje… ka mëkuar hënat e gjinjve tu dhe është ngjitur në lartësitë e zotëruesit të botës nga prehri yt, me bekimin e gjithë shenjtorëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok