22/12/2024

A M E R I K A N I  QË  SOLLI ODISE KOTE

0
Odise-Kote-Amerikani

“Është humbja ajo që na mëson vlerën e gjërave” – Shopenhaueri

Nga Timo Mërkuri

Nëpërmjet shtëpisë Botuese “TOENA” Odise Kote solli romanin “Amerikani”, një roman  që të trondit si asnjë tjetër për nga përmbajtja, aq sa edhe të mahnit për artin me të cilin është shkruar. Është një roman tepër i veçantë, që vjen për herë të parë në letërsinë shqipe, me një subjekt të si një dhimbje shpirt, shkruar me një stil poetik me “ngjyrë gri”, në të cilën pikëlonë si shi  e zeza e vuajtjes, si vesë e bardha e shpresës dhe dhe si një tis mjegulle roza e zemrës. Me këtë roman Odise Kote dëshmoi pjekurinë e tij si një shkrimtar dinjitoz i letërsisë shqipe bashkëkohore..

I-Për nga përmbajtja “Amerikani” i ngjason romanit “Arkipelagu Gulag” të Aleksandr Solzhenitsyn, por me një shtrirjeje hapësinore më të madhe të vuajtjejeve fizike e shpirtërore sepse: në qoftë se  Solzhenitsyn shkruan për vuajtjet dhe torturat e të arestuarve dhe të dënuarve në hetuesi, burgje e kampet e punës, Odise Kote na tregon me një gjuhë artistike se: gjithë Shaqipëria ishte thjeshtë një burg kolektiv, i krijuar nga shteti monist. Në një farë mënyre të gjithë ishim të burgosur, pavarësisht se disa gdhiheshin brenda telave me gjemba të kampit, ndërsa të tjerët brenda klonit të kufijve shtetërorë. “Amerikani” është një roman që sjell një pamje të re mbi fatin, vuajtjen dhe rezistencën e të burgosurve politikë në burg dhe jashtë tij dhe  duhet lexuar patjetër, qoftë për vlerat e tij të veçanta estetike dhe letrare, qoftë edhe si një ndjesë ndaj atyre mijra të dënuarve të pafajshëm, për të cilët ne nuk kemi ditur të vërtetën e dënimit dhe vuajtjeve nëpër burgjet e kampet e diktaturës. Mosdija jonë u jep ish të dënuarve politikë një farë ngushëllimi, por neve nuk na lehtëson aspak nga ndjenja e gabimit, sepse edhe ne i kemi quajtur “armiq”pa ditur asgjë për “armiqësinë” e tyre. Si “armiq” na i paraqitën “drejtuesit” e tribunave, dhe nuk e  menduam se shumë shpejt në të tillë do shndroheshin vetë ata, fqinjët, miqtë e vëllezërit tanë. Vala e arestimeve afrohej drejt familjeve shqiptare (kryesisht) intelektuale dhe artistësh siç u afrohet fëmijëve në ranishte vala e detit, të cilës përpiqen ti “shpëtojnë” duke kërcyer pupthi ose duke ju larguar me vrap. Ardhja e valës së detit dhe kërcimi apo largimi me vrap ndaj saj është një lojë fëminore që krijon shpërthime të qeshurash, ndërkohë që ardhja e valës së arestimeve ishte një gjëmë që fillonte me kuje e vazhdonte me vuajtje.

Ka dhe një aspekt tjetër koha e ardhjes së këtij romani të Odise Kotes që ja lartëson vlerat. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri shumë krijues që kishin jetuar ferrin e burgjeve dhe internimeve nisën të shkruanin për vuajtjet e tyre në hetuesinë, burgjet dhe kampet e punes , madje dhe e reklamuan këtë krijimtari si lindjen e “letërsisë së burgjeve”ose “burgologjia”, tezë dhe krijimtari që përkohësisht  tërhoqi vëmëndjen e lexuesve. Më duhet të them se me pak përjashtime (si Visar Zhiti etj.) kjo “rrymë” letrare “humbi” nga interesimi i lexuesve si lumi që humbet në rërën e shkretëtirës dhe kjo, jo për faj të lexuesve, por për gabimin e autorëve. Në shumicën e saj, kjo krijimtari ishte një lloj rrëfenje, shumë larg të qënit letërsi.  ishte një të shkruar “e zeza mbi të zezë”, pa art dhe pa finesë letrare. Në kohën që interesimi për letërsinë po “firon”, “firon”  e  “letërsisë së  burgjeve” e “ndihmoi” indirekt dhe stili i ftohtë, urrejtja e tipit  propogandistik me të cilën ishin shkruar,  duke haruar që arti në përgjithësi dhe arti letrar në veçanti është së pari dashuri. Kjo do të thotë që edhe kur shkruan për  kundërshtarin, sado që ta urresh atë, frazat  dhe fjalët e tyre apo për ta duhen shkruar me art dhe finesë, që të flasin shumë më shumë se sa kuptimi gramatikor i tyre, sepse ato janë pjesë e artit letrar dhe jo pjesë fizike e njeriut kundërshtar.

II- “Amerikani” i  Odise Kotes  është një roman që hyn denjësisht në letërsinë shqipe dhe qëndron në rrafshin e epërm të saj, pse në të gjithë faqet e librit, shkruhet e përjetohet artistikisht jeta në Shqipërinë e errët moniste, por njëkohësisht ndjehet e shihet drita tej kësaj errësire. Në ligjërimin artistik të romanit dëshmojnë vuajtjen, ndjenjat dhe mendimet  personazhe të ndryshëm, ndërkohë që plagët e trupit te të dënuarëve më shumë i ndjejmë në lexim apo në efektin psikologjik dhe luftën për egzistencë.

Në qoftë se do na duhej të pasqyronim zhvillimin e jetës në “botën” e romanit, kjo do realizohej me një grup fjalësh,  që na kujtojnë përshkrimin në Bibël të krijimit të jetës në tokë sipas radhës: Kaos, Mjegull dhe Kthjelltësi. Një kaos i vërtetë ligjshmërie, veprimesh, mendimesh e ndjenjash përmbytin botën e Nelson Andreas qysh nga momentë që shkel në tokën shqiptare, një mjegulle dëndur mos-orientimi e mbulon jetën e tij në kushtet e një jetese sipas normave e parimeve socialiste pas burgut, mjegull që rëshqet drejt shpërbërjes, për ti lënë vendin një kthjelltësie qiellor e shpirtërore, ose më saktë një triumfi të jetës.

Përsonazhi Nelson Andrea ardhur nga parajsa amerikane në ferrin monist, në mënyrën më të

papritur për të, si artist, e gjen veten në disa raporte që kurrë nuk i kishte menduar se egzistonin, dhe pikërisht e gjen veten te:  a) -raporti i artistit me diktaturën ku ai  fillimisht, më shumë për shkak të mosnjohjes së funksionimit të jetës në monizëm  ndjehet si “i rrëzuari nga anija në mes të detit” dhe po mbytet, por duke u kapur pas artit të tij, si pas një litari, ringjitet në kuvertën e jetës.

  1. b) -raporti i artistit me shoqërinë, kur shoqëria shqiptare jetonte nën një ciklon propogande të shfrenuar, pa jetë, pa vision dhe arti i vërtetë shihej si një “blasfemi”, si një sfidë ndaj regjimit, si një ndikim i huaj, ndërsa artistët ishin dënuar, persekutuar, u ishte hequr e drejta e ushtrimit të artit të tyre, e megjithatë ata vijonin të krijonin artin e tyre në heshtje, larg syve të publikut.
  2. c) -raporti i artistit me vetveten ishte një raport sfilitës për Nelson Andren. Shpirti i tij si artist ishte në vlim si një llavë, ndërkohë që presioni psikologjik, dhuna e shtetit monist dhe strukturave të tij i rëndonin mbi grykën e “kraterit” të tij shpirtëror si pllaka plumbi mbi grykën e reve radioaktive nëpër laboratorët bërthamorë.

Personazhi Nelson (Nelo) Andrea në njëzetëetre vjet burgim, persekutim, përgjim etj. lufton për të ruajtur shpirtin e tij artistik e human  dhe jetën në një shoqëri që “i grabiti” dhe identitetin e tij, sepse e ndjen që, nëse burgu apo kjo jetë që bën si një i mënjanuar ja shkërmoq personalitetin dhe talentin nën dhunën  e përditëshme, atëherë ai zhvlerësohet si njeri, dhe ska të ardhme dinjitoze si artist prandaj:  “Lahet, ushqehet, vesh jelekun dhe këmishën e bardhë me jaka të larta dhe zbret në kube. Kubeja ishte kisha e tij, ajo kishë si e At Artur Liolinit atje në Boston. Kubeja dhe interpretimi në violinë janë instrumentet që e shndrrojnë Nelo Andrean shqiptar, një varrmihës komunaleje në Nelson Andrean amerikan”.  Kjo  rezistencë intelektuale është lufta e tij, mbijetesa është fitorja, sakrifica e tij ishin vitet e humbura, jo vetëm në burgje e kampe pune, por gjithë vitet e qëndrimit në Shqipëri. “Nelson Andrea për herë të parë në jetën e tij ndjeu dhimbje, dhimbje të fortë në gjoks. Më shumë se dhembje ajo ishte keqardhje për vetveten. Kishte shpenzuar kot së koti njëzet e tre vitet e jetës së tij në këtë vend. Kujt ia kishte falur dhe përse”?

Përfytyroni një djalosh të rritur e selitur në bulevardet dhe sallat e koncerteve të Bostonit të vijë në Shqipëri, prej nga ka ikur dy vjeç fëmijë dhe porsa ve këmbën në tokën shqiptare, i vënë një thes në kokë e prangat në duar, madje pas shpinë dhe gjendet përballë goditjes së një shteti me mentalitet dhe metoda mesjetare të sjelljes dhe drejtimit. Realisht Nelson Andrea nuk ishte armik i  Shqipërisë dhe as i pushtetit monist, madje ai s’dinte gjë për luftën Nac. Çl.  (çpunë kam unë me luftën thotë ai me vete diku) dhe as për shtetin monist apo luftën e klasave . Ai ishte nje shtetas amerikan që erdhi në atdheun e tij të lindjes, Shqipëri, por erdhi në kohën e gabuar dhe me pasaportën (e gabuar) amerikane. Ishte kjo pasaportë që e pozicionoi atë si “armik” të vendit të tij, ishte ajo që nervozonte  hetuesit, policët dhe gardianët e burgut, madje edhe “tutorin” e tij Rako Siranin. Ajo pasaportë i dha emërtimin “imperialist” ndaj dhe presioni psikologjik dhe dhuna ishin goditje që i vinin njera pas tjetrës fizikut, personalitetit, psikologjisë dhe talentit së tij me forcën e befasisë dhe pastaj me forcën e qëllimit të tyre. Instiktivisht, për tu mbrojtur prej tyre ai u mbyll në heshtje, si në një “koracë mbrojtëse” , e cila mirte formën më të përshtatëshme  rezistente ndaj çdo lloj goditjeje, pa e ndjerë se kjo “formë e përshtatëshme” ishte në fakt një përthyerje e personalitetit dhe psikologjisë të tij, si hekuri që, kur nxehet, përthyhet edhe nga vetë pesha e tij. Përkundër portretit së disa personazheve të “letërsisë së burgjeve” që paraqiten “heroikë” në birucat, burgjet apo kampet e internimit e që më së shumti ngjajnë me “heronjtë” pozitivë të soc- realizmit, (veçse në kahun e kundërt), Odise Kote te personazhi i tij paraqet objektivisht edhe ndikimin tjetërsues të presionit të diktaturës mbi ‘të. Nelson (Nelo) Andrea nuk u vu në shërbim të policisë dhe të hetuesisë, nuk bëri madje as “tradhëtinë e butë” (qëndrimin  shpërfillës ndaj fatit të miqve dhe shokëve të tij), por koha e gjatë prej njëzet e tre vjetësh nën trysninë, jo vetëm psikologjike por edhe ekonomike e fizike, bëri që edhe ai të “ndikohej” nga fryma e kohës e “hakmarjes”  e adresuar te personat shkaktarë të vuajtjeve të tij.  Është një fenomen i njohur psikologjik: një njeri me personalitet të spikatur e kulturë të lartë, kur detyrohet të jetojë në një ambient ku dhuna është e pranishme në gjitha poret e jetës së shoqërisë dhe në të gjitha format, pas dhunimit, ai instiktivisht kërkon që të largojë nga vetja ndjenjën poshtëruese të këtij dhunimi duke u hakmarrë ndaj dhunuesit: “Andrea mori frymë thellë dhe iu drejtua ambasadorit amerikan: Shkëlqesi! Më keni nderuar shumë sot… Por më falni …aty në rreshtin e tretë është dikush që nuk duhej të ishte në këtë sallë, dhe as që duhej ta kishte dëgjuar këtë muzikë! Syri i Nelson Andreas kishte pikasur në rreshtin e tretë, tek të ftuarit, Rako Siranin”. Ai mendoi si shqiptar i persekutuar (dhe jo si amerikan i dënuar në Shqipëri) se ishte parimisht e drejtë që të kërkonte mos praninë e Rako Siranit , shkaktarin e vuajtjeve të tij në atë sallon të ambasadës Amerikane ku ai, si i ftuar i veçantë bashkë me të bijën dha një koncert recital me violinë, ndaj me siguri e ka befasuar përgjigja e ambasadorit amerikan: “Pa probllem, pa probllem, – reagoi shkathtësisht ambasadori…. U ngrit për kortezi nga vendi, i përshëndeti dy violinistët, at e bijë, dhe kërkoi: Pa probllem, kjo është demokracia. Vazhdojmë me programin më tej”. Do ti duhej për ca kohë një klimë e re, një mënyrë e re jetese për të rigjeneruar këtë “shtypje të koracës” së tij, apo edhe për ta flakur në harresë vetë koracën. Pasqyrimi i këtij ndikimi është dëshmi e njohurive gjer në imtësi të psikologjisë së njeriut nga autori dhe kjo e bën personazhin e tij shumë real.

III-Ka dhe një pamje tjetër  që e bën këtë roman një vepër të  realizuar artistikisht: ai bën objekt të trajtimit artistik shumë ngjarje historike të kohës, tradita dhe zakone tipike të qytetit të gurtë, të fshehta që i dinin të gjithë, por që nuk i përmëndëte askush, portrete personash të “gdhendur” si në gur etj. Të gjitha këto dukuri, ngjarje  e persona në fakt nuk janë dhënë me synim që të evidentohen në veçanti, por shërbejnë si një “ambient” ku jeton “historia” e trajtuar në roman. Pasqyrimi i tyre me nivel artistik nuk i ngre ato në piedestal, por i afron si “bazorelievë” në bazamentin e monumentit artistik të veprës.

Me artin e tij, si me një hark violine Odise Kote ka prekur fijet më të holla dhe të padukëshme të jetës duke na dhënë një muzikë të dhimbëshme gjer në asht në këtë roman të  shkruar me një intensitet artistik, që të krijon përshtypjen se  ngjarjet nxitojnë të përfundojnë shpejt, nxitimthi,  si një periudhë dhimbjeje, pa sqarime e hollësira të tepërta : “Sapo shputat e këmbëve prekën tokën shqiptare, të ëndërruar prej kohësh, atë e ndalën. Pa më të voglin shpjegim, dy burra të fuqishëm e zunë për krahësh, e rrëzuan barkas në tokë dhe i hodhën pranga në kyçat e duarve… Më pas e ngritën si pupël, pasi i hodhën thesin e xanës mbi kokë e hypën në Gazin 69 të degës së punëve të brendshme”, ndërsa na paraqet brenda Gazit 69 të policisë   personat që e kryen këtë veprim,: “Veç shoferit, ishin dhe dy burra të tjerë të armatosur… Dëgjohej kohë pas kohe një bisedë e shtruar dhe kolla e thatë e njërit prej tyre…. Tjetri ishte hokatar. Rrëfente pa pushim histori fshati, me gracka dhelprash, pusi e rrëshkitje burrash nga fiqiri, dredhka, rrëmbime nusesh dhe brinjarë…Të dy pinin cigare të dredhur. Binte erë e keqe…”. Mjaftojnë keto dy vijëzime portreti, për të njohur nivelin kulturor të policëve, por dhe për të parandjerë zhvillimin “profesionist”  të hetimit: “Kur u kthjell disi pa se një gjatovino syskifter ishte ulur përballë. Hollak, shufër lajthie, sikur kishte mbirë nga hija… Papritur kujtoi se ai vinte nga skëtera. Gjatovinua syskifter e pyeti për emrin, familjen dhe arsyen; përse kishte ardhur prej asaj Amerike në Shqipëri”. Do mjaftonte pyetja: “Pse kishte ardhur asaj Amerike..”një formulim pyetje që e bëjnë zakonisht njerëzit e paarsimuar të zonave rurale, miqve që bujtin nga qyteti: ç’kemi asaj kasabaje? për tu bindur se dhe hetuesia përbëhej nga nëpunës pa qytetarinë që kërkonte  posti zyrtar. Më tej : … e afroi (karriken shën.im.) pranë tij dhe foli me një zë të shtrajtshëm, …që ngjasonte me tyrjelat e holla që futen imtësisht në vesh. “Të gjithë e kemi nga një sekret… Të kthehemi tek ne të dy. Si thua? Heshtja tënde mund të na kushtojë jetën të dyve. …Një muaj më parë…. Më transferuan këtu në këtë humbëtirë, në këtë moçal. Përse? Mos ndoshta një provë e re? Papritur u shfaqe ti., dhuratë nga qielli apo mallkim? Ti do të jesh ose varri, ose shpëtimi im. Le të mos i humbasim kohë njëri tjetrit.” Te këto  tre rreshtat e fundit  shohim portretin psikologjik të një hetuesi sadist, që për tu ringritur në detyrë pas “ardhjes në këtë humbëtirë” kërkon shpëtimin te kryqëzimi i “viktimës”, te thyerja, mposhtja, apo zbërthimi i tij. Kuptohet që këta tipa janë ata që ngritën shkallare me kufoma për tu ngjitur në karierë apo në shpëtim të vetes së tyre. “Tek kjo dhomë kanë hyrë me dhjetra armiq të popullit. Kanë hyrë si luanë e kanë dalë si qengja. Mos e kërko fatin e tyre. Mos e ndill. Ndjesa dhe falja janë një udhëtim i mbarë. Ndaj këtu do zbrazesh. Do më thuash fije e për pe se kush të ka dërguar e për kë punon?”i kërcënohet të arestuarit duke dëshmuar vulgaritetin qytetar, cekëtinë profesionale dhe dhunën si mjetin e vetëm, jo vetëm të tij, por të një brezi zyrtarësh policie që lemerisën gjithë popullin me vrazhdësinë shtazarake. Në qoftë se dikush do hamendësojë për “gjatovinën syskifter”si për një rast të veçantë, le të shohim hetuesin tjetër:“ E kishin zevëndësuar (gjatovinën) me një shkurtabiq babaxhan, mustaqezi dhe kokë të madhe. Sytë i kishte të skuqur dhe këmishën e mbante zbërthyer dy kopsa për të treguar gjoksin e gjerë leshtor… dhe i pëshpëriste: Mos u tremb buçko. Pyetje rutinë. Më pas do kemi ca punë, po do t’ja dalim. Si thua? …Shkurtabiqi e shqepi në dru. Me ç’i erdhi përdoresh…. Njëzet e shtatë mesnata të tjera rresht, që zgjatnin deri në agim”.

Le të shohim dhe një skenë nga një ditë pune e të burgosurit Nelson Andrea: “Nuk ishte ngopur plotësisht me ajër…, kur befas, m’u në fund të qafës hollake iu vërvit me shpejtësi rrufeje kamzhiku i gjatë i Gërdhuqit. Sikur i preu damarin. Ai e kishte përgjuar, i qe afruar tinës nga pas dhe pastaj i ishte turrur si bisha, si bisha kur i turret presë së vet. “Imperialist, armik i popullit, qen – ishin të uluriturat e mbushura me jargë të kapter Gërdhuqit. Kujt i bën shenjë ti, kujt i jep sinjal? Kaq ta bësh dhëmbin. S’më ikën dot nga duart. Lëkurën do të të rrjep” – nuk pushonin të goditurat me kamzhik dhe këpucët e rënda me proka…. Kapter Gërdhuqi pushoi vetëm kur u lodh”. Dhe të mendosh se Nelson Andrea në këtë prag dhune nuk ishte në ndonjë prag tentative aratisjeje, përkundrazi ishte në një përhumbje muzikale pas stërlodhjes fizike nga puna e rrëndë, pikërisht në momentin kur: “Nisi të fërshëllejë një melodi që si një shpend i padukshëm, doli lehtësisht nga hapësirat e mushkrive. Sikur tingujt mezi ç’prisnin ta shpërthenin kafazin e kraharorit e ta shtynin me duart e padukshme shpendin, ta shtynin lart, lart, që ai të dilte prej andej dhe të ikte pakthim, drejt qiejve. U ndje krejt pa peshë. Sikur do të fluturonte dhe vetë”…. “Nelo Andrea doli nga zyra e komandantit të kampit Meleq Hazënbeu më i gjakosur se sa hyri. Gjaku i shpërtheu nga të gjitha venat. E kishte kuptuar përfundimisht se hapat për në zyrën e komandantit të kampit nuk ishin ato që të conin tek një zyrtar shteti, por rruga që të çonte drejt e në ferr”, atëherë sheh qartazi përballë njera tjetrës dy botë, dy kultura, dy njerëz që “flasin në epoka të ndryshme” ndonëse janë bashkëkohës.

Artisti është më i fortë se diktatura, më jetëgjatë se ajo, prandaj diktatura së pari godet artistët dhe poetë, i burgos, i internon, u heq të drejtën e publikimit të artit të tyre, sepse e di që arti, nëpër  rrugëkalimet e fshehta dhe të heshtura, ndez zjarrin e shpresës dhe mbi mendimet si “dru të lagura nga frika”. Diktatura i vret artistët, por ajo nuk ka fuqi të vrasë artin e tyre, pasi ky art  jeton edhe shumë dekada pas rënies së diktaturës, madje pikërisht në këtë kohë, ky art ndrin si një kometë, e cila në vend të bishtit të zjarrtë ka kujtimet e jetës  dhe rezistencëss së artistëve ndaj diktaturës.

Në kohën që kapterat e burgjeve dhe kampeve ëndëronin dhe projektonin forma më “efikase” dhune ndaj të burgosurve, ata përjetonin vizione të gjera humanizmi. Kështu, mqse  atë ditë kishte përfunduar hetuesia e tij pa ndonjë fajësi, Nelson Andrea kishte përjetuar një frymë mirësie e faljeje kristiane: “Zoti nuk do që ca të qajnë më tepër e ca të qajnë më pak. Fituesi le të falë. Falja nuk është kurrë frikë. Dhe i pushtuar i gjithi nga mornica të holla mirësie, asaj dite me diell të ngrohtë, edhe kapter Gërdhuqin, përbindëshin e pashpirt të kampit e shikonte disi me përdëllesë”, pa menduar se me këto ndjenja ai dëshmonte “fitoren” dhe forcën e tij, sepse trimi dhe i forti gjithmon fal, i dobëti vret.  Gjatë pushimeve në hetuesi përjetonte suksesin e tij të dikurshëm në konkurimin: “…për një vend violinisti në orkestrën e madhe simfonike të Bostonit. …Fitoi. Prej gjashtë muajsh ishte njëri nga tre muzikantët e rinj të Orkestrës”. “Ai ëndërronte shtegëtime të detajuara për shpirtin e tij. Në vende të shenjta, të bekuara. Sepse gjithësia është brenda njeriut. Njeriu i di destinacionet e veta. Por tani i ngjante se përbrenda tij ishte bërë eklips, me kaq shumë terrinë, vetmi, përçudnim”, ndaj dhe rriste në vetvete besimin se: “Një ditë do të iki nga ky ferr dhe do ti rrëfej botës tmerret e mizoritë e tij” çka  na kujton At Zef Pllumbi dhe devizën e tij: “Rrno vetëm për me kallzue”.

IV-Jeta shqiptare e kohës nuk linte asnjë njeri të merrte frymë lirisht dhe të realizonte dëshirat e tij shpirtërore, ajo ishte një jetë e komanduar, e planifikuar, e kontrolluar nga lart. Nga lart vinin tollonat ushqimore,  nga lart vinin të drejtat e studimit, që në shumicën e tyre s’kishin asnjë qasje me pasionet e maturantëve, nga lart vinin emërimet në punë, nga lart komandoheshin shijet e veshjes dhe të qethjes, filmat që do shiheshin e muzika që do dëgjohej, pantallonat që do visheshin dhe stili i qethjes së flokëve. Madje dhe dashuritë dhe martesat ishin nën suverjim, çdo dashuri apo martesë me një vajzë apo djalë nga familje “me njollë në biografi” “njolloste” dhëndërin ose nusen dhe familjen e tyre. Përgjithësisht ishte një jetë monotone, me mangësi të theksuara gjer edhe te ushqimet bazë, një jetë që nuk të frymëzonte dhe në rast se dikush do dilte jashtë kornizës të shoqërisë, menjëherë do vihej nën suverjim.  Intelektualët dhe  artistët ishin shënjestra e parë e goditjes së vigjilencës së organeve policore. Lajmet mbi arestime poetësh e shkrimtarësh, inxhinjerësh nafte e mjekë, heqje të drejte botimi apo ushtrimi profesioni e botimi apo internime familjesh ishin bërë një rutinë e përditëshme. Frika dyndej qyteteve më shpesh e më dëndur se mjegulla.

Nelson Andrea, ky artist, pjestar i një prej orkestrave më të njohura simfonike në botë, gjëndet papritur përballë strukturave të një shteti që hymnizonte kultin e dhunës. Ishte shteti i diktaturës së proletariatit që “drurin” e kishte në fakt  “direkun e anijes shtet” ku mbaheshin  të gjitha “velat” e tij. Ndërkohë kujtojmë se romani fillon në vitin 1967, kohë kur zhvillimi dhe përparimi i vendit kërkonte nderimin dhe vlerësimin e intelektualëve për të drejtuar sektorët të jetës, sepse një shoqëri që vlerëson dhe nderon artistët e intelektualët është një shoqëri që punon për zhvillimin dhe përpraimin e saj. Mirëpo në Shqipëri,  fakti që këta të rinj e të reja ishin intelektualë i bënte ata të pabesueshëm për shtetin. Ishte në fakt koha e një antagonizmi “de fakto” midis intelektualëve dhe nëpunësve  “çerek të arsimuar” që kishin mësuar vetëm shkrim e këndim nëpër kurset e përshpejtuara kundër analfabetizmit. Këta “çerek të arsimuar”   e ndjenin dhe e kuptonin se përparimi dhe arsimimi i vendit do ti spostonte në vijën e dytë e të tretë të drejtimit administrative, shtetëror dhe artistik, ndaj me arogancë, servilizëm, spiunllëk, provokim dhe sidomos duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj artistëve dhe intelektualëve i rëndonin kohës së “tyre” për mos të ikur, siç u rëndojnë balonave qeset me rërë për mos tu ngritur.

Thuhet se dhuna fizike është “forca” të dobëtit, ku këtu përfshihen dhe të paaftit dhe “çerek të arsimuarit”, që në këto vite quhen rëndom “analfabetë” sepse  s’dinin asgjë tjetër veçse të lexonin gazetën.  Si të tillë ata kishin gjetur mbështetje te dhuna, që e përdorin pa kursim kur ua lejonte posti zyrtar. Është e tmerëshme dhuna që ushtrohet mbi intelektualët dhe artistët, është e dhimbëshme, shkatëruese, sepse është e pamëshirrëshme. Kjo dhunë, veç arsyeve të tjera mban brenda saj edhe inatin e analfabetit ndaj intelektualit, për arsye se: vetë prania e  intelektualit dëshmon dobësinë e tyre të “fshehur”, jo në sirtarë tavoline pas së cilës ulen, por në sirtarët e ndërgjegjes dhe kujtesës së tyre. Pse shteti u dha poste drejtuese dhe fuqi ekzekutuese njerëzve të tillë, në vend që të vendoste në ato vende njerëz të arsimuar është një nga arsyet që vendi ynë mbeti mbrapa në gjithë fushat e jetës, ndërkohë që ishte  një nga  faktorët që ndikuan në rrëzimin me vonesë të komunizmit te ne.

Për të përballuar presionin psikologjik Nelson Andrea “aratiset” nëpër kujtimet e tij të jetës dhe dashurisë amerikane, aty ku rijeton lumturinë e “braktisur” prej tij për të mbajtur një premtim apo amanet të babait. Këto kujtime i japin “ajër” frymarjes së tij, por ja që “nuk jetohet vetëm duke marrë frymë, duhet ndjerë aroma e jetës në çdo moment” (Samuel Lion). Këto kujtime i japin forcë  për të rezistuar dhe i ushqejnë shpresën se një ditë “do ikte nga ky ferr”. Këto kujtime, ku “rritej” shpresa, ishin si ca “ishuj” të largët në mes të oqeanit të “frikës”. Aty zbriste Nelson Andrea dhe jetonte jetën e tij. Ai bënte aty krahasimet mes dy jetëve dhe përpiqej që të gjejë dhe në Shqipëri një copë jete amerikane, kryesisht me shokët e tij të punës: Oto, Neri dhe Sadiku dhe më pas Lola dhe Margarita, por mëson se dhe atje ishte i suverjuar, madje tmerohet kur i kërkojnë të denoncojë shokët e tij. Në këto kushte, i rënë në “kurth”ai pranon në heshtje “urdhërat” e Rako Siranit për një sërë vendimesh mbi jetën e personalitetin  e tij. Pranon të “vetëquhet” nipi i tij, të ndryshojë emrin në Nelo Andrea nga Nelson Andrea, pranon të martohet me një vajzë shurdh-memece, viktimë e pafajëshme e fatit dhe shtetit, pranon të heqë dorë nga profesioni i tij dhe të punësohet në skuadrën e fidanishteve dhe pas burgimit të dytë, në atë të varrezave, pranon dhe hesht për çdo gjë që i thotë Rako Sirani. Ai, në dukje shndrohet në një mekanizëm, që lëviz e jeton vetëm nën kurdisjen e Rako Siranit. Veçse kjo “jetë e kurdisur”  ishte për sytë e Rako Siranit dhe atyre që e shihnin si “imperialist”, ndërsa për veten e tij, Pandorën dhe fëmijët  mbrëmjeve ai mbyllej në kube dhe zbriste “parajsën muzikore në tokë” me violinën Stradivari, atë violin që e mbrojti nga shteti si flamurin që mbron në luftë ushtari besnik.

V- Duhet të pranojmë se Odise Kote në rrëfimin dhe ballafaqimin e dukurive, mendimeve dhe kujtimeve dëshmon një mjeshtëri të lartë krijimi për mënyrën e pasqyrimit dhe kundërvënies së tyre, aq të gjalla. Kjo sepse ai e sheh dhe e shkruan letërsinë si pjesë vazhduese të shpirtit njerëzor dhe jo si një produkt i mëndjes.  Ca më tepër, në rrugëtimin e subjektit të librit ai shënon datat e ngjarjeve si piketa kohore, si një kronikë që saktëson ngjarjet: “Ditë e paharuar, 23 maj 1967. Avioni i linjës Vjenë – Tiranë ulet në pistën e, rreth orës 23 e 18 minuta”,  “Në nëntor, gjashtë muaj pas arrestimit.., e zunë ethet e forta me temperaturë të lartë” , “Kur u mbushën pesëmbëdhjetë muaj nga burgosja, …Ishte korrik. 9 korrik 1968.”, “Ora 2.30 minuta.Natë e ftohtë, me shi dhe erë “, “Ishte shkurt, 14 shkurti, Shën Valentini”, “Ora 19.45 koha kur Nelo Andrea hyri në kube”, “Në pranverë, në 27 maj 1980, në mesnatë…Nelo Andrean e arrestuan”,    ”Ora ishte e njëjtë, si e herës së parë, 3.40 minuta. Ndjesë, 10 minuta më vonë se hera e parë” etj. duke i dhënë edhe në formë librit një saktësi strukturore dhe korektësi kohore.

Odise Kote është një penë e bukur letërsie, që jeton me letërsinë dhe për letërsinë. Kjo ndjehet së pari te dashuria me të cilën shkruan, dashuri me të cilën i tregon ato që shkruan si përjetime ëndërrash. Kjo duket te bukuria artistike e ndërtimit të fjalisë, që të ngjason me një ylber të shtrirë dhe ai nervi, oh ai nervi që i përshkon tej e tej fjalët e ligjëratave, të bën të dridhesh si para dashurisë së parë. Lexojeni romanin dhe përjetojeni dhe ju këtë ndjenjë.  Odise Kote në fakt e dashuron letërsinë dhe kjo është e dukëshme te ëmbëlsia dhe shpirtërimi i  ligjëratave, gati si të folura me pëshpërimë, thua se  i dridhet zëri e zemra nga emocioni si para vajzës  për të cilën ëndëron,  kur flet si ”autor”, pa tonalitet. Kjo sepse ai realisht  ka paraqitur botën e tij shpirtëore, shpirtin e tij në momente shpërthimi të “llavës së frymëzimit”që vjen nga shpërthimi i “vullkanit të heshtur”. Thua se ai vrapon e kërcen pas kësaj llave, rrëshqitjes të së cilës ja di drejtimin: domosdo nëpër sokakët e Gjirokastrës.

Unë ju them se si stilist Odise Kote është i veçantë në letërsinë shqipe, madje jo vetëm kaq, ai e pasuron së tepërmi fjalorin letrar me fjalë dhe fraza, të cilat, ndonëse kanë ngjyrën e “hirtë”, si gurët e kështjellave të hirtësuar nga vjetërsia e kohës, çuditërisht në ligjëratat e vargjet e tij ato “çelin” petale plot ngjyra duke pranveruar ambientin e hirtë dhe kuptimshmërinë e frazës. Shprehjet dhe fjalët: “cërga të mëdha drite”, “krusmë mërzie”, “një teh kryeneç drite ”,  “tejanë”. “Hollak”, “ kishte mbirë nga hija”, “Ta dërgoj shpirtin në ferr dhe zemrën ta pjek atje në heshtje të harresës”,. “Fol me të vdekurit, që të kuptosh të gjallët”, “Heshtja fryhej e veshtullohej”, “egërshane”,” tejçim pëshpërime”, “Njeriu nuk ia mbath dot fatit të tij”, “Lotët janë gjuha e heshtur e dhimbjes”, “Jazëk”, “qielli përvëlak”,” sokakët shtrembaluqë”, “Rrokopuja dhe rrëmeti”, “popëla”,” të vjen anicirë”etj… të cituara sa për ilustrim,  flasin për një njohuri dhe dashuri të autorit për fjalorin dhe shprehjet komunitare të qytetit të tij, dhe lartësinë e tij artistike në përdorimin e suksesshëm të tyre në një roman bashkëkohor. Madje mbi bazën e kësaj përvoje Odise Kote krijon fraza  që kanë formën dhe forcën e shprehjeve të urta, rrahur në kudhrën e kohërave  e që zbresin në tekst si rrufe në të kthjellët dhe të befasojnë me dritën dhe shkrepëtimën e tyre si: “Zogjtë nuk e ndërtojnë folenë në kafaz, që të vegjëlit e tyre të mos trashëgojnë robëri”, “Turpi nuk të shëron. As të ndihmon të lash mëkatet”, “Rojtari heshti, u dogj përbrenda si një perëndim”, “tradhëti që mbahej mbërthyer me njëmijë gozhdë për të mos u shqepur”,” Qetësia që vinte nga pranimi. Nga dimensioni i pranimit të gjithçkaje që sillte tjetri me vete, i kulturës së tjetrit”, “Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën, vetëm drita mund ta bëjë diçka të tillë. As urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen, vetëm e vërteta dhe dashuria e kryejnë këtë mission”, ” Të fajësosh një gjarpër se ka dhëmbë helmues nuk është mençuri” etj.

Thuhet se për të vlerësuar një autor, duhet të shihet fraza e nisjes së romanit, ngjyra dhe tingulli i fjalëve. Në këtë aspekt nisja e romanit të Odise Kotes i ka  ngyrën gri dhe tingullin e rëndë me disa sekuenca lirike, kryesisht nëpër kujtimet e tij: “Nuk kishte si ta kuptonte prej nga i vinte ajo krusmë mërzie. Gojën e kishte te mbushur me shije hidhërimi. Në kokë i kumbonin fort tingujt e kohës së dytë të koncertit për violinë të Bethovenit”. Kjo gri e stilit të tij, ndërsa është ngjyra dominuese e romanit, kalon si një re e fundit  e dimrit që ikën, në qiellin pranveror që po hapet pikërisht në pasazhin e fundit të romanit: “Pandorka e bukur, gruaja që i kishte dhënë gjithçka Nelo Andreas shqiptar, çdo grimcë e thërmijë nga trupi dhe jeta e saj, ishte larguar përfundimisht. Ndoshta e kishte kuptuar që në kohën e re, Nelsonit amerikan, nuk mund t’i jepte dot asgjë. Mbase për këtë shkak dhe ishte larguar, ashtu siç dinte ajo: qetësisht, thjesht, pa ndërlikime, pa lamtumirë”, duke i lënë vendin një stine të re në jetën e personazhit.

A ju kam thënë që Odise Kote është gjirokastrit, që e do Gjirokastrën dhe ka marrë prej saj, madje duke lexuar krijimet e tij të krijohet bindja se ai ai është krijuar nga era e Malit të Gjerë  dhe  aroma e manxuranës e vasilikoit,  nga gurgullima e Drinos dhe e qeshura e vashave nëpër sokakë, nga mërmërima e plakave nëpër dasma  dhe vaji i tyre nëpër ksodhe, trokëllima e hapave djaloshare në Qafën e Pazarit dhe hieja e kështjellës si feste mbi krye që i bën vend dritës së diellit në sytë e tyre. Më duket mua apo Odise Kote është i dyzuar, qytetar dhe intelektual që mban strukur në një xhep të zemrës dhe kujtesës jetën, etimologjinë dhe psikologjinë e djeshme të qytetit. Duket sikur është arshivë, por në fakt ai është gjirokastrit i ditur dhe i talentuar.

Shumë herë, mjafton një fjalë e tij për të dhënë një portret njeriu apo të një kohe. Fjala turke “sakën” të cilën autori e “shpjegon” artistikisht si : “fjalë turke me mister dhe fuqi të çuditshme. Ngrin, stepesh sa e dëgjon… përdoret gjerësisht. Fjalë – kod, kyç. Ngjan me një prizëm ku bien gjithë lutjet, kërkesat, dëshirat, trillet, veset, mëshira dhe të gjitha thyejnë kokën në brinjët e mprehta, të thepisura, tehe që s’falin” , dhe për të cilën unë do shtoja : “fjalë  që tregon një urdhër për stopimin në vend të dëshirave , nismave, ëndërrave dhe çdo mendimi të ri”, por që dëshmon faktin se shoqëria shqiptare ishte ndalur në “mesjetën turke”dhe psikologjia e shtetit ishte një psikologji mesjetare. Kjo fjalë tipizon edhe vetë personazhin që e përdor aq dëndur, Rako Siranin sa që atë normalisht mund ta quash thjesht : “shoku sakën” dhe me këtë  fjalë e ke dhënë me ngjyrat e duhura portretin e tij. Një fjalë është, por gjeografia e kuptimshmërisë së saj kërkon një fjalor të tërë për tu treguar.

Gjuha e të folurit komunitar sa ka bukurinë, filozofinë  dhe tingëllimën e fjalëve tipike aq ka edhe rrezikun e një fjalori uniform që përdoret nga një libër te tjetri, nga proza në poezi. Mjeshtëria e autorit është pikërisht mënjanimi i krijimit të një të shprehuri uniform në gjithë krijimtarinë e tij. Të kuptojmë se: lulet që çelin në një lëndinë janë të gjitha lule tipike lëndinash, por ato nuk janë lule njëngjyrëshe dhe as të parcelizuara sipas ngjyrave. Aq më pak janë të njëjtat në të gjitha lëndinat.  Ashtu si çupkat zgjedhin lulet që i lidhin kurorë, për ti mbajtur në kokë në lodrat e tyre  nëpër këto lëndina,  apo lulet që i mbledhin në tufa dore dhe i marin me vete në shtëpi, ashtu dhe autori përzgjedh fjalët dhe frazat tipike komunitare për ligjëratat dhe vargjet e tij, duke u çfaqur gjithnjë  sa origjinal aq dhe i “shumëngjyrshëm”.

V-Me një dendësi bërthame ku struket jeta e një peme të ardhëshme, Odise Kote përshkruan ngjarjet e jetës së qytetit të gurtë, duke ravijëzuar doket, zakonet dhe kulturën, humorin dhe humanizmin e banorëve të thjeshtë: “Mbledhje tek brigadier Bariu:

– Shokë … nuk jemi vetëm. Kemi në krah Republikën Popullore të Kinës. Kina është me ne.

– E ç’na ka Kina ne? – s’u përmbajt Dikja – aq grurë sa hanë minjtë në hambar të një anije, aq grurë do Shqipëria. Shpëtuam! Veç atyre që tha brigadier Bariu, kam dëgjuar se Kina do të na sjellë edhe copa doku, dok more dok, dok. Dok për pantallona. E dini ju sa e madhe është Kina?

-“Domethënë – e prishi dedikatën e tij Oto – tani kemi aleatë edhe Valarenë dhe Kinën”…E pra, të barazosh si “aleatë” të Shqipërisë Valarenë, një fshat i vogël në Gjirokastër me Kinën, vetëm shurdhi nuk e dëgjon ironinë.

Prishja( e kishave) paraprihej nga tubimet e zgjeruara të grave e vajzave. Ato diskutonin me zjarr ligësinë e zakoneve prapanike dhe helmin reaksionar të besimeve fetare. Rrokopuja dhe rrëmeti nuk ndalej. Si të mos mjaftonte ky rrëzim, disa kisha mesjetare u shndërruan menjëherë në vatra kulture. Kërcim dhe hare. Disa të tjera u bënë hambarë të misrit dhe fasuleve”pasqyrohej “nisma e rinisë” për prishjen e kishave dhe xhamive.

Me një muzikë : “…prej tingujve të ç’akorduar, atyre tingujve që binin si me dhunë në veshët e njeriut nga fillimi deri në fund, pa asnjë ndryshim, pa asnjë ndalesë. Ishte e panatyrshme mënyra se si luanin. Ngjante se ishin nën një nxitje e shfryrje shtazarake, të çuditshme, të panatyrshme, për ta dërguar zhurmën e tyre (për muzikë as që bëhej fjalë), nga kreu në fund, edhe pse ishte dukshëm blasfemi, në timpanët e qytetarëve mjeranë” shoqërohej dita festive e votimit.

Me një dendësi kuptimore fjalësh për situatën e ankthshme: “I ngjante se kudo e vështronin tinës, sikur i kërkonin llogari: Akoma jashtë je ti? Miqtë e tu u arrestuan. Po ti të paskan harruar apo …”? “Moj, mos e kanë lënë gjë për pranverë? Ku harrojnë këta!” autori jep  atmosferën qytetëse në periudhën e luftës kundër liberalizmit dhe ndikimeve të huaja, duke arritur majat më të larta të ironisë popullore te zbulimi i grupit armiqësor në ushtri: “Në qytet kishin nisur arrestimet… arrestimet e asaj vjeshte…. Po arrestoheshin ushtarakë të Divizionit Labëria.. Midis të arrestuarve, thuhej se ai që qenkish “koka” e grupit armiqësor ishte dhe një ushtarak veterinier… Ai rriste dhe stërviste kuaj parade. Kuajt, u tha në aktakuzën publike nuk stërviteshin sipas platformës kineze, siç dhe ishte urdhëri, por vazhdonin me metodikën e vjetër sovjetike. Nga ky moskuptim i qëllimshëm i direktivës, kuajt e paradës ishin nervozë dhe nuk para mbanin vithe. Ato rrezikonin ti hidhnin hopa – me bythë përpjetë gjeneralët e kolonelët e ushtrisë”, por menjëherë pas këtij humori të zi vjen si një ulërimë paragrafi tjetër:  “Ndaj familjes së tij u veprua menjëherë, egërsisht. E “zhdukën” nga faqja e dheut”.

VI-Ka një personazh romani i Odise Kotes që mund ta cilësojmë pa frikë si një ndër personazhet më të realizuar në letërsinë shqipe bashkëkohore, ka një Rako Sirani që nuk e ka asnjë krijim letrar. Një njeri i rëndomtë, ish punonjës i seksionit të sekuestrimeve të floririt të tregëtarëve të periudhës së luftës, punonjës arshive në Komitetin Ekzekutiv, pra ky Rako Sirani ju paraqit Nelson Andrean te porta dalëse e burgut si një : “Engjëlli që e priti përjashtë”duke e sqaruar se ishin “kushërinj të largët nga ana e nënës”. “Unë e di ç’hoqa të rregulloja lirimin me kusht”i thotë Nelsonit si argument përfundimtar bindës, sikur ti thoshte që “jetën ma ke borxh mua” dhe vijoi: “Ta thashë që në fillim të kam nipçe! I njëjti gjak më solli këtu”! Për të njohur nivelin kulturor mjafton të tregojmë se kur Nelsoni e pyeti çdo me thënë lirim me kusht, pa të drejtë ushtrim profesioni, ai ju përgjigj: “Kusht i vetëm i lirimit është se nuk do t’i biesh më qemanes, ja kësaj – dhe nxorri… nga thesi i plaçkave violinën Stradivar. Të ndalohet dhe pikë. Punë e madhe! Hahahaha”  dhe kjo e qeshur tingëllon si një e qeshur triumfi edhe ndaj shtetit. Rako Sirani ja hedh edhe shtetit të tij, kur ja do interesi.

Misterin e ndihmës që Rako Sirani  i afron Nelson Andreas sqarohet pa dashje nga vetë Rakua kur i thotë: “Unë do të ndihmoj jo vetëm se të kam timin por e kam dhe detyrë shteti”. Ne që e kuptojmë se çfarë e si qenë këto detyra shteti  na mbushet trupi me mornica. “Do shikoj mos të nxjerr dhe një pasaportë të re shqiptare. Mbase të ndërroj dhe emrin se ky që ke, … bie erë amerikanizëm. Do na hapësh punë. Mbiemrin mbaje siç e ke.” vijon Rako Sirani të paraqesë platformën e tij ndaj “nipçes” duke treguar dhe  rrugën e “zbatimit”: “Mos e vrit mendjen. Ç’i qi t’ëmën! Shko vish teshat e reja që të kam blerë se do të dalim në qytet. Dhe sakën, sakën: Gojën me kyç”!

Rako Sirani përfaqson ata nëpunësit e vegjël të shtetit, që pa arsim e kulturë, por me një shkathtësi veprimi që “nxjerr dhjamë nga pleshti” ju ngjitën pushtetit siç u ngjiten disa miza afrikane gjedhëve.  Këto miza thithin gjakun e gjedhëve për të jetuar, por në rast rreziku ato largohen me shpejtësi prej tyre dhe zhurmojnë rreth sulmuesit, duke i paralajmëruar në këtë mënyrë “ushqyesit“ për afrimin e “armikut”. Kjo formë bashkëjetese quhet “simbiozë”. Shteti mbante në simbiozë  njerëz-“miza” të tilla që i thithnin “rrogën”për tu ushqyer dhe si shpërblim këto “miza” zhurmonin  rreth njerëzve që nuk e donin shtetin. “Jam arkivist në Komitetin Ekzekutiv të qytetit, por punoj dhe atje – dhe uli tonin kapardisës të zërit – punoj dhe në Degën e Brendshme si shifrant. Më thërrasin herë pas here” i pohon Rako Sirani Nelson Andreas kinse me sinqeritet, por në fakt me përllogaritje gjer në imtësi, për ta frikësuar që të mos revoltohet ndaj tij.

Për nga  niveli i inteligjencës që kishte, Rako Sirani kryente veprime të vogëla, por duke i bërë publikisht, ky publicitet u jipte dimensione të “mëdha” dhe e paraqiste autorin si një  nismëtar kurajoz dhe besnik i partisë: ..“Si përherë në ballë shoku Rako!

-Vota jonë plumb për armikun. Të rrojë Partia. Të rrojë pushteti i popullit! – pas kësaj ngrohtësie shtirakelëngëre që të sillte të vjellën në grykë, një tjetër anëtar i komisionit u ngrit dhe i afroi një fletore – listë me emra”.

– “…në skenë u ngjit Anusheja, marrukja rome me dekolte ekstravagante e sisët plot, ..Në të vërtetë ishte çasti kur në dokumentar udhëheqësi nga tribuna e fitoreve hidhte lule mbi popullin dhe marrukja Anushe tërhoqi mikrofonin e ia nisi avazit:  Këndo o bilbil, këndo / topemadhiinënës -o …!Por atë çast,  ai (Rako Sirani) u lëshua si zhgabonja … duke ia rrëmbyer mikrofonin nga dora. Pastaj e përmblodhi hopa dhe e zbriti pa një pa dy përposh shkallëve”.

Janë këto veprime publike që ja “rritin”vlerën Rako Siranit në sytë e atyre “atje lart” dhe i japin guxim dhe shtysë për tu ngjitur “më lart”. Emërohet  sekretar i komitetit të partisë për artet, kulturën e propagandën me detyrë që e kupton si: “Jam për të mos lejuar pinjollët e borgjezëve e pasanikëve që të hyjnë në art”. dhe më pas emërohet në ministri.

Në qoftë se mendohet që qëllimi i Rako Siranit në jetë është bindja politike, kariera partiake apo administrative, ky mendim buron nga veprimet e dukshme të tij, ndërkohë që ai si objektiv ka …”floririn”. Duke punuar në seksionin e sekuestrimeve të floririt tregëtarëve të pasur, në vitet e para të pas luftës ai njohu pasurinë, forcën e pasurisë dhe synoi në jetë pikërisht këtë pasurim. Gjatë sekuestrimit te familja e Kristaq Bukëvallës tenton të krijojë lidhje dashurore me të shoqen e tij, për të aritur më pas te floriri i fshehur. Këtë qëllim ka edhe organizimi prej tij i martesës së Nelo Andrea me Pandorën, vajzën shurdh-memece të Bukëvallëve, e cila do trashëgonte pasurinë e tyre. E papritur dhe dështim për Rako Siranin në këtë plan ishte dashuria që lindi natyrshëm mes Nelo Andreas dhe Pandorës, para së cilës u ndje i pafuqishëm. Vajtja në Ministri i dha mundësinë që të njihte situatat politike rajonale dhe botërore dhe kuptoi se erdhi koha që ta braktiste “kalin” e mëparshëm. Kjo është arsyeja që u ndodh në pritjen në ambasadën amerikane, përballë me Nelson Andrean, duke na dëshmuar një nga arsyet e shumta pse shumë ish funksionarë e punonjës dikasteresh të kohës së monizmit u pozicionuan djathtas në politikë, duke i shkaktuar vendit një tranzicion të stërgjatur.

Rako Sirani është personazhi më i realizuar, por duhet të pranojmë se personazhi më shpirtëror është Pandora shurdh-memece që dashuroi  Nelson Andrean dhe luftoi të mbrojë dashurinë e saj. “Dashuri mes dy njerëzve nuk matet nga numëri i fjalëve që ata shkëmbejnë mes tyre”-thotë diku Milan Kundera. Në kët kontekst unë do kërkoja mirëkuptimin tuaj që të shënoja pranë thënies së tij se: Dashuri nuk matet as nga numëri i puthjeve që shkëmbejnë partnerët. Dashuria matet nga vlaga e zjarrit që ndezin në shpirtin e njeri tjetrit, nga besimi që mbjellin e rritin në zemrën e njeri tjetrit. Dashuria matet me ballë tërmeti  që shkakton në shpirtin e secilit  afrimi i rrezikur te njeri prej tyre. Dashuria është ëndër, është ëndër,  është e vetmja ëndër që të vjen dy herë në jetë. Dashuria është dhimbje, është dhimbje që të godet rrëshqitazi në brinjë e të meh frymën, të mbledh stomakun sa një grusht, të arratis gjumin nga sytë e ta vonon agimin e ditës së re. Dashuria është vetëflijim, që si një çafkë ngrihet lart, lart, klith si në një lamtumirë e zhytet thellë në det. Nuk del mbi valë përsëri, ndoshta është shndruar në një peshk, sepse s’duhet të humbasë, s’duhet të vdesë kursesi. Nga mënyra se si e përshkruan Odise Kote dashurinë e Pandorës dhe të Nelsonit ndjejmë dhe kuptojmë se është një dashuri  e përfshirë në një roman dhe jo një roman që ka të shkruar një histori dashurie.

Në kohën që Rako Sirani gruan e tij e quan dhe e trajton si një “shkurre”, Nelson Andrea gruan e tij shurdh-memece nisi ta njohë e ta dojë “si gruan e tij” në kuptimin e plotë të kësaj fjale, pasi ishin të dy nën një rrezik dhe në kushte minimale jetese. “Do puthemi me buzët që kemi” thotë një shprehje niviciote me një kuptim shumë më tejë se puthja e mirfilltë e dy njerëzve.

Njerëzit e vuajtur që i bashkon fati e njohin njeri tjetrin, kur shohin se ata (njerëzit që dashurojnë) ecin në jetë dhe prania e tyre, për arsye objektive bëhet pengesë për një ecje të mëtejëshme, ata vetëflijohen dhe largohen nga jeta e njeriut që duan duke e lënë të lirë në ngjitjen e tij: “..ajo… Iku ndoshta në vijën e saj të yllësisë. Pandorka e bukur, gruaja që i kishte dhënë gjithçka Nelo Andreas shqiptar,. Ndoshta e kishte kuptuar që në kohën e re, Nelsonit amerikan, nuk mund t’i jepte dot asgjë. Mbase për këtë shkak dhe ishte larguar, ashtu siç dinte ajo: qetësisht, thjesht, pa ndërlikime, pa lamtumirë”.

Ky vetëflijim nuk është në legjenda, këtë vetëflijim e bëjnë  vetëm ato gra që përjetojnë dhimbjen dhe dashurinë e vërtetë, si e urta Pandorë.

VII- Romani “Amerikani” i Odise Kotes është nga ata libra që sado të shkruash dhe të flasësh për ‘ta, ke gjithmon diçka të re për të thënë.

Sarandë, më shtator 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok